Kategoritë: Shkenca

Modeli i ri i laptopëve, një përpjekje për zgjidhur problemin e mbetjeve elektronike

laptopNjerëzit prodhojnë më shumë se 53,6 milionë tonë mbetje elektronike çdo vit. Pjesë e problemit janë edhe laptopët, por siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh, inxhinerët e kompanisë së teknologjisë Dell po punojnë për një qasje të re, që mund të shmangë hedhjen e tyre në vendet e grumbullimit të mbeturinave.

 

Trevor Morrison po çmonton laptopin e tij për të treguar se sa shpejt dhe thjeshtë mund të bëhet ky proces.

Dikur për procesin e çmontimit të një laptopi nevojitej një orë, tani duhen vetëm disa minuta.

Zoti Morrison është inxhinier në zyrat qendrore të kompanisë së teknologjisë Dell, në Raund Rok të Teksasit dhe kompjuteri që ai po çmonton është një prototip i emërtuar “Concept Luna”.

Modeli është një përpjekje për zgjidhur problemin botëror të mbetjeve elektronike. Vetëm gjatë vitit 2019 u prodhuan 53 milionë tonë mbetje të tilla.

Një kompjuter tradicional përmban një sërë vidash, kabllosh dhe ngjitësish, duke e bërë të vështirë çmontimin e tyre.

“Nëse pajisja elektronike përmban elementë shumë të vështirë për t’u çmontuar, atëherë nevojitet kohë dhe gjasat janë që për shkak të kësaj vështirësie pajisja të mos riciklohet”, thotë Trevor Morrison, inxhinier, kompania e teknologjisë “Dell”

“Concept Luna” nuk ka asnjë problem të tillë. Ka pjesë të ndërlidhura, të ndërrueshme që e bëjnë më të lehtë riparimin dhe riciklimin.

Pjesët e thyera mund të ndërrohen pa zëvendësuar të gjithë kompjuterin.

“Edhe nëse butonat e tastierës prishen, bëhen pis, ose zbardhen pjesa elektronike është në gjendje shumë të mirë dhe mund të ripërdoret. Pra ky është një rast se si mund të ndryshohet vetëm pjesa e jashtme e tij. Këto pjesë mund të ndryshohen dhe kompjuteri të përdoret më gjatë”, thotë zoti Morrison. Kompania Dell thotë se falë mënyrës si është ndërtuar prototipi “Concept Luna”, sasia e dioksidit të karbonit që laptopët lëshojnë në atmosferë mund të ulet me 50%, një gjë e mirë për mjedisin dhe konsumatorët.

“Në vend që të shpenzoni 2 mijë dollarë të tjera për një kompjuter të ri, ekziston mudësia që ta riparoni atë vetë, ose t’ia kërkoni këtë dikujt tjetër, që mund ta çmontojë pa e dëmtuar”, thotë ekspertja Shanika Whitehurst.

Ky lloj modeli është një përpjekje për zgjidhur problemin e mbetjeve elektronike.

voa

Inteligjenca artificiale krijon zëra për filma dhe për reklama

chatGPTNjë numër gjithnjë e më i madh kompanish po përdor inteligjencën artificiale për të imituar zërat njerëzorë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Dierking, një kompani po krijon zëra artificialë që mund të përdoren për reklama dhe trajnime.

 

“Ka stil përshkrues, stil për reklamë ose për dialog. Pra, e vendos këtu tekstin dhe krijojmë zërin”, tregon Sara Weisweaver.

“Mund të shfrytëzojmë një bazë të dhënash për të përshtatur tonin, pauzën, theksin dhe shumë prej veçorive stilistike të zërit, për ta mishëruar vërtet zërin autentik tek produkti”, thotë Matt Hocking.

Ai është drejtor ekzekutiv i kompanisë “WellSaid Labs”, themeluesit e së cilës ishin pjesë e Institutit Allen për Inteligjencën Artificiale, një organizatë kërkimore jofitimprurëse. Ata po punojnë për të krijuar zëra të kompjuterizuar që tingëllojnë më njerëzorë.

Kompanitë i përdorin këta zëra për reklama, në marketing dhe për kurse trajnimi duke mos patur kështu nevojën për të punësuar njerëz për leximin e pjesëve tonike.

Një person regjistron zërin e tij në kompaninë “WellSaid Labs”. Bazuar tek ky regjistrim, kompania përdor inteligjencën artificiale për t’i mësuar programit aspekte më të rafinuara. Sa kohë i duhet p.sh. një personi që të bëjë pauzë, apo kur merr frymë, si dhe cilat fjalë thekson. Kompania blerëse zgjedh zërin që i pëlqen dhe vendos tekstin që dëshiron të shqiptohet.

Kompania “WellSaid Labs” është bërë kështu pjesë e praktikës së vënies në përdorim të inteligjencës artificiale për të krijuar përmbajtje të re, fjalë, zëra apo imazhe, bazuar në sasi të mëdha të dhënash që i janë ushqyer kësaj teknologjie.

Aplikacionet e inteligjencës artificiale ngrenë shpesh shqetësime për etikën. Kompania “WellSaid Labs” ka hartuar udhëzime për klientët që përdorin zërat e prodhuar artificialisht.

“Nuk mund t’i përdorin këta zëra për qëllime pornografike apo ndonjë mesazh urrejtjeje apo diçka të dhunshme, apo të paligjshme”, thotë zonja Weisweaver, e cila është drejtore për etikën në kompaninë “WellSaid Labs”.

Ndërsa inteligjenca artificiale është duke u futur në shumë fusha, profesionistët pyesin veten se si do të preket puna e tyre.

“Për sa kohë që ka një njeri në epiqendër të kësaj, dhe ne vazhdojmë ndërtojmë mbi këtë, ndjehem më komode në bërjen e diçkaje që është krijuar më shumë nga kompjuteri”, thotë Gabby Fernandes, aktore zëri.

Një tjetër shqetësim është nëse do të mbyllen vendet e punës. Ndoshta, thonë vëzhguesit, por inteligjenca artificiale si WellSaid mund të rrisë gjithashtu prodhimtarinë dhe të përmirësojë rezultatin.

“Mendoj se në shumicën e rasteve do të jetë një bashkëpunimi mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale për të përmirësuar dhe përshpejtuar procesin e krijimtarisë”, thotë Vu Ha, drejtor teknik me kompaninë “AI2 Incubator”.

Ndoshta është shumë herët për të ditur pasojat e programeve krijuese të inteligjencës artificiale, por sidoqoftë duket se ato do të vazhdojnë të përdoren.

voa

 

NASA zgjedh ekuipazhin që do të fluturojë drejt hënës

Austronautet per HeneKatër astronautë, mes tyre një grua, do të drejtojnë një mision drejt hënës, njoftoi të hënën agjencia amerikane e hapësirës,

 

NASA. Ekuipazhi i përbërë nga tre amerikanë dhe një kanadez u prezantua gjatë një ceremonie në Hjuston, ku ndodhet edhe qendra e kontrollit të misionit. “Ky është ekuipazhi i njerëzimit”, tha shefi i agjencisë NASA, Bill Nelson.

Katër astronautët do të jenë të parët që do të fluturojnë në kapsulën Orion të NASA-s, duke u lëshuar në majë të një rakete nga Qendra Hapësinore Kennedy, jo më herët se fundi i vitit 2024.

Ata do të fluturojnë përreth hënës në një hark kohor prej dhjetë ditësh dhe do të kthehen në Tokë, një prelud i uljes në hënë nga dy astronautë të tjerë një vit më vonë.

Komandant misioni është Reid Wiseman. Me të do të fluturojnë aviatori afrikano-amerikan Victor Glover; Christina Koch, e cila mban rekordin botëror për fluturimin më të gjatë në hapësirë nga një grua; dhe Jeremy Hansen nga Kanadaja. Të gjithë janë veteranë të hapësirës, përveç zotit Hansen.

“Kjo është një ditë e rëndësishme. Kemi shumë për të festuar dhe është shumë më tepër se katër emrat e shpallur”, tha zoti Glover.

Ky është ekuipazhi i parë i fluturimeve drejt hënës që përfshin një grua dhe një individ që nuk është nga Amerika, si dhe ekuipazhi i parë i misionit të ri nga NASA që quhet Artemis.

Në fund të vitit të kaluar, një kapsulë Orion pa njerëz fluturoi drejt hënës dhe u kthye në tokë, duke përfunduar me sukses një provë të shumëpritur.

Gjatë misioneve Apollo nga viti 1968 deri në vitin 1972, NASA dërgoi në hënë 24 astronautë. Dymbëdhjetë prej tyre zbritën në sipërfaqen hënore. Që të gjithë ishin pilotë testimi të trajnuar nga ushtria amerikane, përveç zotit Harrison Schmitt të misionit Apollo 17, një gjeolog që e mbylli atë epokë të zbarkimit në hënë së bashku me të ndjerin Gene Cernan.

Nëse misioni i parë shkon mirë, NASA synon që brenda vitit 2025 të ulë në hënë dy astronautë. NASA e bëri përzgjedhjen e ekuipazhit mes 41 astronautëve, ndërsa Kanadaja kishte katër kandidatë.

voa

Ujë i pijshëm nga lagështira në ajër

UjiQasja tek uji i pijshëm po bëhet gjithnjë më e vështirë në shumë pjesë të botës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, një kompani po përdor risitë teknologjike për të ndihmuar në trajtimin e këtij problemi në komunitetet në nevojë në Shtetet e Bashkuara.

 

Uji i pijshëm i sigurt është një burim jetësor që u mungon një ndër tre personave në botë, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në këto kushte janë edhe dy milionë amerikanë, të cilët jetojnë pa ujë të rrjedhshëm. Këtë po përpiqet ta zgjidhë organizata joqeveritare DigDeep.

“Familjet indigjene janë 19 herë më shumë të rrezikuara të mbeten pa ujë të pijshëm, se familjet e të bardhëve; edhe familjet e afrikano-amerikanëve dhe latinëve janë dy herë më të rrezikuar”, thotë Julie Waechter, drejtuese në organizatën “DigDeep”.

Fisi indigjen Navajo ka rezervatin më të madh të indigjenëve në Amerikë, me territor që shtrihet përgjatë tre shteteve perëndimore Jutah, Arizona dhe Nju Meksiko.

40 për qind e popullsisë në këtë rezervat nuk ka ujë të rrjedhshëm.

Kjo do të thotë se njerëzve u duhet të udhëtojnë shpesh deri në 100 kilometra për në qytet dhe kthim.

Për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj mungese të ujit, kompania SOURCE Global ka instaluar panele që mbledhin avujt nga ajri dhe krijojnë ujë të pijshëm për 500 shtëpi.

“Kur shikon një hidro-panel, ngjason pak me një panel normal diellor, vetëm se është pak më i trashë dhe mbledh dritën e diellit dhe ajrin për të nxjerrë ujë të pijshëm. Nëse do e nxirrnim një panel të tillë nga kutia tani dhe ta bënim gati, për 15 minuta deri në gjysëm ore do të kishim një gotë me ujë”, thotë Cody Friesen, themelues i kompanisë Source Global.

Çdo hidro-panel është praktikisht një burim i pavarur uji. Ky zhvillim u ka ndryshuar jetën anëtarëve të fisit Navajo, në veçanti pjesëtarëve më të vjetër të komunitetit.

“Disa thanë se nuk e kishin menduar kurrë se gjatë jetës së tyre do të nxirrej ujë i pijshëm në shtëpinë e tyre. Deri më tani shkonin dhe blinin ujë në supermarket. Është një bekim ta shoh tashmë këtë të ndodhë”, thotë Jerry Williams, anëtar i fisit Navajo.

Drejtuesja e organizatës DigDeep thotë se që të arrihet barazia për ujë në Shtetet e Bashkuara duhet infrastruktura e duhur, e cila të jetë projektuar për t’iu përshtatur nevojave të çdo komuniteti.

“Realiteti është se vendet me të ardhura të larta kanë kriza të padukshme uji, ku komunitete që gjenden brenda kufijve të tyre dhe që nuk kanë ujë të rrjedhshëm, shpesh injorohen, dhe kjo nuk është e pranueshme”, thotë zonja Waechter.

Ajo thotë se ndërsa ndryshimet klimatike dhe vjetërsimi i infrastrukturës po kontribuon në rritjen e presionit të popullsisë ndaj burimeve ujore, ajo që nevojitet është një përpjekje më gjithëpërfshirëse dhe më aktive në çdo komunitet ku mungon uji i pijshëm.

voa

Thirrje për pauzë në zhvillimin e inteligjencës artificiale

Open AINdërsa inteligjenca artificiale po bën përparime të shpejta, një grup ekspertësh bën thirrje për një pauzë. Ata kanë paralajmëruar për efektet negative që mund të ketë ky zhvillim mbi shoqërinë dhe njerëzimin.

 

Një numër liderësh në fushën e teknologjisë kanë nënshkruar një letër në të cilën u bëjnë thirrje zhvilluesve të inteligjencës artificiale të ndalojnë punën e tyre për gjashtë muaj.

Letra paralajmëron për rreziqe të mundshme për shoqërinë dhe njerëzimin ndërkohë që gjigantët e teknologjisë si Google dhe Microsoft janë në garë për të ndërtuar programe të inteligjencës artificiale që mund të mësojnë në mënyrë të pavarur.

Paralajmërimi vjen pas lëshimit në fillim të këtij muaji të GPT-4 (Generative Pre-trained Transformer), një program AI i zhvilluar nga OpenAI me mbështetjen e Microsoft.

“Sistemet e fuqishme të inteligjencës artificiale duhet të zhvillohen vetëm pasi të kemi besim se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet e tyre do të jenë të menaxhueshme”, thuhet në letër.

Kush e nënshkroi letrën?

Ndër nënshkruesit e letrës janë emra të mëdhenj si drejtori ekzekutiv i Teslas dhe Twitter, Elon Musk, bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, drejtori ekzekutiv i Stability AI Emad Mostaque, etj.

Letra thotë se “muajt e fundit laboratorët e AI kanë hyrë në një garë që ka dalë jashtë kontrollit për të zhvilluar dhe mendje digjitale gjithnjë e më të fuqishme që askush – madje as krijuesit e tyre – nuk mund t’i kuptojë, parashikojë ose kontrollojë në mënyrë të besueshme.”

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë laboratorëve të AI që të ndalojnë menjëherë për të paktën 6 muaj trajnimin e sistemeve të AI më të fuqishme se GPT-4”, shton ai. “Kjo pauzë duhet të jetë publike dhe e verifikueshme dhe të përfshijë të gjithë aktorët kryesorë. Nëse një pauzë e tillë nuk mund të zbatohet shpejt, qeveritë duhet të ndërhyjnë dhe të vendosin një moratorium.”

Qeveritë po mendojnë për hapat që mund të ndërmarrin

Letra u organizua nga Instituti jofitimprurës Future of Life – i cili sipas regjistrit të transparencës së BE-së financohet kryesisht nga Musk – dhe ndjek përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për të gjetur se si ta rregullojnë këtë teknologji që po përparon me shpejtësi.

Qeveria britanike publikoi të mërkurën një dokument që jepte një ide për qasjen e saj, por tha se do të “shmangte legjislacionin e ashpër që mund të mbysë inovacionin”. Ligjvënësit e BE-së kanë zhvilluat gjithashtu në bisedime në lidhje me nevojën për të vendosur rregulla për AI. BE-ja ka frikë se inteligjenca arftificiale mund të përdoret për të përhapur dezinformata të dëmshme dhe për t’i bërë profesione të tëra të panevojshme.

dw

Gara për riciklimin e paneleve diellore të përdorura

panelePanelet diellore ofrojnë një mënyrë më të gjelbër për të gjeneruar energji elektrike, por riciklimi i tyre kur nuk funksionojnë më, është i vështirë dhe i kushtueshëm. Në Australi, dhjetëra mijëra panele diellore jofunksionale përfundojnë në landfill, por një grup shkencëtarësh mendon se kanë një zgjidhje.

 

Nuk është e lehtë të riciklosh panelet diellore.

Ato fillimisht duhet të shkëputen, dhe më pas të ndahen në komponentët e tyre, dy procese të cilat janë të shtrenjta dhe kërkojnë kohë.

“Për momentin, do të ishte më lirë t’i vendosnin ato në landfill sesa t’i riparonim,” thotë John Polhill, menaxher i partneritetit të infrastrukturës, Sustainability Victoria.

“Energjia diellore është menduar të jetë energji e rinovueshme, produkt i lidhur me qëndrueshmërinë. Riciklimi më i mirë i një paneli diellor është ndoshta më i rëndësishëm se çdo produkt tjetër”, thotë Anthony Vippond, drejtor ekzekutiv i kompanisë Lotus Energy.

Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti Deakin thotë se kanë gjetur një mënyrë për ta bërë këtë proces më praktikë.

Ata thonë se metoda e tyre nuk përdor kimikate të rrezikshme për të nxjerrë silikonin e vlefshëm nga panelet, duke e bërë atë më të lirë dhe më miqësor ndaj mjedisit.

“Ka shumë teknologji të tjera në mbarë botën, por shumica e teknologjive janë të komplikuara, me shumë hapa, dhe kërkojnë kohë,” thotë Mokhlesur Rahman nga Universiteti Deakin.

Metoda e re mund të bëhet financiarisht shumë interesante për bizneset e riciklimit, sepse materiali i silikonit që nxirret nga panelet diellore vlen shumë para.

“Ne do të ishim të entuziazmuar nëse mund ta arrinim këtë për momentin. Sigurisht, janë disa shifra të pabesueshme 31,000 dollarë për kilogram silikoni,” thotë zoti Vippond.

Kjo teknologji e re duhet të testohet për të parë nëse funksionon në nivel industrial.

“Duhet provojmë që jo vetëm të ndajmë panelin dhe silikonin, por ta bëjë atë në një mënyrë që është financiarisht e qëndrueshme si model biznesi, jo vetëm në shkallë laboratorike,” thotë zoti Polhill.

Studiuesit po punojnë tani për të bërë bateri me kosto të ulët nga ky material.

Ministrja Australiane e Mjedisit Tanya Plibersek po ushtron presion mbi industrinë për të bërë më shumë kur bëhet fjalë për riciklimin e paneleve diellore.

Ministrja Plibersek thekson se nëse nuk shtohen përpjekjet, deri në vitin 2030 në landfill mund të ketë më shumë se një çerek milionë ton panelesh diellore.

voa

Martin Cooper, shpikësi i telefonit celular mbi përparimet e industrisë

Martin CoperMartin Cooper, i lindur në Çikago në vitin 1928, është një inxhinier amerikan që udhëhoqi ekipin që ndërtoi telefonin e parë celular në vitet 1972-73 dhe bëri telefonatën e parë. Ai njihet gjerësisht si “babai” i telefonit celular. Ai thotë se përparimet e ardhshme në fushën e teknologjisë celulare mund të transformojnë jetët e njerëzve, ndërsa shpreh shqetësimet për rreziqet që paraqesin telefonat inteligjentë për moshat e reja dhe tek privatësia e individit.

 

Më 3 prill të vitit 1973, nga një rrugë në qytetin Manhatan, inxhinieri Martin Cooper i firmës Motorola përdori telefonin e modelit Dyna-TAC për të bërë telefonatën e famshme me rivalin e tij në “Bell Labs” në pronësi të kompanisë AT&T. Telefoni peshonte 1.1 kilogram dhe ishte rreth 23 centimetra i gjatë.

Inxhinieri do të shpenzonte një pjesë të mirë të dekadës së ardhshme për të sjellë në treg një variant komercial të telefonit celular. Telefonata nxiti përparimet në fushën e telefonave celularë. Por 50 vjet më pas, zoti Cooper thonë se atëherë nuk mund të kuptohej nëse telefonata ishte një moment historik.

“Në fillim, 50 vjet më parë, kur konceptova celularin dhe në të vërtetë ndërtuam një të tillë dhe bëmë një telefonatë, e dija që një ditë të gjithë njerëzit do të kishin një celular”, thotë 94-vjeçari Cooper.

Duke e cilësuar veten si ëndërrimtar dhe optimist, zoti Cooper thotë se shpreson që zhvillimi i teknologjisë së telefonisë celulare do të sjellë përparime që do të revolucionarizojnë fusha si arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

“Sipas gjykimit tim, sapo kemi filluar. Industria celulare po mëson se si të bëjë gjëra të tilla si transformimi i arsimit dhe kujdesit shëndetësor, ndryshimi i konceptit të bashkëpunimit. Pra, ky është vetëm fillimi”.

Zoti Cooper thotë se telefonat do të evoluojnë në atë mënyrë sa të jenë pjesë e trupit të njeriut, ndoshta si sensorë që vrojtojnë shëndetin gjatë gjithë kohës dhe bateritë mund zëvendësohen nga energjia që prodhon trupi i njeriut.

Ai e pranon edhe anën e errët, apo efektet negative që përhapen me telefonat inteligjentë dhe median sociale, si varësia nga interneti dhe përmbajtjet e dëmshme për fëmijët. Erozioni i jetës private nga telefonat inteligjentë po ashtu përbën shqetësim për inxhinierin.

“Opinioni im më negativ është se tani nuk kemi më jetë private sepse gjithçka rreth nesh është e regjistruar diku dhe këto të dhëna mund të merren nga dikush që ka synime të tilla. Qeveritë duhet të vendosin se ku do të jetë kufiri”.

Ai thotë se duhet kufizuar përdorimi i telefonave inteligjentë nga fëmijët. Zoti Cooper thotë se e përdor telefonin për të kontrolluar emailet, bërë hulumtime në internet dhe rezervime në restorante.

“Ka shumë gjëra që nuk i kam mësuar. Ende nuk e di se çfarë është TikTok-u. Ka shumë aplikacione që nuk i kam mësuar”, thotë shkencëtari 94 vjeçar.

Telefonat mobilë u prezantuan në vitin 1946 nga kompania AT&T.

voa

Teksas, shtëpia dykatëshe ndërtohet me pjesë të prodhuara nga një printer 3D

3dNjë shtëpi e pazakontë, dykatëshe, po ndërtohet në Hjuston të Teksasit. Në sheshin e ndërtimit funksionon një printer gjigant tredimensional që printon blloqe betoni për ndërtimin e saj. Megjithëse aty do të jetojë vetëm një familje, projekti po shfrytëzohet si një rast studimor për të nxjerrë mësime për ndërtimin në të ardhmen e banesave më të mëdha ku mund të jetojnë disa familje.

 

Në një rrugë të qytetit Hjuston të Teksasit, po ngrihet një shtëpi e re me kate. Por, kjo nuk është një shtëpi e zakonshme.

Aty ndodhet një printer tredimensional, me peshë mbi 12 tonë, i cili prodhon vazhdimisht shtresa betoni me të cilat po ndërtohet shtëpia me sipërfaqe mbi 370 metra katrorë. Makineria printon sipas skicave të projektuara nga arkitektja Leslie Lok, bashkëthemeluese e studios së projektimit HANNAH. Kjo do të jetë shtëpia e parë me kate e ngritur krejtësisht me pjesë të printuara në një printer 3D.

Zonja Lok thotë se godina me katin e dytë pothuajse të përfunduar, do të ketë një kombinim strukturash betoni dhe skelet druri. Ajo thotë se megjithëse në Shtetet e Bashkuara po bëhet më popullor ndërtimi i shtëpive nëpërmjet printerave 3D, ngritja e katit të dytë përbën një sfidë shumë më të madhe.

“Mund të gjesh godina me printim 3D në shumë shtete… Por në ngritjen e katit të dytë krahas sfidës së makinerisë ka edhe sfida të tjera; sfida strukturore dhe sfida logjistike që shfaqen kur printon katin e dytë të godinës. Shpresojmë që të mësojmë nga përvoja këtu dhe t’ia dalim mbanë”, thotë zonja Lok.

Ajo thotë se duke ia kaluar barrën e punës printerit, lehtësohen punonjësit e ndërtimit dhe mund të veprohet me ekipe më të vogla me një proces më të automatizuar. Sipas arkitektes ndërtimi i kësaj shtëpie do të kërkojë gjithsej rreth 330 orë printimi.

Projekti është në kuadrin e një bashkëpunimi dy vjeçar mes studios HANNAH dhe dy kompanive të inxhinierisë së ndërtimit. Kryeinxhieri në njërën prej tyre thotë se projekti është si një rast studimor për projektet e së ardhmes, për shkak të përmasave të godinës dhe faktit që po përdoret çimentoja si “bojë” për printerin.

“Për ndërtimin tradicional dihen rregullat e lojës, dihen cilësitë e materialeve, dhe si përshtaten ato. Këtu, çdo gjë është e re. Materiali është i ri, megjithëse betoni është në përgjithësi një material i vjetër, por printimi i tij 3D është diçka e re”, thotë kryeinxhinieri në kompaninë CIVE, Hikmat Zerbe.

Arkitektja thotë se betoni shërben si një material i qëndrueshëm për një kohë të gjatë dhe e ndihmon godinën t’u rezistojë uraganëve, furtunave të forta dhe kushteve të tjera të motit në Hjuston të Teksasit.

Godina dykatëshe pritet të përfundohet në gjysmën e dytë të vitit. Shtëpia do të ketë tre dhoma gjumi dhe në të do të jetojë një familje që nuk dëshiron t’i publikohet emri.

“Megjithëse kjo është një shtëpi për vetëm një familje, objektivi i këtij projekti është që të mendojmë se si mund të projektojmë dhe të ndërtojmë godina ku mund të banojnë disa familje. Pra, logjika e projektimit dhe sistemit strukturor të kësaj godine mund të përshkallëzohet dhe të zbatohet për godina me disa familje. Në këtë drejtim mund të përfitojmë nga printimi 3D”, thotë arkitektja.

Kompania e projektimit synon të shfrytëzojë mësimet e nxjerra nga ky projekt me synimin për t’u shërbyer më shumë njerëzve në të ardhmen nëpërmjet printimit 3D.

voa

Rëndësia dhe pasojat e ligjit që rregullon internetin

Gjykata e Lartë e Shteteve të BashkuaraNjëzet e gjashtë fjalë të përfshira në një ligj të vitit 1996 për ligjin e telekomunikacionit, i kanë lejuar kompanitë si Facebook, Twitter dhe Google të kthehen në gjigantët që janë sot.

 

Një çështje që do të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara këtë javë, ‘rasti Gonzalez kundër Google’, e sfidon këtë ligj, kryesisht pjesën që u jep imunitet kompanive të teknologjisë, duke mos i mbajtur përgjegjëse për materialet e postuara në platformat e tyre.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë do të vendosin nëse familja e një studenti amerikan, të vrarë në një sulm terrorist në Paris, mund të padisë kompaninë Google, e cila është pronare e platformës YouTube, mbi pretendimet se algoritmet e saj, ndihmuan ekstremistët të përhapnin mesazhin e tyre.

appNjë rast tjetër, ‘Twitter kundër Taamneh,’ gjithashtu përqëndrohet në përgjegjësitë e kompanive të teknologjisë mbi postimet në platformat e tyre, ndonëse kjo çështje bazohet në argumente të ndryshme.

Rezultatet e këtyre rasteve mund të ndryshojnë mënyrën se si funksionon interneti sot. Neni 230 nuk do të mund të rrëzohet me lehtësi. Por nëse kjo ndodh, e drejta e fjalës në internet mund të transformohet në mënyrë drastike.

 

ÇFARË ËSHTË NENI 230?

Nëse një gazetë për shembull, e quan dikë pa të drejtë, mashtrues, personi në në fjalë, mund të padisë botuesin për shpifje. Por nëse dikush e poston atë në Facebook, nuk mund ta padisësh kompaninë Facebook, por vetëm personin që e ka postuar shkrimin.

Kjo bazohet në nenin 230 të Ligjit për Komunikimin të vitit 1996, i cili thotë se “asnjë ofrues, ose përdorues, i një shërbimi kompjuterik ndërveprues, nuk mund të konsiderohet si botuesi, ose autori i informacionit të dalë nga një ofrues tjetër informacioni”.

Kjo frazë ligjore mbron kompanitë që ofrojnë platformat ku janë botuar triliona mesazhe, nga paditë për gjërat që dikush tjetër i ka postuar, pavarësisht nëse ankesat e tyre janë legjitime apo jo.

Politikanët e të dyja partive kanë argumentuar, për arsye të ndryshme, se Twitter, Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale, kanë abuzuar me këtë mbrojtje dhe duhet të humbasin imunitetin e tyre, ose të paktën duhet ta fitojnë atë duke respektuar rregullat e vendosura nga qeveria.

Neni 230 gjithashtu lejon platformat sociale të monitorojnë shërbimet e tyre, duke hequr postimet që, për shembull, janë të papërshtatshme, ose shkelin standardet e vetë platformave të tyre, për sa kohë që ato veprojnë me “mirëbesim”.

 

SI LINDI NENI 230?

Historia e tij daton në vitet 1950, kur pronarët e librarive mbaheshin përgjegjës për shitjen e librave me përmbajtje të “papërshtatshme”, e cila nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila u shpreh se ligji krijonte një “efekt të rëndë negativ”, duke mbajtur dikë përgjegjës për përmbajtjen e dikujt tjetër.

Kjo do të thoshte se paditësit duhej të dëshmonin se pronarët e librarive e dinin se po shisnin libra të papërshtathëm, thotë Jeff Kosseff, autor i librit “Njëzet e gjashtë fjalët që krijuan internetin” mbi nenin 230 të ligjit për komunikimet.

Disa dekada më vonë filloi të ngrihej interneti komercial me shërbimet si “CompuServe” dhe “Prodigy”. Ato ofruan platforma në internet, por “CompuServe” vendosi të mos i monitoronte ato, ndërsa “Prodigy”, në përpjekje për të krijuar një imazh miqësor për familjet, e bëri këtë.

Ndaj kompanisë “CompuServe” u ngrit një padi, e cila u rrëzua. Megjithatë, “Prodigy” filloi të ndeshej me probleme. Gjykatësi në rastin e tyre vendosi se “ata ushtronin kontroll editorial, kështu që i konsideroi më shumë si një gazetë, sesa një stendë gazetash”, thotë zoti Kosseff.

Kjo nuk u pëlqeu shumë politikanëve, të cilët shqetësoheshin se rezultati do të dekurajonte kompanitë e sapoformuara të internetit nga monitorimi i platformave të tyre. Dhe kështu lindi neni 230 i ligjit për komunikimet.

“Sot ai i mbron platformat në internet nga përgjegjësia për postimet e përdoruesve të tyre dhe nga çdo pretendim për monitorimin e përmbajtjes”, thotë zoti Kosseff.

 

ÇFARË MUND TË NDODHË NËSE NENI 230 RRËZOHET?

“Gjëja kryesore që bëjmë në internet është komunikimi me njëri-tjetrin. Përmes emailit, mediave sociale dhe platformave të tjera ne flasim me njëri-tjetrin. Dhe shumë nga këto biseda mundësohen nga Neni 230, i cili thotë se kushdo që na lejon të flasim me njëri-tjetrin nuk është përgjegjës për bisedat tona”, thotë Eric Goldman, professor i ligjeve për internetin në Universitetin Santa Clara. “Gjykata e Lartë mund ta ndryshojë, ose eliminojë lehtësisht atë dhe të thotë se njerëzit që na lejojnë të flasim me njëri-tjetrin janë përgjegjës për këto biseda. Përmes një vendimi të tillë ata (anëtarët e Gjykatës së Lartë) nuk do të na lejojnë të flasim më me njëri-tjetrin.”

Kemi të bëjmë me dy rezultate të mundshme. Platformat mund të bëhen më të kujdesshme, siç bëri “Craigslist”, pas miratimit në vitin 2018 të një ligji kundër trafikimit seksual, i cili krijoi një përjashtim nga Neni 230 për materialet që “nxisin, ose lehtësojnë prostitucionin”. Platforma “Craigslist” hoqi shpejt seksionin “personale”, i cili nuk kishte për qëllim të lehtësonte prostitucionin. Por kompania nuk donte të rrezikonte.

“Nëse platformat nuk do të kishin imunitet të bazuar në ligj, atëherë ato nuk do të rrezikonin përgjegjësinë ligjore që mund të vinte me lejimin në platformat e tyre të gënjeshtrave, shpifjeve dhe kërcënimeve të (ish-presidentit) Donald Trump”, thotë Kate Ruane, këshilltare legjislative e Unionit Amerikan të Lirive Civile.

Një mundësi tjetër është që Facebook, Twitter, YouTube dhe platforma të tjera, të heqin dorë tërësisht nga kontrollimi i përmbajtes në platformat të tyre.

Shërbime të tilla të pamonitoruara në fund mund të dominohen me lehtësi nga platforma të papërgjegjshme si “8chan”, një faqe famëkeqe për përmbajtjet grafike dhe ekstremiste.

Çdo ndryshim i Nenit 230 ka të ngjarë të ketë efekte domino mbi të drejtën e fjalës në internet anembanë globit.

“Pjesa tjetër e botës po godet internetin me një ritëm më të shpejt se Shtetet e Bashkuara”, thotë profesor Goldman. “Pra, ne jemi një hap prapa pjesës tjetër të botës për sa i përket censurimit të internetit. Dhe pyetja është, nëse ne mund t’i rezistojmë të vetëm trysnisë për këto ndryshime.”

voa

Hulumtimet e studentëve amerikanë mund të ndihmojnë NASA-n të eksplorojë hënën

robot henaNjë robot në formë gjarpëri, i ndërtuar nga studentët e Universitetit Northeastern në Boston të shtetit Masaçusets, mund të revolucionarizojë mënyrën se si astronatutë e NASA-s eksplorojë sipërfaqen e hënës.

 

Andre Neto Caetano, student në Universitetin Northeastern, ndoqi drejtpërdrejt nga holli i një hoteli në Kaliforni fillimin e misionit Artemis 1 nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ai thotë se hulumtimet e ekipit të tij mund të ndihmojë në misionet e NASA-s.

“Imagjinova sikur COBRA të ishte pjesë e misionit Artemis 4 dhe se roboti ishte në hënë duke kryer atë për të cilën është ndërtuar”.

Artemis 1 u lëshua një natë përpara se Caetano dhe ekipi i tij prezantuan robotin COBRA në garën “Idea e Madhe” të organizuar nga NASA.

Sfida e madhe për ekipin e Caetanos ishte tërheqja e vëmendjes së jurisë së mbledhur në shkretëtirën e Kalifornisë.

“Ata ishin skeptikë nëse do të funksiononin idetë tona për lëvizshmërinë (e robotit)”, thotë studenti Caetano.

Pikëpyetje të lindura nga vetë thjeshtësia e projektit.

“Roboti lëviz si një gjarpër, ku koka dhe bishti mund të lidhen dhe më pas të rrotullohet”.

Konkursi i NASA-s “BIG Idea” dhe shuma e parave për fituesit, nxiti ekipet e studentëve që të hartojnë projekte për të arritur synimet e agjencisë hapësinore në misionet e ardhshme Artemis drejt hënës.

“Lëvizshmëri ekstreme në terrenin hënor”, thotë studenti Caetano.

Roboti COBRA mund të lëvizë në mënyrë unike në rërën e imët të shkretëtirës, çka ngjason me sipërfaqen e hënës, për të hulumtuar karakteristikat e mjedisit, përfshirë akullin dhe ujin.

Alireza Ramezani, asistent profesor në Universitetin Northeastern, thotë se roboti ka aftësi të rralla.

“Ata (NASA) nuk mund të vendosin një robot ose një mjet tokësor që mund t’i përshtatet mjedisit dhe të zbresë në fund të kratereve për të bërë hulimtime për ujin dhe akullin”.

Profesori ((Courtesy: Northeastern University)) është këshilltar i ekipit të Universitetit Northeastern që zhvilloi robotin COBRA. Ai ka eksperiencë në krijimin e robotëve që imitojnë organizmat.

“Ai ka ndërtuar një qen robotik dhe një lakuriq robot ndaj frymëzimi i tij ishte i rëndësishëm për projektin tonë”, thotë studenti Caetano.

Zoti Ramezani shpresonte që projekti COBRA të fitonte mbështetjen e anëtarëve të jurisë në konkursin e NASA-s.

“Roboti ynë u rrokullis 20-30 metra poshtë një kodre dhe kjo veti tërhoqi vëmendjen e jurisë. Veprimi u realizua brenda 10-15 sekondash me konsumim minimal energjie”.

Gjithashtu, roboti ka kosto efektive, thotë zoti Alirezai për Zërin e Amerikës.

“Një platformë e mirë për hapësirën do të kushtonte rreth 100-200 mijë dollarë. Pra mund të kemi shumë sisteme të tilla”.

“Fakti që COBRA është tejet e lehtë, është një tjetër përfitim”, thotë studenti Caetano.

Demonstrimi në nëntor i robotit COBRA në shkretëtirën e Kalifornisë i jep fund skepticizmit, duke e vënë ekipin e studentëve të Universitetit Northeastern në krye të garës së NASA-s 2022 “Ideja e Madhe”, me shpresën që një ditë të jetë pjesë e misionit të NASA-s për eksplorimin e hënës.

“Nuk po e them unë por juria, se projekti i studentëve mund të transformojë mënyrën se si do të jenë sistemet e ardhshme për eksplorimin e hapësirës”, thotë për Zërin e Amerikës zoti Ramezani.

voa