Numri i vajzave të cilat kur rriten bëhen shkencëtare, është i vogël në krahasim me djemtë. Një muze i shkencës në Denver po përpiqet për ta ndryshuar këtë prirje, duke u dhënë mijëra vajzave shansin të takojnë gra që merren me shkencë dhe të frymëzohen që edhe ato të përpiqen për të patur një karrierë shkencore.
Kur është fjala për karrierën, vajzave u pëlqejnë profesionet më interesante.
Për t’i ndihmuar vajzat të realizojnë ëndërrën e tyre, shumë familje u mblodhën në Muzeun e Natyrës dhe të Shkencave në Denver, për Ditën e Shkencës. Inxhinierja për mjedisin, Daniela Castaneda, tregon se si qyteti filtron ujin e pijshëm.
“Kjo është tabela që tregon se si ndotet uji dhe përse është e rëndësishme që ai të pastrohet…”, thotë Daniela Castaneda.
Vajzat përdorin zogj-lodra, sikurse shkencëtarët si biologia Emily Snode-Brenneman veprojnë me zogj të vërtetë, me qëllim që të studjojnë sjelljen e tyre të vërtetë.
“Ngjisim këtë pajisje të vogël në shpinën e zogjve për të monitoruar lëvizjet e tyre,”thotë Emily Snode-Brenneman.
“Mendoj se është bukur të punosh me zogjtë, mua më kanë pëlqyer ata gjithmonë,”thotë Annika, nxënëse e shkollës së mesme.
Por, jo gjithshka është punë praktike. Stilistja Meghan Anderson Doyle shpjegon se si shkenca e gjeometrisë e ndihmon atë të krijojë fustane.
“Fillimisht ne vizatojmë modelin në letër, dhe pastaj e realizojmë atë në mënyrë tre-dimensionale tek stofi, i qepim bashkë copat, duke krijuar kështu fustanin,” thotë Megan Anderson Doyle.
Inxhinierja Tinesha Ross tregon një qark të bordit kompjuterik nga stacioni ndërkombëtar i hapësirës, i cili duhet riparuar.
“E vendos këtë bord nën mikroskop dhe pastaj ju më thoni në se ju ndihmon ta shihni më mirë këtë pjesë…”
Në fushën e gazetarisë shkencore, Kayla Mitchiner interviston organizatoren e ekspozitës “Girls and Science”, Colleen Carter.
“-Përse vendosët të bëni ekspozitën për pjesëmarrjen e vajzave në shkencë?
-Fillimisht, sepse vetë jam nënë dhe kam vajza. Është e rëndësishme për mua që vajzat ta dinë se ato mund të bëjnë gjithshka që duan.
-Unë dua të bëhem shkrimtare kur të rritem.
-Kjo është diçka e shkëlqyer, sepse shpresoj që një ditë do të lexoj librat e tua…”
Kur ka kaq shumë mundësira për shkencë, Lilly, nxënëse e klasës së 5-të, thotë se është mirë t’i ndash idetë e tua me të tjerët.
“Unë mendoj se djemtë duhet që patjetër të provojnë të merren me shkencë, edhe pse është Dita e Vajzave, sepse është diçka e bukur të merresh me shkencë”, thotë Lilly, nxënëse e klasës së pestë.
Familjet, përfshirë djemtë, janë gjithmonë të mirëpritur në këtë ditë të veçantë, për të parë se si karrierat në shkencë janë të hapura për të gjithë. (voa)