Këtu në Shtetet e Bashkuara, vlera e llotarisë “Powerball” pritet të arrijë në 1 miliardë dollarë, pasi asnjë nga biletat e shitura deri të shtunën nuk rezultoi fituese. Sipas Shoqatës së Llotarisë, Shanset për të fituar shifrën prej 949.8 milionësh ishin një në 292.2 milionë.
Miliona amerikanë kanë zënë radhë të gjata për të blerë bileta llotarie ose i blejnë ato në internet, me ëndrrën për t’u bërë multimilionerë.
Llotaria Superball luhet në 44 shtete, Washington D.C., Porto Rico dhe Ishujt Virgin.
Numrat e rinj fitues do të bëhen publike të mërkurën dhe deri atëherë vlera e llotarisë pritet të arrijë në 1.3 miliardë dollarë.
Llotaria ka vazhduar të rritet ndërsa askush nuk e ka fituar që nga fillimi i nëntorit, kur kishte vlerën 40 milionë dollarë. Llotaria Powerball luhet dy herë në javë.
Fituesi mund të zgjedhë për të marrë pagesa vjetore gjatë 30 viteve të ardhshme, ose një pagesë të plotë – minus 39 për qind taksa federale, shtetërore dhe lokale.
Shuma më e madhe e llotarisë e fituar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara ndodhi në mars të vitit 2012, kur tre mbajtësit e biletave në Kansas, Illinois dhe Maryland ndanë 656 milionë dollarë të llotarisë Mega Millions. Shuma më e madhe e llotarisë Powerball e fituar ndonjëherë ishte 590 milionë dollarë në maj të vitit 2013 e fituar nga një person që e kishte blerë biletën e llotarisë në Florida, sipas Associated Press. (voa)