Kategoritë: Shkenca

Rreziku i keqpërdorimit të programeve të inteligjencës artificiale si ChatGPT

ChatGPT sTë gjithë duhet të jemi skeptikë për materialet që lexojmë në internet, thotë grupi i ekspertëve të sigurisë kibernetike “WithSecure”.

 

Ata shprehin shqetësimin se mundësitë që ofrohen nga programet e inteligjencës artificiale si “ChatGPT”, rrisin rrezikun e mashtrimit të përdoruesve të internetit.

Kompania e sigurisë kibernetike “WithSecure” thotë se qasja e lehtë në ChatGPT dhe platforma të tjera të ngjashme të inteligjencës artificiale, ku njerëzit mund të krijojnë një tekst me një kërkesë të thjeshtë, ka lehtësuar krijimin e përmbajtjes së dëmshme, që ka për qëllim mashtrimin e përdoruesve të internetit.

“Në hulumtimet tona gjetëm një sërë mundësish të përdorimit keqdashës të platformave si ajo ChatGPT”, thotë Andrew Patel, ekspert i sigurisë kibernetike në kompaninë finlandeze.

Hulumtimi i kompanisë u përqëndrua në përdorimin e Inteligjencës Artificiale për krijimin e lajmeve të rreme, postimeve ose e-maileve, që kanë për qëllim mashtrimin, ose vjedhjen e të dhënave personale dhe krijimin e sfidave të rrezikshme në rrjete sociale.

“Kopjuam një tekst të marrë nga platforma Wikipedia dhe disa artikuj lajmesh. Tekstet kishin të bënin me konfliktin në Ukrainë, gazsjellësin Nord Stream dhe manovrat detare amerikane më 2022. I kërkuam Inteligjencës Artificiale të shkruante një artikull, duke insistuar se Shtetet e Bashkuara sulmuan tubacionin. Krjimi i këtij lajmi është i mundur dhe i lehtë, përmes disa tekstesh të kopjuara dhe me një kërkesë të thjeshtë”, thotë zoti Patel.

Përmes programeve të Inteligjencës Artificiale, ekspertët e grupit “WithSecure” rikrijuan edhe një sfidë që ishte bërë virale në Youtube disa vite më parë, atë të ngrënies së detergjentit të rrobave.

Në këtë sfidë të rrjeteve sociale fëmijëve u kërkohej të hanin detergjentin e rrobave sikur të ishte një karamele, pavarësisht rrezikut se mund të vdisnin.

Eksperti Patel thotë se ata arritën të krijojnë një postim të ngjashëm me atë të sfidës dhe një sërë përgjigjesh ndaj saj, duke inkurajuar fëmijët të marrin pjesë sërish në të

“Mund ta fabrikoni postimin original dhe të gjitha përgjigjet që pasuan duke e bërë atë më të besueshëm edhe pse asnjë person i vetëm nuk mori pjesë në sfidë”, tha ai.

Kompania thotë se tekstet e krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, të dëmshme ose jo, së shpejti do të futen në përdorim të gjerë.

Sipas ekspertëve vetëm identifikimi i përmbajtjes së krijuar nga Inteligjenca Artificiale nuk do të mjaftojë për të penguar përmbajtjen kriminale, keqdashëse dhe abuzive.

Në vend të kësaj, të gjithë duhet të aftësohemi në kontrollimin e fakteve dhe asaj që lexojmë, thonë ekspertët.

“Ne do të vazhdojmë të mbështetemi në platformat për zbulimin e përmbajtjes që ka për qëllim mashtrimin, por gjithashtu duhet të mbështetemi më shumë në edukimin përmes shtypit dhe në përgjithësi rritjen e ndërgjegjësimit të përdoruesve”, tha ai.

ChatGPT, programi robotik ka tërhequr vëmendjen e shtypit dhe studentëve, që kur u bë publik në nëntor të vitit 2022 nga kompania OpenAI.

Programi jep përgjigje të detajuara për pyetjet tuaja. Tekstet e krijuara prej tij janë pothuajse të padallueshme nga tekstet e shkruajtura nga njeriu.

voa

 

ChatGPTPopullariteti i programit të inteligjencës artificiale ChatGPT dhe rreziqet që paraqet

 

ChatGPT, programi i inteligjencës artificiale që po shënon një rritje të shpejtë, mori vëmendjen e publikut për shkak të aftësisë për t’iu përgjigjur me shpejtësi dhe në formë të zgjeruar një sërë pyetjesh.

 

Programi ka zgjuar interesimin e investitorëve të cilët janë të etur të bëhen pjesë e zbulimit tjetër të madh në teknologji.

I krijuar nga kompania private OpenAI, me mbështetjen e kompanisë Microsoft, programi ChatGPT regjistroi 100 milionë përdorues aktivë mujorë, vetëm dy muaj pas publikimit të aplikacionit, gjë që e bëri atë programin me rritjen më të shpejtë të përdoruesve në histori.

Popullariteti i tij mori vëmendjen e ligjvënësve amerikanë, të cilët kanë pikëpyetje mbi ndikimin e programit në sistemin arsimor, në sigurinë kombëtare dhe mënyrës se si do të rregullohet ai.

Ligjvënësi demokrat Ted Lieu, anëtar i Komisionit të Shkencës në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ndërsa ishte i emocionuar për programin robotik, është gjithashtu i tmerruar nga inteligjenca artificiale, nëse ajo lihet e pakontrolluar dhe e parregulluar.

Senatori demokrat Ron Wyden, sipas një ndihmësi të tij, theksoi nevojën për t’u siguruar që Inteligjenca Artificiale të mos përfshijë paragjykime, që do të çonin në diskriminim në botën reale.

Një firmë ligjore, aktiviteti i së cilës përqëndrohet në përgjegjësitë e Inteligjencës Artificiale, vuri në dukje shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, duke paralajmëruar për mundësitë që aktorë keqdashës, brenda dhe jashtë vendit, që kanë interesa të kundërta me Shtetet e Bashkuara, t’i përdorin këto sisteme për krijimin e materialeve të pavërteta dhe dëmshme.

Shumica e shqetësimeve rreth programit ChatGPT vijnë nga profesorët, të cilët shprehin frikën mbi mashtrimet e mundshme në shkolla dhe universitete si dhe plagjiaturën.

Të tjerë kanë shprehur shqetësime se programi kompjuterik mund të përdoret për përhapje të lajmeve të rreme.

Në një deklaratë kompania OpenAI tha se “ne nuk duam që ChatGPT të përdoret për mashtrime në shkolla, ose kudo tjetër, prandaj jemi duke punuar në krijimin e masave zbutëse për të ndihmuar këdo që të identifikojë materialet e krijuara nga ky sistem”.

Vetë programi ChatGPT dha një përgjgije interesante kur u pyet se si duhet të jetë i rregulluar:

“Si një model neutral i gjuhës së inteligjencës artificiale, unë nuk kam një qëndrim ndaj ligjeve specifike, që mund, ose nuk mund të miratohen për të rregulluar sistemet e inteligjencës artificiale si unë”, u përgjigj vetë sistemi.

Por më pas ai përpiloi një listë të fushave ku duhet të përqëndrohen rregullatorët, si privatësia e të dhënave, paragjykimi, drejtësia dhe transparenca në mënyrën se si shkruhen përgjigjet.

voa

Teknologjia që thith dioksidin e karbonit për ta materializuar në beton

teknologjia co2Një kompani e re nga Kalifornia po përdor gurë gëlqeror për të thithur nga ajri dioksidin e karbonit.

 

Heirloom Carbon Technologies po bashkëpunon me një kompani kanadeze për të mineralizuar gazin e thithur, në beton. Kompania thotë se kjo teknologji mund të ofrojë një model për të luftuar ndryshimet klimatike në nivel global.

Një kompani nga Kalifornia që përdor gurë për të thithur dioksidin e karbonit nga ajri është bashkuar me një kompani kanadeze për ta magazinuar gazin që shkakton efektin-serrë në beton.

“Guri gëlqeror ka aftësinë natyrore për të thithur karbonin nga atmosfera. Problemi është se ky proces është thjesht i ngadalshëm. Pra, ajo që ne bëjmë këtu është thjesht i japim atij më shumë superfuqi për ta bërë të aftë të tërheqë karbonin shumë, shumë më shpejt sesa do të ishte natyralisht,” thotë drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Shashank Samala.

Heirloom Carbon Technologies ngroh gurin gëlqeror të thërmuar për të çliruar dioksidin e karbonit të thithur natyrshëm. Më pas gurët e uritur për dioksid karboni vendosenn ë kolona, ku ata veprojnë si sfungjer, duke thithur afërsisht gjysmën e peshës së tyre në gaz për tre ditë. Gurët më pas nxehet për të çliruar dioksidin e karbonit të mbledhur nga ajri dhe cikli përsëritet.

Kompania kanadeze e teknologjisë së betonit, CarbonCure, përzien dioksidin e karbonit me përbërësit e tjerë, duke e bërë betonin më të forte dhe, duke shkurtuar nevojën për çimento.

“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është se dioksidi i karbonit ofron gjithashtu një përforcim të beton. Kjo i lejon prodhuesit të jenë në gjendje të krijojnë më shumë beton me më pak çimento,” thotë drejtuesi ekzekutiv kompanisë CarbonCure, Rob Niven.

Përpjekja e përbashkët e këtyre dy kompanive është e para që përdor një teknologji të tillë për magazinimin e dioksidit të karbonit të thithur nga atmosfera drejtpërdrejt në beton, ku ai mund të qëndrojë për shekuj, thonë shkencëtarët. Për më tepër, aktualisht ka pak vende për ta mbajtur të sigurt dioksidin e karbonit.

“Njëra është magazinimi nëntokësor ku mund të ruajmë në mënyrë të sigurtë dhe të përhershme dioksidin e karbonit. Tjetra janë materialet e ndërtimit si betoni. Betoni është një mënyrë e shkëlqyer për të ruajtur dioksidin e karbonit sepse e mineralizon atë, në një shkëmb,” thotë zoti Samala.

Kapja dhe mbajtja e dioksidit të karbonit në shkallë globale nuk do të jetë e lehtë megjithatë: kompanitë si Heirloom do të duhet të ndërtojnë impiante të shtrenjta, masive të afta për të thithur miliona ose miliarda tonë në vit.

Zoti Samala thotë se heqja e një miliardë tonë dioksidi karboni nga ajri do të kërkonte qindra miliarda dollarë investime, duke shtuar se ai pret që financuesit e energjisë diellore, ndërtesave, kullave të transmetimit dhe infrastrukturës të financojnë gjithashtu edhe për infrastrukturën e karbonit.

voa

Terapia gjenetike, një injeksion mund të rinovojë zemrën me 10 vjet

gjeniNjë grup studiuesish i kanë dhënë trupit një kopje të “gjenit të jetëgjatësisë” dhe zbuluan se ai mund të rigjenerojë enët e gjakut duke ndaluar procesin e plakjes së sistemit vaskular.

 

Zemra rreh 100,000 herë në ditë (rreth 70 rrahje në minutë), duke pompuar më shumë se 8,000 litra gjak që qarkullojnë në të gjithë trupin përmes 19,000 km të sistemit të qarkullimit të gjakut. Me kalimin e moshës, funksioni i tij fillon të bjerë duke i bërë më të vështira aktivitetet si vrapi ose tenisi. Megjithatë, disa njëqindvjeçarë, si ata që jetojnë në Okinawa, një grup ishujsh në Japoninë jugore dhe në zona të tjera blu të planetit, jetojnë gjatë dhe shëndetshëm pa pasur ndryshime strukturore dhe funksionale të aktivitetit kardiak të lidhura me plakjen. Arsyeja? Ata kanë një variant të gjenit BPIFB4 (i quajtur ‘gjeni i jetëgjatësisë’) i cili mbron nga dëmtimet kardiovaskulare dhe e mban zemrën në gjendje të mirë për një periudhë më të gjatë kohore.

Zbulimi i pabesueshëm u bë në vitin 2015 nga një studim shumëqendror, i botuar në revistën Circulation Research, i cili përfshinte IRCCS MultiMedica, IRCCS NeuroMed të Pozzilli (IS) dhe Institutin e Teknologjive Biomjekësore të CNR të Segrate. Të intriguar nga rasti i individëve jetëgjatë, studiuesit nga Universiteti i Bristolit dhe grupi MultiMedica (në Itali) studiuan mekanizmat gjenetikë që i lejojnë këta njerëz të jashtëzakonshëm të shmangin komplikimet kardiovaskulare deri në vitet e fundit të jetës së tyre dhe zbuluan se duke siguruar të gjitha trupi një kopje e shëndetshme e ‘gjenit të jetëgjatësisë’ (terapi gjenetike), është e mundur të ndalet procesi i plakjes të cilit i nënshtrohet funksioni vaskular me kalimin e moshës. Jo vetëm kaq, shkencëtarët kanë parë gjithashtu se ky trajtim është në gjendje të rinovojë zemrën deri në 10 vjet. Rezultatet e zbulimit u publikuan në Cardiovascular Research.

Gjeni i jetëgjatësisë

Sa shpejt përkeqësohen zemra dhe enët e saj më të afërta të gjakut me rritjen e moshës, varet nga shumë faktorë, duke përfshirë stilin e jetesës, aktivitetin fizik, duhanin, konsumimin e alkoolit dhe praninë e patologjive. Megjithatë, mutacionet gjenetike luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm siç tregoi studimi i vitit 2015. Në ADN-në e njëqindvjeçarëve, studiuesit gjetën një variant të një gjeni (LAV-BPIFB4, variant i lidhur me jetëgjatësinë), i cili çon në rritjen e prodhimit të proteinës BPIFB4, e cila i jep elasticitet enëve të gjakut, duke ngadalësuar dhe përmbysur procesin natyral të plakjes së qelizave endoteliale (ato rreshtojnë pjesën e brendshme të mureve të zemrës, enëve të gjakut dhe enëve limfatike).

Ky ‘gjen jetëgjatësie’ mbron enët, duke aktivizuar një sërë funksionesh, në veçanti enzimën eNOS, përgjegjës për prodhimin e oksidit nitrik, i cili është i rëndësishëm për mbajtjen e enëve të zgjeruara dhe nxitjen e qarkullimit. Një eliksir i vërtetë i jetës, i aftë për të “rinovuar” enët e gjakut dhe për të reduktuar incidencën e patologjive të ndryshme që lidhen me një ndryshim të funksionit vaskular, si sulmi në zemër, goditje në tru dhe hipertension, por edhe sëmundje metabolike dhe neurologjike. Ky zbulim i shtyu studiuesit të hetojnë më nga afër efektet fiziologjike të variantit të gjenit.

Studimi mbi qelizat e zemrës së njeriut

Përveç testeve në minj, ekipi studiues italian kreu gjithashtu një studim me epruvetë me qelizat e zemrës njerëzore. Në veçanti, studiuesit e Grupit MultiMedica të Milanos, të udhëhequr nga prof. Annibale Puca, administroi gjenin në qelizat e zemrës në laboratorin e pacientëve të moshuar me probleme të rënda të zemrës, duke përfshirë disa që më parë i ishin nënshtruar transplanteve të zemrës, dhe më pas e krahasoi funksionin e tyre me atë të individëve të shëndetshëm. Rezultatet sugjeruan se LAV-BPIFF4 luan një rol të rëndësishëm në mirëmbajtjen e qelizave pericitike, të cilat janë kritike për ndërtimin e enëve të reja të gjakut dhe mbajtjen e tyre në gjendje të mirë, duke mbajtur kështu zemrën të funksionojë më gjatë.

“Qelizat e pacientëve të moshuar, veçanërisht ato që mbështesin ndërtimin e enëve të reja të gjakut, të quajtura ‘pericite’, janë gjetur të jenë më pak performuese dhe më të vjetra – tha Monica Cattaneo, studiuese e MultiMedica Group dhe autorja e parë e punës. – Duke shtuar në epruvetë gjenin/proteinën e jetëgjatësisë, vëzhguam një proces përtëritjeje kardiake: qelizat kardiake të pacientëve të moshuar me insuficiencë kardiake filluan sërish të funksionojnë siç duhet, duke u treguar më efikase në ndërtimin e enëve të reja të gjakut”.

Top Channel

ChatGPT, programi i inteligjencës artificiale që shkruan ese, shqetëson universitetet

ChatGPTProgrami i inteligjencës artificiale ChatGPT, që ka kapacitetin të shkruajë ese, po i bën universitetet të vendosin nëse duhet ndaluar përdorimi i tij. Një nga universitetet kryesore franceze e ka ndaluar tashmë, por të tjerët po presin të shohin se si do të zhvillohet situata, ndërkohë që po shqyrtojnë se si inteligjenca artificiale mund ta ndryshojë arsimin përgjithmonë.

 

Në mbarë botën, universitetet po shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjnë me një mjet të fuqishëm të inteligjencës artificiale që është bërë i disponueshëm për publikun – ChatGPT.

I bërë publik në nëntor 2022 nga OpenAi, programi robotik tërhoqi shumë vëmendjen e mediave dhe studentëve për shkak të përgjigjeve të detajuara, që janë pothuajse të padallueshme nga një tekst i shkruajtur nga njeriu.

Programi ka aftësinë t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta, si p.sh. se kush është president i Shteteve të Bashkuara, apo edhe pyetjeve më të komplikuara në stilin e eseve, me argumenta të shumta dhe shtjellim.

Adoleshentët dhe studentët e universiteteve ishin ndër miliona njerëzit që filluan të eksperimentojnë me të. Dhe megjithëse shumë prej tyre gjetën mënyra për ta përdorur me krijimtari dhe pa rrezikshmëri, lehtësia me të cilën programi mundej t’u përgjigjej pyetjeve në testimet që studentët merrnin me vete për t’i plotësuar në shtëpi, si dhe ndihma që programi u jepte për detyrat të tjera, shkaktuan panik në radhët e arsimtarëve.

Kur po rihapeshin shkollat pas vitit të ri, në qytetin e Nju Jorkut, në Los Anxhelos dhe drejtori të mëdha arsimore në Shtetet e Bashkuara, filloi të ndalohej përdorimi i programit në klasa dhe në paisjet elektronike të shkollave.

Por një profesor në Angli ka publikuar një shkrim ku argumenton se ChatGPT mund të bëhet një mjet i vlefshëm. Megjithë fuqinë e këtij programi dhe mundësinë e abuzimit me të, profesori mendon se është gabim ndalimi i tij.

“Mendoj se është mirë që ta shikojmë këtë çështje nga këndvështrimi se si këto teknologji do të zënë vend në të ardhmen në qendrat e punës, aty ku do të shkojnë studentët tanë. Dhe është e rëndësishme që ne, si arsimtarë, t’i përgatisim studentët që t’i kuptojnë këto mjete me një sy kritik, që të njohin kufizimet e tyre dhe t’i bëjnë ato pjesë të arsenalit të tyre, dhe jo të refuzohen nga universitetet”, thotë profesor Balbir Ban, i cili është dekan i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjisë, në Universitetin në Middlesex.

Ai po eksperimenton me programin ChatGPT, madje edhe duke e pyetur se cilat do të ishin disa nga pikat e debatueshme moralisht për përdorimin e tij nga studentët. Programi i përgjigjet me shpejtësi dhe me një strukturë që i ngjason një eseje në përgjigje të pyetjes, duke radhitur probleme si plagjiarizmi, mashtrimi, apo ndërvarësia.

“Nëse ne si arsimtarë mendojmë se ChatGPT përbën kërcënim, atëherë ne duhet të ngremë pyetjen se çfarë do të thotë arsim. Ka të bëjë me ofrimin e aftësive të nivelit të lartë që do t’iu duhen studentëve për të nxënë në vazhdimësi. Këto janë teknologjitë që ofrojnë mundësi. E kemi parë evolucionin që nga kontrolli për gabime ortografike në programin Word, dhe pastaj me kontrollin gramatikor, dhe tashmë me përpilimin e përmbledhjeve. Ajo që duhet të bëjmë është që t’i pajisim tani studentët me njohuritë për ta identifikuar. Mund të përdorim atë që prodhohet për ta përmirësuar, për ta vlerësuar me një sy kritik, për të identifikuar mangësitë dhe për të nxjerrë një produkt përfundimtar”, thotë profesor Barn.

Institucione të tjera arsimore, si Sciences Po Paris, një ndër universitetet më prestigjioze të Francës, ndaloi përdorimin e programit ChatGPT dhe të të gjitha mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale dhe paralajmëroi me përjashtim studentët në rast të shkeljes së këtij rregulli.

“Studentët tanë vijnë për të studiuar këtu dhe për të marrë një diplomë cilësore. E pyetëm veten se si duhej të vepronim dhe menduam se është e rëndësishme të kufizohej përdorimi i kësaj inteligjence të re… Pikë së pari, pasi është një inteligjencë artificiale e bazuar në përllogaritje dhe jo në një arsyetim. Dhe mbi të gjitha, krijon iluzionin e një teksti të shkruar nga njeriu, dhe studentët tanë duhet ta dinë se për universitetin Sciences Po, përdorimi i këtij mjeti nuk shërben si garanci për ndershmërinë intelektuale”, thotë Myriam Dubois-Monkachi, drejtore për çështjet akademike në Universitetin “Sciences Po Paris”.

Organizata OpenAI publikoi edhe një program prototip që synon të pikasë materialet e prodhuara me inteligjencën artificiale. Megjithatë, programi “AI classifier” është në gjendje të dallojë vetëm rreth 26% të shkrimeve të prodhuara me inteligjencën artificiale.

“Mendoj se këto programe do të shërbejnë për të hartuar variantet fillestare të dorëshkrimeve, por për të cilat do të duhet sërish mbikqyrja e njeriut, për t’i kontrolluar për gabime dhe për të korrigjuar koncepte të gabuara që mund të kenë këto programe. Pra, pjesë e përgatitjes së studentëve do të jetë edhe që të kuptojnë se si t’i përdorin këto mjete me efikasitet dhe në mënyrë etike”, thotë Gregory Morgam, profesor i asociuar në Institutin Stevens të Teknologjisë.

Programi ChatGPT vazhdon të jetë i disponueshëm për çdo person që ka qasje në internet. Ai funksionon si një dialog i shkruar mes sistemit të inteligjencës artificiale dhe personit që i drejton pyetje.

voa

Sa i rrezikshëm është TikTok?

tiktokSuksesi i shpejtë i aplikacionit kinez të publikimit të videove TikTok ka alarmuar ligjvënësit dhe mbrojtësit e privatësisë në mbarë botën. Për çfarë shqetësohen ata?

 

TikTok është në qendër të vëmendjes së shumë autoriteteve dhe organeve monitoruese. Ligjvënësit në mbarë botën po debatojnë se si të kufizojnë, ose ta shpallin të jashtëligjshëm, përdorimin e shërbimit kinez të publikimit të videove, i cili është bërë një nga aplikacionet më të njohura mes adoleshentëve në mbarë botën.

Ndërsa Bashkimi Evropian është gati të zbatojë legjislacionin që do të detyrojë TikTok të kontrollojë në mënyrë agresive përmbajtjen e dëmshme, vendet nga SHBA-ja në Japoni po mendojnë se si ta rregullojnë aplikacionin – ose madje të ndjekin shembullin e Indisë dhe ta ndalojnë atë plotësisht.

Frika e tyre është se qeveria e Kinës mund të ndikojë tek TikTok për të nxitur interesat e saj. Ashtu si kali i Trojës në mitologjinë greke, ata paralajmërojnë se Pekini mund të përdorë aplikacionin për të fituar akses në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve dhe për të përhapur informacione të rreme.

“Ka shqetësime legjitime për mbikëqyrjen e mundshme nga regjimi kinez,” tha për DW, Estelle Masse nga organizata jofitimprurëse e të drejtave dixhitale me bazë në Bruksel, Access Now. TikTok gjithashtu meriton vëmendje të madhe, “sepse është media sociale me rritjen më të shpejtë në botë dhe demografia e saj është shumë e re,” shtoi ajo.

Kompania amë e aplikacionit, konglomerati kinez i teknologjisë ByteDance, ka qenë prej kohësh nën shqyrtim për mënyrën se si mbledh dhe përpunon të dhënat e përdoruesve. Por presioni ndaj rregullatorëve për të frenuar platformën është rritur që kur u zbulua në dhjetor se punonjësit e ByteDance kishin akses në të dhënat e gazetarëve perëndimorë për të hetuar rrjedhjet në shtyp.

Një zëdhënëse e TikTok tha për DW, se incidenti ishte “sjellje e pahijshme e individëve të caktuar që nuk janë më të punësuar në ByteDance”, duke shtuar se protokollet për ata që mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve që atëherë “janë ngurtësuar ndjeshëm”. Ajo argumentoi se ndërsa të dhënat e përdoruesve të TikTok ruheshin në qendrat e të dhënave jashtë Kinës, “një akses i kufizuar i punonjësve” në informacionin nga brenda Kinës ishte i nevojshëm “për të mbështetur komunitetin tonë global”.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësja këmbënguli se “nuk na është kërkuar kurrë t’i ofrojmë qeverisë kineze të dhënat e përdoruesve të TikTok dhe kurrë nuk i kemi dorëzuar asnjë të dhënë asaj”.

 

Si u bë kaq i madh TikTok?

Ngjitja e shpejtë e aplikacionit është e paprecedentë në historinë e internetit. Brenda pak vitesh, ai u ngrit nga një aplikacion i veçantë për fëmijë që bëjnë sinkronizimin e buzëve në një nga platformat kryesore të mediave sociale në botë, të cilit përdoruesit i drejtohen gjithnjë e më shumë për të drejtuar pyetjet e kërkimit ose për të ndjekur lajmet.

Në vitin 2018, ByteDance lançoi në tregun global TikTok, i cili është modeluar sipas aplikacionit të tij kinez Douyin. Në shtator 2021, platforma njoftoi se kishte arritur një miliard përdorues aktivë mujorë, një moment historik që Facebook-ut iu deshën mbi tetë vjet për ta arritur. Statistikat e shkarkimit sugjerojnë se numri ka vazhduar të rritet që atëherë. TikTok nuk jep informacion në lidhje me numrin aktual të përdoruesve, duke cituar politikën e kompanisë.

Çelësi i suksesit të aplikacionit, sipas analistëve, është faqja “Për ty” e TikTok, një rrjedhë e individualizuar videosh që duket ndryshe për çdo përdorues. Fillon automatikisht sapo hapet aplikacioni dhe analizon gjithçka që tërheq vëmendjen e përdoruesve, si p.sh. sa kohë ata shikojnë një klip përpara se të kalojnë te tjetri. Kështu, me kalimin e kohës, softueri mëson gjithnjë e më shumë rreth tyre dhe i përshtat videot që ata shohin me interesat e tyre.

“Në fund të ditës, algoritmi i faqes ‘Për ty’ ka një objektiv mjaft të qartë,” tha Martin Degeling i fondacionit Neue Verantwortung, një Think Tank me qendër në Berlin, i cili ka analizuar sistemin e rekomandimeve të TikTok. “Ka të bëjë me vlerësimin se çfarë do të zgjojë interesin e përdoruesve pikërisht në atë moment dhe synon t’i mbajë ata në platformë për aq kohë sa të jetë e mundur.

 

A mund të rrëmbehet TikTok?

Ndërsa përdoruesit e përdorin gjithnjë e më shumë aplikacionin si burim lajmesh, me mediat kryesore duke përfshirë DW që postojnë rregullisht në platformë, kritikët paralajmërojnë se algoritmi i tij i fuqishëm mund të abuzohet për të përhapur qëllimisht disinformim.

Zyrtarët amerikanë si drejtori i FBI-së, Chris Wray, kanë paralajmëruar në mënyrë specifike se qeveria në Pekin mund të “manipulojë përmbajtjen” në aplikacion për të ndikuar në opinionin publik ose për të mbjellë trazira sociale jashtë vendit.

“Rreziku që TikTok po përdoret për të përhapur qëllimisht disinformimin është real”, sipas studiuesit Degeling, por ai “nuk e konsideron atë të jetë dukshëm më i madh se në platformat e tjera të mediave sociale”.

Zëdhënësja e TikTok hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se platforma po përpiqej “të kufizonte në mënyrë proaktive përhapjen e informacionit të rremë”. Ajo vuri në dukje partneritetet me organizatat e verifikimit të fakteve dhe një nismë të re që tani paralajmëron përdoruesit kur videot ngarkohen nga “llogari të drejtuara nga entitete prodhimi editorial i të cilave ose procesi i vendimmarrjes i nënshtrohet kontrollit ose ndikimit të një qeverie”.

 

A ka një ‘tru TikTok’?

Dhe pastaj lind pyetja se çfarë ndikimi mund të ketë përdorimi i aplikacionit në shëndetin mendor të përdoruesve të tij, kryesisht të rinj. Në SHBA, për shembull, mbi dy të tretat e të gjithë adoleshentëve përdorin aplikacionin, sipas një studimi të vitit 2022 nga qendra kërkimore Pew Research Center.

Disa ekspertë të kujdesit shëndetësor kanë paralajmëruar se dizajni i TikTok promovon sjellje varësie. Të tjerë kanë thënë se shumë kohë e shpenzuar në aplikacion mund të ndikojë në aftësitë njohëse duke ulur kapacitetin e vëmendjes apo edhe duke shkaktuar ankth ose depresion, një fenomen që tashmë është etiketuar “truri TikTok”. Në këtë sfond, Kina ka miratuar rregulla që kufizojnë përdorimin e ekuivalentit të TikTok Douyin për fëmijët nën moshën 14 deri në 40 minuta në ditë.

Por deri më tani, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore, sipas Philipp Lorenz-Spreen, një shkencëtar kërkimor në Institutin Max Planck për Zhvillimin Njerëzor me qendër në Berlin. “Ne thjesht nuk e dimë ende se çfarë bën TikTok me psikologjinë dhe sjelljen e përdoruesve të tij”, tha ai për DW.

“TikTok është një platformë e re dhe nuk ka asnjë precedent historik nga i cili mund të mësojmë”, tha ai. Në të njëjtën kohë, shtoi ai, TikTok “e bën të vështirë për studiuesit të hetojnë ndikimin e tij, sepse u jep atyre vetëm pak akses në të dhënat e tij”.

 

Rregullorja po afrohet

Në Bashkimin Evropian, të paktën, kjo mund të ndryshojë kur ligjet e reja të fillojnë këtë vjeshtë dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Ata do të detyrojnë platformat veçanërisht të mëdha sociale që, ndër të tjera, t’u ofrojnë studiuesve të verifikuar nga BE-ja informacion rreth funksionimit të tyre të brendshëm. BE-ja nuk ka specifikuar ende nëse do të llogarisë TikTok-un në ato platforma të mëdha, por pritet gjerësisht ta bëjë këtë.

Ndërkohë, ligjvënësit amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve po mbajnë një votim këtë muaj mbi një projektligj që synon ndalimin e aplikacionit. Nëse miratohet, ai mund t’i japë Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Biden mjetet ligjore për të nxjerrë jashtë ligjit platformën në të gjithë vendin për shqetësimet e sigurisë kombëtare.

TikTok po përpiqet të parandalojë që kjo të ndodhë. Lobistët e ByteDance kanë grumbulluar zyrat e ligjvënësve nga Uashingtoni DC në Bruksel për t’i bindur ata të minimizojnë rregulloret e ardhshme.

Kjo iniciativë vjen pas vitesh përpjekjesh të TikTok për të shtrirë kufijtë se si mbledh dhe përpunon të dhënat e përdoruesve, tha eksperti i privatësisë Masse nga Access Now. Në të njëjtën kohë, ajo vuri në dukje se grumbullimi i masës së të dhënave është bërë prej kohësh praktikë e zakonshme me platformat e mediave sociale në shkallë të gjerë.

“Fakti që ne kemi ende pyetje rreth TikTok është një lloj standard i zakonshëm dëshpërues në këtë industri,” tha ajo. Kjo është arsyeja pse, ndërsa ata po monitorojnë TikTok, qeveritë nuk duhet të harrojnë atë që po bëjnë platformat e tjera si Instagram me bazë në SHBA, paralajmëroi ajo.

“Është e drejtë që TikTok është tani në qendër kritikës, por mund të jetë gjithashtu e përshtatshme që platformat e tjera të fshihen pas TikTok, ndërkohë që ata po ndjekin të njëjtat praktika ose të ngjashme”, tha Masse. Njëkohësisht, shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew, ka qenë në turne në kryeqytetet botërore për t’u takuar me vendimmarrësit politikë.

dw

Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat?

stresMesatarisht, meshkujt jetojnë disa vite më pak se femrat. Nuk dihet pse. A e shkurton jetën kromozomi Y “mashkull”?

 

Sipas zyrës gjermane të statistikave, jetëgjatësia për burrat dhe gratë është rritur në mënyrë konstante gjatë dekadave të fundit, por një ndryshim mbetet – burrat ende vdesin mesatarisht rreth pesë vjet më herët se gratë. Dukuria është e ngjashme në të gjithë botën. Një arsye e mundshme për këtë mund të jetë kromozomi Y.

Të ashtuquajturat kromozome X dhe kromozomet Y janë pjesë e informacionit gjenetik në qelizat e trupit tonë. Gratë zakonisht kanë dy kromozome X në qelizat e tyre, ndërsa burrat kanë një X dhe një Y. Kromozomi “mashkull” është dukshëm më i vogël dhe siguron zhvillimin e karakteristikave seksuale mashkullore në embrion.

Megjithatë, me plakjen, gjatë ndarjes së qelizave, kromozomet individuale Y mund të zhduken. Kjo ka kohë që dihet në qarqet profesionale. Ky mutacion nuk është krejtësisht i padëmshëm, shpjegon kardiologu Andreas Zeier, i cili hulumton këtë temë në Spitalin e Universitetit në Frankfurt: “Në dy-tre vitet e fundit janë bërë studime që kanë treguar se humbja e këtij kromozomi shkakton sëmundje kardiovaskulare, Alzheimer, sëmundje të ndryshme, diabetin etj. Edhe sëmundja klasike e degjenerimit makular të lidhur me moshën, pra një humbje e lehtë e shikimit, shkaktohet prej humbjes. Dhe pas kësaj, lind pyetja: si është e mundur kjo?

 

Qelizat e gjakut janë veçanërisht të prekura

Humbja e kromozomit Y ndodh kryesisht në qelizat e formimit të gjakut, të cilat prodhojnë miliarda qeliza gjaku në palcën e eshtrave çdo ditë, shpjegon Zeier. Nëse një qelizë e tillë burimore e gjakut humbet kromozomin e saj Y, jo të gjithë pasardhësit e saj do ta kenë atë dhe shpesh qeliza të tilla prodhojnë edhe më shumë qeliza të reja gjaku se të tjerat.

Sipas shkencëtarëve gjermanë, rreth 40 për qind e meshkujve mbi 70 vjeç janë të prekur nga ky mutacion, ndërsa është prekur edhe rreth pesë për qind e 45-vjeçarëve. Megjithatë, jo të gjitha qelizat burimore të gjakut humbasin kromozomin Y – në vend të kësaj, krijohet një i ashtuquajtur mozaik qelizash me forma të ndryshme informacioni gjenetik.

 

Problemet me zemër

Ekipi hulumtues i udhëhequr nga ky kardiolog tani dëshiron të zbulojë se cilat ndryshime në këto qeliza janë rezultat i mungesës së kromozomit Y. Sepse ndezja ose fikja e gjeneve mund të shkaktojë procese patologjike në trup. Shkencëtarët ekzaminojnë rregullisht mostrat e gjakut nga pacientët e moshuar meshkuj me probleme të zemrës dhe kërkojnë qeliza pa një kromozom Y.

Është treguar se qelizat e gjakut pa një kromozom Y janë dukshëm më të shpeshta tek meshkujt me sëmundje të zemrës sesa tek meshkujt e shëndetshëm. 

Ndryshimet e organeve

Në eksperimentet e kafshëve, një grup kërkimor në SHBA tashmë ka arritur të demonstrojë rolin e rëndësishëm të kromozomit Y për shëndetin. Qelizat e gjakut pa të tek kafshët shkaktuan procese inflamatore – jo vetëm në zemër, por edhe në mushkëri dhe veshka.

Rezultati është: indi shndërrohet në të ashtuquajturën fibrozë, ind që trashet dhe ngurtësohet si një plagë. Plagët e tilla e bëjnë zemrën më të ngurtë dhe më pak të aftë për të pompuar, thotë Zeier. Ende nuk është sqaruar përfundimisht nëse ky zbulim vlen edhe për njerëzit.

Por qelizat nga pacientët në Spitalin Universitar në Frankfurt prodhuan gjithashtu më shumë substanca që shkaktojnë inflamacion: “Prandaj ne besojmë se rezultatet e hulumtimit të miut mund të aplikohen edhe te njerëzit”. 

Akoma pa terapi

Nuk ka terapi për pasojat e mungesës së kromozomit Y. Gjithashtu nuk dihet nëse humbja e kromozomit Y mund të parandalohet.

Por ka disa zakone të jetesës që nxisin zhdukjen e saj. Prandaj, kardiologu Zeier u rekomandon meshkujve që të jenë fizikisht aktivë, të mos pinë duhan dhe të shmangin stresin. Ekipi i ekspertëve të Frankfurtit shpreson të zbulojë pasoja të mëtejshme të mungesës së kromozomit Y në trup dhe të jetë në gjendje të zhvillojë terapi kundër problemeve shëndetësore që lidhen me të.

 

 

bc (ard)

Mikroçipe të prodhuara në Gjermani

Intel Magdeburg FabrikaÇipat elektronikë vijnë kryesisht nga Azia e Amerika e Veriut. Por Gjermania dëshiron të avancojë – për shembull duke ndërtuar me investim amerikan një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit.

 

Ai duket dhe shkëlqen si kristal i zi, por në të vërtetë është karbit silikoni sintetik. Tashmë është përdorur për shumë dekada në letrat zumperile. Për shkak të aftësive të veçanta si gjysmëpërçues, ky material ka tërhequr vitet e fundit vëmendjen e sektorit të automobilëve. “Çipat e karbitit të silikonit konvertojnë rrymën direkte në rrymë alternative në mënyrë shumë efikase dhe kështu mund të rrisin largvajtjen e automjeteve elektrike,” shpjegon Stefan Bratzel nga Qendra e Menaxhimit të Automobilëve në Bergisch Gladbach.

Në vendin e termocentralit të qymyrit në Ensdorf, landi gjerman i Zarës (Saarland), prodhuesi amerikan Wolfspeed do të ndërtojë një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit në botë. Sipas të dhënave të saj, kompania e listuar punëson rreth 3500 njerëz në 17 vende.

 

Investim në ndryshimin strukturor

Për landin federal gjerman të Zarës, i cili është shumë i varur nga industria e automobilëve dhe çelikut, një fabrikë vetjake gjysmëpërçuese do të ishte “një moment historik në rrugën drejt ndryshimeve të suksesshme strukturore”, thotë Carsten Meier, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në landin e Zarës.

Një fabrikë e tillë do të kishte rëndësi shumë përtej kufijve të landit të Zarës, thotë Ondrej Burkacky, një ekspert për gjysmëpërçuesit në firmën konsulente McKinsey. Nga pikëpamja evropiane, ky hap do të ishte shumë i rëndësishëm për t’u bërë më pak i varur nga qendrat e prodhimit në Azi dhe Amerikën e Veriut. Gjatë pandemisë së Koronas, në Evropë shumë linja prodhimi të prodhuesve të makinave u ndalën për javë të tëra për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve.

 

Tregu në rritje i karbitit të silikonit

Tregu global për çipat e karbitit të silikonit, të tilla si ato të prodhuara nga Wolfspeed, aktualisht është ende mjaft i vogël. Vitin e kaluar, shitjet ishin rreth 1 miliard dollarë, sipas Burkacky-t. “Ne presim një rritje prej rreth 23 për qind në vitet e ardhshme, në mënyrë që të arrijmë rreth 2.5 miliardë dollarë në vitin 2026.”

Ekspertët presin që kërkesa të vazhdojë të rritet në përputhje me rritjen e tregut të makinave elektrike. “Wolfspeed ende nuk është një kompani shumë e madhe e çipave,” thotë Bratzel. “Por në këtë treg në rritje, është një lojtar shumë i rëndësishëm.”

Fakti që Gjermania është e pranishme kaq herët në lindjen e këtij tregu me fabrikën e saj mund të jetë “një gur themeli shtesë për zinxhirin e vlerës për industrinë shumë të rëndësishme të automobilave në Gjermani”, sipas Burkacky.

 

BE dëshiron të joshë me subvencione prodhuesit e çipave

Nuk ka ende të dhëna të sakta për shumën e investimit të Wolfspeed-it. Në qarqet industriale, megjithatë, flasim për një shumë prej disa miliardash. Sipas Burkackyt, prodhuesit e çipave zakonisht presin fonde publike në masën 30 deri në 40 për qind të kostove të investimit. Bratzel-i beson se ka një shans shumë të mirë që landi i Zarës të marrë subvencione nga BE.

BE dëshiron të miratojë “Ligjin për çipat” deri në verë. Falë miliarda subvencioneve, pjesa e Evropës në prodhimin global të çipave pritet të rritet nga 10 në 20 përqind deri në vitin 2030. Kështu, njohuritë dhe vendet e punës do të vendosen në Evropë në industrinë premtuese të çipave elektronikë.

 

Deri në 1000 vende të reja pune

Fjala është për krijimin e 1000 vendeve të reja të punës me ardhjen e Wolfspeed-it. Prodhimi i gjysmëpërçuesve bëhet në një dhomë të pastër dhe është kryesisht i automatizuar. Prandaj ata që kërkohen janë mbi të gjitha inxhinierë, por edhe shumë teknikë të ngarkuar me mirëmbajtjen e makinerive.

Për rreth katër vjet, çipat e parë të karbitit të silikonit për automjetet elektrike mund të prodhohen në landin e Zarës, aty ku ndodhej një termocentral me qymyr. Do të ishte një simbol dhe një shembull pozitiv i ndryshimit strukturor.

(P.Sauer/SR)

Shkenca në kërkim të superpërçuesve që do bënin revolucion në energjitikë

SuperpercuesSuperpërçuesit apo substancat që lejojnë kalimin e energjisë përmes tyre pa rezistencë, mundësojnë që aparatura të ndryshme të funksionojnë më shpejt dhe të kursejnë energji. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Shelley Schlender, disa prej superpërçuesve funksionojnë vetëm në temperatura shumë të ulta. Shkencëtarët tani po kërkojnë të gjejnë mënyra për të shmangur nevojën e ftohjes. 

Aparaturat mjekësore që gjurmojnë për sëmundje dhe trenat që ecin me shpejtësi të lartë, funksionojnë falë superpërçuesve.

Shumica e superpërçuesve aktualë, duhet të ftohen në temperatura rreth 100 herë më të ulta se temperatura e dhomës, gjë që kërkon helium të lëngshëm, një lëndë e rrallë dhe e kushtueshme.

Joe Eck, një entuziast nga shteti i Kansasit, dëshiron të gjejë materiale që mund të kryejnë funksionin e superpërçuesve, por në temperatura normale.

“Nëse do ta arrinim këtë, nuk do të kërkohej fare ftohje”, thotë zoti Eck.

Me superpërçuesit në temperatura normale, makinat elektrike mund të përshkruajnë distanca më të gjata, pa patur nevojë të rimbushen.

Kompjuterat mund të bëhen edhe më të vegjël.

“Superkompjuterat që tani mbushin dhoma të tëra, mund të mbahen edhe në shtëpi”, sqaron më tej zoti Eck.

Disa shkencëtarë thuhet se kanë krijuar superpërçues me temperatura normale, që mund të punojnë në kushte laboratorike, nën presion të lartë.

Por shkencëtarë të tjerë e vënë në pikëpyetje vërtetësinë e këtij zbulimi.

Në përpjekje për prodhimin e superpërçuesve më të ngrohtë, zoti Eck përzien disa lëndë.

“. . . Bismut, skandium, oksid kadmiumi. Këto janë gjëra të rrezikshme”, e pranon ai.

Ai i pjek ato në furrën e vogël, që e ka ndërtuar vet.

Në Laboratorin Kombëtar “Los Alamos”, Dean Peterson është i njohur me punën e zotit Eck. Shkenctari Peterson thotë se superpërçuesit në temperaturën e dhomës do të ishin aq efikas sa bota do të kursente energji.

“Do të ishte një thesar, që të gjithë e kanë kërkuar 70 vitet e fundit”, thotë shkenctari, Dean Peterson.

Në qytetin Boulder të Kolorados, Danko van der Laan po krijon kabllo që përmbajnë metale të rralla, që funsionojnë si superpërçues, kur ftohen nga azoti i lëngshëm në temperaturë rreth katër herë më të ftohtë se temperatura e dhomës.

“Prodhimi i superpërçuesve, që punojnë në temperatura katër herë më të ftohta se temperatura e dhomës, është një hap i madh”, tha zoti van der Laan.

Një kabllo superpërcjellëse e hollë sa një laps transporton një sasi elektriciteti, e barabartë me një mori kabllosh konvencionale. Këto dhe kërkime të tjera për të gjetur superpërçues më të ngrohtë një ditë mund të çojnë në prodhimin e avionëve që fluturojnë me energji elektrike, si dhe reaktorë për prodhimin e energjisë bërthamore përmes fuzionit (shkrirjes).

voa

Las Vegas, hapet panairi më madh i teknologjisë në botë

PanairiDhjetëra mijëra novatorë të teknologjisë dhe pjesëmarrës marrin pjesë këtë javë në Panairin e Elektronikës në Las Vegas. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell, pajisje që funksionojnë me inteligjencë artificiale dhe ato të realitetit virtual po tërheqin vëmendjen e ekspertëve dhe konsumatorëve.

 

Një qen robot që mund të komandohet me zë, një pajisje e motorizuar për të ecur më shpejt, dhe një pajisje virtuale që ofron komoditet në metaverse janë disa nga risitë e panairit të elektronikës në Las Vegas këtë vit.

qeniKy qen i vogël robot po përdoret për të demonstruar aftësitë e teknologjisë së inteligjencës artificiale, të aktivizuar me zë.

“Ne kemi krijuar një program të inteligjencës artificiale zanore, përmes të cilit mund të komandosh me zë çdo lloj makinerie, robot, dron apo kompjuter në botë”, thotë Marc Bagur nga kompania “Airudit”.

Më shumë se 140 vende janë të përfaqësuara në panairin e këtij viti, i pari pas pandemisë me kapacitet të plotë dhe pa kufizime. Atë pritet ta vizitojnë 100 mijë njerëz. Gati gjysma e 3200 produkteve të shfaqura në panair janë prodhuar nga kompani të huaja, përfshirë disa nga Ukraina. Personeli i tyre udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për të shfaqur produktet e tyre. Por organizatori i panairit nuk lejoi pjesëmarrjen e kompanive ruse.

“Ne nuk lejuam pjesëmarrjen e kompanive ruse në panair për shkak të situatës në Ukrainë”, tha Gary Shapiro nga Shoqata e Teknologjisë së Konsumit.

Ai thotë se hapja pa masa kufizuese e panairit është shumë e rëndësishme. Pavarësisht nga mbështetja tek teknologjia e botës, pandemia dëshmoi se njerëzit dëshirojnë ndërveprim personal. Tema e këtij viti në panairin e elektronikës është qëndrueshmëria.

“Shumë nga kompanitë e përfaqësuara në panair duan të plotësojnë nevojat e shoqërisë. Ato po japin kontributin e tyre për ta bërë shoqërinë më të mirë. Teknologjia mund të përmirësojë qasjen në ushqim, ujë dhe ajër të pastër”, tha zoti Shapiro për Zërin e Amerikës.

Claire Peng, nga kompania tajvaneze “Ible”, thotë se kufjet e kompanisë së saj për bllokimin e zhurmës përdorin jone negative për të luftuar viruset dhe ndotësit e ajrit si poleni.

“Kufiet mund të mbrojnë përdoruesit si nga ndotësit e ajrit ashtu edhe nga zhurmat e ambientit”, thotë ajo.

Panairi ofron pajisje të reja edhe për hapësirën virtuale tredimensionale, metaverse. Pavarësisht valës së pushimeve nga puna në këtë sektor të teknologjisë vitin e kaluar, pajisjet e realitetit virtual po tërheqin vëmendjen e ekspertëve dhe pjesëmarrësve.

Kompania me seli në Tokio, “Shiftall” synon ta bëjë realitetin virtual më komod me një kufje të lehtë.

Mikrofoni i saj pa tel, “Mutalk”, bllokon zërin e përdoruesit, për të mos shqetësuar njerëzit e tjerë kur flet me zë të lartë gjatë aktiviteteve në botën virtuale.

“Pesha e lehtë e mikrofonit mund të jetë një faktor i rëndësishëm për përdoruesit që shpenzojnë shumë kohë në metaverse”, thotë Takuma Iwasa nga kompania “Shiftall”.

Panairi i Elektronikës në Las Vegas ofron për konsumatorët teknologji të reja që mund t’ua ndryshojnë jetën.

voa

Panairi i teknologjisë elektronike 2023

CES23Panairi vjetor i industrisë së teknologjisë, që njihet shkurtimisht si CES, po rikthehet këtë javë në Las Vegas me shpresën se do t’i ngjasojë kohës para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

 

Ky festival gjigand i teknologjisë e ndryshoi emrin vite më parë për të përfaqësuar më mirë industrinë në ndryshim, si dhe vetë panairin, që tashmë përfshin auto-industrinë, shëndetin dixhital, telefonat inteligjentë e duke vazhduar edhe më tej.

Pjesëmarrësit në panair do të prezantojnë risitë në botën e realitetit virtual, robotik dhe pajisjet teknologjike për konsumatorët. Panairi nuk është i hapur për publikun e gjerë.

Gjatë dy viteve pararendëse, pjesëmarrja e kompanive në panair ra në rreth 70% si rezultat i pandemisë së koronavirusit. Organizatorët e panairit 2023 shpresojnë të tërheqin 100 mijë firma për të ekspozuar produket e tyre.

Edhe nëse organizatorët arrijnë qëllimin e tyre, pjesëmarrja do të ishte 41% më e ulët krahasuar me panairin e janarit të vitit 2020, para kufizimeve të rrepta për shkak të pandemisë.

Kinsey Fabrizio, drejtues i lartë i Shoqatës së Teknologjisë për Konsumatorët, thotë se janë regjistruar rreth 3,000 kompani për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Mes tyre janë edhe gjigandët Amazon dhe Meta, të cilët së fundmi kanë shkurtuar vende pune dhe ngrirë hapjen e vendeve të reja të punës. Edhe kompani të tjera teknologjike kanë shkurtuar vende pune mes shqetësimeve të rënies ekonomike.

I pyetur nga agjencia e lajmeve Associated Press lidhur me panairin CES, zoti Fabrizio thotë se industria teknologjike ka shënuar rritje gjatë dy viteve të fundit. “Ne po vërejmë rikalibrim tani dhe si pjesë e saj ka edhe shkurtime të vendeve të punës”. Ai thotë se pjesëmarrja në panair është e madhe dhe se teknologjia po ndryshon mënyrën e jetës për konsumatorët.

Kinsey Fabrizio, drejtues i lartë i Shoqatës së Teknologjisë për Konsumatorët, thotë se në panairin e këtij viti janë regjistruar mbi 1000 kompani të reja.

voa