Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, por për shkak të presionit u vendos që të votohet pro rezolutës, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
OKB-ja vendosi të enjten, më 7 prill, të pezullojë Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut për shkak të raportimeve për krime në territoret e pushtuara në Ukrainë.
“Vendimi ynë ka qenë që të jemi të përmbajtur, dhe pastaj ju vijnë presione të panumërta, të rënda që nuk kanë të bëjnë me anën personale. Askush nuk më ka ardhur dhe nuk më ka thënë, as më ka shantazhuar, por po shantazhojnë vendin… Thoshin ‘A e dini se sot apo nesër do të vendoset nëse do të përjashtohemi [Serbia] nga pakoja e sanksioneve [e Bashkimit Evropian] për naftën”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) të enjten, më 7 prill.
Siç shpjegoi Vuçiq, Serbia është një vend neutral ushtarakisht, por jo politikisht.
“Serbia është në rrugën evropiane. Ne jemi një shtet neutral ushtarakisht, por nuk jemi një shtet politikisht neutral, ne jemi në rrugën evropiane”, shtoi Vuçiq.
Presidenti i Serbisë tha se kërcënimi me sanksione dhe ndalimi i rrugës evropiane po “rri pezull” mbi Serbinë, për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj Moskës.
“Më pëlqen Perëndimi, e dua shumë Rusinë, por Serbinë e dua më së shumti në botë”, tha Vuçiq, duke theksuar se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Serbisë që të përshtatë qëndrimet e saj me ato të bllokut evropian, sa i përket sanksioneve ndaj Moskës.
Pavarësisht se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, më 2 mars votoi një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonte pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.
rel