Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

SHBA i bën thirrje Turqisë: Binde Iranin të ulë tensionet në Lindjen e Mesme

raketaShtetet e Bashkuara po i kërkojë Turqisë dhe aleatëve të tjerë, të cilët kanë raporte me Iranin, që ta bindin atë të ulë tensionet në Lindjen e Mesme, tha ambasadori amerikan në Turqi.

 

Ambasadori Jeff Flake i bëri këto komente teksa rajoni i Lindjes së Mesme po përgatitet për sulme të mundshme nga Irani dhe aleatët e tij, si shenjë hakmarrjeje për vrasjen Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.

Haniyeh u vra më 31 korrik në Teheran të Iranit dhe për vrasjen e tij Irani dhe Hamasi fajësuan Izraelin, i cili po lufton me grupin radikal palestinez në Gazë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

 

Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e shefit politik të Hamasit.

“Ne u kërkojmë të gjithë aleatëve tanë që kanë raporte me Iranin që ta bindin që të ulë tensionet dhe këtu përfshihet edhe Turqia”, tha Flake gjatë një debati në Stamboll.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që situata të mos përshkallëzohet”, tha ai.

 

SHBA-ja dhe Turqia kanë pasur raporte të tendosura viteve të fundit, për shkak të aleancës së SHBA-së me kurdët sirianë që Turqia i cilëson terroristë, por edhe për shkak të blerjes së sistemeve ruse S-400 nga Ankaraja, që shtyri Uashingtonin të largonte Turqinë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë F-35.

Megjithatë, Flake tha se raportet SHBA-Turqi tash janë “më të mira”.

Ai vuri në dukje “rolin produktiv” që Turqia ka luajtur në atë që është konsideruar si këmbimi më i madh i të burgosurve mes SHBA-së dhe Turqisë që nga Lufta e Ftohtët, që u realizua përmes Ankarasë në fillim të gushtit.

“Ata nuk ishin të përfshirë në negociata, por në anën logjistike dhe luajtën rol të rëndësishëm”, tha Flake.

Në qershor, në një intervistë për Reuters Flake kishe deklaruar se Turqia qëndron fuqishëm me Perëndimin dhe partneritetin e saj me SHBA-në.

Por, gjatë debatit në Stamboll Flake tha se situata në Gazë është “shumë e vështirë”, dhe retorika e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kundër Izraelit e ka bërë më të vështirë për Ankaranë që të luajë rolin e ndërmjetësueses. Ai tha se dallimet mes Ankarasë dhe Uashingtonit sa i përket Gazës janë zvogëluar pasi SHBA-ja “në mënyrë aktive” nisi të bëjë thirrje për armëpushim, por pranoi se ende ka mospajtime.

REL

Rusia bën thirrje për të tjera evakuime pas sulmit të befasishëm të Ukrainës

UkrainaNjë zyrtar në rajonin rus kufitar të Kurskut u bëri thirrje banorëve që të evakuohen për shkak të “gjendjes shumë të tensionuar” në zonë, ku forcat ruse po mundohen me vështirësi t’i përgjigjejn një sulmi të befasishëm ukrainas.

 

Autoritetet e emergjencave në Rusi thanë se më shumë se 76 mijë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në zonën e Kurskut, ku shtatë ditë më parë, trupat ukrainase dhe mjete të blinduara depërtuan në brendësi të territorit rus. Raportohet se ato kanë përparuar në një thellësi prej 30 kilometrash brenda Rusisë.

Operacioni ukrainas po zhvillohet në fshehtësi të madhe dhe objektivat e tij mbeten të paqarta. Manovra e papritur që i kapi të papërgatitura forcat e Kremlinit është kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të parreshtura ruse gjatë muajve të fundit për të goditur mbrojtjen ukrainase në zona të caktuara përgjatë vijë së frontit, në Ukrainën lindore.

Përparimi i trupave ukrainase i ka dhënë një goditje të fortë përpjekjeve të Presidentit Putin dhe pretendimeve të tij se në përgjithësi lufta nuk e ka prekur jetesën në Rusi. Propaganda shtetërore është përpjekur ta minimizojë sulmin, duke vënë në dukje përpjekjet e autoriteteve për të ndihmuar banorët e rajonit dhe duke synuar të largojë vëmendjen nga dështimi i ushtrisë për t’u parapërgatitur për sulmin dhe për ta zmbrapsur atë me shpejtësi.

Banorët në Kurskt regjistruan video në të cilat ankoheshin se ishin detyruar të linin shtëpitë dhe i bënin thirrje Presidentit Putin për t’i ndihmuar. Media shtetërore ruse nuk njoftoi mbi asnjë shenjë pakënaqësie.

Përgjatë dy vite e gjysmë luftimesh, Rusia është përballur edhe më parë me sulme të befasishme brenda territorit, por sulmi i shpejtë dhe i befasishëm në rajonin e Kurskut shënon sulmin më të madh në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vënë në vështirësi Presidentin Vladimir Putin dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm në luftime.

Po ashtu, është hera e parë që sulmi i befasishëm udhëhiqet nga ushtria ukrainase dhe jo nga luftëtarët pro-ukrainas rusë.

voa

Putin: Me inkursionin në Kursk, Ukraina po tenton ta ndalë ofensivën ruse në Donbas

PutinPresidenti rus, Vladimir Putin, tha se inkursioni i ushtrisë ukrainase në rajonin rus të Kurskut, që ka detyruar mbi 100.000 civilë të evakuohen dhe ka turpëruar Kremlinin, është një përpjekje e Kievit për të ndalur ofensivën ruse në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, dhe për t’i dhënë avantazh në bisedimet e mundshme të paqes në të ardhmen.

 

Forcat ruse ende po tentojnë t’i përgjigjen sulmit të befasishëm që Ukraina nisi një javë më parë, por Putin dha se ushtria e Moskës do të triumfojë.

Duke folur në një takim me zyrtarët e lartë të sigurisë dhe mbrojtjes, Putin tha se sulmi që nisi më 6 gusht duket se është përpjekje e Kievit për të fituar një pozicion më të mirë negociues në bisedimet e mundshme të paqes në të ardhmen, që do të synonin dhënien fund të luftës.

Ai argumentoi se Ukraina ndoshta ka shpresuar që me këtë sulm do të shkaktojë trazira shoqërore në Rusi, duke shtuar se Kievi ka dështuar që ta arrijë këtë synim. Udhëheqësi rus pretendoi se numri i vullnetarëve për t’iu bashkuar ushtrisë ruse është rritur për shkak të këtij sulmi. Ai tha se ushtria ruse, pavarësisht inkursionit në Kursk, po vazhdon me ofensivën e saj në lindje të Ukrainës.

“Është e qartë që armiku do të tentojë të destabilizojë situatën në zonën kufitare duke tentuar të destabilizojë situatën politike të shtetit tonë”, tha Putin.

Guvernatori në detyrë i Kurskut, Aleksei Smirnov, i raportoi Putinit se forcat ukrainase kanë hyrë 12 kilometra në rajonin e Kurskut përgjatë një fronti prej 40 kilometrash dhe aktualisht kanë nën kontroll 28 vendbanime ruse.

Smirnov tha se 12 civilë janë vrarë dhe 121 të tjerë, përfshirë 10 fëmijë, janë plagosur gjatë operacionit. Afër 121.000 janë evakuuar ose janë larguar nga zonat ku po zhvillohen luftime, tha ai.

Edhe zyrtarët në rajonin e Belgorodit, që gjendet në afërsi të kufirit me Ukrainën, kanë urdhëruar evakuimin e qytetarëve.

Ende janë të paqarta qëllimet që Ukraina dëshiron të arrijë me këtë operacion, teksa shteti po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi ndaj shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022. Ky inkursion zuri në befasi forcat e Kievit, teksa ushtria ruse për muaj të tërë është duke luftuar në vijën e frontit përgjatë rajoneve lindore ukrainase.

rel

Gjermania, Franca dhe Britania thirrje për armëpushim në Gazë

GazaGjermania, Franca dhe Britania bënë thirrje të hënën për arritjen e armëpushimit në Gazë, ndërsa Izraeli po pret për një sulm në shkallë të gjerë.

 

“Lufta duhet të përfundojë tani dhe të gjitha pengjet që ende mbahen nga Hamasi duhet të lirohen. Populli i Gazës ka nevojë për shpërndarje urgjente dhe pa pengesa të ndihmës”, thanë udhëheqësit e tri vendeve të hënën.

Në deklaratën e nënshkruar nga Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministri britanik Keir Starmer, tre vendet evropiane mbështesin gjithashtu planin e fundit të ndërmjetësimit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për t’i dhënë fund luftës 10-mujore Izrael-Hamas.

Propozimi kërkon shkëmbimin e pjesës së mbetur të pengjeve me palestinezët e burgosur nga Izraeli dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës. Ai i bën thirrje edhe Iranit dhe aleatëve të tij që të përmbahen nga sulmet ndaj Izraelit si hakmarrje për vrasjen e dy udhëheqësve të grupeve militante në Bejrut dhe Teheran.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha të hënën se bisedoi me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, në kuadër të përgatitjeve për një sulm të mundshëm ushtarak në shkallë të gjerë ndaj Izraelit.

Sekretari Austin tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo hap të mundshëm për të mbrojtur Izraelin, ndërsa theksoi se prania ushtarake amerikane në Lindje të Mesme po forcohej.

Grupi luftarak i aeroplanmbajtëses ‘USS Abraham Lincoln’ po shkon në ujrat pranë Lindjes së Mesme. Në këtë zonë u dërgua edhe nëndetësja ‘USS Georgia’.

Të premten, një zyrtar i Gardës Revolucionare të Iranit u citua të ketë thënë se udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei, urdhëroi Iranin të “dënojë ashpër” Izraelin për vrasjen e udhëheqësit të Hamasit në Teheran, më 31 korrik.

 

voa

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë akuza rreth një zjarri në centralin e pushtuar bërthamor

Centrali berthamorMoska dhe Kievi akuzuan njëri-tjetrin të dielën për ndezjen e një zjarri në hapësirën e termocentralit bërthamor të Zaporizhias së pushtuar nga Rusia, ndërsa Ukraina u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe nuk raportoi për shenja të rritjes së rrezatimit.

 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA), e cila ka një prani në objektin e madh me gjashtë reaktorë, tha se ekspertët e saj kishin parë tym të fortë dhe të zi që dilte nga zona veriore e centralit në Ukrainën jugore, pas shpërthimeve të shumta.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për ndezjen e një zjarri që ai tha se ishte i dukshëm nga qyteti i Nikopolit që kontrollohet nga Kievi, i cili ka pamje nga centrali që mbahet nga Rusia.

Evgeny Balitsky, një zyrtar i vendosur nga Rusia në jugun e pushtuar të Ukrainës, akuzoi forcat e Kievit se shkaktuan zjarrin duke bombarduar qytetin e afërt Enerhodar, i cili, sikurse centrali, u pushtua nga Rusia menjëherë pas agresionit të saj në shkurt të vitit 2022.

IAEA tha se nuk kishte pasur asnjë ndikim të raportuar në sigurinë bërthamore.

“Ekipit iu tha nga (centrali bërthamor) për një sulm të supozuar me dron në një nga kullat ftohëse…”, shkroi agjencia në rrjetin X.

Yevhen Yevtushenko, një zyrtar lokal ukrainas në Nikopol tha se kishte informacione “jozyrtare” se forcat ruse i kishin vënë flakën një grumbulli të madh gomash të makinave në kullat ftohëse.

Presidenti Zelensky publikoi një video që shfaqte tymin e zi që po dilte nga një kullë ftohëse.

“Aktualisht, treguesit e rrezatimit janë në parametra normalë. Por, për sa kohë që terroristët rusë mbajnë nën kontroll centralin bërthamor, situata nuk është dhe nuk mund të jetë normale”, shkroi ai.

Drejtuesit rusë të centralit thanë se punonjësit e emergjencës e vunë zjarrin nën kontroll dhe nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme.

“Zjarri nuk ndikoi në funksionimin e centralit”, thanë ata.

Gjashtë reaktorët e termocentralit që ndodhet afër vijës së parë të luftës në Ukrainë nuk janë në funksion, por centrali mbështetet në furnizimet nga jashtë për të mbajtur të ftohur materialin e tij bërthamor dhe për të parandaluar ndonjë aksident katastrofik.

Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza të vazhdueshme për rrezikimin e sigurisë rreth tij.

voa

Si pozicionohen vendet arabe në konfliktin Izrael-Hamas

Siria IraniDisa vende arabe në prapaskenë mbajnë marrëdhënie të ngushta me Izraelin. Të tjerat janë vatra e grupeve të mbështetura nga Irani dhe e konsiderojnë veten pjesë të “boshtit të rezistencës” kundër SHBA-së dhe Izraelit. 

Jordania: Akt balancues

Jordanisë, një monarkie kushtetuese i duhet vazhdimisht të balancojë. Një ndër pesë persona në Jordani, duke përfshirë mbretëreshën, janë me origjinë palestineze. Mbështetja për shtetin palestinez dhe të drejtat e barabarta janë dëshirë e shumë vendasve, e krerët e vendit shpesh flasin hapur për këtë. Por Jordania është gjithashtu e afërt me Izraelin dhe SHBA, ndoshta më shumë se sa duan shumë vendas, thonë ekspertët. Në vitin 1994, Jordania nënshkroi një marrëveshje paqeje me Izraelin.  Të dy kombet punojnë së bashku për çështjet që lidhen me sigurinë, siç është siguria në kompleksin e xhamisë Al-Aksa.

Në vitin 2021, SHBA dhe Jordania nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen që lejon forcat, automjetet dhe avionët amerikanë të hyjnë dhe të lëvizin lirshëm nëpër Jordani. Në prill të këtij viti, kur Jordania me gjasë ndihmoi në rrëzimin e raketave iraniane që kalonin hapësirën e saj ajrore drejt Izraelit, shumë vendas e panë këtë si një tradhti. Jordania mban po ashtu marrëdhënie diplomatike me Iranin, por ato priren të jenë të ftohta. Vizita e fundit e ministrit të Jashtëm të Jordanisë Ayman Safadi në Iran për të diskutuar përshkallëzimin e tensioneve në rajon ishte një nga të rrallat.

 

Egjipt: Interesi vetjak dhe diplomacia

Egjipti fqinj, nën qeverisjen autoritare të Abdel Fatah el-Sisit, duhet gjithashtu të balancojë me kujdes marrëdhëniet e tij me Izraelin. Që nga nënshkrimi i një traktati paqeje me Izraelin në vitin 1979, “Egjipti është përpjekur të balancojë interesat e tij kombëtare, veçanërisht ato në lidhje me pasiguritë në Sinai me mbështetjen për kauzën palestineze”, thuhet në një raport të majit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. “Konkretisht, kjo përpjekje ka nënkuptuar refuzimin e çdo përgjegjësie të drejtpërdrejtë për gjendjen e vështirë të njerëzve në Gaza, duke mbështetur përpjekjet për të arritur një zgjidhje diplomatike bazuar në zgjidhjen me dy shtete.”

Tema e sigurisë dhe bashkëpunimi ekonomik me Izraelin kanë pjesë e zakonshme e marrëdhënieve, dhe deri në fillimin e konfliktit të Gazës, Egjipti ishte përgjegjës për kalimin kufitar Gaza-Egjipt në Rafah. Kërkesat izraelite që të lejohet të kontrollojë këtë zonë janë problematike për Egjiptin, siç është potenciali që gjendja humanitare gjithnjë e më e përkeqësuar në Gaza të kalojë në valë refugjatësh në territorin egjiptian. Qeveria egjiptiane më parë e kundërshtonte Hamasin, duke e parë atë si një organizatë islamike dhe një kërcënim për të, por kohët e fundit, ky qëndrim ka ndryshuar disi dhe Egjipti ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat e armëpushimit. Edhe marrëdhëniet e Egjiptit me Iranin janë përmirësuar që nga viti 2023, por ato gjithashtu priren të jenë të ftohta.

 

Liban: Hizbollahu

Libani, një demokraci parlamentare, ka qenë vetë i ngarkuar me një krizë të rëndë politike dhe ekonomike këto vite. Vendi nuk ka pasur qeveri të zgjedhur që nga viti 2020 dhe po përballet me një nga krizat më të rënda në botë. Para kësaj, qeveria libaneze përbëhej gjithmonë nga përfaqësues të shumë grupeve të ndryshme fetare dhe etnike të vendit.

Krahu politik i Hezbollahut përfaqëson interesat e myslimanëve shiitë dhe luan një rol të rëndësishëm në qeverisjen e Libanit. Ai duhet të balancojë interesat e veta me ato të grupeve të tjera të fuqishme, duke përfshirë të krishterët libanezë, myslimanët sunitë dhe druzët. Kurse krahu ushtarak i Hezbollahut është diçka tjetër. Ai është kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA dhe disa vende evropiane dhe mendohet të jetë më i pajisur dhe organizuar se vetë ushtria e Libanit. Shumë politikanë libanezë dhe vendas nuk duan domosdoshmërisht që Hezbollahu të fillojë një luftë më të madhe me Izraelin. Por politikanët libanezë e dinë gjithashtu se kanë pak kontroll mbi Hezbollahun, i cili është lojtari i fuqishëm në të ashtuquajturin “bosht i rezistencës”, një koalicion i lirë i grupeve militante të mbështetur nga Irani dhe në kundërshtim me Izraelin dhe SHBA.

 

Siria e mbështetur nga Irani

Që nga krijimi i shtetit të Izraelit në vitin 1948, Siria e ka konsideruar veten në luftë me fqinjin e saj. Shpesh ka shkëmbime zjarri mes dy palëve, megjithëse ato konsiderohen kryesisht simbolike. Sot diktatori sirian Bashar Assad është në pushtet falë Iranit, që e mbështeti atë ushtarakisht gjatë luftës civile 13-vjeçare të vendit. Kjo shpjegon edhe praninë në rritje të milicive pro-Iraniane në Siri, duke përfshirë anëtarë të Hezbollahut dhe të tjerë nga Iraku. Kjo ka çuar në intensifikimin e sulmeve izraelite nga viti 2017 dhe përshkallëzim të mëtejshëm që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit terrorist kundër Izraelit. Një sulm i prillit nga Izraeli në kompleksin diplomatik iranian në Damask, kryeqytetin e Sirisë, ku u vra një komandant i lartë iranian, çoi në hakmarrje të Iranit.

 

Irak: Kundër ndërhyrjeve të jashtme

Iraku nuk e njeh Izraelin dhe megjithëse qeveria e Irakut – aktualisht e dominuar nga politikanët myslimanë shiitë – është afruar më shumë me Iranin gjatë dekadës së fundit, çështja palestineze i kalon vijat ndarëse fetare, thonë ekspertët. Brenda Irakut ka një sërë grupesh militante që gjithashtu i përkasin “boshtit të rezistencës” të Iranit. Këto grupe kanë goditur më parë me raketa bazat amerikane brenda Irakut dhe gjithashtu janë përpjekur, por kryesisht kanë dështuar, të godasin Izraelin. SHBA është kundërpërgjigjur ndaj tyre. Qeveria irakiane dhe forcat e saj të sigurisë priren ose t’i tolerojnë këto grupe ose të kenë pak kontakte me ta. “Iraku ka qenë gjithmonë i detyruar të balancojë marrëdhëniet e tij midis SHBA-së dhe Iranit,” tha së fundmi Marsin al-Shamary, një studiues në Institutin Brookings, një institut politik me qendër në Uashington.

“Kjo nuk është e re për udhëheqësit irakianë. Marrëdhëniet e Bagdadit me Uashingtonin i kanë pasur vijat e qarta, veçanërisht në lidhje me pozicionin e Irakut ndaj Izraelit… Iraku ka mbështetur vazhdimisht kauzën palestineze dhe pozicioni i tij mbi këtë konflikt aktual nuk është formësuar nga mbështetja e Iranit për Hamasin.”

 

Jemen: Gjithçka lidhet me Huthit

Për shkak të një lufte civile, Jemeni është i ndarë midis qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Aden, Jemenin jugor, dhe grupit rebel Huthi në Jemenin verior. Asnjëra palë nuk e njeh Izraelin. Vendi fqinj i Jemenit, Arabia Saudite, më parë udhëhoqi një koalicion kundër Huthit, por që kur u nënshkrua një armëpushim në fillim të vitit 2022 ka pasur një qetësi relative. Huthit konsiderohen gjithashtu pjesë e “boshtit të rezistencës”. Ata mbështesin Hamasin, pretendojnë se Izraeli është një forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme dhe janë kundër pranisë së SHBA-së në rajon. Në nëntor të vitit të kaluar, ata filluan të lëshojnë raketa në drejtim të Izraelit dhe të bllokojnë trafikun detar në mbështetje të Hamasit.

 

Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari: Pragmatike dhe të pasura

Monarkitë autokratike të shteteve arabe të Gjirit kanë ndërkohë një qasje më pragmatike ndaj konfliktit aktual. Ato e shohin Iranin si armik dhe ka kohë që punojnë për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan të ashtuquajturat Marrëveshje të Abrahamit, me të cilat vendosën kontakte diplomatike me Izraelin. Arabia Saudite dukej se ishte vendi tjetër që do ta bënte këtë hap.

Kurse Katari ka qenë më shumë një vend ndërmjetësies. Ai e shmang normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, por në fakt vendosi me të lidhje ekonomike që në vitet 1990. Për shkak se në Katar pritet gjithashtu edhe krahu politik i Hamasit, ky vend ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat e armëpushimit.

dw

Lexo edhe këtë:

Si nisi dhe si u zhvillua lufta civile në Siri mes qeverisë dhe opozitës

Lufta sirianë është një rrëmujë totale. Pas 4 vitesh luftë, konflikti zhvillohej në 4 fronte.

Çdo palë, ka mbështetës të ndryshëm ndërkombëtarë, dhe mbështetësit nuk bien dakord me njëri-tjetrin se për kë po luftojnë apo kundër kujt po luftohet.

Për të kuptuar këtë, duhet të shkohet në fillim të luftës për të kuptuar se si ajo nisi. Të shtënat e para në Siri u dëgjuan gjatë protestës paqësore në mars të vitit 2011 kundër diktatorit Bashar Al Asad, në sajë të të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”.

Në korrik protestuesit filluan t’i kundërpërgjigjeshin forcave qeveritare po me të shtëna. Më pas disa pjesëtar të ushtrisë së Asad iu bashkuan protestuesve dhe formuan ushtrinë e lirë Siriane,. Pas kësaj kryengritja kaloi në luftë civile.

Në vitin 2012 shumë ekstremistë nga Siria dhe e gjithë bota filluan që tiu bashkoheshin forcave kundërshtuese të qeverisë. Asad liroi ekstremistët që ndodheshin në burg për t’ua bërë më të vështirë luftën ushtrisë së lirë Siriane.

Në janar të 2012, në Siri u krijua Jabat Al Nusra, një model i ri i Al Kaedës. Ndërsa në veri të vendit forcat kurde morën armët dhe dolën kundër rregullave të Asadit.

Më pas Siria u bë një fushëbetejë, ku dhe fuqitë rajonale ndërhynë. Irani që është dhe aleati më i rëndësishëm i Asadit, ndërhyri duke ndihmuar ushtrinë qeveritare me dërgimin e shumë ndihmave dhe ushtarëve në fushëbetejë. Në të njëjtën kohë Gjiri arab furnizonte ushtrinë opozitare me para dhe armë, nëpërmjet Turqisë.

Irani e fuqizoi influencën në Siri me dërgimin e grupimit luftues Hezbollah, që është krijuar në Libi dhe mbështetet nga qeveria iraniane. Hezbollahu luftoi përkrah forcave të Asad. Gjiri arab iu kundërpërgjigj duke i dërguar më shumë armë dhe para forcave opozitare siriane, që këtë herë kaluan nëpërmjet Jordanisë.

Në vitin 2013, lindja e mesme është e ndarë në forcat sunite që mbështesin rebelët dhe në shiitët që janë përkrah Asadit.

Në prill të 2013, qeveria amerikane me urdhër të presidentit Barak Obama dërgoi në Siri në mënyrë sekrete nga CIA një grup ushtarak për të trajnuar rebelët. Në të njëjtën kohë SHBA i kërkoi Gjirit Arab që të ndalojnë në financimin e ekstremistëve, por ishte një kërkesë që u refuzua.

Në gusht, Asadi përdori armë kimike kundër civilëve, ku shumë burra, gra dhe fëmijë vdiqën. Në atë kohë, ndodhi edhe një reagim i ashpër i Obamës, i cili ishte i gatshëm që të bombardonte Sirinë. Por që u ndalua nga një marrëveshje mes SHBA dhe Rusisë, ku Asad duhej të dorëzonte të gjithë arsenalin e armëve kimike ndaj inspektorëve ndërkombëtarë.
Vetëm një javë pas kësaj, ekuipazhi i CIA mbërriti në Siri për të trajnuar rebelët., dhe zyrtarisht SHBA merr pjesë në luftën civile Siriane.

Në shkurt të 2014 diçka ndodhi dhe transformoi luftën. Disa pjesëtar të Al Kaedës u shkëputën dhe formuan të ashtuquajturin Shtetin Islamik të Sirisë dhe Irakut, të njohur is ISIS.

ISIS nuk e lufton Asadin, por rebelët dhe kurdët. Ata pretendojnë se kanë formuar një shtet të ri të quajtur Kalifati. ISIS fillon që të pushtojë zonat përreth dhe të bëhet më i fuqishëm.

Në shtator të 2014, Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillojnë një fushatë kundër ISIS. Kjo fushatë konsistoi në trajnimin e rebelëve për të luftuar ISIS e jo më Asadin.

Në vitin 2015, Turqia fillon që të bombardojë kurdët në Irak, të cilët edhe ata po luftonin kundër ISIS në Siri. Turqia gjithashtu nuk bombardon ISIS në Siri.

Gjithë kjo pasiguri e SHBA në pikëpyetjet se kush duhet të goditet ISIS apo Asad, krijon shumë konfuzion tek forcat kurde se në cilën anë qëndron Amerika.

Asadi ka humbur terren gjatë gjithë kësaj kohë, ndaj ISIS dhe rebelëve.

Në shtator të 2015, Rusia ndërhyn duke thënë se do të bombardojë ISIS. Por në fakt avionët rusë kanë goditur vetëm forcat rebele anti-Asad, pavarësisht se këto të fundit mbështeten nga SHBA.

Në këtë pikë janë shumë grupe jashtë vendit të përfshira në luftën e Sirisë, saqë edhe aleatët më të mëdhenj nuk bien dakord se me kë janë armiq, kë mbështesin, dhe sit a bëjnë atë.

Këto kontradita janë një përgjigje se pse kjo luftë nuk ka përfunduar ende.

Rusia fillon një operacion të ri për të frenuar përparimin e trupave ukrainase në tre rajone ruse

rusiMoska nisi të shtunën një “operacion kundër terrorizmit” në tre rajone në kufirin me Ukrainën për të frenuar ofensivën më të madhe ndërkufitare të Kievit në konfliktin dyvjeçar. Njësitë ukrainase në një operacion befasues kaluan kufirin në rajonin perëndimor rus të Kurskut të martën në mëngjes, duke përparuar disa kilometra në brendësi të Rusisë, sipas vëzhguesve të pavarur.

 

Rusia ka dislokuar trupa dhe pajisje shtesë, duke përfshirë tanke, raketahedhës dhe njësi aviacioni për të ndalur përparimin e trupave ukrainase në tre rajone ruse në kufirin mes dy vendeve.

Komiteti kombëtar anti-terrorist i Rusisë tha të premten vonë se po fillonte “operacionet kundër terrorizmit në rajonet e Belgorodit, Brianskut dhe Kurskut për të garantuar sigurinë e qytetarëve.”

Sipas ligjit rus, forcave të sigurisë dhe ushtrisë u jepen kompetenca gjithëpërfshirëse emergjente gjatë operacioneve “anti-terroriste”.

Ky vendim i jep të drejt ushtrisë ruse të kontrollojë dhe sekuestrojë automjete, të mbikqyrë telefonatat, të ndalojë hyrjen e njerëzve në zona të caktuara, të vendosë pika kontrolli dhe të forcojë sigurinë në pikat kryesore të infrastrukturës.

“Në agjendën e këtij takimi të anëtarëve të përhershëm të këshillit të sigurisë kombëtare është një çështje shumë e rëndësishme lidhur me aspektet specifike të luftës kundër terrorizmit”, tha Presidenti rus Vladimir Putin.

Komiteti kundër terrorizmit tha se Ukraina kishte bërë një “përpjekje të pashembullt për të destabilizuar situatën në një numër rajonesh të vendit tonë”.

Ai e quajti inkursionin e Ukrainës një “sulm terrorist” dhe tha se trupat e Kievit kishin plagosur civilë dhe kishin shkatërruar ndërtesa banimi.

Udhëheqësit ukrainas nuk kanë bërë komente mbi operacionin në kufirin me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Kievit, thanë se nuk ishin informuar paraprakisht mbi planet për këtë operacion.

Por Presidenti Volodymyr Zelenskyy u duk se e quajti këtë një sukses të trupave të tij, duke thënë në fillim të kësaj jave se Rusia duhet të “ndiejë” pasojat e sulmit të tyre në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, që e filloi në shkurt të vitit 2022.

Në një video fjalim të premten në mbrëmje ai aludoi për operacionin në kufirin me Rusinë si një mision për të kapur të burgosur dhe më pas për t’i shkëmbyer ata me ukrainas të robëruar.

“Jam krenar për të gjitha brigadat tona luftarake! Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për luftëtarët dhe njësitë tona që po rimbushin ‘fondin e këmbimit’, duke i marrë pushtuesit si robër dhe duke ndihmuar kështu në çlirimin e popullit tonë nga robëria ruse. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ka qenë veçanërisht efektive gjatë tre ditëve të fundit. Ne duhet të lirojmë të gjithë njerëzit tanë që mbeten në robërinë ruse”, tha Presidenti Zelenski.

Ministria ruse e mbrojtjes publikoi të shtunën pamje të tankeve që gjuanin mbi pozicionet ukrainase në rajonin e Kurskut, si dhe një sulm ajror gjatë natës, pasi tha të premten se kishte dislokuar më shumë njësi në rajonin kufitar.

voa

SHBA njofton një ndihmë të re ushtarake prej 125 milionë dollarësh për Ukrainën

ukrainaShtetet e Bashkuara njoftuan të premten se do t’i dërgojnë Ukrainës një ndihmë të re ushtarake me vlerë 125 milionë dollarë, që përfshin raketa dhe sisteme për goditjen e mjeteve të blinduara. Njoftimi u bë pas një sulmi të fundit të Rusisë që la pas dhjetëra viktima në Ukrainë.

 

Ky është kësti i dhjetë i ndihmës që do t’i dërgohet Ukrainës që kur Presidenti Joe Biden firmosi në muajin prill ligjin e miratuar nga Kongresi mbi ndihmat për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara kanë miratuar dërgimin e 175 miliardë dollarëve për Ukrainën që kur Rusia ndërmorri sulmin ndaj këtij vendi në shkurt të vitit 2022, sipas Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, një qendër kërkimi mbi politikat e jashtme me seli në Nju Jork.

Njoftimi mbi ndihmën e re ushtarake u bë disa orë pasi një raketë ruse goditi një dyqan ushqimor në qytetin e Kostiantynivkas, në Ukrainë, duke vrarë të paktën 14 persona dhe duke plagosur 44 të tjerë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkroi në platformën e mediave sociale X se “Rusia do të mbajë përgjegjësi për këtë sulm terrorist”. Rusia ende nuk ka komentuar mbi sulmin.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar të cilët mund të jenë bllokuar nën rrënoja pas sulmit, sipas Presidentit Zelenskyy. U njoftua për dëmë në dyqane, postën e qytetit dhe dëmtim të automjeteve.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken lëshoi një deklaratë në të cilën shpjegohej përmbajtja dhe qëllimi i ndihmës së re ushtarake.

“Ajo përfshin interceptorë të mbrojtjes ajrore, municione për sistemet raketore dhe artileri, radarë dhe armatime anti-tank që do ta ndihmojnë Ukrainën të mbrojë trupat, popullin dhe qytetet e saj nga sulmet ruse dhe do të forcojë aftësitë ushtarake në vijat e frontit”, thuhej në deklaratë.

Në deklatatë rikonfirmohej mbëshetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe thuhej se “Shtetet e Bashkuara do ta dërgojnë këtë paketë të re ndihme sa më parë të jetë e mundur me qëllim forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, territorit dhe popullit të saj”.

Në një postim në rrjetin social X, Presidenti Zelenskyy falenderoi homologun Joe Biden dhe Shtetet e Bashkuara për ndihmën.

“Është kritike që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të ndërmarrin hapa të fortë dhe të tregojnë udheheqje në mbrojtje të lirisë së Ukrainës dhe qëndrueshmërisë në Evropë”, shkroi ai. “E vlerësojmë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara që prej ditës së parë të sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia, ndihmë që ka bërë të mundur që së bashku të shpëtojmë shumë jetë”, tha ai.

Rusia tha se po përballet me një sulm përgjatë kufirit me Ukrainën dhe të premten shpalli gjendje emergjence “në nivel federal” në rajonin e saj Kursk. Forcat ukrainase dhe ruse kanë luftuar në këtë zonë për të katërtën ditë me radhë, sipas ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

Rusia e cilësoi atë si një nga inkursionet më të gjera nga forcat ukrainase që nga nisja e luftës, që filloi 2 vjet e gjysmë më parë pas agresionit nga Moska.

Në të njëjtën kohë, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se pjesëtarë të forcave ushtarake të Rusisë ishin në Iran për t’u stërvitur për përdorimin e sistemit të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi Fath-360. Burime nga shërbimet e evropiane të zbulimit njoftuan se prisnin që Irani të furnizonte me armatime Rusinë.

Zdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Johni Kirby tha se Shtetet e Bashkuara dhe aletatët e saj “janë të përgatitur për t’u përgjigjur menjëherë nëse Irani hedh hapa për dërgesa të tilla, që do të shënonin një përshkallëzim dramatik të mbështetjes së Iranit për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.

Përmes një deklarate ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se trupat e saj kishin penguar përparimin e forcave ukrainase më në thellësi të rajonit Kursk në jugperëndim të Rusisë.

Po ashtu, thuhej se ushtria po sulmonte luftëtarët ukrainas që po përpiqeshin të përparonin nga rajoni Sumy i Ukrainës.

Uashingtoni dha miratimin e tij për operacionin ukrainas. Inkursioni në rajonin e Kurskut “është në përputhje me politikën tonë”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, ndërsa informoi gazetarët të enjten.

Disa informacione për këtë lajmë u morën nga agjencitë The Associated Press dhe Reuters.

Microsoft: Irani po intensifikon përpjekjet kibernetike për ndikim në zgjedhjet amerikane

iranIrani po intensifikon aktivitetin në internet, që synon të ndikojë në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në një rast vuri në shënjestër sistemet e postës elektronike të zyrtarëve të fushatave të kandidatëve për president, tha kompania Microsoft të premten.
Hakerët iranianë gjithashtu kanë punuar muajt e fundit në krijimin e faqeve të internetit me lajme të rreme, duke imituar aktivistë për të hedhur bazat për të nxitur ndasitë dhe për të ndikuar tek votuesit amerikanë në vjeshtë, veçanërisht në shtetet që do të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, njoftoi gjigandi amerikan i teknologjisë.

Raporti i kompanisë Microsoft jep më shumë hollësi se sa kanë ofruar deri më tani zyrtarët e agjencive amerikane të zbulimit, duke dhënë shembuj specifikë të grupeve iraniane dhe veprimeve që ata kanë ndërmarrë deri më tani. Misioni i Iranit në OKB mohoi se Teherani kishte plane për ndërhyrje kibernetike në zgjedhjet presidenciale në Shtetet të Bashkuara.

 

Raporti nuk specifikon qëllimet e Iranit përveç mbjelljes së kaosit në Shtetet e Bashkuara, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë lënë të kuptohet më parë se Irani kundërshton veçanërisht ish Presidentin Donald Trump. Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë shprehur alarmin për përpjekjet e Teheranit për të kërkuar hakmarrje për një sulm amerikan të urdhëruar nga ish Presidenti Trump në vitin 2020, në të cilin u vra një gjeneral i lartë iranian. Këtë javë, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza penale kundër një pakistanezi me lidhje me Iranin, i cili dyshohet se kishte kurdisur komplote vrasjesh që kishin në shënjestër shumë zyrtarë amerikanë, përfshirë zotin Trump.

Raporti zbulon gjithashtu se si Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë polarizimin politik në Shtetet e Bashkuara për të përhapur mesazhet e tyre përçarëse në këtë vit të rëndësishëm zgjedhor.

Raporti i kompanisë Microsoft identifikon katër shembuj të aktivitetit të fundit iranian, që kompania pret të rritet me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit.

Së pari, një grup i lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit në qershor vuri në shënjestër një zyrtar të rangut të lartë të një ekipi të fushatës presidenciale përmes një sulmi kibernetik ndaj emailit të tij, një formë sulmi që përdoret shpesh për të mbledhur informacione sekrete, sipas raportit, i cili nuk identifikoi se për cilin kandidat bëhej fjalë. Grupi fshehu origjinën e emailit duke e dërguar atë nga llogaria e emailit të hakuar të një ish-këshilltari të lartë, tha kompania Microsoft.

Ditë më vonë, grupi iranian u përpoq të hynte në një llogari që i përkiste një ish-kandidati presidencial, por nuk pati sukses, thuhet në raportin e kompanisë Microsoft.

Në një rast tjetër, një grup iranian krijoi faqe interneti që paraqiten si faqe lajmesh me seli në Shtetet e Bashkuara për të vënë në shënjestër votuesit në anët e kundërta të spektrit politik, thuhet në raport.

Një faqe e lajmeve të rreme e krijuar për të tërhequr votuesit me prirje të majta e fyen zotin Trump, duke e quajtur “të çmendur” dhe sugjeron se ai përdor drogë, thuhet në raport. Një faqe tjetër që synon të tërheqë votuesit republikanë përqendrohet në çështjet e komunitetit LGBTQ dhe operacionet për ndryshimin e gjinisë.

Një shembull i tretë i përmendur nga Microsoft zbuloi se grupet iraniane po imitojnë aktivistët amerikanë, duke hedhur potencialisht bazat për operacionet e ndikimit më afër zgjedhjeve.

Në shembullin e fundit, një grup tjetër iranian në maj komprometoi një llogari në pronësi të një punonjësi qeveritar në një shtet të rëndësishëm për zgjedhjet, thuhet në raport. Nuk është qartë nëse ky sulm kibernetik kishte lidhje me përpjekjet për ndërhyrje në zgjedhje.

Në raportin e kompanisë Microsoft thuhet se ndërsa Irani po intensifikon përpjekjet kibernetike për ndikim në zgjedhjet amerikane, edhe grupet e lidhura me Rusinë po bëjnë përpjekje për të gjetur mënyra për të ushtruar ndikim në zgjedhjet e nëntorit. Grupet e lidhura me Partinë Komuniste të Kinës kanë shfrytëzuar protestat pro-palestineze në universitetet amerikane dhe ngjarje të tjera në përpjekje për të rritur më tej tensionet politike në Shtetet e Bashkuara.

Kompania Microsoft tha se ka vazhduar të monitorojë se si vendet armike po përdorin teknologjinë e inteligjencës artificiale. Teknologjia me kosto gjithnjë e më të ulët, që mund të përdoret për krijimin e imazheve dhe videove ka rritur shqetësimin në mesin e disa ekspertëve se mund të përdoret për të mashtruar votuesit amerikanë në këtë cikël zgjedhor.

voa

Një lajm i rremë dhe trazirat në Britaninë Madhe

trazira AngliPër ditë me radhë ka pasur trazira me motiv ksenofobinë në disa qytete britanike, të nxitura prej një lajmi të rremë në rrjet. BBC ka mundur të gjurmojë burimin e lajmit.

 

E gjitha nisi me një lajm të rremë. Në Southport një 17 vjeçar sulmoi disa vetë në një shkollë baleti – tre fëmijë vdiqën.Shumë shpejt u përhap në rrjet informacioni, se dorasi ishte një i ri azilkërkues, mysliman dhe që kishte ardhur vitin e kaluar me anije përmes kanalit të Lamanshit. Por ky informacion ishte i rremë. Dorasi i pandehur ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar si fëmijë emigrantësh. Informacioni i rremë u shpërnda në rrjet duke nxitur shumë njerëz të protestojnë rrugëve në disa qytete për ditë të tëra. Si mund të ndodhte kjo? Në një investigim BBC ka gjurmuar burimin e informacionit, ku ai u publikua për herë të parë. Informacioni i rremë është publikuar në një portal lajmesh: Channel3Now. Kjo faqe është e specializuar për tema të kriminalitetit. Në një deklarim për BBC-në një pjestar i menaxhmentit, pranoi se publikimi i informacionit për dorasin e Southport ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Një punonjës i portalit tha, se sipërmarrja është komerciale, synon të publikojë sa më shumë ngjarje që të jetë e mundur. Lidhje me Rusinë BBC nuk ka mundur të verifikojë.

 

Desinformacion online me pasoja offline

Një informacion i rremë, që përshtatet me botëkuptimin e shumë njerëzve, të cilët e përhapin atë në rrjet. Në Telegram, në X (dikur Twitter) me pasoja konkrete: “Ajo që përjetuam këtu është, se një lajm i rremë në rrjet përhapet duke nxitur dhunë e trazira offline”, thotë Sander van der Linden, profesor psikologjie në Universitetin Cambridge dhe ekspert për fake-news. Informacionet e rreme përhapen shpejt, sepse kushdo mund t’i publikojë ato në rrjet. “Informationet janë pa dëshmi, të paverifikuara. Këto publikime mund të bëhen virale”, thotë van der Linden. “Koncernet mediatike kanë verifikues faktesh, redaktorë, producentë, të gjithë verifikojnë. Ndërsa këto platforma nuk kanë mekanizma kontrolli.”

 

Pushteti i medias zhvendoset tek koncernet e internetit

Javën e kaluar pikërisht edhe gazeta britanike “The Sun” i kushtoi vëmendje kësaj teme. Në titull shkruhej: “Media anti-sociale” – një lojë fjalësh me konceptin media sociale. Krahas titullit ishte printuar edhe një gurhedhës. Nëntitulli ishte: “Si Facebook e të tjerë nxisin dhunën në rrugët tona.” Titulli tërheq vëmendjen edhe sepse kjo është një gazetë që i përket perandorisë mediatike të Rupert Murdoch, që po nxjerr në pah kthesën. Nuk janë më tabloidët, gazetat e përditshme të bujshme, që japin tonin në Mbretërinë e Bashkuar e bëjnë politikë, por janë koncernet e mëdha të internetit. Elon Musk, pronar i platformës X, javën e kaluar sulmonte vazhdimisht kryeministrin britanik Keir Starmer. Një luftë civile është e pashmangshme, shkruante ai.

Musk akuzoi Starmer p.sh., se po mban qëndrim krejt ndryshe ndaj “protestuesve të bardhë” në vend që t’u kundërvihet dorasve me prejardhje migracioni. Por për këtë ai nuk jepte asnjë dëshmi. Politikanë britanikë të skajit të djathtë e përdorën këtë argument – edhe ata pa ofruar prova. Shefi i X Musk e lejoi sërish në platofrmën X aktivistin ekstremist të djathtë Tommy Robinson, i cili ka 900.000 ndjekës dhe poston Tweets me përmbajtje djathtiste dhe informacione të rreme duke i nxitur protestuesit e dhunshëm.

Përpjekjet për rregullimin nga shteti të këtyre platformave janë në fillimet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Hannah Rose, eksperte për ekstremizmin në Institutin për Dialogun Strategjik, e quan këtë si një shembull për ligjin Online Safety Act: “Ky ligj duhet t’i detyrojë platformat që të shuajnë përmbajtjet ilegale. Kush nuk e bën këtë duhet të gjobitet. Por rregullorja ndodhet ende në fazë fillestare.”Se sa efikas është ky ligj, kjo është ende e paqartë. Do të varet nga pozicioni i strukturës rregullatore shtetërore.

(ard)