Kategoritë: Shkenca

Shtëpi të printuara në 3D

3dSipas Institutit Global McKinsey, rreth një e treta e njerëzve që jetojnë në qytetet e botës banojnë në shtëpi me standarte të ulëta. Shkencëtarët mendojnë se ky problem mund të zgjidhet nëpërmjet planimetrive falas në internet për ndërtimin e shtëpive me pjesë të parafabrikuara që përputhen plotësisht me njëra-tjetrën.

Popullsia e botës pritet të arrijë në mbi 8 miliardë deri në vitin 2030 dhe çështja e strehimit në qendrat urbane është që tani një problem madhor. Ndërtimi i shtëpive sipas mënyrës tradicionale kërkon ende javë ose muaj të tërë.

Në një lagje të Londrës, një grup vullnetarësh po ndërton shtëpitë e quajtura Wiki House, të përbëra nga panele kompensate dhe pjesë të prodhuara paraprakisht. Të gjitha pjesët janë prodhuar nëpërmjet një kompjuteri dhe bazuar në një planimetri të disponueshme falas në internet.

Bashkëthemeluesi i Fondacionit WikiHouse me qendër në Britani, arkitekti Alastair Parvin, thotë se kjo mund të jetë zgjidhja për strehimin.

“WikiHouse përmbledh një sërë teknologjish që synojnë të thjeshtojnë proçesin e ndërtimit të shtëpive, sa që gjithkush mund ta bëjë vetë. Për ta arritur këtë, po përdorim fuqinë e internetit dhe të teknologjive të prodhimit dixhital si printimi 3D.”

Prerja preçize mundëson përputhshmëri perfekte të të gjitha pjesëve, gjë që përshpejton proçesin e montimit. Nuk nevojiten vegla të posaçme.

Wiki House u ndërtua në 10 ditë për qëllime demonstrimi. Më pas, u çmontua dhe i rindërtua diku tjetër për t’u përdorur plotësisht.

Zoti Parvin thotë se i gjithë koncepti është i bazuar në planimetri të disponueshme në internet.

“Programe kompjuterike falas janë tashmë të disponueshme dhe përbëjnë bazën e programeve që përdorim ne. Ajo që po ndodh është se tani kjo po përkthehet në sende të prekshme; pra, ne po ndërtojmë një lloj enciklopedie Wikipedia të sendeve.”

Zoti Parvin thotë se projekti është në fazën e tij fillestare, me disponueshmëri ende të kufizuar. Megjithatë, ai mendon se projekti do të rritet ndërkohë që më shumë njerëz do të jenë të interesuar për ndërtim shtëpish, montimi i të cilave nuk kërkon aftësi të veçanta. (voa)

Popullariteti i garave me dronë

dronePopullariteti i garave me dronë po vazhdon të rritet në botë. Ky sport i teknologjisë së lartë shumë shpejt është shndërruar në një sport ndërkombëtar me transmetime të drejtëpërdrejta televizive dhe me çmime të larta për fituesit.

Një garë me dronë po zhvillohet në një magazinë në Silicon Valley. Pjesëmarrësit po konkurojnë në një sport të ri të teknologjisë së lartë, i cili vazhdon të zgjerohet në botë.

“Gara me dron është si të jesh në kabinën e një avioni, duke fluturuar me një shikim tre-dimensional me pilotët e tjerë, në ajër. Dhe ne mund të bëjmë gjëra që janë vërtetë të rrezikshme, si përplasjet në ajër, manovrimi në hapësira të ngushta dhe përplasje të tjera pa lënduar njeri. Kështu që është një gjë e bukur, emocionuese, e zhurmshme dhe krejtësisht e sigurt,” thotë Ken Loo, pjesëmarrës në garë.

Pilotët drejtojnë dronë të posaçëm nëpër këtë korsi me pengesa, me një shpejtësi deri në 96 kilometra në orë.

Ata përdorin syze përmes të cilave ata mund të shohin nga përspektiva e dronit që ata drejtojnë.

“Pasi t’i vësh syzet, praktikisht ndjeheni sikur jeni pjesë e dronit. Pra, ju mund të ndjeni dallimin kur rrisni shpejtësinë, mund të ndjeheni sikur vërtet po fluturoni,”thotë Colby Curtola, pilot droni​.

Pilotët amatorë gjejnë vende unike për gara me dronë, si kjo zonë me trena të braktisur në jug të San Franciskos.

Për shumë pilotë, gara me dron është një pasion i tyre. Ata shpenzojnë shumë orë në modifikimin e dronëve të tyre me pjesë të reja ose ndërtimin e tyre nga e para.

Disa thonë se ata kanë shpenzuar më shumë se 10 mijë dollarë për pjesë të ndryshme të dronit si motorët, bateritë dhe kamerat.

Për të konkurruar, ju duhet një dron i shpejtë, reflekse të shpeja, koordinim të mirë të syve me lëvizjet e duarve, por kjo nuk është e gjitha.

“Është gjithashtu e rëndësishme të keni durim gjatë manovrimit në pista dhe të mos keni tension kur përplasni dronin. Kjo është një gjë e vështirë kur përpiqeni të tejkaloni kufijtë tuaj në drejtimin e dronëve në ajër,” thotë Larry Davis, pjesëmarrës në gara me dron.

Ajo që filloi si një konkurrencë miqësore mes të apasionuarve, tani është kthyer në një sport ndërkombëtar.

Në mars, Dubai organizoi garën botërore, Drone Prix, ku çmimi për fituesin ishte 250 miijë dollarë. Garën e fitoi 15-vjeçari nga Anglia, Luka Bannister.

“Askush nuk e priste që gara me dronë do të kishte kaq shumë popullaritet në më pak se një vit”, thotë Sahand Barati, drejtor i Shoqatës Ndërkombëtare të Garave me Dronë.

Kjo shoqatë njoftoi kohët e fundit nënshkrimin e një marrëveshjeje me kanalin televiziv ESPN për të transmetuar drejtpërdrejt në internet garat e ardhshme me dronë, por vëzhguesit thonë se organizatorët e garës duhet të përmirësojnë më tej përvojën e spektatorëve.

“Ata janë shumë të shpejtë, shumë të vegjël, dhe është e vështirë të ndjekësh dhjetë prej tyre duke garuar në të njëjtën kohë. Është e vështirë dhe konfuze të mbash sytë tek drejtuesi i garës, sidomos në rastet kur udhëheqësi i garës ndryshon shpesh,”thotë Patrick Egan, redaktor lajmesh.

Një tjetër organizator i garave me dronë, Drone Racing League, po përpiqet ta ndryshojë këtë sport përmes prodhimit të videove online.

Liga zhvilloi garën e saj të parë të madhe në stadiumin e ekipit të futbollit amerikan,Miami Dolphins.

“Sjellja e çdo sporti të ri shoqërohet me sfida. Dhe ne po përpiqemi ta bëjmë këtë sport emocionues dhe popullor në një mënyrë sa më të kuptueshme për audiencën,” thotë Nick Horbaczewski, drejtor i Ligës së Garave me Dronë​.

Një sport që lejon njerëzit të ndjejnë të veçantën e fluturimit pa lëvizur nga ulëset e tyre. (voa)

Vajzat dhe angazhimi i tyre në shkencë

vajzat ne shkenceNumri i vajzave të cilat kur rriten bëhen shkencëtare, është i vogël në krahasim me djemtë. Një muze i shkencës në Denver po përpiqet për ta ndryshuar këtë prirje, duke u dhënë mijëra vajzave shansin të takojnë gra që merren me shkencë dhe të frymëzohen që edhe ato të përpiqen për të patur një karrierë shkencore.

Kur është fjala për karrierën, vajzave u pëlqejnë profesionet më interesante.

Për t’i ndihmuar vajzat të realizojnë ëndërrën e tyre, shumë familje u mblodhën në Muzeun e Natyrës dhe të Shkencave në Denver, për Ditën e Shkencës. Inxhinierja për mjedisin, Daniela Castaneda, tregon se si qyteti filtron ujin e pijshëm.

“Kjo është tabela që tregon se si ndotet uji dhe përse është e rëndësishme që ai të pastrohet…”, thotë Daniela Castaneda.

Vajzat përdorin zogj-lodra, sikurse shkencëtarët si biologia Emily Snode-Brenneman veprojnë me zogj të vërtetë, me qëllim që të studjojnë sjelljen e tyre të vërtetë.

“Ngjisim këtë pajisje të vogël në shpinën e zogjve për të monitoruar lëvizjet e tyre,”thotë Emily Snode-Brenneman.

“Mendoj se është bukur të punosh me zogjtë, mua më kanë pëlqyer ata gjithmonë,”thotë Annika, nxënëse e shkollës së mesme.

Por, jo gjithshka është punë praktike. Stilistja Meghan Anderson Doyle shpjegon se si shkenca e gjeometrisë e ndihmon atë të krijojë fustane.

“Fillimisht ne vizatojmë modelin në letër, dhe pastaj e realizojmë atë në mënyrë tre-dimensionale tek stofi, i qepim bashkë copat, duke krijuar kështu fustanin,” thotë Megan Anderson Doyle.

Inxhinierja Tinesha Ross tregon një qark të bordit kompjuterik nga stacioni ndërkombëtar i hapësirës, i cili duhet riparuar.

“E vendos këtë bord nën mikroskop dhe pastaj ju më thoni në se ju ndihmon ta shihni më mirë këtë pjesë…”

Në fushën e gazetarisë shkencore, Kayla Mitchiner interviston organizatoren e ekspozitës “Girls and Science”, Colleen Carter.

“-Përse vendosët të bëni ekspozitën për pjesëmarrjen e vajzave në shkencë?

-Fillimisht, sepse vetë jam nënë dhe kam vajza. Është e rëndësishme për mua që vajzat ta dinë se ato mund të bëjnë gjithshka që duan.

-Unë dua të bëhem shkrimtare kur të rritem.

-Kjo është diçka e shkëlqyer, sepse shpresoj që një ditë do të lexoj librat e tua…”

Kur ka kaq shumë mundësira për shkencë, Lilly, nxënëse e klasës së 5-të, thotë se është mirë t’i ndash idetë e tua me të tjerët.

“Unë mendoj se djemtë duhet që patjetër të provojnë të merren me shkencë, edhe pse është Dita e Vajzave, sepse është diçka e bukur të merresh me shkencë”, thotë Lilly, nxënëse e klasës së pestë.

Familjet, përfshirë djemtë, janë gjithmonë të mirëpritur në këtë ditë të veçantë, për të parë se si karrierat në shkencë janë të hapura për të gjithë. (voa)

Avionë privatë për pasagjerët e zakonshëm

avionetNjë kompani e teknologjisë në Britani kërkon ta bëjë të arritshëm për pasagjerët e zakonshëm udhëtimin luksoz me avionë privatë. Kompania “Stratajet” po krijon një faqe në internet që do të mbledhë të dhënat dhe çmimet në kohë.

Për shumë njerëz që kërkojnë të rezervojnë bileta fluturimi, avionët privatë i mendojnë me çmime mbi buxhetin normal. Por, sipas Jonny Nicol, themelues i kompanisë “Stratajet”, nuk është gjithnjë kështu:

“Portali ynë ngjason me faqet e tjera të internetit për udhëtime ajrore, por ka edhe elementë të shtuar. Mund të kërkosh sipas destinacioneve nëpërmjet kodit postar dhe jo vetëm nëpërmjet aeroporteve. Pasi jep kohën dhe vendin ku dëshiron të shkosh, faqja nxjerr një sërë variantesh me çmimet përkatëse.”

Deri më tani, fluturimet me avionë privatë janë menaxhuar nga tregtarë ndërmjetës. Ndërsa, kompjuterat e “Stratagen” i përllogarisin në pak sekonda të gjitha variantet e mundshme, dhe paraqesin një listë me opsione të ndryshme fluturimi.

Sipas zoti Nicol, kompania paraqet edhe të dhënat e avionëve privatë që nuk janë plotësuar me klientë, duke ofruar kështu udhëtimin me çmim të reduktuar:

“Po e shndërrojmë në një mënyrë udhëtimi të arritshme për të gjithë. Këta avionë udhëtojnë me vende bosh duke djegur kot karburant. Ne do të ulim kështu edhe çmimin për të pasurit, por ndërkohë do t’u mundësojmë edhe udhëtarëve të zakonshëm të fluturojnë me këta avionë privatë,”- thotë ai.

Sipas Sean Tipton, i Shoqatës së Agjentëve të Udhëtimit Britanikë, industria e avionëve privatë është në rritje:

“Po shtohet numri i personave me të ardhura të larta që udhëtojnë me avionë privatë, për të shmangur vonesat e kalimit përmes doganave etj.”

Megjithëse çmimet mesatare vazhdojnë të jenë më të larta se biletat e udhëtimit me linjat komerciale, rritja e shfrytëzimit të këtyre avionëve pritet të ulë edhe çmimet e biletave.

Kompania “Stratajet” ka shtrirë tashmë aktivitetin e saj në 44 vende në të gjithë Evropën, me një flotë prej 500 avionësh.

Së shpejti, kompania do të hyjë edhe në tregun e Shteteve të Bashkuara. (voa)

Programi që do të gjurmojë lëvizjet e dronëve

drone BeogradNjë aplikacion i ri për telefonat inteligjentë gjurmon sinjalet e dronëve pranë aeroporteve ose aktiviteteve masive. Duke mbledhur të dhënat nga personat e regjistruar, programi do të ndihmojë në parandalimin e përdorimit të dronëve për terrorizëm.

Me shtimin e sulmeve terroriste në mbarë botën, ekspertët e sigurisë po shqyrtojnë mënyra të reja për forcimin e sistemeve të sigurisë. Tashmë të gjithë mundemi të ndihmojmë në këtë përpjekje. Duke instaluar një aplikacion falas, mund të japim ndihmën tonë në ruajtjen e stadiumeve apo aeroporteve nga sulme të mundshme.

Programi DroneWatcher shfrytëzon antenën WiFi të celularit për të monitoruar sinjalet nga paisje fluturuese si dronët. Të dhënat e mbledhura nga celularët e ndryshëm u dërgohen automatikisht zyrtarëve të sigurisë.

Siç shpjegon Edward Zakrajsek, i kompanisë DeTect Global, njerëzit duhet vetëm ta instalojnë programin.

“Programi mbështetet tek të dhënat e mbledhura nga qindra njerëz njëkohësisht për të gjurmuar më mirë dronët. Kështu mundemi të përcaktojmë me saktësi vendndodhjen e dronit dhe të personit që e kontrollon, si dhe të gjurmojmë trajektoren e lëvizjes.”

Megjithëse aplikacioni është falas, kompania prodhuese do të paguhet prej organizatorëve të koncerteve, ndeshjeve dhe nga aeroportet për shfrytëzimin e të dhënave të mbledhura.

Tetorin e kaluar, avionët luftarakë turq rrëzuan një dron të paidentifikuar brenda hapësirës ajrore turke pranë kufirit sirian.

Një vit më parë, një ndeshje ndërkombëtare në Beograd, ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, u ndërpre pasi një dron me një flamur të Shqipërisë së madhe, fluturoi mbi fushë përpara se të tërhiqej nga një lojtar i skuadrës serbe.

Konsulenti britanik i sigurisë, Matthew Finn, shpjegon rrezikshmërinë që këto dronë mund të paraqesin në të ardhmen.

“Nëse kontrollon një paisje të tillë, mund ta dërgosh në zona sensitive, mund ta armatosësh, dhe mund të shkaktojë dëm të paimagjinuar në zona ku nuk mundet të hyjë një individ. Mund të futesh në një stadium futbolli, në një qendër tregtare dhe vende të tjera.”

Zoti Finn thotë se organet ligjzbatuese dhe organizatat e sigurisë duhet të planifikojnë mirë se si të përballen me këtë rrezik.

Nëse në programin DroneWatcher rregjistrohen mjaftueshëm përdorues, ai mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. (voa)

Një sistem i ri për sinjalizmin e aksidenteve rrugore

road closedTë gjitha automjetet e reja në Bashkimin Europian do të pajisen deri në prill të 2018-ës me një sistem që kryen automatikisht sinjalizime urgjente në raste aksidenti. Sllovenia tashmë ka filluar ta përdorë sistemin eCall, i cili bën që sensorët në makinë të transmetojnë automatikisht vendndodhjen e tyre, kohën e saktë, drejtimin e makinës, si dhe numrin e njerëzve që ndodhen brenda në makinë kur ndodh aksidenti.

Sipas shifrave të Komisionit Evropian, gjatë vitit 2011 të paktën 30 mijë njerëz kanë humbur jetën në akisdente rrugore. Po sipas këtyre të dhënave, për çdo vdekje në aksident rrugor, katër të tjerë mbeten me dëmtime të përhershme nga plagët e marra në aksident, si dëmtime të trurit, apo të shtyllës kurrizore.

Deri në prill të vitit 2018, të gjitha modelet e reja të makinave që shiten në vendet e BE-së do të duhet të jenë të pajisura me eCall, një sistem i telefonatës automatike për rastet urgjente.

Kur ndodh një aksident, sistemi dërgon automatikisht sinjal tek shërbimet e emrgjencës dhe transmeton të dhëna bazë, si venddodhja e automjetit, drejtimi për ku ishte nisur dhe numri i pasagjerëve në makinë.

Sipas BE-së, numri i akidenteve vdekjeprurëse ka ardhur duke u pakësuar që nga viti 2001 dhe masa për instalimin e pajisjes eCall synon ta pakësojë më tej numrin e vdekjeve. Sllovenia është vendi i parë i BE-së që ka zbatuar sistemin eCall dhe operatorët në këtë qendër emergjence janë duke e përdorur atë.

Bostjan Tavcar drejton Qendrën për Informacion 112:

“ECall është një pajisje e vendosur në makinë dhe në rast aksidenti ajo zbulon ndryshimin tek shpjetësia e automjetit; në se jastëku i sigurisë është aktivizuar pajisja dërgon të dhëna, si psh ku ka ndodhur aksidenti, në ç’drejtim ishte nisur makina, sa pasagjerë kishte në bord dhe çfarë lloj karburanti përdorte. Avantazhi më i madh i pajisjes eCall është se mund të reagojmë menjëherë, edhe në aksidente ku nuk ka dëshmitarë okularë, ose në ato ku pasagjerët nuk kanë mundur të telefonojnë numrin 112 të urgjencës. 6 për qind e të gjitha aksidenteve në Slloveni ndodhin në rrethana të tilla. Një avantazh tjetër, veç vendndodhjes së makinës, është njohja e drejtimit të makinës, që është veçanërisht e dobishme në autostrada, sepse ekipi i shpëtimit zakonisht merr informacion të gabuar dhe nuk shkon në vendin e duhur.”

Komisioni Evropian e propozoi këtë rregull në vitin 2013 dhe vitin e kaluar Parlamenti Europian votoi në favor të zbatimit të tij.

Marijan Rimac është shef i asistencës teknike në klubin kroat të automjeteve, i cili gjithashtu e mbështet këtë masë.

Rimac thotë “Ideja është që të shpëtohet jeta e njerëzve. Sipas vlerësimeve, sistemi eCall mund të shpëtojë rreth 2 mijë jetë njerëzish në vit në Europë dhe pakëson së tepërmi pasojat e dëmtimeve në aksidente.”

Për personat e plagosur në aksidente, faktori kohë është thelbi i parandalimit të humbjes së gjakut dhe bllokimit të organeve, që mund të sjellin dëmtim afatgjatë, edhe në se shoferi, apo pasagjerët arrijnë të mbijetojnë.

Rimac thotë: “Veç shpjetësisë relae të makinës, sistemi mat tre forcat që veprojnë në makinë. Në se jastëku i sigurisë aktivizohet, sistemi sinjalizon menjëherë shërbimin e emergjencës. Sinjali mund të jetë një telefonatë e thjeshtë, apo një mesazh me të dhënat minimale.”

Ligjvënësit evropianë thonë se do të jetë i mundur instalimi i sistemit eCall edhe në makina më të vjetra, ndoshta nën sediljen e shoferit dhe çmimi duhet të jetë i përballueshëm.

Por ligjvënësit në Parlamentin European, kanë shqetësimin se sistemi mund të cënojë të drejtën e privacisë të njerëzve.

Ndërsa prodhuesit e sistemit thonë se megjithëse eCall është i lidhur vazhdimisht me një operator të lëvizshëm, informacioni jepet vetëm në rastet e një aksidenti serioz.

Denis Gorjup, që punon për një qendër emergjence në Slloveni, thotë se sistemi i sinjalizimit është shumë i dobishëm për vizitorët, të cilët nuk janë në gjendje t’i japin shërbimit të emergjencës vendodhjen e saktë të aksidentit.

“Jam i mendimit se sistemi është shumë i vlefshëm për të huajt, sepse ata zakonisht nuk e dinë se ku ndodhen në mesin e një autostrade dhe përmes sistemit, ne përcaktojmë vendndodhjen e tyre në një aksident”.

Modelet e reja të makinave do ta kenë sistemin e sinjalizimit si një pajisje standarte, duke filluar nga 31 marsi i vitit 2018.

Ky vendim do të thotë që vendet anëtare të BE-së, industria e makinave dhe palë të tjera do të kenë dy vjet në dispozicion për ta shtuar sistemin tek makinat ekzistuese dhe do ta vendosin atë tek automjetet e reja. (voa)

Përdorimi i kamerave inteligjente

kameraShumë shtëpi sot janë të pajisura me kamera sigurie dhe sensorë për të njoftuar pronarët nëse dikush është duke lëvizur në pronën e tyre, një anëtar i familjes, postieri, apo ndonjë hajdut. Një kompani franceze ka krijuar një kamera inteligjente për shtëpitë që dallon fytyrat e personave dhe alarmon pronarët, nëse një i panjohur hynë në shtëpinë e tyre. Korrespondentja Zlatica Hoke njofton se kamera inteligjente e kompanisë Netatmo ka ndihmuar të paktën një pronar që të kapë një hajdut.

Kamera inteligjente mund të ndihmojë prindërit në punë që ata ta dinë në se fëmijët e tyre janë kthyer në shtëpi nga shkolla, apo nëse postieri ka sjellur postën në derën e shtëpisë. Ajo gjithashtu mund t’i njoftojë ata nëse një person i panjohur ka hyrë në pronën e tyre.

“Kamerat e tanishme të sigurisë nuk janë aq inteligjente. Ato mund të tregojnë nëse diçka është duke lëvizur, por nuk e dinë nëse objekti është njeri ose fëmija juaj. Pra, këto kamera nuk mund ta bëjnë dallimin.  Ato ju njoftojnë gjatë gjithë kohës edhe mbi ndryshimin e kushteve të ndriçimit që mund të jetë një gjë shumë e bezdisshme. Por, në qoftë se ju jeni shumë i zënë me punën tuaj profesionale, ju doni të dini se çfarë po ndodh në shtëpinë tuaj,” thotë Janina Mattausch, e kompanisë Netatmo.

Kur anëtarët e familjes hyjnë në shtëpi, kamera inteligjente i dallon ata dhe dërgon informacionin në telefonin inteligjent të pronarit. Pronari mund të kontrollojë informacionin në një kohë të përshtatshme. Por, në qoftë se një njeri i panjohur hyn në shtëpi, kamera dërgon një mesazh alarmi në telefonin e pronarit.

Kjo kohët e fundit i ndodhi Damien-it nga Paris.

“Të premten isha në punë, duke marrë pjesë në një takim të rëndësishëm mujor, kur telefoni im filloi të dridhej.  Në fillim mendova se ndoshta alarmi ishte i gabuar. Por, njoftimi që më erdhi në telefon thoshte se në banesën time kishte lëvizje të një personi që kamera nuk e njihte,” thotë Damien.

Pastaj, biznesmeni francez hapi videon dhe u trondit nga ajo që pa.

“Pashë një person i cili po ecte mbathur me këpucë, një veprim terësisht i ndaluar në apartamentin tim. Shikova videon drejtpërdrejt dhe u trondita. I kërkova një kolegu të më çonte në shëpi dhe gjatë rrugës i telefonova policisë. “

Damien i tregoi videon policisë dhe brenda ditës ajo e gjeti hajdutin, i cili më vonë u dënua me nëntë muaj burg.

Kamera inteligjente franceze është pjesë e një prirje në rritje të së ashtuquajturës teknologji e lidhur, e cila përmes internetit mundëson komunikimin ndërmjet pajisjeve të ndryshme. (voa)

Integrimi i sistemeve elektrike

rrjeti elektrikMë shumë se një shekull pasi bota filloi të përdorte rrymën alternative, si sistemin kryesor të shpërndarjes së energjisë elektrike, rryma e vazhduar po kthehet në përdorim. Në sajë të teknologjisë moderne, të dy sistemet tani mund të integrohen pa probleme, duke u sjellur kursime të konsiderueshme kompanive të energjisë elektrike, si dhe konsumatorëve të tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës George Putic sjell hollësitë.

Qendra e shpërndarjes Pitt Ohio Express në Pitsburg të Pensilvanisë është një objekt modern transporti që çdo ditë merret me qindra rimorkio të mëdhenj kamionësh.

Por, kjo ndërtesë është edhe një laborator eksperimental, ku inxhinierët e Universitetit të Pensilvanisë po testojnë se si mund të kombinohet sistemi i rrymës alternative me atë të rrymës së vazhduar, diçka që në të kaluarën ishte pothuajse e pamundur.

Për një kohë të gjatë, sistemi i rrymës së vazhduar, i shpikur nga Thomas Edison, kishte një disavantazh të madh.

“Kur ai fillonte të shpërndante rrymën e vazhduar në distanca të gjata mbi 1.6 kilometra, fuqia shtohej aq shumë saqë e bënte atë të pasigurtë. Për shpërndarjen e saj duheshin kabllo aq të mëdha sa që kjo metodë e furnizimit me energji elektrike nuk mund të ishte e përballueshme,” thotë profesori Gregory Reed.

Rryma alternative ishte më efikase, dhe u bë forma standarde e tranportimit të energjisë elektrike në distanca të gjata. Por rryma e vazhduar ende luan një rol të madh. Ajo përdoret pothuaj në të gjitha pajisjet e përditshme elektrike.

“Shumica e pajisjeve tona elektrike në shtëpi, serverat e dhënave, sistemet e biznesit, sistemet e ndriçimit funksionojnë vetëm me tension të ulët të rrymës së vazhduar,” thotë profesori Gregory Reed.

Rryma e vazhduar gjithnjë e më shumë po përdoret edhe tek makinat elektrike. Tani, për përdorimin e rrymës së vazhduar në këto pajisje nevojiten transformatorë të energjisë, një proces i cili çon në humbje të energjisë.

Në qendrën e shpërndarjes Pitt Ohio Express, rryma e alternuar vjen nga një turbinë e vogël që funksionon me erë, e cila pa probleme integrohet me rrymën e vazhduar të prodhuar nga panelet diellore.

“Ne sjellim rreth 50 kilovatë energji diellore nga çatia në këtë prizë këtu, dhe më pas rreth 5 kilovat të energjisë së prodhuar nga era përmes sistemit të konvertimit e sjellim këtu në këto bateri,” thotë studiuesi Ansel Barchowsky.

Disavantazhet e transportimit në distanca të largëta të energjisë së vazhduar që e kanë bërë atë të papërdorshme në kohën e Edisonit, tani mund të tejkalohen me gjysmëpërçues elektronikë modernë, duke i sjellë kursime të konsiderueshme kompanive të energjisë.

“Ka plane për vendosjen e 40 sistemeve të tensionit të lartë me rrymë të vazhduar në mbarë Kinën,”  thotë profesori Reed.

Shumë çështje ende duhen zgjidhur, duke përfshirë standardizimin e tensionit, pajisjet dhe masat e sigurisë. Por, ndërkohë që rryma e vazhduar bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në jetën tonë të përditshme, studiuesit thonë se integrimi i saj me rrymën e alternuar është i pashmangshëm. (voa)

Rënia e kompanisë Apple

AppleFirmës më fitimprurëse në botë i ra vlera pas raportimit të shitjeve më të ulëta të celularit iPhone pas gati 13 vjetësh. Drejtori i kompanisë Apple, Tim Cook, fajëson gjendjen jo të mirë të ekonomisë kineze, por analistët radhisin një sërë faktorësh të tjerë, si mbingopjen e tregut të celularëve dhe mungesën e produkteve të reja. Për një kompani me vlerë mbi gjysëm trilionë dollarë, ky nuk është fundi i botës, por përfaqëson sidoqoftë një tendencë shqetësuese për investuesit dhe mundësinë se tashmë ditët e mira të Apple kanë kaluar.

Rreth dy miliardë njerëz në botë posedojnë celularë dhe gati një në pesë prej tyre është iPhone. E tillë është shtrirja e kompanisë Apple, me qendër në Kaliforni, e cila festoi rishtazi 40-vjetorin e saj.

“Mendoj se ka qenë shembulli fantastik i një kompanie të shekullit të 21-të. Jo vetëm për nga përmasa, por edhe për fokusimin tek novacioni.”

Por, ndoshta mund të kenë kaluar ditët kur njerëzit zinin radhë të gjata për iPhone-in më të fundit. Këtë javë, Apple raportoi për herë të parë rënie të të ardhurave, pas 51 tremujorë rresht me rritje. Disa thonë se ka rënë viktimë e suksesit të saj.

“Apple sigurisht që konkuron në segmentin e lartë të tregut, me pozicion shumë të fortë në SHBA, Japoni dhe Evropë Perëndimore. Këto janë ekonomitë ku po shikojmë mbingopje të tregut të clelularëve.”

Ngopja e tregut, çmimet e larta dhe ngadalësimi i Kinës, që është tregu më në rritje për Apple, mund të jenë shkaktarët.

“Apple duhet të kërkojë për tregje të reja. India është qartazi një treg me popullsi të madhe, me një klasë të mesme në rritje dhe që ofron mundësi. Por, nuk po përjeton rritjen që përjetoi Kina.”

Nëse Apple nuk ja del mbanë të konvertojë përdoruesit e Android, të cilët tashmë përbëjnë shumicën e tregut, ose të zgjerojë biznesin e saj online të programacionit dhe ruajtjes së të dhënave, atëherë ndoshta Apple duhet të dalë me diçka tjetër, përtej iPhone-it.

“Mund të shikonim një ndryshim nëse do të krijonin një produkt ose një çmim të pazakontë, në veçanti nëse është e diçka krejt ndryshe nga prodhuesit e tjerë në treg. Por, pa këtë novacion në opsione ose në çmime, atëherë tregu është shumë më i pasigurtë.”

Nuk është fundi i botës për Apple, të ardhurat e të cilës ishin mbi 50 miliardë për tremujorin e parë. Por, kjo mund të jetë pika e fillimit të rënies për këtë kompani, ndër më të mëdhatë e botës. Pikëpyetja kryesore për investuesit është nëse Apple do të vazhdojë të jetë lokomotiva e teknologjisë.(voa)

Volkswagen, pasojat e manipulimit teknik

vwProdhuesi gjerman i makinave, Volkswagen bëri të njohur se dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga manipulimi për të fshehur sasinë e gazeve që çlirojnë makinat e saj me naftë,  ishte 18, 2 miliardë dollarë vetëm për vitin 2015. Por dëmi total mund të jetë edhe më i lartë.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Matthias Mueller, kërkoi përsëri falje për skandalin, në konferencën e përvitshme për shtyp në Wolfsburg të Gjermanisë, duke thënë se “ne i zhgënjyem shumë njerëz që kishin besim tek Volkswagen-i.”

Në shtator të vitit të kaluar autoritetet amerikane zbuluan se prodhuesi gjerman I makinave, një nga më të respektuarit e botës, kishte instaluar prograame kompjuterike për të mashtruar testet e çlirimit të gazeve. Janë rreth 11 milionë makina Volkswagen në mbarë botën që kompania duhet t’i rregullojë që pas zbulimit të skandalit. (voa)