Kompanitë gjigande të llojit Fast Food po përballen me kërkesat e konsumatorëve për ushqime të shëndetshme që t’u përshtaten kërkesave të tyre individuale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton nga Los Anxhelesi se industria e ushqimeve të çastit po u përgjigjet konsumatorëve që duan më shumë sesa një hamburger dhe patate të skuqura.
Industria e restoranteve “Fast Food” filloi në autostradën historike “Route 66” në San Bernardino, të Kalifornisë, ku vëllezërit McDonald hapën një restorant në vitin 1940. Ata në pas e përqëndruan aktivitetin e tyre tek hamburgerat dhe patatet e skuqura, duke shitur volum të madh me çmime të ulta. Një i njohuri i tyre, biznesmeni Ray Kroc, ua bleu biznesin dhe e shndërroi atë më pas në një perandori mbarëbotërore.
Një muze privat pranë restorantit të parë McDonald’s festoi 75 vjetorin e kompanisë, ndërsa pronari i muzeut Albert Okura u tregon vizitorëve për idenë e madhe të dy vëllezërve.
“Ata shisnin hamburger dhe patate të skuqura. Ata kishin ushqimin e duhur në kohën e duhur.”
Ushqimi ishte i shpejtë dhe i lirë. Tommy Bliss shkonte shpesh në ato kohë, kur McDonald ishte një pikë grumbullimi për adoleshentët.
“Këtu i gjeje të gjitha vajzat e bukura, makinat e mira ishin kudo përreth.”
Të rinjtë sot shkojnë në restorante të tjera si Chipotle. Ky rrjet me ushqim të shpejtë meksikan reklamon përbërës të shëndetshëm. Një i tillë në rrethinat e Uashingtonit tërheq klientë si Yao Odamtten.
“Unë ha ushqim të shëndetshëm. Është shumë e rëndësishme për mua.”
Chipotle është pjesë e një segmenti të ri restorantesh të ushqimit të shpejtë, thotë analisti i kësaj industrie Shon Hiatt.
“Chipotle, Panera, Noodles & Company. Ato që i bën këto restorante ndryshe, është ushqimi sipas kërkesave. Ai është i shpejtë dhe perceptohet si i një cilësie të lartë.”
Hamburgera me mish viçi, me ose pa domate, apo sanduiçë vegjetarian me kërpudha, është formula e rrjetit Shake Shack, një restorant i ri në Nju Jork, aksionet e të cilit filluan të shkëmbehen në bursë këtë vit për herë të parë.
Hiatt thotë se këto restorante të reja tërheqin grupmoshat e mijëvjeçarit, të rinjtë që u bënë të rritur rreth vitit 2000.
“Statistikat e fundit gjatë katër viteve të fundit kanë treguar se kjo grupmoshë ka shtuar konsumin e këtij lloj ushqimi me pesë përqind në vit, ndërsa komsumi i ushqimit Fast Food ka mbetur aty ku ka qënë.”
McDonald’s përballet me rënie të fitimeve dhe po mëkëmbet nga rënia e vitit të kaluar për shkak të furnizimit me mish të prishur nga një kompani kineze. Skandali ka ndikuar edhe rrjete të tjera si KFC.
McDonald’s ka ndryshuar menunë e saj duke përfshirë më shumë artikuj të shëndetshëm. Kompania po shqyrton edhe automatizimin për ta bërë menunë e saj më të përshtatshme.
Dhe përballë kërkesave të punonjësve për paga më të larta, mund të përdorë automatizimin për të ulur koston e krahut të punës. Analistët e industrisë thonë se gjigantët e ushqimit të shpejtë duhet të gjejnë mënyra për të ndryshuar biznesin e tyre me ndryshimin e shijes së konsumatorëve. (voa)