Lindja e Mesme po përgatitet për një përshkallëzim të dhunës pas sulmit me raketë të fundjavës që la të vdekur 12 fëmijë, që ushtria izraelite e cilësoi si sulmin më të përgjakshëm ndaj civilëve që nga 7 tetori.
Izraeli akuzon grupin militant Hezbollah për sulmin në një fushë futbolli në Golan, por Hezbollahu ka mohuar përgjegjësinë. Këshilli për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se është në kontakt me autoritetet në Izrael dhe Liban dhe po punon për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike, ndërkohë që Italia, Britania e Madhe dhe Gjermania po bëjnë thirrje për shtensionim të situatës.
Ushtria izraelite njoftoi të hënën se ka goditur një mori objektivash në brendësi të Libanit gjatë natës. Sipas mediave libaneze, sulmet izraelite në Libanin jugor shkaktuan vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, ndërkohë që Izraeli po përgatit një kundërpërgjigje për sulmin e fundjavës. Agjencia Reuters, duke u bazuar në burime të sigurisë, i identifikoi dy të vrarët si pjesëtarë të grupit Hezbollah.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili u kthye me nxitim nga Shtetet e Bashkuara pas sulmit, tha se Izraeli do të hakmerrej.
“Izraeli nuk mund të mos reagojë. Ne do të kundërpërgjigjemi dhe kundërpërgjigja jonë do të jetë e ashpër,” theksoi ai në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij pas vizitës në qytezën Majdal Shams ku ndodhi sulmi i së shtunës.
Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant po ashtu vizitoi të hënën familjet e fëmijëve të vrarë gjatë sulmit dhe u zotua se Izraeli do të hakmerrej ndaj grupit militant Hezbollah, duke shtuar shqetësimet për një luftë të hapur ndërmjet tyre.
“Do të bëjmë çmos për të rikthyer sigurinë dhe normalitetin. Hezbollahu do të paguajë çmimin për këtë dhe për sulmet tjera. Do të flasin veprat, jo fjalët. Kam ardhur t’u them se i gjithë sistemi i sigurisë, qeveria, të gjithë që ishim dëshmitarë, jemi të tronditur. Është njëra prej ngjarjeve më të vështira që ndodhën në Izrael,” tha ai.
Dymbëdhjetë fëmijët të moshave 10 deri në 16 vjeç u vranë gjatë sulmit të së shtunës kur një raketë ra një fushë futbolli në qytetin Majdal Shams, ku jeton komuniteti druzë, në Golanin e kontrolluar nga Izraeli, rreth 12 kilometra në jug të Libanit dhe në kufi me Sirinë. Viktima e fundit e sulmit u varros të hënën, ndërkohë që 20 të plagosur po vazhdojnë të trajtohen, sipas ushtrisë izraelite.
Irani paralajmëroi Izraelin se një reagim i fuqishëm do të ketë pasoja të pashembullta, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë njoftoi se po bisedon me autoritetet në Liban dhe Izrael për gjetjen e një zgjidhjeje që “do t’u jepte fund një herë e përgjithmonë” sulmeve përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit. Sipas burimeve diplomatike, këshilltari i Presidentit Biden, Amos Hochstein po punon për t’u siguruar që sulmi hakmarrës i Izraelit ndaj Hezbollahut dhe përgjigja e grupit militant ndaj tij të mos çojnë në një luftë të hapur. Përpjekjeve për të ulur tensionet iu bashkuan edhe Italia, Britania e Madhe dhe Gjermani, e cila u bëri thirrje shtetasve të saj të largohen menjëherë nga Libani.
Sipas mediave izraelite, të cituara nga agjencia Reuters, zyrtarët izraelitë po shqyrtojnë mundësinë e një sulmi të kufizuar ndaj infrastrukturës, përfshirë ura, termocentrale dhe porte e deri në goditjen e depove të armatimit të Hezbollahut apo komandantëve të këtij grupi, që qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste.
Megjithatë, dy zyrtarë të lartë izraelitë i thanë agjencisë Reuters se Izraeli synon të godasë grupin militant dhe jo të nxisë një luftë të hapur në Lindje të Mesme.
Sulmet ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, që vepron nga Libani dhe thotë se po sulmon Izraelin në përkrahje të palestinezëve në Gazë që nga tetori i vitit të kaluar, janë shpeshtuar në muajt e fundit, duke shkaktuar vrasje dhe zhvendosje të civilëve në zonat kufitare.
voa