Të dhënat e botuara të enjten tregojnë se vaksina e mundshme për koronavirusin e kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit shfaq një rritje të ndjeshme të imunitetit tek moshat më të vjetra.
Ndërkohë, kompanitë Pfizer dhe BioNTech kanë thënë se rezultatet përfundimtare të provave me vaksinat e tyre kandidate tregojnë një efektivitet prej 95% dhe pa efekte anësore serioze.
Të dhënat për vaksinën e mundshme të kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit, të cilat u raportuan pjesërisht muajin e kaluar, por u botuan të plota sot në revistën mjekësore Lancet, tregojnë se njerëzit e moshës mbi 70 vjeç, që janë në rrezik më të lartë për t’u sëmurur me COVID-19, mund të krijojnë imunitet të fortë ndaj sëmundjes.
Studiuesit thanë se janë duke vazhduar provat e fazës së vonë për të konfirmuar gjetjet dhe për të provuar nëse vaksina mbron nga infeksioni një gamë të gjerë njerëzish, përfshirë ata me sëmundje të tjera.
Rezultatet e provave duhet të mësohen deri në Krishtlindje, thanë shkencëtarët. Ata shtuan se është tepër herët për të ditur nëse dhe sa mirë funksionon vaksina për parandalimin e sëmundjes.
Prodhuesit rivalë Pfizer, BioNTech dhe Moderna 10 ditët e fundit kanë njoftuar të dhëna nga provat e fazës së vonë, që tregojnë se vaksinat e tyre kandidate kanë patur një efektshmëri të lartë.
Ugur Sahin, Drejtor i Përgjithshëm i firmës BioNTech me qendër në Gjermani, tha në një intervistë të mërkurën se një sasi dozash të vaksinës së tyre premtuese mund të jetë gati muajin tjetër, në pritje të miratimit nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave.
“Nëse gjithçka shkon mirë, ne mund të fillojmë t’i shpërndajmë vaksinat në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara në gjysmën e dytë të dhjetorit që mund të konsiderohet si një dhuratë për Krishtlindje, por natyrisht më e rëndësishmja është që së pari t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve dhe të marrim miratimin,” tha zoti Sahin.
Pfizer dhe BioNTech thanë të mërkurën se rezultatet përfundimtare të provave të vaksinës së tyre treguan një sukses prej 95% dhe pa efekte anësore serioze.
Veç kësaj, efikasiteti i vaksinës ishte i qëndrueshëm në njerëz të etnive dhe moshave të ndryshme
“Ne kemi patur efikasitet më të lartë se 94% në personat mbi 65 vjeç dhe ky sigurisht që është një zbulim i rëndësishëm sepse kjo popullatë e moshuar është veçanërisht e rrezikuar për t’u infektuar me këtë sëmundje të rëndë”, tha zoti Sahin.
Kompania Pfizer tha se shpreson të prodhojë deri në 50 milion doza vaksinash këtë vit, të mjaftueshme për të mbrojtur 25 milion njerëz dhe më pas, në vitin 2021 të nxjerrë deri në 1.3 miliardë doza.
Rezultatet më të mira se sa pritej nga kjo vaksinë si dhe nga një tjetër e kompanisë Moderna kanë rritur shpresat për t’i dhënë fund pandemisë, e cila ka shkaktuar vdekjen e mëse 1.3 milion njerëzve në të gjithë botën, duke sjellë gjithashtu dëme të mëdha ekonomike dhe në jetën e përditshme.
Vaksinat e kompanive Moderna dhe Pfizer përdorin një teknologji krejtësisht të re. Në vend të virusit të dobësuar, vaksinat përmbajnë një kod gjenetik të quajtur mRNA për proteinën që del mbi sipërfaqen e koronavirusit. Duke injektuar kodin tek njeriu, qelizat e trupit mësojnë ta njohin proteinën dhe janë gati ta sulmojnë virusin e vërtetë nëse ai shfaqet.
voa