Lajmet për një mbështetje të mundshme ushtarake të Asadit nga Rusia alarmojnë SHBA-në. Uashingtoni ka frikë se kjo mbështetje mund ta acarojë gjendjen.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i bëri të qartë homologut të tij rus, Sergei Lavrov në një bisedë telefonike se një ndërhyrje e mundshme ushtarake e Rusisë mund të acarojë më tej konfliktin në Siri, tha Departamenti amerikan i Shtetit. Kerry është i shqetësuar në lidhje me njoftimet se Moska mund të planifikojë që të zgjerojë përsëri mbështetjen e saj ushtarake për regjimin e presidentit të Sirisë Bashar al-Asad.
Në telefonatë Kerry u përpoq për t’i bërë të qartë Lavrovit, se nga një rritje e angazhimit ushtarak rus mund të rritet jo vetëm numri i viktimave dhe i të vdekurve në Luftën Civile por do të vazhdojë të rritet edhe numri i refugjatëve. Përveç kësaj, në rastin e një ndërhyrjeje të Rusisë kërcënojnë konflikte me koalicionin ushtarak të udhëhequr nga SHBA kundër milicëve xhihadistë të “Shtetit Islamik” (IS) në Siri.
Siç njoftohet më tej, të dy palët ranë dakord që ta vazhdojnë dialogun e tyre në fund të muajit në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Putini: Njoftimet të parakohshme
Sipas një raporti të “New York Times” Rusia ka dërguar një ekip ushtarak në Siri. Përveç kësaj në një aeroport pranë Latakias janë dorëzuar strehimore parafabrikat për qindra vetë dhe një stacion lëvizës për kontrollin e trafikut ajror. Gazeta bazohet tek analistët e zbulimit amerikan. Rusia ka kërkuar gjithashtu të drejta për fluturimin e avionëve ushtarakë për muajin shtator.
Qeveria e SHBA thotë se nuk është saktësisht e qartë për qëllimet e Moskës , shkruan “New York Times”. Sipas autoriteteve shtetërore fusha ajrore mund të shërbejnë edhe për transportin e pajisjeve ushtarake për regjimin e Asadit, ose si një pikënisje për sulmet ajrore ruse në mbështetje të forcave qeveritare siriane.
Mediat izraelite raportojnë se Rusia është e gatshme të dërgojë aeroplanë ushtarakë në Siri që mund të përdoren kundër IS-it. Në rrjetet sociale u shfaqën fotografi me avionë rusë dhe dronë në Siri. Presidenti rus Vladimir Putin i quajti njoftimet për një ndërhyrje ushtarake të Rusisë në konflikt si të “parakohshme”. (voa)