Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kremtojnë të hënën 240 vjetorin e pavarësisë nga Britania në një ditë feste mbushur me pikniqe, parakalime e fishekzjarrë gjithandej vendit.
Presidenti Barack Obama, do të pres familjarët e ushtarakëve në Shtëpinë e Bardhë dhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae.
Por, qendra e kremtimeve do të jetë përgjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivit Kombëtarë. Kjo është shtëpia e Deklaratës së Pavarësisë e hartuar nga Thomas Jefferson dhe e miratuar nga Kongresi më 4 korrik të vitit 1776.
Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga Jeffersoni 32 vjeçar.
Më shumë se çdo gjë, deklarata është një akuzë e ashpër ndaj mbretit George të Britanisë, duke e quajtur atë një tiran dhe duke thënë se ai ka injoruar në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.
Në mesin e 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh të trupave britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve të tyre tregtare me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.
Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.
Kremtimet e 4 korrikut përfshijnë leximin tradicional të Deklaratës së Pavarësisë, n shkallët e Arkivit Kombëtar. Brenda ndërtesës, dokumenti shfaqet për publikun krahas Kushtetutës dhe Kartës së të Drejtave. (voa)