Në hijen e Helmut Kohlit e organizoi Hans-Dietrich Genscher ribashkimin e Gjermanisë. Marrëveshja Dy-Plus-Katër konsiderohet vepër mjeshtërore diplomatike. Për këtë Genscherin e nderuan në një ceremoni.
Për këtë njeri nuk është e tepruar asnjë superlativë. Si “arkitekt i bashkimit” u brohorit Hans-Dietrich Genscher nga Demokratët e Lirë (FDP) në Zyrën e tyre në Berlin. “Një moment kulmor i diplomacisë” ishte Marrëveshja për Rregullimin përfundimtar në lidhje me Gjermaninë. Ky është titulli zyrtar i asaj Marrëveshjeje, me të cilën Fuqitë fituese dhe Humbësit e Luftës së Dytë Botërore i dhanë fund ndarjes së Gjermanisë. Për Republikën Federale Gjermane, Genscheri nënshkroi në 12 shtator 1990 Marrëveshjen Dy-Plus-Katër, si quhet ajo jozyrtarisht.
Një çerek shekulli më vonë, 88-vjeçarin e shtyjnë me karrige me rrota në podiumin e Thomas-Dehler-Haus. Genscheri ndodhet në karrige me rrota dhe më tepër e lë veten të mbulohet me nderimet e familjes së tij liberale, se sa i shijon ato. Vërtet burri i vjetër i politikës së jashtme gjermane është ndodhur në kohën e luftës së ftohtë shpesh dhe për një kohë të gjatë nën dritën e prozhektorëve, por këtë dritë Genscheri nuk e ka kërkuar kurrë.
Prozhektorët më tepër drejtoheshin automatikisht drejt tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe 23 vjet pasi ai është shkëputur nga politika aktive. Me emrin e tij janë të lidhura gurë kilometrazhi të rëndësishëm të politikës gjermane të shtensionimit. FDP e kujton në ceremoninë festive me një dokumentar kohor me fotografi këtë. Ajo fillon më 1 gusht 1975 me Aktin Përfundimtar të nënshkruar në Helsinki për Konferencën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (KSBE) dhe përfundon me zgjedhjet e para për Bundestagun në Gjermaninë e ribashkuar, më 2 dhjetor 1990.
Politika ndaj Lindjes e Genscherit shkakton shumë mosbesim
Në kohën midis këtyre dy poleve, por edhe shumë më përpara kësaj kohe, Genscheri angazhohet për të qetësuar raportin midis Lindjes dhe Perëndimit. Me këtë formulim e vlerëson kryetari i sotëm i FDP-së, i lindur më 1979, Christian Lindner meritat e Ministrit të Jashtëm Genscher, që e mbajti këtë post prej vitit 1974 deri më 1992. Politika e re ndaj Lindjes, e iniciuar në fund të viteve 1960 nga socialdemokratët dhe liberalët e Genscherit jo vetëm që zgjoi mosbesim. Edhe konservatorët në vend nuhasin rrezikun e një rruge të veçantë të Gjermanisë dhe një të një afrimi me Moskën. Në këtë sfond, Marrëveshja Dy-Plus-Katër duket gati si mrekulli. Sepse skepticizmi vazhdon të jetë i madh edhe më 1990, një vit pas rënies së Murit të Berlinit.
Para së gjithash kryeministrja britanike Margaret Thatcher ka frikë nga Gjermania e ribashkuar. Në këtë fazë, fundi i ndarjes së Gjermanisë varet në një fije peri. “Genscher-izmi” është atëherë në Londër, por edhe në vende të tjera një fjalë sharëse që preferohej të përdorej. Por megjithë sulmet retorike dhe goditjet diplomatike, Genscheri arriti t’i largojë rezervat.
“Populli ynë është bërë një popull që jep shembull të mirë”
Genscheri u jep disa këshilla pasardhësve të tij në parketin diplomatik. Si rrezik të madh Genscheri shikon arsenalet e armëve bërthamore, që mund të bien në duar të gabuara. Si zgjidhje e këtij problemi për të vjen në diskutim vetëm eleminimi i përbotshëm i tyre.
Në lidhje me projektin e tij të preferuar, Evropë, Genscheri kërkon më shumë solidaritet midis njëri-tjetrit. “Me kalimin e kohës, ne gjermanët nuk do të jemi mirë, nëse fqinjët tanë nuk do të jenë mirë për një kohë të gjatë.” Përballë përshtypjes së fuqishme të ndihmës për refugjatët, Genscheri ka një lëvdatë të madhe për bashkëkombasit e tij: “Populli ynë është bërë një popull që jep shembull të mirë.” (dw)