Ankaraja po shqetësohet gjithmonë e më shumë se Presidenti Barack Obama mund të ndjekë shembullin e Papa Françeskut dhe të Parlamentit Evropian në përdorimin e fjalës “genocid” me rastin e 100 vjetorit të fillimit të vrasjeve masive të armenëve më 24 prill. Një zyrtar i lartë turk paralajmëron se do të merren hapa politike dhe ushtarake nëse përdoret fjala “genocid”.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu erdhi në Uashington për t’u takuar me homologun e tij amerikan John Kerry për ta bindur që Presidenti Obama të mos përdorë fjalën “genocid” në fjalimin e tij të përvitshëm për vrasjet masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ankaraja po alarmohet gjithmonë e më shumë se po piqen kushtet që ato vrasje të quhen me emrin genocid nga aleatët e saj, thotë Semih Idiz, një analist diplomatik për gazetën turke Taraf dhe faqen e internetit Al Monitor.
“Pas deklaratës së Papës, pas rezolutës jodetyruese të parlamentit evropian, dhe pas nbjoftimeve se edhe parlamenti gjerman po bëhet gati të miratojë një rezolutë të ngjashme, ata janë aq të shqetësuar, saqë dërgojnë Ministrin e Jashtëm në Uashington që të shohin se çfarë mendon John Kerry dhe të përpiqen ta bindin Kongresin në këtë drejtim. Pra është e qartë se janë të shqetësuar”.
Ankaraja e hedh poshtë me forcë akuzën e genocidit, duke thënë se vdekjet ndodhën gjatë një lufte civile, ku gjetën vdekjen edhe shumë turq. Por kryeministri Ahmet Davutoglu këtë javë shprehu ngushëllimet ndaj armenëve, të afërmit e të cilëve ishin vrarë.
Analisti Idiz thotë se arsyeja që Ankaraja po e kundërshton me aq forcë pretendimin e termit genocid, është se një gjë e tillë mund t’u hapte rrugën rasteve të shumta gjyqësore
“Ata e shohin fjalën genocid si një term ligjor dhe nëse pranohet gjerësisht, atëherë ekziston frika se armenët dhe Armenia do ta përdorin atë në gjykatat ndërkombëtare kundër Turqisë”.
Vëzhguesit thonë se ka një numër të konsiderueshëm pretendimesh për kompensim në gjykata që varen nga njohja ose jo e genocidit. Por Ankaraja po reagon. Një zyrtar i lartë turk duke folur me kusht që të mos identifikohej paralajmëroi se ka hapa të lehtë dhe praktikë që mund të merren kundër Uashingtonit nëse Presidenti Obama përdor termin “genocid”.
Forcat amerikane përdorin bazën ajrore turke të Incirlikut pranë Sirisë dhe Irakut dhe në Turqi ka radarë të rëndësishëm amerikanë.
Por eksperti i Shkencave Politike Cengiz Aktar i Universitetit Suleyman Sah në Stamboll thotë se përgjigjia e Ankarasë do të jetë jo shumë e bujshme.
“Ata vazhdojnë me paralajmërime, por përveç tërheqjes së ambasadorit, asgjë tjetër me pasoja. Në fund të fundit, vendet që po flasin për genocid, janë aleatët dhe partnerët më të ngushtë të Turqisë. Pra do të ishte shumë e vështirë që Turqia të reagonte negativisht ndaj tyre”.
Ankaraja aktualisht ka marrëdhënie të tensionuara ose nuk ka marrëdhënie diplomatike me fqinjët jugorë dhe as lidhjet me Bashkimin Evropian nuk janë të lehta.
Analistët rajonalë thonë se deri së fundmi, shumë nga aleatët e Turqisë e kishin shmangur njohjen e genocidit për shkak të rëndësisë strategjike të Turqisë si aleat i ngushtë. Por eksperti i shkencave politike Aktar thotë se shtysa më e madhe për njohjen e këtyre masakrave si genocid është shenjë e izolimit në rritje të Turqisë.
“Mësimi kryesor për qeverinë turke është se Turqia nuk konsiderohet më aleat i besueshëm”.
Pavarësisht nga rritja e izolimit, Turqia vazhdon të jetë një aleat i rëndësishëm strategjik. Analistët thonë se duke pasur parasysh kufijtë e Turqisë me Sirinë dhe Irakun, ajo ka rol thelbësor në frenimin e xhihadistëve që përpiqen të bashkohen me Shtetin Islamik. (voa)