Konfrontimet mes IS dhe Turqisë kanë të bëjnë më shumë me dobësitë e qeverisë, thotë në intervistë për DW ekspertja Gülay Kizilocak.
DW: Znj. Kizilocak, aviacioni turk po sulmon pozicionet e IS në Siri, mos vallë situata ndërkohë po shkallëzon?
Kizilocak: Kjo është një situatë mjaft serioze pikërisht pas zgjedhjeve parlamentare në qershor. Qeveria vazhdon të jetë e preokupuar me krijimin e një koalicioni të mundshëm, dhe shoqëria është e përçarë në dy kampe, në një pro-kurd dhe një anti-kurd. Kësaj i shtohet edhe kërcënimi konstant nga terroristët IS. Pra mund të thuash madje se në Juglindje të Turqisë mbizotëron një lloj lufte civile.
Ju përmendët zgjedhjet, sipas jush ç’influencë kanë ato ndaj situatës aktuale?
Për mua është e qartë, që në këtë situatë të pasigurtë ka shumë provokues, që përpiqen të përfitojnë nga gjendja, sepse qeveria aktualisht është në pushtet vetëm si ushtruese e detyrës. AKP ka pësuar humbje të dukshme, dhe deri më sot pas dy muajsh nuk ka ndërmarrë asnjë hap të arsyeshëm drejt krijimit të qeverisë. Secila parti, që mund të merrej në konsideratë për koalicionin, bllokon krijimin e koalicionit qeveritar dhe këtë pasiguri shumë përpiqen ta shfrytëzojë.
Pra ju ngjarjet aktuale ia referoni faktit që tani qeveria është e dobët?
Padyshim. Kësaj i shtohet edhe fakti, që qeveria turke deri tani i ka toleruar veprimet e IS. Këtë e kemi parë edhe vitin e kaluar, kur kishte luftime në Kobane direkt në kufirin me Turqinë. Ndërsa tani që qeveria është e dobët situata po përshkallëzohet edhe më shumë.
Zgjedhjet i fitoi partia kurde HDP, si e shihni ju rolin e saj në situatën aktuale?
HDP-ja ka tani rolin më të vështirë, sipas mendimit tim, sepse HDP-ja është krijuar si rrjedhojë e të gjitha zhvillimeve politike të viteve të fundit. HDP nuk është më vetëm një zëdhënëse e kurdëve në juglindje, por edhe një bazë grumbullimi për intelektualët e majtë kundër AKP-së konservatore-islamike që qeveris. Shumë zgjedhës të HDP ishin vota të huazuara. E këta zgjedhës tani duan të shohin, nëse HDP vërtetë po ndryshon, pikërisht tani në sfondin e sulmeve aktuale në juglindje.
Le të ndalemi edhe në planin e politikës së jashtme. A shihni një nivel të ri në marrëdhëniet turko-amerikane në qëndrimin e qeverisë turke dhe në sfondin e bashkëveprimit me amerikanët?
Unë mendoj, se marrëdhëniet turko-amerikane kanë qenë gjithmonë në një nivel të mirë, Kohët e fundit ndonëse ka pasur ndonjë mospërputhje, kjo nuk ka çuar në distancim serioz mes Turqisë dhe SHBA-së. Ndaj kjo nuk është as një aleancë “e re”. Por është shumë e rëndësishme që ta kesh SHBA-në një aleate të fortë në krah në luftën kundër IS.
Gülay Kizilocak punon në Qendrën e Studimeve për Turqinë në Esen.