Rritet fluksi i emigrantëve në Hungari dhe Austri

refugjatet stacionin hekurudhorMijëra refugjatë po dynden në Austri pas njoftimit të saj se do të pranojë kërkesat për azil, siç bëri Gjermania në fillim të javës. Keqësimi i motit e ka vështirësuar udhëtimin e tyre përmes Ballkanit Perëndimor e pastaj në Hungari për të kaluar drejt Evropës Perëndimore. Evropa është bërë dëshmitare e vërshimit më të madh të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Emigrantët dhe refugjatët vazhduan edhe sot udhëtimin e tyre drejt Evropës Perëndimore nga Röszke e Hungarisë, megjithë vështirësitë dhe shiun e vazhdueshëm.

Të mbështjellë me batanie dhe mushama, grupe të vogla njerëzish, ecnin përgjatë hekurudhës me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë në vende si Gjermania dhe Austria.

Anas, refugjat sirian, vazhdon të ecë më këmbë ndërsa tregon se përse ka udhëtuar deri tani me mijëra kilometra.

“Në Siri, babai im ka vdekur. Ka vdekur për shkak të presidentit Bashar al-Asad. Ai e vrau babain tim,” thotë Anas.

Më shumë se 300.000 njerëz kanë kaluar në Evropë nga deti këtë vit dhe më shumë se 2.600 kanë vdekur gjatë udhëtimit. Shumë prej të ardhurve janë refugjatë nga lufta civile në Siri, që ka hyrë në vitin e saj të pestë.

“Kam ardhur për djalin, gruan dhe jetën time. Sepse në Siri, ne nuk kemi jetë. Nuk mund të bësh asgjë në Siri,” thotë Anas.

Por sirianët nuk janë të vetmit që bëjnë rrugën e Ballkanit, për të shkuar në Hungari e për të dalë pastaj në perëndim.

“Është e vështirë, shumë e vështirë. Jemi të lodhur dhe të uritur,” thotë se emigrantja afgane Fatima, e cila ndalet për një çast nga ecja nëpër trasenë e hekurudhës.

Moti është keqësuar dhe kjo e ka vështirësuar udhëtimin, pavarësisht nga përpjekjet e organizatave humanitare për të ndihmuar.

“Mëngjesi është i ftohtë. Nata shumë e nxehtë. Shikoni? Ja, tani po bie shi,”thotë somalezi Ahmed Abdul Salam.

Numri i emigrantëve që kalojnë kufijtë gjatë natës për të hyrë në Austri dhe Hungari ka shënuar një rekord të ri për këto dy vende, të cilat ndodhen në frontin e krizës së refugjatëve.

Rreth 3,700 njerëz vërshuan përmes kufirit nga Hungaria në Austri të enjten, tha një zëdhënës i policisë.

Në qytetin lindor austriak Nickelsdorf, mijëra presin trenat për në Vjenë dhe më tej për në Gjermani e vende të tjera.

Mijëra refugjatë po dynden në Austri pas njoftimit të saj se ajo do të pranojë kërkesat për azil, siç bëri Gjermania në fillim të javës. Evropa është bërë dëshmitare e vërshimit më të madh të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa njerëzit përpiqen t’i shpëtojnë dhunës në Siri, Afganistan, Irak dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>