Veprimtarët e mjedisit druhen se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, mund të zhbëjë shumë prej politikave të presidentit Barack Obama për pakësimin e ndotjes nga karboni. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, ndryshimet e klimës duket se po sjellin ndikime serioze në jetët e njerëzve në shumë pjesë të globit.
Ndërsa ajri ftohtë lëviz në lindje, mbi Liqenin Miçigan ngrihen avuj. Janë pamje të janarit 2016.
Sistemi atmosferik “El Nino” u ndje në mbarë botën gjatë pjesë së parë të vitit 2016 – nga moti i ftohtë tek thatësirat dhe përmbytjet. Sistemi “El Nino” ndodh kur ujrat e Paqësorit në Ekuator ngrohen më shumë se normalja, duke shkaktuar një ajër në ngritje që ndryshon strukturën e erërave dhe motit. Një prej ndikimeve është pakësimi i shirave në Amerikën LAtine, sikurse në Bolivi, ku Liqeni Poopo është zhdukur.
Nga fundi i janarit, liqeni i dytë për nga madhësia në Bolivi u deklarua se i shterruar, duke bërë që mijëra njerëz të migronin per mbijetesë drejt zonave urbane.
“El Nino” ndodh çdo tre deri shtatë vite, ndërsa temperaturat e oqeanit kthehen në normale mes kësaj periudhe.
Por, gjatë viteve 2015-2016 ky sistem është quajtur “Super El Nino”, më i dëmshmi që nga periudha 1997-1998. Shkencëtarët thonë se “El Nino” i përkeqëson edhe më tej temperaturat globale në rritje. Temperaturat globale për vitin 2016 shkuan drejt rekordeve më të larta të vitit, tha në nëntor agjencia e OKB për motin.
Sipas OKB-së, temperaturat botërore të ndikuara nga “El Nino” janë 1.2 gradë Celsius mbi nivelet e epokës para-industriale. Kjo po i afrohet kufirit të caktuar nga marrëveshja globale për klimën të miratuar në Paris në vitin 2015. Marrëveshja bën thirrje për kufizimin e rritjes së temperatures që nga revolucioni industrial me 2 apo 1.5 gradë Celsius.
Projekte mbarë botërore po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin mbi ndikimin e ngrohjes globale si ky pyll lundrues në Roterdam. Pemët e rritura do të pushtojnë lumin në këtë sistem lundrues të pashoq. Kompania zbatuese “Mothership” thotë se do të duhen 10 vjet që pylli të arrijë madhësinë e duhur.
Ndërsa në pjesë të tjera të botës, ishte mungesa e ujit ajo që ndikoi tek miliona jetë njerëzish. Mungesa e shirave në Indi shkatërroi mbjelljet dhe blegtorinë duke lënë shumë fermerë në borxhe të mëdha dhe papunësi.
Rajoni Marathwada në Indinë qendrore me 19 milion banorë është shkatërruar nga stuhitë dhe thatësira. Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të zhvendosen për të mbijetuar. Shirat musone, që normalisht shfaqen nga qershori në shtator, janë të rëndësishme në një vend ku 60 përqind e popullsisë merret me bujqësi dhe më pak se gjysma e tokës së punuar është nën vaditje.
Ndërkohë peisazhet e thata dhe bimësia e pakësur në Anadollin qendror po ashtu po kërcënojnë stilin e jetës për një prej grupeve më të vjetra nomade në Turqi. Thatësira po pakëson kullotat, duke detyruar familjet të jenë gjithnjë në lëvizje për të ushqyer bagëtinë.
Rajoni i Levantit në Mesdhe (Qipro, Israel, Jordani, Liban, Palestinë, Siri dhe Turqi) po përjeton thatësirën më të rëndë në 900 vjet, sipas një hulumtimi të publikuar nga NASA. Çdo pranverë, Hasan Bacak dhe familja e tij lëvizin nga pjesa jugore e Turqisë për në bjeshkët e Anatolisë Qendrore.
Shtegtarët nomadë me bagëtitë e tyre lëvizin çdo vit nga brigjet e mesdheut për në malet e Anadollit në kërkim të temperaturave më të ulta. Temperaturat e larta dëmtojnë dhitë e tyre në bregdet gjatë verës.
Bacak thotë se bari që dikur arrinte gjurin, tani rritet me vështirësi:
“Bari rritej në lartësinë e gjurit. Sivjet nuk është rritur si pasojë e thatësirës. Po të kishte patur reshje edhe shkurret do të ishin rritur. Por nuk ka shi, më parë këtu kishte dëborë. Ka dy vite që nuk ka dëborë.”
Rezervuarët në Irak janë mbushur përsëri pas vitesh thatësire. Punonjësit në Dunkan thonë se nuk kanë parë kaq shumë ujë në rezervuar gjatë dhjetë viteve të fundit.
Marrëveshja e Parisit për mjedisin u bë ligj ndërkombëtar më 4 nëntor. Deri tani, 96 vende me dy të tretat e ndotjeve nga efekti serë, i janë bashkuar zyrtarisht marrëveshjes dhe më shumë vende pritet ta mbështesin atë. Presidenti i zgjedhur Donald Trump duket sikur e ka zbutur qëndrimin ndaj ndryshimeve klimatike. Në një intervistë për gazetën “The New York Times” ai tha se “ka një mendje të hapur” rreth marrëveshjes së Parisit për klimën. Por këshilltarët e zotit Trump kanë lënë të kuptohet se ai ka në plan të eleminojë programin hulumtues të NASA-s për klimën, që studion ngrohjen e planetit, shkrirjen e akujve në Arktik dhe rritjen e nivelit të oqeaneve. (voa)