Temperaturat e ngrohta gjatë nëntorit dhe dhjetorit të kaluar e vonuan prodhimin e sivjetshëm të verës në pjesën veriore të Nju Jorkut. Vreshtarët kanë filluar tani prodhimin e verës së ëmbël nga rrushi i ngrirë, që është specialiteti i zonës.
Kur bien temperaturat në zonat më të ftohta të Nju Jorkut fillon prodhimi i verës. Procesi kërkon që rrushi të jetë i ngrirë nga i ftohti. Kur rrushi i pavjelur ngrihet në vreshtë, ai prodhon verë më të ëmbël, më të trashë dhe më të koncentruar.
Vera nga rrushi i ngrirë përmban 38% sheqer krahasuar me 22% në verën e bardhë tradicionale.
Art Hunt është një ndër pronarët e kantinave të zonës:
“Kur shtrydhim rrushin e ngrirë, nxjerr një lëng me shije shumë më të fortë dhe komplekse, megjithëse në sasi më të vogël”.
Gjerësia gjeografike dhe klima e zonës e bëjnë këtë rajon një ndër të vetmit në Shtetet e Bashkuara për prodhimin e verës së ëmbël. Disa vreshtarë nuk e vjelin rrushin deri në dimër me shpresën për të prodhuar verë nga rrushi i ngrirë. Shpesh herë kjo tentativë dështon, pasi drerët ose zogjtë e hanë rrushin, ose frutat dëmtohen nga shirat e fortë. Por kur procesi funksionon, rezultati është diçka speciale:
“Vera ka një larmi aromash, është shumë komplekse. Ka nuanca rrushi të thatë, mjalti, kumbulle dhe një aciditet shumë të freskët,” thotë Art Hunt.
Kjo verë është shumë popullore në Kanada dhe Gjermani. Në Shtetet e Bashkuara përfaqëson një treg të vogël, por me çmim më të lartë se vera tradicionale. Një shishe shitet për 30 dollarë ose më shumë.
Ralph Bonavist është bashkëpronar i një dyqani pijesh:
“Vera e ëmbël shitet gjatë gjithë vitit. Por gjatë festave të fundvitit kemi kërkesë edhe më të madhe”.
Këtë vit prodhimi nuk filloi deri pas sezonit të festave, si rezultat i motit të ngrohtë në nëntor dhe dhjetor. Vonesat në sezonin e prodhimit shpesh rezultojnë në një sasi më të vogël vere, por vreshtarët thonë se për ata që e kërkojnë dhe e preferojnë këtë produkt, do të ketë mjaftueshëm. (voa)