Qytetet amerikane po bëhen gjithnjë e më miqësore për kalimtarët dhe ngarësit e biçikletave. Ndërsa shoferët po mësojnë si të jenë më të kujdesshëm ndaj njerëzve në trafik, rrugët po bëhen më të sigurta për ato që quhen pajisje të transportit personal. Panairi i pajisjeve elektronike për konsumatorët i zhvilluarnë Las Vegas para disa ditësh, ofroi disa mjete transporti me bateri dhe çmim të volitshëm, që mund të përdoren nëpër trotuare dhe rrugica të posaçme për biçikleta.
Mjete si Segways me një apo dy rrota tashmë janë diçka e zakontë në shumë vende të botës.
Por shpikës të tjerë ëndërruan për një mjet të ngjashëm me qilimin fluturues. Bateri të fuqishme dhe materiale të lehta e mundësuan këtë ide.Demostruesit në platforma me një rrotë duket sikur rrëshqasin mbi dallgë.
Ata thonë se duhet kohë ta përvetësosh dhe pastaj e kupton sa e lehtë është të kontrollosh balancën. Nëse anon përpara paisja rrit shpejtësinë dhe e kundërta. Shpikësi i Hoverboard Robert Bigler thotë se ëndërra u bë realitet.
“Më interesonte lëvizja e njerëzve në rrugë dhe doja që ajo t’i ngjante rrëshqitjes. Kjo përvojë rrëshqitëse në rrugë nuk mund të kishte më shumë se një rrotë.”
Hoverboard ka dy bateri të lëvizshme që karikohen për një orë; ato kapin distanca deri në 32 kilometra dhe shpejtësi deri 10 kilometra në orë. Varianti i ri, Geoblade që del në mars, do të kushtojë rreth 1,500 dollarë.
Për ata që duan të ndjehen më të sigurtë, pajisja me tre rrota dhe mbajtëse mund të jetë më e përshtatshme.
Mjeti Cycleboard është më i lehtë të ngitet sepse mbajtësja i jep drejtuesit një ndjeshmëri më të madhe stabiliteti. Phil Labonty është me kompaninë Cycleboard.
“Cycleboard shkon në drejtimin që anohesh. Kështu që masa trupore është gjithmonë në anën e duhur.”
Ky mjet përshkon deri 40 kilometra dhe arrin shpejtësinë 32 kilometra në orë. Mund të tërheqë një rimorkjo të lehtë dhe kushton 1,500 dollarë.
Shpikësit po ashtu po mendojnë se si të ndihmojnë njerëzit me aftësi të kufizuara me mjete transporti të lehta dhe të përdorshme.
Kjo karrige invalidi mund të lëvizë edhe brenda shtëpisë falë rrotave speciale me drejtime të ndryshme. Ted Fageson është me kompaninë Whill.
“Janë 24 mekanizma të pavarur që sapo takojnë në tokë fillojnë të rrotullohen. Këto rrota speciale mundësojnë kthesat e ngushta.”
Është me katër rrota aktive dhe ka dy motorë. Mjeti ka një çelës për lëvizje dhe drejtim dhe një çelës për shpejtësinë. Është e fuqishme dhe ka qëndrueshmëri të mjaftueshme për të kaluar në terrene të ashpra. Çmimi është rreth 15 mijë dollarë ndërsa për disa modele të tjera sigurimi shëndetësor mbulon gjysëm e kostos. (voa)