Para 22 vitesh ndodhi masakra e Srebrenicës – krimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Reporteri i Deutsche Welles ka biseduar me disa prej atyre që e kanë mbijetuan masakrën.
Sejdalija Suljiq është mësues në Osatë. Ai ka lindur në afërsi, në fshatin Urisiqi afër Drinës, ku ka jetuar deri në vitin 1992. Babai i ka vdekur në moshën 6-vjeçare. Pas kësaj ngjarjeje ai është larguar për të jetuar në Srebrenicë së bashku me familjen.
„Më kujtohet që shpesh kemi qenë të uritur në kohën e luftës. Por një problem edhe më i madh ka qenë kripa që mungonte. Më kujtohet që kripën e mbanim në një paketë të vogël, sikur të ishte drogë. Kemi mundur të përdorim shumë pak, vetëm sa për të mbijetuar. Malet e tanishme asokohe kanë qenë të prera tërësisht, sepse nuk kemi pasur me çfarë të ngrohemi.”
„Ti me beben mund të kalosh, ky vogëlushi jo”
Adem Mehmedoviq – Ado është kthyer në Srebrenicë para disa vitesh. Ai është dy vite më i madh nga Suljiqi. Ademi është profesor i historisë, por ka vite që punon si gazetar. „Në atë kohë kam pasur vetëm tetë vjet, por disa momente nuk i kam harruar kurrë. Fshati im ka qenë në linjën e parë të frontit dhe çdo ditë është granatuar. Kjo ka qenë përditshmëria jonë. Më kujtohet kur e kanë plagosur shokun tim të klasës, e gjithë fytyra ishte e gjakosur.” “Më kujtohet edhe kur më ka lindur motra e vogël. Nëna solli disa bombona, më të ëmbëlat që kam ngrënë ndonjëherë.”
Ado flet edhe për ngjarjen, e cila i kujtohet më së shumti. “Në korrik të vitit 1995 Srebrenica ishte para rënies në duart e serbëve. Babai me shumë njerëz të tjerë është nisur maleve drejt Turzllës. Nëna, motra dhe unë u nisëm për në Potoçare, ku ishte mbledhur një numër i paparë i njerëzve. Kaq shumë njerëz nuk kam parë kurrë më parë.
Të gjithë ecnin të trishtuar, sikur ta dinin se çfarë i pret. Erdhi urdhri që gratë me fëmijë të ndahen dhe të nisen me autobusë. Nëna kishte në duar motrën një veçare, ndërsa mua më mbante për dore. Kur erdhëm tek autobusi, një ushtar i tha nënës: ti me beben mund të futesh në autobus, e ky vogëlushi le të kalojë në anën tjetër. Na ndanë, ndërkohë që unë nuk kuptoja asgjë. U rrënua e gjithë bota në sytë e mi. Nëna mbeti totalisht e shokuar nga frika.
Pak metra më larg, na ndaloi një ushtar tjetër dhe tha: ‘Lëshoje këtë fëmijë, ka mjaft të tjerë që kemi ndarë’. Ushtari i parë më lëshoi dhe ma futi një shqelm mbrapa, aq fuqishëm sa që rashë në telat me gjemba. Nëna më kapi për dore dhe u futëm në autobus – gjë që simbolizonte shpëtimin.”
Ka ardhur koha për ikje
Ahmed Ustiq – Brico ka qenë 17-vjeçar kur ka filluar lufta. Ai kujton shumë detaje: “Në fillim të gjitha më habisnin. Ndodhte diçka por nuk e kuptoja se çfarë po ndodh. Një përvojë e re dhe shokuese për mua. Papritur shumë njerëz ikën nga Srebrenica, gjendja ishte e tmerrshme”.
Brico thotë se momenti më i vështirë ishte humbja e familjes, miqve. “Është habitëse se si njeriu mësohet me vdekjen, kur ajo ndodh çdo ditë. Kur vdes dikush që nuk e njeh, nuk të intereson fare. Kushtet kanë qenë të mjerushme, njerëzit vdisnin për shkak të mungesës së gjërave elementare mjekësore.”
Brico kujton edhe kohën e ikjes masive nga Srebrenica, sepse forcat serbe afroheshin nga dita në ditë. Rreziku ishte tepër i madh, vdekja përditshmëri. “Kam ikur me një grup të moshuarish. Kam qenë aq i shokuar sa që nuk e di nëse jam përshëndetur me familjarë. Unë kam pasur fat të mbijetoj.”
Brico është kthyer në Srebrenicë menjëherë pas luftës. Tani është i martuar dhe ka dy fëmijë. “Jam kthyer për të vazhduar jetën këtu. Takohem dhe shoqërohem me të gjithë ata që jetojnë këtu. Kam shumë miq serbë që mendojnë si unë. Shumë prej tyre kanë humbur më të dashurit gjatë luftës. Me rëndësi është që fëmijët tanë të jetojnë në paqe, dhe të ketë dialog e bashkëpunim mes tyre.” (dw)