Kategoritë: Shkenca

Teleskopi “James Webb” dërgon imazhe të jashtëzakonshme dy vjet pas arritjes në hapësirë

James WebbMë 24 janar u mbushën dy vjet nga arritja e teleskopit hapësinor “James Webb” në destinacionin e parashikuar, 1.6 milionë milje larg tokës. Që nga ajo kohë, teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm në botë i ka dërguar tokës disa imazhe mahnitëse të hapësirës, të cilat po analizohen nga shkencëtarë dhe studiues të hapësirës.

 

Teleskopi Hapësinor i NASA-s, “James Webb”, observatori astronomik më i madh dhe më i fuqishëm i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, ka bërë fotografi të bukurisë hapësinore gjatë dy viteve të fundit.

Teleskopi u lëshua në hapësirë nga Guiana Franceze në bregun verilindor të Amerikës së Jugut mëngjesin e Krishtlindjeve më 25 dhjetor 2021.

Observatori, prodhimi i të cilit kushtoi 10 miliardë dollarësh u dërgua në një destinacion prej 1.6 milionë kilometrash, ose mbi katër herë më larg se distanca mes tokës dhe hënës.

Më 8 janar të vitit 2022, teleskopi “James Webb” hapi pasqyrën e tij të madhe.

Pjesa e fundit e pasqyrës me diametër 6.5 metra u hap me komandën e kontrollorëve të fluturimit në tokë, duke përfunduar shpalosjen e teleskopit hapësinor “James Webb”.

“Unë jam i emocionuar për këtë. Ky është një moment historik i mahnitshëm. Ne e shohim këtë model të bukur atje në qiell tani”, tha Thomas Zurbuchen, shef i misioneve shkencore të NASA-s.

“James Webb” është më i fuqishëm se teleskopi hapësinor “Hubble” dhe do të skanojë hapësirën në kërkim të lëvizjes së dritës nga yjet dhe galaktikat e para të formuara 13.7 miliardë vjet më parë.

Për ta arritur këtë, NASA e pajisi teleskopin “James Webb” me pasqyrën më të madhe dhe më të sofistikuar të lëshuar ndonjëherë në hapësirë, që shkencëtarët e quajnë “syri i artë”.

“James Webb” është aq i madh sa duhej të palosej në stilin japonez origami për t’u futur në raketën, që u lëshua nga Amerika e Jugut.

Operacioni më i rrezikshëm ndodhi në javën e parë në hapësirë, kur mburoja e diellit në madhësinë e një fushe tenisi u shpalos, duke siguruar hije për pasqyrën dhe detektorët e dritës infra të kuqe.

Kjo pasqyrë është bërë nga beriliumi, një metal i lehtë por i fortë dhe rezistent ndaj të ftohtit.

Secili nga 18 segmentet e pasqyrës është i veshur me një shtresë ultra të hollë ari, shumë reflektuese e dritës infra të kuqe.

Teleskopi hapësinor më i madh dhe më i fuqishëm në botë mbërriti në pikën e tij të vëzhgimit 1.6 milionë kilometra nga Toka më 24 janar 2022.

Që nga ajo kohë, teleskopi “James Webb” ka dërguar në tokë disa imazhe mahnitëse të hapësirës, të cilat po analizohen nga shkencëtarë dhe studiues të hapësirës.

voa

SHBA, projekt për heqjen e dioksidit të karbonit nga oqeanet

CO2 oqeaneEquipment on a barge for UCLAs SeaChange climate change carbon removal project at the Port of Los Angeles in San Pedro, California on April 12, 2023.

 

Kapja dhe heqja e karbonit nga atmosfera është një mënyrë përmes të cilës shkencëtarët po luftojnë ndryshimin e klimës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Delot një kompani e re në Los Anxhelos po zhvillon mënyra për të nxjerrë dioksidin e karbonit nga oqeani.

Përmes një projekti pilot në Portin e Los Anxhelosit, firma amerikane “Captura” mund të nxjerrë nga oqeani deri në 100 tonë dioksid karboni në vit.

“Oqeanet janë të mëdha. Ato mbulojnë 70% të sipërfaqes së planetit. Nëse mund të demonstrojmë aftësinë e përdorimit të oqeanit për të hequr dioksidin e karbonit nga atmosfera, potenciali për pakësimin e dioksidit të karbonit në atmosferë është shumë i madh”, thotë Steve Oldham nga kompania “Captura”.

Oqeanet tashmë po thithin rreth një të tretën e dioksidit të karbonit në atmosferë, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë “Captura”, Harry Atwater, gjithashtu një studiues i Institutit të Teknologjisë në Kaliforni.

“Nëse ne mund ta zhbëjmë këtë acidifikim të oqeanit duke hequr dioksidin e karbonit nga uji i oqeanit, uji në sipërfaqen e oqeanit mund të veprojë në mënyrë efektive si një thithës i mëtejshëm i dioksidit të karbonit”, thotë ai.

Sistemi i kompanisë “Captura” përdor vetëm energji elektrike dhe ujë të kripur.

Duke u bazuar në rezultatet në Los Anxhelos, kompania po përgatitet të ndërtojë një objekt në Norvegji, që mund të kap 1000 tonë dioksid karboni në vit. Eksperti Atwater dhe drejtuesi i kompanisë “Captura” Oldham thonë se për ngadalësimin e ndryshimit të klimës duhen hequr miliarda tonë dioksid karboni nga oqeanet.

“Përmes përdorimit të lëndëve djegëse fosile sot ne çlirojmë rreth 40 gigatonë dioksid karboni në atmosferë në vit. Kjo po shkakton akumulimin dhe rritjen e nivelit të çlirimint të dioksidit të karbonit në atmosferë. Pra, ne në thelb duhet ta ulim me një shkallë më të madhe këtë sasi të dioksidit të karbonit në atmosferë. Ky është misioni i kompanisë “Captura””, thotë eksperti Atwater.

Drejtuesit e kompanisë “Captura” thonë se sfida më e madhe për kompanitë që heqin dioksidin e karbonit është shpejtimi i këtij procesi për të kapur ritmin e ndryshimit të klimës.

voa

Diagnostikimi me inteligjencën artificiale i sëmundjeve të zemrës dhe kancerit

diagnostifikimi IAStudiuesit në universitetet e shtetit amerikan të Merilendit po përdorin inteligjencën artificiale për të diagnostikuar dhe trajtuar më mirë sëmundjet e rënda. Ekspertët mjekësor në Universitetin Johns Hopkins po përpiqen të përmirësojnë diagnostikimin për sëmundjet e zemrës dhe kancerin.

 

Studiuesit e inxhinierisë biomjekësore në Universitetin Johns Hopkins po punojnë për të transformuar kujdesin shëndetësor për pacientët me sëmundje të zemrës.

Ata tani mund të krijojnë një kopje dixhitale të zemrës së një pacienti dhe me ndihmën e inteligjencës artificiale mund të bëjnë parashikime më të sakta mbi rreziqet me të cilat përballen pacientët.

“Ne bëjmë imazhe me rezonancë magnetike të zemrës dhe më pas mund të kombinojmë të gjitha të dhënat klinike që njihen për pacientin. Kjo kombinohet me analizën e mbijetesës dhe ne mund të parashikojmë për një periudhë mbi 10 vjeçare nivelin e rrezikut të një pacienti nga një vdekje e papritur kardiake.”

Ndryshe nga imazhet e segmentuara që përdoren më shpesh sot, profesorja Natalia Trayanova thotë se imazhet e plota të zemrës,

ofrojnë parashikime më të sakta për pacientët që mund të kenë nevojë për defibrilatorë.

“Ne kemi algoritme që ofrojnë analiza më të hollësishme dhe një pasqyrë më të mire të gjendjes shëndetësore të pacientit”, thotë profesorja Trayanova.

Në Qendrën Gjithëpërfshirëse të Kancerit “Sidney Kimmel” të Universitetit Johns Hopkins, Dr. Victor Velculescu po udhëheq studimet për zhvillimin e metodave të reja për zbulimin e kancerit të mushkërive në fazën e hershme dhe kancereve të tjera.

Ai dhe ekipi i tij vunë re se qelizat e kancerit rriten dhe riprodhohen në mënyrë më kaotike sesa qelizat normale. Pra, kur ato qeliza vdesin, ato lënë pas shenja të fragmentve të ADN-së që qarkullojnë në gjak, të cilat mbartin të dhëna nëse një person mund të ketë kancer.

Ekipi i tij krijoi një program të quajtur DELFI, për të analizuar fragmentet e këtyre qelizave.

“Ne analizojmë gjakun, identifikojmë molekulat e ADN-së, të quajtura AND-ja pa qeliza dhe studiojmë modelet e kësaj ADN-je pa qeliza si një mënyrë për të identifikuar ata individë që kanë kancer kundrejt atyre pa kancer.”

Dr. Velculescu thotë se përmirësimi i procesit të analizave të gjakut mund të çojë në kontrolle më të sakta të kancerit në mbarë botën.

voa

Kompania Apple, opsion të ri që mbron pajisjet inteligjente

AppleKompania Apple përditësoi këtë javë programet e saj për telefonat inteligjentë me një opsion të ri quajtur “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”, që e bën shumë më të vështirë për hajdutët e telefonave qasjen në funksionet kryesore të tij. Kompania i bëri thirrje përdoruesve ta aktivizojnë menjëherë atë.
A DUHET TË AKTIVIZOJË FUNKSIONIN E RI PËR MBROJTJEN E PAJISJES SË VJEDHUR?

Programi për telefonat inteligjentë dhe iPad-et, u përditësua me një opsion të ri të krijuar për të penguar hajdutët që të fshijnë të dhënat e telefonave, me qëllimin për t’i rishitur. Po kështu opsioni pengon qasjen tek Apple ID-ja, llogaria e përdoruesit, e cila përdoret për të hyrë në të gjitha shërbimet që ofron Apple-i, si dhe për t’i bërë të gjitha pajisjet të punojnë të ndërlidhura e pa probleme. “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” është një opsion i ri që përfshihet me versionin më të fundit të sistemit operativ iOS, 17.3.

Kompania Apple thotë se funksioni i ri është një shtresë, shtesë sigurie për përdoruesit e telefonave inteligjentë (IPhone). Kjo i jep zgjidhje një dobësie që hajdutët kanë arritur ta zbërthejnë e ta shfrytëzojnë për të bllokuar viktimat që të hyjnë në llogaritë e tyre në Apple, të fshijnë fotot apo gjithcka tjetër nga llogaritë e tyre në iCloud si dhe t’u zbrazin llogaritë e tyre bankare, duke gjetur fjalëkalimet e ruajtura në menaxherin e fjalëkalimeve të programit “Keychain”.

Apple nxori këtë funksion të ri për shkak të një rritjeje të numrit të vjedhjes së telefonave. Shumë raste të tilla janë publikuar në platformën “Reddit” dhe në artikuj të tjerë të botuar nga Los Anxhelosi deri në Londër, ku policia thotë se taktikat më të zakonshme të hajdutëve janë vjedhja telefonave nga xhepat, tavolinat e restoranteve deri tek rrëmbimi nga dora, hipur mbi motoçikleta.

Gazeta ‘Wall Street Journal’ botoi një artikull vitin e kaluar ku tregonte se si i vëzhgonin hajdutët viktimat e tyre teksa përdornin fjalëkalimet, para se t’u vidhnin telefonat.

SI FUNKSIONON OPSIONI “MBROJTJA E PAJISJES SË VJEDHUR”?

Opsioni i ri “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” ruan gjurmët e “vendndodhjeve të ditura” të përdoruesit, si shtëpia ose vendi i punës, dhe shton shtresa sigurie shtesë me teknologji biometrike, që duhen kapërcyer nëse dikush përpiqet të përdorë pajisjen për të kryer funksione të caktuara, jashtë atyre zonave.

Opsioni i ri gjithashtu zvogëlon rëndësinë e fjalëkalimeve, të cilat hajdutët mund t’i vjedhin duke para nga dikë ose duke kërcënuar dhe detyruar viktimat t’i dorëzojnë ato. Ai favorizon funksionet “biometrike” për hapjen e pajisjes, si skanimi i fytyrës apo gishtërinjve, që janë shumë më të vështira për t’u kopjuar.

Kështu që, nëse një IPhone vidhet pas aktivizimit të “Mbrojtjes së Pajisjes së Vjedhur”, për fshirjen e të dhënave të telefonit, hajdutit do t’i kërkohej skanimi i fytyrës ose shenjat e gishtërinjve.

Kjo është mënyra e vetme për të hapur telefonin, funksioni i ri nuk lejon që dikush të përdorë fjalëkalimin apo ndonjë metodë tjetër të hapjes së telefonit.

Veprime të tjera që do ta aktivizonin këtë veçori nëse telefoni nuk është në një vend të njohur përfshijnë përdorimin e fjalëkalimeve të ruajtura në “Keychain” dhe metodat e pagesave të ruajtura në “Safari”, çaktivizimin e funksionit mbi humbjen e telefonit, aplikimin për një kartë të re Apple dhe përdorimin e telefonit iPhone për të konfiguruar një pajisje të re.

Ekziston gjithashtu një shtresë e dytë për të ngadalësuar hajdutët që përpiqen të hyjnë në infrastrukturën kritike të sigurisë së telefonit. Nëse dikush përpiqet, për shembull, të dalë nga një llogari në Apple, të ndryshojë fjalëkalimin ndërsa është në një vend të panjohur, ai ose ajo do të duhet të verifikojë identitetin përmes skanimit të fytyrës ose shenjave të gishtërinjve, të presë një orë dhe më pas të bëjë një skanim të dytë të fytyrës apo gishtërinjve. E njëjta gjë ndodh nëse ka përpjekje për ndryshim të fjalëkalimit të llogarisë në Apple, përditësim të veçorive të sigurisë, çaktivizim të funksionit “Gjej Pajisjen Time” dhe atij “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”.

“Vonesat për arsye sigurie është krijuar për të parandaluar një hajdut të kryejë operacione kritike, në mënyrë që pronari i pajisjes të ketë kohë të marrë masa për të mbrojtur llogarinë e tij në Apple”, tha kompania. “Kur telefoni juaj iPhone është në një vend të njohur, këto hapa shtesë nuk do të kërkohen dhe ju mund të përdorni fjalëkalimin e pajisjes si zakonisht.”

SI AKTIVIZOHET FUNKSIONI “MBROJTJA E PAJISJES TË VJEDHUR”?

Është e thjeshtë, nëse dini ku të shikoni.

Së pari, shkarkoni dhe përditësoni me versionin më të fundit sistemin operativ iOS për telefonat iPhone ose tabletat iPad. Më pas shkoni tek sistemet e telefonit, hapni vegëzën me mbishkrimin “Face ID & Passcode” apo “Touch ID & Passcode” dhe futni fjalëkalimin tuaj. Lëvizni më poshtë dhe do të shihni opsionin “Stolen Device Protection” (“Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”).

Në varësi të modelit të telefonit iPhone, do të duhet të prekni ose zvarrisni butonin për ta aktivizuar ose çaktivizuar këtë funksion. Para se të kryeni këtë operacion, ju duhet të aktivizoni verifikimin e identiteti me dy faktorë dhe funksionin “Find My Device” (Gjeni Pajisjen Time) në llogarinë tuaj në Apple. Funksioni i ri vlen për modelet më të fundit të telefonave, përfshirë modelet IPhone XS dhe ato IPhone SE të gjeneratës së dytë dhe të tretë.

voa

 

Hologramet e realitetit virtual mund të transformojnë mësimdhënien dhe artet

HologramStudiuesit në Universitetin e Merilendit po përdorin një kamera holografike për të regjistruar lëvizjet e njerëzve në tre dimensione. Kjo teknologji ka kapacitetin të transformojë mënyrën se si ne mësojmë dhe argëtohemi.

 

Duket sikur pjesën që po luan violinistja Irina Muresanu nuk po e ndjek ndonjë audiencë.

Por, në studion e posaçme HoloCamera të Universitetit të Merilendit, qindra kamera tre dimensionale po regjistrojnë imazhin e saj dhe lëvizjet për të krijuar një hologram që duket si i vërtetë.

Shëmbëlltyra e saj holografike mund të vendoset virtualisht në çfarëdo mjedisi dhe kushdo që ka një pajisje të realitetit virtual mund të mendojë se po e ndjek atë drejtpërsëdrejti.

Në prototip, zonja Muresanu, e cila është edhe profesore për violinën në këtë universitet, duket sikur po luan nga një sallë e famshme koncertesh në Rumani.

“Dëshira ime ishte që unë, ose më mirë holograma ime, të vendosej në skenën e Athenaeumit Rumun. Kështu që punësuam një ekip për të filmuar në Athenaeum në mënyrë që kur dikush ta shohë këtë pjesë rumune, do të më shohë mua në skenën e Athenaeumit”, thotë zonja Muresanu.

Amitabh Varshney është dekan i Kolegjit për Shkencat Kompjuterike, Matematikore dhe Natyrore në këtë universitet.

“Ne besojmë se eksperiencat e realitetit virtual dhe të amplifikuar, që janë të një natyre shumë përfshirëse, na ndihmojmë të rikrijojmë botën në një mënyrë shumë më të saktë se ç’do të mundeshim me një kompjuter tavoline, me një tastierë dhe një mouse”, thotë zoti Varshney.

Përdorimi i imazheve holografike u mundëson shikuesve të “shëtisin” virtualisht përreth skenës dhe mund të gjejë zbatim të gjerë përtej muzikës dhe arsimit.

Ekipi i projektit HoloCamera po krijon një prototip për artet skenike që shpreson se mund të zgjerohet drejt përgatitjes virtuale të profesionistëve të shëndetësisë për procedura të ndërlikuara mjekësore, përfshirë kirurgjitë.

voa

Raporti: Keqinformimi dhe dezinformimi, rreziqet më të mëdha afatshkurtra globale

chatGPTInformacioni i rremë dhe keqinformimi janë në krye të listës së rreziqeve globale për dy vitet e ardhshme. Raporti për Rreziqet Globale u bë publik në Londër të mërkurën në prag të takimit të përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku udhëheqësit e poltikës, biznesit dhe teknologjisë diskutojnë për sfidat madhore globale.

 

Saadia Zahidi, drejtoreshë menaxhuese e Forumit, thotë se perspektiva për të ardhmen duket pesimiste dhe radhit sfidat kryesore globale.

“Në harkun kohor dyvjeçar keqinformimi dhe dezinformimi përbëjnë rrezikun numër një, pasuar nga moti ekstrem, polarizimi shoqëror dhe konfliktet e armatosura”, thotë ajo.

Sipas raportit, një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë tek rrezikshmëria e lartë që paraqesin informacionet e rreme dhe keqinformimi, është Inteligjenca Artificiale.

Carolina Klint, shefja për Marrëdhëniet Tregtare për Evropën e kompanisë Marsh McLennan, që analizon rreziqet globale, thotë se kompanitë janë të shqetësuara nga bumi i shërbimeve të Inteligjencës Artificiale si ChatGPT, për shkak të lehtësisë së përdorimit të tyre. Duke patur parasysh këtë…

“Nuk është për t’u habitur që keqinformimi dhe dezinformimi renditen si rreziku kryesor afatshkurtër. Ndikimi i mundshëm tek zgjedhjet në mbarë botën në dy vitet e ardhshme është domethënës dhe kjo mund të çojë në dyshime për legjitimitetin e qeverive të zgjedhura. Dhe kjo, nga ana tjetër, mund të kërcënojë, proceset demokratike, duke shkaktuar më shumë polarizim social, trazira apo edhe dhunë”, thotë ajo.

Por zonja Klint përmend edhe aspektet pozitive të Inteligjencës Artificiale.

“AI mund të përdoret për një kundërpërgjigje më efektive ndaj sulmeve kibernetike. Mund të përpunojë sasi të mëdha të dhënash, duke diktuar prirje që njerëzve mund t’u shpëtojnë si edhe mund të automatizojë shumë procese sigurie”, tha ajo.

Megjithëse si rrezik afatshkurtër, moti ekstrem radhitet i dyti në raport, në parashikimet afatgjata për dhjetë vitet e ardhshme, ai cilësohet si kërcënimi numër 1, i pasuar nga katër rreziqe të tjera të lidhura me mjedisin: ndryshimi kritik në sistemet klimatike të Tokës; humbja e biodiversitetit dhe dobësimi i ekosistemit; si edhe mungesa e burimeve natyrore.

Një tjetër shqetësim janë pasojat e rreziqeve tek zinxhiri global i furnizimit, shton zonja Klint. Ajo përmend si shembuj sulmet e fundit në Kanalin e Suezit që lidh Detin e Kuq, ku militantët Houthi kanë vënë në shënjestër anijet ndërkombëtare si përgjigje ndaj luftës në Gazë, me Detin Mesdhe, si edhe mungesën e reshjeve në Kanalin e Panamasë.

 

voa

Anija e parë amerikane e hapësirës në 50 vjet niset drejt Hënës, por has në sfida

Anija HeneRaketa e re “Vulcan” niset drejt hapësirës nga Florida, më 8 janar, 2024. Ajo po bart anijen e hapësirës “Peregrine” të kompanisë private amerikane “Astrobotics” drejt Hënës, duke nisur kështu garën mes kompanive private amerikane për të dërguar objekte në Hënë/AFP

 

Anija amerikane e hapësirës “Peregrine” u nis drejt hapësirës të hënën, për herë të parë 50 vjet pas uljes së njeriut në Hënë, duke nisur kështu një garë mes kompanive private për të dërguar objekte në Hënë.

Por rreth shtatë orë pas ngritjes, kompania “Astrobotics” njoftoi se paneli diellor i anijes nuk po pozicionohej si duhet për të përdorur energjinë diellore. Zyrtarët e kompanisë thanë se janë duke hetuar problemin.

Anija hapësinore e kompanisë nga Pitsburgu u nis për në Hënë përmes raketës së re “Vulcan”. Raketa u lëshua nga Florida para agimit, ndërkohë që anija, ishte planifikuar të ulej në Hënë më 23 shkurt, përmes një trajektoreje të tërthortë.

Kompania “Astrobotics” synon të bëhet biznesi i parë privat që ulet me sukses në Hënën, një arritje që deri tani është realizuar vetëm nga katër shtete.

Një kompani tjetër nga Hjustoni, ndërkohë ka përgatitur për fluturim një anije tjetër hapësinore dhe mund të ulet në Hënë përpara anijes “Peregrine”, duke përshkruar një trajektore më të drejtpërdrejtë.

Administrata Kombëtare Amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës, NASA, u ka dhënë këtyre dy kompanive miliona dollarë për të ndërtuar anijet e tyre hapësinore dhe për t’i dërguar në Hënë. Agjencia e hapësirës dëshiron që anijet kozmike të kompanive private të hulumtojnë paraprakisht vendin e uljes në Hënë, para dërgimit në të të astronautëve dhe që të realizojnë eksperimente teknologjike dhe shkencore për NASA-n, shtete tjera dhe universitete, si dhe duke u angazhuar me porosi të ndryshme për klientë të tjerë. Kontrata e kompanisë “Astrobotics” për anijen kozmike “Peregrine” ishte 108 milionë dollarë.

Hera e fundit kur Shtetet e Bashkuara nisën një mision në Hënë ishte në dhjetor të vitit 1972. Astronautët Gene Cernan dhe Harrison Schmitt me misionin “Apollo 17” u bënë personat e 11 dhe 12 që ecën në Hënë, duke përmbyllur një epokë që vazhdon të shihet si maja e arritjeve të NASA-s.

Programi i ri i agjencisë së hapësirës, i quajtur “Artemis”, sipas motrës binjake të Apollos në mitologjinë greke – planifikon të kthejë në sipërfaqen e Hënës astronautët gjatë disa viteve të ardhshme. Fillimisht është planifikuar një fluturim përreth Hënës me katër astronautë që mund të ndodhë para përfundimit të vitit.

Shtetet e Bashkuara janë deri më tani, vendi i vetëm që kanë dërguar njerëz në Hënë, vendet e tjera kanë ulur mjete në Hënë por pa ekuipazh.

Në vitet 1960 dhe 1970 Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara realizuan një mori uljesh të suksesshme në Hënë, para se ta ndërprisnin programin. Kina iu bashkua këtij grupi elitar në vitin 2013 dhe India në vitin 2023. Por vitin e kaluar, anije kozmike nga Rusia dhe nga një kompani private japoneze u përplasën në Hënë. Një anije kozmike e një organizate jofitimprurëse izraelite u përplas në Hënë më 2019.

Muajin e ardhshëm, SpaceX do të nisë anijen e saj nga “Intuitive Machines.” Edhe Nova-C ka gjasa të mbërrijë në Hënë në të njëjtën kohë përmes një rruge më të drejtpërdrejtë një javore. Këto dy anije kozmike mund të ulen në Hënë me një diferencë prej disa ditësh, ose brenda pak orësh nga njëri tjetri.

Përpos që do të bartë eksperimentet e NASA-s, kompania “Astrobotics” ka reklamuar edhe biznesin e saj të dërgesave, duke ngarkuar në anijen saj kozmike “Peregrine”, që ka një gjatësi prej 1.9 metrash, me sende të tjera, si një copëz guri nga Maja e Everestit, makina, me madhësinë e makinave të lodrave, që do të lëshohen në sipërfaqen e Hënës dhe do të lëvizin në të, e deri te hiri dhe ADN-ja e entuziastëve të hapësirës që kanë vdekur, përfshirë krijuesin e serialit “Star Trek” Gene Roddenebrry dhe shkrimtarin e zhanrit fantastiko-shkencor Arthur C. Clarke.

Fisi autokton i indianëve të Navajos ka kërkuar së fundmi që të shtyhet nisja e anijes kozmike për shkak të (hirit) mbetjeve njerëzore, duke thënë se një gjest i tillë do të ishte një “përdhosje e thellë” e universit, që konsiderohet i shenjtë për indianët autoktonë. Zyrtarët e udhëtimit në hapësirë thanë në dhjetor se kundërshtitë ndaj këtij procesi ishin bërë shumë vonë, por premtuan se do të provojnë të gjejnë “një zgjidhje të përshtatshme në të ardhmen” me këtë fis në misionet e tyre të radhës.

Kompania “Celestis”, njëra nga kompanitë që bleu hapësirë në anijen kozmike për të dërguar hirin, tha përmes një deklarate se asnjë kulturë apo fe e vetme nuk e ka pronë Hënën dhe nuk mund t’i lejohet e drejta e vetos për të ndaluar misione të tilla. Një pjesë e mbetjeve mortore gjenden po ashtu në kokën e raketës, e cila do të hidhet në orbitën e pafundme përreth diellit dhe mund t’i afrohet Marsit.

Çmimet e dërgesave në anijen kozmike “Peregrine” kapin shifrat prej disa qindra dollarëve deri në 1.2 milionë për kilogramë, që as për së afërmi nuk i afrohen kompensimit të shpenzimeve të kompanisë “Astrobotics”. Por, sipas zyrtarëve të kompanisë, në këtë fluturim të parë ky as nuk ishte qëllimi.

“Ëndërrat e shpresat e shumë njerëzve po varen nga ky mision,” deklaroi drejtori ekzekutiv i kompanisë “Astrobotics”, John Thornton.

voa

Teknologjia më e fundit në panairin për konsumatorët e elektronikës në Las Vegas

teknologjia las VegasPanairi për Konsumatorët e Elektronikës rikthehet në Las Vegas gjatë datave 9 – 12 janar. Rreth 3500 kompani nga mbarë globi pritet të demonstrojnë aty arritjet më të fundit në inteligjencën artificiale, kujdesin shëndetësor, transportin dhe fusha të tjera.

 

Mijëra vizitorë pritet të shikojnë, të dëgjojnë dhe të përjetojnë risitë më të fundit të teknologjisë në panairin më të fundit për konsumatorët e elektronikës, CES 2024, në Las Vegas.

Ky është aktiviteti më i madh i këtillë në botë dhe këtë vit pritet të zgjerohet edhe më tej, me 10% më shumë hapësira dhe me mbi 3500 kompani pjesëmarrëse.

“Përfaqësojmë vërtet të gjithë ekosistemin e teknologjisë. Pra mund të jenë kompanitë e kujdesit shëndetësor, të transportit, të dronëve, printerave tre dimensionalë, të teknologjisë së stilit të jetesës dhe të paisjeve shtëpiake inteligjente”, thotë John Kelley, drejtues i panairit CES.

Vetëm në kategorinë e transportit janë rreth 300 kompani prodhimi.

“Kjo përfshin kompani si BMW, Mercedes-Benz, Hyundai dhe Kia”, thotë zoti Kelley. Mbi 1 mijë prej tyre do të jenë kompani të reja.

“Shikoj sipërmarrës që janë shumë të apasionuar pas produktit të tyre; dhe nuk është thjesht një produkt për të nxjerrë fitim, por më shumë për të zgjidhur një problem”, thotë zoti Kelley.

Kjo përputhet edhe me tematikën e këtij panairi: “Teknologji për të Mirën”.

“Për mua kjo është më frymëzuesja, t’i shoh këto kompani që prodhojnë këto produkte me synimin e mirë për ta ndryshuar botën dhe për ta bërë atë një vend më të mirë”, thotë zoti Kelley.

Në ekspozitë pritet të dominojë inteligjenca artificiale, në veçanti në fusha jetike ku ka patur një rritje të madhe…

“Do të shihni se si inteligjenca artificiale drejton automobilët”, thotë zoti Kelley.

Inteligjenca artificiale është gjithnjë e më e pranishme edhe në sektorin e shëndetësisë.

“Është një fushë me rritje shumë të madhe. Shikojmë lloje të reja zgjidhjesh për të ndihmuar pacientët, për t’i lidhur ata me doktorët, me kompanitë e kujdesit shëndetësor, për t’u ofruar zgjidhje për përmirësimin e shëndetit të tyre”, thotë zoti Kelley.

Vizitorët do të arrijnë të shohin edhe mallra dhe shërbime nga kompani miqësore me mjedisin.

“Kompani që përdorin energjinë e pastër apo që demonstrojnë teknologji që ruan energjinë… E shohim këtë edhe kategorinë e bujqësisë dhe teknologjisë së ushqimit, ku kompanitë po demonstrojnë se si prodhojnë në një mënyrë më efikase, për të zgjidhur problemin e mungesës së ushqimit”, thotë zoti Kelley.

Organizatorët e panairit presin që të vijnë 130 mijë vizitorë nga 150 vende, me një prani të madhe nga Azia.

“Kina do të ketë një prani të lartë. Koreja do të ketë një prani të madhe. Azia është një treg kaq i rëndësishëm për ekosistemin e teknologjisë sa që nuk do të kishte panair pa një prani të fortë aziatike”, thotë zoti Kelley.

Duke sjellë teknologjinë më të mirë globale, gati një e treta e kompanive në panairin CES 2024 do të jenë nga vende të tjera.

voa

SHBA, Gjykata e Lartë kërkon kujdes në përdorimin e Inteligjencës Artificiale

gjykata e larteKryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts kërkoi vetpërmbajtje nga strukturat e zbatimit të ligjit në përdorimin e Inteligjencës Artificiale përmes raportit të fundvitit prej 13 faqesh.

 

Raporti po vlerësohet nga mediat amerikane si me qëndrime të dyfishta pasi zoti Roberts nuk u shpreh në tërësi as pro e as kundër përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Ai tha se kjo teknologji ka potencialin për shembull të ndihmojë gjykatat në zgjidhjen e rasteve më shpejt dhe me më pak kosto. Por, zoti Roberts vuri në dukje gjithashtu shqetësimet rreth privatësisë dhe faktin që kjo teknologji e re ende nuk e ka nivel e gjykimit njerëzor.

Ai parashikon që gjyqtarët njerëzorë nuk do të zëvendësohen së shpejti nga teknologjia, por, shton se, “me të njëjtin besim parashikoj se puna, veçanërisht kur bëhet fjalë për proceset gjyqësore, do të ndikohen ndjeshëm nga Inteligjenca Artificiale. Për këtë ai thekson se “çdo përdorim kërkon kujdes dhe vetëpërmbajtje”.

Komenti i Kryetarit të Gjykatës së Lartë vlerësohet si diskutimi më domethënës deri më sot për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në ligj dhe përkon me një numër gjykatash më të ulëta që po bëjnë përpjekje për të gjetur mënyrën më të mirë për t’u përshtatur me një teknologji të re të me aftësi të jashtëzakonshme, por që gjithashtu ka treguar prirje për të gjeneruar përmbajtje fiktive që këtu quhen “halucinacione”.

Zoti Roberts përmendi një rast ku të ashtuquajturat halucinacionet e Inteligjencës Artificiale kishin nxitur avokatët të citonin raste që nuk kanë ndodhur asnjëherë në dokumentet e gjykatës.

Ai nuk e përmendi se për cilin rast bëhet fjalë, por mediat me shpejtësi kujtuan rastin e javës së kaluar kur Michael Cohen, ish avokati i Donald Trumpit, ish presidentit të Shteteve të Bashkuara, e kishte pranuar se ai gabimisht iu kishte dhënë avokatëve citate false që kishin arritur të bëhen pjesë e dokumentacionit që ishte pranuar nga Gjykata.

Një rregull i ri i propozuar nga një gjykatë federale në Nju Orlins do t’u kërkonte avokatëve të vërtetojnë se ata nuk janë mbështetur tek programet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT apo OpenAI, për të hartuar përmbledhjet apo se njerëzit kanë rishikuar saktësinë e një teksti të krijuar nga kjo teknologji në dosjet e tyre gjyqësore.

voa

Gjurmues për mbetjet në hapësirë

hapsiraNjë kompani e re në Britani shpreson që paisjet me teknologjinë e saj të re do të mund të gjurmojnë mbeturinat në hapësirë që përbëjnë rrezik. Bëhet fjalë për pjesët me përmasa mbi një milimetër, të cilat mund të rrezikojnë satelitët dhe anijet hapësinore, ndërsa zhvendosen me shpejtësi shumë të madhe.

 

Pjesët e mbetura në hapësirë krijohen nga përplasjet mes satelitëve dhe nga mbetjet hapësinore, të cilat mund të krijojnë “re” të mëdha materialesh që mund të lëvizin me shpejtësi më të madhe se të një plumbi.

“Po, është e rrezikshme. Dhe po bëhet edhe më e rrezikshme. Pra është një problem eksponencial”, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë “ODIN Space”, Dan Terret.

Mijëra satelitë komercialë lëshohen në orbitën e Tokës me ritme rekord, duke shtuar kështu rrezikun nga përplasjet që mund të krijojnë grumbujt e pjesëve të mbetura.

Deri më tani nuk kanë patur rezultat përpjekjet për t’i gjurmuar këto mbetje, qoftë edhe ato me përmasat më të vogla. Por kompania “ODIN Space” ka projektuar një sistem gjurmimi që mund të identifikojë pjesë të vogla deri në përmasa prej 0.1 mm, dhe madje edhe nëse janë duke udhëtuar me shpejtësi prej mijëra metrash në sekondë.

“Udhëtojnë me kaq shpejtësi sa që përbëjnë rrezik për satelitët dhe prandaj ka shumë rëndësi që sateliti të gjendet në orbitën e duhur, që të jetë i mbrojtur siç duhet”, thotë zoti Terret.

Rishtazi, agjencia rregullatore për hapësirën vendosi gjobën e parë ndaj një kompanie që nuk arriti të tërheqë nga orbita një satelit të prishur që përbënte rrezik për satelitët e tjerë. Kompania “ODIN Space” thotë se pjesët më të mëdha, ato me përmasa mbi 1 centimetër, gjurmohen nga radarë dhe satelitë të caktuar. Por pjesët më të vogla prej vetëm disa milimetrash mund të shkaktojnë dëm të madh, ndërkohë që janë pothuajse të padukshme ndërsa lëvizin me shpejtësi të madhe.

Kompania thotë se ka gjetur mënyrat për të vrojtuar për pjesëzat më të vogla.

“Dërgojmë në hapësirë panele të tillë. Montohen në pjesët e jashtme të satelitëve dhe kur pjesët godasin satelitin, ato kalojnë përmes këtyre paneleve. Mund t’i analizojmë të dhënat për të ditur se sa të mëdha janë pjesët që godasin, me çfarë shpejtësie udhëtojnë, në cilin drejtim dhe e arrijmë të gjithë këtë nëpërmjet sinjaleve akustike”, thotë James New, drejtor ekzekutiv i kompanisë “ODIN Space”.

Panelet janë të projektuara të vendosen në të gjitha llojet e mjeteve hapësinore, duke krijuar kështu një rrjet sensorësh që japin një pamje në kohë reale të mjedisit në orbitë.

“Ideja është që ne nuk po shtojmë satelitë në orbitë, nuk po e shtojmë problemin. Po krijojmë sensorë që janë aq të lehtë sa që mund të vendosen në satelitët e tjerë. Kështu mund ta shfrytëzojmë për mirë fuqinë e rritjes së jashtëzakonshme në industrinë e hapësirës”, thotë zoti Terret.

Sensorët e parë të kompanisë u nisën këtë qershor së bashku me një satelit të vogël italian dhe do të fillojnë mbledhjen e të dhënave.

“43% e satelitëve që gjenden në hapësirë janë nisur gjatë tre viteve të fundit dhe kjo vetëm do të rritet, me 100 mijë satelitë më shumë në orbitë deri në vitin 2030”, thotë zoti Terret.

Kompania thotë se dëshiron të shfrytëzojë këtë rritje galopante për të instaluar sa më shumë sensorë në hapësirë, të cilët do të ndihmojnë të gjitha kompanitë që veprojnë në industrinë e hapësirës.

 

voa