Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Kosovë: arrestime në vigjilje të 8 vjetorit të pavarësisë

Në shënimin e 8 vjetorit të pavarësisë në Kosovë, tri parti politike opozitare protestojnë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë. Arrestimet e aktivistëve të Vetëvendosjes ashpërsojnë gjuhën politike një ditë para protestës.

KosovaPolicia e Kosovës gjatë një aksioni të saj në orët e para të mëngjesit (16.02)arrestoi shefin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Një ditë më parë policia arrestoi edhe njërin nga zëdhënësit e kësaj partie, Frashër Krasniqi dhe disa aktivistë të tjerë. Edhe deputeti Konjufca, zëdhënësi Frashër Krasniqi dhe 25 aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes që janë në kërkim, akuzohen për dëmtime të veturave të misionit EULEX-it gjashtë vjet më parë në një parking mbrapa Pallatit të Rinisë.

Policia e Kosovës konfirmon se mbrëmjen e së hënës dhe mëngjesin e së martës është realizuar një aksion për zbatimin e vendimeve të organeve gjyqësore. “Bëhet fjalë për realizimin e urdhëresave ligjore që dalin nga organet e drejtësisë, dhe është obligim i policisë për t’i realizuar këto urdhëresa”, thotë njëri nga zëdhënësit e Policisë se Kosovës, Daut Hoxha.

Të menjëhershme ishin reagimet e partive politike opozitare, lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nismës për Kosovën, të cilat të mërkurën më 17 shkurt në shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë, organizojnë protesta për rrëzimin e qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje në një reagim të saj, thotë se “gjatë natës, fshehtazi, Policia e Mustafës dhe Thaçit, e urdhëruar nga EULEX-i, hyri në shtëpitë e shumë aktivistëve për t’i arrestuar ata”.

“Pas propagandës e shpifjeve policeske se kinse paskan informata për përgatitjen e akteve të dhunës në protestë, ata vazhduan me aksionin e tyre policor për të mbjellë frikë. Sot herët në mëngjes u arrestua në banesën e tij drejtuesi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ndërkohë që në Vushtrri policia arrestoi aktivistin Kasim Uka. Kjo qeveri po i numëron ditët e saj të fundit në pushtet. Dhe secilën prej këtyre ditëve po e vendos në funksion të projektit kriminal të Vuçiqit, ‘Zajednicës’. Kushdo që e kundërshton Serbinë në Kosovë po arrestohet”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Edhe dy partitë e tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thonë se “arrestimet e aktivistëve të Vetëvendosjes, një ditë para protestës së 17 shkurtit, për vepra të kryera shumë vite më parë, është një ndërmarrje e kalkuluar, në mënyrë që të reflektojë keq dhe të nxisë dhunë në protestën e nesërme”.

Tri parti politike opozitare protestojnë për rrëzimin e qeverisë më 17 shkurt në shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë, ndërkaq, partitë në pushtet me gjasë do të mbajnë seancë solemne në Kuvendin e Kosovës për të shënuar këtë përvjetor të pavarësisë. Mbajtjen e mundshme të seancës solemne, opozita e quan provokim dhe nëse ndodh ata nuk do të jenë të pranishëm në sallë.

Përfaqësuesit ndërkombëtare të pranishëm në Kosovë vazhdimisht u bëjnë thirrje partive në opozitë që të kthehen në Kuvendin e Kosovës dhe me argumente të argumentojnë qëndrimet e tyre. Sipas ambasadorëve të QUINT-it, krizat politike të vazhdueshme po e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës dhe jetën e qytetarëve. Kriza e fundit politike në Kosovë dhe protestat e opozitës nisën që nga nënshkrimi më 25 gusht të vitit të shkuar i marrëveshjes Kosovë-Serbi, për asociaciononin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Të dy këto marrëveshje u kundërshtuan nga opozita, ndërsa, mbroheshin nga qeveria e Kosovës. Së fundi kërkesa e opozitës për rrëzimin e qeverisë erdhi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi që në disa pika “marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ishte në frymën e Kushtetutës së Kosovës”. (dw)

Quo vadis Kosova? – Pavarësia nën hijen e luftës për pushtet

Korrupsioni, lufta për pushtet, dhuna dhe varfëria dëshmojnë paaftësinë e elitës politike të Kosovës. Por kësaj here zgjidhja e problemeve duhet gjeneruar nga vet politika dhe shoqëria, mendon Vilma Filaj-Ballvora

new bornQuo vadis Kosova? Kjo pyetje shtrohej në fundshekullin e kaluar kur popullsia shqiptare nën Serbinë konfrontohej me shtypjen, privimin nga të drejtat si pakicë brenda një shteti të madh dhe luftën për mbijetesë. Shpresat e pasluftës në vitin 1999 u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë nga Serbia më 17 Shkurt 2008. Euforia dhe zelli për një fillim të ri në shtetin e Kosovës ishin të pamasa: mijëra mërgimtarë në Perëndim u kthyen në Kosovë për ta jetuar e ndihmuar shtetin e tyre që të rimëkëmbet. Por ylli i shpresës u shua shpejt. Pavarësia e fituar me mbështetjen e shumicës së shteteve perëndimore, por e kushtëzuar dhe nën mbikqyrjen ndërkombëtare, kompromiset e dhimbshme, por të domosdoshme për ta mbajtur në këmbë shtetin e ri multietnik, mungesa e përvojës dhe paaftësia e elitës politike për ta menxhuar pavarësinë, vështirësitë ekonomike dhe korrupsioni mbytës i zhgënjyen shumë kosovarë. Dëshpërimi arriti kulmin verën e 2014 me zgjedhjet parlamentare, rezultati i të cilave fliste qartë, se asnjëra nga partitë nuk mori besimin e plotë të zgjedhësve për të qenë mazhorancë solide qeverisëse. Arsyeja: asnjëra parti nuk ka ofruar deri më sot alternativë bindëse për zgjidhjen profesionalisht të problemeve në dobi të qytetarëve. Muajt e vakuumit të pushtetit deri në krijimin e qeverisë që me shume ishte nje „pazar” sesa marrëveshje e mirëfillë politike, patën efektin fatal me largimin e dhjetra mijëra qytetareve e qytetarëve nga vendi me shpresën për një jetë më të mirë sërish diku në Perëndim.

Braktisje dhe paralizë

Sot tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë pra shteti i ri konfrontohet me braktisjen prej popullsisë dhe paralizimin e jetës parlamentare. Prej muajsh kuvendi nuk funksionon normalisht. Madje siç po duket edhe zgjedhja e presidentit së shpejti – edhe kjo pjesë e pazarit politik – mund të katandisë me votimin në ndonjerin nga ankeset e sallës plenare. Ajo që është edhe më zhgënjyese është dhuna e përdorur për bllokimin e seancave parlamentare. Veprime këto të dënuara jo vetëm nga opinioni në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht. Është e pajustifikueshme që në shekullin e 21-të në një vend që pretendon të jetë pjesë me të drejta të barabarta në BE reagimi i të zgjedhurve nga populli është deri i dhunshëm duke hedhur gazlotsjellës e duke lënduar deputetët për të shprehur kundërshtinë ndaj marrëveshjeve të arritura midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së. Është po ashtu e pafalshme që mazhoranca nuk është në gjendje të gjejë gjuhën e duhur për ta ulur opozitën në tryezën e bisedimeve. Krijimi i fronteve të tilla nënkupton fatkeqësisht vetëm luftë kryeneçe për pushtet e aspak zell për të qenë në shërbim të popullit.

Dhe sërish pyetja: quo vadis Kosova? Ndryshe nga koha e luftës si dhe tetë vjet më parë kur zgjidhjet u arritën me mbështetjen e fuqishme nga jashtë dhe Kosova u fut në rrugën që kish dëshiruar, sot kësaj pyetjeje mund dhe duhet t’i përgjigjet në mënyrë imediate dhe absolutisht vetëm elita politike e vendit si dhe shoqëria civile kosovare. E vetmja alternativë mbetet apeli: kuvendoni së bashku e gjeni zgjidhje nëse e doni vendin dhe shtetin tuaj. Askush tjetër nuk mund ta zgjidhë “nyjen e re gordiane kosovare” të krijuar nga vet të zgjedhurit në Kosovë. Që shteti më i ri në Evropë të konsolidohet lipset funksionim i strukturave të shtetit ligjor demokratik. Këto struktura mund të funksionojnë vetëm nëse forcat politike në mazhorancë apo opozitë janë të afta të dialogojnë dhe të përballen me argumenta profesionale në kuvend.

Pra ku po shkon Kosova? Në kushtet se si Kosova arriti të pavarësohet – e besoj fort që për këtë të gjitha palët janë e në mos qofshin duhet të jenë të vetëdijshme, se kjo pavarësi mund të menaxhohet e konsolidohet vetëm duke integruar me të gjitha të drejtat pakicën serbe në Kosovë. Në këtë kontekst detyrimi më delikat para Kosovës është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga Brukseli. Rruga është e pakthyeshme dhe kompromiset janë të pashmangshme, sado të dhimbshme qofshin ato. Demokraci do të thotë përballje argumentash, gjetje zgjidhjesh dhe kompromise. Dhe është pikërisht kuvendi tribuna e debatit dhe gjetjes së zgjidhjeve në dobi të qytetareve e qytetarëve të vendit.

Një detyrë imediate për t’iu afruar standardeve të BE-së mbetet aktualisht për Kosovën konsolidimi i jetës parlamentare. Në radhë të parë janë qytetaret dhe qytetarët e Kosovës ata që presin nga politikanët koncepte dhe zgjidhje të problemeve e jo konfrontime për përfitime dritëshkurtra dhe intersa pushteti. Sa mirë do të qe që ky sinjal ujdije të jepej si dhuratë në ditën e pavarësisë!

Evropa e vetmja alternativë

Tetë vjetori i pavarësisë, siç ka paralajmëruar opozita, sivjet do të kremtohet me protestën masive për rrëzimin e qeverisë. Nëse protesta do të artikulojë paqësisht në këtë ditë të shënuar kërkesat dhe pakënaqësitë, kjo është e drejtë legjitime në demokraci. Nëse protesta devijon në dhunë, – siç druajnë shumë në Kosovë – atëherë sërish shtrohet pyetja: quo vadis Kosova? Në tetë vjetorin e pavarësisë elita politike si dhe qytetarët e qytetaret e Kosovës duhet ta japin bashkarisht përgjigjen, se ku duan ta çojnë Kosovën. Unë e kam një përgjigje: alternativë nuk ka, jo dhunës, po dialogut, sepse Kosova është dhe duhet të jetë në Evropë. Në komunitetin e vlerave mund të bëhesh pjesë e barazvlefshme vetëm duke përqafuar dhe mbushur me jetë vlerat e demokracisë evropiane. (dw)

Gërvalla: Thaçi president? Pse Ismet Beqiri po e mashtron LDK-në?

Donika gervallaKryetarja e LDK-së për Gjermani, Donika Gërvalla, ka shkruar se asnjë organ i LDK-së nuk është pyetur kur Isa Mustafa i ka premtuar Hashim Thaçit postin e presidentit.

Lexoni të plotë postimin e saj në Facebook:

“Thaçi president? Pse Ismet Beqiri mashtron LDK-në dhe opinionin

ASNJE organ i LDK-së nuk është pyetur kur Isa Mustafa i ka premtuar Hashim Thaçit postin e presidentit.

ASNJE organ i LDK-së nuk e ka votuar këtë marrëveshje.

ASNJE votim të kësaj natyre nuk ka pasur në grupin parlamentar të LDK-së.

Ky ka qenë vendim arbitrar VETEM i Isa Mustafës dhe „shoqëruesve“ të tij.

E gjitha kjo u realizua si një puç kundër LDK-së, parimeve dhe traditës së saj, kundër Kryetarit të parë të LDK-së dhe Presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe elektoratit besnik të LDK-së.

Ismet Beqiri e mashtron LDK-në dhe opinionin kur përpiqet të krijojë përshtypjen që premtimi i dhënë Thaçit pë ta bërë president, na qenka vendim i „organeve të LDK-së“. Asnjëherë nuk është marrë një vendim i tillë nga asnjë organ i LDK-së. Rrjedhimisht asnjë deputet nuk ka nevojë t’i nënshtrohet një vendimi që nuk është marrë kurrë.

Si përfundim: deputetët e LDK-së i detyrohen vetëm ndërgjegjes dhe votuesit të tyre. Anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, votuesit e saj, në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë që Hashim Thaçi të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës. Ata nuk duan që një person i dyshuar si në Kosovë, ashtu edhe në botë, të bëhet „i pari“ i Kosovës. Ata duan që ai të përgjigjet para drejtësisë. Nëse deputetët nuk e dijnë se cili është vullneti i atyre që iu kanë dhënë votën për t’i përfaqësuar në Kuvend, atëherë kanë mjaft kohë për të shkuar dhe për të marrë mendimin e elektoratit”. (sic). /Telegrafi/

Më 17 shkurt më masivisht sesa më 9 janar

tubimi PrishtineTubimet mobiliziese të opozitës së bashkuar po vazhdojnë të mbahen anëmbanë Kosovës. Subjektet opozitare sot u takuan në Prishtinë në tubimin e radhës, ku u bë thirrje për pjesëmarrjen në protestën e 17 shkurtit.

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti tha se Opozita e bashkuar e ka dëshmuar se Kosova nuk ka shtet për të copëtuar e as territor për të zvogëluar.  “Zajednica” ka rënë, ka vdekur, vetëm Thaçi e Mustafa duan që ajo të ngjallet. Kjo Qeveri duhet të shkojë. Me datën 17 shkurt do të mblidhemi bashkë në sheshin “Skënderbe” për t’i dhënë goditjen përfundimtare kësaj qeverie të korruptuar e të kriminalizuar.

“Me çdo kusht e për çfarëdo çmimi nuk do të ndalemi, nuk do të kursehemi, pa rezerva do t’i luftojmë këto dy projekte që janë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Planet e Serbisë janë të tilla, të shekullit nëntëmbëdhejtë”, tha Kurti.

Ai shtoi se qytetarët po e kuptojnë që nuk është problemi te gazi lotsjellës, por tek zjarri i Zajednicës së Serbisë. Ndërkaq, për bashkimin në Kuvend dhe në protest tha se “ne jemi opozitë e bashkuar në Kuvendit kurse protestat janë gjithëpopullore”

“Me demarkacionin duan të na thonë se Kosova nuk ka kufij. Mali i Zi u dakordua për rinegocim por qeveria nuk e pranoi sepse i duhet ta pranojë krimin. Tash me “Zajednicën” dhe demarkacion duan të na marrin Ujmanin, e nesër edhe Badovcin e Rugovën. Kjo është arsyeja që ne nuk do të ndalemi për asnjë çmim”, tha Kurti.

Kurse shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj – Bujupi tha se duhet të përgjigjen për varfërinë e madhe në vend.

“Ne bashkë ia dolëm t’i ndalim marrëveshjet dhe do t’ia dalim ta rrëzojmë qeverinë që për kaq vite bënë dëme. Janë pushtetarët që i bënë që të rinjtë ta humbin besimin. Ata janë njerëz që duhet të japin llogari për varfërinë në këtë vend. Varfëria është mungesë parash, mungesë investimi kur qeveria ta kthen shpinën, siç bëri kjo qeveri. Me 17 shkurt i gjithë populli do t’ia kthejë shpinën qeverisë dhe do ta bëjë të pa dukshme”, tha Kadaj Bujupi, duke i bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen opozitës më 17 shkurt në qendër të Prishtinës.

“Më 17 shkurt përtej subjekteve politike në interest të kauzës, të vendit, për të mirën e Kosovës do të jemi në sheshin Skënderbeu, në sheshin “Nënë Tereza” dhe t’u themi shkoni atyre të cilët e dëmtuan republikën e do të hapim një kapitull të ri për të rinjtë e të rejat të cilët janë të gatshëm të skarifikojnë veten e tyre dhe të tejkalojnë interesin personal, partiak dhe të jenë në interesin e shtetit e kauzës”, shtoi Kadaj.

Kurse, anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën Shyqeri Bytyqi tha se nga opozitë e bashkuar jemi bërë qytetarë të bashkuar. E tëra kjo për një qëllim të përbashkër, kundër dy marrëveshjeve shumë të dëmshme. “Qytetarët treguan se kur është në pyetje dëmi që po i shkaktohet vendit nuk ndalen. Protestën e solli jo vetëm angazhimi jonë por edhe qytetarët që e kuptuan se pas luftës së UÇK-së është momenti që secili qytetarë ka mundësi ta japi maksimumin për ta mbrojtur vendin e vet”, tha Bytyqi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kosovë; Intervistë me ambasadorin Delawie

Amb DelawieAmbasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie i tha Zërit të Amerikës se ambasada amerikane nuk do të bisedojë me partitë politike që nuk refuzojnë dhunën. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai tha se zgjedhjet nuk duhet të jenë rezultat i dhunës por i kalendarit kushtetues. Ambasadori Delawie, duke folur edhe për korrupsionin tha se nuk do të takojë as zyrtarët që janë të akuzuar për shpërdorim detyre.

Zëri i Amerikës:  Zoti Ambasador, Kosova ka hyrë në muajin e gjashtë të një krize politike, më e rënda që nga shpallja e pavarësisë së saj. Cila është rrugëdalja nga kjo situatë sipas jush?

Greg Delawie: Më duhet të them se kjo është një krizë e sajuar. Nuk mendoj se është krizë e vërtetë. Problemi është se opozita që ka dështuar t’i përmbushë synimet e saj në kutitë e votimit para më pak se dy vitesh, po provon tani ta përdorë dhunën për t’i përmbushur qëllimet e saj. Rrugëdalja më e mirë nga kriza politike është që opozita ta lejojë parlamentin, deputetët e zgjedhur nga qytetarët e Kosovës ta bëjnë punën e tyre, të mblidhen në parlament dhe të përqendrohen në çështjet e rëndësishme me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se ju e mbështesni vetëm qeverinë?

Greg Delawie: Jo. Unë e mbështes demokracinë në Kosovë, i mbështes qytetarët e Kosovës, e mbështes parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet demokratike për të cilat kemi punuar shumë që t’i krijojmë për Kosovën gjatë 16-17 vjetëve të fundit. U kundërvihem atyre që provojnë ta shkatërrojnë demokracinë e Kosovës dhe ta shkatërrojnë rrugën e saj drejt institucioneve euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Kishit disa mesazhe për opozitën. Përse nuk takoheni me ta, të bisedoni me ta dhe t’ua shpjegoni atyre drejtpërdrejt ato mesazhe?

Greg Delawie: Pjesëtarët e ambasadës sime janë të gatshëm të takohen me të gjitha partitë politike që heqin dorë nga dhuna. Ne mbajmë kontakte me partitë politike që nuk përfshihen drejtpërdrejt në dhunë. Ne i mbështesim partitë politike demokratike. Nuk jemi të interesuar të bisedojmë me ata që ushtrojnë dhunë.

Zëri Amerikës: Por ata janë aty, janë pjesë e parlamentit, përbëjnë 27 për qind të deputetëve, nuk mund të injorohen?

Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të bisedojnë me të gjitha partitë politike që nuk ushtrojnë dhunë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, ju keni ndjekur nga afër takimin e organizuar nga presidentja Atifete Jahjaga. Gjykuar nga qëndrimet e shprehura në takim, sa janë mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje politike?

Greg Delawie: Mendoj se përfundimisht ka shpresë për zgjidhjen e krizës politike. Nuk mund të jesh diplomat nëse nuk ke vullnet të jesh optimist. Jam optimist. Mendoj se ka hapësirë për zgjidhje politike të këtyre problemeve. Sigurisht që iu bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të partive politike në Kosovë që të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhje për këtë rrugë pa krye politike dhe të fillojnë t’u shërbejnë qytetarëve të Kosovës që i kanë zgjedhur.

Zëri i Amerikës: Ju keni deklaruar se Kosova ndodhet në zgrip. A ka vullnet për ta shmangur humnerën?

Greg Delawie: Më duhet të mendoj se afro tetë vjet pas pavarësisë së Kosovës, ata që luftuan dhe u përpoqën që të arrijnë Kosovën që e kemi sot, do të duhej të jenë të gatshëm t’i lënë anash interesat personale dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve që i kanë punësuar ata. Prandaj, besoj se ka shpresë. U bëjë thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë mënyrë për të ecur përpara.

Zëri i Amerikës: A jeni i gatshëm, le të themi, të ndërmjetësoni mes partive politike?

Greg Delawie: Kosova është vend sovran e demokratik. I ka mjetet, i ka njerëzit për t’i zgjidhur problemet politike me të cilat përballet. Nuk mendoj se është e domosdoshme për të huajt si unë, që të përpiqen t’i zgjidhin të gjitha problemet e Kosovës. Ne sigurisht jemi të gatshëm të ndihmojmë, t’i mbështesim partitë politike demokratike, sikundër e thashë. Por, Kosova është vend i pavarur, i ka institucionet që duhet të shfrytëzohen për t’i zgjidhur këto çështje politike.

Zëri i Amerikës: Opozita ka paralajmëruar protesta për javën e ardhshme. Si i komentoni ato?

Greg Delawie: Protestat paqësore janë e drejtë thelbësore në demokraci. Është me rëndësi të thuhet se shumë njerëz që protestojnë kanë shqetësime reale e të ligjshme për situatën aktuale dhe duan t’i shprehin ato shqetësime ne mënyrë paqësore. Por, unë tërheq vijën tek dhuna në protestë. Nuk duhet të ketë kokteje molotovi; nuk duhet të ketë shkatërrim të pronës. Për fat të keq partitë opozitare nuk kanë qenë të gatshme të heqin dorë nga dhuna, gjë që është e tmerrshme. Jam i shqetësuar se për shkak të dhunës ndonjë demonstrues, ndonjë polic mund të pësojë lëndime të rënda. Jam posaçërisht i shqetësuar se në ditën e pavarësisë së Kosovës, ata njerëz që po provojnë ta marrin peng ditën e pavarësisë, po ata po provojnë ta marrin peng edhe demokracinë e Kosovës dhe orientimet e saj euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Opozita ngulë këmbë për zgjedhje të parakohshme. Çfarë të keqe ka nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja?

Greg Delawie: Zgjedhjet që rrjedhin nga dhuna politike do të ishin humbje kohe shumë e shtrenjtë. Ato do ta pengonin parlamentin që të kryejë punët e rëndësishme në emër të qytetarëve të Kosovës. Por, më e rëndësishmja nga pikëpamja ime, është se zgjedhjet që rrjedhin nga dhuna na fusin në një lloj modeli: “Nëse nuk arrini atë që doni në kutitë e votimit, atëherë, le të ketë dhunë për të çuar në zgjedhje të reja”. Filloni ta zbatoni këtë precedent dhe nuk mund të keni gjë tjetër veçse dhunë e zgjedhje, dhunë e zgjedhje përjetësisht dhe Kosova nuk përparon fare.

Zëri i Amerikës: Ta vëmë në një perspektivë më të gjerë. I gjitha rajoni do të jetë në zgjedhje këtë vit. Pse jo edhe Kosova?

Greg Delawie: Nuk kam çfarë të shtoj. Këtu nuk kemi të bëjmë me atë a janë zgjedhjet të mira apo të këqija. Qartazi zgjedhjet janë element thelbësor i demokracisë, por këtu kemi të bëjmë me atë nëse zgjedhjet rrjedhin nga dhuna apo nga kalendari normal i tyre që është pjesë e kushtetutës së çdo vendi.

Zëri i Amerikës: Kriza pasoi marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është arritur në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kritiket druajnë se ky asociacion mund të çojë në federalizmin e Kosovës. Sa mund të dëmtojë Kosovën një mekanizëm i tillë?

Greg Delawie: Jemi të vetëdijshëm për situatën lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mund t’ju them, dhe e tha edhe sekretari Kerry kur ishte këtu në dhjetor, se Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështesin asnjë marrëveshje apo asgjë tjetër që do të vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës. Ky asociacion nuk do ta bëjë asnjërën. Ne vazhdojmë ta mbështesim atë. Vazhdoj të besoj se është shumë me rëndësi për Kosovën që të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie me Serbinë në rrugën e saj drejt institucioneve evropiane.

Zëri i Amerikës: Por, kritikët thonë se Serbia ka përfituar nga bisedimet me Kosovën. Po Kosova çfarë ka përfituar?

Greg Delawie: Çështja e parë është, siç e thashë, marrëdhëniet më të mira me Serbinë janë element i rëndësishëm i rrugës së Kosovës drejt institucioneve euroatlantike. E dyta, ka pasur përfitime vërtetë konkrete që kanë ndihmuar të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe për ta forcuar sovranitetin e Kosovës. Po mendoj për gjërat si integrimi i policisë së Kosovës në veri. Pastaj, u mbajtën zgjedhje lokale, përfshirë edhe në veri në vitin 2013 dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 2014. Që kur marrëveshjet e arritura në bisedime u nënshkruan në vitin 2013, Kosova filloi t’i mbledhë doganat në kufijtë verior. Pra, këto janë përfitime të vërteta e konkrete që jo vetëm e bëjnë jetën e qytetarëve më të mirë, por e bëjnë Kosovën më sovrane.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, ndonëse me herët pyeta nëse jeni të gatshëm të ndërmjetësoni, nga ana tjetër ju dhe kolegët tuaj nga ambasadat e BE-së jeni kritikuar ndonjëherë edhe për siç është thënë, përfshirje më shumë se ç’duhet në politikën e Kosovës, madje edhe përtej mandatit tuaj. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Greg Delawie: Sigurisht ishte një kohë gjatë pavarësisë së mbikëqyrur deri më 2013, kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë të Kosovës, luanin një rol të rëndësishëm në këshillimin e qeverisë se si të funksionojë. Ajo periudhë ka përfunduar para disa viteve, sepse ne besuam dhe Kosova besoi se i ka mjetet, se i ka zhvilluar mundësitë dhe strukturat që t’i drejtojë punët e saj. E di se Shtetet e Bashkuara dhe jam i sigurt edhe bashkësia ndërkombëtare donin ta ndihmonin Kosovën sa më shumë që ishte e mundur në përparimin demokratik, por vendi tash është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe ata duhet të marrin vendimet për të ardhmen dhe zhvillimin demokratik dhe ne sigurisht e mbështesim këtë koncept.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, kur erdhët në Kosovë, në ditët tuaja të para, thatë se përparësi e punës suaj do të jetë lufta kundër korrupsionit. Kosova sërish është radhitur në mesin e vendeve me shkallë të lartë të lartë të korrupsionit. Sipas jush, ku ka ngecur lufta kundër kësaj dukurie?

Greg Delawie: Me të vërtetë më vjen mirë që ma shtruat këtë pyetje, sepse mendoj që korrupsioni është çështje kryesore në mendjen e shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe më me dëshirë do ta shihja klasën politike dhe qytetarët e Kosovës duke folur për çështjet e rëndësishme si korrupsioni, sesa për kriza politike të sajuara që i përmenda më herët. Shikoni, korrupsioni është çështje e vështirë. Jemi duke punuar rreth kësaj çështjeje qe një kohë të gjatë, por kohëve të fundit e kemi intensifikuar punën edhe më shumë. Po të kisha një shkop magjik për ta zgjidhur çështjen e korrupsionit, më besoni që do ta përdorja dhe do t’ua jepja kolegëve të mi gjithandej botës sepse korrupsioni është problem botëror. Janë disa çështje. Duhet ta dënoni korrupsionin. Policia dhe prokuroria duhet të punojnë së bashku për t’i identifikuar zyrtarët e korruptuar, për t’i dënuar ata, për t’i burgosur dhe për t’i mbajtur në burg. Kjo është çështje po aq thelbësore lidhur me korrupsionin që e kemi parë anekënd botës. Sundimi i ligjit është mjet i rëndësishëm. Natyrisht jemi duke trajnuar policët, prokurorët, gjykatësit se si të përballen me këto çështje që janë të vështira për t’u përballur për të gjitha vendet. Ka korrupsion edhe në vendin tim.

Një rrugë tjetër është të vështirësohet mundësia e të qenit i korruptuar. Të bëhen gjërat më transparente si prokurimi publik. USAID-i po punon me komunat e Kosovës për ta zhvilluar atë që quhet prokurimi elektronik, gjë që e bënë të qartë që kur qyteti dëshiron të blej diçka, njerëzit duhet të konkurrojnë online, konkurrimi do të jetë transparent dhe të gjithë do ta dinë në fund se kush e ka fituar kontratën dhe çfarë çmimi duhet të paguajë. Kjo e bënë korrupsionin më të vështirë sepse “drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë”, siç ka thënë një nga ish presidentët e mi.

Çështja tjetër që dua ta vë në spikamë është se në ambasadën time kemi vendosur se nuk do t’i takojmë zyrtarët publik që akuzohen për shpërdorim të detyrës. Kjo sigurisht e bën jetën më të vështirë. Janë disa kryetarë komunash të Kosovë, të cilët nuk i kam takuar. Ne mendojmë se është shumë me rëndësi që të tërheqim vijën në rërë dhe iu kundërvihemi atyre që vjedhin nga taksapaguesit e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, një çështje që lidhet me zhvillimet politike është edhe funksionalizimi i Gjykatës së Posaçme për krime lufte. Sa mund ta dëmtojë kriza politike këtë proces?

Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mendojnë fuqishëm se Gjykata e Posaçme duhet të krijohet sa më parë që është e mundur. Sekretari Kerry kur ishte këtu në dhjetor e bëri të qartë se pret që Kosova t’i kryejë procedurat që të hyjë në fuqi dhe të ndihmojë zgjidhjen e çështjeve që ende mbesin pezull mbi krimet e luftës, me të cilat duhet të merret Gjykata e Posaçme. Mendoj se është përgjegjësi e Kosovës dhe qeverisë së saj që të përparojnë shpejt për të mundësuar këtë pavarësisht nga ajo që po ndodhë në situatën e brendshme politike.

Zëri i Amerikës: Shumë gjëra janë në rrezik për shkak të krizës politike, madje dhe çështja e zgjidhjes së presidentit të Kosovës. Çfarë prisni në këtë rrafsh?

Greg Delawie: Jam i vetëdijshëm për dosmdoshmërinë kushtetuese për ta zgjedhur presidentin në një të ardhme të afërt. Unë nuk marr qëndrim se kush duhet të jetë president, cila parti politike kë do të kandidojë. Kjo është në tërësi në duart e qytetarëve të Kosovës dhe parlamentit që ata e kanë zgjedhur për të marrë atë vendim.

Zëri i Amerikës: Kosova është përmendur si një nga vendet që përballet me lëvizjet radikale fetare. Si i vlerësoni masat e marra nga autoritetet e Kosovës për t’u përballur me këto shqetësime?

Greg Delawie: Problemi i ekstremizmit është jashtëzakonisht serioz. Është problem i Kosovës, është problem i Ballkanit, i Evropës dhe madje edhe problem i Shteteve të Bashkuara. Është diçka për të cilin duhet të punojmë të gjithë. Unë mirëpres hapat që Kosova ka ndërmarrë gjatë disa vjetëve të fundit. Parlamenti miratoi ligjin mbi luftëtarët e huaj para një viti. Qeveria e Kosovës morri pjesë në takimin botëror në Nju Jork, në takimin rajonal në Tiranë në mes të vitit të kaluar. Është çështje e vështirë dhe të gjithë duhet të përpiqemi t’i kuptojmë më mirë se cilat janë shkaqet e problemit të ekstremizmit të dhunshëm. Duhet të punojmë së bashku që të përpiqemi ta bëjmë më të vështirë lëvizjen e njerëzve për të ecur drejt Lindjes së Mesme për të luftuar në luftërat e dikujt tjetër. Sërish, nuk është një çështje e lehtë. Me siguri do të bëjmë gabime derisa punojmë në këtë çështje, por është thelbësore që të gjitha vendet të marrin pjesë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, për pak ditë Kosova shënon përvjetorin e tetë të pavarësisë së saj, shpallja e së cilës për shumëkënd ishte e paimagjinueshme pa rolin e Shteteve të Bashkuara. Tetë vjet më pas, si do t’i përshkruanit marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës?

Greg Delawie: Jam shumë i lumtur që do të jem këtu në tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës që është për pak ditë. Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës dhe për zhvillimin e demokracisë së saj në vitet pasuese. Jemi shumë krenarë për rolin që patëm mundësi të luajmë për të ndihmuar në vendosjen e demokracisë dhe për këtë jemi të përkushtuar që ta mbajmë atë demokraci. Ta përmbledhi: Më duhet të them se marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë po aq të mira sikundër edhe kanë qenë.

Kosova i ka mekanizmat për zgjidhjen e ngërçit

kosovaKosova i ka gjithë mekanizmat e duhura për zgjidhjen e ngërçit të tanishëm, thotë drejtori i zyrës së Institutit Kombëtar Demokratik në Prishtinë.  Alexander Chavarria, ndodhet në Uashington për takime pune dhe në një intervistë për kolegen Arditia Dunellari, thotë se komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë, por janë politikanët kosavarë që duhet të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

Drejtori i Zyrës së Institutit Kombëtar Demokratik në Kosovë, Alexander Chavarria thotë se zyrtarët dhe ligjvënësit me të cilët është takuar në Uashington kanë një mesazh të përbashkët për Kosovën:

“Është në duart e tyre; kanë mekanizmat përkatëse, kanë procedurat, kanë institucionet që shërbejnë për t’i zgjidhur këto probleme. Besoj se është në duart e politikanëve për ta zgjidhur situatën. Komuniteti ndërkombëtar mund të mbështesë proceset në nivel teknik, por janë politikanët kosovarë që duhet të vihen në krye të procesit për të kapërcyer këtë ngërç”.

Problemet, ngecjet dhe përplasjet për zotin Chavarria janë shembuj të dinamikës së natyrshme në një sistem shumëpartiak. E rëndësishme, thotë ai, është që institucionet kanë vazhduar të forcohen që prej përfundimit të luftës dhe më tej, me shpalljen e pavarësisë:

“Kjo u jep atyre mundësi t’i kthehen dialogut, të analizojnë shqetësimet dhe opozita, ashtu si në çdo sistem politik, ka përpara procesin e negociatave ku zhvillohen konsulta, lëvizet përpara.”.

Zëri i Amerikës: A nuk është shqetësuese kur dalin njerëz me maska gazi në parlament, kur hidhen bomba gazi brenda organit legjislativ?

Chavarria: “Është shqetësuese kur shohim akte dhune në zemër të institucioneve demokratike. Komuniteti ndërkombëtar dhe Instituti Kombëtar Demokratik i kanë dënuar këto akte. Ato janë shqetësuese. Por kosovarët kanë në dorë mekanizmat për të garantuar që këto akte të mos përsëriten”.

Zoti Chavarria nuk pranon të prononcohet mbi rolin që luajti miratimi i Marrëveshjes për Asocacionin e Komunave Serbe në shpërthimin e krizës aktuale. Një institucion si Instituti Demokratik Kombëtar nuk del me gjykime mbi ligje e marrëveshje që miraton një vend, thotë ai, ndërkohë që shton se për popullatën kjo marrëveshje nuk përbën një shqetësim madhor:

“Në anketat e fundit të opinionit publik, shohim se ka shqetësime të tjera më prioritare për vendin. Pra vendi duhet të vazhdojë procesin e zbatimit të asocacionit. Por ka çështje të tjera të rëndësishme për jetën e përditshme, si ulja e nivelit të korrupsionit, dhe më e rëndësishmja, gjetja e mënyrave për të ulur ritmet e papunësisë”.

Zëri i Amerikës: Çfarë po e pengon luftën kundër korrupsionit?

Chavarria: “Është një kombinim i sistemit që trashëgoi Kosova, i funksionit të gjyqësorit, zbatimit të ligjit, por edhe të nivelit të korrupsionit të vogël që prek jetën e përditshme të qytetarit. Pra ka një numër faktorësh që kërkojnë vëmendje nga politikanët, por edhe përmes informimit civil të qytetarëve, të cilët duhet ta kuptojnë çfarë po ndodh dhe si ta ndalin”.

Udhëheqësit e Kosovës, thotë Alexander Chavarria i Zyrës së Institutit Kombëtar Demokratik në Kosovë, kanë kapacitetet institucionale dhe mbështetjen ndërkombëtare për të dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj shtetit ligjor. Ata kanë tani përgjegjësinë ta përdorin parlamentin për të zgjidhur problemet, për të garantuar se po përcjellin shqetësimet e popullatës për korrupsionin dhe papunësinë.

Për Zërin e Amerikës, Ardita Dunellari, Uashington

Shumë arsye për të protestuar kundër kësaj Qeverie

protesto vvSot, në sheshet kryesore të Prishtinës u vendosën mbishkrimet me disa nga shumë arsyet për të protestuar më 17 shkurt kundër qeverisë aktuale.

Lidhur me këtë aktivitet të përbashkët opozitar, Diellza Hoti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha dështimet e njëpasnjëshme të kësaj Qeverie, janë arsye të mjaftueshme për të protestuar kundër saj. “Dështimet e shumta të kësaj qeverie u rrumbullakuan me marrëveshjet shumë të dëmshme që ia sollën Republikës së Kosovës. Edhe Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo Qeveri tashmë e ka shkelur Kushtetutën e vendit. Ne do të vazhdojmë së kundërshtuari dhe do të reagojmë sa herë që cenohet interesi publik”, theksoi Hoti.

Endrit Zabërgja nga Nisma për Kosovën tha se kjo Qeveri po e keqpërdor secilin mekanizëm shtetëror vetëm për të mbetur në pushtet. “Kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin. Kjo është dëshmuar nga kundërshtimi i fuqishëm i qytetarëve edhe me peticion, edhe me protesta, e edhe përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne besojmë se Kosovës i duhet ndryshimi. Prandaj, i ftojmë të gjithë që të bëhemi bashkë sërish më 17 shkurt për të shkurt, dhe të dëshmojmë fuqinë tonë si qytetari aktive”, tha ndër të tjera Zabërgja.

Aktivisti i VETËVENDOSJE!-s, Kreshnik Ahmeti, u bëri thirrje qytetarëve për të protestuar kundër një Qeverie e cila atë që e premtoi as nuk e nisi, e atë të cilën nuk e tha asnjëherë, e bëri prioritet qeverisës. “Qeveri erdhi me premtimin e 120,000 e 200,000 vendeve të punës, e gjithë çfarë bëri ishte “dëbimi” i 100,000 qytetarëve nga Kosova. Të protestojmë ndaj një Qeverie e cila u angazhua vetëm për instalimin e “Zajednicës”, pra për Serbinë, pa e përmendur asnjëherë këtë gjë paraprakisht, pa e diskutuar në Kuvend e pa i pyetur qytetarët e Republikës!”, tha Ahmeti.

Për kërkesat e Serbisë, kjo Qeveri po na kthen në një vend autoritar, ku burgosen gjysma e deputetëve opozitar, ku subjektit më të madh opozitar i sulmohen zyrat me njësite anti-terroriste, ku burgosen me qindra aktivistë politik, e ku shkelet Kushtetuta dhe nuk jepet përgjegjësi. Por, qytetarët nuk po e pranojnë këtë realitet. Ata këtë e treguan me peticionin me 205.000 nënshkrime, por Qeveria i quajti injorantë e Presidentja s’iu ktheu përgjigje. Vazhduan kundërshtimin më 28 nëntor e 9 janar, në protesta masive që nuk ishin pa më herët në vendin tonë. Por, Qeveria nuk reflektoi. Prandaj, nuk na ka mbetur rrugë tjetër. Më 17 shkurt, në ora 14:00, takohemi tek Biblioteka Kombëtare për protestën e radhës.

Rezistenca nuk do të ndalet!
Ajo që do të ndalet është Qeveria!

 

11 shkurt 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kosovë: Rritet pakënaqësia ndaj bisedimeve me Serbinë

opinionNjë studim i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, nxjerr në pah se shumica e qytetarëve të anketuar besojnë se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë po dështojnë të arrijnë qëllimin e tyre, ndërsa kanë shprehur qëndrim kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rezultatet janë përmbledhur në një edicion të Barometrit të Sigurisë, nëpërmjet të cilit qendra ka bërë matjen e opinionit publik për politikën e jashtme dhe bisedimet me Serbinë.

Donika Emini nga kjo qendër thotë se qytetarët e Kosovës kanë shprehur pakënaqësinë me bisedimet pasi që, sipas tyre,  vendi nuk ka përfituar asgjë. Ajo thotë po ashtu se kundërshtimi ndaj asociacionit të komunave me shumicë serbe ka shënuar ngritje.

Mund të themi që ka pasur një ngritje prej dhjetë për qind në qasjen negative, mbi 70 për qind kanë thënë që kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën dhe kjo ka shënuar rritje prej vitit të kaluar për shkak se qytetarët e Kosovës e kanë parë se çka përmban marrëveshja dhe diskursi i ashpër politik ka ndikuar që qytetarët e Kosovës ta shohin nga një anë negative”, tha ajo.

Sipas zonjës Emini, debatet e ashpra e muajve të fundit kanë ndikuar te qytetarët në formësimin e mendimit të tyre për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për studimin e politikave, Naim Rashiti, tha se rritja e pakënaqësisë kundër marrëveshjeve me Serbinë është pasojë e mungesës së transparencës nga ana e institucioneve ndaj qytetarëve.

Nëse ky hendek krijohet në një nivel të pasigurisë, pasi që më shumë se 80 për qind e qytetarëve e shohin të rrezikshëm, ky është alarm i sigurisë dhe nëse ky hendek krijohet për një asociacion, çka do të ndodh kur të fillojnë proceset tjera të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”, tha zoti Rashiti.

Analisti i Grupit për Studime Juridike dhe politike, Fisnik Korenica, tha se mungesa e konsensusit për bisedimet me Serbinë ka rritur tensionet në Kosovë. Ai tha se një rritje e lartë e numrit të qytetarëve kundër marrëveshjes për asociacionin, duhet trajtuar me kujdes.

Një percepcion i tillë mendoj që kërkon qasje serioze nga ana e qeverisë por edhe miqve ndërkombëtarë, meqë një kundërshtim i tillë duhet shikuar realisht se mos po përkthehet të nesërmen në një tension që është vështirë pastaj të menaxhohet”, tha zoti Korenica.

Partitë politike në Kosovë nuk po arrijnë të pajtohen për rrugën e zgjidhjes së krizës politike, që ka hyrë në muajin e gjashtë të saj. Opozita e cila ka paralajmëruar protesta për datën 17 shkurt, që shënon edhe tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë në dritën e vlerësimeve të gjykatës kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në muajin dhjetor Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është zotuar sërish të martën se do ta zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës në fazat që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve mbi asociacionin.

Situata aktuale mund të sfidojë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, që sipas kushtetutës duhet të ndodhë deri më shtatë mars, meqë presidenti zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit të presidenti aktual.

Bisedimet me Serbinë i siguruan Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (voa)

Mustafa e Thaçi nuk përfillin opozitën

Thaci MustafaDhuna dhe bllokimi i punës së institucioneve nuk janë mjete për zgjidhjen e problemeve politike kanë deklaruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij Hashim Thaçi, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të shoqërisë civile.

Dy krerët e Qeverisë së Kosovës dhe partive të koalicionit, Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike, thanë se opozita po e pamundëson komunikimin normal të Qeverisë me Kuvendin, sidomos kur është në pyetje komunikimi në lidhje me dialogun me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura.

Kryeministri Isa Mustafa i ka cilësuar të pavenda deklarimet e liderëve opozitar për kthimin e Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, Kosova i ka marrë përsipër disa obligime ndërkombëtare që ndërlidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve si dhe integrimin e komunitetit serb.

“Ne kemi marrë përsipër edhe obligime ndërkombëtare, sidomos për garantimin e të drejtave të popullatës joshumicë, përkatësisht të pakicave dhe që ato të bëhen pjesë e projektit tonë, pjesë e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri , Hashim Thaçi ka thënë se çështja kryesore për të cilën flet opozita, siç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk e ka burimin vetëm tek dialogu me Serbinë, por edhe te marrëveshja e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e njohur si Pakoja e Ahtisaarit.

“Asociacioni, fillimisht buron nga dokumenti i presidentit Ahtisaari. Mbi bazën e dokumentit të Ahtisaarit e kemi shpallur Kosovën e pavarur e sovrane. Pastaj ka vazhduar në procesin e negociatave në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ato bisedime i kam udhëhequr unë në rrafshin politik. Ka qenë aty edhe përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka luajtur një rol jashtëzakonisht pozitiv”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, zëvendëskryeministri Thaçi ka potencuar se ajo nuk do të ratifikohet në Kuvend përderisa të mos sqarohen të gjitha dilemat dhe vërejtjet qoftë nga opozita apo shoqëria civile.

Më pas, në kuadër të debatit, njëri nga panelistët, Halil Matoshi analist politik, ka thënë se gjendja në Kosovë është mjaftë e rrezikshme, përderisa qeveria, sipas tij, nuk është duke e pyetur për asgjë opozitën.

Duke e cilësuar këtë si një lloj injorimi të gjendjes faktike, Matoshi ka thënë se gjetja e një konsensusi me opozitën është më se e domosdoshme, sado që sipas tij, opozita po mbështetet në dy kauza të paqëndrueshme dhe tejet nacionaliste.

Krejt këtë gjendje të krijuar, Matoshi e sheh si tendencë të disa individëve dhe një pjese të spektrit politik që të çojë vendin në kaos për të shpëtuar nga Gjykata Speciale për krime lufte.

“Vazhdimisht e kam parë dhe vazhdojë ta shoh një krye-kauzë e cila është Gjykata Speciale. Dikush po tenton që t’i shmanget kësaj Gjykate qoftë edhe duke e dërguar vendin buzë luftës civile për t’u imponuar nesër si fuqi që e kthen stabilitetin ne vend. Unë kështu e kam parë dhe e shoh këtë gjendje”, ka thënë Matoshi.

Përderisa pushteti po përgatitet që të zgjedh presidentin e ardhshëm të Kosovës, qoftë edhe në një seancë me gaz lotsjellës e polici në sallë të Kuvendit, kurse opozita po përgatitet për protesta në ditën e pavarësisë së Kosovës, Matoshi u ka bërë thirrje të dyja palëve që të ulen dhe të arrijnë marrëveshje.

Kjo marrëveshje, sipas tij, do të përmbante në vete reforma në gjithë sistemin në mënyrë që vendi të mos futet më në kriza të ngjashme.

Paraprakisht, ai u ka kërkuar drejtuesve të qeverisë që të mos thirren më në legjitimitetin e fituar, por të reflektojnë në bazë të gjendjes krijuar dhe të japin dorëheqje, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme. (rel)

Kosovë: Dështon marrëveshja pozitë-opozitë te Presidentja

Një takimi i thirrur nga presidentja Atifete Jahjaga, i cili kishte për qëllim gjetjen e një zgjidhje politike në mënyrë që Kuvendi i Kosovës t’i kthehet normalitetit, përfundoi pa marrëveshje.

parlamenti i ksOpozita tash e pesë muaj mban të bllokuar punën e kuvendit në Kosovë dhe blloku opozitar do të protestojë më 17 shkurt në tetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, për rrëzimin e qeverisë së Kosovës. Takimi i datës 08.02 ishte thirrur nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, dhe aty morën pjesë dy partnerët e koalicionit, Isa Mustafa kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i vendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ministër i jashtëm, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë Ramush Haradinaj. Në takim ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë Craig Delawie dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar. Takimin te presidentja e refuzuan dy liderët tjerë të opozitës, Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj nga Nisma.

Opozita kërkon shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në takim te presidentja, ka “kërkuar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja”. Po ashtu, Haradinaj tha se “ka kërkuar që presidenti i Kosovës të zgjedhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli”. Mandati i presidentes Jahjaga përfundon me shtatë prill dhe në këtë fazë është jetike funksionimi i Kuvendit në mënyrë që të zgjedhet Presidenti i Kosovës.

“Kam kërkuar që menjëherë të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza. Po ashtu kam kërkuar që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Me ardhjen në takim, unë e kam shpreh vullnetin tonë të mirë edhe për të ndihmuar për të dalë nga kriza aktuale. Ju kam dhënë edhe propozimin dhe shpresoj që këta që ishin prezentë do të reflektojnë. Opozita mbetet e bashkuar dhe shihemi më 17 shkurt”, tha Ramush Haradinaj.

Shkaku i krizës, marrëveshja Kosovë-Serbi

Kriza politike në Kosovë nisi që nga nënshkrimi me 25 gusht të vitit të shkuar i marrëveshjes Kosovë-Serbi, për asociaciononin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Të dy këto marrëveshje u kundërshtuan nga opozita, ndërsa, mbroheshin nga qeveria e Kosovës. Së fundi kërkesa e opozitës për rrëzimin e qeverisë erdhi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila konstatoi që në disa pika, “marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ishte në frymën e Kushtetuetës së Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit te presidentja, nuk foli për ndonjë zgjidhje politike të krizës, por ai kërkoi nga opozita që të ndalë dhunën në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara me zbatimin e rekomandimeve evropiane që në këtë fazë janë liberalizimi i vizave dhe implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Unë jam i bindur në legjitimitetin dhe legalitetin e plotë të institucioneve të Kosovës në përgjegjësinë që ato kanë, me votën që e kanë marrë nga qytetarët dhe ne do të vazhdojmë të punojmë dhe po ashtu i bëjmë ftesë opozitës që ajo të vijë në parlament dhe që përmes debatit parlamentar, ne të shtojmë demokracinë dhe të punojmë për të mirë të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, nga ana e tij tha se partitë politike në pozitë dhe opozitë duhet t’i tejkalojnë dallimet dhe këtë duhet ta bëjnë për hir të interesit shtetëror të Kosovës. “I kemi ofruar AAK-së që të merr pjesë në komisionet e përbashkëta në hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të jap ekspertët e vet në komisionin vendor-ndërkombëtar në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi”, tha Hashim Thaci, duke shtuar se lideri i AAK, Ramush Haradinaj, këto dy tema nuk i ka ngritur fare si shqetësim në takim te presidentja. Sipas Hashim Thaçit, “Ramush Haradinaj, ishte i përqendruar në çështjen e marrjes së pushtetit”.

Thirrje nga bashkësia ndërkombëtare

Përfaqësuesit ndërkombëtare që morën pjesë në takim te presidentja, Ambasadori amerikan Creg Delawie dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar, gjatë periudhës së krizës politike vazhdimisht i bëjnë thirrje partive në opozitë që të kthehen në kuvendin e Kosovës dhe me argumente të arsyetojnë qëndrimet e tyre.

Pas takimit te presidentja, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar, në një komunikatë për media, thotë se “stabiliteti politik është një parakusht për zhvillimin ekonomik, liberalizimin e vizave, procesin e normalizimit, si dhe zbatimin e reformave evropiane dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

“Ne inkurajojmë Presidenten dhe liderët politikë të vazhdojnë bisedimet deri sa të gjendet një zgjidhje, një zgjidhje e Kosovës për popullin e Kosovës. BE-ja është e gatshme për të mbështetur këtë proces më tutje”, thote Samuell Zhbogar. (dw)