Kategoritë: Shëndeti

COVID-19, dyfishohet prania e varianteve të reja në SHBA; Evropa paralajmëron për rritje

Covid19Agjensitë rregullatore amerikane thanë të premten se varianti BQ.1 dhe BQ.1.1 janë përgjegjës për 16.6% të varianteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, një nivel ky pothuajse i dyfishuar krahasuar me javën e kaluar, ndërkohë që Evropa mendon se këta do të jenë variantet dominuese brenda një muaji.

 

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se variantet ka gjasa të rrisin rastet e infektimeve në javët dhe muajt në vazhdim në Evropë.

Këto dy variante janë pasardhës të variantit Omicron BA.5, i cili është më dominuesi në Shtetet e Bashkuara. Agjencitë rregullatore në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar rishtazi vaksina përforcuese për ta luftuar atë.

Nuk ka ende evidencë që BQ.1 të lidhet me ashpërsi të rritur të sëmundjes, krahasuar variantët BA.4 dhe BA.5, thanë zyrtarët evropianë, por paralajmëruan se ai mund të shmangë disa mbrojtje imunitare, duke cituar studime laboratorike të bëra në Azi.

“Këto variante (BQ.1 dhe BQ.1.1) mund të sjellin një valë shumë të keqe të sëmundjes këtë dimër në Shtetet e Bashkuara dhe kjo ka filluar tashmë të ndodhë në Evropë dhe Britani”, tha Gregory Poland, virolog dhe studiues i vaksinave në Klinikën Mayo.

Në Shtetet e Bashkuara, rastet e përjavshme ka rënë rishtazi, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Niveli i koronavirusit i konstatuar në mostrat e ujërave të zeza të testuara nga kompania Biobot Analytics ka qëndruar në të njëjtën nivel në Shtetet e Bashkuara gjatë gjashtë javëve të fundit. Mostrat e ujërave të zeza parashikojnë shpesh rritjen e mundshme të COVID-19ës, përpara se të jenë përpiluar të dhënat e CDC-së.

Variantet e rinj monitorohen nga afër nga agjencitë rregullatore dhe prodhuesit e vaksinave për të parë nëse fillojnë të shmangin mbrojtjen që ofrojnë vaksinat aktuale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha këtë javë se BQ.1.1 po qarkullon në të paktën 29 vende.

CDC-ja tha të premten se BQ.1 dhe BQ.1.1 u vlerësuan javën e kaluar të përbëjnë 9.4% të varianteve që qarkullojnë.

voa

OBSH: Mungesa e aktivitetit fizik po sëmur miliona vetë

ObezMungesa e aktivitetit fizik ka pasoja katastrofike. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se gati 500 milionë njerëz mund të sëmuren brenda dhjetë viteve. Situata në Gjermani është veçanërisht dramatike.

 

Sëmundjet e zemrës, obeziteti, diabeti, depresioni, demenca – gati 500 milionë njerëz në mbarë botën pritet të preken nga këto dhe sëmundje të tjera në vitet 2020-2030, raporton Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në “Raportin e aktivitetit fizik botëror 2022″. Dhe kjo është kryesisht për një arsye: sepse ata nuk bëjnë aktivitet fizik të mjaftueshëm.

 

Rekomandohen të paktën dy orë e gjysmë në javë

Sipas rekomandimeve të OBSH-së, të rriturit duhet të angazhohen në të paktën 150 minuta aktivitet fizik, ose dy orë e gjysmë në javë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht stërvitje intensive, që ecja me biçikletë ose ecja me shpejtësi ndihmon për të qenë në formë më të mirë dhe për të parandaluar sëmundjet. Por edhe kaq, shumë njerëz nuk i bëjnë, veçanërisht në vendet e pasura.

 

OBSH ka llogaritur se në vendet e varfra nuk kanë aktivitet fizik të mjaftueshëm pak më shumë se 16 për qind e njerëzve, ndërsa në vendet me të ardhura të larta shifra është dy herë më e lartë.

 

Gjermania ka performancë të dobët

Rezultatet e Gjermanisë janë të dobëta shumë mbi mesataren: 44 për qind e grave dhe 40 për qind e burrave mbi moshën 18 vjeç duhet të jenë më aktivë, sipas OBSH-së. Situata është veçanërisht shqetësuese tek të rinjtë në Gjermani: 88 për qind e vajzave dhe 80 për qind e djemve nuk bëjnë mjaftueshëm aktivitete fizike.

 

Pandemia e koronas e përshpejtoi më tej tendencën drejt dembelizmit në aktivitetin fizik, analizon OBSH, e cila u kërkon vendeve anëtare të bëjnë më shumë – për shembull për të përmirësuar rrugët e biçikletave dhe rrugët e këmbësorëve në qytete.

Po të mos ndryshojë asgjë, mjekimi i njerëzve në mbarë botën, që janë sëmurë vetëm nga mungesa e aktivitetit fizik, do të kushtojë rreth 300 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Një ekspert i OBSH-së tha në Gjenevë se këto para mund të përdoren për të trajnuar 100 milionë mjekë.

 

OBSH

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u themelua më 7 prill 1948 në Nju Jork. Selinë e saj e ka në Gjenevë. Misioni i saj është të luftojë epidemitë dhe të forcojë sistemet shëndetësore. Ajo nis fushatat e vaksinimit, këshillon qeveritë dhe inkurajon informacionin, trajnimin dhe kërkimin. Rrjeti global i OBSH-së ka më shumë se 7000 punonjës, gjashtë zyra rajonale dhe 150 zyra lokale. Vendimet më të rëndësishme në lidhje me programin dhe buxhetin merren nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë e Anëtarëve, e cila mblidhet një herë në vit.

aud (K.Hondl/ARD-Gjenevë)

Berlin, Takimi Botëror për Shëndetin fillon punimet

Olaf ScholzNë Berlin ka filluar punimet Takimi Botëror për Shëndetin që synon të krijojë energjitë e duhura dhe bashkimin e forcave për zhvillimin global shëndetësor. Në këtë takim treditor marrin pjesë udhëheqës botërorë, drejtues të shëndetësisë, por edhe të sektorëve të tjerë nga mbarë bota.

 

Takimi Botëror për Shëndetin i vitit 2022 filloi zyrtarisht punimet në Berlin të djelën. Tematika kryesore e ceremonisë çelëse ishte “Ngritja e Shëndetit Global në një Nivel të Ri”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Ndërveprimi ka rëndësi, bashkëpunimi ka rëndësi, dhe kjo nënkupton përtej kufijve të vendeve, sipas disiplinave të ndryshme në shkenca, politikë dhe shoqëri… Ndërveprimi dhe bashkëpunimi janë çfarë përfaqëson Takimi Botëror për Shëndetin”, tha Kancelari Scholz.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se bota ka nevojë të bashkohet përballë rreziqeve të reja.

“Ngritja e shëndetit global në një nivel të ri do të thotë se na duhet një marrëveshje e re globale bazuar në një vizion të përbashkët. Pikërisht në momentin kur bota duhej të bashkohej për t’u përballur me rrezikun e përbashkët, pandemia COVID-19 u karakterizua nga mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha zoti Ghebreyesus.

Ndërsa në fjalën e tij të regjistruar paraprakisht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për veprim.

“Sistemi ynë i pabalancuar financiar në rang global po i lë pas dore vendet në zhvillim. Kjo duhet të ndryshojë. Të gjithë njerëzit kanë nevojë për qasje gjithëpërshirëse, të paanshme dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore dhe një mbulim universal shëndetësor. Dhe në këto kohëra vështirësish të mëdha dhe stresi, duhet të sigurohemi që shëndeti mendor nuk është një aspekt i neglizhuar i kujdesit shëndetësor”, tha zoti Guterres.

Fondacioni Bill & Melinda Gates gjithashtu njoftoi se do të dhurojë 1.2 miliardë dollarë për të mbështetur përpjekjet për t’i dhënë fund poliomelitit në mbarë botën.

“Poliomeliti është një ilustrim tronditës i pabarazisë shëndetësore. Ka diçka jashtëzakonisht të padrejtë që fëmijët të përballen me një sëmundje që është zhdukur pothuajse në mbarë botën, por jo në vendin e tyre”, tha Bill Gates, bashkëkryetar i fondacionit.

Jashtë takimit protestonin dhjetëra aktivistë. Personeli i sigurisë u përpoq t’ua ndalonte hyrjen në godinë, por disa prej tyre ia dolën mbanë. Ata aktivizuan alarmin për zjarrin dhe të tjerë ngujuan veten në hyrje duke përdorur lëndë ngjitëse.

voa

Një testi i ri gjaku zbulon mbi 50 lloje kanceri

analiza e gjakutNjë testi i ri gjaku zbulon mbi 50 lloje kanceri dhe vendin e origjinës së tyre në trup. Megjithatë testi ende nuk mund të zëvendësojë kontrollet e zakonshme, pasi teknologjia ka akoma nevojë për t’u përmirësuar.

 

Testi i ri i gjakut që u prezantua në një kongres të Shoqatës Evropiane të Onkologjisë, njeh ADN-në tumorale dhe vendin se ku gjenden ato në trup. Testi tregon pra jo vetëm nëse pacienti ka kancer, por edhe llojin e tij.

Studiuesit testuan për kancer rreth 6.000 vetë mbi moshën 50 vjeç. Rreth një për qind e testeve të gjakut ishin pozitive.

Testet e mëvonshme konfirmuan se një e treta e atyre që rezultuan pozitivë kishin vërtet kancer. Në subjektet e testimit u gjetën tumore në gjithsej 15 organe dhe inde të tjera të trupit.

Megjithatë testi ende nuk mund të zëvendësojë kontrollet e zakonshme të kancerit, pasi teknologjia ka akoma nevojë për t’u përmirësuar.

dw

Jo më vjersha përmendësh, studimi europian: Deri në 6 vjeç frenon të menduarit

jo permendshJo vjersha përmendësh deri në 6 vjeç. Frenon fjalën dhe të menduarit. Europa e ka ndaluar që në vitet ‘50-’60.

 

Një nga gjërat që bën krenar prindërit është që fëmija i tyre në kopsht mëson dhe reciton shumë vjersha përmendësh. Ekspertët e edukimit pozicioniohen kundër kësaj metode.

“0-6 vjeç, fëmija nuk duhet të mësojë vjersha. Përdoret kënga, dialogu dhe dalëngadalë nga modelet që marrin qoftë nga prindërit, qoftë nga edukatoret, do të ndërtojnë fjalën dhe mendimin e tyre. Fjala është shumë e rëndësishme, sepse ne nuk mendojmë dot jashtë fjalëve tona. Por që të zhvillohet fjala, në periudhën e kopshtit, në asnjë mënyrë vjersha, pasi vjersha vret pikërisht atë gjë që bën vetëm dialogu. Ne kur dëgjojmë tjetrin duke folur, apo tjetri na dëgjon teksa flasim, njëkohësisht mendojmë çfarë do të pyesim, çfarë u tha ndonjë gjë e re, a të vlen ajo, dhe çfarë emocionesh të zhvillohen”, tha Lira Gjika, Eksperte për Mirërritjen.

Dialogu të ndihmon të përballosh tjetrin, vjersha jo, ajo nuk e bën një gjë të tillë. Vjersha punon me memorien dhe me ankthin, “a e thashë mirë apo jo?”. Ankthi është i lidhur me harresën dhe harresa të bën të harrosh.

Megjithatë ne vazhdojmë me vjershat edhe pse në 2008-ën, ka dalë një urdhër i Ministrit të atëhershëm të Arsimit që të mos përdoreshin vjershat.

Secili nga ne e kujton një vjershë që e ka mësuar në vitet e largëta kur ishte në fillore apo 8-vjeçare.

“Nga klasa e parë në 8-vjeçaren është mosha kur ti duhet t’i mësosh vjershat. Pas moshës 6 vjeç fëmija duhet të mësojë përmendësh, por do të ishte mirë në grup, nëpërmjet dramatizimit”, u shpreh Lira Gjika, Eksperte për Mirërritjen.

E gjithë Europa, pas viteve ‘50-’60 i ka hequr nga përdorimi metodat e mësimit përmendësh në vegjëli. Është shtruar dialogu, dhe kënga, duke mësuar konkretisht, jo duke thënë përmendësh fjalë, pa kuptim.

Top Channel

Pasojat e ekspozimit të tepërt të fëmijëve në telefona

telefonFëmijë që nuk ushqehen pa telefona para vetes, që nuk shtrihen për të fjetur pa luajtur edhe një herë lojën e preferuar në telefon?

 

Këto dhe raste të ngjashme mund t’i keni parë apo dëgjuar të paktën një herë në jetë.

Ndonëse edhe Arjeta Berisha ka hasur në diçka të tillë, prapëseprapë ajo është ndier e detyruar që t’i pajisë dy fëmijët e saj me nga një tablet, pasi, sipas saj, ata kanë qenë të paragjykuar nga moshatarët e tyre për mosposedim të ndonjë pajisjeje teknologjike.

Megjithatë, vajza e saj, Dia, tetë vjeçe, dhe djali, Roni, shtatë vjeç, e kanë kohën e caktuar kur mund t’i përdorin këto pajisje teknologjike: një orë e gjysmë, eventualisht dy, përgjatë fundjavës.

Ajo ka treguar për Radion Evropa e Lirë se bashkë me bashkëshortin e saj, Ardin, kanë qasje të plotë në pajisjet e fëmijëve të tyre.

“E kemi rregull në familje që sa janë në shkollë, fëmijëve nuk u lejohet të përdorin tabletin, përveç të shtunave, apo të dielave, nga një orë e gjysmë apo dy në ditë. Gjatë pushimeve verore e kemi zgjatur orarin e përdorimit të tyre. Ata nuk mund të instalojnë, apo të shohin diçka pa miratimin tonë”, ka thënë Arjeta, e cila ka një punë me orar të plotë në një kompani në Prishtinë.

E pyetur se si ia ka dalë që të krijojë një sistem të tillë – marrë parasysh argumentet e prindërve se jeta është shumë dinamike dhe me plot angazhime ditore – ajo e ka përmendur si çelës angazhimin e fëmijëve në sa më shumë aktivitete.

“Fati im është që ata janë në qëndrim ditor dhe aty nuk kanë qasje në teknologji. Kanë detyra, unë i marr në shtëpi në orën 17:30, kur e përfundoj orarin e punës. Zakonisht i angazhoj diçka që të më ndihmojnë rreth punëve të shtëpisë, derisa përgatis diçka, që të shtrojmë tavolinën dhe aty i kalojmë dy orë të mira. Dy orë tjera i pyes se çfarë kanë bërë gjatë ditës. Mirëpo nuk do të thotë që çdo ditë e kemi këtë orar”, duke përmendur edhe ecjet në natyrë, sidomos gjatë verës.

Mirëpo jo secili fëmijë i nënshtrohet një regjimi të tillë.

Ndonëse në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa gjatë qëndrojnë fëmijët para ekraneve, fëmijë me telefona dhe pajisje tjera teknologjike i rastisim nëpër familje, ambiente të jashtme dhe incizime tjera në platformat sociale.

Diçka që dihet është se mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet në shtëpitë e tyre.

Kështu, Kosova është e para në rajon në këtë aspekt, por si duket edhe kjo gjë vjen me faturën e vet.

Sa të shpejtë e keni internetin?

Serbia është shteti me shpejtësinë më të madhe mesatare të internetit fiks në Ballkanin Perëndimor, ndërsa me internetin më të ngadaltë shtëpiak përballen qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Maqedonia e Veriut gëzon internetin më të shpejtë mobil, kurse në Kosovë interneti nëpër celularë është më i ngadalti në rajon.

interneti shpejtesia

Përdorimi i telefonave apo pajisjeve tjera të mençura nga fëmijët nuk është sfidë vetëm në Kosovë.

Sidomos pas pandemisë së koronavirusit, kur koha nëpër telefona është imponuar edhe më shumë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e rekomandon fare qasjen në pajisje teknologjike për fëmijët nën dy vjeç.

Për fëmijët e moshave 3-4 vjeç, ky institucion beson se një orë në ditë është e mjaftueshme.

Vështirësitë në përqendrim dhe komunikim

Psikologu, Dorjan Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekspozimi i tepërt para pajisjeve teknologjike mund t’i lë fëmijët me mungesa në zhvillim.

“Shumica e skemave kognitive, ose lidhjeve mes neuroneve, krijohen nga zero deri në dy vjet, dhe nëse këtë kohë fëmija e kalon duke mos u stimuluar nga rrethi i tij që të zhvillohet, mirëpo kohën e kalon në telefon apo në pajisje tjera, kjo tregon që rrezikshmëria është më e madhe, sepse fëmija zhvillon vetëm ato aftësi që i sheh përmes telefonit, e socializimi nuk vjen shumë nga telefoni. Nga këto pajisje e marrim vetëm komunikimin pranues dhe jo atë ekspresiv, prandaj nuk është se fëmijët nxjerrin tinguj apo nxjerrin fjalë duke biseduar me telefonin”.

Vështirësitë në përqendrim dhe ato në komunikim janë në mesin e rreziqeve kyçe që përmend Krasniqi.

“Mund të kenë vështirësi në formimin e saktë të fjalëve dhe fjalive. Ndoshta do të bëhen të rritur që fjalitë do t’i kenë të shkurta, ose komunikimin do ta kenë të mangët.

Ai u sugjeron prindërve që përveç kufizimit të qasjes në pajisje të mençura, të shmangin ekspozimin në këto pajisje në orët e natës, për të shmangur gjumin jo të qetë të fëmijëve të tyre.

“Mekanizmat mbrojtës të prindërve shpesh na thonë se është e vështirë që fëmijëve t’iu ndalohet telefoni. Unë sugjeroj që fëmijëve t’iu kushtohet vëmendje se çfarë ata po shohin dhe çfarë orari kanë”.

Edhe sociologu, Artan Krasniqi beson se kontrolli përmbajtjesor e tejkalon për nga rëndësia kontrollin mbi baza kohore.

“Në këtë aspekt jam shumë i shqetësuar, sepse edukimi medial, në përgjithësi në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar, në mënyrë që prindërit të kenë mundësi që të kenë kontroll përmbajtjesor të produkteve mediale që fëmijët i ndjekin në telefonat e mençur”.

Përgjatë një bisede të zhvilluar me Radion Evropa e Lirë, ai ka përmendur edhe rëndësinë që prindërit të jenë shembuj për fëmijët e tyre.

“Kur fëmijët janë të angazhuar bashkë me prindërit në aktivitete të ndryshme, as prindërit e as fëmijët nuk do të kenë kohë për pajisje teknologjike. Fëmijët janë qeniet që më së lehti i kopjojnë sjelljet e idolave të tyre. Në këtë rast, idolat e parë të fëmijëve janë prindërit e tyre dhe ata kopjojnë maksimalisht sjelljet, veprimet, gjestet, po edhe rutinën, të cilën e shohin te prindërit brenda shtëpisë. Nëse i lëmë për kohë të gjatë para telefonave, ata do të kopjojnë sjelljet e idolave që krijojnë brenda teknologjive, e që shpesh kanë përmbajtje të dhunshme”.

Rregulli 20-20-20

Po çfarë u ndodh syve gjatë gjithë këtë procesi?

Oftalmologu, Afrim Shabani, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se mjekët janë të ndarë në dy qasje.

“Në grupin e parë thonë se ekrani nuk është se shkakton dëmtime të përhershme të syrit. Grupi tjetër thotë se emetimi i dritës nga ekrani, veçanërisht ‘spektri blu’ i dritës ndikon në disa dëmtime që ndonjëherë në mosha të shtyra mund të ndikojë në sëmundjen që njihet si degjenerim i makulës”.

Degjenerimi makular është gjendje mjekësore që mund të rezultojë me turbullim të shikimit apo përkeqësim gradual të shikimit.

I pyetur se cilit grup i takon ai, Shabani thotë se duhet bërë hulumtime të mëtejme për të parë si po ndikojnë pajisjet teknologjike në syrin e njeriut, mirëpo e pranon se mjekët e shohin që “ekspozimi i gjatë para ekranit shkakton te një numër i madh i njerëzve disa probleme, disa simptome që ne e dimë se po shkaktohen për shkak të qëndrimit të gjatë para ekranit, sidomos te fëmijët”.

Ai e konsideron të gabuar qasjen e disa prindërve që ua japin fëmijëve telefonin “që të ushqehen më mirë”.

“Përpara nuk kanë pasur telefona dhe fëmijët kanë ngrënë mirë. Prindërit e kanë gjetur një mënyrë shumë të gabuar për të mashtruar fëmijën që të marrë ushqimin përpara telefonit, sepse fëmija vetëm nis që të bëhet i varur nga telefoni. Këto pajisje të mençura krijojnë një sasi drite – spektrin blu – që është i dëmshëm për syrin”.

Shabani u sugjeron fëmijëve, por edhe të rriturve që të tentojnë të zbatojnë sa më shumë atë që njihet si rregulli 20 – 20 – 20.

“Kjo nënkupton që pas çdo 20 minutash, 20 sekonda na duhet të shohim më larg se 20 metra. Ky është pushim real për syrin”.

Oftalmologu Shabani i konsideron edhe shumë të rëndësishme kontrollet e rregullta të fëmijëve te mjeku i syve, apo kurdo që prindi vëren se fëmija mund të ketë ndonjë problem.

Përfitimet nga teknologjia?

Nëse në njërën anë ekzistojnë shqetësimet si: problemet e mundshme në nxënie, në shëndet të syve, mospërshtatjen në shoqëri dhe idetë e rreme që mund të krijojnë fëmijët për realitetin, duke u bazuar në lojërat virtuale, sociologu Krasniqi beson se fëmijët kanë edhe përfitime potenciale nga teknologjia.

“Te anët pozitive mund ta përmendim që fëmijët, megjithatë, duhet të përdorin pajisjet teknologjike, sepse kështu ata mbesin në hap me trendin, me kohën, me botën se çka ndodh. E ardhmja është teknologjia, këtë nuk e vëmë në diskutim. Po ashtu mund të përmendim edhe mësimin e gjuhëve të huaja, fëmijët sot shumë më herët flasin gjuhën angleze, apo ndonjë gjuhë tjetër, sepse e mësojnë atë përmes internetit. Ka linguistë që thonë se ata në këtë mënyrë e mësojnë gjuhën në mënyrë jo të duhur, por megjithatë, ajo mund të përmirësohet në të ardhmen. Janë edhe kontaktet kulturore, mësimi i gjërave të reja për botën. Jetojmë në periudhë të globalizimit, ku kontaktet janë shumë më të mundshme dhe më të shprehura”.

Cila është atëherë zgjidhja?

Për Arjetën, është disiplina.

E pyetur se si i bind fëmijët e saj për orarin e qasjes në tabletat e tyre, apo edhe përmbajtjen që mund ta kenë në këto pajisje, ajo ka përmendur bisedat e drejtpërdrejta me ta.

“Thjesht, ulem dhe ua sqaroj se një përmbajtje e caktuar është shumë e frikshme, që nuk është në rregull për zhvillimin e tyre, që nuk janë lojëra nga të cilat ata mund të mësojnë diçka, u them se më duken shumë të vegjël për to… e dinë që në momentin që u them jo, ajo është fjala e fundit. U ofroj sqarim, e kuptojnë dhe ndalen”.

rel

Mos vallë nuk duhet të hamë kurrë më ëmbëlsira?!

embelsiraUshqimi ndikon mikrobiomën në zorrën e trashë – e kështu edhe shëndetin tonë. Eksperimentet me minj tregojnë, se sheqeri vret baketere të caktuara të zorrës së trashë, që parandalojnë obezitetin dhe sëmundjet.

 

Çokollata, biskota e ëmbëlsira – të gjitha këto shijojnë, por nuk janë të shëndetshme. Që konsumimi i tepërt i sheqerit është i dëmshëm për shëndetin, kjo dihet dhe është tashmë një realitet jo i këndshëm. Po ashtu konsiderohet e sigurt edhe njohuria, që ushqimi ynë lë gjurmë në organet tona të aparatit të tretjes e kësisoj influencon edhe jetën e baktereve që gëlojnë në zorrën tonë.

Studiuesit e Columbia University në Nju Jork së fundi kanë publikuar në revistën shkencore „Cell” një studim, që tregon, se si influencon sheqeri mikrobiomën e zorrës së trashë tek minjtë – e kjo madje me pasoja për sistemin imunitar.

 

Baktere të mira, baktere të këqia

Në zorrën e trashë jetojnë bakteret, që janë përgjegjëse për rritjen e qelizave të caktuara të imunitetit, të ashtuquajturat qeliza ndihmëse T, ose më saktë: qelizat Th17. Shkencëtarët kanë vërejtur, se këto qeliza imunitare rregullojnë absorbimin e yndyrës në zorrën e minjve.

 

Studiuesit gjithashtu kanë konstatuar, se një ushqim me përmbajtje sheqeri stimulon rritjen e baktereve të caktuara, të cilat pastaj eliminojnë atë pjesë të mikrobiomës që forocon imunitetin. Si rrjedhojë përmes mukozës së zorrës depërton më shumë yndyrë në trupin e minjve. Kafshët jo vetëm trashen deri në mbipeshë, por edhe sëmuren. “Se çfarë efekti ka sheqeri në zorrën e njeriut nuk njihet ende mirë”, thotë Christian Sina, drejtor i Institutit të Mjekësisë së të Ushqyerit në Universitetin e Lybekut. Studime me minjtë ka shumë, ndërkohë që të dhënat për zorrën e trashë tek njeriu janë të pakta. Megjithatë është e qartë, se sheqeri me tepricë definitivisht nuk është i shëndetshëm.

 

Sheqer po, por me sasi të kontrolluar

Megjithatë kush kalon ndonjë çast dobësie dhe zbraz raftin e ëmbëlsirave, apo e kalon ditën ulur në kolltuk duke ngrënë çokollata e duke pirë limonatë, nuk sëmuret menjëherë. Ndaj Christian Sina nuk do t’i verë kryqin përfundimisht sheqerit nga menyja. “Fare pak sheqer për të ëmbëltuar kafenë, nuk është problem”, thotë mjeku nutricionist.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon, që konsumi i sheqerit në ditë të pakësohet në 25 gram. Kjo sasi i përgjigjet gjashtë lugëve kafeje sheqer. Një sondazh i Center of Disease Control and Prevention (CDC) në vitet 2017 dhe 2018 rezultoi, se amerikanët në SHBA mesatarisht konsumojnë 17 lugë kafeje me sheqer në ditë.

 

Ushqimet e prodhuara industrialisht përmbajnë shumë sheqer

Problematike nuk janë vetëm tortat, biskotat e çokollatat, të njohura për përqendrimin e lartë të sheqerit. Por edhe produktet e gatshme ushqimore të ashtuquajturat „sheqer i fshehur”: Kush ha shumë ushqime të gatshme, e tejkalon lehtë normën e përmbajtjes së sheqerit në gjak.

Prej kësaj shumë shpejt krijohet rrethi vicioz: ushqimi me përmbajtje sheqeri jo vetëm e rrit shpejt vlerën e sheqerit në gjak, por bën edhe që kjo vlerë të bjerë shpejt sërish. Mungesa e sheqerit që pason, e nxit përsëri edhe më shumë urinë për ëmbëlsira.

 

Pasojat e vlerës së rritur të sheqerit dhe yndyrës në gjak janë krahas obezitetit edhe sëmundjet kardiovaskulare. Si rrjedhojë pasojnë infarktet në zemër, apopleksia cerebrale (goditje në tru) dhe diabeti i tipit 2.

 

Pothuajse pa alternativa të mira

Mjalti, shurupi i agaves, sheqeri artificial si saharina kanë disa avantazhe, thotë nutricionisti Sina. Por sipas tij “edhe këto alternativa ndaj sheqerit të përpunuar kanë problemet e tyre.” Mjalti dhe shurupi i agaves përmbajnë gjithashtu glukozë, pra sheqer.

Nëse rezultatet e studimeve me minjtë e dikur edhe studimet tek njeriu do të konfirmojnë dëmet që shkakton sheqeri, ndoshta OBSH-së dhe mjekëve nutricionistë do t’u duhet ta rishqyrtojnë sasinë e rekomandueshme të përdorimit të tij.

Sidoqoftë të dhënat që ekzistojnë deri më sot qartazi flasin për „sa më pak, më mirë”. “Ne duhet të heqim dorë prej ndjenjës, që e ëmbla është mirë për ne”, thotë mjeku nutricionist Sina. Pra duhet pasur parasysh: jo çdo ditë konsum sheqeri dhe jo në sasi të mëdha.

dw

Nuhatja dhe Kujtesa – Përse erërat ngjallin kujtime

Sistemi limbikDisa aroma zgjojnë kujtime dhe shkaktojnë emocione të forta. Çfarë ndodh në tru – dhe si mjekët dhe sipërmarrësit përpiqen t`i përdorin këto njohuri.

 

Në atë moment, kur Swan ndjeu aromën e biskotave madeleine të sapopjekura dhe çajit të luleblirit, u drodh i hipnotizuar nga diçka e pazakontë që po ndodhte me të. Atë e përshkoi një lumturi e padëgjuar, që nuk lidhej me ndonjë arsye. (…) Dhe pastaj iu shfaq menjëherë kujtimi. Ishte shija e biskotës, që tezja e tij Léonie i jepte të dielën në mëngjes, pasi e zhyste më parë në çaj.”

Këto rreshta i shkroi shkrimtari francez Marsel Proust në romanin e tij “Në kërkim të kohës së humbur” në vitin 1910. Proust shprehte kështu atë që u ndodh shumë njerëzve: Një aromë të ringjall kujtimin e një ngjarjeje, që ka ndodhur shumë larg në të kaluarën. Ky fenomen quhet prej kohësh “efekti Proust” apo edhe “efekti Madeleine”.

 

Studiuesit e trurit në kërkim të efektit Proust

Po pse është kështu? Pse truri nxjerr papritur kujtime pothuajse të harruara dhe emocione të forta kur ne perceptojmë disa aroma? Çdo stimul potencialisht mund të ngjallë një kujtim apo një emocion”, thotë Christina Bermeitinger, psikologe dhe profesore në Universitetin e Hildesheim. “Kjo nuk vlen vetëm për aromat”. Një tingull specifik apo një shije mund të risjellë kujtime.

E megjithatë studimet shkencore tregojnë se nuhatja veçohet nga shqisat e tjera. Është vërtetuar se kujtimet e shkaktuara nga aromat të kthejnë shumë prapa në kohë, janë më intensive dhe shpesh më pozitive. Një vështrim brenda trurit jep të dhëna se pse është kështu.

 

Emocionet dhe aromat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën në tru

Perceptimi primar i nuhatjes në tru ndodhet pranë amigdalës”, shpjegon Bermeitinger. Ajo ndodhet në pjesën e poshtme të trurit dhe quhet edhe farë e bajames për shkak të formës së saj ovale. “Ky areal është me pak fjalë përgjegjës për emocionet”, thotë psikologia.

Emocionet si gëzimi dhe siguria janë çelësi për të kujtuar. Truri ynë gjykon aromat pikë së pari në bazë të këtyre emocioneve. “Aromat mund të krijojnë pastaj lidhje me kujtimet përmes emocioneve”, thotë Bermeitinger. Sepse atëherë aktivizohet hipokampusi fqinj. Ky është një rajon, ku truri ynë përpunon përvojat dhe formon kujtimet. Protagonisti Swann në romanin e Proustit pati një përvojë të ngjashme: kur ndjeu aromën e çajit dhe të biskotave të freskëta madeleine, një ndjenjë lumturie e përshkoi të tërin. Pastaj iu kujtua tezja.

 

Kujtime pozitive dhe negative

Por pse truri i lidh aromat në një mënyrë të tillë me emocionet dhe kujtimet? Studiuesit kanë qenë në mëdyshje për këtë për një kohë të gjatë. “Një shpjegim mund të jetë se erërat na mbajnë larg situatave të rrezikshme”, thotë Bermeitinger. Për shembull, tek ai që nuhat gaz ose diçka që digjet, ngjallet emocioni i “frikës” dhe kujtesa i tregon se çfarë të bëjë në raste të tilla. Rezultati: Ne reagojmë menjëherë, për shembull thërrasim zjarrfikësin ose thjesht ikim me vrap.

Erërat mund të ngjallin edhe emocione dhe kujtime negative. Kështu ndodh shpesh me njerëzit që vuajnë prej çrregullimeve nga stresi post-traumatik (PTSD).

Për shembull ka veteranë, që katapultohen papritmas në situatën e luftës nga era e benzinës dhe përjetojnë përsëri betejat, sikur të ishin përsëri aty.

Studiuesit po përpiqen gjithnjë e më shumë të përdorin njohuritë për aromat dhe kujtimet për të ndihmuar në këtë mënyrë njerëzit.

Për shembull, mjekët u japin pacientëve me PTSD që të nuhasin kokrrat e kafesë, kur shfaqet një kujtim negativ. Në këtë mënyrë ata duhet të qëndrojnë në të tashmen, në vend që të zhyten në të kaluarën.

Pra aromat mund të ngjallin kujtime të ndryshme intensive. Në të kundërt, humbja e nuhatjes mund të jetë një shenjë e hershme e humbjes së kujtesës dhe Alzheimerit.

Aromat mund të përdoren edhe për trajtimin e pacientëve me demencë”, shpjegon psikologu Bermeitinger. Në këtë mënyrë mjekët përpiqen të zgjojnë kujtimet e harruara të pacientëve.

 

Dhe përtej mjekësisë njerëzit dinë si të përfitojnë nga aromat. Në kriminologji, për shembull, erërat përdoren kur intervistohen dëshmitarët okularë. Hetuesit shpresojnë se kështu dëshmitarët do të mund të kujtojnë një krim në mënyrë më të detajuar. Ka po ashtu përpjekje për të përdorur aromat në industrinë e argëtimit. Ka pasur eksperimente me të ashtuquajturat kinema 4D, në të cilat shikuesit jo vetëm që mund ta shihnin filmin, por edhe ta nuhasin atë. Megjithatë kjo nuk u prit shumë mirë nga vizitorët: disa nuk nuhatën sa duhet aromat, tek disa të tjerë tjerë shkaktoi tështitje.

 

Nuhatje virtuale

Vitet e fundit janë zhvilluar syze të realitetit virtual (VR) që mund të lëshojnë edhe aroma. Për ta bërë këtë, inxhinierët i analizojnë aromat në bazë të përbërësve të tyre kimikë dhe i prodhojnë artificialisht ato. Ato janë të paketuara në fishekë dhe më pas instalohen te syzet.

Ndërkohë ka syze që mund të lëshojnë aromat e trëndafilit apo të detit. Kështu bota VR mund të duket më emocionale dhe reale.

Megjithatë aromat artificiale nuk i afrohen dot ende aromave origjinale. Ndoshta më shumë do të na pëlqente të nuhasnim një buqetë me trëndafila ose një biskotë madeleine të sapopjekur.

dw

BE-ja i jep dritën jeshile vaksinës për varianin Omicron

vaksinimiAgjencia Evropiane e Barnave miratoi një vaksinë tjetër të BioNTech/Pfizer që mbron nga nënvariantet aktuale të virusit korona. Vaksina rekomandohet për personat e moshës 12 vjeç e lart.

 

Vaksina e re e kompanisë BioNTech/Pfizer është përshtatur për të luftuar kundër varianteve aktuale të koronës, shkroi Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në Twitter. Më parë një komitet ekspertësh i Agjencisë së Barnave të BE-së (EMA) kishte rekomanduar miratimin e vaksinës kundër nënvarianteve Omicron BA.4/BA.5. EMA njoftoi se kjo vaksinë pritet të ofrojë një mbrojtje më të gjerë kundër varianteve të ndryshme të koronës.

Vaksinimi rekomandohet për personat e moshës 12 vjeç e lart. BA.4/BA.5 janë nënvariante të Omicronit që po shkaktojnë aktualisht pothuajse të gjitha infeksionet me korona në Gjermani.

Vaksina e miratuar tani është e ashtuquajtur vaksinë bivalente, e cila është krijuar për të mbrojtur si kundër formës origjinale të virusit korona, dhe kundër varianteve BA.4 dhe BA.5.

 

Të gjitha vaksinat ofrojnë mbrojtje kundër Omicronit

Më 1 shtator EMA miratoi vaksinat e para kundër koronës të përshtatura për variantin omicron. Dy vaksinat në fjalë të firmave BioNTech/Pfizer dhe Moderna ishin përshtatur për nënvariantin omicron BA.1.

 

Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch këto variante nuk luajnë më asnjë rol në Gjermani. Megjithatë shpresa është që vaksina do të jetë gjithashtu më efektive kundër nëntipeve të omicron BA.4 dhe BA.5që qarkullojnë aktualisht.

Deri tani në BE qytetarët janë vaksinuar me vaksina kundër koronës që ishin miratuan rreth 20 muaj më parë. Edhe ato vaksina ofrojnë mbrojtje kundër variantit Omicron.

 

dw dpa

COVID-19: Trupat keton ndihmojnë imunitetin

Ushqimi i shendetshemSistemi imunitar ka nevojë për energji që të luftojë patogjenët si SARS-CoV-2. Kur mungojnë ato që quhen trupa keton, ky proces vështirësohet. Lajm i mirë është se nëpërmjet ushqimit arrihen disa përmirësime.

 

Pse disa njerëz preken nga COVID-19 shumë më keq se sa të tjerët? Ndërkohë që disa vetë nuk ndiejnë asgjë, të tjerëve u duhet që të kalojnë javë të tëra në gjendje shtrati, mandje në rast nevoje duhet të shtrohen në spital. Ekziston mundësia që kjo pyetje të marrë disa përgjigje. Christoph Wilhelm dhe Christian Bode nga Universiteti i Bonit mendojnë se kanë gjetur një nga përgjigjet.

Christian Bode është mjek për kujdesin intensiv dhe që me fillimin e pandemisë ka trajtuar pacientë të sëmurë rëndë me COVID-19 në pavionin e shërbimit intensiv të klinikës universitare të Bonit. Ai ka vërejtur se nuk janë ataket citonike, pra reagimet e tepruara të sistemit imunitar ato që jo shpesh çojnë në infeksione të shumëfishta në trup. Duhet të ketë një shpjegim tjetër për proceset e vështira, shpesh vdekjeprurëse.

Prandaj Bode bisedoi me imunologun Christoph Wilhelm. Së bashku ata kanë kryer një studim ku kanë krahasuar ndryshimet e metabolizmit të pacientëve të sëmurë me COVID-19, me ato të pacientëve të sëmurë me grip, influenca. Kështu të dy shkencëtarët zbuluan një ndryshim që duket se ka ndikim të madh në fuqinë e sistemit imunitar.

 

Trupat keton ushqejnë qelizat lymfocite

Kush ka qenë një herë sëmurë rëndë e di se oreksi ikën, krejt. Fillimisht kjo gjë nuk përbën ndonjë problem, sepse trupi i njeriut ka planin e vet për raste të tilla. Kur nuk hamë ushqim ose hamë shumë pak dhe bëjmë që karbohidratet, furnizuesit kryesorë të energjisë në trup, të mungojnë atëherë metabolizmi ndryshon.

“Infeksionet kanë nevojë për shumë energji, të cilën duhet ta marrin diku,” shpjegon Christoph Wilhelm. Prandaj trupi fillon të djegë yndyrnat duke u kthyer në gjendje urie.

Gjatë këtij procesi krijohen ato që quhen trupa keton, të cilat janë të pasura me energji dhe zëvendësojnë karbohidratet. Një nga këto trupa keton është hidroksibutyrati Beta, shkurt BHB. Shkencëtarët panë se të sëmurët me grip krijojnë sasi të madhe trupash keton. Kurse të sëmurët me COVID-19 nuk tregojnë ndonjë rritje të numrit të trupave keton.

Përveç kësaj, studiuesit panë gjatë kërkimeve të tyre se trupat keton që mungojnë kanë ndikim direkt në gjendjen e sistemit imunitar, duke përcaktuar kështu sa e rëndë të jetë sëmundja.

Si qelizat vrarëse lymfocite ashtu edhe ato ndihmëse, dy komponentë të rëndësishëm të sistemit imunitar, tregonin në rastin e të sëmurëve me COVID-19 shenja lodhjeje, duket qartë që kjo ndodh për shkak të mungesës së trupave keton si furnizes energjie.

Wilhelm dhe Bode nuk janë ende në gjendje të japin përgjigje për pyetjen pse niveli i trupave keton nuk rritet mjaftueshëm tek të sëmurët me COVID-19, duke e paralizuar kështu systemin imunitar. Ata hamendësojnë se kjo mbase ka të bëjë me statusin e ushqimit të të sëmurit para marrjes së infeksionit.

Sa i madh është ndikimi i ushqimit mbi sistemin imunitar dhe në procesin e shërimit nga sëmundja, e di mjeku i specializuar për ushqimin Hans Hauner nga Universiteti i Mynihut.

Ai është atje dekan i degës së mjekësisë nutriciliste. “Ushqimi luan rol shumë të madh tek sëmundjet dhe infeksionet,” thotë Hauner. “Nga studime të mëdha vëzhguese ne e dimë se sidomos në Angli, njerëzit me mbipeshë ose adipositas, dhjamosje, e kanë pasur më të vështirë gjatë COVID-19. Si sa i përket nivelit të komplikacioneve ashtu edhe nivelit të vdekjeve, të cilat kanë qenë më të larta.”

Prandaj mjekët nutricilistë e vlerësojnë shumë punën e kolegëve shkencëtarë të Bonit, sepse ajo bën të qartë sa e rëndësishme është një pjesë e mjekësisë që është lënë vazhdimisht pas dore: Ajo që hamë dhe ajo që nuk hamë ka ndikim konkret tek shëndeti ynë. Ushqimi jo vetëm që të sëmur, por ai mund të parandalojë sëmundjen dhe madje të të shërojë nga sëmundja.

Christoph Wilhelm dhe Christian Bode e kanë provuar këtë tek minjtë. Qeliza të dobta, të lodhura imuniteti e marrin veten kur furnizohen me trupa keton. Për shembull me anë të ndryshimit të qëllimshëm të ushqimit, që është i pasur me yndyrna dhe i varfër me karbohidrate. E njohur edhe si dieta keto.

Kafshët e ushqyera në këtë mënyrë u shëruan nga infeksionet SARS-CoV-2, niveli i ngordhjeve ra shumë në krahasim me grupin e kontrollit.

 

Ushqimi për një sistem të shëndetshëm imunitar

Megjithatë tre ekspertët këshillojnë të mos bëhen eksperimente sipas kokës me ushqimin ketogjen. Kjo nuk është e nevojshme. “Edhe ushqimi i shëndetshëm me bimë, me pak mish ofron mbrojtjen më të mirë nga infeksionet “, thotë mjeku nutricilist Hauner. Perimet kanë shumë mikronutrientë, që i duhen sistemit imunitar për të qenë i aftë për veprim.

Acidet e yndyrshme Omega-3, që gjenden tek peshqit por edhe tek vajrat bimore dhe vaji i farërave të brassica rapa-s veprojnë kundër infeksioneve. Kurse acidet e yndyrshme që ndodhen tek mishi i nxisin infeksionet.

Natyrisht që edhe ushqimi më i mirë i mundshëm nuk do ta pengonte infektimin, thekson Hauner. Edhe për pyetjen, nëse trupi i njeriut mund të trajtohet në rastin e një infektimi akut me COVID-19 po ashtu me trupa keton si tek minjtë, shkencëtarët e Bonit duhet të vazhdojnë ende kërkimet për të kthyer përgjigje.

Mjeku i kujdesit intensiv Bode dhe imunologu Wilhelm janë thelluar ndërkohë në kërkime të tjera.

dw