Kategoritë: Shkenca

Inteligjenca artificiale ndihmon njerëzit me çrregullime zanore

InterfaceNjë teknologji e re që përdor inteligjencën artificiale, mund të ndihmojë individët me çrregullime zanore që të flasin natyrshëm me zërin e tyre. Ky përparim mund të ofrojë një shans për miliona njerëz që të zhvillojnë biseda më të qarta.

 

Joris Casterman ka një çrregullim zanor dhe i merret goja. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai thotë se kur pëshpërit e folura e tij është e rrjedhshme dhe e qartë.

“Sepse kur jeni duke pëshpëritur nuk i përdorni kordat vokale”, thotë Joris Castermans, themelues i firmës “Whispp”.

Kjo shpjegon se pse individët që kanë probleme me të folurit mund të ulin çrregullimet e të folurit me rreth 85% nëse pëshpërijnë.

Ky fakt mahnitës e frymëzoi zotin Castermans që të zhvillojë aplikacionin Whispp, i cili përdor inteligjencën artificiale për të përmirësuar të folurën e individëve që kanë çrregullime të theksuara.

Një prej tyre është George Coster, i cili ka paralizë të kordave zanore. Por falë teknologjisë Whispp, zoti Coster ishte në gjendje të dëgjonte përsëri zërin që kishte para çrregullimeve shëndetësore.

Përdoruesit mund të zgjedhin ta personalizojnë zërin e tyre duke bërë regjistrime brenda aplikacionit Whispp, ose të përdorin regjistrime të hershme të zërit të tyre.

Ruud van Noorden është operuar dhe ka hequr laringun ‘kutinë e zërit’.

Por teknologjia e avancuar që ndërthur inteligjencën artificiale në aplikacionin Whispp, i ka kthyer atij në kohë reale zërin e dikurshëm dhe natyral. Përdoruesit mund të bëjnë telefonata dhe lidhje me video brenda aplikacionit.

​“Situata ideale është për një bisedë të qetë dhe të rrjedhshme, pa vonesa. Synimi është që aplikacioni ynë të jetë në çdo telefon dhe kompjuter në të gjithë botën”, thotë Joris Castermans, themeluesi i firmës Whispp.

Ai thotë se aplikacioni është ndërtuar me synimin për të transformuar jo vetëm të folurën, por edhe cilësinë e jetës së individëve me çrregullime zanore.

voa

 

Barcelonë, panairi i teknologjisë me risitë më të reja

teknologjia BarceloneNë Barcelonë të Spanjës u zhvillua panairi më i madh i teknologjisë ku morën pjesë kompani nga e gjithë bota. Por këtë vit vend kryesor zuri inteligjenca artificiale dhe kombinimi i saj në shumë aplikacione që përdoren në telefona apo në kompjutera. Ndër pajisjet e prezantuara është edhe një laptop me ekran transparent që kombinon inteligjencën artificiale dhe realitetin virtual. Kompjuteri nuk do të dal në treg së shpejti, por firma Lenovo që e prodhon atë, thotë se pajisja tregon aftësitë e përdorimit të teknologjisë.

 

Ky është një laptop i së ardhmes i prodhuar nga kompania Lenovo. Modeli “ThinkBook” ka një ekran transparent pa kornizë që shfrytëzon teknologjinë Micro-LED.

“Ekrani ushqehet me pamje nga një kamera që filmon imazhet ose objektet prapa kompjuterit. Inteligjenca artificiale e identifikon objektin ku është e fokusuar kamera dhe mund të ofrojë të dhëna rreth tij”, thotë Ag Zheng me firmën Lenovo.

Kompjuteri i të ardhmes është ende në fazën e konceptit dhe ende nuk është gati për prodhim masiv. Megjithatë, firma Lenovo thotë se kjo është teknologjia që do të përdorin në të ardhmen kompjuterat portativë.

“Kjo është prova e një koncepti për ekran transparent që e lejon përdoruesin të ndërveprojë me botën reale. Ekrani transparent e lehtëson ndërthurjen e inteligjencës artificiale me realitetin e shtuar të botës reale”, thotë Tom Butler me degën komerciale të firmës Lenovo.

Pajisja përdor teknologji që integron botën virtuale me atë reale. Duke përdorur përmbajtje të ‘prodhuara’ nga inteligjenca artificiale, në ekran mund të mbivendosen të dhëna dixhitale përkarshi objekteve fizike që filmon kamera. Lenovo thotë se kompjuteri në fjalë mund të përdoret kudo.

“Paneli që ndriçon ekranin të jep mundësinë e përdorimit të kompjuterit portativ kudo në natyrë. Mund të punoj jashtë në natyrë dhe madje të përdor edhe lapsin dixhital”, thotë zoti Butler.

Kompjuteri futurist me ekran transparent nuk do të dalë në treg së shpejti ndërsa firma Lenovo thotë se kjo është teknologjia e së ardhmes.

voa

Misioni i sondës “Odysseus” në Hënë

OdysseusSonda “Odysseus” (Odisea), që zbriti në Hënë më 22 shkurt ka dërguar në tokë imazhe, pavarësisht se ndodhet në një pozicion të pjerrët në sipërfaqen e Hënës. Me këtë mision Shtetet e Bashkuara kthehen në sipërfaqen e Hënës pas më shumë se 50 viteve. Sonda e një kompanie private është duke kryer eksperimente për agjencinë amerikane të hapësirës, NASA.

 

Kompania amerikane “Intuitive Machines” ka publikuar imazhe të zonave të paeksploruarua të Hënës, të dërguara nga sonda e saj “Odysseus”.

Sonda zbriti rreth 1.5 kilometra larg objektivit të saj, kraterit “Malapert A”, i cili ndodhet rreth 300 kilometra nga poli jugor i Hënës. Megjithatë, gjatë zbritjes, njëra nga gjashtë këmbët e sondës ngeci në sipërfaqen e Hënës, duke bërë që ajo të qëndrojë në një pozicion të pjerrët. Kjo e ka vështirësuar komunikimin me tokën dhe aftësitë e saj për të prodhuar energji përmes paneleve diellore.

Megjithatë, Zëvendës Presidenti për Kërkime dhe Zhvillim në kompaninë “Intuitive Machines”, Tim Crain, e quajti uljen e sondës në Hënë “një përparim të natyrshëm” të njerëzimit në përpjekjet për eskplorimin e sistemit tonë diellor.

“Ne të gjithë fluturojmë me aeroplanë sot dhe nuk mendojmë dy herë për këtë. Por aeroplanët e parë ishin një metodë e re dhe nganjëherë shumë e rrezikshme e transportit. E njejta gjë mund të ndodhë edhe me eksplorimin e hapësirës, përfshirë udhëtimet në Hënë, që mund të përmirësohen me kontributin e kompanive private. Ne mendojmë se ky është hapi i parë në këtë drejtim”, thotë ai.

Sipas NASA-s, sonda përfundoi në një krater të vogël, të degraduar me një pjerrësi prej 12 gradësh. Kjo është hera e parë që një anije hapësinore zbret kaq afër polit jugor të Hënës, një zonë me interes për shkak të dyshimeve për prani të ujit të ngrirë në krateret nën hije të përhershme atje.

NASA, e cila planifikon të dërgojë astronautë në këtë rajon të Hënës në vitet e ardhshme, pagoi kompaninë “Intuitive Machines” 118 milionë dollarë për të kryer gjashtë eksperimente.

Klientë të tjerë gjithashtu kanë pajisje në bordin e sondës amerikane.

Profesori i inxhinierisë mekanike në Institutin e Teknologjisë Stevens në Hoboken të Nju Xhersit, Jason Rabinovitch thotë se hapësira është një mjedis “shumë sfidues”.

“Zbritja në Hënë, Mars apo në një vend tjetër të hapësirës është sfiduese. Hapësira është plot sfida. Është një mjedis shumë ekstrem sepse gjatë uljes mund të përballeni me rreziqe të ndryshme si rrokullisja dhe probleme me orientimin e anijes hapësinore. Pra, ka shumë sfida, të cilat nëse nuk tejkalohen mund t’i japin fund një misioni hapësinor”, thotë zoti Rabinoviç, i cili ka punuar në misionin e dërgimit në Mars të sondës “Perseverance” në 2020.

Pavarësisht zbritjes së sondës “Odysseus” në një pozicion të pjerrët, “Intuitive Machines” u bë kompania e parë private që bëhet pjesë e një grupi elitar të entiteve që kanë dërguar sonda në Hënë.

Një kompani tjetër amerikane, “Astrobotic Technology”, e provoi këtë në janar, por nuk arriti në Hënë për shkak të një rrjedhjeje karburanti në sondën e saj.

Dymbëdhjetë astronautë kanë zbritur në Hënë nga viti 1969 deri në vitin 1972, në kuadër të programit amerikan “Apollo” për eksplorimin e Hënës.

Që nga vitet 1960, vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, India dhe Japonia kanë arritur sukses në dërgimin e sondave në Hënë. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë arritur me sukses të dërgojnë astronautë në Hënë.

Kompanitë amerikane “Intuitive Machines” dhe “Astrobotic Technology” kanë kontrata të tjera me agjencinë amerikane të hapësirës për misione eksplorimi në Hënë.

voa

SHBA heton rreziqet nga makinat inteligjente të lidhura në rrjetet kibernetike

Makina intelegjenteShtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se po fillojnë një hetim për rreziqet e mundshme të sigurisë nga automjetet inteligjente që përdorin teknologji nga vende si Kina.

 

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se ka udhëzuar Departamentin e Tregtisë të fillojë hetimin për të përcaktuar se çfarë masash duhen marrë për t’u siguruar që makinat që qarkullojnë në rrugët e Shteteve të Bashkuara nuk do të dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit.

“Shumica e makinave sot janë të lidhura me rrjetin – janë si celularë inteligjentë me rrota”, thuhet në deklaratën e presidentit Biden. “Këto makina janë të lidhura me telefonat tanë, sistemet e navigimit, me infrastrukturën jetike dhe me kompanitë që i kanë prodhuar. Makinat inteligjente të ardhura nga Kina mund të mbledhin të dhëna të rëndësishme për qytetarët tanë dhe infrastrukturën tonë dhe mund t’ia dërgojnë këto të dhëna Republikës Popullore të Kinës”.

Zyrtarë të lartë amerikanë u thanë gazetarëve gjatë një lidhjeje telefonike se nuk kanë një numër të saktë të automjeteve të lidhura me vendet që përbëjnë shqetësim për Shtetet e Bashkuara, por thanë se ky numër është shumë i vogël.

“Ka të bëjë shpesh me makinat që prodhohen në Kinë, nga kompanitë kineze. Janë shumë pak makina të tilla sot në rrugët e Shteteve të Bashkuara”, tha një zyrtar.

Në këtë pikë nuk do të vendosen masa ndalimi apo tarifa, por puna do të përqendrohet më tepër tek mbledhja e informacionit për të parë se për cilat aspekte mund të vendosen rregulla të reja, thanë zyrtarët amerikanë.

“Theksojmë se është e rëndësishme të merren masa përpara se të bëhet një numër i madh makinash të tilla në rrugët amerikane”, tha një zyrtar. “Me rritjen e shpejtë të tregut të eksportit të makinave kineze dhe vendosjen e pranisë në vende të tjera, përfshirë në vende të Evropës, është e rëndësishme të vlerësojmë tani rrezikun për sigurinë kombëtare”.

Teknologjive të cilave do t’u kushtohet më shumë vëmendje janë pajisjet dhe programet në automjetet që mund të mbledhin dhe të transmetojnë të dhëna që mund të përdoren për qëllime keqdashëse.

Një zyrtar tha se shqetësimet e mundshme variojnë që nga çështjet e privatësisë, si përmbajtja e mesazheve SMS apo të postës elektronike, që lidhen me sistemin e makinës nëpërmjet telefonit të shoferit dhe deri tek një skenar i mundshëm kur një entitet në Pekin mund të çaktivizojë qindra mijëra makina inteligjente kineze në rrugët e Shteteve të Bashkuara.

voa

A janë kompjuterët apo librat më të mirë për të mësuar?

pc apo libratNdërsa teknologjia përparon, debati nëse librat apo kompjuterët janë mjete më të mira mësimore vetëm do të intensifikohet. Çështja në thelb nuk është arsimi, por varfëria dhe aksesi në arsim.

Sipas filozofit të lashtë grek, Sokrati shkrimi i gjërave do t’i bënte njerëzit të harrojnë. Tani, mijëra vjet më vonë, ne jemi në pozitën fatlume që jemi në gjendje të diskutojmë mendimin e Sokratit pikërisht sepse ai ishte shkruar.

Komentuesit shpesh thonë, se më e mira janë fjala e shkruar, librat dhe se kompjuterët ndikojnë negativisht në të mësuarit, pothuajse për të njëjtat arsye që Sokrati ishte kundër shkrimit të gjërave: harresa, kur kujtesa është një gur themeli i të mësuarit. Ju mund të pyesni veten: Çfarë kanë njerëzit kundër teknologjive të reja?

Ndërsa gjithnjë e më shumë klasa kalojnë nga librat e printuar në ato dixhitale dhe materiale të tjera, studiuesit po shqyrtojnë ndikimin në të nxënit e fëmijëve. Fusha është e re dhe provat janë të përziera – nuk ka konsensus shkencor nëse librat apo pajisjet dixhitale janë më të mira për të mësuarin e një fëmije.

Një studim në shkollat fillore në Honduras, për shembull, zbuloi se zëvendësimi i laptopëve me tekstet shkollore tek e fundit nuk bënte ndonjë ndryshim në mësimin e nxënësve – nuk ishte as pozitiv as negativ. Por a nuk është kuptimi i përbashkët që të dyja format e të mësuarit, të shtypura dhe dixhitale, mund të jenë efektive apo jo, në varësi të individit dhe situatës? Le të gërmojmë pak më thellë.

Mësimi i hershëm rilidh trurin

Është e rëndësishme të merret parasysh neuroshkenca këtu, sepse ajo mund t’i ndihmojë edukatorët të zgjedhin se cilat mjete do të përdorin në faza të ndryshme të zhvillimit të një fëmije.

Dhe neuroshkencëtarët na kanë treguar se të mësuarit dhe formimi i kujtesës rilidhin fizikisht trurin.

Truri është “elastik” – ai rritet dhe krasit lidhjet midis neuroneve ndërsa ne formojmë kujtime, mësojmë dhe harrojmë. Kjo është e vërtetë në të gjitha moshat, por truri është veçanërisht elastik gjatë fëmijërisë.

Plasticiteti i trurit varet masivisht nga përvojat dhe mjedisi ynë. Studimet kanë treguar se sa më i pasur të jetë mjedisi ynë i të mësuarit gjatë fëmijërisë, aq më shumë “gjëra” mësojmë – por ne gjithashtu ndryshojmë mënyrën se si truri ynë mëson gjëra të reja për pjesën tjetër të jetës.

Shembulli më i mirë këtu është mësimi i gjuhës. Fëmijët mësojnë një gjuhë të dytë shumë lehtë në krahasim me të rriturit sepse truri i tyre është më elastik. Për më tepër, të rriturit që kanë mësuar dy gjuhë në fëmijëri mund të mësojnë një gjuhë të tretë shumë më shpejt sesa të rriturit që kanë mësuar vetëm një gjuhë në fëmijëri – truri i tyre është i stërvitur për të mësuar gjuhë.

Në anën tjetër të spektrit, privimi i ndjesive gjatë fëmijërisë ndryshon përgjithmonë trurin për keq. Fëmijët e privuar nga përvoja të ndryshme – më pak prekje dhe ndërveprim me të rriturit, për shembull, më pak pamje dhe tinguj dhe pak akses në të mësuar – mund ta kufizojnë zhvillimin e trurit. Këto ndryshime shpesh nuk mund të kthehen më vonë në jetë.

Përfitimet e përvojave më të pasura të të mësuarit

Çfarë do të thotë kjo për arsimin? Fëmijët duhet të ekspozohen ndaj sa më shumë llojeve të ndryshme të mjeteve të të mësuarit, si dixhitale ashtu edhe fizike. Mund të nënkuptojë t’i drejtoheni librave dhe shkrimit të dorës për të formuar njohuri të qëndrueshme për diçka.

Studimet tregojnë se akti i të shkruarit kërkon që truri të jetë pjesëmarrës aktiv në procesin e marrjes së shënimeve, por se truri është më pak aktiv kur shkruan, kështu që shkrimi me dorë ia shton më shumë materialin kujtesës.

Ose përdorimi i platformave dixhitale të mësimit mund të nënkuptojë një përvojë shumë më të pasur: një pasuri filmash të animuar, aplikacione arsimore të bazuara në shpërblime, klasa virtuale dhe mjete AI si ChatGPT për të motivuar studentët të mësojnë në mënyra interaktive.

Hulumtimet tregojnë se teknologjia dixhitale është efektive në rritjen e aftësive të shkrim-leximit dhe numërimit, shkathtësisë manuale dhe kujtesës së punës vizuale-hapësinore kur përdoret në një kontekst mësimor. Rezultatet e dobishme të kësaj ndikojnë në të gjitha fushat e të mësuarit të një fëmije, duke përfshirë gjuhën, shkrim-leximin funksional, matematikën, shkencën, njohuritë e përgjithshme, të menduarit krijues – lista vazhdon.

Kompjuterët: Ndikimi në shëndetin fizik dhe mendor

Ka edhe aspekte negative të lidhura me teknologjitë dixhitale. Disa studime tregojnë se kompjuterët mund të kenë një ndikim negativ në vëmendje dhe se fëmijët përdorin kompjuterët në mënyrë pasive në vend që të jenë një mjet aktiv mësimor që angazhon trurin. Por nuk është ende e qartë nëse këto ndikime negative janë afatshkurtra apo afatgjata.

Disa studime sugjerojnë gjithashtu se përdorimi i tepërt i kompjuterëve ndikon në shëndetin fizik dhe mendor. Por kjo mund të ketë më shumë të bëjë me qëndrimin në një vend për një kohë të gjatë, sesa me vetë kompjuterët. Kjo është arsyeja pse vrapimi jashtë ose gjuajtja e topit është jetike për zhvillimin e fëmijëve dhe performancën e tyre akademike gjithashtu.

Problemi i vërtetë në arsim është varfëria

Ka shumë faktorë në edukimin e një fëmije. Mjedisi i tyre në shtëpi është po aq i rëndësishëm sa materialet dhe pajisjet që përdorin për të mësuar. Një nga problemet më të mëdha në arsim është varfëria – aksesi i dobët në libra dhe kompjutera.

Kjo çështje u bë e dukshme gjatë pandemisë COVID-19 kur fëmijët me kushte jetese të pafavorshme kishin më pak akses në kompjuterë ose libra në shtëpi gjatë kohës kur shkollat ishin të mbyllura. Një studim me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, zbuloi se një e treta e studentëve në zonat e privuara nuk kishin akses të përshtatshëm në mjetet  mësimore në shtëpi gjatë pandemisë.

Efekti ishte një rënie në performancën e tyre akademike. Rezultatet e të nxënit te fëmijët e moshës së shkollës së mesme kanë rënë vitet e fundit, dhe kjo është më shumë se çdo gjë tjetër për shkak të faktorëve socio-ekonomikë, sipas studimeve. Është një trend i parë në mbarë botën dhe është shoqëruar me akses të dobët në mjete më të pasura arsimore.

dw

Anija hapësinore private hyn në orbitën e Hënës

Anija OdysseusAnija Odysseus pas nisjes nga Toka (16 shkurt 2024)

 

Një anije hapësinore private amerikane hyri në orbitë përreth Hënës të mërkurën, një ditë përpara se të tentojë një sipërmarrje edhe më të vështirë – uljen në sipërfaqen e Hënës.

Një ulje e suksesshme do të rikthente praninë amerikane në Hënë për herë të parë që kur astronautët e NASA-s i dhanë fund programit Apollo në vitin 1972. Nëse del me sukses, kjo kompani do të bëhej entiteti i parë privat që do të realizonte një ulje të suksesshme në Hënë.

 

I nisur javën e kaluar, mjeti hapësinor i kompanisë “Intuitive Machines” kaloi në anën e errët të Hënës, ku nuk pati asnjë kontakt me Tokën. Kontrollorëve në selinë e kompanisë në Hjuston iu desh të prisnin derisa të shfaqej mjeti për të mësuar nëse ishte futur me sukses në orbitë.

Kompania “Intuitive Machines” konfirmoi se mjeti hapësinor, i quajtur Odysseus (Odisea) po lëvizte përreth Hënës ndërsa zhvilloheshin eksperimentet e porositura nga NASA dhe klientë të tjerë. Mjeti është pjesë e një programi të NASA-s për të filluar aktivitetet e para ekonomike në Hënë. NASA ka paguar 118 milionë dollarë për këto eksperimente hënore.

 

Të enjten, kontrollorët do ta ulin lartësinë e orbitës ku lëviz mjeti nga 92 kilometra në 10 kilometra, përpara se të tentojnë një ulje pranë polit jugor të Hënës. Është një zonë e rrezikshme për ulje për shkak të kraterëve dhe kodrave të shumta, por që konsiderohet me vlerë pasi në kraterët gjithnjë në hije mendohet se mund të ketë ujë të ngrirë.

Sipërfaqja e Hënës ka plot pjesë të mbetura nga uljet e dështuara në të kaluarën. Madje disa misione nuk arritën as deri në atë fazë. Një tjetër kompani private amerikane, “Astrobotic Technology”, u përpoq të dërgojë një anije hapësinore drejt Hënës muajin e kaluar, por nuk arriti t’i afrohet për shkak të një rrjedhje të karburantit. Anija e dëmtuar u rikthye drejt atmosferës së Tokës, duke u djegur mbi Paqësor.

voa

Fillojnë furnizimet e para të rregullta me dronë

droneNë Gjermani ka filluar shërbimi i parë i rregullt i dërgesave me dronë. Linja e rregullt ka nisur në landin e Rinit Verior- Vestfalisë.

 

Në Lüdenscheid, landi i Rinit Verior- Vestfalisë ka filluar nga puna linja e parë e fluturimeve të Gjermanisë me dronë, për qëllime logjistike. Kjo u njoftua nga dy kompanitë e përfshira, Third Element Aviation dhe Koerschulte Group.

Është hera e parë në Gjermani që Zyra Federale e Aviacionit jep një licencë për këtë lloj linje të fluturimeve të planifikuara komerciale dhe plotësisht të automatizuara me dron.

Siç njoftuan kompanitë e përfshira, Zyra Federale e Aviacionit e dha autorizimin pas dy vjetësh fluturimesh testuese. Licenca për një shërbim plotësisht të automatizuar të fluturimit të planifikuar komercial për dronët shënon kështu një premierë në Gjermani.

Dronët e transportit, të zhvilluar posaçërisht për këtë qëllim, fillimisht do të dërgojnë deri në 80 pako në ditë për klientët e një kompanie të Lüdenscheidit, që furnizon pjesë për industri dhe tregti. Një dron i vetëm mund të mbajë deri në 6.5 kilogramë.

Kompania Koerschulte fillimisht furnizon sipërmarrjet në qytetin e Lüdenscheid-it në Rinin Verior- Vestfalisë. Prodhuesi i dronëve dëshiron të nisë më vonë shërbimin e furnizimit nga ajro edhe në rajone të tjera.

aud (ag)

 

TikTok-u nën lupën e BE-së: Mbrojtja e të rinjve me mangësi

Tik TokKomisioni i BE-së pas X tani po shënjestron edhe platformën TikTok të preferuar nga të rinjtë. A e shkelin kinezët ligjin e BE-së për shërbimet digjitale?

 

Që nga vera e vitit të kaluar sipërmarrja kineze TikTok dhe të tjera platforma të mëdha në internet duhet të respektojnë ligjin e BE-së për shërbimet digjitale (DSA). Qysh përpara dy muajsh Komisioni i BE-së si autoriteti përgjegjës për mbikqyrjen shprehu dyshime ndaj koncerneve të mëdha të internetit dhe se TikTok nuk i respekton këto norma mjaft rigoroze, krahasuar në nivel ndërkombëtar. Hetimet paraprake kanë nisur ndërkohë dhe TikTok-ut  u pozicionua. Por sipas mendimit të Komisionit të BE-së, shpjegimet nga ana e TikTok-ut kanë qenë të pamjaftueshme.

Për këtë arsye komisari përgjegjës për politikën Industriale, Thierry Breton, komunikoi përmes platformës X, se ka nisur zyrtarisht një procedurë kundër TikTok-ut. Nëse autoriteti i BE-së konstaton shkelje, kërcënojnë gjoba të majme. Gjoba mund të arrijë deri në pesë përqind të xhiros ditore të TikTok-ut. Por se sa është aktualisht xhiroja e TikTok-ut nuk dihet, sepse kjo platformë nuk i bën publike shifrat e biznesit të vet.

Por nuk është vetëm TikTok nën lupën e Komisionit të BE-së, ndërkohë që nga dhjetori vazhdon një proces kundër platformës X lidhur me dyshimet për përhapje të informacioneve të rreme dhe përmbajtjeve me bazë urrejtjeje. Po ashtu po zhvillohen hetime paraprake edhe ndaj të tjera platformave në rrjet. Procesi kundër TikTok-ut mund të zgjasë me muaj. Platforma e videove, që sipas të dhënave numëron rreth 142 milionë përdorues në muaj në Europë, mund t’u kundërvihet me proces gjyqësor vendimeve të verifikuesve të BE-së. Në mbarë botën mbi një miliardë njerëz përdorin çdo muaj TikTok-un.

 

Mangësi në mbrojtjen e të rinjve?

Komisari i BE-së, Thierry Breton, akuzon TikTok-un, se nuk respekton mjaftueshëm mbrojtjen e të rinjve. Të rinjtë nën 16 vjeç do të duhet që të mund ta përdorin vetëm me kufizime TikTok-un. Të rinjtë dhe fëmijet nën 13 vjeç duhet të lejohen të përdorin vetëm një version të kufizuar. Verifikimi i moshës është i pamjaftueshëm, sepse TikTok kur hap llogari në të, pyetjen për moshën e bazon tek vetëdeklarimi, pa kërkuar verifikimet përkatëse. Por nuk është vetëm ky një problem specifik i TiTok-ut edhe të tjera medie të koncernit Meta, X apo faqet e pornografisë veprojnë ngjashëm. TikTok-u e pranon në faqen e vet, se kjo është në varësinë e sinqeritetit të përdoruesve.

Tek klientët nën 16 vjeç shërbimi e kufizon kohëzgjatjen e përdorimit ditor në një orë. Por ky kufizim mund të shfuqizohet me vetëm fare pak klikime. Ligji i BE-së për shërbimet digjitale (DAS) ndalon reklamën e personalizuar për njerëzit nën 16 vjeç. Edhe kjo është e vështirë të respektohet kur mungon verifikimi i moshës, mendojnë verifikuesit e Komisionit të BE-së.

 

A kthehet në varësi TikTok-u?

Komisioni i BE-së gjithashtu shpreh shqetësim, se algoritmi i TikTok-ut u imponon përdoruesve një fluks të pafund videosh, duke ndjekur të gjitha preferencat personale të tyre. Kjo “joshje” në aplikacion mund të kthehet në një varësi të pakontrollueshme tek përduruesit e TikTok-ut. TikTok e hedh poshtë këtë, duke thënë, se algoritmi është konform normave të DSA dhe mund të deaktivizohet. Por opcioni i deaktivizimit në menynë e aplikacionit është i fshehur dhe mund të arrihet pas shumë klikimeve. Ky rregullator dhe opcionet që zbulohen me vështirësi janë një problem jo vetëm i TikTok-ut. Studiuesit e medias, që prej vitesh konstatojnë, se TikTok-u, që përdoret intensivisht nga të rinj nën 25 vjeç, ka një potencial të madh për t’u kthyer në ves tek përdoruesit. “Ka mjaft aspekte që japin shkas të besosh, se një dizajnim enkas i TikTok dhe të tjera platformave mund të nxisin varësinë ndaj aplikacionit”, tha në televizionin ZDF eksperti i internetit Julian Jarusch nga fondacioni “Përgjegjësia e re”. “Mbledhja e dëshmive, për të provuar që kjo është ose jo e vërtetë, nuk është detyrë e lehtë për Komisionin e BE-së.”

 

TikTok gëzohet për qartësim

Një zëdhënës i TikTok-ut shpjegoi, se firma, që i përket koncernit kinez Bytedance, do të angazhohet edhe më tej për përmirësimin e mbrojtjes së të rinjve. “Ne do të punojmë edhe më tej me ekspertë dhe me industrinë, për ta konceptuar më të sigurtë TikTok-un. Ne gëzohemi që na jepet rasti tani, të mund t’ia shpjegojmë këtë në detaje Komisionit të BE-së.” Komisioni i BE-së do që krahas mbrojtjes së të rinjve të marrë një listë të të gjithë klientëve të reklamave. Gjithashtu duhet garantuar për studiuesit aksesi tek të dhënat e TikTok-ut, ashtu sikurse është përcaktuar në ligjin për shërbimet digjitale.

Drejtori ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, ishte në janar në Bruksel tek komisionerët e BE-së, për t’u shmangur atyre rezervat ndaj platformës së videove të shkurtra. CEO i TikTok-ut që vjen nga Singapori iu përgjigj pyetjeve të detajuara gjatë një intervistimi në senatin e SHBA-së. Deputetët shprehën kryesisht shqetësimin, që TikTok të dhënat e përdoruesve ia pason koncernit amë ose që platforma mund të konsiderohet si një software spiunazhi. Në valën e intervistimeve të ngjashme në vitin 2023 shefi i TikTok-ut pranoi, se ai nuk do t’ua lejonte fëmijëve të tij (atëherë gjashtë dhe tetë vjeç) përdorimin e kësaj platforme. Në Singapor, ku jetojnë fëmijët e tij, nuk ka kufizim moshe për qasjen në platformën që po rritet vrullshëm.

Në Gjermani TikTok-u javët e fundit tërhoqi fort vëmendjen, sepse partia nacionaliste e djathtë “AfD” në platformë është shumë më e sukseshme se konkurrentët e saj.

dw

Hulumtimi: ChatGPT shpërndan më shumë dezinformim në gjuhën kineze

chat gptSipas një testimi të aftësive të ChatGPT për të krijuar informacion të rremë, platforma e inteligjencës artificiale shpërndan më shume dezinformin në gjuhën kineze. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Robin Guess sjell më shumë detaje mbi hulumtimin e bërë nga kompania që mbikqyr mediat, NewsGuard.

 

Sheshi Tiananmen në Pekin, 4 qershor 1989. Pamjet regjistrojnë trupa dhe tanke që janë vendosur në terren kundër studentëve që protestojnë.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë thonë se aty u vranë qindra, ndoshta edhe mijëra njerëz.

Por kur hulumtuesit pyetën plaftormën e inteligjencës artificiale ChatGPT lidhur me këtë ditë, përgjigja që jepet është narrativa e rremë se nuk pati asnjë të vdekur.

Kompania që mbikqyr mediat, NewsGuard, zbuloi këtë përgjigje gjatë një kontrolli mbi variantin e fundit të ChatGPT.

“Ka një sërë linjash dezinformuese që prodhohen nga Kina. Dhe ne donim të shihnim nëse ChatGPT ishte aq keq sa është në anglisht. Dhe rezultoi se ishte më keq”, shprehet Jack Brewster, redaktor në kompaninë NewsGuard.

Kur kompania NewsGuard nxiti ChatGPT të krijoje artikuj bazuar në narrativën e rreme që nxitet nga Pekini, platforma krijoi vetëm një artikull të rremë në gjuhën angleze, por shtatë në gjuhën kineze.

Mes elementëve të rremë që përmendeshin ishin se Shtetet e Bashkuara nxitën protestat pro demokracisë në vitin 2019 në Hong Kong apo se Pekini nuk ndalon apo burgos ujgurët në shkallë të gjerë.

Ndërsa gjuha kineze është e dyta më e folur në rang botëror, mundësitë për të përhapur këtë narrative të rremë janë shumë të larta, thonë ekspertët.

“Problemi i inteligjencës artificiale ëshët se shpesh kushton pak ose ndonjëherë është falas dhe është një mjet që mund të përdoret për të prodhuar këto narrativa të rreme në një shkallë të paimagjueshme dhe me një shpejtësi të jashtëzakonshme”, shprehet Eric Effron, drejtor editorial në kompaninë NewsGuard.

Një zëdhënës i kompanisë OpenAI që prodhoi programin e inteligjencës artificiale ChatGPT, pranoi kërkesën për koment nga Zëri i Amerikës dhe tha se do ta shqyrtonte atë. Platforma ChatGPT jep një njoftim paralajmërues, ku shkruhet se “me raste mund të shpikë fakte”.

“E para ata nuk mund të shpjegojnë se përse prodhohen këto përgjigje dhe po ashtu ata nuk kanë një përgjigje se si të zbulojnë këto narrativa. Kjo krijon terrenin e duhur për dezinformim”, shprehet zoti Brewster.

Kur Zëri i Amerikës pyeti ChatGPT mbi përgjigjet e rreme, tha se përgjigjet bazohen tek të dhënat që merr.

Një arsye, thotë Violet Peng, nga Universiteti i Kalifornisë, është burimi i të dhënave që merr sistemi kompjuterik.

“Ka të dhëna në anglisht dhe ka të dhëna në gjuhën kineze të thjeshtuar dhe në gjuhën kineze tradicionale, këto të dhëna nuk janë domosdoshmërisht të njehsuara”, shprehet Violet Peng, pedagoge e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Kalifornisë.

Kompania NewsGuard ritestoi ChatGPT në janar të vitit 2024 dhe zbuloi se prodhonte të njëjtën narrativë të rreme. Raporti i tyre paralajmëron mbi rrezikun e mundshëm që ChatGPT të “jetë një shpërndarës tejet i shpejtë i dezinformimit”.

voa

Deshifrohet papirusi i Erkolanos i djegur 2000 vjet më parë

Papirus 2000 vjetShkencëtarët kanë përdorur inteligjencën artificiale për të deshifruar tekstin në një rolo papirus të djegur 2000 vjet më parë. Tani inteligjenca artificiale (AI) kthehet pas në kohë duke parë drejt së ardhmes.

 

Më shumë se një mijë pergamenë u varrosën dhe u mbuluan nga mbetjet vullkanike kur mali i Vezuvit shpërtheu rreth 2000 vjet më parë. Ato ishin në një bibliotekë në një vilë romake në qytetin antik të Erkolanos dhe u zbuluan në vitet 1800 nga një fermer vendas.

Shumë njerëz qysh atëherë janë përpjekur të lexojnë tekstet në papiruset e lashtë, por shumica e përpjekjeve dështonte, pasi dokumentet ishin të shkatërruara. Për shekuj me radhë ishin lënë të mbështjellë nën tokë, të karbonizuar dhe të brishtë.

Fituesit – Youssef Nader, Luke Farritor dhe Julian Schilliger – e mposhtën këtë sfidë duke arritur të lexojnë katër paragafë pa i hapur asnjëherë rolotë e papirusit.

 

Fitimi i sfidës së Vezuvit 

Ata përdorën “machine learning”, një formë të inteligjencës artificiale, për të lexuar tekstin e lashtë grek. Nadery, Farritor dhe Schillinger kontribuan në mënyrë të pavarur në komunitetin e pergamenëve të Vezuvit dhe tani ndajnë çmimin e madh prej 650,000€.

Qëllimi ishte deshifrimi i katër paragrafëve të tekstit, secili prej të paktën 140 karakteresh, me të paktën 85% të karaktereve “të rikuperueshme”, ose të lexueshme.

Puna e tyre ka zbuluar ato që besohet të jenë tekste të panjohura nga Philodemus, i ashtuquajturi filozofi në rezidencë të vilës.

Në tekst, Filodemi shkruan për të jetuar një jetë të mirë përmes kënaqësive të bukurisë, muzikës dhe ushqimit. Studiuesit thonë, se kjo dhe zbulimet e ardhshme në tekste do t’u japin atyre një “dritare unike në botën klasike”.

 

Si shkencëtarët përdorën AI për të lexuar një pergamen të Herkulaneumit 

Rolotë janë “çmbështjellë” në mënyrë dixhitale duke përdorur tomografinë e kompjuterizuar (CT), ose fotot me rreze X, dhe teknologjinë ‘machine learning’.

Së pari, në fund të vitit 2023, organizatorët e çmimit fotografuan pergamenat në përshpejtuesin e grimcave të Burimit të Dritës Diamond pranë Oksfordit në Britaninë e Madhe. Kjo prodhoi skanime CT të pergamenave me rezolucion të lartë.

Skanimet më pas u shndërruan në një vëllim vokselesh 3D. Vokselet janë pikselë 3D, të ngjashëm me blloqet e ndërtimit të përdorura në lojën video Minecraft.

Hapi i dytë njihet si segmentimi. Ata gjurmuan shtresat e thërrmuara të papirusit të mbështjellë në skanimin 3D. Kjo i lejoi ata të zbërthenin, ose të rrafshonin imazhet.

Dhe hapi i tretë ishte zbulimi i bojës në papirus. Ata përdorën mësimin e makinës për të identifikuar zonat e bojës në segmentet e rrafshuara të papirusit.

Por këtu vjen pjesa më inteligjente. Modeli i ‘machine learning’ nuk ishte trajnuar për të dalluar shkronjat e lashta greke, njohjen optike të karaktereve (OCR) ose ndonjë model tjetër gjuhe. Në vend të kësaj, ai thjesht zbuloi njolla boje në skanimin CT dhe më pas kombinoi dhe rindërtoi çdo pozicion individual – dhe aty ku shfaqeshin shkronjat, aty kishte shkrim.

 

Dekada pune sjellin fryte 

Një nga organizatorët e çmimit, Brent Seales i Universitetit të Kentakit, kishte punuar për deshifrimin e pergamenëve të Erkolanos për dekada. Seales ishte i pari që përdori skanimet CT, por zbuloi se ishte e vështirë të zbulohej boja, sepse kishte një dendësi të ngjashme me papirusin, në të cilin ishte shkruar.

Por zhvillimet fituan shpejtësi kur Seales, sipërmarrësi i Silicon Valley, Nat Friedman dhe inxhinieri Daniel Gross nisën konkursin në mars 2023.

Një zbulim erdhi brenda pak muajsh. Një ish-fizikant, Casey Handmer, vuri re një teksturë të plasaritur në tekst dhe e quajti atë kërcitje.

Bashkë-fituesi Farritor, një student në universitet dhe pjesë e një intership-i SpaceX, përdori vëzhgimin e Handmer për të trajnuar një model të ‘machine learning’ dhe deshifroi fjalën e parë të tërë greke të lashtë: ΠΟΡΦΥΡΑϹ, që do të thotë vjollcë.

Në tetor, Nader, një doktorant egjiptian në Berlin, ishte në gjendje të lexonte disa kolona teksti.

Schillinger, një student zviceran i robotikës, i cili më parë kishte fituar tre çmime për segmentimin, mundësoi hartën 3D të pergamenave të papirusit.

Por ende ka shumë për të zbuluar në vitin 2024. Sfida tjetër e Vezuvit është të lexohet një vepër e tërë ose pergamen deri në fund të vitit.

dw