Një zjarrëfikës vullnetar amerikan, i cili kishte pësuar djegie të rënda kur një shtëpi e përfshirë nga flakët u shëmb mbi të këtu e 14 vjet më parë ka jetuar që atëherë i shfytyruar. Rreziku për humbjen e shikimit bëri që ai t’i nënshtrohet transplantimit të fytyrës. Operacioni i kryer në një spital në Nju Jork është më i ploti i këtij lloji që nga transplantimi i parë i fytyrës në Francë, në vitin 2005.
Më shumë se 100 mjekë dhe specialistë morën pjesë në operacionin që zgjati 26 orë, në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nju Jorkut.
41 vjeçari Patrick Hardison tani ka një fytyrë të re, veshë dhe pjesë të eshtrave të fytyrës. Por pjesa më e rëndësishme e këtij procesi kompleks ishte rindërtimi i qepallave, thotë kirkurgu Eduardo Rodriquez.
“Kjo procedurë ka rëndësi të madhe, pasi transplantuam kapakët e syve, të cilat mbrojnë shikimin e pacientit. Së dyti, është hera e parë që transplantohen kaq shumë inde.”
Hardison pësoi djegie të shkallës së tretë në vitin 2001, ndërsa hyri në një shtëpi të përfshirë nga flakët në shtetin Tenesi. Struktura e sipërme e shtëpisë ra mbi të. Më shumë se 70 ndërhyrje kirurgjikale nuk e rikthyen dot siç ishte fytyrën e tij, por ishte frika se nuk do të mund të shikonte më fëmijët e tij, që e bëri atë të kryente transplantimin e fytyrës.
Pas pritjes një vjeçare për donatorë, një 26 vjeçar në Nju Jork pati një aksident me biçikletë që e la atë në një komë të përhershme. Familja ra dakord të dhurojë fytyrën e tij.
Pas një operacioni rraskapitës, Hardison filloi terapinë që e ndihmoi atë të rifitojë ndjesinë në disa pjesë të fytyrës së tij të re.
Ai vazhdon të jetë në spital, ku stafi mjekësor e ka gjithë kohës në vëzhgim, diçka e zakonshme pas transplantimeve. Doktor Rodriguez që drejtoi procedurën, tha se transplantimet e fytyrës nuk janë procedura të zakonshme, por se nevoja për to lindi pas luftrave në Irak dhe Afganistan, ku shumë ushtarë pësuan dëmtime të rënda në fytyrë. (voa)