Kategoritë: Histori

Traktati i Shën-Stefanit dhe Traktati i Berlinit

Traktati i Shen StefaniTraktati i Shën-Stefanit 3 mars 1878

 

Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 % të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum).

 

Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore mbretëria e Rusisë do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.

Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelit të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman.

Pjesa tjetër e territoreve perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të paraluftës.

Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj.

Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.

Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.

Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.

Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.

Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.

Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të vetme politike.

Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.

Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.

Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk ishin të prirura që t’i merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif. Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në besëlidhjet lokale.

 

Traktati i BerlinitTraktati i Berlinit  13 korrik 1878

Traktati i Berlinit (formalisht Traktati midis Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Italisë, Rusisë dhe Perandorisë Osmane për Zgjidhjen e Çështjeve në Lindje) u nënshkrua më 13 korrik 1878.

 

Pas fitores ruse kundër Perandorisë Osmane në Luftën Ruso-Turke të 1877-1878, fuqitë e mëdha ristrukturuan hartën e rajonit të Ballkanit. Ata përmbysën disa nga përfitimet ekstreme të pretenduara nga Rusia në Traktatin paraprak të San Stefanit, por osmanët humbën zotërimet e tyre kryesore në Evropë. Ishte një nga tre marrëveshjet kryesore të paqes në periudhën pas Kongresit të Vjenës 1815. Ishte akti përfundimtar i Kongresit të Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) dhe përfshinte Britaninë e Madhe dhe Irlandën, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Rusinë dhe Perandorinë Osmane. Kancelari i Gjermanisë Otto von Bismarck ishte kryetari dhe personaliteti dominues.

Detyra më e rëndësishme e Kongresit ishte të vendoste për fatin e Bullgarisë, por vetë Bullgaria u përjashtua nga pjesëmarrja në bisedime, me këmbënguljen ruse. Në atë kohë, duke qenë se nuk ishte një shtet sovran, Bullgaria nuk ishte subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe e njëjta gjë vlente edhe për vetë bullgarët. Përjashtimi ishte tashmë një fakt i vërtetuar në Konferencën e Fuqive të Mëdha të Kostandinopojës, e cila ishte mbajtur një vit më parë pa asnjë pjesëmarrje bullgare.

Rezultati më i dukshëm i konferencës ishte njohja zyrtare e shteteve të reja të pavarura të Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi (të cilat de facto kishin vepruar në mënyrë të pavarur për dekada).

 

Traktati i Paqes i Parisit i vitit 1856, i cili i dha fund Luftës së Krimesë, e kishte bërë Detin e Zi një territor neutral. Traktati që kishte mbrojtur Perandorinë Osmane, i dha fund Aleancës së Shenjtë (Austria, Prusia dhe Rusia) dhe dobësoi pozicionin e Rusisë në Evropë. Në vitin 1870, Rusia thirri doktrinën e rebus sic stantibus dhe e përfundoi traktatin duke shkelur dispozitat në lidhje me neutralitetin e Detit të Zi. Fuqitë e mëdha u bindën gjithnjë e më shumë se Perandoria Osmane nuk do të ishte në gjendje të mbante territoret e saj në Evropë.

Në vitin 1875, kryengritja e Hercegovinës rezultoi në Krizën e Madhe Lindore . Ndërsa konflikti në Ballkan u intensifikua, mizoritë gjatë Kryengritjes së Prillit 1876 në Bullgari ndezën ndjenjat antiturke në Rusi dhe Britani, të cilat përfundimisht kulmuan në Luftën Ruso-Turke të 1877-ës .

 

Traktati njohu zyrtarisht pavarësinë e principatave de facto sovrane të Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe autonominë e Bullgarisë, megjithëse kjo e fundit funksiononte në mënyrë të pavarur dhe u nda në tre pjesë: Principata e Bullgarisë, provinca autonome e Rumelisë Lindore dhe Maqedonia, e cila iu kthye osmanëve,  duke zhbërë planet ruse për një “Bullgari të Madhe” të pavarur dhe rusofile. Traktati i Shën Stefanit kishte krijuar një shtet bullgar, të cilit i trembeshin më shumë Britania dhe Austro-Hungaria.

Traktati i Berlinit konfirmoi shumicën e përfitimeve ruse nga Perandoria Osmane të specifikuara në Traktatin e San Stefanit, por lugina e Alashkerdit dhe qyteti i Bajazidit iu kthyen osmanëve.  Traktati i Konstantinopojës (1879) ishte një vazhdim i mëtejshëm i negociatave. Ai ripohoi dispozitat e Traktatit të San Stefanit, të cilat nuk ishin modifikuar nga Traktati i Berlinit dhe përcaktoi shumat e kompensimit që Perandoria Osmane i detyrohej Rusisë për humbjet ndaj bizneseve dhe institucioneve gjatë luftës. Ai u dha amnisti nënshtetasve osmanë dhe lirimin e robërve të luftës. Përveç kësaj, neni VII i traktatit parashikonte që në territorin e përvetësuar nga Rusia, subjektet mund të zgjidhnin nëse dëshironin të ishin nënshtetas osmanë apo rusë për një periudhë prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Me gjithë lutjet e delegatëve rumunë, Rumania u detyrua t’ia dorëzonte Perandorisë Ruse Besarabinë jugore. Si kompensim, Rumania mori Dobrujën, duke përfshirë deltën e Danubit. Traktati gjithashtu kufizoi pushtimin rus të Bullgarisë në 9 muaj, gjë që kufizoi kohën gjatë së cilës trupat dhe furnizimet ruse mund të lëviznin nëpër territorin rumun.

Tre shtetet e reja të pavarura më pas e shpallën veten mbretëri: Rumania në 1881, Serbia në 1882 dhe Mali i Zi në 1910 ndërsa Bullgaria shpalli pavarësinë e plotë në 1908 pasi u bashkua me Rumelinë Lindore në vitin 1885. Austro-Hungaria aneksoi Bosnjën në vitin 1908, duke shkaktuar krizën e Bosnjës, një krizë e madhe evropiane që përforcoi aleancat para Luftës së Parë Botërore.

Traktati i Berlinit u dha status të veçantë juridik disa grupeve fetare dhe gjithashtu do të shërbente si model për traktatet e pakicave, të cilat do të krijoheshin në kuadër të Lidhjes së Kombeve. Ai përcaktoi që Rumania të njohë jo të krishterët (hebrenjtë dhe muslimanët) si qytetarë të plotë. Ai gjithashtu kërkoi në mënyrë të paqartë një korrigjim kufiri midis Greqisë dhe Perandorisë Osmane, i cili ndodhi pas negociatave të stërzgjatura në 1881, me transferimin e Thesalisë në Greqi.

Në “Rrethoren e Salisburit” të 1 prillit, Sekretari i Jashtëm britanik, Markezi i Salisbury-t, bëri të qartë kundërshtimet e tij dhe të qeverisë së tij ndaj Traktatit të San Stefanos dhe pozicionit të tij të favorshëm të Rusisë. Historiani A.J.P. Taylor shkruan: “Nëse traktati i San Stefanos do të ishte ruajtur, si Perandoria Osmane ashtu edhe Austro-Hungaria mund të kishin mbijetuar deri në ditët e sotme. Britanikët, me përjashtim të Beaconsfield në momentet e tij më të egra, kishin pritur më pak dhe, për rrjedhojë, ishin më pak të zhgënjyer. Salisbury shkroi në fund të vitit 1878: “Ne do të krijojmë një lloj sundimi të rrënuar turk përsëri në jug të Ballkanit. Por është thjesht një pushim. Nuk ka mbetur gjallëri në to. Traktati gjithashtu u bën thirrje palëve të përfshira të sulmojnë kombin që shkel traktatin.'”

Vilajeti i Kosovës mbeti pjesë e Perandorisë Osmane. Austro-Hungarisë iu lejua të vendosë garnizone ushtarake në Vilajetin Osman të Bosnjës dhe në Sanxhakun e Novi Pazarit. Vilajeti i Bosnjës u vu nën pushtimin austro-hungarez, megjithëse formalisht mbeti pjesë e Perandorisë Osmane derisa u aneksua nga Austro-Hungaria tridhjetë vjet më vonë, më 5 tetor 1908. Garnizonet austro-hungareze në Sanxhakun e Novi Pazarit u tërhoqën në vitin 1908, pas aneksimit të Vilajetit të Bosnjës dhe Krizës së Bosnjës që rezultoi, për të arritur një kompromis me Perandorinë Osmane, e cila po luftonte me grindje të brendshme për shkak të Revolucioni xhonturk (1908). Situata kaotike në Perandorinë Osmane gjithashtu i lejoi Bullgarisë të shpallte zyrtarisht pavarësinë e saj më 5 tetor 1908.

MASAKRA ME KNAQË SHPIRTIN E TYNE…

Nga Fritz RADOVANI:

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë… Vështirë me u besue këto, e vështirë me u besue çka po u shkon mendja “disave”!
Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616… “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali.
Një opinjon që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar:
“… përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).
Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “… agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: “Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë,.. dhe sot.
***
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni…. dhe çohet në manikomjo…
Fantazia e kriminelit asht e pafund….
Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë thanë se ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë…”, një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij.
***
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë..?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu!
Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodranë, teolog, filozof, studjues dhe perkthyes i njohun i letersisë dhe gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe mbi të gjitha një Klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit qendronte një nga perpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare!
Përgatitja e Tij n’ Austri, Itali, dhe sherbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje per një studim të plotë të perpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë per unifikim.
E ky unifikim nenkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një veper e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re fillon me kohë, madje vite perpara At Shtjefen Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet per perpjekje të dy kishave per Bashkim, dhe kam parasyshë edhe vlersimet.
Nga studjuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue per fillimet e Kishës Ortodokse Autoçefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem filloi marrveshjet per unifikim dhe bashkpunim me Kishen Katolike Shqiptare, që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912 shihen dokumentat. Perpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, dhe janë një prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave tona Shqiptare.
Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe.
Patriarku i Konstantinopojës emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zevendsin e tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mërriti në Korçë në vjeshten e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shen Gjergjit.
Hierotheosi emeroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila permblidhte edhe Vlonen; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927 vizitoi Rusinë stalinjane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit…
Po, nuk mungoi me i ba urimet edhe Enver Hoxhës në Janar 1946, per “varësinë e Republikës Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos”…
Ishte koha kur Peshkopët e KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi(u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli(u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per unifikimin e Kishave Shqiptare, njëherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944.
Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe Fenë!
Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha doreheqjen me 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në manastirin e Ardenicës e me vonë në manastirin e Shën Prokopit afer Tiranës. Thohej se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmuem nga Sigurimi komunist) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishen e Shqipnisë si autoqefale vetem nga autoriteti i Imz. Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem per të gjitha palët e interesueme, per patrikanën e Konstantinopojës, per Popullin Shqiptar, per Klerin Ortodoks dhe lidhjet e KOASH me Kishen Katolike Shqiptare. Ndersa, Martiri At Josif Papamihali… asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në këneten e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948 vetem, per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar.
Kjo ishte Kisha e vertetë Ortodokse KOASH, per të cilen ruej respekt edhe sot!
Ishte pikrisht koha kur në Shkoder Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkvuejtësi: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij në 1946 ?
Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burrel ?
Ndersa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve ndaj Bektashijve vazhdonin me korrë koka njerzish, vetem per qendresen e Tyne në perkrahje të katolikëve Shqiptarë.
Ashtusi mbyten At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin…
Historia pa të vertata e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!
***
Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, ashtusi paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnjë, kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçaj e sundo!”, jo “pa rezultat”.
Në Sheshin Skenderbe, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë…
Por me një kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vertetë arrihet vetem me hapjen e dosjeve…Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kunder Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptar asht detyrë!
Shqiptarët duhet gjithnjë ti bajnë vetes një pyetje:
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar?!
Melbourne, 2014.

PAPA GJON PALI II… PËRBALLË GJERGJ KASTRIOTIT …

Nga Fritz RADOVANI
25 Prill 1993… Shkodra Ringjallet!Një varg i pafund njerëzish lidhë aeroportin e Rinasit të Tiranës me Kishën Katedrale të qytetit të Shkodrës së rindërtueme….
Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve, Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruajtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithe së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë…. Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt …., këtu mblidhuni,…bre Burra…kushtrim!
Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:
“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”…
Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:
Asht Papa Gjon Pali II….
Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464…
Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërhiqen me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia….
U realizue andrra e shekujve të shkuem!…
Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.
Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës…
Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun…tue i Bekue!
***
Vjen muzgu i asaj dite të lume… Yjët kanë fillue me shndritë….
Në sheshin ma të madh të Shqipnisë, mu në qendrën e Sajë mes brohoritjeve e duertrokitjeve të Fitorës, sande, si t’ishim një shkamb që s’thërmohet ma thërrasin mbi 150.000 Katolikë, Myslimanë, Ortodoksë, të gjithë vëllazën të një truelli Arbënor:
Rrnoftë Papa Gjon Pali II-të!..
E, qé, pra,…. Erdhi Ajo Ditë e shumëpritun e Historisë!
Takohën Dy Burra!
Njeni me shpatë të futun në kllef e, Tjetri me Kryq në krahnor!
Asht Skenderbeu përballë Karol Vojtilës!
Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë!
Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!
Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë!
Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut!

Mirëse erdhe, o Burr’ i Bekuem! E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë me 12 Dhetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë! E dora e rame mbi gjoks tash 500 e sa vjet, ngrihët naltë!…
“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli i em Shqiptar! E, Ti jé bash Ai Burrë Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë të Ré edhe për Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka thotë!…Edhe unë dikur…
Këta… ndigjova,.. e, Fitova!..”.
Bije një heshtje në nderim të pritjes së fjalës së Mikut Shekullor! “Shqiptarët, dikur, kur përmendej Emni i Tij u çonin në kambë dhe hiqnin kësulen”….Po, sot? – Sot, Ata kanë në Shtëpinë e moçme Ilire Atë Trim që me fjalën e Tij trandi Botën mbarë….E, prap, sot në kambë!…
Shqiptarët e të gjitha trojeve Arbënore me sy të përlotun e shpresë të sigurt, prap sot ndigjojnë porosinë e këshillen Tande, Atë i Bekuem:
“Zotni President!
Të nderuem zotnijë Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!
Vëllazën e Motra Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!
Mbas njëdite me një program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po edhe ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe.
Në çiltërsinë tuej pashë kurajon e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një ateizmi mbytës.
Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju falëmnderës!
Erdha mes jush për me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të munduem, solidaritetin e gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës.
Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh:
Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje të përzemërt.
Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës.
Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërinjtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.
Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.
E gjithë kjo ndodhte në njëkohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.
Ju sot keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun. Jeni ngritë nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri drita e shpresës.
Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.
Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
Populli Shqiptar, – dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit. Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm.
Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju.
Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashjetesë tek Ju. Duhët mësue arti i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm. Ky asht çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.
Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohët puna dhe, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”.
Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun. Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë.
Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Sajë asht kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes për mos me hy në çeshtje thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin, i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër të çdo projekti ekonomik, social dhe politik.
Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyeve të aftësive dhe të spikatjes së solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit ndaj etikës dhe moralit.
Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit! Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës. Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar. Lé ti ndrisë hapat e Tua dashunia për familjën, shpirti i vëllazënimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare.
Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm , të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës. E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…
Erdhi çasti i ndamjës.
Ju përshëndes i prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.
Përshëndes veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi. Përshëndes autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot. Kam dëshirë ti drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.
Përshëndes të gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës. Lus Zotin, që mbi secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e Këshillit të Mirë.
Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!
Zoti e ruajtë Atdheun Tuaj! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!
Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!
Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”
Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171, viti 1993.
University of San Francisco, USA.
Shenim nga Fritz Radovani: Material ii plotë asht marrë nga dorshkrimi i pabotuem F.R.:
“GURËT E THËMELIT” Melbourne 2004.
Melbourne 2014, 25 Prill.

POROSI E PROF. ARSHI PIPËS…

Nga Fritz RADOVANI:

POROSI E PROF. ARSHI PIPËS…
Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…20 Shkurt 1991… Rrëzohet shtatoria e diktatorit në Tiranë…

Shumë pak Shtete të vogla si Shqipnia kanë nxjerrë Personalitete të Mëdha sa né!
Mund të jetë kenë muej korrik ose gusht i vitit 1990, kur e kam degjue në radio “Zëri i Amerikës” tue porositë Popullin Shqiptar, pra plot 24 vjet maparë Prof. Arshi Pipa tha: “Pa u hjekë nga Sheshi Skënderbe shtatoria e diktatorit Enver Hoxha, kurrë Populli Shqiptar nuk mund të vendosin demokracinë…” E degjova, po mu duk e pamujtun!
Prof. Petro Fundo shpesh persëriste mbas vitit 1985: “Diktator si ay, vazhdojnë per të sunduar edhe persëvdekuri.” Edhe këte kur e kishe degjue më dukej e pamujtun!
Me thanë të vertetën, mbas muejt janar 1990, kur u pat ba protesta e heshtun në Shkoder per heqjen e bustit Stalinit, dhe revolta e Burrave të Malësisë në korrik, me arkivolin e Djalit të rij Pllumb Pllumbaj, para komitetit partisë me thirrjet “poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Nexhmije kurva!” etj… thirrje plot duf e urrejtje per vrasësit diktatorë, na dukej vetja se jemi tue jetue “dikund”…por, gënjejmë me dashtë me percaktue se ku?
Data 11 Nandor 1990 në Rrëmaji, vazhdonte me na u dukë një “anderr”… Edhe pse Don Simon Jubani, i këputi njëherë e pergjithmonë prangat e robnisë komuniste.
Na dukej një “vegim” ardhja e Tij nga burgu i shfarosjes së Burrelit, dhe ecja e Tij Burrnore drejtë Fitores per Ringjalljen e Fesë, kur shpresat tona ishin vyshkë…
Kush mund të besonte se pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, anadollaku Ramiz Alia, strukej si qen i zgjebosun nga frika e një Don Simon Jubani, që e kishte mbajtë të pranguem mbi 26 vjet nder birucat e akullta e të pashpresë me pa me sy Lirinë?!
Popullit Shqiptar i kishte ikë frika, Ai po shihte Driten e Lirisë së dishrueme!
U zgjuen studentët…U zgjue Kavaja…U zgjue Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë…Shkodra edhe njëherë bastjon i Demokracisë…13 Dhjetori 1990 shembi perjetsisht diktaturen ma barbare që kanë kalue Shkodranët e Rozafes Heroike…Ata të parët e shkrryen perdhé surratin e pasardhësit të sulltan Mehmetit II, që zbatoi porosinë se: “Nuk duhet të mbesin i gjallë asnjë Shkodranë!” A ju kujtohet çka ngjau mbi bust?
Edhe pse këto ngjarje sollën Demokracinë në Shqipni…Po mundohen me u “harrue” dhe me kenë e mujtun me u “fshi” nga Historia e Lavdishme Shqiptare.
E nuk zgjati…U zgjuen minatorët e Valiasit…U zgjuen puntorët e fshatarët e të gjitha krahinave të Shqipnisë… E ky ishte fundi i diktaturës komuniste edhe në Shqipni!
E fundi i diktaturës komuniste kerkonte shpagimin nga vetë diktatori…
20 Shkurti 1991, ishte dhe mbetet në Historinë e Popullit Shqiptar “Dita e Fitores” mbi rrenojat 47 vjeçare të komunizmit gjakatarë e shperftyrues, Dita e Fitores mbi diktaturen komuniste që sundoi në Shqipninë Martire të Gjergj Kastriotit!
Asht Dita e Fitores kur as armët e diktatorëve nuk mujtën me ndalue hovin dhe guximin e minatorëve të Valiasit, që e terhoqen zvarrë bishen e ngordhun e të qelbun per të gjatë të Kryeqytetit të fundit…që shembi komunizmin, Tiranës Heroike.
Ndoshta, them ndoshta, se shpesh kujtoj humnerat neper të cilat kemi kalue tash 70 vjet, e në fund çoj mendjen tek të Parët tanë që më thonin: “Ju jeni të rijë e me siguri, një ditë keni me pa Ditët e Lirisë!..” Ishte Besimi i Tyne i vendosun tek permbysja e asaj ideologjije shkatrruese marksiste – leniniste që kishte plandosë miljona njerëz në Botë!
Po edhe né u plakem…dhe po ua trashigojmë disa kujtime Brezave ma të rij, mbasi me kohen po fshihen shumë fakte e ngjarje nga Historia e Shqipnisë.
***
Një Mik i nderuem nga ShBA, (VD, të cilit i mora leje per publikim), më shkruen:
“Jeta e Shqiptarve nuk vlen aqsa jeta e Jahudijve! Pse? Asnji Jahudi nuk e levdon Hitlerin? Gjysa e Shqiptarëve (e ndoshta ma shumë) vazhdon edhe sot me e levdue dhe me e vajtue “shokun” Enver. Sikurse Enver Hoxha, do t’u konsideronte nji agjent serbo-rus, (ashtu si ishte) i vumë në pushtet per me shkatrrue elementin Etnik Shqiptar në Ballkan, atëherë, ndoshta, të gjithë Shqiptarët do ta urrejshin. Pra, duhet të identifikohet “figura” e Enverit me ata të Rankoviçit e Stalinit, me Çausheskun e Rumanisë, per me krijue në gjeneratat e reja urrejtjen që meriton. Gjeneratat e vjetra janë pertej mundësisë së shpetimit. Nuk e kuptojnë endè se të gjithë Shqiptarët janë persekutue prej Enverit. Pushkatimet dhe dënimet që janë ba prej tij, kishin per qellim me i shtij friken në palcin e çdo Shqiptari. Kooperativat e bunkerat kishin per qellim me e vorfnue gjithë popullin. Shkollat kishin per qellim me e mashtrue popullin që në fëmini. Interrnimi nder kampe ishte nji institucion skllavizimi që furnizonte krahë pune per me ushqye dhe me pasunue Bllokun e Tiranës dhe kryesisht familjen e Enverit. Fushat e Tepelenës e Lushnjës, Myzeqeja dhe minjerat e qymyrit, kromit dhe bakrit janë shfrytzue me skllavët që janë plakë në kampe pune per me i sherbye Enverit falas, por zyrtarisht, gjoja pse ishin “anmiqë të popullit”. Familja e Enverit asht pasune aq sa Shqipnia ka kenë e vorfën, pse Enveri, ka shitë edhe gjakun e Popullit Shqiptar.
Duhet të përmblidhen statistika mbi sa vetë janë vra e pushkatue, sa u burgosën dhe ia shtetizuen shtëpijat e pasuninë e tyne dhe kush e çfrytzoi até, tue fillue nga Blloku i “udhëheqsave”? Sa kjenë interrnue, si dhe ku punojshin, në çfarë konditash dhe sa e çka prodhojshin, sa u paguejshin ata?
Bota interesohet per fakte të dokumentueme me statistika, me pershkrime të kjarta e të sakta. Edhe pa u hapë dosjet mund të krijohet nji pershkrim i hatashem në kjoftëse çdo kush prej nesh, bahet dishmitar tue dokumentue informatat që ka.
Jo Shqiptarët, po, edhe mbarë bota do të kerkonin hapjen e dosjeve, po kje se vehet në dritë në formë masive barbarizmi i diktatorit Enver.
Me respekt, VD…” (Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit. FR. 2014).
***
E perballë opiumit që po i jepet perditë Popullit Shqiptar, asht e domosdoshme që në çdo shtëpi Shqiptarët sot, duhet të mbajnë një Liber!
E ky Liber asht Libri i “Kujtesës së Historisë”!
Titulli i Librit asht: “TYRANTS” nga NIGEL CAWTHORNE.
Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë në faqe 172 të shkrueme me shkronja të mëdha: “Enver Hoxha”.
Aty autori i Nderuem, ka paraqitë të vërtetën e pashkrueme deri tashti për Shqipninë dhe Shqiptarët. Bota e njeh E. Hoxhen, po Shqiptarët, vazhdojnë gjumin…
Melbourne, 2014.

KA MBETË EDHE NJË COPË “SHQIPNI”…QË KA NEVOJË PER TYM…

Nga Fritz RADOVANI
Plot 100 vjetë janë ba që me 13 Qershor 1913, i Madhi At Gjergj Fishta vendosi në kompanjelin e Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit të Shkodres, jo ma të vogel se kater meter të madh Flamurin e Gjergj Kastriotit, me Shqipen dykrenare mbi shtroje të lame me Gjakun e Atdhetarëve Shqiptarë, që dhanë jeten per Liri dhe Shqipni të Pavarun…Kur malazezët gjuenin me top nga të kater anët Shkodren, u gjet një tradhëtar që ua shiti per pare pothuej krejt Veriun, e ky katil, kje me emnin Esad Pashë Toptani…
Shko një Esad, e eja një tjeter si ai…Po bahen 100 vjet, që historia persëritet…
Tragjedia që shkatrroi Shqipninë me kulm e temel filloi me Enver Hoxhen në 1941, dhe sot po vazhdon me pasuesit e pandreqshëm të atij sistemi perbindsh!
Atëherë, kur gjithë Europa Lindore po thente pllakat e hekurta të “Murit Berlinit” per me u bashkue me Europën e shumdishrueme…dhe me u rikthye në gjiun e vet…bash Shqipnia… Ah Shqipnia, e shkretë!.. Me 2 Dhjetor 1992, angazhohet në një tjeter pakt…të menduem nga tradhëtari Ramiz Alia, e “pakti” ishte “Konferenca Islamike”!
Pa kalue dy javë që Erdogan i Turqisë e ndinë veten në Prizren, si në “Turqi…” dhe mbarë Populli Shqiptar i të gjitha trojeve “ngritët në kambë”, vjen edhe një tjeter “sihariq” nga agjensitë europjane se, Belgjika, Norvegjia apo Shqipnia, në njenin nga këta shtete… po diskutohet “shkatrrimi i armëve kimike të Sirisë”.
Flitet (e ku asht za, nuk asht pa gja!), se Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës, kanë pasë kontakte me qeveritarë shqiptarë per këte çeshtje. Sigurisht, idea e tyne ka një bazë mbi të cilen asht ndertue kjo perpjekje e amerikanëve, per me ardhë me “shkatrrue” atë sasi të konsiderueshme armësh në Shqipni. Gatishmënia me pritë të burgosunit nga Guantanamo, apo “210 vllaznit e gjakut e t’ armëve” nga Irani, tregojnë se “shqiptarët”, kanë dhanë prova para Botës se janë të aftë me “strehu, gostitë e sigurue” kedo përveç, Shqiptarëve, që ma shumë se 1.500.000 Shqiptarë, janë shpërnda nder të gjitha vendet e skutat e kontinentëve, vetem per me sigurue “buken” dhe qetsinë shpirtnore…
E verteta asht se Shqiptarët ka 100 vjet që japin prova se janë t’ aftë jo vetem me shkatrrue armët kimike, po edhe depot e armëve të veta…si në vitin 1997, e po kje se e lypë nevoja, ata per me i ba nder Sirisë, shkatrrojnë edhe Shtetin Shqiptar… Mjafton që:
Mos të harrojmë kurrë porosinë e Ramiz Alisë: “Ne komunistët reformatorë,do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronaret e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji,brenda dy-tre legjislaturash, do të arrjmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cilado të na përjetësoi në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë… Shqipërinë do ta gëzojme Ne dhe fëmijët tanë.
Mjerë Ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen.
Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha… Për këte jeni të garantuar sot e përgjithmonë… në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni.”
***
Fitimi i “disa shqiptarëve”, nuk ka me kenë i vogel! Janë disa “vullnetarë” që po luftojnë perkrah “vllezërve të vet” në Siri… Këta ua çojnë prap sirianëve dhe ata, i sjellin prap në Shqipni…Këta ço… E ata bjeri prap… “Ma mirë kështu, se me gomone…”
E sa mund të paguhen këta qeveritarë me shkatrrue Shqipninë dhe t’ ardhmen e Popullit Shqiptar që asht Rinia…me shkatrrimin e ambjentit dhe me pasojat katastrofike, që sjellë pasiguria e armëve kimike në Shqipninë e mbrapambetun të Europës?
Po cili qeveritarë, po mendon per Popullin, Rininë e Shtetin…tash 100 vjetë?
“Po mbushin xhepat…” e… “Shqiptarët” do t’ ua ndertojnë maozoleumet e tyne!
Lexues të nderuem!
Ju lutem mos e harroni porosinë e Nanës Tereza, në vitin 1997 në Rinas:
“O Zot hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…

Melbourne, Nandor 2013.

PELLAZGËT ANTIK EGZISTONIN DHE EGZISTOJNË EDHE SOT NËPËRMJET SHQIPTARËVE

Bisedë me studiesin Arif Mati (Aref Mathieu) – Biseda u realizua nga Fatbardha Demi ( * )Pellazgët antik egzistonin dhe egzistojnë edhe sot nëpërmjet shqiptarëve, gjuha e të cilëve është fosil i gjallë i asaj që ishte gjuha e parë Evropiane. Për fat të keq askush nuk dyshonte që shqipja qënkish kaq e vjetër…Në mungesë të shkrimeve pellazge (që janë shkatërruar ndoshta nga pushtuesit Helenë), ata kanë lënë gjurmë gojore si psh: epopetë e quajtura homerike, emrat e mitologjisë së ashtuquajtur greke, toponimet, oronimet, eponimet, anthroponimet që dhe sot nuk mund të shpjegohen veçse me gjuhën e sotme shqipe.

F.DEMI: Gjatë vizitës në Shqipëri, me rastin e botimit të librit tuaj: «Shqipëria, Odisea e pabesueshme e një populli parahelen», patët rastin të takonit jo vetëm bashkëatdhetarët dhe lexuesit e shumtë të librit tuaj, por edhe studiues shqiptarë (brenda kufijve shtetërorë). Ç’farë përshtypje ju lanë këto takime me historianët, arkeologët dhe gjuhëtarët shqiptarë?

A.MATI: Për sa i përket tezës sime mbi pellazgët, u desh që të vija në Shqipëri, ku studimet mbi Pellazgët kanë qënë të pakta e më pak të rëndësishme sesa në vendet e tjera, për të kuptuar mosbesimin e deri urrejtjen (pa argumenta e pa prova bindëse) të një pakice kokëngjeshur të universitarëve shqiptarë. Megjithatë, kam takuar një numër të caktuar universitarësh të ndershëm, objektivë, të përgatitur e me një këndvështrim të gjërë, që e kanë përqafuar plotësisht tezën time. Po ashtu, kur doli libri im i përkthyer në shqip («Shqipëria, Odisea e pabesueshme e një populli parahelen»), pritja e publikut shqiptar dhe atij shqipfolës ka qenë e nxehtë dhe entuziaste. Deri më sot, veçanërisht në Francë dhe përgjithësisht në Perëndim, nuk kam patur as më të voglën kundërthënie apo kundërshtim zyrtar. Në fakt, këtu në perëndim, nuk jemi mësuar të kundërshtojmë një tezë pa dhënë «provën e të kundërtës». Në Tiranë pata përshtypjen se isha kthyer në kohën e Galileut, kur ai pohonte se toka ishte e rrumbullaktë me gjithë kundërshtimet dhe kërcënimet e bëra ndaj tij.

Debati në Top Chanel (në emisionin «Top Show») nxori në pah, një farë marrëveshje të organizuar e të pashpallur (sidomos M. Korkuti dhe Mancaku) me qëllimin e vetëm të vinin në vështirësi tezën time. Ata kenë bërë pa qëllim (për të cilën kam dyshim) apo për t’u shfajsuar, shkarazi, që s’kanë ndërmarrë ata vetë, si shqiptarë të mënçur, kërkime dhe studime të tilla? Argumentet e tyre të vetme bazoheshin mbi hollësi të papërfilleshme (që i ngjan pikës së ujit në oqean e që nuk rrezikonte aspak tezën time) në lidhje me shpjegimin e fjalëve “pellazg” (shpellagi, banorët e parë të shpellave) apo “sllav” (ska’llaf = Sklaf, Sklav) për të cilat kam dhënë shpjegime më të hollësishme në librin tim (për fjalën Pellazg) të bazuar në historinë e lashtë, në paleontologji dhe në mitologji dhe (për fjalën Sllav) të bazuar mbi historinë e ardhacakëve të parë sllavë në zonën e Venetos dhe Istrias, ku ata punonin të paguar nga romakët (me të drejtë janë të shumtë autorët që i kanë përshkruar si «skllavë» !). Është e qartë që studimet dhe kërkimet e mia janë realizuar pa paragjykime e në mënyrë të paanëshme. Për të patur një qëndrim të tillë (të politizuar?) ndaj meje, kam edhe unë të drejtën t’iu bëj pyetjen e mëposhtme: mos vallë ata janë pro grekëve, apo pro sllavëve, apo ndoshta u janë nënshtruar njëfarlloj ideologjie shkatërruese dhe keqdashëse?

Të thuash se «nuk jam dakort» duhet sjellë «provat e të kundërtës». Çdo dijetar që punon «si një vazo e taposur», i mbyllur brenda kullës së tij të fildishtë, pa u shqetësuar për studimet e kërkimet e bëra në fusha të ndryshme shkencore, nuk mundet veçse të çorientohet në udhëkryqet e ngatërruara të historisë, kulturës dhe të gjuhës parahelene. Kuptohet që arkeologu dhe gjuhëtari duhet të transformohet edhe në historian, gjeograf, paleontolog, etnolog, antropolog apo në studiues të mitologjisë. Gjë që s’ndodh me shumë universitarë (profesorë). Kritika është e thjeshte, arti është i vështirë! Vetëm Z. Neritan Ceka (megjithë disa mospajtime mbi subjektin e të ashtuquajturës “Mikenianët”) duket i prirur ndaj tezës sime dhe ndaj shpluhurosjes së mësimit të historisë së origjinës së popullit shqiptar në institucionet arsimore shiptare.

F.DEMI: Autori i librit «Enigma», Robert D’Angely, hidhte poshtë, si jo shkencore, përcaktimin e gjuhëve europiane (përfshirë dhe shqipen) si gjuhë «indo-europiane». A mendoni edhe ju, se një përcaktim i tillë, i parë nga ana historike nuk është i drejtë. Apo kjo është fushë vetëm e “gjuhëtarëve”?

A.MATI: M’u duk se Z. Mancaku (gjuhëtar) është paksa mosbesues kur unë përdor fjalën «gjuhësi» për të përshkruar studimet dhe kërkimet e mija mbi gjuhën shqipe, etruske, baske dhe të tjerat. Duhet ta dij se unë nuk i kam ndërmarrë këto kërkime si “gjuhëtar, por si “kërkues” i shumë fushave shkencore. Mbi këtë bazë, studimet e mija nuk i përkasin “teknikave dhe metodave” të mirëfillta gjuhësore që nuk u sjellin asgjë më shumë pohimeve të mija. Këtë punë më të thelluar ua lë gjuhëtarëve. Të gjitha studimet dhe kërkimet e mia, përqëndrohen veçanërisht mbi terminologjinë, fjalorin, fonetikën, ndërlidhjet gjuhësore, afërsitë sintaksore dhe në një farë mase kërkimet morfologjike në zhvillimin e gjuhës dhe rrëshqitje semantike: është fjala për antropologjinë gjuhësore (gjuhësinë historike) dhe gjuhësinë e krahasuar. Dhe pikërisht duke u bazuar mbi “studimet krahasuese” dhe ngjashmëritë gjuhësore, i kanë filluar punimet e tyre gjuhëtarët e parë, të fundit të shek. 19! Për më tepër, unë e kundërshtoj ideologjinë «indo-europeaniste». Atë që kemi quajtur deri më sot «indo-europiane» nuk është gjë tjetër veçse «europiane» ose «pellazgjike» madje (për të qënë më të saktë) «euro-indiane».

Nuk ka patur pushtim të Europës nga Azia, përpara atij të Hunëve, të Alainëve, të Avarëve, në shk. IV/V apo të sllavëve e bullgarëve në shk.VI/VII apo të magjarëve (hungarezëve) në shk. IX pas erës sonë. Përkundrazi, në mijëvjeçarin e pestë ose të katërt pati lëvizje të popullatave në drejtimin Europë-Azi e jo anasjelltas. Nuk duhet që të neglizhohen pasojat kulturore dhe gjuhësore të lëna nga pushtimet e një pjese të Azisë nga ushtria e Aleksandrit të Madh, ku pjesa më e madhe e ushtrisë ishte e origjinës pellazge (Peonianët, Ilirët, Agrianët, Maqedonasit, Thrakasit, etj..) Është këtu hileja e ndërmarrjeve të gabuara deri tani. N.q.s. ne gjejmë fjalë pellazge ose shqipe në sanskritisht, nuk janë transmetuar nga kjo e fundit, por e kundërta. Akoma edhe sot ekziston një popullsi që gjëndet midis Afganistanit dhe Pakistanit (Burrushi) që flasin shqip. Ata kan mbetur ndoshta nga ushtarët e Aleksandrit të madh (shk. IV pk) që kanë qëndruar në atë vënd dhe atje lanë dhe pasardhësit e tyre. Ky popull i humbur mes maleve të Azisë, ka lënë gjurmët e gjuhës dhe kulturës së tij, ashtu siç ndoshta e kanë lënë parardhësit e tyre para pesë mijë vjetësh.

Më në fund unë sinjalizoj që greqishtja nuk është shkruar veç se rreth fundit të shekullit të VII dhe fillimit të shekullit të VI p.k. Sanskritishtja nuk është shkruar veçse në atë epokë gjithashtu. Kemi të bëjmë me dy gjuhë bashkëkohore dhe pak a shumë të reja. Latinishtja nuk është shkruar veçse në shekullin e III p.k. Janë këto gjuhë që janë studiuar në shekullin e XIX. Pellazgët antik ekzistonin dhe ekzistojnë edhe sot nëpërmjet shqiptarëve, gjuha e të cilëve është fosil i gjallë i asaj që ishte gjuha e parë Evropiane. Për fat të keq askush nuk dyshonte që shqipja qënkish kaq e vjetër.

F.DEMI: Me gjithë studimet që kanë vënë në pah vijushmërinë pellazge të shqiptarëve gjatë shk.19, 20 dhe 21, edhe sot ajo nuk pasqyrohet në Historiografinë dhe Gjuhësinë botërore. Gjithashtu nuk është bërë ndonjë përpjekje nga Institucionet shqiptare përkatëse në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, për një debat kombëtar apo ndërkombëtar për këtë temë. Ku qëndron ky “ngërç” i studiuesve të historisë dhe gjuhësisë?

A.MATI: Konsiderohet që pellazgët e vjetër janë zhdukur pa lënë gjurmë. Kështu është gabuar dhe refuzuar mendimi se ka egzistuar një gjuhë më e vjetër se greqishtja dhe sanskritishtja. Nga ana tjetër M.Mancaku më qorton që të mos citoj Antoine Meillet, vetëm kur më vjen për mbarë. Duhet të them, që unë kam cituar gjithashtu pjesë të librit të Meillet në të cilat, nuk i pranoj argumentet e tij. Unë e kam thënë disa herë, që nuk jam dakort me të për disa çështje të caktuara. Z Mancaku do të kishte pëlqyer që të citoja të gjitha gabimet e bëra nga gjuhëtarët më të mëdhenj, duke filluar që nga Meillet, dhe t’i ktheja në «fjalë të ungjillit». Dijetari nuk duhet të jetë naïv dhe as të lëshojë pe për argumente më pak bindëse ose të gabuara. Unë nuk jam nga ata që pranojnë verbërisht atë që thonë disa gjuhëtarë të caktuar, historianë apo arkeologë. Unë nuk gjykoj dhe mendoj, nuk studioj dhe nuk bazohem tek ato që thonë, ky apo ai specialistë, qoftë edhe i shquar. Unë kam kryer një studim kritik mbi atë që njëri apo tjetri thonë mbi gjuhën shqipe (si për Ilirishten dhe Pellazgjishten e lashtë) në veçanti dhe mbi gjuhën indo-europiane në përgjithsi. Vetëm kështu unë pata mundësi të parashtroj mendimet e mia personale të mbështetura mbi argumente të përshtatshme dhe të prekshme.

F.DEMI: Debati që zhvilluat në emisionin “Top Show” me studiuesit shqiptarë, besoj se u përqëndrua mbi argumentat që keni paraqitur në librin tuaj. Cili qe reagimi i tyre?

A.MATI: Çuditërisht arkeologu M.Korkuti (që përpara debatit ende nuk e kishte lexuar librin tim) nuk ishte i bindur për barazimin (të popullit dhe gjuhës-shënimi im) pellazgo = Iliro = shqiptar. Për të, është akoma e vështire që të provohet që shqiptarët janë pasardhësit e Ilirëve, edhe për ta, thotë ai, nuk kemi prova të shkruara. Ndoshta ai është nënshtruar të ashtuquajturës “e pranuar nga të gjithë” dhe kjo është arsyeja që ai nuk ndërron mendim. Ndoshta të vetmet lexime dhe referenca merren prej tij nga konsideratat ideologjike dhe politike ose nga teza që u ka ikur koha. Çuditërisht, ai i quan parardhësit e Ilirëve si para-Ilirë, sepse nuk guxon të përdorë emërtimin «pellazg». Njohjet e tij reduktohen në mënyrë strikte (vetëm tek teza)” të pranuara nga të gjithe”. Ai bazohet në atë që thonë «ajatollahët» universitarë (të botës -shen. im). Për të, meqë Pellazgët nuk kanë lënë gjurmë të shkruara, ata nuk mund të quhen si paraardhës të Ilirëve dhe të shqiptarëve të sotëm.

Në mungesë të shkrimeve pellazge (që janë shkatërruar ndoshta nga pushtuesit Helenë), ata kanë lënë gjurmë gojore si psh: epopetë e quajtura homerike, emrat e mitologjisë së ashtuquajtur greke, toponimet, oronimet, eponimet, anthroponimet që dhe sot nuk mund të shpjegohen veçse me gjuhën e sotme shqipe. Pa folur fare për gjurmët paleontoligjike dhe arkeologjike në shpellatë e banuara, rrasat dhe ndërtesat ciklopike të quajtura pellazgjike, muret e para rrethuese të akropolit të Athinës të quajtura “pelargikon”, fortifikatat e Mikenës, Argosit, Korinthit, Pylosit etj. Duke iu shtuar këtyre dhe tekstet e autorve antikë që konfirmojnë njëzëri se pellazgët ju kanë trashëguar helenëve kultet e tyre, kulturën e tyre dhe gjuhën e tyre. Herdodoti ka konfirmuar që Jonët ishin pellazgë të kthyer në Helen, pasi kishin mësuar greqishten dhe që Dorët ishin nga mbretërit Egjiptianë. Pra meqënëse gjuha shqipe arrin të deshifroj «pellazgjishten e vjetër», Ilirët (paraardhës të mirënjohur të shqiptaëve) nuk mund të jenë veçse pasardhës të pellazgëve. Kjo është matematikë.

- A nuk u mjaftojnë këto arkeolgëve, historianëve, gjuhtarëve që të kuptojnë se kush janë në të vërtetë Pellazgët, dhe pasardhësit e vetëm të tyre?

- A mos vallë duhet të presin që të zbulojnë një “gur rossete” (gur me shkrime të lashta që shënoi fillimin e deshifrimit të hieroglifeve) për t’u bindur?

Është koha që arkeologët, historianët, dhe gjuhëtarët e gjithë botës të dalin nga rutina e tyre, të çlirohen nga paragjykimet, të largohen nga pistat e gabuara që na çojnë në qorrsokak e na pengojnë për të parë qartë duke na e mjegulluar kohën e lashtë (1200-800 p.k) që për një kohë të gjatë janë quajtur «shekuj të errët». Në fakt është mungesa e studimeve dhe kërkimeve shumëdisiplinore (për një temë të dhënë) që i bëjnë arkeologët të mos jenë në dijeni të studimeve të historianit, etnologut, antropologut, gjuhëtarit apo mitologut.

F.DEMI: Në punën tuaj studimore, si historian i lashtësisë, a ka ndikuar emocionalisht qenia juaj me origjinë shqiptare?

A.MATI: Në librat e mi nuk ka absolutisht ndjenja personale, as nacionalizëm, as fantazma, por një tezë serioze e përpunuar shkencërisht me argumente të bazuara dhe të qëndrueshme si dhe referenca të verifikueshme. Kështu që dy librat e mi «Shqipëria, (historia dhe gjuha) ose Odiseja e pabesushme e një populli para-helen» dhe «Greqia (Mikena = Pellazgët) zgjidhja e një enigme», janë fryti i një reflektimi 30 vjeçar dhe të pesë vite kërkime të thella në shumë fusha shkencore: në historinë e lashtë parahelene, antropologji, arkeologji, paleontologji, gjuhësi, etnologji, mitologjin pellazgjike, e quajtur greke, dhe ndonjë studim mbi poemat e quajtura homerike. Këto studime janë bërë dhe mbi bazën e një bibliografie të pasur marrë në universitetet më të mira: të Sorbonës, në Institutin e gjuhëve orientale, dhe në bibliotekat më me zë (Bibloteka kombëtare, Sorbon-Saint-Genevieve, Muse de l’homme, Arsenal, etj) Këto libra dalin nga shtigje të rrahura dhe nuk u nënshtrohen paragjykimeve, tezave «të pranuara nga të gjithë», as shkrimeve tendencioze, shoviniste me një ideologji të caktuar.

F.DEMI: Një mit është një rrëfenjë që shpreh besimet dhe përfytyrimet e njerëzve mbi zanafillën e botës – është shprehur Schoplint – me anën e miteve, bashkësitë njerëzore përcaktojnë sistemet e tyre të vlerave dhe krijojnë lidhje emocionale me bashkësitë. Sa e vërtetë është kjo lashtësi mitike që mësohet sot nëpër shkolla?

A.MATI: Deri tani ne kemi mësuar në universitete një histori të cunguar nga Grekët, ku pistat e gabuara praktikisht nuk janë denoncuar. Nuk janë denoncuar për arsye të shumta që unë i shpjegoj me detaje në të dy librat e mi. Me gjithë dëshirë shpresoj, të kem mundësinë që t’i shpjegoj në një debat, në rast se do të zhvillohet, me universitarët e Tiranës. Problemi është se ata (historiografia zyrtare – shën im) e kanë konsideruar historinë Greke (mbi të gjitha atë para-helenike) si diçka të shenjtë apo si fjalët e Biblës. Nga brezi në brez, profesorët janë të kënaqur të përsërisin gjithmonë të njëjtat gjëra të “sigurta” pohime të njëjta, pa mënjanuar pistat e gabuara, interpretimet e gabuara, gabimet e adhurimit, manipulimet e ndryshme, pikpamjet e njerës palë dhe shovinizmin në analizë. Ja përse, kur ne pohojmë të kundërtën nga ajo që është pranuar nga të gjithë, ne e prishim. Ne këmbëngulim në këtë moment ndaj reagimeve rrëzuese, epidemike, vështrimeve demagogjike dhe një skepticizmi që e kalon gjykimin. Ajo që unë kërkoj është një debat besnik midis specialistëve të ndershëm (në shumë fusha specifike). Nëse ata nuk janë dakort me tezat e mia, duhet të sjellin prova të së kundërtës, me argumente dhe të dhëna të vërteta. Është shumë thjesht të thuash që nuk jam dakort, dhe të hedhësh një anatem mbi atë që flet ndryshe. Deri më sot në Francë, ata nuk më kanë sjell këto prova të kundërta. Për mua nuk ka, sepse është kjo arsyeja që unë fillova studimet e mia të kërkimit që zgjatën 35 vjet. Mund të njoftoj se librat e mi, janë studiuar nga disa universitete të huaja Harvard (SHBA), Xhorxhtaun në Ushington, Montreal, Quebec në Kanada, në Heidelberg në Gjermani, në Gjeneve etj.

F.DEMI: Mbas një gjurmimi të thelluar dhjetravjeçar, simbas jush, ku duhet vendosur “qytetrimi grek?»

A.MATI: E gjithë kjo punë nuk prek fare qytetërimin grek stricto-sensu dmth, atë që u zhvillua “pas” shk. VIII pk. Kjo Greqi e asaj kohe (peruidha arkaike, klasike dhe helene) është e qartë, e verifikueshme dhe kronologjike, e njohur nga faktet dhe aktet e pasqyruara nga librat e vjetër të historisë prej logografëve të parë (edhe pse nuk duhen përjashtuar manipulimet në lashtësi). Kulmi i qyteterimit grek (“Periudha e artë”), ai i mirëfillti, shfaqet në shk. V pk (dhe vetëm atëherë!): është shekulli i mbiquajtur: i Perikliut. Për sa u përket të tjerave, janë trajtuar nga historianët dhe gjeografët grekë të lashtësisë (shk. VI dhe V pk) të tillë si Hekati i Miletit, Hellanikosi i Mytilenes, Herodoti dhe më pas nga Tuqiditi, Diodori i Siçilisë, Straboni, etj.: se përpara «mbritjes» së Grekëve vëndi që “do të bëhej Greqi” banohej nga pellazgët dhe se “jonianët ” ishin Pellazgë” të helenizuar ” dhe mbi të gjitha “mbretërit” dorianë ishin me origjinë “egjyptiane”. Ndërsa “populli” i quajtur “dorian”, ishte me origjinë ilire.

A nuk i quante Homeri (viti 800 ose 750 pk) pellazgët “të shenjtë” dhe Zeusin “pellazgjik dhe dodonas”? Përse ai nuk i ka përmendur “Helenët” si etni, popull apo komb? Kjo është një nga provat që “populli i këtij kombi (grekët)” nuk egzistonte akoma në këtë epokë! Ai nuk mundej pra të dinte çdo të ndodhte pas tij. Pa harruar emërtimet e mitologjisë së quajtur greke, të cilat «shpjegohen» falë shqipes së sotme (dhe jo më «greqishten»), e vetmja gjuhë parahelene që mbijetoi brenda sferës ballkano-egjease. Nuk ka mosvijushmëri ndërmjet Pellazgëve dhe ilirianëve. Të gjithë këto fise, që disa akoma besojnë se janë «të ndryshëm» nga ana etnike dhe kulturore, në fakt i përkasin të njëjtit e të vetmit popull, ashtu siç e provoj në të dy librat e mi, që mbështeten në fakte dhe referenca të ndryshme. I vetmi dallim që egzistonte midis këtyre fiseve ishte vetëm «ndryshimi» i “emrave” të tyre! Të mos harrojmë gjithashtu pohimet e historianit çifut (bashkëkohës i epokës së Jezu Krishtit), i kulturës helenike, që në librin e tij “Kundër Apionit” thotë: “gjithçka tek Grekët është e vonshme dhe mbi të gjitha shkrimi”. Në fakt, shkrimet e para greke u shfaqën vetëm në shk. VII pk. A nuk u botuan Poemat epike të Homerit në shk. VI pk, në kohën e Pisistratit?

F.DEMI: Studiuesi francez Robert D’Angely, shprehej, se duan apo s’duan studiuesit e lashtësisë, për të arritur rezultate në punën e tyre, duhej të kalonin nga «dera» e gjuhës shqipe. A ka qenë edhe për ju kjo «derë» që zbuloi horizontet e lashtësisë?

A.MATI: Për sa më përket mua, është gjuha shqipe që më ka drejtuar dhe orientuar që të vazhdoj studimet dhe kërkime më të thelluara e specifike, për të bërë «lidhjen» midis Pellazgëve dhe Ilirëve. Pyetja e parë që më erdhi ndërmënt ishte:

- si është e mundur që shqipja (që rrjedh nga Ilirishtja) arrin të shpjegojë ose të zbërthejë shumicën e emrave pellazgjike (antroponime, etnonime, eponime, toponime apo oronime) të Mitologjisë që Grekët morën prej Pellazgëve?

- Pra a nuk flisnin Pellazgët dhe Ilirët të njëjtën gjuhë?

- A nuk është kjo pengesa që i ka vënë në mëdyshje shumicën e studimeve, të kërkimeve dhe analizave të thelluara?

U desh që të gjeja, përveç gjuhësisë, fusha të tjera shkencore që sjellin elemente prove për të treguar prejardhjen e Shqiptarëve nga Pellazgët. Këto ishin antropologjia, arkeologjia, etnologjia, studimet e lashta historike, studimet e teksteve homerike, hesiodike dhe mitollogjia. Secila nga këto fusha shkencore sillte ujë në mullirin e tjetrës. Duhet thënë, ndër të tjera, që shqipja e sotme (e zhveshur nga fjalët e huaja dhe neologjizmat) flitet sot njëlloj si para tre mijë vjetësh, sidomos dialekti i saj «geg» i malësisë së Veriut dhe të Lindjes të Shqipërise. Një fosile e gjallë!

F.DEMI: Duke lexuar librat mbi lashtësinë, si ato shqiptare dhe të huaja, duket sikur kufiri shtetëror është vendosur edhe në histori. Kështu historia e Ilirëve, shikohet e mbyllur brenda «enës» (kufijve shtetëror) shqiptare. Mos vallë është forca e ideologjisë dhe e politikës që e mban të mbyllur këtë «enë»?

A.MATI: Çuditërisht, me ç’kam mundur të lexoj në disa manuale të historisë, arkeologjisë apo gjuhësisë, universitarët shqiptarë kanë mbetur në tezën e origjinës «ilire» të shqiptarëve, duke mohuar çdo prejardhje tjetër. Në të kundërt të këtyre argumentave, shqiptarët janë jo vetëm pasardhësit direkt të ilirëve, por njëkohësisht edhe «të një gjinie» me vëllezërit e tyre të gjakut Thrakë, Frigasit, Getët, Dakët, Epirotët dhe Maqedonasit, të gjithë të dalë nga populli i pamatë etnik pellazgjik. Në fakt, studimet e bëra deri më sot në Shqipëri i kanë «shkëputur» ilirët prej Pellazgëve antikë e madje edhe nga Thrakët! A thua se historia dhe origjina e këtij populli të ketë ngrirë përgjithmonë në kallëpin ilir! Që nga fillimet e shk.XX vetëm tre autorë shqiptarë e kanë trajtuar këtë problem duke pohuar përkatësinë e iliro-shqiptareve prej etnisë pellazge: Adhamidhi (Rilindja shqiptare), Spiro Konda dhe Dhimiter Pilika. Tre historianë për një shekull është shumë pakë! Ndërkohë janë studiuesit e huaj që kanë bërë punët më të rëndësishme shkencore mbi Pellazgët dhe detyrimisht mbi Ilirët, Shqiptarët dhe gjuhën e tyre.

E përse vallë! U takon shqiptarëve që mbijetuan epokën e Enver Hoxhës t’i bëjnë një analizë ndërgjegjes dhe t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Mendoj që sot jetojmë në vende të lira ku liria e fjalës dhe liria e të menduarit e kanë rrugën të hapur. Duhet patur kurajo të hedhësh poshtë të pavërtetat dhe sidomos të vësh TË VËRTETËN në vëndin që i takon (sigurisht duke u mbështetur në prova) pikërisht aty ku e kanë goditur. Nuk duhet të stepemi nga skepticizmi i vjetëruar, e sidomos të mos kemi frikë nga paragjykimet, sarkazmat boshe e të prapta, talljet shpërfillëse apo nga sulmet e pajustifikuara nga të cilat vijnë ato.

Një dijetar që bën studime e kërkime në fusha të gjëra e të përqëndruara si : gjuhësia, antropologjia, arkeologjia, e gjithashtu të ndjeshme si: historia parahelenike e Greqisë apo Mitologjia, nuk ka pse të shqetësohet nëse kjo u pëlqen apo nuk u pëlqen, nëse kjo shqëteson këtë apo atë studjues të këtij apo atij Shteti, në këtë rast Greqinë apo vëndet pranë saj. Historia nuk bëhet për të plotësuar qëllimet dhe dëshirat personale, për të mbajtur anën, për ideollogji tendencioze, për veçanëritë e këtij apo atij individi, të këtij apo atij komuniteti, apo për hir të kësaj apo asaj bindje shkencore. E megjithëate kjo ka ndodhur në Antikitet, ku Historia është manipuluar në favor të një çështje shoviniste, ose për të shfajësuar një hegjemoni, një përkatësi etnike apo gjuhësore.

Sot duhet bërë dritë për të qartësuar misteret e Historisë parahelenike dhe zbuluar të fshehtat e saj, të pangjarat, nënkuptimet dhe të gjitha llojet e manipulimeve që janë bërë, e të cilat s’kanë bërë gjë tjetër veçse rëndojnë edhe më, shtresën që e mbulon prej më shumë se 25 shekujsh. Dhe para së gjithash nuk duhet rënë pre e sirenave keqdashëse apo mashtruse, dhe as të gëlltisim helmet që na serviren andej-këndej. Për sa më përket mua, gjithë kjo punë studiuese e kërkuese është bërë me seriozitet, me ndershmëri dhe imtësisht, me një këndvështrim të paanshëm, pa paramendime, pa emocione, pa mëndjemadhësi, pa bërë gafa. Pra kjo histori duhet vënë në vendin që i takon, ajo e vërteta, të mësohet nëpër shkolla, nëpër universitete, akademi dhe manualet e popullarizuara.

F.DEMI: Një nga figurat e shquara të Rilindjes shqiptare dhe europiane, Elena Gjika, duke folur për shqiptarët theksonte : «Ky popull vepron shumë, por shkruan pak (për veten)». Edhe në shkrimet e patriotit të shquar të pavarësisë Mit’hat Frashëri ndihet ky shqetësim «Ata vetë (shqiptarët) kannë neglizhuar shumë për publicitetin dhe kannë bërë shumë gabim. Është mirë të veprohet, që të bëjmë të njohur vetveten ». A mendoni se në shk.21 jemi po aq të panjohur sa në fillimet e shk.20?

A.MATI: Shqipëria dhe vëndet shqipfolëse që e rrethojnë nuk mund të kufizohen me përshkrimet e shkurtra që gjejmë prej kohësh në enciklopeditë dhe librat shkollore apo universitare që e përcaktojnë: rajon malor i Gadishullit Ballkanik… portokalle, ullinj, rritja e dhive dhe e deleve… pesë shekuj pushtim otoman…para luftës së dytë botërore: popullsi me shumicë myslymane (65%)…vend i pavarur pas 1912…! Nuk mundet të tkurret Shqipëria me këtë përshkrim të thjeshtëzuar. Shqipëria është diçka tjetër. Është një vend që zotëron gjuhën më të vjetër të Europës dhe banorët e saj janë pasardhës prej një populli nga më të vjetrit e kontinentit europian: Pellazgët (njerëzit e shpellave). Në fakt etnia pellazgjike i ka dhuruar kësaj Europe dy qytetërimet më të ndritura : atë greke (nëpërmjet Pellazgëve) dhe atë romake (nëpërmjet Etruskëve).

Dhe kjo nuk është e paktë!

Për sa kohë ne, do t’i izolojmë ilirët brenda një konteksti rreptësisht ballkanik (kaq i dashur për gjuhëtarët e sidomos për ata «indo-europianistë»), për sa kohë do të vazhdojmë të shkëpusim Ilirët nga Pellazgët dhe nga popujt e tjerë të një gjinie me ta (Etruskët, Ligurët, Lelegët, Thrakët, Dakët, Getët, Frigasit, Maqedonasit, Epiriotët, etj.), për sa kohë nuk do ta pranojmë lidhjen e njëkohëshme ndërmjet gjuhës dhe etnisë pellazgjike, do të ngatërrohemi nëpër situata të fantazuara dhe Historia do të vazhdojë të mbetet në qorrsokak. Ilirët janë një «popull autokton» që ka mbjellë farën e vet, që nga dy anët e Danubit deri në Greqi dhe ishujt e detit Egje (sidomos Kretën): ky popull jeton aty ku është që prej gjenezës pa ndërprerje territoriale, etnogjuhësore, antropologjike dhe kulturore.

- Origjina e përdorimit të hekurit në Europë vjen nga ky popull (a nuk u thërrisnin Austriakët, kovaçëve njëherë e një kohë, Ilirë ?)

- A nuk zbërthehen toponimet dhe oronimet e shumta të një pjesë të madhe të Europës me gjuhën e sotme shqipe?

- A nuk gjenden shumë lidhje gjuhësore midis gjuhës etruske, gjuhës baske, rumune, kelte, asaj të kaukazit të vjetër me gjuhën shqipe ?

- A nuk janë Shqiptarët, një etni antropoligjikisht homogjene d.m.th. që kanë treguesin cefalik më të lartë në Europë (hyper brachycephalie mbi 85 %)?

Gjurmimet e ndryshme arkeologjike provojnë gjithashtu këtë vazhdimësi të paktën që prej periudhës Neolitike (6 000 vjet pk) dhe vënë në pah një identitet kulturor dhe të kultit me kohët heroike (epoka e ashtuquajtur mikeniane).

F.DEMI: Flitet shumë për dhënie dhe marrje në lëmin gjuhësor të popujve. Sipas jush, kush është faktori bazë që përcakton këto dhënje dhe marrje gjuhësore?

A.MATI: Që prej mbërritjes së Grekëve (shk. VIII pk) dhe të Sllavëve (shk. VI dhe VII) janë ngatërruar dhe mbivënë ajo që është shumë e lashtë (Pellazgë, Trakë apo Ilirë) jo vetëm me atë që është më pak e lashtë (Grekët) por edhe me atë që është shumë më e vonëshme (Sllavët, Bullgarët, Magjarët). Gjuhëtarët kanë krijuar deri edhe një «nënshtresë ballkanike» ndërkohë që e vetmja nënshtresë gjuhësore që mund të egzistojë është ajo e pellazgo-ilirëve, sepse gjuhët e tjera, janë praktikisht të mëvonshme dhe s’kanë ardhur veçse shumë më vonë, për t’ju bashkangjitur asaj që tashmë egzistonte! Madje është krijuar edhe një grup gjuhësh: «balto-sllave». Kurrkujt nuk i shkoi në mendje se gjuha e Ilirëve u përhap deri në brigjet balltike. Në fakt disa fjalë të vjetra lituaniane apo letoniane shpjegohen me gjuhën shqipe dhe jo sllave! Nga ana tjetër është normale që pas pushtimit nga ana e sllavëve të ketë patur tek komshinjtë e tyre Baltë, një ndikim të gjuhës sllave. Por «nënshtresa e vjetër» që eksistonte, përpara dyndjes së hordhive sllave, ishte pikërisht «ilire». Dhe në këtë mënyrë (me teza të gabuara, analiza partizane të karakterit ideollogjik, etj.,) që Gjuhësia, Historia, Antropologjia apo Arkeologjia janë futur në rrugë pa krye me qorrsokake që paralizojnë që prej një shekulli këto katër fusha shkencore shumë të rëndësishme.

Janë autorët modernë (veçanërisht historianët, arkeologët dhe gjuhëtarët) që kanë mbjellë paqartësi madje edhe ngatërresa në gjithë këtë. Në fakt ata kanë shpallur se pellazgët ishin të përbërë prej popujsh të ndryshëm: e thërrisnin me të lartë se është «emër i përgjithshëm» dhe se janë «popuj të zhdukur pa lënë as gjurmën më të vogël»! Për fat të keq këta nuk e kanë kuptuar se është fjala për një popull të vetëm nga i cili kanë rrjedhur “fise” të panumërt (me «emra» të shumëllojshëm), që kanë folur (me dialekte të shumtë) të njëjtën gjuhë dhe kanë patur të njëjtën kulturë, të njëjtat tradita: është gjuha shqipe që arrin të zbulojë «të vërtetën e fshehur».

- A nuk gjejmë këtu, tashmë, një «gjurmë» të qartë që na lejon të zbulojmë (falë Iliadës dhe Odisesë) gjuhën që flisnin Pellazgët, ky popull i madh «parahelenik»?

- Rënojat megalitike apo ciklopike që gjejmë jo vetëm në Ballkan, Egje apo në Azinë e Vogël, por njëkohësisht edhe në Europën Perëndimore, «pélargicon (muri i parë i Akropolit të Athines)»,

- Lineari B (proto-ionian), kjo «pellazgjishte e lashtë» prej së cilës vjen e folura ioniane, e cila u ka dhënë Grekëve një pjesë të gjuhës së tyre dhe që kemi besuar (e vazhdojmë të besojmë) se ishte greqishte e vjetër;

- dhe katër «shekujt» të quajtur «të errët» (viti 1200 deri në 800 pk) ku nuk gjendet as hollësia më e vogël mbi ekzistencën e Grekëve ;

- Popullsia e Atikës katërfishohet gjate viteve 800/750 (prova e ardhjes së pushtimit grek);

- lojërat olimpike, Polisi, Amfiktioni, Hoplitet, ndërtimi i tempujve me gurë të prerë, botimi i poemave epike (Iliada, Odisea), etj : të gjitha këto nuk gjenden para shk. VIII pk;

- dhe së fundi të gjithë autorët antikë që kanë pohuar se Pellazgët shtriheshin në vendin «që do të bëhej Greqi» dhe u kanë përcjellë Helenëve kultet e tyre mitet e tyre dhe kulturën e tyre, etj.

A nuk janë të mjaftueshëm, të gjithë këta elemente, për të arritur në përfundimin se Grekët ishin një popull pushtuesish që nënshtroi vëndin e Pellazgëve? Mjafton fakti që gjuha shqipe (një fosile e gjallë) arriti të pajtojë disiplina të ndyshme shkencore me njëra-tjetrën. Por kjo (megjithëse e provuar dhe e argumentuar) nuk arrin të bindë sot e kësaj dite disa ithtarë të «mendimit unik», disa të pandreqshëm të vjetër, disa mosbesues të dehur me të ashtuquajturën shprehje «këtë e pranojnë të gjithë».

Kështu, në dy librat e mi gjenden të gjitha shpjegimet dhe hollësitë e nevojshme për të ndriçuar këtë mister mbi origjinën e Grekëve, mister që mbahet me kokëfortësi që prej 25 shekujsh. Këto ide të fiksuara dhe ideologjitë e paskan vërtetë lëkurën shollë! Të mos bësh lidhjen midis “Pellazgëve” (Shpellagji = njerëzit e shpellave) dhe “Ilirëve” (njerëz të lirë dhe të pavarur) kthehet në një çmenduri që kapërcen logjikën përpara kaq argumentave të provuara, analizave të qarta dhe autentike, referimeve të pakundërshtueshme: dhe kjo është flagrante. Për fatin e keq të atyre që nuk janë të bindur, Ilirët kanë për stërgjyshër “Pellazgët”, që bashkë me “Etruskët” (një fis tjetër pellazg), përbëjnë themelin e dy qytetrimeve më të mëdha perëndimore: atij grek dhe romak.

F.DEMI: Përgjithësisht, në studimin e lashtësisë, anashkalohet periudha «Pellazge». A nuk ka ardhur koha, të rivlerësohet Historia dhe Gjuhësia që mësohet sot në tekstet shkollore?

A.MATI: Kuptohet që për këtë duhen sjellë prova. Është e nevojshme të bëhen debate serioze në një takim ndërkombëtar mbi historiografinë e Greqisë së lashtë nga ku të dalë një rezolutë e përbashkët. Ky mendim i përbashkët, më vonë, të përfshihet në tekstet shkollore, universitare dhe të popullarizohet. Janë institucionet, akademitë dhe instancat e larta të shtetit që do të bëjnë të mundur që këto ndryshime (të historisë) të dalin në dritë. Të provosh, që qytetrimi grek ka lindur pas shek VIII para erës sonë dhe që kishte si origjinë atë Pellazge, është për mua jo vetëm e mjaftueshme, por parësore për të çmitizuar pseudo-lashtësinë e Greqisë dhe të qytetrimit të saj.

Historia e pellazgëve është përcjellë jo vetëm nga autorët e lashtë (ata nuk bënë gjë tjetër veçse «jepnin informacionin», sepse në atë kohë nuk studjoheshin paraardhësit, me përjashtim të Herodotit) por edhe nga një numër i madh autorësh europianë të shk. XVIII, XIX dhe XX (Jubainville, Faveral, Schneider, Georgiev, Benloew, Thomopoulos, Sakellario, Carapanos, Childe, Flinders, Poisson, Pittard, Rilindja shqiptare, Konda, Pilika, etj). Ky nuk është veçse hapi i parë. Të pohosh se Pellazgët janë të lashtë është një fakt, por ta shpjegosh përse, apo ta vërtetosh, është një gjë tjetër. Është thënë shumë herë e vërteta se Pellazgët ishin «populli më i vjetër në