Kategoritë: Shkenca

Kompania Amazon lëshon në hapësirë satelitët e parë për shërbime interneti

Amazon SatelitKompania Amazon lëshoi të premten satelitët e parë testues në orbitë për shërbimin e saj të planifikuar të internetit, duke i bërë konkurrencë kompanisë SpaceX.
Raketa Atlas V dërgoi në orbitë dy satelitët, duke nisur një program që synon të përmirësojë shërbimet globale të internetit me 3236 satelitë të tjerë që do të fluturojnë rreth Tokës në të ardhmen.

Kompania Amazon planifikon të fillojë të ofrojë shërbime interneti në fund të vitit të ardhshëm.

Kompania SpaceX e sipërmarrësit Elon Musk ka tashmë një epërsi ndaj kompanisë Amazon dhe themeluesit të tij Jeff Bezos, i cili është pronar edhe i kompanisë hapësinore, Blue Origin.

SpaceX nisi satelitët e saj të parë testues Starlink në orbitën e Tokës në 2018 dhe satelitët e parë operacionalë në 2019. Që atëherë SpaceX ka dërguar në orbitë më shumë se 5000 satelitë Starlinks nga Florida dhe Kalifornia, duke përdorur raketat e veta Falcon.

Edhe kompania evropiane Eutelsat OneWeb gjithashtu ka dërguar rreth 600 satelitë interneti në orbitë.

voa

Suedi, debati mbi kufizimin e teknologjisë në shkollat fillore

Disa shkolla në Suedi po kufizojnë përdorimin e kompjuterave dhe pajisjeve të tjera elektronike nëpër klasa, pasi mësuesit druhen se këto pajisje po dëmtojnë aftësitë e nxënësve për të shkruar dhe lexuar. Megjithëse Suedia ka një shkallë më të lartë suksesi në arsim në krahasim me fqinjët e saj evropianë, statistikat e qeverisë sugjerojnë një rënie të lehtë.

 

Me fillimin e vitit të ri shkollor në mbarë botën, për një shkollë suedeze në qendër të Stokholmit kjo nënkupton shumë orë shkrimi me dorë dhe orë të qeta leximi, diçka e pazakontë për Suedinë.

Në vitin 2017 Suedia miratoi një strategji për përdorimin e kompjuterave dhe tabletëve nëpër klasa, madje edhe nëpër kopështe. Nëntë vjeçari Henrik Trolle Adams në klasën e tretë të shkollës Djurgardsskolan beson në rëndësinë e shkrimit me dorë.

“Shkrimi në kompjuter dëmton aftësinë për të shkruar mirë me dorë”.

Edhe shoqja e tij e klasës Liveon Palmer preferon që të shkruaj në letër.

“Më pëlqen të shkruaj më shumë në fletore, sepse thjesht ndihem më mirë”.

Suedia ka një buxhet të caktuar për integrimin e teknologjisë nëpër klasa. Nxënësit e klasës së tretë kanë qasje tek tabletët që monitorohen me kujdes.

“Tabletët i përdorim në orën e matematikës, por jo për të shkruar. Mendoj se nxënësit nën moshën 10 vjeçare nuk duhet t’i përdorin tabletët për të shkruar. Nxënësit kanë nevojë për kohën e duhur që ta mësojnë dhe përmirësojnë shkrimin e dorës. Bukurshkrimi duhet të praktikohet shpesh. Lidhja e trurit me dorën ndihmon në zhvillimin e shkrimit me dorë, madje përmirëson edhe leximin”, thotë mësuesja e klasës së tretë Catarina Branelius.

Gjatë një konference shtypi në mars, ministrja suedeze për shkollat, Lotta Edholm, shprehu shqetësimin për një rënie në aftësitë e leximit dhe të të kuptuarit tek nxënësit suedez.

Megjithëse arsimi në Suedi është mbi mesataren evropiane, studimi ndërkombëtar PIRLS theksoi një rënie midis viteve 2016 dhe 2021. Sipas ministres Edholm, ndërkohë që faktorë të tjerë si pandemia mund ta shpjegojnë këtë fenomen, rol luajnë edhe kompjuterat.

Si kundërpërgjigje, qeveria suedeze njoftoi një investim prej 60 milionë eurosh për blerje librash këtë vit. Gjatë dy viteve të ardhshme do të shpenzohen 80 milionë euro për këtë qëllim.

Neil Selwyn, profesor në Fakultetin e Arsimit në Universitetin Monash, i cili ka zhvilluar hulumtime 25 vitet e fundit lidhur me integrimin e teknologjisë dixhitale në shkolla, thotë vendimi është thjesht politik.

“Është një lëvizje simbolike në emër të politikanëve dhe një shans që qeveria të tregojë se po bën diçka ndryshe nga paraardhësit. Ka shumë gjëra në lidhje me shkollat që qeveritë nuk mund t’i ndryshojnë ose nuk mund t’i prekin, kështu që futja e teknologjisë në shkolla është një lëvizje politike dhe po ashtu, heqja është një veprim politik”, thotë ai.

Megjithatë, përdorimi i teknologjisë në klasa po vihet në pikëpyetje gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Në një raport të botuar këtë verë, UNESCO paralajmëron kundër përdorimit të gjerë të teknologjisë në arsim.

Drejtoresha e shkollës “Djurgardsskolan” Caroline Köling, thotë se është e papranueshme që të bëhen eksperimente me fëmijët dhe të zëvendësohen tërësisht metodat tradicionale me teknologjinë e re.

“Nuk duhen bërë eksperimente, shkolla nuk duhet të eksperimentojë me fëmijët. Është e shkruar qartë, kështu që ne mund të bëjmë disa gjëra, por nuk mund t’i heqim gjërat që e dimë se funksionojnë për të bërë diçka që nuk e dimë se cili do të jetë rezultati”.

Drejtoresha Köling dhe stafi i saj mësimdhënës kanë hartuar një program shkollor që i jep përparësi jo vetëm arsimit, por gjithashtu u ofron nxënësve përvoja unike që mund të mos i hasin lehtësisht në shtëpi. Shkolla nuk i lejon nxënësit që të përdorin teknologjinë pas mësimit, ndërsa presin prindërit që t’i marrin ata.

voa

Gara për energjinë nga fuzioni bërthamor

FuzioniFuzioni bërthamor ka frymëzuar shkencëtarët prej dekadash me potencialin që ka për të prodhuar energji të bollshme pa mbetje karbonike. Siç njofton nga Siatëlli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Dierking, një kompani e re shpreson të fitojë garën për të prodhuar teknologjinë që do të vinte në dispozicion të konsumatorëve këtë lloj energjie.

 

Energjia bërthamore e tanishme vjen nga fizioni, procesi që mbledh energjinë që krijohet nga ndarja e atomeve. Por ky proces ndarjeje krijon edhe nënprodukte radioaktive që mund të jenë të dëmshme.

Por shkrirja e këtyre atomeve për t’u shndërruar në helium, procesi që ndodh brenda Diellit, nuk prodhon nënprodukte të dëmshme dhe mund të prodhojë energji të bollshme dhe të pastër.

Ben Levitt drejton punën kërkimore dhe prodhimin në kompaninë e re amerikane Zap Energy.

“Fuzioni është vërtet hapi i ardhshëm në zhvillimin njerëzor. Ky burim energjie është i bollshëm, i sigurtë, nuk lë mbetje karbonike dhe mund të na çlirojë nga kufizimet e burimeve energjitike tokësore”, thotë ai.

Energjia nga fuzioni nuk është në qarkullim në treg pasi është më i vështirë bashkimi me shkrirje i atomeve, se sa veçimi i tyre. Një prej pengesave është energjia dhe nxehtësia ekstreme që nevojiten për të prodhuar këtë lloj reaksioni në një mjedis të kontrolluar. Zoti Levitt shpjegon se kompania “Zap Energy” përdor një rrymë të lartë që kalon përmes plazmës së gazit me atome të jonizuar, pa elektrone me ngarkesë negative apo jone me ngarkesë pozitive.

“Mund ta konsideroni si një vetëtimë, që krijon fushën e saj manjetike, mban kështu veten të kufizuar dhe nxehet në nivelin e duhur për fuzionin”, thotë zoti Levitt.

Për shkak të përparimit të arritur, Departamenti amerikan i Energjisë i dha kompanisë Zap një nga tetë fondet e këtij viti të destinuara për novacionin. Një pjesë e këtyre fondeve do të përdoren për të ndërtuar një central ku do të testohen teknologjitë e bazuara tek fuzioni, thotë koordinatori për fuzionin në Departamentin e Energjisë, Scott Hsu.

“Duam të gjejmë mënyrat për ta inkurajuar këtë interes të madh të sektorit privat për zhvillimin e teknologjisë së fuzionit dhe t’i përshpejtojmë gjërat. Jemi në një pikë kthese, kur nëse përqëndrohemi vërtet tek teknologjia, nevojat inxhinierike dhe materialet që nevojiten, mendoj se është e mundshme që ta përshpejtojmë zhvillimin e saj. Në këtë pikë mund të jetë më shumë çështje vullneti dhe investimi, se sa çështje kohe”, thotë zoti Hsu.

Dekada të tëra teorish premtuese për futjen në treg të fuzionit, ende nuk kanë prodhuar teknologjira të reja të rëndësishme. As kompania Zap dhe as Departamenti amerikan i Energjisë nuk kanë një afat se kur mendojnë që konsumatorët mund të furnizojnë me këtë lloj energjie shtëpitë e tyre.

Por, kur të vijë ajo ditë, do t’ja ketë vlejtur pritja dhe përpjekjet, thotë Ahmed Diallo, drejtues në Agjencinë e Projekteve të Avancuara Kërkimore në Departamentin e Energjisë.

“Ditën kur të kemi energji nga fuzioni, nuk do të shqetësohemi më për energjinë. Kështu duhet ta mendojnë njerëzit. Do të kemi energji të bollshme. Nuk do të kufizohemi me disa centrale energjie dhe mund të punojmë për të zgjidhur probleme të tjera. Pra durimi është çelësi dhe dua që njerëzit ta kuptojnë se kjo do të jetë zgjidhja e madhe”, thotë zoti Diallo.

Të ndihmuar edhe nga fondet e qeverisë, Shoqata e Industrisë së Fuzionit thotë se janë tashmë mbi 6 miliardë dollarë financime në sektorin privat për kompanitë e reja në fushën e energjisë nga fuzioni.

 

voa

Sonda indiane ulet në polin jugor të hënës

Sonda IndianeMë 23 gusht India u bë vendi i parë që uli një sondë robotike pa pilot në polin jugor të hënës. Ekspertët thonë se misioni shënon një moment historik në përpjekjet e Indisë për të dalë në vijën e parë të eksplorimit të hapësirës.

 

Ulja e sondës së Indisë në polin jugor të hënës u shoqërua me duartrokitje, vendi i parë që arrin në këtë rajon.

“Realizuam një ulje të butë në hënë. India është në hënë”, tha kreu i Organizatës Indiane të Kërkimeve Hapësinore, Sreedhara Somanath.

Mëngjesin pas zbritjes në hënë, një rover robotik doli nga sonda për të matur terrenin e thyer dhe të paeksploruar të polit jugor, gjatë dy javëve të ardhshme. Ky është objektivi tjetër kritik i misionit Chandrayaan-3.

“Këto eksperimente, këto instrumente do të realizojnë arritje të reja shkencore”, thotë Chaitanya Giri, shkencëtar i hapësirës në Universitetin Flame.

Ndërsa është rritur interesi për të eksploruar hënën, me synimin për të shfrytëzuar burimet natyrore, shkencëtarët po përpiqen të konfirmojnë praninë e ujit në hënë.

“Prania e ujit ose akullit në polin e jugut është premtuese. Nëse njerëzit do të shkonin ndonjëherë, ky akull do të shkrihej dhe më pas do të përdorej për oksigjen dhe ujë për përdorim nga njeriu dhe për të prodhuar lëndë djegëse për udhëtimin e kthimit”, thotë shkencëtari Amitabha Ghosh.

Misioni po shihet si dëshmi e përparimeve teknologjike të Indisë – vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina kanë zbritur në hënë. Kjo është hera e parë që një sondë ulet në polin jomikpritës të jugut. Katër vjet më parë misioni i Indisë dështoi. Një javë më parë Rusia dështoi gjithashtu.

“Asnjë nga sondat hapësinore nuk është ulur në polet e trupave të sistemit diellor. Nuk kemi zbritur në polin jugor apo verior të Marsit, Venusit apo Titanit. Pra ky është eksploruesi i parë polar i çdo lloji”, thotë Chaitanya Giri, shkencëtar i hapësirës në Universitetin Flame.

Arritja e një uljeje të butë është aftësi kyçe që mund të hapë rrugën për misione më ambicioze në të ardhmen.

“Krijon besim për të hartuar plane jo vetëm për të shkuar në hënë dhe Mars dhe ulur në planetin e kuq, por në të ardhmen për të shkuar në planetin Afërditë dhe planete të tjera”, thotë kreu i Organizatës Indiane të Kërkimeve Hapësinore Sreedhara Somanath.

Tashmë janë planifikuar disa misione. Muajin e ardhshëm do të nisë një mision për të studiuar diellin dhe një tjetër mision me njerëz në hapësirë. Shkencëtarët thonë se programi hapësinor i Indisë ka bërë përparime të rëndësishme në një hark kohor relativisht të shkurtër. India u bë vendi i parë aziatik që dërgoi një sondë në orbitën e Marsit një dekadë më parë. Ky është misioni i tretë i Indisë drejt hënës.

 

voa

Nuk i ngjan njeriut, kafka 300 mijë vjeçare e gjetur në Kinë mund të rishkruajë historinë e evolucionit tonë

KafkaNjë kafkë e lashtë po i befason shkencëtarët që e studiuan, sepse duket ndryshe nga çdo paraardhës i njohur i njeriut.

 

Kafka misterioze 300,000-vjeçare e një fëmije rreth 12 ose 13 vjeç u zbulua për herë të parë në Hualongdong në Kinën Lindore në vitin 2019, së bashku me një kockë këmbe.

Studiuesit mendojnë se individi, i njohur vetëm si ‘HDL 6’, është një përzierje midis njerëzve modernë dhe një hominine të panjohur që ekzistonte në Kinë në atë kohë, raportoi Science Alert të hënën.

Kafka ka tipare të fytyrës që janë të ngjashme me njerëzit e hershëm modernë, të cilat shkencëtarët mendojnë se filluan të degëzohen nga një paraardhës tjetër i njeriut i njohur si Homo Erectus diku midis 550,000 dhe 750,000 vjet më parë .

Por gjymtyrët e saj, kapaku i kafkës dhe mjekra e prerë “duket se pasqyrojnë tipare më primitive”, shkroi Xiujie Wu, një paleontolog nga Akademia Kineze e Shkencave në një analizë të eshtrave të botuar më 31 korrik.

Këto tipare janë më afër strukturës së fytyrës së një ‘Denisovan’ , një degë tashmë e zhdukur e homininëve të Azisë Lindore që u nda nga Neandertalët rreth 400,000 vjet më parë.

Kjo formë e çuditshme e kafkës “nuk është regjistruar kurrë në grumbullimet fosile të homininëve të Pleistocenit të Mesëm në Azinë Lindore”, thanë shkencëtarët në një analizë të fundit.

Nëse është një paraardhës i pazbuluar i njeriut, kjo gjetje mund të rishkruajë historinë e evolucionit njerëzor.

Historia njerëzore është më e komplikuar nga sa mendonim

Kjo nuk është hera e parë që mbetjet njerëzore kanë tronditur rrugën e pastër evolucionare që mendohet deri te njerëzit.

Shumë prej nesh dimë se Homo sapiens doli nga Homo Erectus në Afrikën Sub-Sahariane rreth 200,000 vjet më parë.

Por realiteti duket se është shumë më i çrregullt. Fosilet arkaike të Homo sapienit shpesh mbartin një përzierje të strukturave të vjetra të fytyrës dhe tipareve moderne, kështu që afati kohor është pak më i komplikuar nga sa e kanë librat shkollorë.

Pëe shembull, për mbetjet e gjetura në Marok në vitin 2017 nga rreth 300,000 vjet më parë me tipare të ngjashme me Homo sapien, sugjeronin se njerëzit mund të ishin shfaqur shumë më herët sesa mendohej më parë.

Gjetjet e fundit të mbetjeve njerëzore arkaike në Izrael dhe Greqi, që datojnë rreth 200,000 vjet më parë, sugjeruan gjithashtu se paraardhësit njerëzorë mund të ishin larguar nga Afrika shumë më herët sesa mendohej më parë.

Ekzistojnë gjithashtu prova paleontologjike dhe gjenetike që sugjerojnë se njerëzit e lashtë janë ndërthurur me Neandertalët dhe Denisovanët, kushërinjtë e tyre, duke i komplikuar më tej linjat e gjakut.

Nëse vërtetohet se janë të sakta, gjetjet e Azisë Lindore mund të shtojnë një degë tjetër të “shembullit pre sapiens”, duke sjellë më shumë njohuri për pemën njerëzore të jetës.

 

Top Channel

Fordi elektrik ul çmimin, thellon betejën me Teslën

TeslaFirma Ford ka thelluar luftën e çmimeve në tregun e makinave elektrike, ndërsa uli çmimin e makinës së tipit F-150 Lightning. Gjigandi amerikan po synon të shtojë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar prej vitesh nga firma Tesla.

 

Kompania Ford ka ulur çmimin e makinës së saj elektrike të modelit F-150 Lightning me rreth 17%, duke thelluar luftën e çmimeve me firmën Tesla. Kompania me qendër në Detroit shpreson të rrisë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar nga Tesla gjatë dekadës së fundit.

Vendimi vjen pak ditë pasi firma Tesla njoftoi se kishte prodhuar në fabrikën e saj në Austin makinën e parë për linjën e prodhimit të modelit Cybertruk, për të cilën ka vite që flitet.

Muaj më parë, Tesla filloi uljen e çmimeve të disa modeleve, duke çuar në rënien e shitjeve të makinave elektrike të kompanive të tjera. Tre muajt e fundit shitjet e makinave elektrike të Fordit ranë 2.8%. Tesla njoftoi rritjen e shitjeve në tremujorin e dytë.

Në fillim të vitit Fordi rriti çmimin e modelit elektrik F-150. Aktualisht firma Ford thotë se ulja e çmimit vjen si rezultat i përmirësimeve në fushën e prodhimit dhe rënies së kostos së lëndës së parë për prodhimin e baterive.

Fordi planifikon të trefishojë prodhimin e modelit Lightning në 150,000 automjete në vit. Çmimi i modelit bazë do të bjerë në rreth 50 mijë dollarë, ndërsa modeli më i plotë do të kushtojë rreth 92 mijë dollarë.

voa

Inteligjenca Artificiale ekspozon nevojën e balancës mes inovacionit dhe rreziqeve

AIShtatë kompanitë më të mëdha të teknologjisë së fundmi ranë dakord të përmbushin një sërë masash kontrolli jodetyruese të propozuara nga Presidenti Joe Biden për të zhvilluar teknologjitë e tyre të inteligjencës artificiale në një mënyrë të sigurt dhe transparente. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh i hedh një vështirim parimeve me të cilat këto kompani kanë rënë dakord. Por sa realiste janë zotimet e tyre?

 

“Kompanitë e kanë për detyrë të sigurohen që teknologjia e tyre të jetë e sigurt, përpara se t’ia vënë në dispozicion publikut”.

Kjo ishte një nga kërkesat kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden për kompanitë që po zhvillojnë projekte me Inteligjencë Artificiale.

Gjigantët e teknologjisë Amazon, Google, Meta dhe Microsoft janë pjesë e një grupi prej shtatë kompanish që premtuan të zbatojnë masat mbrojtëse të Inteligjencës Artificiale të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë.

“Ky angazhim, të cilin kompanitë do ta zbatojnë menjëherë, kanë si bazë parimet themelore: siguri dhe besim”, thotë presidenti Biden.

Disa nga parimet që kompanitë janë zotuar t’i zbatojnë janë mjaft praktike, thotë David Broniatowski profesor në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin ‘George Washington’.

“Për shembull, zbatimi i vendosjes së shenjave identifikuese në projektet e mëdha si ChatGPT është lehtësisht i realizueshëm. Këto shenja ndër të tjera do të ndihmonin njerëzit që të kuptonin nëse lajmet që shohin në internet janë prej një burimi të saktë apo prej një burimi pak të besueshëm”, thotë profesor David Broniatowski nga Universiteti ‘George Washington’.

Katër gjigantët e teknologjisë, së bashku me krijuesin e projekteve të Inteligjencës Artificiale ‘ChatGPT’, ‘OpenAI’ dhe kompanitë e reja si ‘Anthropic’ dhe ‘Inflection’, janë zotuar se do të pranojnë që verifikimi i sigurisë së projekteve të tyre të kryhet pjesërisht nga ekspertë të pavarur. Kjo do bëhet me qëllim për t’u mbrojtur nga rreziqet kryesore, përfshirë biosigurinë dhe sigurinë kibernetike, tha Shtëpia e Bardhë.

Kompanitë e mëdha dhe ato më të vogla të teknologjisë do të duhet të gjejnë balancën mes rrezikut dhe inovacionit në lidhje me Inteligjencën Artificiale.

“Ne nuk mund ta lëmë zhvillimin e inteligjencës artificiale të kontrollohet vetëm nga sektori privat”, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë së re teknologjike ‘Anthropic’, Jack Clark.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Qeveritë e botës duhet të bashkohen, të zhvillojnë kapacitetet shtetërore dhe ta bëjnë zhvillimin e sistemeve të fuqishme të Inteligjencës Artificiale një përpjekje të përbashkët në të gjitha pjesët e shoqërisë, në vend që të diktohet vetëm nga një numër i vogël firmash që konkurrojnë me njëra-tjetrën në treg”, tha më tej zoti Clark.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë angazhohet për avancimin e teknologjisë së përgjegjshme të Inteligjencës Artificiale në SHBA, administrata e presidentit Biden thotë se do të bashkëpunojë gjithashtu me partnerët e saj ndërkombëtarë për një kornizë të përbashkët për të zbatuar rregulla për zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

voa

Aplikacioni për të verbrit pajiset me programin e intelegjencës artificiale “ChatGPT”

AIProgrami i inteligjencës artificiale “ChatGPT” po përdoret tani për të ndihmuar të verbrit. Teknologjia e inteligjencës artificiale është lidhur me një aplikacion të telefonave inteligjentë që ndihmon të verbërit dhe përdoruesit mund ta shfrytëzojnë atë për t’i përshkruar fotot me detaje të shkëlqyera. Ndonëse programi është në fazat e para të testimit, të verbrit, që po e përdorin atë, shpresojnë që ai do t’i ndihmojë ata të jenë më të pavarur.

 

Jesper Holten lindi tre muaj para kohe, gjë që shkaktoi dëmtimin e retinës së tij. Ai tani është tërësisht i verbër.

Kur është vetëm dhe ka nevojë për ndihmë, ai përdor aplikacionin “Be My Eyes”, i cili lidh njerëzit e verbër ose me shikim të dëmtuar me vullnetarë nëpërmjet video-telefonatave.

“E përdori aplikacionin në situata të përditshme, si në rastet kur jam duke gatuar dhe dua t’i hedh një sy kanaçeve me ushqime për ta kuptuar më mirë se çfarë përmbajnë ato”, thotë ai.

Tani, aplikacioni “Be My Eyes” është përmirësuar dhe fuqizuar me teknologjinë e inteligjencës artificiale, falë programit të ri ChatGPT, i cili i shpjegon imazhet me fjalë.

Përdoruesit mund të dërgojnë foto përmes aplikacionit tek një “Vullnetar Virtual”, i kontrolluar nga inteligjenca artificiale, i cili ofron identifikim pothuajse të menjëhershëm të imazheve.

Ata madje mund të shtojnë pyetje pasuese, si “Sa kohë duhet për të gatuar këto makarona?”

Nëse një përdorues dërgon një fotografi të brendësisë së frigoriferit të tij, “Vullnetari Virtual” mund të identifikojë se çfarë ka në të dhe gjithashtu të sugjerojë se çfarë mund të gatuhet me këta përbërës.

“Unë shoh një potencial që njerëzit të kenë më shumë pavarësi me ndihmën e këtij programi”, thotë zoti Holten, i cili po teston një version më të hershëm të “Vullnetarit Virtual” që nga marsi i këtij viti.

Aplikacioni “Be My Eyes”, i krijuar në vitin 2015, tani përdoret nga gati 500 mijë persona të verbër dhe 6.4 milionë vullnetarë që i ndihmojnë ata. Aplikacioni mund të ofrojë ndihmë në rreth 180 gjuhë të ndryshme.

Themeluesi i aplikacionit “Be My Eyes”, Hans Jørgen Wiberg thotë se “OpenAI” iu afrua atij në fillim të shkurtit për të ndihmuar në vënien në funksion të programit, që i shpjegon në mënyrë automatike imazhet me fjalë.

“Ata janë mahnitur nga ajo që kjo teknologji mund të përshkruajë. Ky program me teknologji të inteligjencës artificiale përshkruan në detaje atë që sheh”, thotë zoti Wiberg, cili është gjithashtu me shikim të dëmtuar.

Për momentin, “Vullnetari Virtual” është ende në fazën e testimit dhe nuk është i disponueshëm për përdorim të gjerë.

Zoti Holten shpreson se inteligjenca artificiale mund ta ndihmojë atë të eksplorojë vende të reja në mënyrë të pavarur.

“Unë dua të kem një nivel më të lartë besimi të lëvizjes në hapësirat e panjohura. Do të ishte një gjë shumë e mirë, nëse teknologjia e inteligjencës artificiale do të më ndihmonte ta arrijë këtë”, thotë ai.

voa

Shkencëtarët dhe rregullatorët duan të eliminojnë kimikatet me efekt të përhershëm

kimikatetQeveria amerikane dhe ligjvënësit e shteteve amerikane po shtojnë përpjekjet për të kufizuar përdorimin e kimikateve helmuese, të njohura si PFAS (lexohet Pi-Fas) në produktet e përditshme si dhe për të vendosur kufij të pranisë së tyre në ujin e pijshëm. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, shkencëtarët po shkojnë një hap më tej duke shqyrtuar mënyrat për të eliminuar plotësisht të ashtuquajturat “kimikate me efekt të përhershëm”.

 

PFAS janë kimikate sintetike që shihen vetëm me mikroskop.

Meqenëse janë rezistente ndaj nxehtësisë, vajit dhe ujit, ato përdoren në produktet e përditshme, si veshjet rezistuese ndaj ujit dhe tiganët ku ushqimet nuk ngjiten. Por ato janë gjithnjë e më shumë të lidhura me problemet shëndetësore, përfshirë kancerin.

Prandaj, ka një nxitim për t’i eliminuar gradualisht të gjitha llojet e PFAS-it, thotë profesori i fizikës Graham Peaslee.

“Ka përpjekje për regullimin e tyre, që po shqyrtohen nga disa legjislacione shtetërore dhe industria po përgjigjet. Ndryshimi ka kosto, por është shumë më pak i kushtueshëm sesa paditë që do të pasonin nëse nuk do ta bënin këtë”, thotë Graham Peaslee nga Universiteti Notre Dame.

Meqenëse kimikatet toksike transportohen lehtësisht edhe nga uji….Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në mars propozoi një standard mbarëkombëtar mbrojtës shëndetësor për gjashtë lloje të PFAS-eve në ujin e pijshëm.

Kjo agjenci pret ta miratojë rregulloren deri në fund të vitit 2023.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit tha se pas miratimit, deri në 6,300 ndërmarrje publike të furnizmit me ujë do të kenë tre vjet afat për të zbatuar standardet e reja. Agjencia tha gjithashtu se këto masa do të zvogëlojnë rrezikun nga PFAS-et për afro 100 milionë amerikanë.

Komuniteti shkencor nuk po rri duarkryq. Në Universitetin Shtetëror të Arizonës, profesori i inxhinierisë mjedisore Bruce Rittmann po punon për përshtatjen e teknologjisë ekzistuese për të shkatërruar lidhjen e fortë midis elementëve kimikë të karbonit dhe fluorit, që pengon PFAS-et të shpërbëhet lehtësisht në mjedis. Kjo lidhje e fortë e dy elementëve është arsyeja pse ato quhen “kimikate me efekt të përhershëm”.

“Ne përdorim hidrogjenin si burim elektronesh, përdorim një katalizator dhe më pas fillojmë t’i shkatërrojmë atomet e fluorit dhe kështu këto molekula shpërbëhen dhe më pas bakteriet përfundojnë procesin e shndërrimit të tyre në elementë të padëmshëm”, thotë Bruce Rittman nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Në Kanada, profesori Madjid Mohseni ka ndërtuar një sistem të ri filtrimi, ai shpreson ta sjellë së shpejti në SHBA për zbatim.

“Kjo jo vetëm që mund të kapë të gjitha llojet e PFAS-eve por edhe mund t’i kthejë ato në materiale të riciklueshme”, thotë Madjid Mohseni nga Universiteti ‘British Columbia’.

Publiku, megjithatë, është i shqetësuar se përpjekjet për të zgjidhur ndotjen nga elementët PFAS në ujë dhe produkte të përditshme nuk po ecin shpejt, thotë Erin Reilly nga Shoqata jofitimprurëse “James River” në Virxhinia.

“Nuk i takon konsumatorit që të jetë në gjendje të mbrojë veten. Ajo që duhet të bëjmë është të nxjerrim rregulla se ku mund të përdoren këto kimikate, si mund të përdoren dhe çfarë etiketimi duhet të kenë”, thotë Erin Reilly nga Shoqata ‘James River’.

Shoqata Amerikane e Veshmbathjeve dhe Këpucëve dhe Këshilli i Produkteve të Kujdesit Personal përfshin firma që prodhojnë artikuj që përmbajnë PFAS. Ato i thanë Zërit të Amerikës se anëtarët e tyre janë të përkushtuar të heqin dorë nga përdorimi i qëllimshëm i PFAS-eve dhe të përdorin teknologji të reja dhe të sigurta.

voa

Modele embrionësh për të kuptuar fillimet e jetës

EmbrioniShkencëtarët kanë krijuar modele embrionësh për t’i ndihmuar në studimin e mistereve të fazave të hershme të zhvillimit njerëzor, të problemeve mjekësore që ndodhin përpara lindjes dhe arsyet përse dështojnë shumë shtatëzani. Këto modele krijohen nga qeliza staminale, dhe jo nga vezët dhe sperma, dhe nuk munden të rriten më tej për t’u bërë foshnje.

 

Lajmi se shkencëtarët mund të prodhojnë formën më të hershme të jetës së njeriut në kushte laboratorike ka shkaktuar përshtjellim në mbarë botën.

Kjo u njoftua për herë të parë gjatë një fjalimi më 14 qershor në Boston të profesores Magdalena Zerinka-Goetz, në takimin vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare për Studimin e Qelizave Staminale. Në atë periudhë, studimi nuk i ishte nënshtruar ende oponencës shkencore.

Zonja Zerinka-Goetz bashkëpunon me Universitetin e Kembrixhit dhe Institutin e Kalifornisë për Teknologjinë. Tashmë studimi i saj është publikuar në revistën shkencore “Nature”, së bashku me një studim tjetër nga shkencëtarët e Universitetit Jeill në Shtetet e Bashkuara. Të dy studimet arritën të prodhojnë embrionë 14-ditësh nga qeliza staminale njerëzore. Modelet përfaqësojnë fazën menjëherë pas krijimit të embrionit, kur është i vështirë studimi i tij. Teknikat e dy ekipeve mjekësore variojnë. Ekipi i Kembrixhit p.sh., përdori qeliza burimore të modifikuara paraprakisht. Gjithashtu, shkencëtarë të tjerë në Izrael dhe në Kinë kanë publikuar studimet e tyre këtë muaj.

Profesorja Zerinka-Goetz shpjegoi gjatë një konference në Los Anxhelos sfidat më të mëdha me të cilat përballet ekipi i saj në krijimin e një modeli që imiton plotësisht embrionin njerëzor.

“Do të donim gjithashtu ta përmirësonim modelin tonë pasi megjithëse shohim nga një anë sa i mrekullueshëm është, dimë se ka disa aspekte që nuk imitojnë plotësisht një embrion të vërtetë njerëzor. Pra po mendohemi se si ta përmirësojmë dhe kjo është diçka për të cilën po vazhdohet të punohet dhe nuk flasim dot për detajet. Por, sigurisht nëse zbulojmë një ide apo mënyrë për ta realizuar, atëherë do ta raportojmë sërish”, tha ajo.

Dy modelet e Kembrixhit dhe Kalifornisë imitojnë zhvillimin deri në 14 ditë pas fertilizimit. Modeli përmban qeliza embrionale që vazhdojnë të prodhojnë struktura përreth embrionit, si p.sh. placentën. Modeli i ekipit të Jeillit fillon t’i ngjasojë embrionit njerëzor gjatë periudhës 9-14 ditë pas fertilizimit.

“Këto janë struktura që vijnë nga qeliza staminale të rritura në laborator dhe të vendosura së bashku në mënyra që inkurajojnë krijimin e formacioneve të ngjashme me embrionët. Pra ato imitojnë organizimin e embrionëve dhe fillojnë të sillen në njëfarë mënyre si embrionët. Këtu përqëndrohet puna kërkimore, për të kuptuar se si ndodh vërtet, se çfarë duhet bërë për të mbështetur ndërveprimin për krijimin e embrionëve dhe duke e bërë këtë të kuptojmë më shumë rreth zhvillimit të hershëm, qoftë tek kafshët apo tek njerëzit”, thotë Dr. James Briscoe, shkencëtar në Qendrën kërkimore “Francis Crick” në Londër.

Dr. Briscoe mendon se kjo lloj pune kërkimore mund të shpjegojë në të ardhmen se përse ndodh dështimi i shtatëzanisë.

Edhe Jacob Hanna, nga Instituti i Shkencave “Weizmann” në Izrael, thotë se puna e tyre studimore gjithashtu imiton embrionin deri në ditën e 14-të pas fertilizimit. Ai thotë se kjo punë kërkimore është e domosdoshme, pasi nuk ka mënyrë tjetër për të kuptuar sjelljen e embrionit në fazat e hershme.

“Po bëhet një përpjekje e madhe në kërkimin shkencor se si mund të arrijmë nga qelizat staminale në organet që na duhen për të imituar embrionin njerëzor. Pengesa e madhe ka qenë se nuk kemi qasje tek zhvillimi embrional që nga dita e shtatë dhe deri tek dita e 28-të, për shkak se është fazë tepër e hershme e shtatëzanisë. Madje zakonisht gratë as nuk e dinë që janë shtatzëna. Ka edhe shumë probleme etike dhe teknike në marrjen e të dhënave të tilla”, thotë profesor Hanna.

Avantazhi tjetër është se duke qenë se modelet nuk janë embrionë të vërtetë, nuk ekzistojnë kufizime ligjore ndaj tyre. Në të ardhmen, ato mund të përdoren edhe për të eksploruar efektet nga mjedisi dhe kimikatet në zhvillimin e hershëm të embrionëve.

voa