Një lajm i mirë për ata që fluturojnë shpesh me avion. Së shpejti, udhëtarët nuk do të kenë nevojë të tërheqin valixhet e rënda. Një grup gjimnazistësh libanezë kanë shpikur valixhen inteligjente.
Në të ardhmen e afërt, udhëtarët do të jenë në gjendje të lëvizin në aeroport të papenguar nga valixhet. Ralp Shalhoub është njëri nga gjimnazistët që shpiku valixhen inteligjente – Follow me Suitcase.
“Grupi ynë prej pesë vetash shpiku valixhen që të ndjek nga pas pa patur nevojë ta tërheqësh. Ideja na lindi në aeroportin e Dubait kur pamë njerëz të shumtë që shtynin valixhet poshtë e lart. Kjo na çoi në krijimin e valixhes inteligjente.”
Kjo paisje ka disa sensorë dhe grupin qendror të procesorëve që njihet si truri i kompjuterit. Sistemi me sensorë infra të kuq gjurmon byzylykun e posaçëm në këmbën e të zotit dhe kështu e ndjek nga pas me valixhet.
Shpikja po ashtu përdor Sistemin Global të Pozicionimit, GPS, për të komunikuar dhe një kartë telefoni. Të gjitha këto të mundësojnë lokalizimin e valixheve nëse i harron diku.
Përmes telefonit udhëtari komandon valixhen që të vijë nga pas ose të ndalojë.
Shpikësit e rinj fituan vendin e parë për prototipin e paraqitur në garat e Shoqatave të Federatës Ndërkombëtare të Shpikjeve dhe fituan medaljen e artë në një panair në Gjermani.
Ekipi tani po përpiqet të tërheqë investitorë dhe për të kaluar në fazën tjetër, atë të hedhjes së shpikjes në treg. (voa)