Kategoritë: Shëndeti

Si arrijnë disa njerëz t’i shpëtojnë trashëgimisë gjenetike të sëmundjes Alzheimer?

AlzheimerShkencëtarët po studiojnë se përse tek disa persona të lindur me mutacionin gjenetik që lidhet me Alzheimerin, nuk shfaqet kurrë kjo sëmundje. Studiuesit amerikanë janë përqëndruar tek genet e familjeve ku ka disa raste me Alzheimer, me shpresën për të mësuar përse mutacioni nuk ndikon tek të gjithë personat që e kanë atë në kodin e tyre gjenetik.

 

Doug Whitney trashëgoi të njëjtin mutacion gjenetik që i dha sëmundjen Alzheimer nënës së tij, vëllait dhe disa brezave të të afërmve të tij, zakonisht që në moshën 50-vjeçare.

“Gjyshërit e mi patën 14 fëmijë. Dhjetë prej tyre përfunduan me shfaqje të hershme të sëmundjes Alzheimer”, thotë zoti Whitney.

E megjithatë, ai është një 73-vjeçar i shëndetshëm dhe logjikën e ka ende të mprehtë. Ka arritur pra t’i shpëtojë fatit të tij gjenetik.

Kjo është diçka shumë e rrallë. Por në vazhdim studiuesit zbuluan një grua në Kolumbi, e cila i shpëtoi fatit të familjes së saj të prekur nga Alzheimeri për gati tre dekada, përpara se të vdiste nga kanceri.

Shkencëtarët mendojnë se këta persona që i shpëtuan sëmundjes nuk patën thjesht fat. Ata ofrojnë mundësinë e rrallë për të mësuar se si trupi mundet t’i rezistojë Alzheimerit në mënyrë të natyrshme.

“Janë shpesh individët unikalë ata që na mundësojnë zbulimet”, thotë Dr. Eric McDade, drejtues në Rrjetin për Alzheimerin e Trashëguar të Universitetit të Uashingtonit, ku po shqyrtohet ADN-ja e zotit Whitney për të gjetur një përgjigje.

Shpresa është se nëse shkencëtarët mund të zbulojnë dhe të imitojnë atë çfarë i mbron këta persona, atëherë ata mund të prodhojnë kura më të mira, madje edhe terapi parandaluese, jo vetëm për familjet e goditura nga Alzheimeri i trashëguar, por edhe për të gjithë të tjerët.

Tashmë shkencëtarët shpresojnë të krahasojnë të dhënat e edhe më shumë personave që i kanë shpëtuar Alzheimerit të trashëguar, persona që thjesht mund të kenë menduar se nuk e kanë patur mutacionin gjenetik të familjes së tyre, ngaqë kanë vazhduar të jenë të shëndetshëm shumë kohë pasi janë sëmurur të afërmit e tyre.

“A është kjo diçka tepër specifike për prejardhjen gjenetike të Doug-ut dhe për eksperiencat që ka patur në jetë, që mund të jenë unikale për të dhe ai thjesht pati fat të jashtëzakonshëm? Apo është diçka më mekanike, të cilën mund ta identifikojmë dhe të mund të themi se kjo është rruga që të mundësoi t’i rezistosh, megjithëse i ke mbartur gjurmët e sëmundjes prej kaq kohësh”, thotë zoti McDade.

Shkencëtarët po mbledhin të dhëna për gati 600 anëtarë familjesh me raste të shumta Alzheimeri. Ata madje ishin të parët që zbuluan se zoti Whitney ishte ndër personat që i shpëtoi fatit gjenetik.

Përgjigjet duhet të gjenden një orë e më parë. Brian, djali i zotit Whitney, gjithashtu ka të trashëguar genin e familjes.

Brian ka një vajzë, e cila do të përballet gjithashtu një ditë me pikëpyetjen nëse duhet të bëjë testin e saj gjenetik.

Për të mos pritur duarlidhur dhe me shpresën se mund të shpëtojë si babai i tij, Brian ka dalë vullnetar për testimin e një ilaçi eksperimental.

“Jam ngritur nga gjumi pasi kam parë makthe se mund të filloj të jem simptomatik, dhe jam ngritur duke qarë pasi kjo nuk është thjesht një ëndërr e keqe… Po e bëj këtë për vajzën time. Duhet ta bëj për të. Pra shpresa ime është se deri kur të bëhet 18 vjeçe dhe të bëjë testin e saj gjenetik, se deri atëherë do të ketë një përgjigje, se do të ketë shpresë për një lloj kure”, thotë Brian.

voa

Qelizat embrionale të njërit sy mund të shërojnë syrin e dëmtuar

syriPhil Durst pësoi një aksident në punë në vitin 2017, kur një kimikat nga një makinë komerciale që lan enët i ra në sy. Ai thotë se ishte dhimbja më e madhe që kishte përjetuar ndonjëherë në jetën e tij.

 

Në syrin e tij të majtë dallohen qartë shenjat e aksidentit të rëndë që i mori shikimin. Tjetër pasojë ishte se ai nuk mund ta toleronte dritën dhe përjetonte nga katër deri pesë dhimbje koke në ditë.

Më vonë ai iu nënshtrua një procedure eksperimentale që synon trajtimin e lëndimeve të rënda në njërin sy me qeliza embrionale, ose burimore nga syri tjetër.

“Nga një verbim i plotë me dhimbje të tmerrshme koke, të cilat më bënin të mendoja se nuk mund të jetohej më, më erdhi shikimi në një masë që mund ta ngisja makinën dhe të dilja nga errësira”, thotë ai ndërsa i bien lotët.

51-vjeçari nga qyteti Homewood i Alabamës, ishte një nga katër pacientët që iu nënshtruan transplantimit me qeliza embrionale pjesë e studimit të parë në Shtetet e Bashkuara për ta provuar këtë metodë mjekimi, e cila një ditë mund të ndihmojë mijëra njerëz.

Edhe pse në disa raste nevojitet trajtim shtesë, ekspertët thonë se transplanti me qeliza embrionale ofron shpresë për njerëzit me alternativa të pakta ose pa mundësi të tjera. Rezultatet e hulumtimit në fazën e hershme u botuan të premten në revistën “Science Advances” “Përparimet Shkencore” ndërsa vazhdon një studim më i gjerë.

Kjo procedure trajton “mungesën e qelizave formuese limbale”, një çrregullim i kornesë që mund të ndodhë pas djegieve kimike dhe lëndimeve të tjera të syrit.

Pacientët pa qeliza limbale, të cilat janë thelbësore për ripërtëritjen dhe ruajtjen e shtresës më të jashtme të kornesë, nuk mund t’i nënshtrohen transplanteve të kornesë që përdoren zakonisht për të përmirësuar shikimin.

Shkencëtarja Ula Jurkunas, mjeke për sytë në spitalin “ Mass Eye and Ear” në Boston është hulumtuesja kryesore e studimit. Në bazë të procesit, thotë ajo, merret një mostër e vogël e qelizave bazë apo embrionale nga syri i shëndoshë dhe rriten në laboratorin e Institutit të Kancerit Dana-Farber në Boston.

Disa javë më vonë, ato transplantohen në syrin e dëmtuar. Zoti Durst ishte pacienti i parë që iu nënshtrua procedurës.

“Gjëja krysore është se po përdorim indin e vetë pacientit”, tha mjekja Jurkunas, jo indet e donatorëve që mund të refuzohen nga trupi.

Ajo thotë se kjo metodë është më e mirë se procedura që kërkon marrjen e një pjese shumë të madhe të qelizave embrionale nga një sy i shëndetshëm për t’u përdorur në një sy të dëmtuar, çka rrezikon ta dëmtojë syrin e shëndoshë.

Zoti Durst i lëndoi të dy sytë në aksident. Shikimi i tij ishte aq i dobët sa gruaja dhe djali i tij e ndihmonin atë të lëvizte. Por syri i djathtë ishte më pak i dëmtuar dhe mund të ofronte qelizat bazë për të realizuar procedurën e transplantit.

Shkencëtarja Jurkunas, i cila është gjithashtu e lidhur me Shkollën Mjekësore të Harvardit, tha se operacioni i zotit Durst në vitin 2018 shënoi kulmin e pothuajse dy dekadave kërkimore.

Shtresa e kornesë së syrit u shërua tek të gjithë pacientët në studim. Zoti Durst dhe një pacient tjetër iu nënshtruan transplantimit me korne artificiale. Dy pacientë thanë se shikimi i tyre u përmirësua ndjeshëm vetëm nga transplantimi i qelizave embrionale. Një pacient i pestë nuk iu nënshtrua procedurës sepse qelizat e tij embrionale nuk ishin në gjendje të zgjeroheshin ashtu siç duhet.

Zoti Durst tha se shikimi me syrin e djathtë është pothuajse i përsosur, por në syrin e majtë është i turbullt. Ai do t’i nënshtrohet një procedure tjetër në shtator në syrin e majtë.

voa

Si ndikojnë dhe përfitimet nga kremrat kundër diellit

krem kunder diellitNuk ka një kohëzgjatje të caktuar për sa kohë një krem kundër diellit të mbron nga rrezet e dëmshme. Por dermatologët këshillojnë që çdo njeri duhet të përdor krem kundër diellit për të parandaluar, siç thonë ata, plakjen e parakohëshme të lëkurës, si dhe për të parandaluar llojet e ndryshme të kancerit të lëkurës.

 

Ndërsa temperaturat po shënojnë nivele rekord, dermatologët theksojnë se përdorimi i kremrave kundër diellit, është gjithnjë e më i rëndësishëm.

Ka një mori produktesh që mbrojnë lëkurën tonë nga pasojat e dëmshme të diellit. Kremi i diellit, thonë dermatologët, vepron si një shtresë mbrojtëse për lëkurën, duke mos lejuar që rrezatimi ultravjollcë të depërtojë në lëkurë dhe përmes qelizave të shkaktojë dëme në ADN dhe të prishë strukturën aktuale të vetë lëkurës.

Janë disa lloje të ndryshme rrezesh ultravjollcë, që depërtojnë në lëkurë, në forma të ndryshme. Ato ndikojnë në procesin e plakjes së lëkurës, por më e rënda, mund të shaktojnë lloje të ndryshme të kancerit të lëkurës.

Mjekët janë të shqetësuar nga dy lloje të rrezatimit ultjaviolet: UV-A dhe UV-B.

“Pra, ekziston rrezatimi ultraviolet A, ka pak rrezik për kancer, por lidhet më shumë me plakjen. Ndikmi kryesor është tek rrudhat, është i lidhur me zbehjen e lëkurës, është i lidhur me pigmentin, lidhet me enët e gjakut duke i bërë më të dukshme në sipërfaqe, pra përshpejton plakjen e lëkurës”, thotë dermatologia Emma Craythorne..

Rreziku më i madh vjen nga rrezet UV-B, që mund të shkaktojnë kancer.

“Rrezet, UVB, hyjnë drejpërdrejt në ADN-në e lëkurës dhe dëmtojnë bërthamën e qelizave së lëkurës. Trupi i njeriut është shumë i zgjuar, sepse e riparon dëmin. Por ekspozimi i përsëritur dhe dëmtimi i përsëritur do të krijonte shumë mutacione. Dhe kur ka shumë mutacione brenda një qelize, atëherë shndërrohet në kancer të lëkurës”, thotë dermatologia Emma Craythorne.

Sipas dermatologes kremrat kundër diellit mund të ndahen përafërsisht në dy kategori: krem mbrojtës kimik dhe krem mbrojtës fizik.

Kremrat fizikë, që kanë në përbërje bazë minerale, si dioksid titani dhe oksid zinku, shërbejnë për të bllokuar rrezet ultraviolet, duke shërbyer si pasqyra që i thyejnë dhe reflektojnë mbrapsht rrezet e diellit.

Ndërsa kremrat kimikë thithin dhe shpërndajnë rrezet ultraviolet të diellit, duke e shndërruar energjinë e dritës në nxehtësi. Por nxehtësia që çlirohet është kaq e vogël, sa nuk mund të kapet as me aparatura.

Vende të ndryshme kanë rregulla të ndryshme se cilat kimikate lejojnë. Doktoreshë Emma po ashtu këshillon se mbrojtja që ofron çdo krem kundër diellit varet nga kohëzgjatja e ekspozimit ndaj diellit.

“Ju si konsumator mund të keni blerë një krem që ka si faktor mbrojtjeje 30 ose 50 (SFP). Këto shifra tregojnë se kremi ju mbron nga ana e djegies, pra rrezet UVB. Nuk tregon se sa shumë ju mbron nga rrezet UVA. Dhe për ta zbuluar këtë, është pak më e ndërlikuar”, thotë dermatologia Emma Craythorne.

Doktoresha këshillon se çdo njeri duhet të lexojë të dhënat e produktit për të parë nëse ofron mbrojtje afatgjatë. Po ashtu, sipas saj, çdo njeri mund të qëndrojë jo më shumë se 30 minuta në diell, pa shkaktuar djegie nga dielli dhe këshillohen orët e mëngjesit, ose orë e pasdites vonë.

voa

4000 hapa në ditë për një jetë më të gjatë

Shetitja është gjysma e shëndetit!Ai që bën 10,000 hapa në ditë do të qëndrojë i shëndetshëm. Një meta-analizë tregon se shëtitjet edhe më të shkurtra janë të mjaftueshme. Po sa duhet të shëtisim në ditë?

 

Lëvizja është e shëndetshme – kjo dihet dhe theksohet gjithmonë. Edhe një shëtitje e thjeshtë kontribuon shumë në qarkullimin më të mirë të gjakut, përmirëson metabolizmin, forcon sistemin imunitar dhe parandalon sëmundjet kronike.

Ndërsa dikur numëroheshin kaloritë, sot numërohen hapat, më saktë: 10.000 hapa në ditë. Deri më tani, besohej se kushdo që ecën kaq shumë hapa në ditë – në varësi të gjatësisë së hapave, rreth gjashtë deri në tetë kilometra – mbetet në formë të mirë dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Meta-analiza hedh poshtë teorinë e 10.000 hapave

Për një kohë të gjatë, shkencëtarët kanë dyshuar në këtë vlerë të supozuar magjike prej 10.000 hapash. Një meta-analizë e re e publikuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese tani tregon madje se të mjaftueshme për të reduktuar rrezikun e vdekjes së hershme janë edhe më pak se 4000 hapa në ditë. Sipas kësaj analize, mjaftojnë madje edhe 2.300 hapa në ditë për të ulur rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

Studiuesit analizuan gjithsej 17 studime të ndryshme dhe kanë pasur akses në të dhënat e mbi 227.000 njerëzve nga pjesë të ndryshme të botës. Ata zbuluan se ecja e përditshme është e lidhur ngushtë me shanset më të mira për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm – pavarësisht nga mosha, gjinia apo vendbanimi.

Në thelb, sa më shumë të ecni, aq më mirë. Vetëm 1000 hapa në ditë reduktojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme me 15 për qind, tregon kjo analizë. Ndërsa me 500 hapa, rreziku i sëmundjeve fatale të zemrës ulet me shtatë për qind. Prej 4000 e më shumë konsiderohet pra si një gjatësi ideale në ditë për të eliminuar në masë më të madhe rreziqet sëmundjet kardiovaskulare.

Rregulli i 10.000 hapave vjen nga marketingu

Këto janë pra të dhënat e fundit nga meta-analizat për lëvizjen dhe gjendjen shëndetësore. Ndërsa rregulli i 10.000 hapave në ditë nuk është vërtetuar kurrë shkencërisht. Shkencëtarët mendojnë se kjo me siguri buron nga strategjia e marketingut të një kompanie japoneze, e bërë për qëllimet e veta.

Në vitin 1964, në kohën e Lojërave Olimpike në Tokio, kompania Yamasa prezantoi instrumentin e parë për matjen e hapave, të quajtur “Manpo-kei” – që do të thotë “numërues i 10.000 hapave”. Ky numër hapash i mban njerëzit në formë dhe është shprehje e një stili jetese të shëndetshëm, shpjegoi prodhuesi në atë kohë. Kjo tezë u shndërrua shumë shpejt në një rekomandim të përgjithshëm – por më së voni ajo tani është hedhur poshtë. Sipas analizave të fundit, mjaftojnë edhe shumë më pak hapa në ditë, por me rëndësi është lëvizja e përditshme.

bc (ard)

Kanceri: Pabarazia sociale shton rrezikun e kancerit

Kanceri një prej sëmundjeve më të rëndaKanceri mund të prekë këdo – por njerëzit me prejardhje të varfër dhe të paarsimuar kanë një rrezik më të lartë të kancerit, sipas një ekipi shkencor gjerman,

 

Në Gjermani, rreziku nga paraqitja e kancerit po zvogëlohet. Ky është një lajm i mirë. Por një zhvillim tjetër e bën shumë të qartë një mospërputhje të rëndësishme, sepse ulja e rasteve të kancerit është më më e theksuar në rajone më gjendje më të mira sociale sesa në vende të tjera, shkruan ekipi i udhëhequr nga Lina Jansen nga Qendra Gjermane e Kërkimeve të Kancerit (DKFZ) në “International Journal of Cancer”.

Në studimin e tyre, shkencëtarët ekzaminuan të dhënat nga 48 milionë banorë në tetë lande të Gjermanisë dhe krahasuan diagnozat e kancerit midis vitit 2007 dhe 2018. Rezultati: pabarazia sociale po ndikon gjithnjë e më shumë në shkallën e rasteve të reja me kancer në Gjermani.

Kanceri dhe pabarazia sociale: trend i qartë

Studiuesit së pari klasifikuan të gjitha rajonet e përfshira në studim në pesë grupe të ndryshme duke përdorur një indeks socio-ekonomik, i cili përfshinte ndër tjerash, të ardhurat, shkallën e punësimit dhe arsimin.

Studiuesit zbuluan se më pak njerëz janë sëmurë nga kanceri në këtë periudhë – në të gjitha pesë grupet e studiara. Por kjo rënie në shkallën e sëmundjeve është shumë më e vogël në rajonet me gjendje më të vështirë sociale, sesa tek ato më të pasura. Shkencëtarët kanë studiuar si sëmundjet nga kanceri në përgjithësi, ashtu edhe kancerin e zorrës së trashë dhe mushkërive – në veçanti tek meshkujt.

Studiuesit zbuluan se pabarazia sociale është rritur gjatë periudhës së vëzhgimit. Ndërsa në vitin 2007 burrat në rajonet më të pafavorizuara socio-ekonomikisht kishin një normë shtatë përqind më të lartë të rrezikut nga kanceri sesa burrat në rajonet më të pasura, kjo shifër u rrit në 23 për qind në vitin 2018. Ndërsa tek gratë diferenca është rritur nga shtatë për qind në vitin 2007, në 20 për qind në vitin 2018. Që do të thotë se është rritur dukshëm dallimi i të sëmurëve me kancer tek popullata më e varfër – si tek burrat ashtu edhe tek femrat.

Cilët faktorë shkaktojnë pabarazi sociale?

Për të luftuar këtë pabarazi, së pari është e rëndësishme të dihet se çfarë i karakterizon rajonet më të dobëta socio-ekonomikisht. Kujdesi mjekësor dhe infrastruktura mjekësore kanë mbetur relativisht të njëjta. Por faktorët individualë si papunësia, përqindja e njerëzve me mirëqenie apo me probleme sociale, si dhe shkalla e braktisjes së shkollës janë rritur dukshëm, varësisht nga rajoni dhe gjendja sociale e vendeve të studiuara. “Faktorët socialë duket se luajnë një rol shumë më të madh në këto të dhëna sesa infrastruktura e përgjithshme”, thekson Lina Jansen nga Regjistri Epidemiologjik i Kancerit i DKFZ në Baden-Württemberg.

Sipas studiuesve, në shtimin e numrit të personave të sëmurë nga kanceri ndikon edhe stili i jetesës. Ndër të tjera ndikojnë edhe gjendja socio-ekonomike, përdorimi i duhanit, mungesa e stërvitjeve dhe praktimit të sportit, mbipesha dhe disa faktorë të tjerë.

Kanceri shpesh i parandalueshëm

“Ndërmjet 30 dhe 50 për qind e kancereve mund të shmangen përmes një stili jetese të shëndetshëm, siç është moskonsumimi i duhanit dhe masat për ruajtjen e shëndetit publik, si për shembull vaksinimi kundër infeksioneve që shkaktojnë kancer”, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Parandalimi është strategjia afatgjatë me kostot më ulëta për të luftuar kancerin.

Përveç duhanit, OBSH rendit ndër rreziqet më të mëdha për paraqitjen e konacerit edhe konsumin e alkoolit, ushqimin jo të shëndetshëm, mungesën e stërvitjes dhe sportit, si dhe ndotjen e ajrit.

Lina Jansen nga DKFZ thekson rëndësinë dhe mundësitë e parandalimit të kancerit: “Rezultatet tona tregojnë se në të ardhmen duhet të bëjmë përpjekje të veçanta në mënyrë që të gjithë njerëzit të përfitojnë njësoj nga rekomandimet për mënyrën më të shëndetshme të jetesës si dhe për ekzaminimet dhe zbulimin e hershëm të kancerit – pavarësisht gjendjes së tyre sociale apo ekonomike”.

dw

Fentanyli, shkaktari i shumicës së vdekjeve nga opioidet

opioidetZyrtarët meksikanë u takuan më 25 korrik me zyrtarët amerikanë dhe kanadezë në Meksikë, për të diskutuar rreth përpjekjeve për të luftuar trafikimin e opioidit sintentik, fentanylit. Për të kuptuar këtë problem, Zëri i Amerikës bisedoi me disa ish-përdorues të fentanylit në një qendër rehabilitimi në Uashington.

 

 

“Fillimisht, për shume vite, mjeku më kishte dhënë recetë për opioide. Më pas, pasi humba sigurimin dhe me ligjet e rrepta për kontrollin e tyre, forma më e lehtë ishte që t’i blija ato nga dikush në rrugë”, thotë Megan DeFranco, një ish përdoruese e Fentanylit.

Ajo është në mesin e 75 për qind i të varurve nga opioidet, të cilët, Institutiti Kombëtar i Shëndetësisë, thotë se e nisën përdorimin e tyre me recetë nga mjekut.

“Njerëzit nuk zgjedhin ta përdorin atë. Unë mendoja se po përdorja diçka që ishte me recetë”, thotë zonja DeFranco.

Ilaçi “OxyContin” dikur dominonte tregun e ligjshëm dhe të paligjshëm të opioideve.

Por tani, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, fentanyli, që kryesisht prodhohet në formë të paligjshme, është shkaktari i shumicës së vdekjeve nga opioideve.

Johnny Bailey është me qendrën rehabilieuse “HIPS” në Uashington.

“Fentanyli është pothuajse shkaktari i të çdo vdekjeje. Mbi 90 për qind e mbidozave fatale, janë si pasojë e fentanylit”, thotë zoti Bailey.

Sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më shumë se 150 njerëz vdesin çdo ditë, si pasojë e mbidozave që lidhen me opioidet sintetike si fentanyli.

“Është shumë dëshpëruese, sepse jemi zhytur në vdekje, varfëri dhe probleme tjera”, thotë zoti Bailey.

Vdekja e një të afërmi të zonjës DeFranco, bëri që ajo të ndalonte përdorimin e drogës. Ajo nisi rehabilitimin në grupin “HIPS”.

“Rehabilitimi nuk ishte i lehtë, sepse keni shumë mendime në kokë… Por, ia dola. U deshën disa përpjekje. Është si një epidemi”, thotë ish-përdoruesja.

Instituti Kombëtar për Abuzimin e Drogave thotë se 40 deri në 60 për qind e njerëzve që mundohen të heqin dorë nga drogat hasin në vështirësi.

Johhny Bailey është një nga të rehabilituarit.

“Po mbush 10 vite. Pasi e mblodha veten, u ktheva në shkollë për të marrë diplomën për punë sociale, sepse misioni im ishte t’u ofroja njerëzve gjërat që unë do të doja t’i kisha. Dikur isha i papunë, një i gjunjëzuar, që ka lënë shkollën dhe i divorcuar. Tani jam i martuar. Është fantastike”, thotë ai.

Opioidet janë një problem global, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Qendrave kombëtare të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, opioidet janë shkaktarët kryesorë të vdejeve si pasojë e mbidozës.

voa

Menaxhimi i simptomave të hershme të demencës

demencaDisa qendra të kujdesit për personat me probleme shëndetësore në Australi po forcojnë kujdesin e specializuar për personat që vuajnë nga demencia. Kjo pason një raport të qeverisë, i cili thotë se sëmundja mendore është tani më e përhapur se ato të zemrës në Australi. Sipas statistikave të fundit, rastet e sëmundjes së demencës u rritën me 61 për qind në 11 vjet në grupmoshat më të lartë në vend.

 

Njëmbëdhjetë vjet më parë, Shirlene Colbert filloi të përballej me ndryshime shqetësuese të personalitetit të bashkëshortit të saj, Stephen.

Mjeku i familjes në fillim tha se kjo ishte pasojë e stresit të shkaktuar nga puna, por në fakt Stephen po përballej me simptomat e para të demencës, e cila ndërlikohet nga agresioni fizik dhe sjellje të tjera shqetësuese. Sipas mjekëve, këto ndryshime janë pasojë e simptomave psikologjike të demencës.

“Kur Stephen ishte rreth 54 vjeç ne lëvizëm nga shtëpia për të bërë një rinovim. Kur u rikthyem në shtëpi, Stephen ishte vërtet i hutuar dhe nuk dinte ku t’i vendoste gjërat. Për mua kjo ishte një shenjë se diçka nuk ishte në rregull”, thotë zonja Colbert.

Gjendja e zotit Colbert u përkeqësua, ai filloi të bëhej më agresivë dhe nuk mund të kujdesej për veten e tij.

Bashkëshortja e tij pas një periudhe të shkurtër nuk mund të kujdesej e vetme për të.

Për njerëz si Stephen Colbert, qeveria australiane ka hapur Programin e Kujdesit për rastet e rënda të Demencës. Falë këtij programi ai u pranua në qendrën “Uniting Eabrai”, një nga dy shtëpitë e specializuara, të financuara nga qeveria australiane.

Në shkurt, Instituti Australian i Shëndetit dhe Mirëqenies publikoi një raport që konfirmonte se demencia ishte shkaktari kryesor i vdekjeve në vend.

Raporti vlerësoi se në vitin 2022 më shumë se 400 mijë qytetarë kishin demencia dhe kjo shifër do të dyfishohej deri në vitin 2058.

Profesorja e Universitetit të Sidneit, Yun-Hee Jeon, shpjegon se demencia është një gjendje neurodegjenerative kronike. Ajo thotë se ka 150 lloje të demencës, por forma më e zakonshme e saj është alcajmeri.

“Sëmundja e alcajmerit është deri tani më e zakonshme. Rreth 60 për qind të rasteve të demencës janë në të vërtetë sëmundje të alcajmerit”, thotë profesorja Jeon.

Shumë njerëz mendojnë se alcajmeri dhe format e tjera të demencës kanë të bëjnë vetëm me humbjen e kujtesës.

“Kujtesa është vetëm një pjesë e sëmundjes. Ka një sërë dëmtimesh të trurit, që përfshijnë vendimmarrjen, procesin e të menduarit si dhe aftësitë komunikuese të individëve. Kjo ndikon në aktivitetet e jetës së përditshme. Përkeqësimi i sëmundjes e vështirëson më tej aftësinë e personave të prekur për të menaxhuar punët e tyre të përditshme”, thotë profesorja Jeon.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit Australian të Shëndetit dhe Mirëqenies, dy në tre persona me demencë ende jetojnë në komunitet pranë familjeve, miqve dhe fqinjëve të tyre.

Specialisti klinik i demencës në qendrën “Uniting Eabrai”, Greg Buckley thotë se sjellja e pacientëve mund të jetë shumë sfiduese.

“Ata godasin, kafshojnë, shkelmojnë, gërvishtin, godasin me shuplakë, thyejnë krahët, këmbët. Thyejnë xhamat, thyejnë karriget”, thotë ai.

Personeli i qendrës “Uniting Eabrai” është i trajnuar për t’u pëballur me këto sjellje dhe për të ndihmuar në stabilizimin e gjendjes së pacientëve. Kjo qendër përpiqet të kuptojë më mirë historinë e pacientëve dhe angazhon anëtarët e familjeve të tyre në stabilizimin e gjendjes së tyre. Shirlene Colbert thotë se qendra “Uniting Eabrai” është një vend i mirë për bashkëshortin e saj, ndonëse ai ka nevojë për një përmirësim më të madh.

Nëntë qendra të ngjashme pritet të hapen në Australi brenda këtij viti.

voa

Sa të rrezikshme janë temperaturat e larta?

vapeTemperaturat e larta dhe vapa, që do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, mund të shkaktojnë sëmundje serioze deri në vdekje.

Dhjetra qytete në të gjithë Evropën Jugore janë përfshirë nga valët e të nxehtit. Autoritetet paralajmërojnë për temperatura ekstreme që do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

Sipas statistikave vitin e kaluar nga fundi i majit deri në shtator temperaturat e larta shkaktuan vdekjen e rreth 62 mijë europianëve. Numri më i lartë u regjistrua në Itali, me mbi 18 mijë humbje jete, pasuar nga Spanja, Greqia dhe Gjermania.

 

Më në rrezik të moshuarit

Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare ose atyre të frymëmarrjes. Kush qëndron për një kohë të gjatë në diell, rrezikon të digjet. Dhe kush qëndron për një kohë të gjatë në temperatura të larta, rrezikon hipertermi, një gjendje e ngjashme me ethet.

Po ashtu lëkura dhe indet e trurit ngacmohen nga nxehtësia e madhe dhe mund të shkaktojnë të ashtuquajturin meningjit aseptik, një infeksion truri që nuk shkaktohet nga ndonjë bakterie. Kjo goditje nga dielli është goditje e izoluar në kokë nga i nxehti.

Sipas studiuesve më të prekurit janë të moshuarit, sidomos ata mbi 65 vjeç.

 

Çfarë parashikohet për këtë verë?

Ekspertët thonë se është e lartë gjasa që moti të bëhet akoma më i nxehtë. Dhe kjo do të thotë potencialisht edhe më vdekjeprurës.

Deri tani, kjo verë ka thyer rekordet: me qershorin më të nxehtë dhe javën më të nxehtë të të regjistruar ndonjëherë në botë në fillim të korrikut.

Ndryshimet klimatike globale po shkaktojnë rritje të temperaturave në mbarë botën. Por në Evropë, temperaturat janë rritur dy herë më shpejt se mesatarja globale.

 

Masa për adaptimin ndaj nxehtësisë

Ekspertët thonë se qeveritë duhet të ndërmarrin menjëherë masa për parandalimin dhe adaptimin ndaj nxehtësisë, për të mbrojtur ata që janë në rrezik.

Kjo përfshin, për shembull, përmirësimin e njoftimeve rreth valëve të të nxehtit dhe vënien në dispozicion të mjediseve publike me ajër të kondicionuar, gjë që do të ndihmonte për të parandaluar deri në 100 mijë vdekje të parakohshme të lidhura me nxehtësinë.

dw

Pilula për humbje peshe, në vend të injeksioneve?

PilulaPo sikur trajtimi për mbipeshën të ishte thjesht një pilulë e përditshme?

 

Tek kjo ide kanë shpresuar mbi 40% e amerikanëve që konsiderohen obezë, megjithëse është kritikuar nga aktivistët që kërkojnë pranim më të gjerë në shoqëri të mbipeshës. Së shpejti, kjo ide mund të bëhet realitet.

Sipas dy studimeve të publikuara të shtunën, variantet me pilula të ilaçit kundër mbipeshës “Wegovy” mund të funksionojnë po aq mirë sa injeksionet që tashmë po përdoren gjerësisht për të balancuar peshën dhe për të përmirësuar gjendjen shëndetësore. Ilaçi i fuqishëm duket se është i efektshëm edhe për personat me diabet, të cilët e kanë shumë më të vështirë për të humbur peshën e tepërt.

Kompania farmaceutike “Novo Nordisk” planifikon të kërkojë gjatë këtij viti miratimin e Administratës amerikane për Barnat dhe Ushqimet (FDA).

“Nëse i pyesni njerëzit nëse duan të marrin një pilulë apo një injeksion, shumica dërrmuese do të zgjedhin pilulën”, thotë Dr. Daniel Bessesen, drejtues i endokrinologjisë në spitalin “Denver Health”, ku kurohen pacientë obezë, por që nuk ishte pjesë e studimit të ri.

Kjo nëse prezumojmë që të dyja metodat, thotë Dr. Bessesen, janë njësoj efikase, të disponueshme dhe me kosto të përballueshme. “Këta janë faktorët më të rëndësishëm për njerëzit”, thotë ai.

Në treg ka patur pilula të tjera për humbjen e peshës, por asnjëra nuk ka arritur rënie domethënëse në peshë si ilaçet intravenoze si “Wegovy”. Personat obezë të ishin shumë të lumtur që të kishin një opsion pilule që do të ishte po aq efikas, thotë Dr. Katherine Saunders, profesore e mjekësisë në klinikën “Weill Cornell Health” dhe bashkëthemeluese e “Intellihealth”, një kompani që përqëndrohet tek trajtimi i obezitetit.

Kompania “Novo Nordisk” prodhon tashmë ilaçin “Rybelsus”, që është liçencuar për të trajtuar diabetin dhe është version pilulë i ilaçit “Semaglutid”, i njëjti medikament që përdoret në ilaçet për diabetin “Ozempic” dhe “Wegovy”. Ilaçi prodhohet në doza deri në 14 miligramë.

Rezultatet e dy provave të nivelit më të lartë shkencor, tashmë të publikuara gjatë takimit vjetor të Shoqatës Amerikane të Diabetit, përqëndrohen tek efektet e dozave deri në 25 dhe 50 miligramë për rënien në peshë, përmirësimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe tregues të tjerë shëndetësorë.

Studimi 16-mujor me 1,600 pjesëmarrës që ishin mbipeshë apo obezë, dhe që po trajtoheshin për diabetin e tipit 2, zbuloi se pilulat e përditshme me doza të larta kishin ulur nivelin e sheqerit në gjak shumë më tepër se doza standarte e ilaçit “Rybelsus”. Nga një peshë mesatare prej mbi 96 kilogramësh, dozat e larta gjithashtu arritën një rënie në peshë prej 6.8 – 9.07 kilogramësh, krahasuar me rreth 4.55 kilogramë të humbura me dozat më të vogla.

Një tjetër studim 16-mujor me pjesëmarrje të mbi 660 personave në moshë madhore që kishin obezitet, apo ishin mbipeshë, dhe që kishin të paktën një sëmundje tjetër të ndërlidhur – por jo diabetin – zbuloi se një pilulë e përditshme 50 miligramëshe i ndihmoi të humbasin mesatarisht 15% të peshës (15.88 kilogramë).

Kjo është dukshëm në përputhje me humbjen në peshë të arritur nga dy injeksione të përjavshme të ilaçit “Wegovy”, thonë autorët e studimit.

Por, pati megjithatë efekte anësore. Rreth 80% e pjesëmarrësve që morën pilula me ilaçin “Semaglutide” përjetuan situata si probleme të lehta deri në të moderuara të aparatit tretës, marrje mendsh, kapsllëk dhe diarre.

Në provën me pilulat 50 miligramëshe, pati evidencë nivelesh më të larta tumorësh beninj tek personat që merrnin ilaçin. Gjithashtu, rreth 13% e tyre patën ndryshim në ndjesinë e lëkurës, si irritim apo rritje të ndjeshmërisë.

Ekspertët e mjekësisë mendojnë se pilulat do të bëhen popullore, në veçanti në radhët e të rinjve që duan të humbasin peshë, por që u druhen gjilpërave. Gjithashtu, tabletat do të ishin shumë më popullore se shiringat që duhet të ruhen në frigorifer.

Por, pilulat nuk janë domosdoshmërisht opsioni më i mirë për qindra mijëra njerëz që po marrin tashmë variantin me injeksion të ilaçeve “Ozempic” apo “Wegony”, thotë Dr. Fatima Cody Stanford, eksperte për mjekimin e obezitetit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit.

“Nuk shikoj ndonjë hezitim domethënës ndaj bërjes së injeksioneve”, tha ajo. “Shumë njerëzve u pëlqen ta marrin medikamentin një herë në javë”.

Gjithashtu, ajo thotë se disa pacientë mund të preferojnë injeksionet në vend të pilulave, të cilat duhet të merren 30 minuta përpara ushqyerjes apo lëngjeve në mëngjes.

56-vjeçari Paul Morer, i cili është i punësuar në sistemin spitalor në Nju Xhersi, humbi 38 kilogramë me ilaçin “Wegovy” dhe shpreson të humbasë edhe 13 të tjera. Ai thotë se ndoshta do të vazhdojë me injeksionet e përjavshme, edhe nëse do të bëhen të disponueshme pilulat.

“E bëj (gjilpërën) gjatë mëngjesit të së shtunës. Është pjesë e rutinës time”, tha ai. “As nuk e ndjej gjilpërën. Nuk është problem”.

Disa kritikë shprehin shqetësimin se pilula do të rriste trysninë ndaj personave obezë që ta përdorin atë, duke e shtuar kështu paragjykimin në shoqëri ndaj personave që nuk munden – ose që nuk dëshirojnë – të humbasin peshë, thotë Tigress Osborn, drejtuese e Shoqatës Kombëtare për Pranimin e Mbipeshës.

“Nuk i shpëton dot nocionit se ke trupin e gabuar dhe se duhet ta ndryshosh”, thotë zonja Osborn.

Sidoqoftë, kompania “Novo Nordisk” parashikon se një pilulë me dozë të lartë do të fitojë popullaritet për trajtimin e diabetit dhe obezitetit. Shitjet e medikamentit “Rybelsus” arritën në gati 1.63 miliardë dollarë vitin e kaluar, rreth dyfishi i shifrës së vitit 2021.

Kompani të tjera po punojnë për të prodhuar variante ilaçesh me pilula që funksionojnë po aq mirë se ilaçi “Mounjaro” i kompanisë “Eli Lilly and Co.” – një medikament intravenoz për diabetin që pritet të miratohet së shpejti për t’u përdorur edhe për humbjen e peshës. Studiuesit e kompanisë Lilly njoftuan rezultate premtuese nga provat për një pilulë të quajtur “Orforglipron” për trajtimin e pacientëve që janë obezë apo mbipeshë, me apo pa diabet.

Edhe kompania Pfizer ka nxjerrë rezultatet paraprake nga provat për ilaçin dangulgipron, një pilulë për diabetin që merret dy herë në ditë, së bashku me ushqimin.

Zyrtarët e kompanisë Novo Nordisk thonë se është tepër herët për të thënë se sa do të jetë kostoja e pilulave, apo se si do të garantojë kompania kapacitet e mjaftueshme të prodhimit për të plotësuar kërkesat. Megjithë popullaritetin në rritje, furnizimi do të jetë i ulët, të paktën deri në muajin shtator, me dozat me injeksion të ilaçit Wegovy, thanë zyrtarët e kompanisë. voa

Vaksina mund të jetë hapi i madh i ardhshëm në luftën kundër kancerit

VaksinaShkencëtarët thonë se hapi i ardhshëm në luftën ndaj kancerit mund të jetë një vaksinë, jo për ta parandaluar sëmundjen, por për të zvogëluar masën e tumorit. Pas disa dekadash suksesi të kufizuar, tashmë shkencëtarët thonë se puna kërkimore është në një pikë kthese dhe se do të shtohet prodhimi i vaksinave gjatë pesë viteve të ardhshme.

 

Todd Pieper nga qyteti Siatëll, po merr pjesë në një provë klinike në Shtetet e Bashkuara për një vaksinë që tkurr kancerin e mushkërive.

Kanceri në trupin e 56-vjeçarit është përhapur në tru dhe zoti Pieper është duke marrë pjesë me vendosmëri në këtë punë kërkimore që mund të ndryshojë rrënjësisht trajtimin mjekësor që do t’u jepet pacientëve në të ardhmen.

“Në fund të fundit nuk kam ç’humbas më dhe vetëm mund të përfitoj për veten dhe për të tjerët në të ardhmen. Nuk jam shumë në dijeni se si shkon studimi, apo çfarë ecurie ka në prova, por mendoj se mund të jetë vetëm pozitive”, thotë zoti Pieper.

Ai ka marrë tashmë vaksinën e parë kundër kancerit, që nuk vepron si vaksinat tradicionale që parandalojnë sëmundjet. Këto vaksina janë injeksione që zvogëlojnë masën e tumorit dhe ia ndalojnë kancerit rikthimin.

Që një vaksinë të ketë sukses, ajo duhet t’u mësojë qelizave T të trupit që ta identifikojnë kancerin si të rrezikshëm. Pasi përgatiten me këtë informacion, qelizat T futen në kërkim të rrezikut në gjithë trupin e njeriut, thonë shkencëtarët në Institutin për Vaksinën e Kancerit në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll.

Ekziston mundësia edhe për studimin së shpejti të vaksinave të tjera për parandalimin e kancerit, të ngjashme me vaksinat ndaj hepatitit B që parandalojnë kancerin e mëlçisë. Të tjerë studiues po prodhojnë vaksina për të parandaluar kancerin tek personat me masa para-kancerogjene në mushkëri dhe sëmundje të tjera të trashëguara që rrisin rrezikun për shfaqjen e kancerit.

Kompanitë farmaceutike Moderna dhe Merck kanë bashkuar forcat për të prodhuar një vaksinë të llojit mRNA për pacientët me melanomë. Vaksinat prodhohen sipas veçorive të çdo pacienti, bazuar në mutacionet në masën kancerogjene. Një vaksinë e tillë mund ta përgatisë sistemin imunitar që të identifikojë posaçërisht kancerin në fjalë dhe t’i vrasë qelizat kancerogjene, por këto vaksina do të jenë të kushtueshme.

Ndërsa vaksinat që po prodhohen në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll janë projektuar për të funksionuar për shumë pacientë, dhe jo vetëm për një person. Dr. Nora Disis, nga Instituti për Vaksinën ndaj Kancerit në këtë universitet, mendon se kjo do të jetë dekada e vaksinave.

Kam shumë besim se në 5 – 8 vitet e ardhshme, do të kemi miratimin e më shumë se një vaksine për kancerin, që mund të përdoret për të parandaluar rishfaqjen e sëmundjes”, thotë dr. Disis.

Përparimi në punën kërkimore për vaksinat që mund të përdoren si kurë ka qenë i vështirë. Në shumë raste kanceri ka mundur sistemin e dobësuar imunitar të pacientëve, por studiuesit thonë se edhe dështimet u kanë mësuar shumë gjëra.

Jamie Crase ishte ndër pacientet e para që u injektua me vaksinën për kancerin e vezoreve në një studim që filloi 11 vite më parë. Ajo ishte diagnostikuar me kancer të avancuar të vezoreve që kur ishte 34 vjeçe dhe nuk kishte ende fëmijë. Zonja Crase mendoi se do të vdiste në moshë të re dhe filloi të bëjë plane se kujt t’ia linte sendet e saj pas vdekjes.

“Filluam të caktonim se ku do të shkonin të gjitha gjërat që ishin të rëndësishme. Është e çuditshme po ta mendosh, por duke qenë se nuk kishim fëmijë, pyesnim veten: Ku do të shkojnë bizhuteritë e mia? Kujt do t’ja jap këtë? Këtë gjerdan p.sh. doja që t’i jepej shoqes time më të mirë, që kur kemi qenë në klasë të katërt. Ajo është njeriu im më i afërt”, tregon zonja Crase.

Tashmë ajo nuk e di me siguri nëse ishte vaksina që e ndihmoi, por nuk ka asnjë dyshim për pjesëmarrjen në provën klinike.

“Nëse kjo do të shndërrohej në diçka që mund t’u jepej grave përpara se t’u shfaqej kanceri, përse të mos merrja pjesë në prova? Apo nëse mund t’u injektohej grave pasi janë diagnostikuar me kancer për t’ua forcuar sistemin imunitar që të luftojnë kancerin? Përse të mos bëhesha pjesë e një gjëje të tillë? Jam ende gjallë. Mundem të vazhdoj të ndihmoj. Unë nuk kam fëmijë. Kështu që mund të lë pas këtë trashëgimi”, thotë zonja Crase.

voa