Takimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuqic, zhvillohet në prani të shefes së re të diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.Pas gati një viti të ndërprerjes së dialogut të nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi, të hënën me (09.02) takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciq. Takimi zhvillohet në prani të shefes se diplomacisë evropiane Federica Mogherini, e cila pason në këtë post baroneshën Catherine Ashton, e cila kishte nisur dialogun Kosovë Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.
Në dialogun Kosovë-Serbi kishte një pauzë gati njëvjecare për shkak të zgjedhjeve të reja në Kosovë e Serbi dhe po ashtu edhe për shkak të ndërrimit të udhëheqësve më të lartë të Bashkimit Evropian.
Në takim edhe Hashim Thaçi dhe Ivica Daqic
Maja Kocijanqic zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, ka thënë se Federica Mogherini, tashmë u ka dërguar ftesë të dy kryeministrave, atij të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuciq, për takim në zyrën e saj në Bruksel. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe dy ish-kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaci dhe Ivica Daqic. Kjo për zyrtarët evropian është një konfirmim për kontinuitetin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Dy kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuciq, do rishikojnë progresin e arritur deri më tash në dialog dhe të vendosin si të shkohet tutje me proces të normalizimit të raporteve. Andaj edhe takimi i së hënës më shumë ka karakter njohjeje dhe informimi për të ardhmen”, thuhet në një deklaratë nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini.
Trepça dhe Jabllanoviq
Megjithatë, vështirësitë e para në mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi, pritet të paraqiten rreth çështjes së kompleksit metalurgjik të Kosovës-Trepca dhe shkarkimi i një ministri serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq. Për të dyja këto çështje, Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se do të kërkojë që të diskutohen në bisedimet e Brukselit, gjë që është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare.
Ndërkohë, shefi i zyrës sё Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë për 35t në Prishtinë, se në takimin e së hënës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, që mbahet në Bruksel, për secilin do të jetë diçka e re.
“Për Trepçën është në dorë të liderëve të të dyja vendeve, nëse duan ta fusin në agjendë”. Tensioni është ende i lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ata po planifikojnë të vlerësojnë se çka është zhvilluar deri tash, sepse ka shumë muaj që nuk janë takuar. Çështja e gjyqësorit është si temë, sepse kjo ka mbetur nga takimi i fundit”, citohet të ketë thënë Samuel Zhbogar.
“Trepça nuk ka qenë në agjendë, nuk është diskutuar, por mbetet të shihet nga dy udhëheqësit nëse do pranojnë të diskutojnë për të. Ne askënd se kemi detyruar të flase për asgjë. Mendoj se do t’i dëgjojmë të dyja palët të hënën dhe të shohim ku do shkohet pastaj”, thotë Samuel Zhbogar.
Prishtina dhe Beogradi me 19 prill të vitit 2013, arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve. Kjo mundësoi që në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe të mbahen zgjedhje të organizuara nga institucionet e Kosovës për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë. Në nivelin lokal, serbet e Kosovës udhëheqin me 10 komuna, ndërsa, në kuvendin e Kosovës ata përfaqësohen me 10 deputet nga Lista “Serpska”, e cila e ka mbështetjen e qeverisë së Beogradit. (dw)
Kategoritë: Kosova
Lajmet nga Kosova
Vazhdon fluksi i azilkërkuesve në Gjermani
Edhe sivjet autoritetet përkatëse kanë regjistruar një rritje të konsiderueshme të kërkesave për azil. Shumica e aplikuesve vijnë nga Siria, Kosova dhe Shqipëria.Numri i azilkërkuesve në Gjermani vazhdon të rritet. 25.042 kërkesa për azil i janë dorëzuar Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët në janar të këtij viti. Në krahasim me janarin e vitit të kaluar kjo shifër përbën një rritje prej 73 përqind, njofton Ministria e Brendshme në Berlin. 21.679 prej tyre janë aplikime për herë të parë, 3363 janë kerkesa të përsëritura për marrjen e azilit. Në rastin e aplikimeve për herë të parë autoritetet kanë regjistruar një rritje prej 27 përqind brenda një muaji.
Më shumë aplikime për azil nga Siria, Shqipëria dhe Kosova
Vendi kryesor, nga vijnë azilkërkuesit në janar të këtij viti, është Siria. 5530 refugjatë sirianë shpresojnë të përfitojnë leje qendrimi në Gjermani. Rritje të ndjeshme shënon numri i azilkërkuesve nga Kosova. Numri i azilkërkuesve nga Kosova është rritur nga 1956 në janarin e kaluar në 3630 në janar të këtij viti. Nga Shqipëria në janar kanë ardhur në Gjermani 1648 azilkërkues, shumë më tepër se në dhjetor, kur kërkuan azil vetëm 940 persona nga Shqipëria. Aplikimet për azilim nga Serbia kanë mbetur ndërkohë të qëndrueshme dhe kapin shifrën 3328.
Vitin e kaluar Gjermania ka pasur rreth 203.000 kërkesa për azil, më shumë se asnjë vend tjetër i Bashkimit Evropian. Vetëm në dy vite të tjera qysh nga krijimi i i Republikës Federale të Gjermanisë numri i refugjatëve ka qenë më i lartë, gjatë viteve 1990-të, në vitet me numrin rekord të azilkërkuesve.
bri/cr/se (afp, rtr, kna epd)
Dy rrugët e autobusit në Republikën e pakicës
Qeverisjet neoliberale të pasluftës të orientuara në privatizim dhe asfalt po e bëjnë vendin tonë të pajetueshëm. Fundamentalistët e tregut të lirë e abortuan prodhimin vendor kurse bankat në Kosovë janë fajde me letra. Paratë e fondit të privatizimit, të fondit pensional si dhe depozitat bankare të bankave komerciale janë investuar jashtë vendit. Ekzodi i parasë patjetër që përcillet me ekzodin e njerëzve. Asfalti nuk hahet: 45% të varfër dhe 18% në varfëri të thellë nuk i kanë hall gropat nëpër rrugë, por ato në stomak. Modeli socialdemokrat, shteti zhvillimor i orientuar në prodhim dhe industrializimi i vendit janë zgjidhja. Pa fabrika nuk ka as ekonomi e as shoqëri.
Njerëzit e kanë humbur besimin në institucione e mandej edhe shpresën për ardhmëri më të mirë në Kosovë. Në vitet 2006 e 2007 nisi t’i dalë boja çlirimit, por mandej u shpall pavarësia. Tash që po i del boja pavarësisë nuk ka kurrfarë kompensimi. Korrupsioni e sidomos nepotizmi dhe krimi i organizuar përherë i pandëshkuar ua kanë errësuar perspektivën posaçërisht të varfërve dhe klasës së mesme. Arsimi u bë diplomë pa dije, shëndetësia spital për të vdekur, ndërkaq papunësia po rritet si sasi, si kohëzgjatje dhe si pabarazi: një pakicë mban nga disa vende pune kurse shumica dërrmuese nuk e ka asnjë të tillë.
Vëmendja institucionale dhe 35tike është shumë më tepër e përqendruar te çështjet si Gjykata Speciale për krimet e UÇK-së, ekstremizmi fetar, nevoja për dialog me Serbinë sesa te zhvillimi ekonomik i munguar dhe mjerimi social gjithandej i pranishëm. Qeveria është compradore ndërsa përfaqësimi institucional e 35tik është elitist. Shumë tregtarë importesh u bënë politikanë, edhe më shumë politikanë u bënë tregtarë importesh. Të pasurit shfaqen shpesh në televizor si individë dhe si personalitete. Të varfërit shfaqen rrallë në televizor si turma ose si numra statistikash.
Ikja e shqiptarëve të pakënaqur i leverdis edhe Qeverisë së Kosovës edhe Qeverisë së Serbisë ashtu sikurse edhe mafiozëve të ndryshëm që kontrabandës me naftë, cigare, drogë e barna po ia shtojnë edhe trafikimin me njerëz. Megjithatë ky emigrim që po merr përmasa të ekzodit nuk do të ishte i mundur pa korporatat në Evropën perëndimore që kanë nevojë për fuqi të lirë punëtore së cilës nuk i paguajnë sigurim social, shëndetësor e pensional. Për më tepër, qeveritë e djathta perëndimore, si zakonisht, u mundësojnë korporatave që t’i përdorin emigrantët shqiptarë që punojnë në të zezë si armë sulmi kundër sindikatave vendëse atje.
Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës ka shpresuar sinqerisht në një qeveri të VLAN-it që përbënte shumicën parlamentare.
Tradhtia e Isa Mustafës që e braktisi marrëveshjen e 10 shtatorit 2014 për kurs të ri të shtetit duke përfunduar te marrëveshja e Rashkës së 9 dhjetorit 2014 me Thaçin dhe Jabllanoviqin i ka zhgënjyer pamasë qytetarët. Kur kësaj iu shtuan vota e Isa Mustafës për Kadri Veselin për kryeparlamentar, programi qeveritar pa shifra për dallim nga fushata elektorale me premtimet për 200.000 përkatësisht 120.000 vende të reja pune, e deri te buxheti 2015 i kopjuar nga viti paraprak, gjithçka u bë e padurueshme. Energjia e VLAN-it është edhe më tej në popull dhe kjo energji pashmangshëm po bëhet fuqi që i ka dy rrugë të ndryshme dhe të njëjtin mjet transporti: autobusat për te kufiri në Merdar apo autobusat për në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Mirupafshin në shesh – për Trepçën, për shokët tanë në burg dhe për gjithçka që nevojitet për ta bërë Kosovën Republikë të shumicës. (ALBIN KURTI)
Kërkojnë punë për t’i anuluar biletat e migrimit
Duke e parë sa alarmante është bërë muajt e fundit migrimi ilegal, institucionet e Kosovës në bashkëpunim edhe me vendet e Bashkimit Evropian po paralajmërojnë shtrëngim masash.Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar të premten dy prej komunave më tepër të braktisura, Vushtrrinë dhe Ferizajn.
Jahjaga e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, bashkëbiseduan me qytetarët, të cilët kishin shumë shqetësime e mesazhe për presidenten.
Ajo përpiqej të krijonte një atmosferë tjetër dhe me fjalimin e saj të sensibilizojë njerëzit që ikja nuk është zgjidhje.
Shtet-formimi ka shumë vështirësi, u thoshte atyre Jahjaga, duke i rikujtuar se gjendja sot, 15 vjet pas luftës, duhet të jetë më e mirë.
“Kosova nuk ka njerëz për të humbur. Javën e ardhshme i bëjmë 7 vjet që jemi bërë shtet i pavarur. Unë jam me juve. Të gjitha këto brenga dhe shqetësime, janë edhe shqetësimet e mia. Ju nuk duhet të ikni, por duhet të qëndroni së bashku me neve, sepse më së lehti është që të ikim dhe t’ia kthejmë shpinën Kosovës. Ma vështirë është të qëndrojmë këtu, por së bashku duhet të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Jahjaga.
Interesimi për të biseduar me presidenten dhe kryetarin e komunës ishte evident.
Ende pa përfunduar njëri, ndërhynte tjetri qytetar, duke u munduar t’i tregojnë për hallet, për papunësinë, varfërinë e humbjen e shpresës dhe në fund si zgjidhje të përmend ikjen nga Kosova.
“A po e shihni në çfarë gjendje katastrofale është komuna e Vushtrrisë? Çfarë fukarallëku ka këtu? Të rinjtë shkuan. Çka na duhet neve jeta kur të rinjtë shkuan?! Propozonin (në fushatë zgjedhore) 200 mijë vende të punës. Ku janë tash ato 200 mijë vende të punës?”, shtronte pyetje dhe dilema një qytetar nga Vushtrria para presidentes.
Një hall të ngjashëm, kishte edhe një banor tjetër i kësaj komune i cili tregonte se tashmë kishte vendosur që do të marrë rrugën e migrimit.
“Jam detyruar ta lë punën dhe të marr rrugën e migrimit pas 53 vitesh. Çfarë gjendje është kjo? Ku na keni sjell. Ku është vota e jonë?”, fliste ky qytetar.
Disa kundër-argumente me fjalimet e qytetarëve, kishte kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, duke thënë se kohët e fundit, komuna ka subvencionuar bujqësinë, dhe ata që duan ta punojnë tokën, mund të ndërtojnë një jetë të mirë edhe në këtë komunë.
“E kemi një gjendje tepër brengosëse në komunën tonë, sikurse në të gjithë Kosovë, sepse kemi një fluks shumë të madh të migrimit në Perëndim dhe kjo është brengosëse. Megjithatë, ju ftoj të gjithëve që të qëndroni, sepse në rrethana shumë më të vështira kemi qëndruar në Kosovë edhe atëherë kur na kanë larguar me dhunë”, ka thënë Mulaku.
Por, ende pa përfunduar fjalën kryetari Mulaku, ndërhyn një qytetar tjetër i cili ka edhe pyetje për të, por edhe shumë halle për të treguar.
“A po më gjeni një punë, qe unë nuk po shkoj. Nesër do të nisem, por ja që nuk po shkoj. Gjemani një vend pune”, i drejtohet kryetarit Mulaku, një qytetar aty afër.
Autoritetet në Kosovë, nuk kanë shifra të sakta, por flasin për mijëra persona që kanë marrë rrugën e migrimit. Si pasojë, e migrimit, mbi 5 mijë fëmijë kanë braktisur shkollat. (rel)
Shtëpia në pazar: Veterani i UÇK-së synonin migrimin
Kur ishte rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998, 18-vjeçari Faik Zogaj nuk e kishte imagjinuar se do të vijë koha që vendin për të cilin luftoi për ta çliruar, do të kërkonte ta lëshonte në mënyrë vullnetare. Ja ku është tani ai, 16 vjet më vonë.Shtëpia e tij bashkë me truallin prej 30 ari është në pazar me një çmim shumë të ulët. E, paratë që ai pret t’i marrë nga një blerës potencial, e kanë një destinacion: financimin e rrugës së ikjes nga Kosova për të, gruan dhe gjashtë fëmijët.
“Kështu kam ardhur në përfundim: me shit këtu me ka krejt, qit shtëpinë njëkatëshe. Brenda është e rregulluar me ka krejt. Për 15 mijë euro e jap veç me dal”, thotë Zogaj.
Mijëra kosovarë ia kanë mësyrë migrimit, nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë duke shfrytëzuar rrugë ilegale në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa, për Faik Zogajn, e kaluara që ai e kujton me mburrje, ka mbetur vetëm në fotografitë që i ka ruajtur. Ai me nostalgji dhe me emocione ua tregon fotografitë e luftës fëmijëve të tyre.
Përlotet kur u rrëfen atyre për Adem Jasharin dhe u thotë se po të ishte gjallë ai, kosovarët nuk do të iknin nga vendi i tyre.
Arsyeje pse dëshiron të ika nga Kosova janë kushtet ekonomike.
“Veç puna e këtyre fëmijëve, send për tjetër jo. Punë kam lyp qe dy vjet, askund një vend pune nuk ma afrojnë. Nëse e ki dajë apo nip kryetarin, apo atë tjetrin, ta afrojnë vendin e punës përndryshe nuk ke vend pune. Nuk kam luftuar për një vend pune”, thotë ai për KALLXO.com.
Por, për t’i bërë të hollat, ai ka vendosur të shes çdo gjë që mund të shitet, duke filluar prej kompjuterit, serrës e deri të shtëpia. Por, dertin e ka te vajza më e vogël, 18-muajshe.
“Kjo me ka shti mos me dal deri sot, po sot e temas nuk kam qare pa ikë“, thotë ai. “Nëse mua më garanton kryetari i Komunës, një vend pune, 200 euro, pajtoj”.
Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përmes telefonit tha se nuk është i njoftuar për rastin konkret, por premtoi se do të shkojë të takohet me Faik Zogajn për t’u përpjekur ta parandalojë ikjen e tij nga Kosova.
Begaj tha se nuk mundet t’i sigurojë vend pune Faik Zogajt, por do t’i shkojë mundësitë për ndihmë në sektorin e bujqësisë.
Për këtë situatë Begaj fajëson pushtetin qendror.
“Komuna nuk ka mundësi me i ba zgjidhje qytetareve, pasi e kanë pru gjendjen më keq se para luftës. Qeveria e Kosovës i ka fajet, pasi ka njerëz me tri-katër puna, me rroga 4-5 mijë euro, kurse qytetarët nuk kanë bukë më hëngër” tha kryetari i Malishevës.
Ismet Kryeziu, kryetar i fshatit Mleqan, thotë se migrimi është duke prekur çdo ditë e më shumë këtë fshat, pasi mbi tetë familje janë larguar deri më tani. /kallxo.com
Subotica, vend-takimi i emigrantëve me kontrabanduesit
Në stacionin e autobusëve në Suboticë, qytet ky në veri të Vojvodinës, çdo ditë mbërrijnë rreth dhjetë autobus me qytetarë të Kosovës, qoftë përmes linjave të rregullta apo edhe jo të rregullta. Ky qytet shtrihet afër kufirit të Serbisë dhe Hungarisë, prej nga shtetas të Kosovës ia mësyjnë migrimit ilegal. Aty para stacionit të autobusëve në Suboticë, që ndodhet 20 kilometra nga kufiri me Hungarinë, qëndrojnë grupe njerëzish, burra, gra dhe fëmijë. Në duar, mbajnë valixhe, çanta të ndryshme që kanë marrë me vete gjatë rrugëtimit Prishtinë- Beograd deri në Suboticë.
Një punonjëse kujdestare në stacionin e autobusëve, Jellica Nikoliq rrëfen se përmes linjave të rregullta, çdo ditë nga Kosova mbërrijnë dhjetë autobus në këtë qytet, por sipas saj, mbërrijnë edhe autobus përmes linjave jo të rregullta.
“Ajo që ne evidentojmë nga hyrjet në stacionin tonë, janë edhe disa linja nga Bujanovci, Beogradi…, këto janë linja jo të rregullta. Në këso linjash jo të rregullta, përmes së cilave transportohen të ardhur nga Kosova ka rreth 6, 7 apo edhe 8 autobusë”, ka thënë Nikoliq për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë.
Sipas saj, autobusët e këtyre linjave jo të rregullta janë dy katësh dhe mund të transportojnë deri në 70 veta, kurse përmes linjave të rregullta nga 30 – 40 persona për një autobus.
Në fillim, rrëfen Nikoliq, kishte kryesisht të rinj që e merrnin rrugën e migrimit. Kurse kohët e fundit kjo ka ndryshuar.
“Në fillim kanë qenë të rinj, kryesisht rreth të tridhjetave. Por, në dhjetë ditët e fundit vijnë kryesisht familje me foshnja e fëmijë tre apo katër vjeç. Janë familje të tëra që vijnë”, rrëfen Jellica Nikoliq.
Tutje, në rrugën para stacionit janë të parkuar disa automjete. Aty shihen të rinj me çanta krahu që bisedojnë me shoferët. Madje, njëri prej vozitësve, i ofroi edhe ekipit të Radios Evropa e Lirë që t’i transportojë për 20 euro deri te një “destinacion tjetër”, duke menduar se janë emigrantë. Transporti i parë, përfshië shumën prej 20 – 30 euro, deri te një vend tjetër, ku më pas i presin grupe tjera që në shkëmbim të parave i orientojnë ata për në kufirin me Hungarinë.
“Të ofrojnë transport dhe as nuk të pyesin për ku, ngase e dinë. Transporti kushton 30 euro. Të lënë te një piceri. Aty të thonë se të presin të tjerët”, ka rrëfyer një qytetar nga Kosova.
Ky lokal, për të cilin flasin emigrantët, ndodhet në Paliq, një vend i njohur si destinacion turistik që ndodhet 10 kilometra larg Hungarisë. Por, ky nuk është vendi i vetëm ku dërgohen këta njerëz, pasi që ka edhe destinacione tjera që shpiejnë drejt Hungarisë.
Përgjatë rrugës kryesore në Paliq, shihen grupe njerëzish me valixhe në duar.
RFE: Prej nga po vini?
Qytetari: “Nga Kosova, Prishtina”.
RFE: Si keni ardhur këtu?
Qytetari: “Me autobus”.
RFE: E për ku jeni nisur?
Qytetari: “Tash po shkojmë diku të kalojmë natën, në hotel”.
RFE: Çfarë planesh keni?
Qytetari: “Nuk e di … sikurse edhe të tjerët. Dimë vetëm atë që kemi parë në televizor, s’dimë tjetër. Të shohim… ndoshta dikush do të na tregojë se në cilin drejtim të shkojmë”.
Një banor, tregon se grupe të tilla i sheh çdo ditë dhe se shumica prej tyre shkojnë drejt një shtëpie që ndodhet rreth 500 metra larg rrugës kryesore. Dhe ashtu ishte, për pak kohë, para asaj shtëpie shiheshin njerëz me valixhe duke pritur.
Ndonëse disa qytetarë të Kosovës, të cilët ekipi i Radios Evropa e Lirë i kishte takuar në Ashothalom të Hungarisë pendoheshin pse kishin marrë atë rrugë, të ardhurit e ri përmes Suboticës thonë se megjithatë shpresojnë se do ta kalojnë këtë aventurë të rrezikshme,”drejt një jete më të mirë”.
“Me 75 euro nuk jetohet. Kam tre fëmijë. Unë dhe gruaja fitojmë 75 euro. Dhe çka të bëjmë me to”, shtron pyetjen dhe dilemën njëri nga ata që kishte marrë këtë rrugë. Ndërkohë që ndërhyn edhe një qytetar tjetër, duke thënë se në Kosovë kanë një jetë shumë të rëndë.
“Nuk kemi para për miell. vetëm të kem një vend pune. Çfarëdo pune, jo punë çfarë kanë në Gjermani e Evropë…Ne nuk jemi Evropë. Ne jemi të varfër”, ka thënë ky qytetar. (rel)
KS i OKB-së diskuton sot për Kosovën
Në raportin tremujor të sekretarit të përgjigjëm të OKB-së, Ban Ki-moon zë vend të veçantë edhe migrimi i qytetarëve nga Kosova drejt vendeve të BE-sëKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debaton të premten raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, mbi zhvillimet në Kosovë.
Në raportin që përfshin zhvillimet në periudhën nga 16 tetori 2014 deri me 15 janar 2015, sekretari i përgjithshëm u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të themelojnë Gjykatën e posaçme për krime lufte, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje në krime lufte të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2010.
Në raport u bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit për angazhim në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Një pjesë të veçantë në raportin e sekretarit të përgjithshëm zë edhe shqetësimi për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi në rrugë të paligjshme.
Askush nuk i di numrat e saktë, por autoritetet thonë muajt e fundit është shtuar shumë numri i qytetarëve të Kosovës që po kërkojnë strehim në vendet e Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar rrugët nëpër territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në ndonjërin nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa diskutuan këtë çështje me ambasadorët e vendeve të BE-së në Prishtinë. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët e vendit, me mirëqenien e tyre dhe me migrimin e tyre, por kjo çështje duhet të trajtohet bashkërisht edhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ajo u tha ambasadorëve se “është shqetësues fakti se për shkak të marrëdhënieve aktuale me Serbinë, e cila ka hapur të gjitha portat për daljen e qytetarëve të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të drejtpërdrejt në zhvillimet në kufirin me Hungarinë”.
Në jë njoftim të zyrës së saj thuhet se presidentja Jahjaga, diskutoi edhe me kabinetin qeveritar mënyrat e zgjidhjes së çështjes së migrimit të paligjshëm ilegal, “përmes vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës për politikat e shteteve të BE-së ndaj azilkërkuesve, adresimit të shkaqeve të migrimit ilegal, forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit që do të parandalonte edhe grupet kriminale që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe ndërmarrjes së hapave për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.
Qindra qytetarë të Kosovës përpiqen çdo natë të sigurojnë një vend në një nga autobusët që udhëtojnë për në Serbi, prej nga pastaj në rrugë të paligjshme synojnë një jete më të mirë në vende të Evropës Perëndimore. Lëvizjet e tilla për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës. (voa)
Qeveria e Kosovës formon komision për faljen e borxheve ndaj shtetit
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të enjten, kjo e fundit ka miratuar vendimin për themelimin e një komisioni, i cili do të shqyrtojë mundësinë për faljen e borxheve për personat fizik dhe juridik.Falja e borxheve nga Qeveria e Kosovës, do të bëhet nga ana e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha borxhet që i kanë qytetarët deri më 31 dhjetor të vitit 2008.
Pas mbledhjes se qeverisë, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, e ka cilësuar të rëndësisë kapitale vendimin në fjalë.
Ai ka thënë se janë bërë vlerësimet paraprake për borxhet, që bizneset dhe qytetarët kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, tatimi në pronë, dhe borxhet ndaj ndërmarrjeve publike në energji, ujë, mbeturina dhe ngrohje.
Në afat prej një muaji, ka thënë ministri Hoti, ky komision do të dalë para qeverisë me propozimin për nivelin e këtyre borxheve dhe procedurat e mëtutjeshme për të legalizuar këtë vendim, në instancat e duhura të Republikës së Kosovës.
“Nuk ka ndryshim më të madh pas luftës që nga viti 1998 – 1999, se në vitin 2008. Prandaj, ne po planifikojmë të bëjmë një prerje në këtë vit, do të falim të gjitha borxhet që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shtetit dhe ndaj ndërmarrjeve publike”, ka thënë ministri Hoti.
Ai ka shtuar se qeveria është duke shqyrtuar edhe mundësinë që pas 31 dhjetorit 2008, të falen ndëshkimet dhe interesi për borxhet që qytetarët dhe bizneset nuk kanë paguar gjatë kësaj periudhe.
Ndryshe, kjo iniciativë mirëpritet nga ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, raste të tilla kanë ndodhur edhe në shtete të ndryshme, të cilat kanë pasur probleme të theksuara sociale.
Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës Për Studime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se puna e parë e komisionit duhet të jetë ndërtimi i kritereve dhe caktimi i kategorive se kush mund të përfitojë nga vendimi i qeverisë.
“Puna e parë e komisionit nuk duhet të jetë gjetja e shifrave se sa është totali i borxhit, qoftë si obligime fiskale apo shërbime të ndryshme publike, por së pari duhet të ndërtojë kritere, se kujt mund t’i falen borxhet, apo që të fshihen të gjitha borxhet e vjetra”.
“Ky model nuk është aq i aplikueshëm, sepse në shumicën e rasteve merren parasyshë rastet sociale, apo merren parasyshë rastet e qytetarëve më të hyra të vogla dhe pamundësi për pagesën e këtyre borxheve.” thekson Rexhepi.
Sipas Rexhepit, borxhet më të mëdha të konsumatorëve kanë qenë ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, tashmë pas privatizimit, Distribucionit për Furnizim më Energji Elektrike (KEDS), dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Ndryshe, sipas deklaratave të zyrtarëve të disa ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore, dhënë Radios Evropa e Lirë, deri në vitin 2010, thuhet se mbi 320 milion euro ka qenë shuma e konsumatorëve që kanë borxh ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, që nga përfundimi i luftës deri në mesin e dhjetorit të vitit 2007.
Ndërkaq, borxhi i përgjithshëm që tatimpaguesit kanë ndaj Administratës Tatimore deri në tetor të vitit 2008, është mbi 241 milionë euro, prej të cilave rreth 60 milionë euro janë ndëshkime.
Borxhi i konsumatorëve ndaj Ngrohtores se Qytetit “Termokos”, deri në fund të dhjetorit të vitit 2010 ka arritur në 5 milionë e 800 mijë euro. (rel)
Vuçiq kërkon që rasti “Jabllanoviq” të diskutohet në Bruksel
Për pjesëmarrjen e mëtutjeshme të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në institucione, do të vendoset pas takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel më 9 shkurt.Ky ishte konkluzioni që është prezantuar pas takimit të mbajtur në Beograd, ndërmjet përfaqësuesve të Listës Serbe me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Shqyrtimi i pjesëmarrjes në institucione, pasoi vendimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të largojë nga qeveria ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë pas takimit të zhvilluar me Listën Serbe në Beograd se shkarkimi i Jabllanoviqit, e ka përkeqësuar situatën para bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
“Kemi marrë vendim që hapat e ardhshëm t’i ndërmarrim në interesin e komunitetit serb në Kosovë dhe në interesin e gjithë Serbisë”, ka thënë Gjuriq.
Sipas tij, javën e ardhshme, kryeministri dhe Qeveria e Serbisë do t’i ftojnë në një takim të përbashkët në Beograd të gjithë përfaqësuesit serbë nga Kosova, përfshirë këtu ministrat, deputetët dhe kryetarët e komunave.
Ky takim, pritet të mbahet pas raundit të ri të bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 9 shkurt.
Ndërkohë, Aleksandar Jabllanoviq, i shkarkuar nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, sërish ka deklaruar se nuk ndihet i fajshëm për deklaratën e tij.
Ai më 6 janar i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë të cilët po përpiqeshin t’i pengonin pelegrinët serb të vizitojnë Gjakovën për Krishtlindjen Ortodokse.
Edhe pse Jabllanoviq kishte kërkuar falje për deklaratën e bërë, kjo situatë kishte nxitur më pas protesta të fuqishme si nga shoqatat e familjarëve të personave të pagjetur të luftës dhe sidomos nga opozita, pas të cilave, kryeministri Isa Mustafa vendosi që të largojë atë nga posti.
Por, Jabllanoviq, vazhdon ta konsiderojë largimin e tij si veprim jo adekuat nga kryeministri i Kosovës.
“Ndihem mirë. E di që nuk kam bërë asgjë të keqe. E di po ashtu që detyra jonë në Kosovë është që të mbrojmë interesat e serbëve dhe të ndihmojmë që të gjithë të dëbuarit të kthehen sërish në Kosovë”, ka deklaruar Jabllanoviq në Beograd.
Me këtë rast, ai i i është referuar Aleksandar Vuçiqit si kryeministër i tij.
Në takimin e ditës së enjte në Beograd, kanë marrë pjesë Aleksandar Jabllanoviq, Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës dhe Bratisllav Nikolliq, kryetar i zgjedhur i komunës së Shtërpcës dhe kryetar i paligjshëm i emëruar nga Beogradi, i po të njejtës komunë.
Vendimi i kryeministrit Isa Mustafa për largimin e Jabllanoviqit, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi nuk pritet që të ketë ndikim në përfaqësimin e serbëve dhe këtij subjekti politik në institucionet e Kosovës.
“Ne besojmë në konstruktivitetin dhe partneritetin me Listën Serbe dhe jemi të hapur për bashkëpunim. Është një vendim që është marrë nga kryeministri dhe besoj që ka hapësirë të punojmë me Listën Serbe në realizimin e objektivave të qeverisë, integrimin e veriut, e gjithashtu edhe integrimin e komunitetit serb brenda Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abrashi.
Ministri tashmë i shkarkuar, Aleksandar Jabllanoviq, i takon subjektit politik me emrin Lista Serbe, që është krijuar nga Beogradi me qëllim që të përfaqësojë komunitetin serb në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Me këtë mbështetje që mori nga Beogradi, ky subjekt politik arriti që t’i dominojë të gjitha partitë tjera serbe dhe tani përfaqësohet me një zëvendëskryeministër, dy ministra, nëntë deputet si dhe ka nën udhëheqje nëntë komuna të Kosovës. (rel)
Rruga drejt “azilit” në Bashkimin Evropian
Rrugëtimi i qytetarëve të Kosovës për të migruar në mënyrë jo të rregullt në vendet e Bashkimit Evropian po vazhdon.Në Ashothalom dhe Morahalom, qytete që gjenden përreth brezit kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, janë ndaluar disa qytetarë nga Kosova që kanë kaluar paligjshëm kufirin.
Laslo Torockai, prefekt i qytetit Ashothalom, aty ku fillimisht zbarkojnë emigrantët e paligjshëm, thotë se nëse nuk ka ndonjë ndryshim në këtë trend, ekziston vetëm një mundësi.
“Mundësia e vetme është ngritja e një rrethoje përreth kufirit. Kjo nuk do të ishte një rrethojë e rëndomtë, por sikur ajo që ekziston përgjatë kufirit meksikan. Do të duhet të vendoset sërish shërbimi kufitar që do të patrullonte përgjatë kësaj rrethoje”, thotë Torockai, për Radion Evropa e Lirë.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, i cili gjendet në anën hungareze të kufirit, njofton se ata që kërkojnë azil, evidentohen dhe marrin një afat prej 24 orësh që të lajmërohen në disa qendra strehimi në Hungari, ku do të duhej të qëndronin deri në marrjen e ndonjë vendimi për kërkesën e tyre për azil.
Ata gjithashtu pajisen me një dokument për transport falas hekurudhor gjatë kësaj periudhe. Por, disa prej tyre, këtë dokument një-ditësh e shfrytëzojnë që prej Hungarisë të kalojnë në vendet e destinacionit të fundit, para së gjithash në Austri dhe Gjermani.
Ndërkaq, ata që nuk kërkojnë azil, dërgohen në qendra të një lloji më të mbyllur, që duken si qendra paraburgimi, ku presin deri në riatdhesimin e tyre.
Një qendër e tillë gjendet në Kishkunhallash, e që është e rrethuar me tela gjemborë dhe policia nuk lejon hyrjen e gazetarëve brenda.
Kjo qendër bashkëpunon me organizatën joqeveritare hungareze “Menedek”, që do të thotë “Strehim”.
Zhuzhana Perak nga kjo organizatë, merret me ndihmën për emigrantët dhe sipas saj, aktualisht në këtë qendër janë rreth 100 persona.
“Qendra e mbulon ushqimin tre herë në ditë, kurse fëmijëve pesë herë në ditë, kujdesin mjekësor dhe akomodimin. E gjitha kjo bëhet në këtë institucion të mbyllur, që do të thotë se ata nuk kanë mundësi ta braktisin objektin”.
“Organizojmë edhe aktivitete të lira, për të zvogëluar traumat psikike që mund t’i përjetojnë duke qenë se janë në një institucion të mbyllur. Gjithashtu, i përgatisim për kthimin e tyre në vendin e origjinës, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare, policinë, autoritetet. Përpiqemi t’i informojmë gjithashtu se cilat janë pasojat e migrimit të paligjshëm, si dhe çka i pret në Perëndim, sepse shpesh kanë një pasqyrë të gabueshme për mundësitë që kanë”, tha zonja Perak.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë debatuar serish lidhur me migrimin e paligjshëm të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ata kanë deklaruar se kushtet e vështira ekonomike janë një nga arsyet kryesore të këtyre ikjeve nga vendi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, tha se në Kosovë duhet të krijohet një ambient i sigurtë duke zbatuar ligjet.
Ai tha se zhvillimet e fundit politike pas zgjedhjeve të fundit, kanë krijuar një ambient mosbesimi në institucionet e Kosovës nga qytetarët.
“Së bashku mund dhe duhet të punojmë shumë për të kthyer shpresën e qytetarëve të vendit tonë dhe të jemi komunikues ndaj qytetarëve tonë si pozita ashtu edhe opozita”, tha Mustafa.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, tha se qytetarët që po ikin nga Kosova nuk duhet fajësuar dhe se të drejtën për mirëqenie më të mirë nuk mund t’ua mohojë askush.
“Ata kanë humbur çdo shpresë, të cilët duke sharë e mallkuar, i bashkohen eksodit të varfërisë, për të ndërtuar larg atdheut të tyre atë që u ka mbetur nga jeta dhe t’u japin një mundësi për jetë më të mirë fëmijëve që i mbajnë në krah në këtë rrugëtim të dhimbshëm e të mundimshëm”, tha Dërguti.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, duke i kërkuar qeverisë së Kosovës të parandalojë migrimin e paligjshëm.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë shans që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë, dërguar më 3 shkurt Radios Evropa e Lirë.
* Ekipi në Hungari: Ognjen Zoriq, Norbert Shinkoviq, Shërbimi për Ballkanin