Kategoritë: Maqedonia

Lajçak: Maqedonia, vendi i vetëm ku është më keq se para 10 viteve

lajcakMinistri i jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak në Luksemburg në Këshillin e ministrave të punëve të jashtme të BE-së, ku u nxorën konkludimet për Maqedoninë, për mediumet përshkroi debatin ministror për Maqedoninë.

“Duhet hetim i pavarur dhe objektiv. Nëse ajo nuk bëhet atëher është e mundshme që të ketë destabilizim në Maqedoni”-kështu ka deklaruar ministri i jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak për situatën e fundit në Maqedoni.

“Më shumë shqetësim e ndjek situatën, pasi prezantimet e liderit të opozitës janë shumë serioze dhe Maqedonia është shtetë kandidat për në Bashkimin Evropian, mendoj se ajo është çështje që shefat e diplomacive të BE-së duhet t’a diskutojnë. Patjetër të zbulojmë se ku është e vërteta. Ajo është me rëndësi, jo vetëm për ne, por edhe për gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ka deklaruar Lajçak duke shtuar se hetimet janë mënyra e vetme që të pengohet destabilizimi”.

Ministrat e jashtëm të BE-së dje pasdite miratuan konkludimet për Maqedoninë ku shprehën “shqetësimin e thellë”, por edhe mbështetjen e tyre për marrëveshjen e 2 qershorit si bazë për marrëveshje përfundimtare dhe kërkuan zgjidhje afatgjatë të arrihet deri në fund të muajit. (lajm)

BE, thirrje Maqedonisë t’i japë fund krizës

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian u ka këruar të marten drejtuesve politikë të Maqedonisë që t’i japin fund krizës politike dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, në bazë të marrëveshjes së 2 qershorit.

Këshilli ka miratuar konkluzionet për Maqedoninë, duke kërkuar realizimin e shpejtë të reformave dhe hetime mbi veprimet e mundshme kriminale që dalin nga skandali i përgjimeve.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, vendi i të cilit është kryesues i
radhës me Bashkimin Evropian, ka thënë se shpreson që mesazhi i Këshillit të Ministrave do të dëgjohet në Shkup, “por nëse gjendja nuk ndryshon atëherë BE do të shikojë se ç’farë masash mund të ndërmarrë”, është shprehur ai.

Ministri letonez ka shtuar se marrëveshja e 2 qershorit do të kthente vlerat demokratike në vend, përfshirë marrëdhëniet e mira ndëretnike përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe forcimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve fqinjë. Ministri Rinkēvičs ka nënvizuar nevojën për reforma në fushën e sundimit të së drejtës, pavarësinë e gjyqsorit, median, reformat zgjedhore, çështjen e korrupsionit dhe atë të politizimit të institucioneve shtetërore.

Kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet që t’i miratojnë këto konkluzione ditën e enjte dhe të premte.

Katër drejtuesit e partive kryesore në Maqedoni do të takohen sërish më 29 qershor, në pritje të një marrëveshjeje për formimin e një qeverie të përkohëshme, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohëshme të planifikuara për muajin prill të vitit 2016.

Burime të afërta me dy partitë rivale maqedonase, VMRO dhe Lidhja Social Demokrate thonë se kryeministri aktual Nikolla Gruevski mund të largohet nga detyra gjashtë muaj para zgjedhjeve të parakohshme. (voa)

Kriza politike: Gruevski të dorëhiqet në tetor, ministrat të kenë mbikëqyrës me të drejtë veto-je

gruevskiKryeministri aktual Nikolla Gruevski të mbetet në krye të Qeverisë deri në tetor të këtij viti, ndërsa në udhëheqjen e ministrive të kyçen mbikëqyrës me të drejtë veto-je në vendimet e ministrit. Ky është skenari më i përfolur si zgjidhje e mundshme më 29 qershor, në takimin final mes palëve. Sipas burimeve të ndryshme, ky skenar është shqyrtuar edhe në Bruksel dhe palët kanë përafruar qëndrimet, por nuk kanë gjetur marrëveshje përfundimtare. Mbeten ende për tu sqaruar detajet se kush do ta udhëhiqte Qeverinë pas tetorit dhe nëse mandati i Gruevskit do të pushonte me dorëheqje politike, ose me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke sjellë dispozitë që do të detyronte krerët e partive politike të mos bartin funksionin e kryeministrit një kohë të caktuar përpara zgjedhjeve. Partitë politike nuk i komentojnë zyrtarisht këto spekulime, por kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, pas takimit me ambasadorin italian Ernesto Beleli, ka theksuar edhe njëherë nevojën e largimit të Gruevskit 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe krijimin e një mekanizmi për kontrollin e institucioneve të sistemit.

“Zaev e sqaroi nevojën për tërheqjen e Gruevskit 6 muaj përpara zgjedhjeve, bashkë me nevojën që qytetarët të kenë besim në procesin zgjedhor, pa shantazhe, kërcënime, blerje të votave, shfrytëzimin e resurseve institucionale dhe kadrovike nga pozita e fuqisë politike, në qëllime të grupit të ngushtë në pushtet”, thuhet në komunikatën e LSDM-së pas takimit me Belelin.

Nga ana tjetër, Brukseli nuk humb kohë për të filluar implementimin e marrëveshjes së 2 qershorit të arritur në Shkup. Këtyre ditëve eksperti belg, Piter Vanhojt po qëndron në Shkup në takime me përfaqësuesit e partive politike, për të shqyrtuar format e përmbushjes së paragrafit 4 të pikës së 6 të marrëveshjes së 2 qershorit. Ky paragraf  parashikon që:

“Në mes të Qershorit dhe fundit të Gushtit 2015, BE do të lehtësoj dialogun ndërpartiak (i hapur për të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament) për të arritur një marrëveshje mbi çështjet e reformave strukturore. Kjo marrëveshje do të përfshinë edhe reformat që duhet të ndërmerren në fushat e Kapitujve 23 dhe 24, përfaqësim dhe funksionim i pavarur i organeve relevante shtetërore, liri më të madhe mediatike dhe përputhje të plotë me Opinionet dhe Rekomandimet e Komisionit të Venedikut”.

Në këto takime po shqyrtohen detajet teknike për përmbushjen e kësaj pike të marrëveshjes, nëse do të punohet me grupe pune, Komisione Anketuese ose të ngjashme. Sidoqoftë, marrëveshja do të jetë e kushtëzuar dhe përmbushja e saj do të varet nga rezultati përfundimtar i bisedimeve të 29 qershorit. Marrëveshja e 2 qershorit mes tjerash obligon partitë që të zbatojnë rekomandimet e Raportit kritik të Pribe-së, të shpërndarë ditë më parë nga Komisioni Evropian. Kryeministri Gruevski deri tani nuk e ka komentuar as përmbajtjen e Raportit, as rekomandimet që duhet të përmbushë pushteti. Benjamin Arifi   

Aksioni policorë në Kumanovë, Çavkov: Nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtarë

CavkovMinistri i punëve të  brendshme ende nuk e ka lexuar raportin e Komisionit Evropian, ku  qartë thuhet se Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit në emër të pushtetit i kontrollon bartësit e funksionarëve të larta në Maqedoni. Gjatë vizitës së sotme në Kumanovë Mitko Çavkov megjithatë, tha se ka kuptuar diçka nga mediat rreth vërejtjeve.  Në pyetjet e Alsatit ai shtoi se të njëjta do të shqyrtohen.

“Akoma zyrtarisht nuk e kam marr atë raport. Por, sigurisht që jam njoftuar përmes mediave me një pjesë të rezultateve të tjera”, u shpreh Mitko Çavkov, Ministër i Punëve të Brendshme.

Ka shumë vërejtje për DSK-në çfarë do të ndërmerrni?

“Shikoni nga viti 2006 e  këndej në MPB janë bërë shumë reforma në organizim, në strukturë dhe në funksionimin e saj. Është bërë shumë dhe kjo është evidentuar përmes raporteve vjetore të BE-së të progresit që  Maqedonia realizon në atë pjesë ashtu që në kontekst të pyetjes suaj jemi të vetëdijshëm se kemi, dobësi të caktuara. Këto dobësi do të shqyrtohen, edhe pse shqyrtohen një periudhë më të gjatë, deri tani, mirëpo në mënyrë adekuate do të reagohet për eliminimin  mangësive të këtilla, me siguri proceseve të caktuara reformuese”, u përgjigj Çavkov.

Raporti për të cilin ministri thotë se zyrtarisht nuk e ka pranuar në opinion e publikoi personalisht eurokomesari Johanes Han edhe atë para 4 ditëve. Në të mes tjerash thuhet.
Për vëzhguesin e jashtëm duket se Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit punon në emër të pushtetit jashtë mandatit ligjor që t’i kontrollojë funksionarët e  lartë në administratën publike, prokurori, gjykatësit dhe kundërshtarët politik ku si pasojë ndryjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera kombëtare”.

Më tej në raport thuhet se:

Skandali aktual tregon mosrespektim të etikës profesionale,  të parimeve bazë të menaxhimit të rrezikshëm dhe mungesën e njohjes së ndjeshmërisë së detyrave kundërzbuluese në kuadër të DSK-së. Lidhshmëria familjare në pozitat e larta dhe funksionarët e lartë në DSK si dhe në Prokurorinë publike krijojnë mjedis interesash”.

Në Raport ka edhe një sërë rekomandimesh emergjente sipas të cilëve DSK-së duhet t’i pamundësohet drejtpërdrejtë të kap sinjal, por edhe t’i merret monopoli mbi pajisjen për ndjekje të komunikimit. Përqendrimi i pushtetit në policinë sekrete në fakt theksohet edhe si shkak për tejzgjatjen e skandalit në Maqedoni.

Përveç për raportin e KE-së, Çavkov foli edhe për hetimin e ngjarjes së Kumanovës më 9 dhe 10 maj. Sipas tij polica ka bërë pjesën e saj dhe pritet që edhe të njëjtën ta bëjë edhe prokuroria publike.

“Pra ne si MPB pjesën tonë të aktiviteteve e kemi mbaruar. Me zbatimin e ekspertizës në vendngjarje me të cilën udhëhiqte Prokuroria publike, janë marrë dhe siguruar të gjitha gjurmët si dëshmi për ngjarjen. Tani pritjet tona sikurse edhe tuajat janë që Prokuroria publike në një proces gjyqësor efektiv dhe transparent t’i zbardh të gjitha rrethanat e ngjarjes së Kumanovës”, tha Mitko Çavkov ministër i MPB-së.
.
A ka kërkesa  në MPB për hetim ndërkombëtar?

“Nuk ka kërkesa, dhe sipas sime të thellë nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për këtë rast”, u përgjigj Çavkov.

Në një pyetje të gazetarëve për motivet e grupit të Kumanovës por edhe për informacionet, për kontakte mes udhëheqësve të grupit dhe të punësuarve në shërbimet sekrete Çavkov përsëri tha se hetimi është në Prokurorinë publike dhe gjithçka do të dihet përmes, procedurës gjyqësore. Ai shtoi se njëri prej motiveve të grupit të armatosur ka qenë destabilizimi i shtetit. Për kontaktet eventuale mes të punësuarve në shërbimet sekrete të Maqedonisë dhe liderit të grupit të Kumanovës Alsat M edhe sot bëri pyetje në Agjencinë e Inteligjencës dhe në Kabinetin e presidentit Ivanov. Nga të dyja instiucionet nuk ka përgjigje edhe pse presidenti në intervistë para disa ditëve deklaroi se nuk kanë se çfarë të fsheh në lidhje me rastin e Kumanovës. Alsat-M

Formohet Lëvizje e re shqiptare, kërkohet federalizim i Maqedonisë

unitetiTe shtunën, në Tetovë, një numër i shoqatave të pavarura shqiptare dhe aktivistëve civil, nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova dhe Shkupi, nënshkruan bashkërisht, Aktin themeltar te  Lëvizjes, UNITETI, raporton “lajmpress”. Ja çka thuhet në kumtesën e lëshuar pas themelimit të kësaj lëvizje, ku si një ndër kërkesat kryesore përmendet federalizmi i Maqedonisë:

Çështja jonë kombëtare gjendet para sfidave të mëdha, sidomos atyre integruese ndërshqiptare dhe euroatlantike, në përballjen me të cilat klasa politike shqiptare ka shfaqur dhe shfaq mungesë përgjegjshmërie dhe pamaturi politike.

Në këto kushte dhe me qëllim që t’i jepet më shumë zë dhe më shumë peshë opinionit publik për problemet kombëtare, del domosdoshmëri krijimi i një organizmi, bashkimi vullnetar dhe civil që do shërbejë, sa si zë origjinal e autokton i popullit të pakrahë, ashtu edhe si korrektor i pozitës dhe opozitës shqiptare bashkë.

Shqiptarët bashkë

Në funksion të realizimit të idesë për bashkimin e organizatave, aktivistëve dhe intelektualëve të pavarur shqiptarë në IRJ të Maqedonisë, të shtunën, datë 20 qershor 2015, në Tetovë, u nënshkrua nga përfaqësues të Shoqatave të pranishme, Akti themeltar i Lëvizjes Civile, “UNITETI”. Nënshkruesit vinin nga qytete të ndryshme të vëndit, nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova dhe Shkupi.

Si pikë kryesore programore e Lëvizjes civile, UNITETI, është bashkimi i potencialit tonë intelektual e atdhetar për të ndikuar në politikëbërjen, për të kontribuuar në arritjen e barazisë nacionale dhe ekonomike sociale midis të shqiptarëve dhe maqedonasve në IRJM.

Objektivat kryesore të Lëvizjes civile, UNITETI janë:

Mbrojtja e historisë, e traditave, e gjuhës shqipe, e kulturës, e të drejtave ekonomike-sociale e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në të gjitha regjionet e IRJM-së.

Riorganizimi kushtetues sipas të cilit vendi shpallet Republikë e dy Kombeve të barabarta dhe konstitutive, të numëruara taksativisht në aktin më të lartë politik dhe juridik, Kushtetutë, pra maqedonas dhe shqiptarë

Ndarja fikse e buxhetit me kuota proporcionale të përcaktuara qartë në Kushtetutë

Federalizimi territorial i vendit ose federalizimi asimetrik, me Kryeqytetin e vendit si njësi e veçantë administrative (Modeli boshnjak, belg, zviceran)

Lëvizja do të zhvillojë një punë dhe aktivitet konkret në ndihmë të komunitetit tonë të diskriminuar sa nga regjimi maqedonas aq edhe nga përfaqësuesit tanë në pushtet.

Njëherit.

Lëvizja civile, UNITETI, fton gjithë shoqatat e mirëfillta të pavarura nacionale shqiptare në IRJ të Maqedonisë, intelektualët e pavarur, njerëzit vullnetmirë dhe aktivistët e pavarur, të bashkangjitet kësaj iniciative civile për mbrojtjen e shqiptarëve këtu.

Situata në Maqedoni pikë kryesore në Samitin e BE-së

eu flamujSituata në Republikën e Maqedonisë dhe gjithçka që ndodh në vend do të jetë temë kryesore e diskutimit të Këshillit të sotëm për punë të jashtme (FAK) të Bashkimit Evropian që do të mbahet në Luksemburg.

Sipas programit që e shpalli presidenca letoneze me Këshillin e BE-së, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Unionit, si pikë qendrore të mbledhjes e kanë situatën politike në Republikën e Maqedonisë.

Sipas agjendës, shefat e diplomacive të vendeve të BE-së, për vendin tonë do të bisedojnë me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, ndërsa pas mbledhjes së pasdites me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun. Konkluzionet që do t’i sjellë Këshilli i BE-së, këtë të enjte dhe të premte do të miratohen nga ana e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së në Samitin e Këshillit Evropian.

“Në prill të këtij viti, Këshilli shprehu “shqetësim serioz në lidhje me përkeqësimin e situatës në vend, veçanërisht në fushën e qeverisjes të të drejtës, të drejtat themelore dhe lirinë e mediave”. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të ndërmarrin përgjegjësi dhe të ndërmarrin masa urgjente të drejtuara kah sigurimi i zgjidhjes së përmbajtur dhe në mënyrë konstruktive të përfshihen ta rifillojnë dialogun politik dhe ta kthejnë besimin në institucione”, citohet në paralajmërimin për debat për Maqedoninë që sot do ta kenë ministrat e punëve të jashtme të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian. (alsat)

Takimi i liderëve mbaroi pa marrëveshje konkrete, takohen sërish më 29 qershor

gruevski zaevTentativa e fundit për marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e krizës politike do të zhvillohet më 29 qershor në Shkup. Ky është rezultati i sotëm pas takimit 1 orësh të 4 liderëve politik, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, me ndërmjetësimin e ambasadorit të Bashkimit Evropian Aivo Orav dhe të SHBA-ve Xhes Bejli. Palët janë marrë vesh që të bëjnë përpjekjen e fundit në fund të muajit dhe nëse nuk arrijnë asnjë marrëveshje, të ndërpriten përfundimisht bisedimet. Liderët ranë dakord gjithashtu edhe për kthimin në piedestal të Marrëveshjes së Përzhinos, të arritur më 2 qershor, e cila mbeti as në tokë as në qiell pas dështimit të bisedimeve të 10 qershorit.

“Ne liderët e partive kryesore politike sot u pajtuam që ta riafirmojmë zotimin tonë ndaj Marrëveshjes së 2 qershorit si dhe të vazhdojmë me bisedimet për implementimin e plotë të saj në nivel liderësh më 29 qershor. Ne gjithashtu përkrahim menaxhimin transparent nga ana e BE-së me tekstin e kësaj marrëveshje si dhe me të gjitha rekomandimet specifike në lidhje me reformat sistemore në fushën e sundimit të së drejtës, që do të zbatohen në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 4 liderëve.

Marrëveshja e 2 qershorit mes tjerash obligon pushtetin që t’i zbatojë të gjitha rekomandimet nga Raporti Pribe, i cili përmban kritika të ashpra dhe të drejtpërdrejta ndaj pushtetit lidhur me sundimin e ligjit. Nga LSDM-ja thonë se edhe pse nuk kanë obligim eksplicit që të mos vazhdojnë me publikimin e bombave deri më 29 qershor, sipas të gjitha gjasave nuk do të publikojnë materiale të përgjuara deri në takimin e ardhshëm. Euro-komisari Johanes Han dhe euro-deputetët e përfshirë në bisedimet janë ftuar të ndërmjetësojnë këtë raund bisedimesh, por deri tani nuk ka konfirmime për pjesëmarrjen e tyre. Nëse konfirmohet ndërmjetësimi i Hanit, data e bisedimeve mund të lëvizë 1 ose 2 ditë varësisht nga agjenda e tij dhe euro-deputetëve. Benjamin Arifi

Fokus: Johannes Hahn, aksioner në projektin “Shkupi 2014″

HahnKomisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, vazhdon të jetë shënjestër e kritikave dhe sulmeve nga ana e mediave maqedonase.

Në numrin e saj të fundit revista “Fokus” sjell një hulumtim ku përmend lidhjet e biznesit që ka Hahn me Maqedoninë.

“Pa marrë parasysh se cili është roli në negociata i komisionarit Hahn, i cili është aksionar në një kompani austriake që ka ndërtuar objekte në projektin “Shkupi 2014″, është fakt se Gruevski me mjeshtëri po eskivon gjitha apelet për verifikimi të krimit që shpalosin “bombat”.

“A munden SHBA-të ta prejnë Nyjën e Gordit në skenën politike?”, shkruan revista “Fokus”. (alsat)

Maqedonia dhe Kosova vendet më jostabile në Ballkan

policia MKKush janë vendet më stabile dhe më jostabile në Ballkan dhe botë, sipas “Global Peace Index 2015″.

Maqedonia dhe Kosova konsiderohen si vendet më jostabile në Ballkan.

Ky vlerësim del nga hulumtimi i realizuar nga Instituti “Global Peace Index 2015″.

Sipas vlerësimeve të bëra, Maqedonia është vendi më jostabil në Ballkanin Perëndimor i renditur në vendin e 71. Më pas radhitet Kosova në vendin e 69, dhe pas saj Mali i Zi në vendin e 57.

Sipas kësaj liste, vendi më i qetë në Ballkan është Kroacia e cila zë vendin e 27-të nga gjithsej 162 vende, ndërkohë pasojnë Serbia në vendin e 46, Shqipëria e 52-të dhe Bosnje e Hercegovina e cila ndodhet vendin e 53-të të listës.

Nga vendet e rajonit të gjerë të Ballkanit, vendi më i qetë është Sllovenia e cila ndodhet lartë në vendin e 15-të listës, dhe pasojnë Hungaria (22), Sllovakia (23), Rumania (26) Bullgaria (32) dhe Greqia në vendin e 61.

Vendi më i qetë në botë është Islanda, ndërsa vendi më jostabil është Siria. Vendet më jostabile të kontinentit evropian janë Rusia dhe Ukraina, të cilat më shumë se një vit janë në marrëdhëniet mjaft të tensionuara.

Sipas kësaj liste, vendet më stabile në botë janë: Islanda, Danimarka, Austria, Zelanda e Re, Zvicra, Finlanda, Kanadaja, Japonia, Australia dhe Republika Çeke. Pas tyre vijojnë Portugalia, Irlanda, Suedia, Belgjika, Sllovenia, Gjermania, Norvegjia, Butani, Polonia dhe Holanda.

Ndërsa, nga vendet më jostabile në botë janë: Siria, Iraku, Afganistani, Sudani Jugor, Republika e Afrikës Qendrore, Somalia, Sudani, Kongo, Pakistani dhe Koreja e Veriut.

Instituti për Ekonomi dhe Paqe, i cili ka publikuar raportin ka përdorur 23 kritere në mënyrë për të marrë rezultate, duke përfshirë nivelin e dhunës, nivelin e vrasjeve, jostabilitetin politik dhe numrin e vdekjeve në konflikt të brendshëm. (INA)

Engel: Shqiptarët në Maqedoni duhet të kenë status të barabartë

eliot engelKongresisti amerikan Eliot Engel deklaroi për INA se është i pakënaqur nga mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

“Jam i pakënaqur me mosrespektimin e Qeverisë së Maqedonisë së Marrëveshjes së Ohrit. Unë mendoj se ka shumë punë për të bërë, ngaqë mendoj se Maqedonia, është një vend i rëndësishëm, dhe aleat i Shteteve të Bashkuara. Ne kemi mbështetur këtë vend që të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. Por dua që të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke përfshirë edhe shqiptarë, duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të jenë të barabartë”, deklaroi për INA, kongresisti Engel, pas një takimi që zhvilloi në Uashington me kryetarin e Lëvizjes për Reforma të PDSH-së, Ziadin Sela.

Ai ka theksuar se ka qenë i shqetësuar për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë dhe për ngecjen në planin e dialogut politik. I pyetur për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, Engel ka theksuar se ata duhet të kenë të drejta të barabarta.

“Së fundi jam edhe i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh me komunitetin shqiptar në Maqedoni. Unë dëshirojë t’ju sigurojë me këtë rast që shqiptarët në Maqedoni, duhet të trajtohen njësojë si të gjithë qytetarët, të jenë me të drejta të plota dhe të pa nëpërkëmbura”, deklaroi Engel, duke premtuar se gjatë disa javëve të ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Maqedoni.

“Pas disa javëve do të jem në Maqedoni, duke shpresuar se mund të takohemi dhe të flasim për disa probleme, edhe me liderët e tjerë shqiptarë”,  deklaroi kongresisti demokrat, që është edhe anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan.  (B.Sina/INA)