Martin Luther paraqiti tezat e tij për reformimin e kishës katolike më 31 Tetor. Sot Gjermania feston Ditën e Reformacionit. Por a është ky vend, vendi i Reformacionit? Shumica e protestantëve nuk jetojnë në Gjermani.
Në fillim ishte fjala. Kjo fjali e famshme nga përkthimi i Biblës i Martin Luterit mund të kishte qënë motoja e jubileut të Reformacionit. Në fund të fundit, Reformacioni u shkaktua nga shpallja me fjalë të fuqishme e tezave të Martin Luterit, 500 vjet më parë.
Por punët erdhën ndryshe. Jubileu ngjalli shpresa dhe ëndrra të mëdha, sepse Martin Luteri rezultoi figurë e mrekullueshme për publicitet. Kush e di, sikur jubileu të shkaktonte këtu një reformacion të ri dhe t’u shtonte papritur besimtarët kishave?
Shpresa e madhe nxiti entuziazëm të madh. Jo vetëm për një vit, por për dhjetë vjet me radhë duhet të festohet në Gjermani përvjetori i 500-të i Reformacionit: në vitin 2007 kisha evangjelike në Gjermani shpalli një “dekadë të Luterit”.
Zhgënjim protestant
Shpresa ndërkohë ia ka lënë vendin zhgënjimit protestant. Përtëritja reformatore nuk ndodhi. Numri i të krishterëve në atdheun e Lutherit është më tej në rënie. Nderimi i thellë i Zotit nga Luteri, radikalizmi i tij dhe thirrja e tij për pendesë për gjithë jetën u duken shumë njerëzve këtu të çuditshme.
Edhe nëse në vitin 2016 për herë të parë hynë në kishën evangjelike më shumë njerëz se sa dolën prej saj: që prej ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, pjesa e protestantëve në Gjermani nga 36 përqind që ishte, ka rënë në 26 përqind. Gradualisht po pranohet: edhe festimet për një ngjarje të tillë epokale si 500 vjet reformacion nuk mund t’i mbash të gjalla për një dekadë të tërë. Organizatorët, para së gjithash Kisha Evangjelike e Gjermanisë shkuan shumë larg.
Me sharmë dhe radikalitet
Po kjo nuk merr fund këtu. Ata nuk mbajtën parasysh sa duhet as një tendencë të rëndësishme të “Qytetares së botës Reformacion”, një përcaktim i qëlluar i Federatës Botërore Luteriane: sepse ripërtëritja protestante sot nuk kryhet më në Gjermani, por krejt diku tjetër. Dhe bëhet ndryshe nga ajo që mendohej.
Sipas të dhënave të “Qendrës për Studimin e Krishtërimit Global”, rreth 228 milionë prej 560 milionë të krishterëve evangjelistë jetojnë në Afrikë. Rreth 130 milionë janë në kontinentin amerikan, rreth 100 milionë në Azi dhe rreth 90 milionë në Evropë.
Në të gjithë botën, janë gjithsej 2,3 miliardë njerëz të besimit të krishterë, dy të tretat prej tyre jetojnë në Azi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine. Shumica janë katolikë. Por në këto rajone ngrihen edhe kisha evangjeliste, të cilat fjalën e Zotit e interpretojnë në mënyrë konservatore, krejt në të kundërtën e asaj që bën protestantizmi gjerman.
Kundërreformacion në Lagos
Ky revolucion i ri konservator do të vijë edhe në Evropë. Si duhet të reagojnë kishat e këtushme për këtë zhvillim? Çfarë do të thoshte Luteri për këtë lloj reformacioni? A do ta përshëndeste interpretimin fjalë për fjalë të Biblës?
Në vend që të harxhojnë fuqitë edhe pas 500 vjetësh me kishën katolike dhe me Papën, protestantët sot duhet të vendosin veton e tyre kundër predikuesve të indulgjencës të epokës së re: deklaruesve të të ashtuquajturit evangjelizëm i mirëqënies ose i fundit të botës.
Nga pikëpamja teologjike Gjermania është e përgatitur më së miri për këtë debat, sepse në rang ndërkombëtar bën pjesë në vendet drejtuese të shkencave teologjike. Dhe ngulitja në shoqëri e protestantizmit vazhdon të formësojë edhe më tej kulturën politike në këtë vend – edhe nëse besimi te Zoti po bie. Prandaj është koha më e përshtatshme për t’u kthyer në fillesat e Luterit: “Në fillim ishte fjala”. Debati teologjik për Reformacionin e vjetër dhe të ri nuk duhet të zhvillohet në Gjermani, por në Lagos, në Seul dhe në Sao Paolo. Në njërin prej këtyre metropoleve duhet të kremtohet edhe jubileu i ardhëm i Reformacionit. (Astrid Prange De Oliveira)