Trupat ukrainase të përforcuara nga furnizimet e shtuara të ndihmës ushtarake perëndimore filluan të hënën një kundërofensivë për të rimarrë territorin në jug të pushtuar nga forcat ruse para gjashtë muajsh. Megjithatë, qyteti port jugor Mykoliav po përballet me bombardime të shtuara ruse. Kryebashkiaku tha se sulmet po godasin shtëpitë dhe të paktën dy persona ishin vrarë.
Ndërkohë një ekip nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara ka udhëtuar drejt Ukrainës për të inspektuar centralin bërthamor të Zaporizhzhias, i marrë nën kontroll nga forcat ruse në mars, por ende i drejtuar nga stafi ukrainas. Kjo zonë e kthyer në vijë të frontit është bërë shumë e rrezikshme.
Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza për bombardime në afërsi të centralit bërthamor, më i madhi në Evropë, duke rritur frikën për një rrjedhje rrezatimi në rajonin që ende e kujton me tmerr fatkeqësinë e Çernobilit në vitin 1986.
Zëdhënësja e komandës jugore të Ukrainës, Natalia Humeniuk, tha se trupat e saj kishin filluar aksionet sulmuese në disa drejtime në jug, duke përfshirë rajonin Kherson.
GODITJA E DEPOVE TË MUNICIONIT
Rusia mori shumë shpejt nën kontroll pjesë të jugut të Ukrainës pranë bregut të Detit të Zi, duke përfshirë qytetin Kherson, në fazën e hershme të luftës.
Rajoni Kherson shtrihet në veri të gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia dhe ka brigje në Detin e Zi dhe Detin Azov.
Ukraina ka përdorur armë të sofistikuara të marra nga perëndimi për të goditur depot ruse të municioneve dhe për të shkatërruar linjat e furnizimit rus. Zonja Humeniuk tha në një konferencë se Ukraina kishte goditur më shumë se 10 depo në javën e kaluar duke e “dobësuar pa dyshim armikun”.
Ajo nuk pranoi të jepte detaje të kundërsulmit, duke thënë se forcat ruse në Ukrainën jugore mbetën “mjaft të fuqishme”.
Guvernatori i Krimesë së aneksuar, Sergei Aksyonov, e hodhi poshtë njoftimin e saj si “propagandë ukrainase”.
Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar zyrtarin vendor, Vladimir Leontiev, tha se njerëzit po evakuoheshin nga vendet e punës në Nova Kahokva, një qytet 58 km në lindje të Khersonit, pasi forcat ukrainase kryen më shumë se 10 sulme me raketa.
Në perëndim të Khersonit, qyteti i Mykolaiv u bombardua nga forcat ruse të hënën, thanë zyrtarët lokalë.
Kryebashkiaku Oleksandr Senkevych tha se dy persona ishin vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur. Shtëpitë e banimit dhe institucionet arsimore u vunë në shënjestër, ka shkruar ai në “Telegram”.
Mykolaiv, një qendër ndërtimi anijesh dhe një port lumi afër Detit të Zi, ka pësuar bombardime të rënda ruse gjatë gjithë luftës.
SIGURIA BËRTHAMORE
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike (IAEA) tha se ai do të drejtonte një ekip inspektorësh në uzinën Zaporizhzhia në lumin Dnipro në jug të Ukrainës qendrore.
“Ne duhet të mbrojmë sigurinë e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës”, shkroi Rafael Grossi në Twitter.
Përmes një njoftimi tjetër, IAEA tha se misioni do të vlerësojë dëmin fizik, do të vlerësojë kushtet e punës dhe do të kontrollojë sistemet e sigurisë. Njoftimi gjithashtu tha se do të “kryhen aktivitete urgjente mbrojtëse”, duke thënë se do të përcjellen gjurmët e materialit bërthamor.
Kremlini tha se misioni i IAEA-s ishte “i domosdoshëm” dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ushtronte presion ndaj Ukrainës për të ulur tensionet ushtarake në termocentral.
Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë bërë thirrje për tërheqjen e pajisjeve ushtarake dhe personelit nga kompleksi bërthamor për të siguruar që ai të mos jetë objektiv sulmesh.
Por Kremlini përsëri e përjashtoi mundësinë e largimit nga kjo zonë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se misioni i IAEA-s duhet të kryejë punën e tij në mënyrë politikisht neutrale.
Forcat ruse e sulmuan Enerhodarin, qytetin buzë lumit Dnipro ku ndodhet uzina, tha të dielën shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në kanalin e tij në “Telegram”. Deklarata u publikua krahas videos së zjarrfikësve që shuan makinat e djegura.
Liliia Vaulina, 22 vjeç, një nga refugjatët e Enerhodarit që çdo herë e më shumë po ikin për në qytetin e Zaporizhzhias të kontrolluar nga Ukraina, rreth 50 km nga uzina, tha se shpresonte se misioni i IAEA-s do të çonte në çmilitarizimin e zonës së saj.
“Unë mendoj se ata do t’i ndalojnë bombardimet,” i tha ajo “Reutersit”.
“ÇDO PREDHË KA RËNDËSI”
Në rajonin e Donjeckut të Ukrainës lindore, forcat ruse bombarduan infrastrukturën ushtarake dhe civile pranë Bakhmutit, Shumyt, Yakovlivkas, Zaytsevos dhe Kodemas, tha ushtria e Ukrainës mëngjesin e të hënës.
Rusia i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar fqinjin e saj jugor. Ukraina, e cila fitoi pavarësinë kur Bashkimi Sovjetik i dominuar nga Rusia u shpërbë në vitin 1991, dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë hedhur poshtë këtë si një pretekst të pabazë për një luftë pushtuese.
Mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë zhvendosur dhe qytetet janë kthyer në gërmadha. Lufta ka kërcënuar gjithashtu ekonominë globale me një krizë energjie dhe furnizimi me ushqime.
Suedia, e cila së bashku me Finlandën planifikon t’i bashkohet NATO-s si reagim ndaj agresionit rus në Ukrainë, njoftoi të hënën një ndihmë ushtarake shtesë në vlerë prej afro 50 milionë dollarësh për Ukrainën. Njoftimi u bë gjatë një vizite në Stokholm nga Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Zoti Kuleba i kërkoi Suedisë të siguronte armë të tilla si “howitzers” dhe predha. “Çdo euro, çdo plumb, çdo predhë ka rëndësi”, tha ai.
Gjermania gjithashtu do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë në javët e ardhshme dhe do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të artilerisë dhe mbrojtjes ajrore të Kievit, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë një konference në Pragë.
voa