Ligjvënësit gjermanë pritet të votojnë të mërkurën për të miratuar ose jo paketën e tretë të shpërtimit për Greqinë. Si ligjvënësit grekë ashtu edhe ministrat e financave të Eurozonës tani e mbështesin marrëveshjen, por Lisa Bryant njofton nga Parisi se mbeten pengesa para se kriza greke të përfundojë.
Pas disa orë negociatash në Athinë dhe Bruksel për të mbështetur paketën prej 95 miliardë dollar të shpëtimit, tani vjen pjesa më e vështirë. Një numër parlamentesh të Eurozonës duhet ta votojnë atë – duke filluar me Gjermaninë, një nga skeptikët më të mëdhenj të ndihmës. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, kërkon që parlamentet të miratojnë marrëveshjen deri të mërkurën. Kjo do të lejojë Greqinë të ripaguajë 3.6 miliardë dollar borxhe ndaj Bankës Qendrore Evropiane brenda afatit të së enjtes.
Një nga kreditorët kryesorë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ende duhet të jap mbështetjen. Drejtoresha e FMN-së Christine Lagarde tha se marrëveshja e shpëtimit është një hap i rëndësishëm përpara për Greqinë, por duhet bërë më shumë, veçanërisht në pakësimin e borxhit për Athinën.
Megjithatë Ministri holandez i Financave dhe kreu i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem e përshëndeti marrëveshjen në një konferencë shtypi në Bruksel, pak pasi ministrat e financave të Eurozonës e miratuan atë.
“Është e plotë, kjo është një paketë ambicioze reformash. Ajo adreson sfidat kryesore, si në kthimin e financave të shëndosha publike në rritje, ashtu edhe kornizat e politikave strukturore për të rritur konkurrencën. Dhe së fundi, ajo ruan stabilitetin financiar; ajo merret me çështjet në banka.”
Një nga mbështetëset më të mëdha të Greqisë, Franca e përshëndeti gjithashtu marrëveshjen. Presidenti Francois Hollande tha se ajo vërteton se Evropa është e aftë të përparojë mbi parimet e solidaritetit dhe përgjegjësisë.
Edhe Ministri grek i Financave Euclid Tsakalotos pati një reagim optimisht, megjithëse marrëveshja kërkon që Athina të ndërmarr reformat ë vështira.
“Kjo marrëveshje – ne asnjëherë nuk i kemi fshehur faktet – ka shumë mundësi. Ka mundësinë për popullin grek të reformojë sektorin e tij public, të adresojë çështjet e korrupsionit, të adresojë çështjet e evazionit fiscal dhe një numër të rëndësishëm reformash strukturore.”
Por ai shtoi se kushtet e paketës së shpëtimit do të krijojnë gjithashtu problem për shumë grekë. Mënyra se si do të zgjidhen ato do të jetë çelësi i suksesit. Kushtet krijojnë gjithashtu problem për kryeministrin Alexis Tsipras, i cili përballet me një mbështetje të dobësuar nga vetë partia e tij dhe mund të bëj thirrje për zgjedhje të parakohshme.
Disa analistë kanë dyshime nëse masat, që përfshijnë rrritjen e taksave, shkurtimin e shpenzimeve dhe privatizimin e aseteve shtetërore, do të sjellin rritje dhe do të lejojnë Greqinë të paguaj borxhin. Ajo që është e sigurtë është se, në një periudhë afatshkurtër, masat do të sjellin kohë të vështira për shumë grekë. (voa)