Reuters analizon kthimin e mediave turke në shërbim të Erdoganit

erdogKur dhëndri i Presidentit Tayyip Erdogan u largua papritur nga posti i ministrit të Financave në fund të vitit 2020, katër punonjës të redaksive kryesore të lajmeve në Turqi thanë se morën një udhëzim të qartë nga menaxherët e tyre: mos e raportoni këtë njoftim derisa qeveria të japë miratimin.

Dorëheqja e Berat Albayrakut, të cilën ai e njoftoi në një postim në Instagram mbrëmjen e së dielës, u raportua nga mediat ndërkombëtare dhe të pavarura turke. Lira u rrit me shpresat për një drejtim të ri për ekonominë e rrënuar të vendit.

Por për më shumë se 24 orë, stacionet televizive pro-qeveritare dhe gazetat që dominojnë peizazhin mediatik të vendit qëndruan praktikisht të heshtura për përçarjen më dramatike në rrethin e brendshëm të Erdoganit në gati dy dekadat e tij në pushtet.

Incidenti ilustron faktin se si mediat tradicionale turke, dikur një përplasje më e gjallë idesh, janë bërë një zinxhir i ngushtë që merr komanda nga qeveria për titujt, faqet e para dhe temat e debateve televizive. Intervistat me dhjetëra burime në media, zyrtarë qeveritarë dhe rregullatorë japin pamjen e një industrie që është njehsuar me institucione të tjera ish-të pavarura, të cilat Erdogani i ka përkulur sipas dëshirës së tij, duke përfshirë, thonë kritikët e tij, gjyqësorin, ushtrinë, bankën qendrore dhe një pjesë të madhe të sistemit arsimor. Presioni i qeverisë dhe vetëcensurimi mediatik janë shkaktarët e kësaj gjendjeje thonë ekspertët e intervistuar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Udhëzimet në redaksitë e lajmeve shpesh vijnë nga zyrtarë në Drejtorinë e Komunikimeve të qeverisë, e cila merret me marrëdhëniet me mediat, thanë më shumë se 12 persona të brendshëm të industrisë për agjencinë Reuters. Drejtoria është një krijim i Erdoganit, që punëson rreth 1500 njerëz dhe e ka selinë në një kullë në Ankara. Ajo drejtohet nga një ish-akademik, Fahrettin Altun.

Zyrtarët e Altunit lëshojnë udhëzimet e tyre në telefonata ose mesazhe Whatsapp-i që ndonjëherë u drejtohen menaxherëve të redaksive me shprehjen e njohur “vëlla”, sipas disa prej këtyre njerëzve dhe një rishikimi nga agjencia Reuters të disa prej mesazheve.

Kur agjencia Reuters kontaktoi drejtorinë për koment, një zyrtar i lartë qeveritar i njohur me qasjen e zotit Altun tha se ” nuk është absolutisht ” e vërtetë që ai përcakton axhendën e lajmeve. Fahrettin Altun “herë pas here informon redaktorët dhe gazetarët si pjesë e punës së tij. Megjithatë këto detyra nuk janë kryer kurrë në një mënyrë që mund të shihet si cënim i pavarësisë redaksionale të organizatave të lajmeve ose shkelje e lirisë së shtypit”.

Zyrtari nuk pranoi të komentojë nëse Drejtoria i udhëzoi mediat të ndalonin raportimin për dorëheqjen e ministrit Albayrak. Zoti Albayrak nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë Reuters për koment në lidhje me mbulimin mediatik.

Mbështetësit e presidentit Erdoganit kanë mjete të tjera për të ndikuar në mbulimin e lajmeve. Kompanitë më të mëdha të medias kontrollohen nga kompani dhe njerëz të afërt me Erdoganin dhe Partinë e tij AK (AKP) pas një seri blerjesh që filluan nga viti 2008. Të ardhurat nga reklamat shtetërore u jepen kryesisht agjencive pro-qeveritare, zbuloi një ekzaminim i të dhënave nga agjencia Reuters. Nga ana tjetër, rregullatorët e emëruar nga qeveria ndëshkojnë për shkeljen e kodit të medias të Turqisë pothuajse ekskluzivisht mediat e pavarura ose opozitare, tregon një analizë e agjencisë Reuters për këto dënime. Të kritikosh presidentin dhe të pretendosh se ka korrupsion qeveritar mund të përbëjë shkelje të rregullave.

“Mediat kryesore në Turqi i shërbejnë më shumë funksionit të fshehjes të së vërtetës sesa raportimit të lajmeve”, thotë Faruk Bildirici, një gazetar që punoi për 27 vjet, deri në vitin 2019, në gazetën më të madhe të vendit, Hurriyet, ku ishte edhe ‘ombudsperson’. Që nga një ndryshim në pronësinë e gazetës në vitin 2018, Hurriyet gjithashtu është bërë pro-qeveritare.

“Shqetësimet e gazetarisë janë zëvendësuar nga përpjekjet për të shkuar mirë me partinë në pushtet dhe për të realizuar dëshirat e tyre,” tha zoti Bildirici. “Partia jep udhëzime për të përcaktuar rendin e ditës… dhe kryeredaktorët, korrespondentët e Ankarasë apo drejtorët e programeve televizive janë kontaktet kryesore” me partinë dhe me Drejtorinë e Komunikimeve.

Agjencia Reuters dërgoi pyetje në lidhje me trysnitë mbi median turke në zyrën e Erdoganit dhe rregullatorëve për televizionin dhe median e shkruar. Zyra e presidentit Erdogan nuk u përgjigj.

Në një deklaratë fillestare për agjencinë Reuters, Instituti i Reklamimit të Shtypit (BIK), një degë e Drejtorisë që mbikëqyr median e shkruar dhe faqet e tyre të internetit, hodhi poshtë kritikat se është bërë një mjet për censurë që ndëshkon raportimet negative për qeverinë. Zyra tha se “nuk është e shqetësuar” me “pikëpamjet apo ideologjinë” e botimeve.

Më pas, më 10 gusht, BIK njoftoi se kishte pezulluar dhënien e dënimeve për shkelje të etikës pasi Gjykata Kushtetuese e Turqisë miratoi disa ankesa kundër Institutit nga gazeta të pavarura. Gjykata vendosi se BIK “shkel lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit” dhe i bëri thirrje parlamentit të ndryshojë ligjet përkatëse. Qeveria nuk e komentoi vendimin.

Rregullatori për mediat transmetuese, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit (RTUK), hodhi poshtë sugjerimet se ai vepron si censurë ose merr udhëzime nga Erdogani.

Ndërsa Turqia i afrohet zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të cilat priten vitin e ardhshëm, Erdogani e gjen veten pas në shumë sondazhe. Politika e tij jotradicionale e uljes së normave të interesit shkaktoi një krizë valutore dhe një spirale inflacioniste edhe para luftës në Ukrainë që solli një rritje të çmimeve globale të energjisë dhe ushqimeve. Lira ka humbur më shumë se një të katërtën e vlerës së saj këtë vit dhe inflacioni vjetor është 80%, duke thelluar varfërinë mes mbështetësve kryesorë të klasës punëtore dhe të mesme të Erdoganit.

Analistët politikë thonë se presidenti do të ketë nevojë për sa më shumë ndihmë mediatike që mund të marrë nëse do të zgjasë mandatin e tij në një dekadë të tretë për të udhëhequr Turqinë, një anëtare e NATO-s dhe fuqi ushtarake rajonale që ndodhet në udhëkryqin e migracionit global, tregtisë dhe historisë.

Në maj, qeveria e Erdogan propozoi një ligj për të cilin thotë se do të luftonte “dezinformimin” e medias pa përcaktuar se çfarë është ai, një hap që disa mbrojtës të fjalës së lirë thanë se do të dyfishonte një goditje prej vitesh ndaj raportimeve kritike. Një artikull në projektligjin e propozuar thotë se kushdo që përhap informacione të rreme në lidhje me sigurinë ose rendin publik mund të përballet me deri në tre vjet burg. Parlamenti do ta diskutojë projektligjin kur të kthehet nga pushimet në tetor.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>