Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Ngecje në regjistrimin e diasporës

Ndonëse nëpër strategji e dokumente të ndryshme të autoriteteve të Kosovës, vlerësohet se një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë territorit të saj, ende nuk ka regjistër zyrtar për numrin e saktë të tyre.Deri tani, ka disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Regjistrimi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit i filluar në dhjetor të vitit 2013 nga Ministria e Diasporës, nuk ka përfunduar ende.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Lorik Pustina, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se regjistrimi ka shënuar ngecje për shkak të ngërçit politik që ishte krijuar gjatë vitit të kaluar.

“Kemi pasur një ngecje gjashtë mujore për arsye të ngërçit politik, pasi që siç dihet regjistrimi është një proces që involvon më shumë sektorë, më shumë dikastere, më shumë agjenci dhe mos-pasja e një agjende të qartë politike na ka shkaktuar ngecje. Ministri i Diasporës ka formuar një grup punues ku do të vlerësohet gjithë procesi dhe do të dilet me rekomandime, për të vlerësuar më pas hapat e mëtutjeshëm”, thekson Pustina.

Deri më tani, një numër i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, shton Pustina, kanë marrë pjesë në regjistrimin online, por që shifra të sakta nuk mund të jepen tani.

Sipas tij, pas vlerësimit të procesit të regjistrimit nga grupi punues do të publikohen të dhëna të cilat janë mbledhur deri më tani, ndërsa të dhënat preliminare do të jepen në fund të vitit 2016.

“Numri nuk dihet për arsye se kjo lidhet ngushtë edhe më Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe qasje në databazën ku futen të dhënat e bashkëatdhetarëve, është vetëm një person i cili është i çertifikuar për qasje në dokumente konfidenciale nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës”.

“Por në momentin kur grupi punues jep rekomandim për publikimin e këtyre të dhënave, atëherë do të mund të dihet një numër i përafërt”, bën të ditur Pustina.

Sipas dokumentit për krijimin e një baze të të dhënave të mërgimtarëve të miratuar nga Qeveria e Kosovës, regjistri do t’i përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime të tjera.

Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër, vlerësojnë se procesi i regjistrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, ka pasur mangësi dhe nuk ka pasur një informim më të mirë për këtë proces.

Elbasan Morina, udhëheqës i organizatës joqeveritare Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim, organizatë kjo që ka përgatitur disa projekte për diasporën, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duhet një koordinim më i fuqishëm i institucioneve të Kosovës me mekanizmat e shteteve ku qytetarët e Kosovës jetojnë.

“Mendoj që është shumë e vështirë të bëhet regjistrimi i diasporës, në diasporë, është një burim i njëanshëm, i cili asnjëherë nuk mund të jap të dhëna të sakta për numrin e popullsisë që jeton jashtë vendit. Mendoj që një proces i tillë paralel do të duhet të organizohet edhe në Kosovë, do të ishte më lehtë të jipen së paku të dhëna të përafërta”, shton ai.

Kosova, shton Morina ka një interes të madh për të ditur përafërsisht numrin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi që do të ndihmonte vendin në formulimin e politikave, në veçanti kur bëhet fjalë për investime.

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e gjysmë miliardë euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla. (rel)

Rezervat shtetërore të grurit, për 20 ditë

Që nga fundi i vitit 2012, Kosova ka rezervat shtetërore, sidomos produkte ushqimore, me një vlerë buxhetore vjetore deri në 450 mijë euro, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritar.Rezervat Shtetërore të Mallrave shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës, apo rrezikut të drejtëpërdrejtë nga lufta, fatkeqësive natyrore të përmasave të mëdha, katastrofave tekniko – teknologjike dhe ekologjike, si dhe dhënies së ndihmave emergjente shteteve tjera të goditura nga fatkeqësitë e cekura më sipër.

Shaban Halimi, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, tregon produktet esenciale që tashmë janë grumbulluar si rezerva shtetërore.

“Rezervat shtetërore përbehen nga disa elemente ose produkte, të cilat kemi konsideruar se janë të rëndësishme për momentin fillestar, që të krijohen këto rezerva. Jemi të përqëndruar në grurë, miell, oriz, sheqer, konserva mishi, konserva peshku, vaj, makarona, marmelatë, kripë… Kurse, nga produktet jo ushqimore, kemi derivate të naftës, atë në një sasi të konsiderueshme për ndonjë nevojë emergjente sipas ligjit”, tha Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk ka rezerva të mjaftueshme, pasi sipas tyre, buxheti i ndarë për këtë çështje është i pamjaftueshëm në krahasim me nevojat, që në raste emergjente duhet t’i përdor populli i Kosovës.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në krahasim më vendet e rajonit, kur rezervat shtetërore sigurohen për katër vite, në Kosovë as një produkt i rezervuar nuk garanton gjithë popullatën për një ditë.

Ai madje shpreh dyshimin në kontrollimin dhe monitorimin e cilësisë së produkteve ushqimore.

“Është tepër shqetësuese, sepse ne mund të kemi katastrofa natyrore, katastrofa të ndryshme, pastaj ne gjithmonë varemi nga importi dhe ne mund të mos kemi një produkt në momente të caktuara”.

“Prandaj kjo është shumë e nevojshme dhe obligim për shtetin, që të ketë rezerva shtetërore për qytetarin dhe funksionalizimin në raste të ndryshme”, shprehet Shahini.

Por, Shaban Halimi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se në bazë të planit strategjik për rezervat shtetërore, kriter për përcaktimin e sasisë merret numri i popullatës dhe lloji i produktit, ku shtetet i ndajnë sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike.

Duke pasur parasysh këto praktika dhe mundësitë e Kosovës, Halimi thotë se është planifikuar që sigurimi i grurit të bëhet për 20 ditë, për gjithë popullatën.

Ndërsa, kriteret për sasitë e produkteve tjera agro – ushqimore dhe jo ushqimore, janë numri i banorëve që mund të përfshihen në një rast katastrofe natyrore dhe numri i ditëve për furnizimin e tyre me produktet e nevojshme.

Të gjitha rezervat janë të vendosura tek operatorët privat ekonomik, thotë ai , por që sipas planit strategjik dhe programit vjetor, vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet sekret shtetëror.

“Kjo është bërë sipas ligjeve që janë në fuqi dhe këto janë të vendosura tek operatorët privat, operatorët ekonomik që plotësojnë kushtet për deponim dhe të përzgjedhur sipas procedurave të Prokurimit Publik dhe janë mjaft të sigurta”, tha Halimi.

Përveç produkteve ushqimore, sipas ligjeve në fuqi, Kosova duhet të ketë edhe rezervat emergjente të derivateve të naftës.

Të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, janë të obliguara që të mbajnë në çdo kohë në stoqe, së paku pesë për qind të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente ose çrregullimeve në treg.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, Qeveria e Kosovës, përmes ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, së paku një herë në vit i raporton Kuvendit të Kosovës për gjendjen dhe administrimin me rezerva shtetërore të mallrave. (rel)

Kurti: Jabllanoviqi nuk do të duhej të kishte vend në Qeverinë e Serbisë, jo më në të Kosovës

Lideri në largim i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka theksuar se protesta e djeshme kishte vetëm dy kërkesa: Largimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe shndërrimin e ndërmarrjes “Trepça” në ndërmarrje publike.“Pas protestës së djeshme po marrim raporte nga qendrat e VV-së dhe subjektet tjera pjesëmarrëse në protestë dhe informacione mbi të arrestuarit dhe të lënduarit. Protesta kishte dy kërkesa: e para shkarkimi i Jabllanoviqit dhe e dyta, mbrojtja e Trepçës përmes një ligji që do të bënte këtë ndërmarrje, publike. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë nuk po na mbetet asgjë nga Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përsëritur faktin se ministri Jabllanoviq i ka quajtur nënat gjakovare dhe protestuesit në Gjakovë “egërsira” dhe kjo gjithsesi nuk mund të tejkalohet, raporton Telegrafi.

“Këta që na mohojnë historinë dhe sulmojnë ekonominë po na refuzojnë qenien tonë. Një ministër i tillë nuk do të duhej të qëndronte as në Qeverinë e Serbisë e jo më në të Kosovës”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për shtyp.

Ndërkaq, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj ka thënë se që në orët e mëngjesit dje, Policia e Kosovës ka pamundësuar një tubim publik në shesh.

“Kontrollat e autobusëve, konfiskimi i kamionetës dhe tentim arrestimi dhe konfiskimi i zërimit dhe arrestimi i qytetarëve dhe largimi i tyre prej autobusëve ka të bëjë me një sistem që shfaq tendencat e para të një sistemi autoritar”, ka thënë Molliqaj.

Ai gjithashtu ka mohuar faktin se protesta e djeshme është sabotuar nga popullata dhe se kanë qenë kryesisht të përfaqësuar nga aktivistë të VV-së.

“Janë arrestuar rreth 200 veta dhe dy të tretat e tyre nuk janë aktivistë të VV. Kjo tregon se protesta ka qenë më shumë se e VV-së”, ka thënë Molliqaj. /Telegrafi/

Akuza të ndërsjella për përshkallëzimin e protestave

Pushteti dhe opozita në Kosovë, vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për dhunën e shkaktuar në protestat e së martës në Prishtinë, ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe qeveria që ai drejton, kanë përsëritur se organizatorët e këtyre protestave provokuan dhunën për qëllime politike.

“Shkaktar i dhunës në qendër të Prishtinës, ishte ultimatumi i dhënë nga ana e organizatorëve të protestuesve, për t’u hequr kordonët e policisë që mbronin institucionet shtetërore”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Sipas tij, “meqenëse protestuesit nuk u lejuan nga policia që të dëmtojnë ndërtesat shtetërore, sikur ditën e shtunë, të orkestruar nga organizatorët, ata sulmuan policinë me gurë dhe gjësende të forta”.

Mustafa ka deklaruar se në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme.

“Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë, dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura”, është shprehur Mustafa.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka bërë fajtore Qeverinë e Kosovës, për dhunën dhe gjendjen e krijuar të martën, që si pasojë kishte dhjetëra të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Ai ka përsëritur se Vetëvendosje, si organizatorja kryesore e protestave, mbetet pranë kërkesave që të shkarkohet ministri për kthim dhe komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, si dhe që Qeveria të nxjerr projektligjin për Trepçën, me të cilin ky kombinat do të shpallej ndërmarrje e veçantë publike.

“Ne vazhdojmë t’i kemi kërkesat e njëjta, shkarkimin e Jabllanoviqit dhe ligjin për Trepçën si ndërmarrje publike të veçantë. Protestat do të vazhdojnë me po të njëjtat kërkesa dhe është çështje ditësh se kur do të jetë protesta jonë e ardhshme”, ka thënë Kurti.

Ministri serb, Aleksandar Jabllanovq, i kishte quajtur më 6 janar “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.

Në lidhje me këto deklarata të zotit Jabllanoviq dhe kërkesën e opozitës për shkarkimin e tij, kryeministri i Kosovës ka thënë se ministri ka kërkuar falje publike për deklaratat e tij të pamatura.

Kurse për Trepçën, Mustafa ka deklaruar se ky kombinat është në Kosovë dhe i përket vetëm Kosovës dhe nuk ka arsye për protesta e shqetësime.

“Në protestën e djeshme u pa qartë se organizatorët kishin qëllim çuarjen përpara të agjendës së tyre politike, synimin e qartë – pushtetin pa votën e popullit”, ka deklaruar kryeministri Mustafa.

Por, në lidhje me situatën e krijuar pas protestave dhe paralajmërimeve për protesta të reja, ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Duke replikuar tërthorazi me opozitën për shqetësimet që po shprehen në lidhje me Trepçën, Veseli ka thënë se askush nuk ka të drejtë që të mbjellë frikë për një invazion, qoftë ai edhe ekonomik, të Serbisë në Kosovë.

“Trepça ka qenë në buzë të falimentimit dhe kanë qenë këto institucione që kanë marrë vendim për t’a parandaluar falimentimin dhe nuk do të lejojmë, minatorët do të vazhdojnë punën e vet, do të rriten pagat, do të zgjerohen kapacitetet e Trepçës, por nuk do të futemi në provokime që kanë si qëllim ndoshta falimentimin e Trepçës”, ka thënë Kadri Veseli.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar se protestat qytetare për veprime apo mosveprime të caktuara të Qeverisë nuk kanë për qëllim dëmtimin e shtetit, por përkundrazi, fuqizimin e tij dhe ndërprerjen e fyerjes, nënçmimit dhe shantazhimit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe vendit.

Edhe AAK zotohet se do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen e protestave gjithë-popullore, deri në realizimin e kërkesave të parashtruara.

Përderisa, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një deklarate e mbështet shprehjen e pakënaqësisë qytetare përmes protestave të qeta, por jo edhe dhunën.

“Dhuna është e papranueshme, ajo gjithmonë shkon në dëme”, thuhet në deklaratën e kësaj Zyre, që drejtohet nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Por, kjo Zyrë kishte një mesazh mjaftë të qartë edhe për Qeverinë e Kosovës.

“Demonstratat në këtë numër, si ajo që pamë të shtunën e kaluar, janë gjithashtu një shenjë e frustrimit të qytetarëve me gjendjen në Kosovë. Shpesh të njëjtat shkaqe po i shtyjnë njerëzit që të kërkojnë punë jashtë Kosovës apo madje edhe të bien viktima të migrimit të paligjshëm”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Zbogarit.

“Demonstratat janë për të dërguar një mesazh dhe ndoshta për të zgjuar institucionet politike. Por, rrugët nuk janë mënyra për të gjetur zgjidhjen, aq më pak përmes ultimatumeve”, thuhet ndër tjera në këtë deklaratë.

Protesta e të martës, më 27 janar, u përshkua me përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit. Ajo pasoi protestën e së shtunës, më 24 janar, e cila përfundoi me një “ultimatum” dhënë Qeverisë së Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Jabllanoviq dhe të procedojë në Kuvendin e Kosovës ligjin e veçantë për Trepçën.

Këto kërkesa nuk ishin përfillur më pas nga Qeveria e Kosovës, e cila i quan ato vetëm si pretekst të opozitës për realizimin e ambicieve politike. (rel)

Sa është pasuria e Trepçës?

Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”.I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

Ajo çka mund të thuhet për vlerën e këtij kombinati, sipas ish udhëheqësve të tij dhe njohësve të kësaj fushe, është se ky kombinat ka rezerva të mëdha të mineraleve, plumbit, zinkut, argjendit dhe arit.

Ish-drejtori i Trepçës, Burhan Kavaja në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se nuk janë bërë hulumtime të detajuara dhe praktikisht është shumë vështirë të dihet vlera reale.

Siç thekson ai, çdo muaj kur të nxirren dhe shfrytëzohen sasitë e mineraleve, zbulohen të tjera të reja.

“Në vitin 1992 kemi bërë një vlerësim për të gjitha resurset e Kosovës, [vlera] ka qenë 505 miliardë [USD]; pjesa kryesore e tyre ka qenë thëngjilli, kaustobiolidet. Atëherë pati mbetur që Trepça, në atë kohë potencialin material e ka pasur 85 miliardë dollarë. Mirëpo, tash nuk mund të themi sa [është vlera reale], se edhe në kohën kur e kanë shfrytëzuar serbët, edhe në kohën kur e kemi shfrytëzuar ne, nuk janë bërë kurrfarë kërkimeah, të cilat do të ishin të verifikuara dhe të kategorizuara”, shprehet Kavaja.

Për vlerën reale të kombinatit Trepça, thekson Kavaja, kërkohen hulumtime, incizimet, si dhe shpimet e nevojshme për të bërë verifikimin dhe kategorizimin e rezervave.

Por, ajo çka është reale, sipas Kavajës, është se në dhjetë vjetët e ardhshme Trepça me potencialin e vetë mund të shfrytëzohet në mënyrë racionale të prodhohet metali dhe të përpunohet.

Ish menaxheri i Trepçës, Ferat Shala thekson se për çështjen e pasurisë së Trepçës, para se të jipen shifra, duhet të kryhet një studim i fizibilitietit në baza shkencore dhe logjikën ekonomike.

“Pasuria është e madhe. Rezervat minerare janë të konsiderueshme, jemi realisht fuqi rajonale në fushën e plumbit, zinkut, arit dhe argjendit. Dhe duke llogaritur që në rajonin e Ballkanit dhe Evropën Juglindore askush nuk ka rezerva më të mëdha dhe duke pasur parasysh pozitën gjeografike që ka Kosova, për ne janë kapital i një rëndësie të madhe”, shton Shala.

Ndërkohë, Halil Qela, njohës i kësaj fushe, thotë se problemi kryesor është se Kosovës i mungon ligji për standardizimin e rezervave e që sipas tij, është kushti kryesor që do të tregonte se cila është sasia e rezervave minerale që mund të vlerësohen në bazë çmimeve aktuale që janë në bursë.

“Ne sot po flasim për diku 58 milion tonë xehe, por po them që mund të jenë edhe dhjetëra miliona të tjera që gjenden në këtë brez metalogjenik dhe nuk janë të studiuara ende në detaje që kanë një vlerë e që me standardet e sotme moderne ato mund të jenë një kategori që mund të shfrytëzohet. Edhe mund të jetë një kategori që për teknologjinë e sotme në botë nuk mund të shfrytëzohet”, shton Qela

Përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, kombinati Trepça ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e 80-a, me mbi 21 mijë punëtorë.

Çështja e Trepçës është aktualizuar së fundi kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që gjiganti metalurgjik “Trepça”, i cili aktualisht është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të kthehet në pronësi të shtetit.

Por, menjëherë pas këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës e kishe hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë se këtij kombinati.

Më pas kishin pasuar protestat e mijëra qytetarëve të cilin kërkonin nga kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të nxjerr një ligj, me të cilin Kuvendi i Kosovës, do ta rregullonte statusin e kombinatin metalurgjik, Trepça, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje të veçantë publike. (rel)

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë, dhjetra të lënduar

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi, thonë se opozita në Kosovë tentoi që më dhunë ta marrë pushtetin.Dhjetra protestues dhe dhjetra policë të lënduar, e dëme të konsiderueshme materiale, ky është bilanci i ditës së sotme gjatë protestës në Prishtinë. Disa mijëra qytetarë protestuan sërish para qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që të shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq dhe kundër qasjes së qeverisë ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepca që gjenden në veri të Kosovës. Protesta u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Protestuesit mbanin pankarta të shumta kundër qeverisë, ndër to edhe “Trepca është e Jona”, e “Jabllanoviq Jashtë”.

Policia përdor gaz lotësjellës
Qindra forca të policisë duke vendosur edhe pengesa metalike, kishin rrethuar objektin e qeverisë së Kosovës për të parandaluar ndonjë dhunë të mundshme si ajo që u manifestua të shtunën, kur protestuesit demoluan xhamat e qeverisë dhe disa lokale afariste aty përreth. Protestuesit disa herë tentuan të kalojnë kordonet e policisë, mirëpo, policia përdori gasin lotësjellës dhe topa uji dhe nuk lejoi protetsuesit që t’i afrohen objektit të qeverisë. Pati disa policë të lëndruar nga gurët që hudheshin në drejtim të policisë, ndërsa, konfirmohet edhe për rreth 30 protestues që kanë marrë lëndime. Zyrtarë nga Qendra Klinike Universitare, thonë se personat që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër klinike, asnjëri nga ta nuk është në rrezik për jetën. Ndërkohë, policia konfirmon për 35 polic të lënduar dhe rreth 30 qytetar.
Në një komunikatë për 35 policia e Kosovës njoftoi se “rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët, duke hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme”. Për orë të tëra sheshet kryesore të Prishtinës u shndërruan në arenë përleshjesh ndërmjet policisë dhe protestuesve. Protestuesit hodhën edhe” koktej-molotov”, në drejtim të policisë.
Asnjë reagim ndaj kërkesave të protestuesve
Protesta e ditës së martë me (27.01) pason protestën e së shtunës, e cila përfundoi me dhunë dhe me një “ultimatum” të protestuesve për qeverinë e Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Aleksander Jabllanoviq dhe të procedojë në parlament ligjin e veçantë për kompleksin metalurgjik Trepça që e shndërron atë në ndërmarrje publike. Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur kërkesave të parashtruara.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për 35, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri, Hashim Thaci, thanë se “opozita ka keqpërdorur ndjenjat e një pjese të qytetarëve për qëllimet e saj politike dhe protestat sipas tyre nuk kishin për qëllim shkarkimin e ministrit Jabllanovic. “Kjo kërkesë ishte vetëm pretekst”. Veprime të tilla të dhunshme, sipas tyre janë sulm ndaj institucioneve, forcave të rendit, si dhe ndaj pasurisë publike e private.
“Opozita duhet të sillet sipas votës së qytetarëve dhe jo të sillet dhunshëm dhe me dhunë të provojnë të marrin pushtetin. Sot, ka pasur dhunë, është sulmuar policia e Kosovës, institucionet e saj dhe prona publike e private”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Në të njëtën linjë, u shpreh edhe zëvëndëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, i cili tha se “dhuna e sotme ishte e planifikuar, ishte brutale e drejtuar kundër policisë dhe institucioneve”. Sipas, Thacit, protestat kishin objektiva politike që u drejtuan nga opozita.
“Nuk do të dorëzohemi përballë dhunës. Një veprim i tillë, ishte tentim për të marrë pushtetin me dhunë”, tha zëvëndëskryeministri, Hashim Thaci.
Gjuhë kërcënuese
Të dy udhëheqësit politikë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaci, partitë e të cilëve përbëjnë qeverinë, thonë se “Gjuha kërcënuese e përdorur sot në protestë nga organizatorët e saj është e papranueshme dhe ne i dënojmë aktet e tilla nxitëse”.
“Po ashtu, manipulimi me nxënës përmes këshillave të nxënësve dhe organizimi i tyre në protestë është manipulim i skajshëm dhe tërësisht i papranueshëm për Qeverinë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë, gjë që e ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë. Qeveria dënon dhunën e ushtruar ndaj Policisë së Kosovës, duke i falënderuar policët e Kosovës për profesionalizmin e treguar edhe gjatë kësaj proteste”, thuhej në reagimin e paraditës së qeverisë së Kosovës.
Skenat kaotike dhe të dhunshme plotësisht të papranueshme
Skenat kaotike dhe të dhunshme në rrugët e Prishtinës, janë plotësisht të papranueshme edhe për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila bëri thirrje për qetësi dhe rivendosje të rendit në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit si dhe për reflektim.
“Ju bëj thirrje protestuesve të mbetur në rrugët e qytetit të Prishtinës që të shpërndahen në mënyrë të qetë dhe të mos vazhdojnë përplasjen me Policinë e Kosovës, një institucion përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të ligjit dhe për sigurinë e secilit qytetar të vendit. Ajo është Policia jonë. Udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë këtë cikël të dhunës në rrugë. Kërkoj gjithashtu nga liderët politikë të vendit nga i gjithë spektri politik, të distancohen nga aktet e dhunës që po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë të ri”, thotë në reagimin e saj presidentja Jahjaga.
“E konsideroj të papranueshme dhunën ndaj Policisë së Kosovës dhe dëmtimin e pronës publike e private nga protestuesit në protestat e sotme. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme dhe e garantuar me Kushtetutën e vendit, por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe dhuna e sotme në sheshet e Prishtinës prish rëndë rendin dhe ligjin dhe cenon seriozisht sigurinë e qytetarëve”.
Zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra më e mirë për të tejkaluar situatat e krijuara dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.
Partitë politike opozitare e kanë dënuar si thonë “dhunën e ushtruar të policisë ndaj protetuesve”, duke mos qartësuar nëse do të vazhdohet me protesta të tjera apo jo. (dw)

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë

Në Prishtinë policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që tentonin t’i afroheshin objektit të qeverisë. Dhjetra, protestues dhe policë janë lënduar gjatë protetstës.Dhjetra protestues dhe dhjetra policë të lënduar, dëme të konsiderueshme materiale, ky është bilanci i protestës së të martës (27.01)në Prishtinë. Disa mijëra qytetarë sërish protestuan para selisë së qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që ta shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq si dhe kundër qasjes së qeverisë ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça, që gjenden në veri të Kosovës. Protesta u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën.
Qindra forca të policisë duke vendosur edhe pengesa metalike, kishin rrethuar objektin e selisë së qeverisë së Kosovës për të parandaluar ndonjë dhunë të mundshme si ajo që u manifestua të shtunën (24.01), kur protestuesit thyen xhamat e godinës së qeverisë dhe disa lokale biznesesh aty përreth. Protestuesit disa herë tentuan të kalojnë kordonet e policisë, mirëpo, policia përdori gazin lotësjellës dhe pompat e ujit duke mos i lejuar protetsuesit që t’i afrohen kësaj godine. Pati disa policë të lëndruar nga gurët që u hodhën në drejtim të policisë, ndërsa konfirmohet edhe për disa protestues që kanë marrë lëndime. Zyrtarë nga qendra klinike universitare, thonë se asnjëri nga personat që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër klinike nuk është në rrezik për jetën. Ndërkohë, policia konfirmon për dhjetra protestues të arrestuar.
Në një komunikatë për 35 policia e Kosovës njoftoi se “rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar t’i sulmojnë policët, duke hedhur sende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, ndaj të cilëve duke përdorur mjetet policore të ligjshme detyrimisht duhej të ndërhyehej për t’i parandaluar sulmet e tilla”.
Për orë të tëra sheshet kryesore të Prishtinës u shndërruan në arenë përleshjesh ndërmjet policisë dhe protestuesve. Protestuesit mbanin pankarta të shumta kundër qeverisë, ndër to edhe “Trepça është e Jona”, “Jabllanoviq jashtë”.
Protesta e ditës së martë me (27.01) pason protestën e së shtunës, e cila përfundoi me dhunë dhe me një ‘ultimatum’ të protestuesve për qeverinë e Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Aleksander Jabllanoviq dhe të procedojë në parlament ligjin e veçantë për kompleksin metalurgjik Trepça, që e shndërron atë në ndërmarrje publike. Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesave të parashtruara.
Në reagimin e ditës së martë, ndërkaq, qeveria e Kosovës vlerëson se: “Gjuha kërcënuese e përdorur sot në protestë nga organizatorët e saj është e papranueshme dhe ne i dënojmë aktet e tilla nxitëse”.
“Po ashtu, manipulimi me nxënës përmes këshillave të nxënësve dhe organizimi i tyre në protestë është manipulim i skajshëm dhe tërësisht i papranueshëm për qeverinë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë, gjë që e ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë. Qeveria dënon dhunën e ushtruar ndaj Policisë së Kosovës, duke i falënderuar policët e Kosovës për profesionalizmin e treguar edhe gjatë kësaj proteste”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës thuhet në reagimin e saj, “shpreh vullnetin e plotë që të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike, me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit për të adresuar të gjitha kërkesat e qytetarëve në rrugë ligjore dhe kushtetuese”. (dw)

Protesta e Vetëvendosjes, policia shpërndan turmën me gaz lotsjellës. Plagosen disa persona

Protesta e organizuar nga lëvizja “Vetëvendosje”, ne qendër të Prishtinës, me kërkesën kryesore për largimin e ministrit serb Aleksandër Jallbanoviç nga qeveria “Mustafa”, është përshkallëzuar pas përleshjeve fizike që pati mes protestuesve dhe forcave policore që kishin rrethuar selinë e Qeverisë. Pas fjalimeve të mbajtura përpara të pranishmëve, një përplasje mes protestuesve dhe policisë bëri që situata të merrte një drejtim krejt tjetër dhe policia të përdorte gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur në sheshin “Skënderbeu”.

Sipas gazetarëve të Top Channel në Kosovë, disa persona, mes te cileve police dhe protestues jane lenduar dhe jane derguar me urgjence ne spital.

Organizatorët e protestës kërkuan nga policia që të mos sulmojë qytetarët, ndërsa iu bënë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të mos gjuajnë më gurë. (top channel)

Reagime të QUINT për dhunën në protestat e ditës së shtunë

Një protestë e radhës e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosja pritet të mbahet të martën më datë 27.01.2015. QUINT u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës për të ushtruar me përgjegjësi të drejtat e tyre demokratike.Përfaqësuesit e vendeve më të industrializuara QUINT në Kosovë e kanë cilësuar jo ligjore dhe të papranueshme dhunën e manifestuar gjatë protestave të ditës së shtunë në qendër të Prishtinës, protesta këto që u organizuan nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa shoqata të familjeve që kanë persona të zhdukur. Protestuesit që kërkonin shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës Aleksander Jabllanoviq dhe ishin kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë, thyen xhamat e ndërtesës së qeverisë së Kosovës dhe dëmtuan disa lokale afariste private. Disa persona dhe pjestarë të policisë u lënduan.
Për këtë dhunë të manifestuar të shtunën, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në orën e mbrëmjes së ditës së hënë, e theksojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar por në mënyrë jo të dhunshme.
“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për t’iu bashkuar në mënyrë vullnetare bashkëqytetarëve për të demonstruar është vendimtare për një demokraci funksionale. Megjithatë dhuna në protesta është jo ligjore dhe e papranueshme. Për këtë arsye ne i dënojmë aktet e vandalizmit nga një grup protestuesish më 24 janar ndaj pronës publike dhe private si dhe frikësimin e ekipeve televizive, që po ashtu është në kundërshim me parimet e lirisë së medieve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT, e publikuar nga ambasada gjermane në Prishtinë.
Në të njejtën linjë është shprehur edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.
“Shefi i Zyres sё BE-sё nё Kosovё e dёnon dhunёn e dёshmuar nё Prishtinё tё shtunёn dhe dёmtimin e pronёs publike dhe private qё pasoi protestёn publike. Protesta paqёsore ёshtё e drejtё fundamentale dhe e pamohueshme e qytetarёve. Ata qё kryejnё akte tё dhunёs dhe shkatёrrojnё prona jo vetёm qё kryejnё shkelje, por gjithashtu janё abuzues tё kёsaj tё drejte nё dёm tё kauzёs sё tyre dhe tё demokracisё nё Kosovё”, thotë Samuel Zhbogar.
Edhe qeveria e Republikës së Kosovës, fton qytetarët për maturi dhe pjekuri politike e qytetare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme dhe i dënon ashpër aktet vandale të disa protestuesve ndaj policisë, objekteve qeveritare, pronave private, përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha dhunën fizike ndaj qytetarëve të Kosovës. Qeveria konsideron se sjelljet e manifestuara nga disa protestues nuk pasqyrojnë kulturën tonë demokratike. Qeveria kërkon nga organizatorët e protestës të mbajnë përgjegjësi për aktet vandale”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
Lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, gjatë protestës së ditës së shtunë, i kishte dhënë sic u shpreh ai ”ultimatum”, kryeministrit Isa Mustafa, që deri të këtë të hënë në orën 16-h ta shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq. Nëse kjo nuk ndodhë dhe në fakt nuk ndodhi, atëherë, ai bëri thirrje për një protestë të radhës para qeverisë së Kosovës për ditën e martë datë 27.01.2015. Protesta pritet të ndodhë serish në sheshin kryesor të Prishtinës tashmë si thuhet më të njejtat kërkesa, shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë. Protesta u mbështet edhe nga dy parti opozitare, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. (dw)

Shqiptarët ofruan “tokën e premtuar” për hebrenjtë

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë e përndjekur.​ Në mesin e tyre është edhe familja Rezniqi në Kosovë, e cila njihet për rolin që ka luajtur në mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist dhe për këtë ka marrë mirënjohje edhe nga shteti izraelit.Me anë të “Besës Shqiptare” — një akt nderi, më shumë se sa një fjalë — shqiptarët iu premtuan të përndjekurve siguri, duke dhënë fjalën se ata do të mund t’ua besonin jetën e tyre dhe të familjes.

Në këtë formë shpjegohet “Besa” nga Yad Vashem, që është Autoriteti Kombëtar Përkujtimor i Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, i formuar në vitin 1953 nga Parlamenti i Izraelit (Knesset), për përkujtimin e 6 milionë çifutëve të vrarë nga nazistët gjatë viteve 1933 – 1945.

Përfaqësues të organizatave shqiptaro-izraelite, tregojnë se ky angazhim dhe kjo “Besë e dhënë” nuk ishin akte vetëm individuale, por edhe institucionale.

Xhangyle Ilijazi, nga Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael “Dr. Haim Abravanel”, tregon për rolin që luajtën shqiptarët e Kosovës në mbrojtjen e strehimin, por edhe në rrugëtimin drejt Shqipërisë, vend që nga hebrenjtë, siç thotë ajo, konsiderohej si “tokë e premtuar” për mbijetesë.

“Besa, si fenomen shoqëror shqiptar është elementi kryesor që ka ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe ishte pikërisht Besa e dhënë familjeve hebreje që kaluan nëpër Kosovë për të shkuar në Shqipëri, e cila atëherë ishte si tokë e premtuar për mbrojtjen e tyre. Këta hebrenj vinin nga vise të ndryshme të ish-Jugosllavisë dhe të Evropës. Angazhimi nuk ishte vetëm individual, por edhe institucional”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Bartja e hebrenjve për në Shqipëri nga Kosova ishte mundësuar edhe me ndihmën e autoriteteve lokale në Kosovë, duke lëshuar, siç tha zonja Ilijazi, dokumente të falsifikuara të identifikimit, e me të cilat ata pastaj kanë kaluar kufirin dhe kanë mbijetuar. ​
“Një dokument i tillë është zbuluar një vit më parë në SHBA. Dokumenti është lëshuar nga autoritetet bashkiake të kohës së atëhershme në Ferizaj, për familjen Kolonomos nga Manastiri, duke i regjistruar me emra shqiptarë”, bën të ditur zonja Ilijazi.

Sipas Yad Vashem-it, në vitin 1934, ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstain, kishte shkruar se “Nuk ka gjurmë të diskriminimit të çifutëve në Shqipëri, sepse Shqipëria del të jetë një nga trevat e rralla të Evropës sot, ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime”.

Përpos “Besës”, Yad Vashem shpjegon se si me ardhjen e regjimit nazist në pushtet, në vitin 1933, shumë hebrenj gjetën strehim në Shqipëri.

Nuk ka shifra të sakta për numrin e tyre; megjithatë, burime të ndryshme vlerësojnë se 600 deri 1,800 refugjatët hebrenj shkuan në Shqipëri nga Gjermania, Austria, Greqia dhe Jugosllavia, me shpresën për të depërtuar për në Izrael apo vende të tjera.

“Pas pushtimit gjerman më 1943, popullsia shqiptare, në një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të pajtohet me urdhrat për të dorëzuar hebrenjtë, të cilët jetonin brenda kufijve të vendit”, thuhet në faqen zyrtare të Yad Vashemit.

Aktualisht në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Prizrenit, jetojnë 56 hebrenj.

Përfaqësuesi i tyre, Votim Demiri, nga Bashkësia Hebraike e Kosovës thotë se, edhe pse komunitet i vogël, ata vazhdojnë të kenë aktivitete të ndryshme…

“Këta 56 vetë janë të lidhur me organizatat hebraike në regjion, dhe mbajnë mbledhje të zakonshme. Në fund të fundit, edhe feja hebraike, sipas propozimit të ligjit të ri, i cili kaloi leximin e parë në parlament, do të aprovohet si një religjion zyrtar i Kosovës”, thotë Demiri.

Zoti Demiri përmend faktin se trevat shqiptare ishin të vetmet ku numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, se sa para saj.

Ai nënvizon edhe tolerancën ndërfetare e cila ka qenë gjithmonë e pranishme.

“Trevat shqiptare, të Kosovës e Shqipërisë, janë të njohura si treva në të cilat në kohën e Holokaustit u rrit numri i hebrenjve. Të vetmet treva në Evropën kontinentale ku është rritur numri i hebrenjve janë këto treva. Po të mos kishte qenë toleranca, mirëkuptimi, bashkëjetesa, nuk do të kishim mundur t’i thoshim këto fjalë”, shprehet Demiri.

Pavarësia e Kosovës ende nuk njihet nga Izraeli, dhe vazhdon të jetë një nga vendet e pakta të Evropës, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë për në Izrael pa viza.

Në Prishtinë, në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit, është ngritur një memorial, i cili gjendet në mes të ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Pikërisht në këtë lokacion, deri në vitin 1963 ka qenë Sinagoga e Prishtinës.

Në këtë memorial, shkruan “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”. (rel)