Pesha dhe të qenit në formë të mirë fizike janë bërë tashmë një mani për amerikanët. Një industri e tërë ka lindur për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi dhe për të nxjerrë fitime prej tij. Ashtu sikurse për çdo industri të re, edhe për formën fizike, çdo vit lindin prirje të reja.
Që nga viti 2000, është shtuar vazhdimisht numri i amerikanëve që janë anëtarë të palestrave. Kjo shifër tani ka arritur në mbi 50 milionë vetë. Kjo për shkak se një e treta e amerikanëve janë obezë dhe dy të tretat e tyre janë klasifikuar zyrtarisht si mbi peshë.
Njerëzit tani kanë gjithashtu prirjen ta masin gjendjen e tyre fizike me pajisje teknologjike në trup.
“Një prirje interesante për vitin 2016 është se pajisjet e reja janë shumë bazike për të matur gjendjen fizike dhe për të qëndruar në formë të mirë sportive. Shkenca është përqëndruar pikërisht në këtë aspekt dhe pajisjet e reja kryejnë matjet e nevojshme përmes një teknologjie të avancuar.”- thotë Amy Dixon.
Synimi i pajisjeve teknologjike që veshin njerëzit, është për ta bërë më të thjeshtë të qenit në formë të mirë fizike. Prirje e këtij viti është thjeshtësia e pajisjeve.
Ushtrimet fizike me pesha dhe stërvitja me intervale me intensitet të lartë nuk kërkon shumë pajisje, apo kohë.
“Më pëlqen shumë kjo pajisje. Të nxit për garë, është e shpejtë. Zhvillon ushtrime me intensitet të lartë, pastaj pushon pak për të marrë veten. Kombinon ushtimet kardio dhe ato të forcës,”- thotë Michelle Parker.
Në Shtetet e Bashkuara po ashtu vihet re një prirje për shtimin e stërvitjes për më të moshuarit.
Joga vazhdon të jetë një formë mjaft e përhapur e ushtrimeve fizike. Aleanca e Jogës thotë se këtë vit më tepër se 36 milionë amerikanë janë marrë me joga.
Por e gjithë kjo teknologji nuk mund të ndryshojë faktin që, sipas Këshillit të Presidentit për Gjendjen Fizike të njerëzve, vetëm një në tre të rritur kryejnë ushtrimet fizike të nevojshme për organizmin e tyre. (voa)