Kategoritë: Shkenca

Meta shton masat e mbikëqyrjes nga prindërit për llogaritë e fëmijëve në Facebook, Instagram

METAKompania Meta, e cila zotëron Facebook-un dhe Instagram-in, po shton disa masa sigurie që i lejon prindërit të mbikëqyrin dhe kufizojnë qasjen e fëmijëve në platforma.

 

Masat pasojnë kritikat ndaj mediave sociale lidhur me ndikimin e tyre tek shëndeti mendor mes adoleshentëve. Por shumë nga përmirësimet kërkojnë miratimin nga të miturit dhe prindërit e tyre, duke ngritur pikëpyetje se sa efektive janë.

Instagrami tani do t’u dërgojë një njoftim adoleshentëve pasi ata bllokojnë dikë, duke i inkurajuar që t’i lënë prindërit të “mbikëqyrin” llogaritë e tyre. Ideja është që të tërheqin vëmendjen e fëmijëve për të qënë më të hapur ndaj mbikëqyrjes së llogarive nga prindërit e tyre.

Nëse një adoleshent pranon kushtet e medias sociale, sistemi do t’i lejojë prindërit që të vendosin kufij kohorë, të shohin se kush i ndjek ose ndiqet nga fëmija i tyre dhe do t’i lejojë ata të shohin se sa kohë shpenzon fëmija në Instagram. Por sistemi nuk i lejon prindërit që të shohin përmbajtjen e mesazheve.

Kompania Meta thotë se qëllimi është “balancimi i sigurisë dhe autonomisë” tek adoleshentët si dhe nxitja e debatit mes prindëve dhe fëmijëve të tyre.

Nëse fëmija ndiqet në rrjet nga dikush jashtë rrethit të miqve të tij, kjo gjë mund të grejë alarmin se individi është i panjohur për të përtej botës virtuale.

Jim Steyer me firmën “Common Sense Media” thotë se masat janë kamuflazh.

“Asnjë nga këto veçori të reja nuk adreson ndikimin negativ që ka modeli i tyre i biznesit në mirëqenien e fëmijëve, përfshirë shëndetin e tyre mendor. Kemi nevojë për ligje kombëtare të privatësisë për të mbrojtur fëmijët”, tha zoti Steyer përmes një deklarate.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, Vivek Murthy paralajmëroi muajin e kaluar se nuk ka prova të mjaftueshme për të treguar se mediat sociale janë të sigurta për fëmijët dhe adoleshentët dhe u bëri thirrje kompanive të teknologjisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të mbrojtur fëmijët.

Zoti Murthy tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se ndërsa ai e pranon që kompanitë e mediave sociale kanë ndërmarrë disa hapa për t’i bërë platformat e tyre më të sigurta, këto veprime nuk janë të mjaftueshme.

Gjithashtu duke filluar nga e marta, kompania Meta do t’i inkurajojë – por jo t’i detyrojë fëmijët që të mbyllin Facebook-un për disa minuta, sikurse veprom tashmë Instagrami. Pas 20 minutash qasje, përdoruesit adoleshentë do të marrin një njoftim për ta mbyllur aplikacionin, por mund ta injorojnë këshillën duke e mbyllur njoftimin. voa

Parlamenti Evropian miraton ligjin mbi përdorimin e inteligjencës artificiale

PEParlamenti Evropian, me 499 vota pro dhe 28 kundër, miratoi sot ligjin për inteligjencën artificiale, i cili vendos kufizime mbi mënyrën se si mund të përdoret kjo teknologji nga kompanitë dhe forcat e zbatimit të ligjit.

 

Ligji i klasifikon sistemet e inteligjencës artificiale bazuar në katër nivele rreziku, nga ai minimal deri tek niveli i papranueshëm. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare po shqyrton mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në identifikimin e mallrave të prodhuara me ndihmën e fëmijëve dhe me punë të detyruar

Ligji i miratuar nga Parlamenti Evropian i klasifikon sistemet e inteligjencës artificiale bazuar në katër nivele rreziku, nga ai minimal deri tek niveli i papranueshëm. Një nga amendamentet e debatuara të tij që do t’i jepte mundësinë policisë të mblidhte të dhëna biometrike në kohë reale, u hodh poshtë.

Sipas ligjit, për përdorimin e inteligjencës artificiale në situata me rrezik më të lartë, si për të vënë shënjestër fëmijët, kompanitë do të përballen me rregulla më të forta, përfshirë një nivel më të lartë transparence dhe përdorim më të saktë të të dhënave.

Për shkeljen e këtij ligji kompanitë mund të gjobiten me një shumë që mund të arrijë deri në 33 milionë dollarë ose 6 për qind të të ardhurave të tyre vjetore, që në rastin e kompanive teknologjike si Google dhe Microsoft mund të arrijë deri në miliarda dollarë. Ligji ndalon përdorimin e programeve të identifikimit të njerëzve në hapësirat publike.

Në Shtetet e Bashkuara, Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas ka themeluar një grup të ri pune për të eksploruar mënyrat se si inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në zbulimin dhe parandalimin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar nga hyrja në Shtetet e Bashkuara. Kjo përpjekje vjen si përgjigje ndaj shqetësimit se çdo vit miliona njerëz në mbarë botën detyrohen të punojnë në kushte të rënda pune, përfshirë 160 milionë fëmijë nga mosha 5 deri në 17 vjeç, sipas shifrave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe UNICEF-it.

“Ne do të përpiqemi të përdorim inteligjencën artificiale për të kontrolluar më mirë ngarkesat, për të identifikuar importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar dhe për të menaxhuar rrezikun”, tha ai.

Trajtimi i problemit tek burimi i tij do të ishte një ndihmë e madhe, thotë Thea Lee, zëvendëssekretare e Departamentit amerikan të Punës për Çështjet Ndërkombëtare.

“Për shembull, vëzhgimi i procesit të nxjerrjes së kobaltit në Republikën Demokratike të Kongos, që eksportohet në Kinë, ku përdoret për prodhimin e baterive të makinave elektrike, të cilat mund t’i gjeni edhe në makinat elektrike që qarkullojnë në Shtetet e Bashkuara”, thotë ajo.

Ndërsa inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme, ekspertët paralajmërojnë se ajo nuk është ende e pagabueshme dhe duhet të përdoret me kujdes.

“Unë e di që inteligjenca artificiale duhet të mësojë mjedisin në të cilin vepron. Nëse kjo teknologji përpiqet të mësojë një terren si Kina, ku marrja e informacionit të saktë është punë e vështirë, kush do ta vërtetojë se informacioni që mësohet nga inteligjenca artificiale është në fakt i saktë?”, tha për Zërin e Amerikës Allen Gina, ish-ndihmës Komisioneri amerikan për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit.

Ajo që nevojitet përveç teknologjisë është vullneti, thotë Thea Lee.

“Ne kemi nevojë që qeveritë dhe kompanitë të jenë të gatshme të ndërmarrin hapa për të rregulluar me ligj përdorimin e inteligjencës artificiale”, thotë zonja Lee.

Grupi i punës pritet t’ia paraqesë përfundimet e veta Departamentit të Sigurisë Kombëtare në muajt e ardhshëm. voa

A po nxitohemi me inteligjencën artificiale?

AISistemet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT-4, Bard, dhe Baidu, po përhapen me shpejtësi në të gjithën botën e internetit. Ekspertët dhe autoritetet po shqyrtojnë ndërkohë nëse do të duhet një kuadër ligjor për të qeverisur prodhimin e inteligjencës artificiale dhe për të shmangur kështu rreziqet e mundshme që e shoqërojnë atë.

 

ChatGPT prodhon tekst duke bërë parashikime se cilat fjalë do t’i përgjigjeshin më mirë një pyetjeje, bazuar në ato çfarë ka përvetësuar nga një volum i madh tekstesh nga veprat e shkruara.

“Teknologjia e madhe që ka befasuar botën janë të ashtuquajturat modelet e mëdha të gjuhëve. ChatGPT dhe Bard janë ndër shembujt e modeleve të mëdha të gjuhëve. Mënyra se si funksionojnë ato është vërtet e thjeshtë. Ato veprojnë pikërisht siç vepron celulari juaj kur filloni të shkruani një mesazh, p.sh. ‘ku gjenden…’ dhe në vazhdim celulari ju sugjeron se si ta vazhdoni fjalinë”, shpjegon profesor Michael Wooldridge, nga Universiteti i Oksfordit.

Shpeshherë imazhet që shohim mund të jenë krijuar me mjete të sofistikuara të inteligjencës artificiale dhe mund të mos jenë të vërteta, si përleshja fiktive mes ish-Presidentit Donald Trump dhe oficerëve të policisë së Nju Jorkut.

“Kjo teknologji është shumë, shumë e mirë për të krijuar histori false. Në fund të fundit, qëllimi i kësaj teknologjie është që të prodhohet tekst që të tingëllojë i vërtetë. Dhe një nga mënyrat që mund të përdoret në mënyrë të paskrupullt është për të industrializuar prodhimin e historive false”, thotë Profesor Wooldridge.

A mos veprojnë me shpejtësi të nxituar kompanitë që nxjerrin këtë teknologji të inteligjencës artificiale, që një ditë mund t’ua kalojë njerëzve? Kështu mendojnë një grup shkencëtarësh të rëndësishëm të shkencave kompjuterike, si dhe personalitete si Elon Musk, apo bashkëthemeluesi i kompanisë Apple, Steve Wozniak, të cilët kanë bërë thirrje për një pauzë 6-mujore. Thirrja e tyre u bë pasi kompania nga San Françisko “Open AI”, nxori variantin 4, të programit të saj të inteligjencës artificiale ChatGPT, i cili ndezi një garë mes gjigandëve Microsoft dhe Google për të prodhuar programe të tilla.

Italia ndërkohë ka ndaluar programin e inteligjencës artificiale ChatGPT dhe po heton për shkelje të mundshme të rregullave të rrepta të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave.

“Pikë së pari, nuk ekziston një bazë ligjore për të mbledhur të dhëna pa leje nga interneti. Dhe së dyti, rezultatet nuk do të jenë të garantuara si të vërteta dhe të sakta. Pra mund të dalin rezultate të pasakta për individët”, thotë Profesor Nello Cristianini, nga Universiteti i Bathit.

Kompania amerikane OpenAI, ndali qasjen e përdoruesve italianë tek programi ChatGPT, pas kërkesës së qeverisë italiane, dhe mendon se praktikat e saj janë në përputhje me ligjet evropiane të privatësisë.

Disa qeveri po përpiqen të hartojnë legjislacion për mjetet e inteligjencës artificiale. Britania publikoi një dokument ku paraqet përqasjen e saj, dhe në Bashkimin Evropian po negociohet miratimi i rregullave gjithëpërfshirëse për inteligjencën artificiale. Administrata e Presidentit Biden kërkon masa më të forta për të testuar sigurinë e mjeteve të inteligjencës artificiale përpara se ato të bëhen të disponueshme për publikun.

“Na duhet ndoshta sistem rregullator. Duhet që njerëzit që i nxjerrin këto produkte të jenë vërtet të kujdesshëm se si i nxjerrin dhe për çfarë i reklamojnë ato. Duhet që edhe ne si përdorues të jemi të kujdesshëm dhe të sigurohemi që nuk u besojmë sistemeve më shumë se ç’duhet”, thotë Anthony Cohen, profesor për arsyetimin e automatizuar, në Universitetin Leeds.

Teknologjia e inteligjencës artificiale po ndërthuret tashmë gjithnjë e më shumë me jetën tonë të përditshme. Dy media në Kuvajt, “Kuwait News” dhe “Kuwait Times”, paraqitën prezantuesen e tyre të parë virtuale, të krijuar nga inteligjenca artificiale. Asaj i është dhënë emri popullor arab Fedha, që përkthehet argjend, dhe ajo shfaqet në ekran për të informuar shikuesit.

voa

Ja pse flluskat e shampanjës ngjiten lart, në vijë të drejtë

shampanjaA e keni vënë re ndonjëherë që flluskat, në një gotë shampanje ngjiten lart, në vijë të drejtë? E njëjta gjë nuk ndodh me birrën, apo dhe pije të tjera të gazuara, ku flluskat shpërndahen në mënyrë të çrregullt. Eksperë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë tashmë një përgjigje për këtë. Studimi u publikua më 5 maj në revistën shkencore ‘Physical Review Fluids’, një botim i Shoqatës Amerikane të Fizikantëve.

 

 

 

Një gotë shampanjë është zgjedhja perfekte për çdo festë. Sikurse në ‘Searcys’ një lokal që ofron shampanjë në Londër. Por jo të gjithë mund t’i vënë re cilësitë e veçanta të këtyre pijeve të gazuara, cilësi të cilat kanë magjepsur shkencëtarët.

Ata prej kohësh ishin përpjekur të kuptonin se pse flluskat e shampanjës ngrihen lart në një vijë të drejtë, ndërsa ato të birrës, ose tek pije të tjera të gazuara, ngrihen në mënyrë të çrregullt. Dhe më në fund, ata kanë një përgjigje për këtë.

“Ka diçka brenda shampanjës, në vetë lëngun që ndikon në lëvizjen e flluskave. Pra, ajo që zbuluam është se ka këto molekula që ndodhen në sipërfaqen e flluskave dhe ato, në rastin e shampanjës qëllojnë të jenë edhe pjesa më e mirë e saj, pasi janë molekulat që prodhojnë shijen e saj”.

Siç shpjegon eksperti kryesor i këtij studimi profesor Roberto Zenit, jo të gjitha flluskat në pijet e gazuara, sillen në të njëjtën mënyrë.

Tek birra, flluskat shkojnë në të gjitha drejtimet.

“Birra sigurisht që ka një shije të ndryshme, përbërje të ndryshme dhe një origjinë krejt ndryshme nga vera e gazuar, kështu që në atë rast ato molekula, janë të një lloji tjetër, ato janë proteina që janë më të vogla të cilat ndonjëherë ngrihen në sipërfaqe, e ndonjëherë jo”.

Presioni që krijohet gjatë procesit të fermentimit lirohet menjëherë sapo hapet një shishe shampanje.

Por ka një arsye tjetër të rendësishme se pse lëvizja e flluskave në verën e gazuar, apo tek shampanja, ka përqendruar vëmendjen e shumë shkencëtarëve në mbarë botën. Zoti Zenit shpjegon se kjo po i ndihmon studiuesit të kuptojnë fizikën në botën natyrore, e si mund të zbatohet ajo për të ndihmuar shoqërinë njerëzore.

“Kjo është me rëndësi të madhe për të kuptuar shumë fenomene natyrore, si për shembull mënyrën se si ngrihen flluskat e metanit nga fundi i oqeanit”, thotë ai.

Por ndërsa janë përpjekur të kuptojnë shkencën pas flluskave, tek verërat e gazuara, shkencëtarët kanë shijuar edhe mostrat e përdorura për kërkimet e tyre në laborator.

“Po në fakt, disa nga eksperiment i bëmë me shampanjë e birrë, por vetëm disa gota për të treguar arsyen se pse flluskat ngjiten në këtë mënyrë në sipërfaqen e gotës”, thotë ai.

voa

 

A janë amerikanët gati për më shumë dërgesa me dronë?

droneDronët përdoren shpesh në luftë, në fushën e zbatimit të ligjit dhe në bujqësi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, tani gjithnjë e më shumë biznese amerikane po i përdorin dronët për të dërguar ushqime në shtëpitë e klientëve.

 

Diçka e pazakontë po ndodh në një lagje në periferi të një qyteti në Virxhinian lindore.

Artikujt ushqimorë po i dërgohen familjes Baugh me dron.

“Kemi fëmijë binjakë dhe kjo është shumë e përshtatshme për ne. Nuk kemi nevojë të shpenzojmë kohën shtesë për t’i ngarkuar ato në makinë”.

Chad Baugh e bëri porosinë në internet, nga një dyqan i kompanisë Walmart afër shtëpisë së tij. Walmart është një nga kompanitë më të mëdha të shitjeve me pakicë në Amerikë, e cila bëri më shumë se gjashtë mijë dërgesa me dron për klientët e saj vitin e kaluar.

“Dronët janë vërtet të efektshëm, të shpejtë dhe të dobishëm për disa operacione. Ata janë gjithashtu shumë të qëndrueshëm”, thotë Phillip Wallace, drejtor i kompanisë Walmart për Çështje të Qeverisë Federale.

Kompania përdor një shërbim të quajtur “DroneUp” për pjesën më të madhe të porosive të saj.

Shërbimet e dërgesave me dronë janë veçanërisht të përshtatshme për njerëzit që jetojnë në zonat rurale, të moshuarit dhe ata që kanë vështirësi të lëvizin.

Droni qëndron rreth 25 metra mbi tokë, një gjë e mirë për mbrojtjen e privatësisë dhe reduktimin e nivelit të zhurmës.

Por sfidat kryesore janë rregullat e forta të Administratës Federale të Aviacionit.

“Unë mendoj se Administrata Federale e Aviacionit ka bërë shumë për të avancuar teknologjinë e dronëve, por nuk është në ritmin e duhur për të ardhmen”, thotë Anthony Vittone, shef i operacioneve të shërbimit “DroneUp”.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Administrata Federale e Aviacionit tha se në shtator, do të kërkojë që dronët të transmetojnë informacionin e identifikimit në distancë, një hap i madh drejt mundësimit të menaxhimit të trafikut të mjeteve fluturuese pa pilot.

“Integrimi i dronëve është një temë e rëndësishme në Administratën Federale të Aviacionit. Ajo po zhvillon diskutime për çështjet si integrimi i dronëve në sistemet ekzistuese të kontrollit të trafikut ajror”, thotë Miriam McNabb, redaktore e DroneLife, e cila publikon të rejat e fundit për çështjet që kanë të bëjnë me dronët.

Ky është një lajm i mirë për konsumatorët.

“Unë mendoj se industria e avionëve pa pilot në të ardhmen do të jetë vërtet e dobishme për të gjithë. Ndërsa më shumë kompani ofrojnë shërbime në internet, ju do të jeni në gjendje t’i dërgoni produktet në shtëpinë tuaj më shpejt dhe në një mënyrë më të sigurt”, thotë Chad Baugh, klient i kompanisë Walmart.

voa

“Kumbari i inteligjencës artificiale” largohet nga Google, paralajmëron për rreziqet nga teknologjia

Artificial intelligence pioneer Geoffrey HintonArtificial intelligence pioneer Geoffrey Hinton speaks at the Thomson Reuters Financial and Risk Summit in Toronto, December 4, 2017. (REUTERS/Mark Blinch)

 

Alarmimi për inteligjencën artificiale po ndjehet kudo në epokën pas programit ChatGPT dhe shprehet madje nga personalitete si industrialisti Elon Musk, Noam Chomsky dhe ish-burri i shtetit tashmë në moshën 99 vjeçare Henry Kissinger. Vëmendje të veçantë kanë marrë shqetësimet e ekspertëve nga komuniteti i shkencëtarëve për inteligjencën artificiale. Një nga pionerët e kësaj shkence, i mbiquajtur “Kumbari i Inteligjencës Artificiale”, Geoffrey Hinton, dha dorëheqjen nga kompania Google, në mënyrë që të mund të fliste më hapur për rreziqet e teknologjisë që ai ndihmoi për ta krijuar.

 

Gjatë një karriere prej dekadash, puna novatore e zotit Hinton për të mësuarin dhe për rrjetet e neuroneve, ndihmoi në ngritjen e themeleve të pjesës më të madhe të teknologjisë artificiale që shohim sot.

Gjatë muajve të fundit ka patur një vërshim prezantimesh të teknologjive të reja artificiale.

Kompania me seli në San Françisko, OpenAI, që krijoi programin ChatGPT dhe që mbështetet nga kompania Microsoft, paraqiti modelin më të fundit GPT-4 në muajin mars.

Kompani të mëdha të teknologjisë kanë investuar në mjete të tjera të tilla – siç është programi “Bard”, i kompanisë Google.

Disa nga rreziqet e programeve të inteligjencës artificiale janë “shumë të frikshëm”, i tha zoti Hinton BBC-së. “Për momentin, nuk janë më inteligjentë se ne, me sa mundem të kuptoj. Por, mendoj se së shpejti mund të jenë”, tha ai.

Në një intervistë me revistën Technology Review të Universitetit Teknologjik të Miçiganit, zoti Hinton përmendi edhe “aktorë të këqinj” që mund ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyra që dëmtojnë rëndë shoqërinë, si p.sh. manipulimi i zgjedhjeve apo nxitja e dhunës.

75-vjeçari Hinton thotë se dha dorëheqjen nga kompania Google që të kishte kështu mundësinë për të folur më haptazi për rreziqet e mundshme, duke mos qenë më i punësuar nga kjo kompani gjigande e teknologjisë.

Që nga largimi i tij, zoti Hinton ka thënë se Google ka “vepruar në mënyrë shumë të përgjegjshme” me inteligjencën artificiale.

Ai tha se ka “edhe shumë gjëra të mira nga Google” për të cilat do të donte të fliste, por se këto komente do të ishin shumë më të besueshme nëse nuk do të punonte më atje.

Kompania Google konfirmoi se zoti Hinton u largua nga pozicioni i tij prej dhjetë vitesh si mbikëqyrës i ekipit kërkimor në Toronto të kësaj kompanie.

Në zemër të debatit për inteligjencën artificiale është pikëpyetja nëse rreziqet kryesore do të vijnë në të ardhmen, apo nëse ekzistojnë që tani.

Nga njëra anë ka skenarë hipotetikë për rrezikun ekzistencial të shkaktuar nga kompjutera që ia kalojnë inteligjencës njerëzore.

Nga ana tjetër ka shqetësime për teknologjinë e automatizuar që po përdoret tashmë nga bizneset dhe qeveritë, dhe që mund të shkaktojë dëme reale.

“Mund të imagjinoni një adoleshent që thjesht për qejf ulet të shkruajë një program për të sulmuar shërbime jetike qeveritare, një sulm kibernetik pra ndaj një shërbimi jetik të qeverisë. Kjo ndoshta nuk do të sjellë fundin e botës, por do të jetë jashtëzakonisht dëmtuese”, thotë Mike Wooldridge, nga Instituti “Alan Turing”.

Një numër shkencëtarësh kanë shprehur prej kohësh shqetësimin për anshmërinë racore, gjinore apo në forma të tjera të sistemeve të inteligjencës artificiale, përfshirë programet e dialogimit që trajnohen me sasi të mëdha tekstesh të shkruara nga njerëzit dhe që mund të shumëfishojnë kështu diskriminimin që ekziston tashmë në shoqëri.

“Janë më tepër të shqetësuar për mënyrat se si inteligjenca artificiale do të përdoret nga njerëzit. Është pra një mjet që mund të përdoret në mënyra të gabuara, në mënyra dëmtuese. Dhe mendoj se ky është një shqetësim real, por ideja se inteligjenca artificale apo robotët do të rebelohen dhe do të rrëzojnë njerëzimin, që shfaqet ndonjëherë në fantashkencë, përbën më pak shqetësim” , thotë Glyn Morgan nga Muzeu i Shkencave i Londrës.

Zoti Hinton ishte një ndër tre pionerët e inteligjencës artificiale që fituan në vitin 2019 Çmimin Turing, që është ekuivalenti i Çmimit Nobel në botën e teknologjisë.

Edhe dy fituesit e tjerë të këtij çmimi, Yoshua Bengio dhe Yann LeCun, kanë shprehur shqetësimet e tyre për të ardhmen e inteligjencës artificiale.

 

voa

Syzet interaktive ndihmojnë individët me probleme dëgjimi

Syzet interaktiveJosh dhe Michael Kingsley janë binjakë. Josh humbi dëgjimin në moshë të mitur.

Ai jeton me vëllain e tij Michael dhe familjen e tij. Josh thotë se një lloj i ri syzesh interaktive po e ndihmojnë për të komunikuar.

 

“Kur Josh vuri syzet për herë të parë dhe fjalët filluan të dalin në ekranin e tyre, shprehja në fytyrën e tij më la të kuptoja se kishim blerë pajisjen e duhur”, thotë vëllai i tij, Michael Kingsley.

Syzet nga kompania “XRAI Glass” i mundësojnë Josh-it që të lexojë në kohë reale bisedat që bëhen në prani të tij.

“Ishte fantastike kur i përdora syzet për herë të parë”.

Një aplikacion i ndërthurur në syze i dëgjon bisedat përreth përdoruesit dhe i konverton në tekst, që shfaqet në kohë reale në ekranin e syzeve ose në një program në telefonat inteligjentë. Kjo e ndihmon Josh-in gjatë takimeve.

“Syzet e ndihmojnë të lexojë bisedat. Kur ndodhet mes 50 apo 60 individëve, ai nuk e di se çfarë po ndodh dhe ata nuk mund t’i drejtohen atij me radhë. Por përdorimi i syzeve ose programit në telefonin inteligjent ka ndryshuar gjithçka që ai mund të bëjë”, thotë Michael Kinglsey.

Bashkëthemeluesi i kompanisë “XRAI Glass”, Paul Mealy thotë se ai u frymëzua nga puna e babait të tij, që ndihmonte njerëz me aftësi të kufizuara që të gjenin punë.

“Gjithmonë kam menduar se duhet të ekzistojë një mënyrë për shfrytëzuar teknologjinë apo kompjuterat për të ndihmuar në lehtësimin e aftësive njerëzore në të gjithë spektrin. Teknologjia mund të plotësojë aftësitë e munguara dhe të sjellë balancë”.

Zoti Mealy thotë se syzet nuk janë vetëm për individët që nuk dëgjojnë. Ai thotë se syzet mund të përdoren edhe për të përkthyer në kohë reale në disa gjuhë të huaja.

Syzet me realitet interaktiv mund të përdoren në mjedise të zhurmshme, si në restorante plot me njerëz apo për të parë një film, dëgjuar muzikë apo veprimtari të tjera.

 

voa

Shkenca studion dukurinë Déjà-vu

truriTë gjithë kanë pasur një herë Déjà-vu. Për disa njerëz kjo është dukuri e mbinatyrshme, kurse për të tjerët shpjegohet me neurologji. Çfarë shpjegimi ka kjo ndjenjë disi e trazuar?

Prit pak, mos jemi parë diku? Ah! A kam qenë edhe herë tjetër këtu? Më vjen keq nëse ju krijohet përshtypja se i keni lexuar këto rreshta edhe herë tjetër. Me siguri jeni duke pasur Déjà-vu. A ju ka ndodhur të vendoseni për herë të parë në një qytet të ri dhe çdo gjë ju duket disi e njohur? Ose jeni duke u prezantuar me dikë dhe ju duket sikur e njihni që më parë? Atëherë ju jeni nga ata njerëz që kanë pasur Déjà-vu.

Në vitin 1876 filozofi dhe shkencëtari francez Émile Boirac i dha emrin kësaj përshtypjeje me kuptimin që ka në gjuhën franceze “Déjà-vu, parë më parë”. Mendimtarë të ndryshëm kanë qenë munduar edhe më parë ta shpjegojnë këtë fenomen. Në Greqinë antike, filozofi Platon e shihte këtë fenomen si shenjë nga jeta e mëparshme. Në kohët moderne psikanalisti Sigmund Freud, e përshkruante Déjà-vunë si kujtim të një fantazie të nënvetëdijes, të lidhur me dëshirën e përmirësimit të situatës aktuale. Kurse psikiatri Carl Jung besonte se ajo ka lidhje me nënvetëdijen kolektive, ndërkohë që filmat e Hollywood-it e paraqesin si “gabim të matrikës”.

“Ajo nuk ka të bëjë me ngjarje të mbinatyrshme. Ndjenja e Déjà-vu-së është krejt normale”,  thotë James J. Giordano, profesor i neurologjisë në Universitetin Georgetown të Uashington, D.C.-së. “Déjà-vu-ja është ndjenja subjektive e një personi, që mendon se i ka përjetuar një herë ngjarje, aktivitete, mendime dhe ndjenja të caktuara, megjithëse në fakt kjo gjë nuk ka ndodhur.”

Rreth 90 përqind e popullsisë ka pasur një herë Déjà-vu. Me kalimin e moshës, ky përjetim fillon rrallohet.

E dini pse vjen nganjëherë kjo ndjenjë e trazuar?

“Nuk ka asnjë arsye që të ndodhë,” thotë Giordano për DW. “Truri ynë funksionon si sahat. Ai percepton çdo gjë nga e tanishmja dhe e krahason me përjetime të ngjashme ose jo të ngjashme të së kaluarës. Kështu truri ynë bën planifikimet për të ardhmen. Por ndodh që këto sinjale të ngatërrohen.”

Giordano mendon se kjo dukuri ka të bëjë me atë pjesë të trurit që ndodhet në qendër të tij, me Thalamus-in. Të gjitha informacionet që perceptohen nga dëgjimi, shija, prekja e kështu me radhë, duhet të kalojnë nëpër Thalamus, për të përfunduar në shtresën më periferike të trurit, tek korteksi celebral ku vazhdon të interpretohet dhe përpunohet më tej.
“Nëse shpejtësia e këtyre ndërveprimeve të ndryshme devijon pak nga njera-tjetra, përjetimi ynë në të tanishmen na duket sikur është një kujtim nga e kaluara. Truri ynë, shprehimisht, e ka ngatërruar të tanishmen me të kaluarën,” shpjegon Giordano.

Roderick Spears, profesor që merret me studimin e migrenës dhe bën kërkime klinike në universitetin amerikan Brown, në Providencë të Rhode Island-ës, është po ashtu i mendimit, se nuk ekzistojnë shpjegime të vlefshme për pyetjet pse dhe si vjen Déjà-vuja. Shkenca e ka të vështirë të nxjerrë konkluzione.

Sa shpesh shfaqen Déjà-vutë?

“Déjà-vutë është e vështirë të vëzhgohen sepse ato shfaqen spontanisht. Ne nuk e dimë si t’i krijojmë në laborator këto episode,” thotë me keqardhje Spears. Dekada me radhë shkencëtarët kanë zhvilluar teori të ndryshme për pse dhe si zhvillohet Déjà-vu-ja.

Një teori e preferuar në neurologji thotë, se kemi të bëjmë me përpunimin e dyfishtë neurologjik të informacioneve, ku informacionet ruhen dhe thirren në dy procese të ndryshme të trurit. Për shembull ju jeni në dhomën e ndenjes, ulur në karrige duke lexuar në artikull. Nga kuzhina vjen aroma e darkës që po gatuhet. Macja shtriqet në koshin e saj. Celulari jep sinjal se ka marrë një mesazh dhe ju jeni duke ndier mbi lëkurë ngrohtësinë e diellit që po perëndon. Të gjitha këto përjetime ndërthurren me njeri-tjetrin kur përpunohen nga truri dhe ruhen si një përjetim i vetëm.

Nëse gjatë përpunimit të këtyre të dhënave në tru ndodh një vonesë minimale, atëherë truri, thotë teoria, e interpreton këtë përvojë sikur të ishin dy përvoja që ndjekin njera-tjetrën, duke iu krijuar juve përshtypjen se përvojën e parë e keni pasur një herë në të kaluarën.

Fizikanti teorik Michio Kaku është i bindur se gjatë Déjà-vusë kemi të bëjmë me një çrregullim të kujtesës, e cila shfaqet kur “thirren fragmentet e kujtesës të ruajtur në tru, kur ne ndodhemi në një ambient që ka ngjashmëri me diçka që kemi përjetuar më parë.” Kaku ka teori edhe për pyetjen nëse ne mund të zhvendosemi midis universeve paralele, dhe për pyetjen nëse Déjà-vuja na thotë ndonjë gjë për pozicionin tonë në këto universe.

A mund të shkaktohen Déjà-vutë nga stresi?

Studime të tjera thonë se stresi mund të luajë një rol për Déjà-vutë. “Truri funksionon më mirë kur është i çplodhur dhe i ngarkuar me energji. Nëse keni shumë stres ose jeni shumë të shqetësuar, atëherë truri lodhet. Atëherë mund të ndodhë që modeli t’i zhvendosë lehtë aktivitetet e trurit. Në kushte të tilla nuk është e pazakonshme që të keni Déjà-vu”, sqaron Giordano.

Spears shton se njerëzit me shkollim të lartë tentojnë më shumë se njerëzit që kanë pak arsim, që të kenë Déjà-vu. “Njerëzit që udhëtojnë shumë, që janë në gjendje të kujtohen për ëndërrat e tyre dhe që kanë pikëpamje liberale, përjetojnë më shpesh Déjà-vu.”  

Janë Déjà-vutë shenja të ndonjë çrregullimi psiqik?

“Aspak,” thotë me siguri Giordano kur pyetet për këtë çështje. Edhe njerëzit me psiqikë të shëndetshme përjetojnë herë pas here Déjà-vu. Më shpesh ato shfaqen në moshën nga 15 deri 25 vjeç. Spears këshillon sidoqoftë se kush përjeton Déjà-vu më shumë se një herë në vit, për shmebull disa herë në muaj, duhet të marrë këshilla nga mjeku. Nëse Déjà-vu është e lidhur me humbje të vetëdijes ose një gjendje të pazakontë ëndrre, ajo jep shenja për një problem më serioz.

“Duhet bërë kujdes për të parë nëse një Déjà-vu zgjat më shumë se disa sekonda, ose nëse personi ka vështirësi të kuptojë çfarë është reale dhe çfarë është joreale,” shton Spears. “Mbase shihet se personi është duke pasur sjellje të pavetëdijshme, për shembull duke luajtur me flokët e veta ose duke mos mbajtur dot sende në duar. Edhe rritja e frekuencës së rrahjeve të zemrës ose ndenja e madhe e frikës do të ishin arsye për një vizitë tek mjeku.”

Sepse në raste të rralla Déjà-vuja mund të jetë shenjë për një krizë, sidomos krizë epileptike. “Pjesa më e madhe e krizave e kanë fillesën tek lobi temporal i trurit. Ato shkaktohen kur lobi temporal ngacmohet dhe personi është ende në gjysmë-vetëdije, pra jo krejt i pavetëdijshëm. Kjo mund të shkaktojë ndjenjën e Déjà-vusë.”

Në përgjithësi nuk ekziston ndonjë mirëkuptim për çështjen se si e ndien njeriu një Déjà-vu dhe ka teori të ndryshme për pyetjen se çfarë e shkakton. Shkencëtarë nuk e dinë ende çfarë e shkakton faktikisht. Spears shpreh keqardhjen duke thënë: “Ne nuk kemi ende një shpjegim solid strukturor për këtë gjë.”

dw

Elon Musk thotë se do të krijojë ‘TruthGPT’ si barazpesë ndaj ‘paragjykimeve’ të Inteligjencës Artificiale

Elon MuskPronari miliarder i rrjetit social Twitter, Elon Musk, po i bie sërish këmbanave paralajmëruese për rreziqet e inteligjencës artificiale për njerëzimin. Ai pretendon se një projekt ekzistues i Inteligjencës Artificiale punon me paragjykime në favor të së majtës liberale dhe planifikon që një platformë e tij e të shërbejë si barazpeshë.

 

Zoti Musk i tha komentatorit të televizionit amerikan, Fox News, Tucker Carlson gjatë një interviste të transmetuar mbrëmjen e së hënës se ai planifikon të krijojë një alternativë ndaj projektit aktual “ChatGPT” që ai po e quan “TruthGPT”. Sipas tij kjo do të jetë një “Inteligjencë artificiale e kërkimit të së vërtetës që përpiqet të kuptojë natyrën e universit”.

Ideja, tha zoti Musk, është se një Inteligjencë Artificiale që dëshiron të kuptojë njerëzimin ka më pak gjasa ta shkatërrojë atë.

Ai tha gjithashtu se është i shqetësuar se projekti i tanishëm ‘ChatGPT’ “po punon për të qenë politikisht korrekt”.

Në pjesën e parë të kësaj interviste me moderatorin e Fox News, Carlson, zoti Musk gjithashtu mbrojti rregullimin me ligj të inteligjencës artificiale, duke thënë se ai është një “adhurues i madh” i kësaj ideje. Ai e quajti inteligjencën artificiale “më të rrezikshme” se raketat dhe tha se ka potencialin të shkatërrojë njerëzimin.

Zoti Musk ka regjistruar një biznes të ri të quajtur “X.AI Corp” në Nevada. Sipas faqes së internetit të zyrës së sekretarit të shtetit të Nevadës, biznesi u formua më 9 mars dhe Elon Musk është drejtor ndërsa këshilltari i tij, Jared Birchall, është sekretar.

Zoti Musk për shumë vite ka shprehur mendime të forta për inteligjencën artificiale dhe ka kundërshtuar udhëheqës të tjerë të bizneseve të teknologjisë, përfshirë Mark Zuckerbergun dhe Bill Gatesin, duke thënë se kanë njohuri “të kufizuara” të fushës.

Kur nisi punën organizata “OpenAI” përmes së cilës u krijua projekti i Inteligjencës Artificiale “ChatGPT”, zoti Musk ishte një nga investititorët. Ai gjithashtu e bashkë-kryesoi bordin pas themelimit të tij më 2015 si një laborator kërkimor jofitimprurës i Inteligjencës Artificiale. Por zoti Musk qëndroi atje vetëm për disa vjet, duke dhënë dorëheqjen nga bordi në fillim të vitit 2018, një vendim ky që organizata me seli në San Francisko e lidhi me një prej kompanive ku zoti Musk është pronar, Tesla ku ndërtoheshin sistemet e automatizuara të drejtimit të automjeteve.

“Ndërsa Tesla vazhdon të përqëndrohet më shumë në Inteligjencën Artificale, kjo do të eliminojë një konflikt të mundshëm të ardhshëm për zotin Elon”, tha “OpenAI” në një deklaratë të publikuar në shkurt të vitit 2018.

“Unë e emërova dhe krijova konceptin”, tha zoti Musk gjatë intervistës me Fox News, duke u ankuar që “OpenAI” tani është aleat i ngushtë me kompaninë “Microsoft” dhe nuk është më një organizatë jofitimprurëse.

“Tesla po konkurronte për disa nga të njëjtët njerëz si ‘OpenAI’ dhe unë nuk isha dakord me disa nga ato që ekipi i tyre donte të bënte”, shkroi zoti Musk në Twitter në vitin 2019 duke e sqaruar arsyen pse u largua nga bordi.

Por ka shqetësime rreth cilësisë së sistemeve të Inteligjencës Artificiale të Tesla-s. Rregullatorët e sigurisë në SHBA njoftuan muajin e kaluar për nisjen e një hetimi për një aksident fatal që përfshinte një automjet Tesla me dyshimin se ka përdorur një sistem të automatizuar drejtimi kur u përplas me një kamion zjarrfikësish të parkuar, në Kaliforni.

Hetimi i këtij aksidenti është pjesë e një hetimi më të madh nga agjencia për raste të shumta të Teslas që përdor sistemin Autopilot, duke u përplasur me automjetet e parkuara të urgjencës që janë parkuar duke ndihmuar njerëzit e përfshirë në aksidente të tjera.

Deri në vitin 2020, zoti Musk shkruante në Twitter se “OpenAI duhet të jetë më e hapur” ndërsa vuri në dukje se ai nuk kishte “kontroll dhe njohuri shumë të kufizuar” për të.

Me raste, zoti Musk ka thënë fjalë të mira për të. Pas publikimit të “ChatGPT” më 30 nëntor, zoti Musk i shkroi në Twitter shefit ekzekutiv të “OpenAI”, Sam Altman, se platforma ishte “shumë e mirë” dhe u ankua se mediat e lajmeve nuk po e mbulonin gjerësisht publikimin sepse “ChatGPT nuk është një kauzë e së majtës ekstreme”.

Që atëherë, megjithatë, zoti Musk ka përmendur në mënyrë të përsëritur shembuj që ai thotë se tregojnë njëanshmëri ose censurë në favor të së majtës. “ChatGPT” ka filtra që përpiqen ta parandalojnë atë të nxjerrë përgjigje fyese.

voa

Në kërkim të jetës në hapësirë

European Space Agency depicts the Jupiter Icy Moons ExplorerMisioni për të zbuluar sekretet e tre hënave të mbuluara nga akulli të Jupiterit filloi këtë të premte. Agjencia Evropiane e Hapësirës ka ndërtuar një anije të posaçme të quajtur JUICE, që të bëjë udhëtimin shtatë vjeçar drejt pjesëve më të largëta të sistemit tonë diellor.

Anija hapësinore JUICE pritet të udhëtojë për 884 milionë kilometra, duke u rrotulluar përreth Jupiterit dhe hënave të tij të mbuluara nga akulli.

Jupiteri është një planet gjigand prej gazi. Ai është planeti më i madh që rrotullohet më shpejt nga të gjithë planetët e sistemit tonë diellor. Pasi të arrijë në orbitë në vitin 2031, anija hapësinore do të hapë dhjetë panele diellore dhe instrumentat për të matur elementët në mjedisin përreth.

Misioni do të hetojë shfaqjen e botëve të banueshme përreth planeteve gjigande të përbëra nga gazi. Anija do të kalojë pranë planetit Jupiter dhe tre hënave të tij, të quajtura Calisto, Europa dhe Ganymede.

voa