Sonda Juno, e ushqyer me energji diellore, mbylli dje misionin pesë vjeçar të fluturimit drejt Jupiterit. Juno u dërgua në hapësirë nga NASA për të studiuar origjinën e planetit më të madh të sistemit tonë diellor dhe ndikimin e këtij planeti tek jeta në Tokë.
Ishte një manovër për jetë a vdekje për sondën e NASA-s. Juno ndezi motorin mbrëmë për të ulur shpejtësinë duke lejuar që të tërhiqej nga forca gravitacionale e Jupiterit, në një mision që mund të kishte sjellë një përplasje shkatërrimtare për mjetin hapësinor.
Sonda duhej të pozicionohej në mënyrë ekzakte, të ndizte motorin në kohën ekzakte dhe ta mbante ndezur për 35 minuta për të realizuar futjen në orbitën e Jupiterit.
Inxhinierët në Laboratorin e Lëshimeve Hapësinore të NASA-s në Kaliforni shpërthyen në brohoritje pas përfundimit me sukses të manovrës
“Sa më shumë që di për këto misione, aq më të qartë e ke se sa të vështira janë të realizohen me sukses. Nuk di si ta shpreh me fjalë,” thotë drejtuesja e programit Juno në NASA, Diane Brown.
Tani Juno do të studiojë për 20 muaj planetin gjigant, më të madhin në sistemin tonë diellor, në mënyrë që të ofrojë përgjigje për faktorët që ndikuan në krijimin e sistemit tonë diellor, si dhe për të kërkuar për ekzistencën e një substance të ngurtë në lëmshin prej gazi që përbën ky planet.
Sonda do të bëjë kërkime edhe për gjurmë uji në atmosferën e planetit. Prania e ujit është një ndër treguesit më të rëndësishëm për të analizuar se sa larg nga dielli u formua ky planet.
Origjina e Jupiterit ka ndikuar tek pozicioni dhe madhësia e planeteve të tjera, përfshirë Tokën, ndërsa pozicioni i tij ka diktuar edhe praninë e jetës në Tokë.
Jupiteri, i cili ka një madhësi sa 1300 Tokë, ka një orbitë pesë herë më larg nga Dielli se planeti ynë, por mendohet që në gjenezën e tij mund të ketë pasur tjetër pozicion dhe gradualisht ka lëvizur, duke ndikuar edhe tek pozicioni i planeteve të tjerë në sistemin tonë diellor.
Madhësia e Jupiterit dhe forca tërheqëse e bëjnë atë tepër të vlefshëm për Tokën tonë, pasi ai thith drejt vetes shumë asteroidë dhe kometa, duke na shpëtuar ne nga goditja e tyre me pasoja të mundshme fatale.
Juno është sonda e dytë që mbërrin në Jupiter. Sonda Galileo iu rrotullua Jupiterit nga 1995-2003.
Juno, prodhuar nga firma Lockheed Martin, pritet të vazhdojë punën për 20 muaj. Në orbitën e tij të fundit, Juno do të përpihet në atmosferën e Jupiterit, ku do të shpërbëhet plotësisht për të mos lejuar ndotje kozmike të hënës së Jupiterit, nga mikrobe të sjellë nga Toka. Hëna Europa është në plan si destinacion kërkimesh për jetë jashtë-tokësore. (voa)