Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë akuza rreth një zjarri në centralin e pushtuar bërthamor

Centrali berthamorMoska dhe Kievi akuzuan njëri-tjetrin të dielën për ndezjen e një zjarri në hapësirën e termocentralit bërthamor të Zaporizhias së pushtuar nga Rusia, ndërsa Ukraina u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe nuk raportoi për shenja të rritjes së rrezatimit.

 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA), e cila ka një prani në objektin e madh me gjashtë reaktorë, tha se ekspertët e saj kishin parë tym të fortë dhe të zi që dilte nga zona veriore e centralit në Ukrainën jugore, pas shpërthimeve të shumta.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për ndezjen e një zjarri që ai tha se ishte i dukshëm nga qyteti i Nikopolit që kontrollohet nga Kievi, i cili ka pamje nga centrali që mbahet nga Rusia.

Evgeny Balitsky, një zyrtar i vendosur nga Rusia në jugun e pushtuar të Ukrainës, akuzoi forcat e Kievit se shkaktuan zjarrin duke bombarduar qytetin e afërt Enerhodar, i cili, sikurse centrali, u pushtua nga Rusia menjëherë pas agresionit të saj në shkurt të vitit 2022.

IAEA tha se nuk kishte pasur asnjë ndikim të raportuar në sigurinë bërthamore.

“Ekipit iu tha nga (centrali bërthamor) për një sulm të supozuar me dron në një nga kullat ftohëse…”, shkroi agjencia në rrjetin X.

Yevhen Yevtushenko, një zyrtar lokal ukrainas në Nikopol tha se kishte informacione “jozyrtare” se forcat ruse i kishin vënë flakën një grumbulli të madh gomash të makinave në kullat ftohëse.

Presidenti Zelensky publikoi një video që shfaqte tymin e zi që po dilte nga një kullë ftohëse.

“Aktualisht, treguesit e rrezatimit janë në parametra normalë. Por, për sa kohë që terroristët rusë mbajnë nën kontroll centralin bërthamor, situata nuk është dhe nuk mund të jetë normale”, shkroi ai.

Drejtuesit rusë të centralit thanë se punonjësit e emergjencës e vunë zjarrin nën kontroll dhe nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme.

“Zjarri nuk ndikoi në funksionimin e centralit”, thanë ata.

Gjashtë reaktorët e termocentralit që ndodhet afër vijës së parë të luftës në Ukrainë nuk janë në funksion, por centrali mbështetet në furnizimet nga jashtë për të mbajtur të ftohur materialin e tij bërthamor dhe për të parandaluar ndonjë aksident katastrofik.

Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza të vazhdueshme për rrezikimin e sigurisë rreth tij.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>