Mjekët thonë se sezoni i gripit këtë vit në Shtetet e Bashkuara ka qenë mjaft i rëndë dhe mund të keqësohet. Një numër pacientësh janë shtruar në spital dhe ka pasur edhe viktima nga gripi ose ndërlikimet që shkakton sëmundja. Siç na njeh materiali në vazhdim, shumë nga pacientët mendojnë se janë me rrufë dhe nuk i kushtojnë vëmendje një sëmundjeje që mund të jetë vdekjeprurëse:
Gripi është shfaqur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Numri i pacientëve të shtruar në spital dyfishohet çdo javë. Kalifornia është goditur më rëndë dhe spitalet kanë ngritur tenda për pacientët pasi janë mbushur mbi kapacitet:
“Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se janë me rrufë dhe do e kalojnë. Disa shërohen, por jo të gjithë,” thotë Dr. Adrian Cotton.
Shtatë vjeçari Cisco Galvez vdiq nga virusi. Ishte shumë e rëndë për nënën e tij:
“Sëmundja avancoi shumë shpejt, për pak ditë. Nuk e prisja, ai ishte shumë i shëndetshëm”.
Në shkallë vendi, janë raportuar mbi 41 mijë raste. Në Kaliforni afro 30 vetë kanë vdekur.
“Këtu, gripi ka goditur rëndë dhe duhet të bëjmë ç’është e mundur për të parandaluar dhe kufizuar përhapjen,” thotë Dr. Sayone Thihalolipavan.
Varianti dominues është H3N2 i gripit A, që në të kaluarën ka shkaktuar ritme më të larta të rrezikut për shtrim në spital ose vdekje.
Vaksinat për gripin krijohen çdo vit duke u bazuar tek varianti dominues i muajve të dimrit në hemisferën jugore.
Ndonjë vit, variantet e gripit që përdoren për të krijuar vaksinën janë të ndryshëm nga gripi që godet Shtetet e Bashkuara, prandaj vaksina nuk ka shumë efekt. Vaksina e sivjetshme pritet të ketë sukses nga 10 përqind deri në 30 përqind të rasteve.
Megjithatë, mjekët po këshillojnë popullatën të vaksinohet për gripin.
“Vaksina e gripit po funksionon, mendoj unë, pasi kjo vaksinë përmban virusin që kemi parë në qarkullim,” thotë Dr. Christelle Ilboudo.
Edhe në rastet kur vaksina nuk ka të njëjtin variant të virusit që ka goditur në sezonin e gripit, ajo ndihmon për të parandaluar ndërlikime si pneumonia dhe pasoja të tjera vdekjeprurëse.
Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve dhe agjenci të shëndetësisë në 46 vende kanë publikuar në revistën Lancet një studim me ritme të reja më të larta vdekshmërie.
Ata bazohen tek të dhënat e fundit në parashikimin se numri i viktimave vjetore mund të jetë nga 300 mijë deri në 650 mijë në shkallë botërore. Raporti thekson gjithashtu se rreziku i vdekshmërisë është më i lartë në rajonet më të varfra të botës, përfshirë Afrikën nënsahariane. (voa)