Panairi më i madh vjetor në botë i pajisjeve elektronike, CES, shërben si një matës i prirjeve që fusha të ndryshme të teknologjisë do të ndjekin gjatë këtij viti. Në panairin, që u mbajt në fillim të janarit në Las Vegas, nuk pati ndonjë shpikje të re, por teknologjia e robotëve, dronëve, printerave 3D dhe makinave autonome ka shënuar një përparim.
Vizita në Panairin e përvitshëm të pajisjeve elektronike të jep një ide mjaft të mirë mbi zhvillimet që pritet të ketë në tregun global të teknologjisë këtë vit, jo vetëm tek pajisjet inteligjente shtëpiake, por edhe ato profesionale.
Nga të gjitha gjitha pajisjet e paraqitura, robotët, makinat e automatizuara, printerat 3D, dhe dronët kanë sjellur njeriun më afër një të ardhmeje më të automatizuar për shkak të funksioneve të tyre inteligjente dhe përdorimit gjithnjë e më të lehtë.
Dronët, operimi i të cilëve dikur ishte shumë i vështirë,tani mund të kryejnë akrobacione ajrore dhe me lehtësi mund të shmangin pengesat.
“Qëllimi ynë është të prodhojmë dronë që janë të gatshëm për fluturim që në momentin e blerjes. Pra, menjherë pasi të instaloni baterinë ato do të duhet të jenë gati për përdorim”.
Edhe robotët që ofrojnë shërbime po përdoren gjithnjë e më shumë për punë të përditshme. Në aeroporte, në hotele ose në koridoret e spitaleve, ata mund të zëvendësojnë njeriun për një kosto shumë më të ulët.
“Ky robot mund të japë informacione për gjëra të ndryshme, mund të argëtojë njerëzit, dhe është i pajisur me një ekran që mund të përdoret për reklama”.
Robotët shtëpiakë tashmë mund të pastrojnë dyshemenë dhe dritare të mëdha.
Ndërkohë, inxhinierët thonë se kanë bërë përparime të mëdha në kompjuterat e makinave pa shofer.
“Unë mendoj se ka një konsensus në industrinë e makinave se teknologjia e makinave pa shofer do të jetë mjaft e fuqishme brenda katër deri në pesë vitet e ardhshme”.
Në vitin 2016, printerat 3D do të jenë më afër statusit të një pajisje të nevojshme për një familje, ndërsa ato të nivelit profesional do të jenë në gjendje të printojnë pjesë metalike dhe do të fillojnë të ndryshojnë gjithë industrinë.
“Ne sot jemi të fokusuar në industrinë e titanit sepse suksesi dhe dështimi i dy industrive kritike varet nga aftësia e tyre për të prodhuar produkte komplekse, me pjesë të lehta prej titani. E kemi fjalën për industrinë e hapësirës, të mbrojtjes, dhe për kujdesin shëndetësor”.
Ekspertët thonë se përparimet në fusha të tjera të teknologjisë, si inteligjenca artificiale, realiteti virtual dhe pajisje të tjera trupore, tregojnë se 2016-ta do të jetë një vit shumë i mirë për tregun e teknologjisë. (voa)