Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se janë raportuar deri më tani 971 raste fruthi në Shtetet e Bashkuara. Kjo shifër ia kalon rekordit prej 963 rastesh, të raportuara në vitin 1994.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha të enjten se nëse epidemia në qytetin e Nju Jorkut vazhdon deri në vjeshtë, Shtetet e Bashkuara mund të humbasin statusin e tyre si vend që ka eliminuar fruthin.
“Humbja e këtij statusi do të ishte një goditje e madhe për të gjithë vendin dhe do të fshinte punën e bërë nga të gjitha strukturat e shëndetit publik”, thuhet në deklaratën e CDC-së.
Fruthi u deklarua i eliminuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000, dhe CDC-ja thotë se një ndër arsyet kryesore ishte disponueshmëria dhe përdorimi i gjerë i vaksinës së sigurtë.
Luftimi i propagandës kundër vaksinave
CDC-ja, Organizata Botërore e Shëndetit, si dhe ekspertë të tjerë janë duke luftuar propagandën e prindërve dhe aktivistëve anti-vaksinë që refuzojnë të imunizojnë fëmijët e tyre, duke këmbëngulur se vaksina është e rrezikshme.
“Sërish dëshiroj të siguroj prindërit se vaksinat janë të sigurta. Ato nuk shkaktojnë autizëm. Rreziku më i madh është sëmundja që vaksina parandalon. Fruthi është i parandalueshëm dhe mënyra për ta ndalur këtë epidemi është duke u siguruar që të vaksinohen të gjithë fëmijët dhe të rriturit që e kanë këtë mundësi”, thotë drejtori i CDC-së, Robert Redfield.
4 milionë raste, përpara epokës së vaksinës
Përpara vitit 1963, kur u gjykua e perfeksionuar vaksina e fruthit, CDC-ja thotë se rreth 4 milionë amerikanë infektoheshin çdo vit nga fruthi. Deri në 500 prej tyre humbnin jetën.
Virusi i fruthit është tepër ngjitës dhe përhapet kryesisht nëpërmjet kollës dhe tështimave.
Krahas refuzimit të disa prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre, CDC-ja thotë se epidemia e tanishme ka të bëjë edhe me udhëtarë që dyshohet se e kanë sjellë virusin nga vendet ku ka epidemira të mëdha, si Izraeli, Filipinet dhe Ukraina.
voa