Presidenti rus Vladimir Putin mori mbështetje të fortë nga Irani të martën mbi fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë. Udhëheqësi suprem Ali Khamenei tha se Perëndimi po kundërshton një Rusi “të pavarur dhe të fortë”.
Zoti Khamenei shtoi se nëse Rusia nuk do të kishte dërguar trupa në Ukrainë, do të ishte përballur më vonë me një sulm nga NATO, një deklaratë kjo që i bënte jehonë retorikës së zotit Putin, e që pasqyron lidhjet gjithnjë e më të ngushta mes Moskës dhe Teheranit, ndërsa dy vendet po përballen me sanksione të forta nga Perëndimi.
Aleatët e NATO-s kanë forcuar praninë e tyre ushtarake në Evropën Lindore dhe kanë furnizuar Ukrainën me armë me synimin për ta ndihmuar Kievin të përballet me agresionin rus.
Në udhëtimin i tij të dytë jashtë vendit, që kur Rusia nisi në muajin shkurt në Ukrainë atë që e quan një operacion ushtarak, zoti Putin ndau mendime me Presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe atë turk Rexhep Tajip Erdogan lidhur me konfliktin në Siri. Ai e përdori udhëtimin për të diskutuar gjithashtu edhe rreth një propozimi të mbështetur nga OKB-ja, për të rifilluar eksportet e drithit ukrainas, çka do të lehtësonte krizën globale ushqimore.
Turqia, një vend anëtar i NATO-s është gjendur përballë Rusisë në konfliktet e përgjakshme në Siri dhe Libi. Ankaraja madje i ka shitur dronë forcave ukrainase, të cilat janë përdorur për të sulmuar trupat ruse. Por Ankaraja nuk ka vendosur sanksione ndaj Kremlinit, çka e ka shndërruar atë një partner shumë të nevojshëm për Moskën. Përballë një inflacioni tejet të lartë dhe zhvlerësimit me shpejtësi të monedhës (lirës), Turqia po mbështetet gjithashtu tek tregu rus.
Gjatë bisedës me zotin Erdogan, zoti Putin e falënderoi atë mbi përpjekjet për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje mbi eksportin e drithërave ukrainas.
“Nuk janë zgjidhur ende të gjitha problemet, por është mirë që ka pasur përparim”, shtoi zoti Putin.
Zoti Erdogan vlerësoi atë që ai e cilësoi si “qasje shumë, shumë pozitive” të Rusisë gjatë bisedimeve të javës së kaluar në Stamboll. Ai tha se shpreson tek arritja e një marrëveshjeje dhe sipas tij “rezultati i saj do të ketë një ndikim pozitiv në të gjithë botën”.
Zyrtarë të OKB-së, si dhe zyrtarë rusë, ukrainas dhe turq, arritën një marrëveshje paraprake për disa aspekte që synojnë të garantojnë eksportin e 22 milionë tonë drithërave e produkte të tjera bujqësore tejet të domosdoshme, të bllokuara nga luftimet në portet e Ukrainës që ndodhen në Detin të Zi. Arritja e marrëveshjes do të shënonte një hap të madh drejt zbutjes së një krize ushqimore e cila ka çuar në rritjen e çmimit të produkteve jetike si gruri dhe elbi.
Udhëtimi në Teheran ka një kuptim simbolik edhe për publikun e brendshëm të zotit Putin, duke synuar të tregojë fuqinë ndërkombëtare të Rusisë edhe pse ajo po izolohet gjithnjë e më shumë, e po zhytet më thellë në konfliktin e saj me Perëndimin. Vizita në Iran vjen vetëm disa ditë pasi Presidenti amerikan Joe Biden vizitoi Izraelin dhe Arabinë Saudite, rivalët kryesorë të Teheranit.
Nga Jerusalemi dhe Jeddah, Presidenti Biden i kërkoi Izraelit dhe vendeve arabe të zmbrapsin ndikimin rus, kinez dhe iranian që është zgjeruar, nisur nga një perceptim për tërheqje të Uashingtonit nga rajoni.
Izraeli mban marrëdhënie të mira me zotin Putin, gjë që shihet si domosdoshmëri duke pasur parasysh praninë ruse në Siri, fqinjin verilindor të Izraelit. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë refuzuar të prodhojnë më shumë naftë përtej një plani të miratuar nga aleanca e tyre energjetike me Moskën.
Por të gjitha vendet, pavarësisht nga rivaliteti i tyre i shtrirë në kohë, mund të bien dakord për t’u afruar kundër Iranit, i cili ka avancuar me shpejtësi programin e tij bërthamor që kur ish-Presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore, duke rivendosur sanksionet e ashpra. Bisedimet për rikthim tek marrëveshja tashmë kanë ngecur.
Izoluar nga Perëndimi dhe rivalët e tij rajonalë, qeveria iraniane po rrit aktivitetin e pasurimit të uraniumit, po shtyp disidencën e po i mëshon titujve propagandistikë me qëndrime optimiste dhe të vijës së ashpër me synimin për ta mbajtur të fortë monedhën iraniane, rialin. Por ndërsa në horizont nuk po shfaqen mundësi për lehtësimin e sanksioneve, partneriteti taktik i Iranit me Rusinë është shndërruar në një partneritet për mbijetesë, edhe pse Moska duket se po i ‘vë shkopinj nën rrota’ Teheranin në tregun e zi të naftës, duke e shituar atë më lirë.
“Irani është qendra e diplomacisë dinamike”, shkruante në Twitter ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian, duke shtuar se takimet do të “zhvillojnë bashkëpunimin ekonomik, do të përqëndrohen në sigurinë e rajonit dhe do të garantojnë sigurinë ushqimore”.
Fadahossein Maleki, një anëtar me ndikim në komisionin e parlamentit iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, e cilësoi të hënën Rusinë, si “partnerin më strategjik” të Iranit.
Në shenjë të bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë ushtarak, zyrtarët rusë javët e fundit vizituan të paktën dy herë një aeroport në Iranin qendror, për të riparë dronët e Teheranit, tek të cilët mund të instalohen armë, e që ka gjasa të përdoren në Ukrainë, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Në takimet me udhëheqësit iranianë, Presidenti Putin vlerësoi rëndësinë e lidhjeve të ngushta mes Moskës dhe Teheranit.
“Marrëdhëniet tona po zhvillohen me një ritëm të mirë”, tha zoti Putin në fillim të takimit me zotin Rais, duke shtuar se dy vendet kanë punuar për të forcuar bashkëpunimin e tyre në funksion të sigurisë ndërkombëtare.
Në një deklaratë përmbyllëse, ai ofroi mbështetje të fortë për Teheranin mbi marrëveshjen e bllokuar bërthamore duke bërë thirrje për ringjalljen e plotë të saj dhe heqjen tërësisht të sanksioneve kundër Iranit për të lejuar sikurse tha një “zhvillim të lirë të bashkëpunimit në çdo fushë dhe pa asnjë diskriminim”.
voa