Kandidati republikan, biznesmeni miliarder Donald Trump dhe kandidati demokrat, senatori i shtetit të Vermontit, Bernie Sanders janë fituesit e garave mes partive respektive në shtetin Nju Hampshër.
Ndonëse numërimi i votave ende vazhdon, gjithë parashikimet i nxjerrin ata si fitues. Pjesëmarrja në votime ka qënë shumë e lartë.
Fitorja e shpejtë e kandidatit Sanders në garën demokrate në Nju Hampshër, është në kontrast me rezultatin e javës së kaluar në Ajova, që përfundoi pothuajse në barazim mes tij dhe kandidates Hillary Klinton.
Votimet në Nju Hampshër shënojnë një rikthim në krye për republikanin Trump, i cili doli në vendin e dytë në Ajova, pas senatorit të Teksasit, Ted Cruz.
Mes demokratëve, pas numërimit të rreth 14 për qind të votave, Bernie Sanders kryeson me 56 për qind ndaj Hillary Klintonit me 42 për qind.
Në kampin republikan, Donald Trump kryeson me 34 për qind të votave, ndërsa rivali i tij më i afërt, guvernatori i shtetit Ohajo, John Kasich, ka 16 për qind. Më tej pasojnë me diferencë më të vogël, ish guvernatori i Floridës Jeb Bush, kandidati Ted Cruz dhe senatori i Floridës Marco Rubio.
Votuesit dolën mes borës dhe motit të ftohtë duke pritur në radhë të gjata për të votuar. Pritet që pjesëmarrja të jetë rekord.
“Votova për Donald Trumpin se ekonomia është në gjendje të keqe dhe mendoj se ai mund të jetë kandidati më i mirë për ta përmirësuar”, thotë Roberta Latour.
Oscar Villacis është përkrahës i Hillary Klintonit.“Zemra më thoshte voto për Bernie Sanders, por mendja më thoshte voto për Hillary Klintonin”, thotë ai.
Sanders, Trump
Socialisti demokrat Sanders ende është pas kandidates Klinton në anketat në nivel kombëtar, por gjatë ditëve të fundit ka fituar gradualisht terren.
Në kampin republikan, miliarderi Trump, për muaj të tërë vazhdon të kryesojë ndjeshëm ndaj rivalëve të tij dhe pritej që të martën të shënonte fitoren e tij të parë në zgjedhjet paraprake. (voa)