Kategoritë: Shëndeti

OBSH: 1.4 milionë jetë të shpëtuara në Evropë nga vaksinat kundër COVID-19

OBSHCOVID Vaccines

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksinat kundër COVID-19 kanë shpëtuar të paktën 1.4 milionë jetë në mbarë rajonin evropian. Ndërsa stina e dimrit sjell një valë sëmundjesh të rrugëve të frymëmarrjes, zyrtarët e OBSH-së theksojnë rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19 dhe gripit veçanërisht për grupmoshat e rrezikuara. Të dhënat e fundit tregojnë se disa vende të BE-së po përjetojnë një rishfaqje të rasteve me COVID-19.

Pandemia e COVID-19, që përfshiu Evropën nga marsi i vitit 2020, u ka marrë jetën 2 milionë njerëzve në të gjithë rajonin. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se falë përpjekjeve të vaksinimit janë shpëtuar 1.4 milionë jetë.

“Sot ka 1.4 milionë njerëz në rajonin tonë, shumica prej të cilëve të moshuar, të cilët po shijojnë jetën me të dashurit e tyre sepse ata morën vendim jetik për t’u vaksinuar kundër kovidit. Kjo tregon fuqinë e vaksinave. Provat janë të pakundërshtueshme”, thotë Dr. Hans Kluge, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ai thotë se në zonën që mbulon drejtoria e OBSH-së për Evropën, e cila përfshin rreth 53 vende dhe Azinë Qendrore, shkalla vdekjeve mund të kishte qenë rreth 4 milionë.

Të dhënat e fundit tregojnë se disa vende të BE-së po përjetojnë një rishfaqje të rasteve të COVID-19, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për përhapjen e gripit dhe sëmundjeve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.

“Jemi të shqetësuar lidhur me njoftohet për shtimin e barrës nëpër disa spitale dhe numrin e lartë të infektuarve nëpër dhomat e urgjencës si rezultat i përhapjes së viruseve të rrugëve të frymëmarrjes”, thotë Dr. Hans Kluge me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Zyrtarët e OBSH-së rekomandojnë vaksinimin kur është e mundur, mbajtjen e maskave dhe rekomandojnë ajrosjen e bollshme të mjediseve të brendshme. Tashmë, disa vende po marrin hapa parandalues.

Në Spanjë, përdorimi i maskave nëpër spitale dhe qendrat e kujdesit shëndetësor është bërë i detyrueshëm pasi javët e fundit spitalet gjenden nën një trysni të madhe.

Zoti Kluge thekson gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbikëqyrjes dhe vëzhgimit për raste të COVID-19 dhe sëmundjeve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.

“Një nënvariant i ri i COVID-19, i njohur si JN.1 po zëvendëson me shpejtësi variantet e tjera. Aktualisht është nënvarianti më i zakonshëm që raportohet në të gjithë botën dhe më dominuesi që qarkullon në rajonin tonë”, thotë zoti Kluge.

Meqenëse i përket variantit omikron, vaksinat aktuale ende mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje.

“Ndonëse ende nuk ka prova që sugjerojnë se nënvarianti JN.1 është më i rëndë, natyra e paparashikueshme e këtij virusi tregon se sa jetike është që vendet të vazhdojnë të monitorojnë për çdo variant të ri”.

Javën e kaluar, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se në dhjetor janë raportuar 10,000 vdekje nga COVID-19 në shkallë botërore ndërsa në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore është shtuar ndjeshëm numri i shtrimeve në spitale.

voa

Ekspertët: Disa minuta ushtrime fizike në ditë mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës

ushtrimeHulumtuesit thonë se një aktivitet i moderuar fizik, vetëm për disa minuta në ditë, mund të sjellë përfitime tek zemra e personave që nuk merren me ushtrime fizike. Studimet tregojnë se një ecje prej rreth 20 minutash në ditë, e ndjekur nga disa ushtrime në shtëpi për shtendosjen e muskujve dhe trupit, mund të ndihmojë në ruajtjen e zemrës dhe shëndetit në përgjithësi.

Pas qëndrimin ulur për një kohë të gjatë edhe ushqimeve të shumta gjatë sezonit të festave, Viti i Ri ofron një shans për të bërë ushtrime fizike shumë të nevojshme për trupin.

Një vrapim i shkurtër në park padyshim që do të sillte disa përfitime. Hulumtuesit thonë se vazhdimi i ushtrimeve fizike të moderuara është i mirë për shëndetin në përgjithësi.

“Ke më shumë përfitime nëse zëvendëson dhjetë minuta ulur me dhjetë minuta qëndrim në këmbë. Të gjitha hulumtimet tregojnë se sa i dëmshëm është qëndrimi ulur ose shtrirë. Pra, që nga shikimi i televizionit, udhëtimet, shtrirja në divan apo përqendrimi në telefon”, thotë Dr. Jo Blodgett.

Shkencëtarët në Institutin e Sportit, Fizkulturës dhe Shëndetit pranë Kolegjit Universitar të Londrës zhvilluan hulumtime se si lëvizshmëria dhe modelet e ndryshme të ushtrimeve gjatë 24 orëve janë të lidhura me shëndetin e zemrës.

Ata përpunuan të dhëna nga 15,000 individë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Britaninë e Madhe Australinë, Finlandën, Danimarkën dhe Holandën.

Ata hulumtuan se sa kohë shpenzonin ulur, në këmbë, në gjumë dhe duke bërë ushtrime fizike të kalibrit të lartë.

Në bazë të hulumtimeve ata renditën aktivitetet e ndryshme, duke filluar nga ushtrimet që rritën rrahjet e zemrës dhe ushtrimet e lehta fizike. Më pas u përqendruan tek energjia e harxhuar nga qëndrimi në këmbë, duke fjetur apo qëndruar ulur.

Studimi i publikuar në Gazetën Evropiane të Zemrës gjeti se pesë minuta ushtrime fizike të moderuara që nuk kalonin cakun e fizkulturës së vrullshme kishin një efekt pozitiv në shëndetin e zemrës në krahasim me qëndrimin ulur.

Hulumtimi u financua nga Fondacioni Britanik i Zemrës.

Autorja kryesore e hulumtimeve Jo Blodgett thotë se studimi tregon se lëvizja është gjithmonë e rëndësishme.

“Zëvendësimi i pesë minutave qëndrimi ulur me vrap ose çiklizëm u shoqërua me përfitime për shëndetin e zemrës. Por për të patur të njëjtin përfitim me qëndrimin në këmbë, do t’ju duhet të zëvendësoni disa orë në ditë me qëndrimin ulur”.

Ajo thotë se shkencëtarët krahasuan sa kohë do t’ju duhet të qëndroni në këmbë për të patur të njëjtat përfitime nga një vrapim ose nga ecja në park. Për shembull, qëndrimi në këmbë përpara kompjuterit gjatë punës ka përfitime, tregon studimi.

Sezoni dimëror është një mundësi ideale për të bërë ecje në park, thotë Dr. Snehal Pinto Preiera. Ajo thotë se një ecje prej 20 minutash në ditë është e këshillueshme nga shumica e organizatave të shëndetit publik.

“Nuk është e nevojshme të jetë një ushtrim fizik i vështirë. Mbështetja në murë dhe shtytja. Pra ushtrime të lehta fizike, madje mbajtja e çantave me ushqime kur bën pazarin”, thotë Dr. Snehal Pinto Pereira.

Një mënyrë e shëndetshme për të nisur Vitin e Ri.

voa

Shëndet me frutin e parajsës, e kuqja e parezistueshme e shegës

ShegaShega njihet ndryshe si ‘fruti i parajsës’ dhe me plot të drejtë. Kombinimi i vlerave të saj shëndetësore dhe shija fantastike e bën shegën krejt të parezistueshme.

 

Tradicionalisht, shega njihet si simbol i shëndetit të mirë. Ajo ka veti antioksidante, antibakteriale dhe kundër radikaleve të lira.

Shega është burim i pasur vitaminash. Ajo përmban vitaminat A, C dhe E por edhe acid folik. Ky frut ka tre herë më shumë antioksidantë se vera dhe çaji jeshil.

Vetëm 30 minuta pas marrjes së lëngut të shegës aktiviteti ynë rritet me 32 për qind. Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe përmirëson tretjen e ushqimeve.

Shegët shqiptare kultivohen më shumë në zonën e Beratit, Përmetit, Vaut të Dejës, por edhe në Delvinë apo Elbasan.

Por ky është momenti i shegëve të importit. Shegët e tanishme në treg kushtojnë rreth 250 lekë për kilogram dhe vijnë nga Egjipti, Turqia dhe Greqia.

Import ose produkt vendas, shega është zgjidhja e çdo dite. Vetitë e saj magjike nuk mbarojnë kollaj.

Studimet kanë zbuluar se njerëzit që pinin dy gota me lëng shege të shtrydhur në ditë, prej vitesh kishin rregulluar me 21 për qind presionin e gjakut.

Për më tepër, është vërtetuar se një gotë mbulon rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminë.

 

Vetitë kryesore të shegës për shëndetin

Të gjithë kemi dëgjuar që shega të bën mirë për zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Ajo është e pasur me antioksidantë që parandalojnë dëmet në arterie.

Shega ndihmon gjithashtu në uljen e tensionit të gjakut. Por shega të bën mirë edhe për çrregullimet në stomak, kancerin, aneminë dhe diabetin.

Duke qenë se shega është e pasur me antioksidantë ajo ul nivelet e kolesterolit të keq. Shegën mund ta konsumoni edhe për të pastruar fytyrën, reduktuar inflamacionin etj.

Vlerat e shegës nuk kanë të mbaruar. Konsumimi i shegës ul mundësinë e lindjeve të parakohshme por edhe shanset për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit mes njerëzve të moshuar.

Ajo ndihmon të mbajë nën kontroll problemet e moshës siç janë rrudhat dhe u jep njerëzve një lëkurë mjaft rinore plot shkëlqim.

Për më tepër, shega ndihmon femrat të kapërcejnë simptomat e depresiont gjatë menstruacioneve ose pas menopauzës.

Studime të tjera kanë konfirmuar që lëngu i shegës ndihmon edhe me çrregullimet seksuale. Që në lashtësi, shega konsiderohej simbol i fertilitetit.

Një gotë lëng shege rrit nivelet e testosteronit tek meshkujt dhe femrat. Në këtë mënyrë shega është një afrodiziak natyral që përmirëson jetën seksuale.

Duke nisur nga kanceri i prostatës tek kanceri i gjirit, i mushkërisë dhe i lëkurës, shega luan një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve të rrezikshme.

Nga ana tjetër, shega ndihmon me tretjen. Ajo e mban sistemin tretës të shëndetshëm për shkak të nivelit të lartë të fibrave.

Ngrënia e një shege çdo ditë është alternative e duhur për të marrë fibër sepse një frut plotëson 45% të dozës së rekomanduar ditore.

 

10 gjëra që nuk i dinit për shegën

Anglezët i thonë shegës “pomegranate” që do të thotë “mollë me shumë fara”.

Vendlindja e shegës është Lindja e Mesme.

Shega klasifikohet si superfrut.

Shega mund të ruhet në frigorifer deri në 2 muaj.

Shega nuk përmban kolesterol apo yndyrna të ngopura

Bima e shegës rritet në klimë të ngrohtë dhe të thatë

Pema e shegës mund të jetojë deri në 200 vjet.

Shumë studiues besojnë që ishte shega dhe jo molla ajo që tundoi Adamin dhe Evën në Kopështin e Edenit.

Në Kuran, shega përmëndet si një nga frutat që do të rritet në kopështet e parajsës.

Grekët e kanë traditë të çajnë shegën në tokë gjatë dasmave dhe Vitit të Ri.

AgroWeb

Studiuesit zbulojnë lidhjet mes niveleve të moderuara të sheqerit dhe sëmundjeve të zemrës

DiabetiMë 14 nëntor u shënua Dita Botërore e Diabetit dhe mjekët paralajmërojnë se edhe nëse dikush nuk ka diabet, një nivel pak më i lartë se ai standard i sheqerit në gjak, rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar thonë se kjo rrezikshmëri është 30 për qind më e lartë tek meshkujt që nuk kanë diabet por kanë nivel më të lartë se normalja të sheqerit, ndërsa tek femrat rreziku është edhe më i lartë.

 

 

Studiuesit thonë se nuk është për t’u habitur që ka lidhje mes sëmundjeve të zemrës dhe diabetit, por ajo që ata nuk kishin parashikuar ishte që numri i madh i njerëzve me një nivel vetëm pak më të lartë të sheqerit në gjak se ai normal, do të ishin aq të ekspozuar ndaj rrezikut. Studiuesit e shëndetit publik të Universitetit të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër analizuan të dhënat e 420,000 personave të regjistruar tek Biobank, e cila mbledh të dhëna biomjekësore, si skanimet dhe rezultatet e analizave të gjakut.

Shkencëtarët përzgjodhën për të studiuar përgjithësisht persona që nuk kishin histori të sëmundjeve të zemrës. Më pas ata vëzhguan rezultatet e analizave për atë grup për mbi 15 vjet.

Një nga drejtuesit e studimit, Dr Christopher Rentsch thotë se grupii punës analizoi nivelin e hemoglobinës së glikuar, që është sasia e sheqerit që ngjitet tek hemoglobina, ose qelizat e kuqe të gjakut. Nëse trupi nuk e përdor siç duhet sheqerin, ai grumbullohet në këto qeliza.

“Ne zbuluam se rreziku i sëmundjeve të zemrës ishte i pranishëm si tek ata që kishin nivele shumë të larta të sheqerit në gjak, që përcakton nëse dikush ka diabet, ashtu edhe tek personat me nivele mesatarisht të larta të sheqerit në gjak nën nivelin tipik të diabetit”.

Studimi zbuloi se meshkujt pre-diabetikë, nivelet e sheqerit në gjak të të cilëve ishin nën nivelin e diabetit, ishin 30% më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës. Ky rrezik u rrit në 50% për meshkujt me diabet.

Për femrat, përfundimet janë edhe më shqetësuese. Ato që nuk kishin diabet, por kishin një nivel të lartë të sheqerit në gjak, kishin 50% më shumë gjasa të prekeshin nga sëmundjet e zemrës. Dr. Rentsch thotë se ky rrezik është edhe më i lartë për gratë me diabet, deri në 100 %.

“Gratë me të gjitha llojet e nivelit të lartë të sheqerit në gjak ishin më shumë mbi peshë sesa burrat që ne studiuam. Njëkohësisht ato kishin përdorur më pak se burrat mjekime parandaluese si statinat dhe ato kundër hipertensionit”, thotë Dr. Rentz.

Dr. Rentsch thotë se studimi tregon se gratë duhet të jenë më të vetëdijshme për rreziqet që paraqet mbipesha për sëmundje të tjera përveç diabetit dhe mjekët duhet të jenë më proaktivë në dhënien e ilaçeve.

Po ashtu niveli më i ulët i sheqerit sesa ai i diabetit, nuk do të thotë domosdoshmërisht që dikush është i mbrojtur nga sëmundjet e zemrës.

“Ne zbuluam që nuk janë vetëm njerëzit me diabet që janë të rrezikuar nga një sërë faktorësh si obeziteti dhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës, diçka që dihej. Por këto rreziqe janë të pranishme si te burrat ashtu edhe te gratë me përqindje sheqeri nën nivelin e diabetit. Dhe kjo na bën të pyesim veten nëse duhet t’i ndryshojmë nivelet e sheqerit që përdorim për të identifikuar dhe përcaktuar diabetin”, thotë ai.

Sipas Dr. Rentsch, faza tjetër e studimit, është të analizohet se si ndikojnë nivelet e sheqerit në gjak tek sëmundjet e zemrës.

voa

Shkencëtarët Katalin Kariko dhe Drew Weissman fitojnë çmimin Nobel për mjekësinë

çmimi Nobel për mjekësinëShkencëtarja hungareze Kalin Kariko dhe shkencëtari amerikan Drew Weissman fituan çmimin Nobel në mjekësi të hënën për zbulimet që mundësuan prodhimin e vaksinave mRNA kundër COVID-19. Në vitin 2005, ata arritën të bënin ndryshimet e nevojshme në kodin gjenetik të mRNA-së duke shmangur kundër-reagimin nga sistemi imunitar i njeriut. Kjo i hapi rrugën kompanive Moderna dhe BioNtech për të prodhuar me shpejtësi vaksinat kundër koronavirusit.

 

Katalin Kariko, profesore në Universitetin Sagan në Hungari dhe në Universitetin e Pensilvanisë dhe Drew Weissman, nga Universiteti i Pensilvanisë, u nderuan me çmimin Nobel për studimin tyre të përbashkët mbi teknologjinë mRNA.

“Përmes gjetjeve të tyre të reja, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht njohurinë tonë mbi mënyrën se si ndërvepron teknologjia mRNA me sistemin tonë imunitar, laureatët kontribuan në një nivel të pashembullt në zhvillimit e vaksinave gjatë njërit prej kërcënimeve më të mëdha për shëndetin e njeriut në kohët moderne”, tha Rick Sandberg, anëtar i Komitetit për Çmimet Nobel.

Thomas Perlmann, sekretar i Asamblesë së Nobelit, tha se të dy shkencëtarët ishin “të befasuar dhe shumë të gëzuar” nga njoftimi për çmimin, kur ai i kontaktoi ata pak para shpalljes së fituesit.

Vaksina mRNA funksionoin me një teknologji krejt të re. Ndryshe nga vaksinat klasike, ajo nuk përmban një variant të dobësuar të virusit. Vaksina e re përmban një kopje të kodit gjenetik të proteinës që është në sipërfaqe të koronavirusit. Duke injektuar këtë kod, që quhet mRNA, organizmi prodhon proteinën e vet, që është e padëmshme dhe përgatitet për të prodhuar antitrupa që luftojnë koronavirusin në se virusi hyn në organizëm. Kjo teknologji është zbuluar që në vitin 1961, por përdorimi i saj në vaksina filloi për herë të parë në vitin 2020 nga kompanitë Moderna dhe Pfizer, të cilat prodhuan vaksinat e para kundër koronavirusit.

Katalin Kariko deri në vitin 2022 ka qenë nënpresidente dhe drejtuese e projektit të prodhimit të vaksinave me teknologjinë mRNA në kompaninë BioNtech, e cila në bashkëpunim me kompaninë Pfizer prodhoi vaksinën kundër koronavirusit me këtë teknologji të re.

Drew Weissman është profesor i vaksinave në Universitetin e Pensilvanisë.

Ata kanë punuar së bashku për krjimin e një metode të modifikimit të kodit të teknologjisë mRNA, në mënyrë që të mos lejojë sistemin imunitar ta sulmojë kodin gjenetik të krijuar në laborator. Para këtij zbulimi, kjo shihej si një nga pengesat më të mëdha të përdorimit të teknologjisë mRNA për vaksina, ose trajtime të tjera mjekësore.

Kompania BioNtech tha në qershor të këtij viti se kishte shpërndarë mbi 1,5 miliardë vaksina kundër koronavirusit të prodhuara me teknologjinë mRNA.

Nesër pritet të shpallen fituesit e çmimit Nobel për fizikën, të mërkurën për kiminë, të enjten shpallet fituesi i Nobelit për letërsinë, të premten shpallet Nobeli për paqen dhe më 9 tetor, ai për ekonominë.

Fituesit e çmimeve Nobel këtë vit do të shpërblehen me 1 milion dollarë. Paratë vijnë nga një fond i krijuar nga themeluesi i çmimit Nobel, shpikësi suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në 1896.

Laureatët do të ftohen të marrin çmimet e tyre në ceremonitë e 10 dhjetorit, përvjetori i vdekjes së Nobelit. Çmimi prestigjioz i paqes ndahet në Oslo, sipas dëshirës së tij, ndërsa ceremonitë e tjera mbahen në Stokholm.

voa

Sëmundjet e zemrës vazhdojnë të shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në botë

ZemraSëmundjet e zemrës shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në çdo rajon të globit, sipas Federatës Botërore të Zemrës. Kjo organizatë thotë se janë rritur aftësitë e mjekëve për të gjetur trajtime të reja dhe pajisje mjekësore që u mundësojnë njerëzve me sëmundje të zemrës të jetojnë më gjatë, por bota duhet të bëjë më shumë për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare.

 

Ish-portieri i ekipit futbollistik të Arsenalit në Angli, David Seaman, tani është ambasador i Fondacionit Britanik të Zemrës.

Ai përballet me një rrahje të çrregullt të zemrës, të njohur si fibrilacion atrial. Më 29 shtator, në Ditën Botërore të Zemrës, ai paralajmëroi njerëzit për sëmundjen që shkakton vdekjen e më shumë njerëzve në mbarë botën se çdo gjë tjetër.

“Çdo ditë rreth 180 njerëz vdesin nga sëmundjet e zemrës në Britani”, tha ai.

Një sondazh i organizuar nga Fondacioni Britanik i Zemrës tregon se mbi një e treta e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në Britani.

Ata madje nuk janë të vetëdijshëm se mund të kenë sëmundje të zemrës pa përjetuar simptoma.

Mjekët në vendet perëndimore thonë se rënia e pirjes së duhanit dhe zhvillimi i teknikave dhe mjekimeve të reja kirurgjikale ka sjellë përmirësime.

Megjithatë, vdekjet nga sëmundjet e zemrës po rriten në të gjithë botën.

“Në vitin 2021, 20.1 milionë njerëz në botë vdiqën nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa në vitin 2019 18.6 milionë. Pra, për fat të keq, ka një rritje të numrit të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Ne e dimë se çfarë mund të shkaktojë sëmundjet kardiovaskulare. Rreth 80% e këtyre sëmundjeve janë potencialisht të parandalueshme. Disa nga faktorët e rrezikut janë të njohur, si pirja e duhanit, tensioni i lartë, kolesteroli i lartë dhe diabeti. Pra, ne i dimë shumë shkaktarë të sëmundjeve kardiovaskulare”, thotë Profesor Fausto Pinto, ish-president i Federatës Botërore të Zemrës.

Pirja e duhanit, ushqimet e shpejta, niveli i ulët i stërvitjes dhe dieta e varfër kontribuojnë gjithashtu në një rritje të sëmundjeve të zemrës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Këto rajone kanë probleme shtesë për shkak të sistemit të dobët të kujdesit shëndetësor, duke bërë që në shumë raste, sëmundjet kardiovaskulare të përfundojnë me vdekje.

Profesori i Kardiologjisë në Universitetin e Londrës, Riyaz Patel thekson se çdo vend është në garë me sëmundjet e zemrës. Sipas tij, megjithëse është bërë përparim i madh në trajtimin e sëmundjeve të zemrës në të gjithë botën, kjo nuk ka ngadalësuar përhapjen e tyre dhe numrin e vdekjeve nga këto sëmundje.

Një kontribues kryesor ka qenë pirja e duhanit, e cila ka rënë në disa vende perëndimore për shkak të programeve të ndërgjegjësimit të publikut dhe masave ligjore për të kufizuar këtë zakon, si ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike.

Por këto përfitime janë kundërpeshuar nga prirja globale drejt obezitetit, e nxitur nga ushqimet e shpejta.

“Në kohët historike, ajo u nxit kryesisht nga duhani dhe sfidat e tjera të shëndetit publik. Me kalimin e kohës, kjo ndryshoi dhe pirja e duhanit filloi të reduktohej në disa vende perëndimore. Fatkeqësisht, faktorë të tjerë rreziku janë rritur, si obeziteti dhe diabeti”, thotë profesor Patel.

Ajo që e rëndon më tej situatën është fakti se sëmundjet e zemrës janë të parandalueshme, dhe në fund të fundit mjekët besojnë se ky duhet të jetë synimi kryesor i vendeve të botës.

Ekspertët Patel dhe Pinto mendojnë se politika të reja të shëndetit publik janë të nevojshme për të inkurajuar një mënyrë jetese më të shëndetshme.

Kjo mund të bëhet përmes fushatave të shëndetit publik si ato që organizohen në Ditën Botërore të Zemrës dhe ligjeve për të inkurajuar njerëzit të ndjekin praktika më të mira shëndetësore.

voa

Shkencëtarët: Inteligjenca artificiale dhe ekzaminimi i syve mund të zbulojnë shenjat e hershme të Parkinsonit

ParkinsonKontrollet e syve të përforcuara nga inteligjenca artificiale mund të zbulojnë sëmundjen e Parkinsonit deri në 7 vite përpara se tek njerëzit të shfaqen simptomat e sëmundjes.
Teknologjia është larg miratimit nga autoritetet rregullatore, por megjithatë ajo shihet nga ekspertët si një zbulim që mund t’i ndihmojë në diagnostikimin dhe trajtimin sa më pare të Parkinsonit.

Kushdo që ka bërë një ekzaminim të syve ka parë dhe një aparaturë të tillë diagnostikuese, ate që njihet si skaneri i tomografisë koherente optike.

Okulistët e përdorin atë për skanime 3D, apo tre dimensionale të syve me rezolucion të lartë, për të identifikuar sëmundje serioze të syrit si glaukoma.

Por pajisja mund të ndihmojë mjekët okulistë të diagnostikojnë sëmundjen e Parkinsonit tek pacientët, deri në shtatë vjet përpara se të shfaqen simptomat.

“Një nga gjërat unike të sëmundjes së Parkinsonit është se ajo prek një lloj të caktuar qelize në tru, qeliza që përdorin një kimikat të quajtur dopaminë. Ne në fakt kemi qeliza që përdorin dopaminë edhe në sy, dhe shumica e tyre janë të vendosura në një zonë specifike të retinës”, thotë Dr Siegfried Wagner, i spitalit të syve ‘Moorfields’ në Britani.

Falë inteligjencës artificiale, shkencëtarët kanë përshtatur algoritmet duke kryer me qindra mijëra skanime të syve, me qëllimin për të identifikuar ndryshimet në retinë që tregojnë praninë e Parkinsonit.

Ndërsa ky mund të shihet si një zhvillim interesant, teknologjia është shumë larg nga të qenit gjerësisht e disponueshme, thonë ekspertët.

Zbulimi i sëmundjeve në pjesë të tjetra të trupit nga ekzaminimet në sy nuk ështe diçka e re: shenja te Alzheimerit, sklerozës së shumëfishtë dhe skizofrenisë janë zbuluar falë skanimeve në sy, një fushë kërkimore në zhvillim e quajtur ‘oculomiks’.

“Ajo që ne shpresojmë të arrijmë është se pas disa vitesh, të mund të shkoni tek okulisti dhe të identifikonie shenjat e hershme të sëmundjes. Kjo mund të ketë përfitime masive për shëndetin publik”, thotë profesor Pearse Keane, mjek okulist në spitalin e syve ‘Moorfields’.

Diagnostikimi i hershëm do t’u jepte mundësi pacientëve të fillonin trajtimin më shpejt dhe të shijonin jetën normale, pak më gjatë.

“Nëse do të kishte ekzaminime të sëmundjes së Parkinsonit të lidhuara me ekzaminimin e syve do ta kisha bërë, gjë që do të më jepte mundësi të bëja shumë gjëra, që nuk i bëj dot aktualisht”, thotë Angela Orchard, e e cila vuan nga Parkinsoni.

voa

Australia harton ligje të reja për të ulur përdorimin e cigareve elektronike

Cigare elektronikeCigaret elektronike fillimisht u promovuan si një mjet për të ndihmuar njerëzit të linin duhanin, por qysh atëherë ato janë shndërruar në një produkt popullor mes të rinjve. Qeveria federale e Australisë tani po synon të vendosë rregulla për përdorimin e tyre dhe të zvogëlojë numrin e të rinjve që e marrin këtë zakon.

 

Pasi ishte përdoruese duhani prej shumë vitesh, kjo grua në të 20-at filloi të përdorë cigare elektronike nëntë muaj më parë.

Ajo ishte kurioze të shihte nëse do t’i pëlqente dhe nëse do ta ndihmonte për të zvogëluar marrjen e nikotinës.

“Nuk më pëlqeu shumë në fillim, por kanë nikotinë. Pra, merr të njëjtën goditje dopamine që merr nga cigarja”, thotë ajo.

Deri tani, ajo ka ndjenja të përziera për cigaret elektronike. Rrobat pa erën e tymit të duhanit dhe përdorimi diskret janë padyshim një plus, por ajo nuk është aq e sigurt për sa i përket shëndetit të saj.

“Nuk e di nëse vërej ndonjë ndryshim në këtë fazë, sepse nuk ndihem më keq dhe, nuk ndihem dukshëm më mirë. Thjesht nuk kam dëshirë për nikotinë. Pra, kjo është ndoshta gjëja më e madhe – lashë duhanin, por jam ende e varur nga nikotina dhe vazhdoj ta përdor atë”, thotë ajo.

Kur dolën në treg më shumë se 15 vjet më parë, cigaret elektronike dukeshin si version plastik i cigareve të zakonshme dhe nuk ishin të njohura.

Ato fillimisht ishin menduar gjithashtu si një mjet për të ndihmuar njerëzit të ndalonin pirjen e duhanit.

Tani, tregtohen si një produkt relaksues dhe tërheqin të rinjtë.

“Adoleshentët, pra grupi i moshës 13 deri në 17 vjeç, janë disa nga përdoruesit më të mëdhenj të këtyre produkteve. Të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç, janë rritur me paralajmërime shëndetësore në paketat e cigareve, reklama kundër duhanit në televizion. Këto produkte janë për ta”, thotë profesoresha Becky Freeman nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin e Sidneit.

Tani për tani në Australi, është e paligjshme blerja, posedimi ose përdorimi i cigareve elektronike që përmbajnë nikotinë pa recetë nga një mjek.
Është gjithashtu e paligjshme shitja e këtyre produkteve te njerëzit nën moshën 18 vjeç.

Por importuesit dhe shitësit vazhdojnë t’i shesin si produkte ‘pa nikotinë’ që, sipas një hulumtimi nga projekti ‘Generation Vape’, nuk është e vërtetë në shumicën e rasteve.

“Nëse je një i ri, të shtyn të besosh se ka vetëm avull uji në këto produkte me pak shije dhe asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Ne e dimë nga studimet laboratorike se ato përmbajnë përqendrime shumë të larta të nikotinës”, thotë zonja Freeman.

Becky Freeman gjithashtu thekson se nikotina është shumë e dëmshme, veçanërisht për njerëzit nën moshën 25 vjeç, truri i të cilëve është ende në zhvillim.

Në maj, Qeveria Federale Australiane njoftoi reforma të reja për këto produkte që shpreson t’i prezantojë në parlament deri në fund të vitit.

Qëllimet kryesore të legjislacionit të propozuar janë që të lejojë shitjen e tyre në farmaci, të ndalojë të gjitha produktet pa recetë – pavarësisht nëse ato përmbajnë nikotinë apo jo.

Qeveria thotë se propozimi i saj synon importuesit dhe shitësit, jo konsumatorët.
Qëllimi kryesor i ligjit të propozuar është të vështirësojë sa më shumë që të jetë e mundur për fëmijët qasjen ndaj këtyre produkteve.

voa

Për sa ujë ka nevojë trupi ynë?

UjeThuhet se njeriu mund të durojë tre minuta pa oksigjen, tridhjetë ditë pa ushqim, por vetëm tre ditë pa lëngje. Pa ujë asgjë nuk funksionon në trupin tonë.

 

Trupi i një të porsalinduri përbëhet rreth 80 përqind nga uji. Duke u plakur përmbajtja e ujit në trup bie dhe arrin diku në rreth 60 përqind.

Qelizat yndyrore kanë një përmbajtje më të ulët rë ujit se qelizat e tjera të trupit. Kështu që njerëzit me mbipeshë kanë më pak ujë se njerëzit e dobët, dhe gratë kanë më pak ujë se burrat. Për mbijetesën tonë është jetike që ta furnizojmë rregullisht trupin me lëngje.

Disa organe kanë sasi të mëdha uji. Këtu bëjnë pjesë sytë, për shembull. Trupi qelqor i syrit përbëhet deri në 99 për qind nga uji. Muskujt po ashtu kanë një përqindje të lartë lëngjesh, rreth 80 për qind. Për të furnizuar trupin sa duhetne mund të bëjmë një gjë: të pijmë, të pimë dhe përsëri të pimë.

 

Pirja e ujit është një domosdoshmëri absolute

Trupi ynë humb rreth dy litra lëngje çdo ditë, në radhë të parë përmes lëkurës, e cila rregullon kështu temperaturën e trupit. Kjo ndodh sidomos kur është nxehtë. Por edhe ajri i thatë i kaloriferëve mund të ndikojë tek ne negativisht. Veshkat, që e çlirojnë trupin nga toksinat,nxjerrin jashtë lëngje në formën e urinës. Kur nuk pimë mjaftueshëm, urina merr ngjyrë të verdhë të fortë. Kur ngjyra e saj është e kaftë,është shenjë paralajmëruese serioze, se diçka nuk është në rregull. Lëngjet dalin përmes zorrës me jashtëqitjen, kur marrim  frymë humbasim gjithashtu ujë në formë të stërkalave të vogla.

Këto humbje duhen kompensuar dhe për këtë arsye pimë rreth 1,5 deri në dy litra lëngje çdo ditë. Kërkesa për ujë shtohet pas ushtrimeve fizike, sportit, temperaturave të larta, etheve, të vjellave dhe diarresë. Por jo gjithmonë duhet të jetë ujë. Supat, frutat apo llojet e ndryshme të perimeve janë gjithashtu të mira për trupin dhe ndihmojnë për të rimbushur rezervat.

Kjo është shumë e nevojshme, sepse trupi ynë shfaq simptomat e para që me humbjen e një deri në dy përqind të lëngjeve. Me një humbje prej rreth shtatë për qind kemi kaluar në anën e rrezikut: këtë e dëshmon pulsi i përshpejtuar apo gjendja konfuze, sepse të gjitha reaksionet dhe proceset kimike në trup kërkojnë lëngje. Një mungesë prej dymbëdhjetë për qindësh mund të çojë në rastin më të keq në gjendje shoku apo edhe në koma.

 

Truri ynë ka nevojë për lëngje për t’u mbrojtur

Edhe truri dhe palca kurrizore nuk mund të funksionojnë pa lëngje. Janë rreth 140 mililitra ujë të nervave dhe të trurit, në gjuhen mjekësore: Liquor cerebrospinalis dhe është një lëng transparent, në të cilin truri ynë si të thuash noton në kafkë dhe që e mbron atë nga goditjet. Çdo ditë ne formojmë rreth gjysmë litri nga ky lëng, i cili shpërbëhet sërish dhe natyrisht që duhet zëvendësuar.

Shenjat e para, që tregojnë se trupi ynë ka nevojë urgjente për ujë, janë dhimbje kokë dhe marramendje, mukoza të thata në gojë dhe fyt dhe eventualisht vështirësi në gëlltitje. Ne jemi të lodhur, ndihemi të dobët, por këto nuk i lidhim aspak me mospirjen e mjaftueshme të ujit.

Nga të nxehtit dhe humbja e lëngjeve përmes djersitjes qarkullimi i gjakut mund të mos funksionojë si duhet. Trupi na e tregon në mënyrë të qartë, se kur është koha për të pirë diçka, sepse edhe presioni i gjakut rritet. Pa lëngje të mjaftueshme, gjaku ynë bëhet më i trashë dhe nuk arrin të qarkullojë lehtësisht.

Sa më shumë të plakemi, aq më pak etje kemi. Prandaj nuk është e pazakontë që njerëzit e moshuar harrojnë të pinë mjaftueshëm. Kjo gjë çon në marrje mendësh,në konfuzion, dëmtim të vetëdijes ose humbje të saj. Në rast të mungesës ekstreme të lëngjeve mjekët duhet të injektojnë në trup sasitë e nevojshme.

Megjithatë disa të moshuar përmbahen me vetëdije për të mos pirë mjaftueshëm, sepse shumë prej tyre nuk mund ta kontrollojnë më të urinuarin si të rinjtë. Nga frika e urinimit pa dashje apo e vajtjes shpesh në tualet gjatë natës shumë të moshuar pinë pak ose aspak.

 

Kur kemi nevojë për shumë lengje

Nëse kemi diarre apo të vjella, trupi ynë ka nevojë për më shumë se së paku 1.5 litra në ditë. Nëse ekuilibri i ujit nuk rivendoset sa më parë, trupi thahet. Po ashtu trupi kërkon shumë lëngje, kur merren medikamente të caktuara, për shembull të ashtuquajturit diuretikë. Ata kanë efekt shkarkues dhe e çlirojnë trupin nga uji i tepërt për parandalimin për shembull të edemave, pra grumbullimet e ujit.

 

Alkooli i heq lëngjet trupit

Edhe alkooli dehidron trupin, sepse ka një efekt diuretik. Veshkat përpiqen të nxjerrin nga trupi substancat toksike, kështu që na duhet të shkojmë shpesh në tualet për të urinuar.

Alkooli bën që të bllokohet prodhimi i të ashtuquajturës vazopresinë në hipotalamus. Vazopresina është një hormon, që rregullon ekuilibrin e ujit në veshka. Nëse trupi nuk ka në dispozicion sasi të mjaftueshme të këtij hormoni të rëndësishëm, veshkat tona nxjerrin jashtë shumë ujë. Ekuilibri i ujit prishet, gjithçka çrregullohet.

Edhe po të pimë pesë litra ose më shumë brenda disa orësh, mund të jetë e rrezikshme për jetën dhe të rezultojë si hiperhidrim i trupit. Veshkat atëherë nuk janë më në gjendje të rregullojnë sasinë e madhe të lëngjeve dhe tì nxjerrin ato jashtë. Një nga pasojat më të këqija mund të jetë një edemë cerebrale.

 

Edhe pirja e ujit të shumtë mund të jetë i dëmshëm

Gjatë garës së pirjes së ujit gelltiten sasi të pamata uji. Kjo gjë mund ta mbingarkojë trupin. Jo vetëm që veshkat nuk e vazhdojnë me dot punën e tyre,por edhe ekuilibri i kripës shkatërrohet. Se si dhe nëse një trup mund të përballojë kaq shumë ujë, varet nga mosha, pesha dhe gjendja e përgjithshme. Edhe këtu vlen të thuhet: gjithçka varet nga sasia.

dw

Studimi: Inteligjenca Artificiale ndihmon në diktimin e kancerit të gjirit

AIInteligjenca artificiale mund të përdoret në ekzaminimet e kancerit të gjirit për të përmirësuar diagnozën dhe për të lehtësuar ngarkesën e punës së radiologëve, sipas rezultateve të një prove klinike në Suedi. Por studiuesit thonë se rezultatet paraprake të studimit, të përfunduar në gusht, tregojnë se kjo teknologji nuk është ende gati të zëvendësojë mbikëqyrjen nga radiologët.

 

Në universitetin e Lundit në Suedi rreth një milionë gra në vit u nënshtrohen ekzaminimit mamografik, thonë drejtuesit e tij.

Imazhet me rreze X të gjirit më pas analizohen zakonisht nga dy radiologë për të parë nëse ka shenja të kancerit, një metodë e quajtur “leximi i dyfishtë” që kërkon kohë. Një radiolog mund të analizojë mesatarisht rreth 50 ekzaminime në orë.

Por a mund të ndihmojë teknologjia për të lehtësuar këtë ngarkesë pune?

Studiuesit në Suedinë jugore po vlerësojnë efektin e ekzaminimeve të mbështetura nga Inteligjenca Artificiale. Kjo është prova e parë e këtij lloji që krahason dy metodat e diagnostikimit.

“Së pari ne analizojmë ekzaminimet pa përdorur Inteligjencën Artificiale, duke shfrytëzuar avantazhet tona si mundësinë për të parë të gjithë imazhin. Pastaj përdorim pajisjen me Inteligjencë Artificiale dhe më pas mund të analizojmë shenjat në imazh”, thotë Kristina Lang, drejtuese e studimit dhe profesore e radiologjisë në Universitetin e Lundit.

Në provën klinike, e cila përfshiu mbi 80 mijë gra, studiuesit përdorën Inteligjencën Artificiale për të identifikuar ekzaminimet me një “rrezik të lartë” të kancerit të gjirit, të cilat më pas iu nënshtruan leximeve tradicionale të dyfishta nga radiologët.

Rezultatet e provës zbuluan se ekzaminimi i mamografisë nga Inteligjenca Artificiale rezultoi në një shkallë të ngjashme të zbulimit të kancerit me metodën standarde të leximit të dyfishtë nga radiologët.

Kjo pothuajse përgjysmoi ngarkesën e punës së mjekëve, leximi i të dhënave në ekran u reduktua me rreth 44 për qind.

Zonja Lang thotë se ky nivel i kursimit të kohës mund të jetë jetik, veçanërisht në zonat me mungesë personeli.

“Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ka një mungesë të madhe mjekësh. Pra, këto algoritme të analizimit të të dhënave mund të bëjnë një ndryshim vërtet të madh në rajonet, ku nuk ka ekspertë”, thotë ajo.

Në Kopenhagë, në Danimarkën fqinje, Inteligjenca Artificiale në ekzaminimet e përditshme të mamografisë është përdorur që nga nëntori i vitit 2021. Rezultatet e studimit aty ishin aq mbresëlënëse, saqë mjekët danezë në maj të vitit 2022, lejuan përdorimin e Inteligjencës Artificiale për leximin e parë të mamografive të pacientëve me “rrezik të ulët”, rreth 70 për qind e të gjitha ekzaminimeve, të cilat më pas analizohen nga një radiolog me përvojë.

“Mendoj se është emocionuese sepse kemi mungesë mjekësh në të gjithë vendin, veçanërisht të radiologëve për mamografitë. Tani, ne kemi një mjet të vlefshëm për të lehtësuar punën e tyre”, thotë Dr. Ilse Vejborg, e cila mori pjesë në vendimin për të përdorur Inteligjencën Artificiale si një metodë për zbulimin e kancerit të gjirit në Kopenhagë.

Studiuesit suedezë thonë se hapi i tyre i ardhshëm është të mësojnë se cilat lloje kanceri u zbuluan me dhe pa mbështetjen e Inteligjencës Artificiale. 100 mijë gra janë regjistruar tashmë për këtë provë klinike.

Duhen studime të mëtejshme përpara se përdorimi i Inteligjencës Artificiale të bëhet i zakonshëm, por për pacientët si 82-vjeçarja Elisabeth Colin, teknologjia rrit shpresat se simptomat e kancerit mund të diktohen në fazat më të hershme.

“Shpresoj që do të jeni në gjendje të diktoni ndryshimet shumë më herët se tani, në mënyrë që njerëzit të mund të ndihmohen në një mënyrë tjetër”, thotë ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit në vitin 2020 dhe 685 mijë vdiqën nga kjo sëmundje në mbarë botën.

voa