Politikanë nga e gjithë bota janë të alarmuar për puçin ushtarak në Turqi. Reagimet e para tregojnë shqetësim për demokracinë në këtë vend. Palëve në konflikt u bëhet thirrje për vetëpërmbajtje.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon bëri thirrje për qetësi pas puçit ushtarak në Turqi. Kombet e Bashkuara i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Turqi, ka thënë një zëdhënës i Ban.
Presidenti amerikan, Barack Obama apeloi ndaj palëve në konflikt të mënjanojnë dhunën dhe gjakderdhjen. Përveç kësaj ato duhet të respektojnë “qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike” në Turqi. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kërkoi “respekt të plotë” ndaj institucioneve demokratike të vendit.
Kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk është shprehur i shqetësuar për gjendjen në Turqi. “Gjendja duket se është vënë nën kontroll, por situata është larg stabilizimit” ka thënë ai. Ndërsa e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini që ndodhet në samitin BE-Azi në kryeqytetin mongol, Ulan Bator u shpreh në twitter se kërkon vetëpërmbarje dhe respekt ndaj institucioneve demokratike në Turqi. Përleshjet e përgjakshme duhet të mënjanohen dhe të gjitha problemet të zgjidhen sipas kushtetutës” ka kërkuar edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov pas një takimi me Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kerry në Moskë.
Reagime nga Gjermania
Edhe nga Gjermania kanë ardhur reagimet e para. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert ka bërë thirrje për mbrojtjen e jetëve të njerëzve. “Rendi demokratik në Turqi duhet respektuar.”
Politikani i Gjelbër gjerman me prejardhje turke, Cem Özdemir shprehet i shqetësuar për gjendjen në Turqi. “As puç ushtarak dhe as diktaturë civile. Turqia ka nevojë për demokraci për të gjithë. Tani.”
Özdemir bëri fjalë për një transformim paqësor në Turqi në një intervistë me agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. “Kush do të largojë Erdoganin, duhet ta bëjë këtë në kutitë e votimit”. Prandaj nuk mund të pranohet “një puç ushtarak”. Ministria e Jashtme gjermane u bë thirrje qytetarëve gjermanë në Ankara dhe Stamboll të jenë të kujdesshëm. “Në situata të pasigurta rekomandohet të qëndroni në shtëpi apo hotel”, tha një zëdhënëse. Turistët duhet të kontaktojnë agjencitë e tyre të udhëtimit. (dw)