Takimi i Këshillit Arktik dhe ndryshimet klimatike

Keshilli ArktikNdryshimet klimatike janë në qendër të vëmendjes në një takim të nivelit të lartë që zhvillohet sot në Alaska. Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe ministrat e jashtëm të shtatë vendeve të Këshillit Arktik – Rusia, Groenlanda, Kanadaja, Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Islanda takohen sot ndërsa po ndodhin ndryshime të shpejta në shtresën e akullit rreth Polit të Veriut dhe pas një vendimi të administratës Trump për të vazhduar pjesëmarrjen në Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Çdo ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara për klimën, mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e banorëve të Alaskës, të cilët varen tek deti Arktik për të mbijetuar. Cindy Saine njofton nga Feirbanks në Alaska.

Shkencëtarët thonë se temperaturat në Arktikun e virgjër po ngrohen me dyfishin e shpejtësisë nga pjesa tjetër e botës.

Akulli i detit është në nivele të ulta rekord dhe shtresa e trashë e nëntokës që mbetet e ngrirë gjatë gjithë vitit, ka filluar të shkrijë. Shkencëtarët thonë se në se niveli i tanishëm i ngrohjes vazhdon, bota do të shoh një Arktik pa akull deri në vitin 2040. Banorët vendas janë të alarmuar:

“Jam rritur pa ujë të pijshëm për pjesën më të madhe të jetës. Ishte një traditë e vjetër dhe prindërit e mi e preferoni atë mënyrë. Më duhej të ecja deri tek një liqen me ujë të pastër, të thyeja pak akull, ta ngarkoja në një slitë druri dhe ta tërhiqja për ta çuar në shtëpi dhe ky ishte uji që pinim – ky bllok i madh akulli.”

Tegoseak thotë se njerëzit në Alaskë, përfshi indigjenët, varen tek industria e naftës dhe gazit për të mbijetuar. Por ai beson se një urdhër ekzekutiv i nënshkruar në fillim të këtij muaji nga presidenti Donald Trump për të ndryshuar politikën e administratës Obama dhe për të lejuar përsëri shpimet në ujrat e Arktikut nuk është zgjidhja e duhur.

“Ne po këmbejmë të drejtat dhe aftësitë tona të gjuetisë dhe mënyrës tradicionale të jetesës që është mbi 10 mijë vjeçare, për një ekonomi me para në dorë që është një mentalitet ndryshe. Kur kapim një balenë përshembull, e ndajmë atë së bashku. Qëllimi ynë është që të gjithë të marrin një pjesë të balenës dhe nuk ka rëndësi ngjyra e lëkurës apo besimi. Të gjithë marrin një copë.”

Shumë ekspertë të mjedisit bien dakort se shpimet në Arktik janë të rrezikshme dhe të pavolitshme:

“Ujrat e Arktikut janë të ftohtë dhe është e vështirë – ne nuk kemi arritur ende të gjejmë mënyra si të trajtojmë një katastrofë nafte apo gazi në det. Kur shumë vjet më parë ndodhi një incident me kompaninë Exxon Valdez, nafta qëndroi në këto ujra për më shumë se 20 vjet.”

Ekspertët thonë se shkrirja e përshpejtuar e akullit të Detit Arktik ka të ngjarë të çojë në shtimin e transportit detar në këtë zonë dhe në shumë aktiviteteve të tjera ekonomike në Arktik – një temë që ministrat e Këshillit të Arktikut ka të ngjarë ta diskutojnë në takimin e tyre. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>