Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

2016, ndryshon buxheti për arsimin dhe shëndetësinë

buxheti albTë dhënat zyrtare të buxhetit tregojnë se trajtimi i dy sektorëve më prioritarë të ekonomisë, arsimi dhe shëndetësia, do të jetë i ndryshëm vitin që vjen.

Sipas tabelave të buxhetit, rezulton se ndërsa fondet për arsimin ulen, ato për shëndetësinë rriten krahasuar me këtë vit. Më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare, fondet publike për sektorin e arsimit vitin e ardhshëm do të ulen me 6.3 për qind.

Të shprehura si raport ndaj prodhimit kombëtar, fondet publike për arsimin ulen nga 2.7 për qind e GDP këtë vit në 2.46 për qind vitin e ardhshëm.

Sektori tjetër prioritar, ai i shëndetësisë duket se është mbrojtur më mirë. Për shëndetësinë fondet jo vetëm që nuk ulen, por do të rriten si në vlerë ashtu dhe në raport me prodhimin kombëtar.

Sipas të dhënave, mbështetja publike për shëndetësinë rritet vitin tjetër në 42.87 miliardë lekë, nga 40.98 miliardë që është këtë vit.

Pavarësisht këtyre shifrave, dy sektorët prioritarë të ekonomisë si shëndetësia ashtu dhe arsimi mbeten të nënfinancuar nga sektori publik.

Top Channel i referohet të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, sipas të cilave në vitin 2013 shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri ishin 2.8% më të ulëtat në rajon, kur në vendet e tjera ato luahten nga 4.4 në 6.7 për qind.

E njëjta situatë është edhe me arsimin, kur fondet nga sektori publik në raport me prodhimin kombëtar mbeten më të ulëtat në rajon. Shpenzimet e pakta në të dy këta sektorë në raport me vendet e tjera lidhen me madhësinë e buxhetit.

Në Shqipëri shpenzimet totale të buxhetit janë rreth 30 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vendet e tjera ato luhaten nga 40 deri në 45 për qind, çka u krijon qeverive më shumë mundësi për të dhënë fonde në arsim dhe shëndetësi.

/ Top Channel

Rama në Stamboll: Shqipëria, në qendër të politikës gjeo-strategjike të BE

rama stambollNga samiti i Këshillit Atlantik për Energjinë dhe Ekonominë, i mbajtur në Stamboll, që shërben si një platformë për bashkërendimin e strategjive ekonomike, politike dhe energjitike, kryeministri Edi Rama foli për objektivat e qeverisë shqiptare në këtë sektor.

“Përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë kanë prodhuar një transformim spektakolar në vetëm dy vjet. Tani niveli i arketimeve është në gati 100%, ndërsa niveli i humbjeve në sektorin e shpërndarjes ka rënë në mënyrë dramatike. Për herë të parë në 25 vitet e fundit, Kompania Shqiptare e Shpërndarjes së Energjisë ka regjistruar në 2015 fitime operative, duke bërë të mundur që të fillojnë të investojnë në sistem. Qëllimi ynë është të transformojmë sektorin e energjisë nga barra më e rëndë e buxhetit të shtetit shqiptar dhe pengesa më e rëndë për të përballuar të ardhmen, në një sektor që vetëfinancohet dhe kontribuon brenda vitit 2018”, deklaroi Rama.

Shqipëria, tha Rama, po diversifikon dhe konsolidon pozicionin e saj energjitik në rajon.

“Gazsjellësi TAP, i cili do të sjellë gazin kaspik nga fusha e Azerbajxhanit në Bashkimin Europian përmes Shqipërisë, e vë për herë të parë vendin tonë në qendër të politikës gjeo-strategjike të Bashkimit Europian. Përfundimi i projektit TAP, fillimi i projektit Joniano-Adriatik, duke pasur parasysh zbulime të rëndësishme në lindje të Detit Mesdhe që mund të transformojnë Izraelin dhe Qipron në furnizuesit e rinj për tregun europian të gazit, në një periudhë afatgjatë do bëjnë që Shqipëria të ketë më shumë potencial për të luajtur një rol jetik në sektorin e energjisë në rajon”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Stamboll u takua edhe me me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Zyra e shtypit në Kryeministi thotë se në qendër të bisedës ishte situata e sigurisë në rajon, si pjesë e sfidës së përbashkët kundër terrorizmit dhe kriza e refugjatëve sirianë.

Presidenti Erdogan në takim u angazhua  për një mbështetje me programe konkrete investimesh, qoftë për ujin e pijshëm dhe qoftë për ujitjen e kullimin në zonat bujqësore. Po ashtu u përcaktuan një sërë veprimesh konkrete për të fuqizuar infrastrukturën shëndetësore dhe arsimore përmes partneriteteve publik-privat.

/ Top Channel

Global Peace: Edhe Shqipëria e rrezikuar nga terrorizmi

harta global peaceBota ndihet e kërcënuar më shumë se kurrë nga terrorizmi, duke marrë parasysh jetët e humbura të njerëzve, si dhe ndikimin ekonomik që kjo valë sulmesh ka sjellë.

Sipas një raporti të ri të Global Peace, më shumë se 30 vende të botës janë të ekspozuara ndaj terrorizmit.

Indeksi më i lartë është 4, me ngjyrë vishnje, të cilin e mbajnë vende si Iraku, Afganistani, Nigeria apo Pakistani, ndërsa në Europë Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja.

Në këtë renditje as Shqipëria nuk mbetet pas. Rreziku për vendin tonë është vlerësuar me ngjyrën mustardë dhe mban indeksin 2. Të njëjtin nivel kanë edhe Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Ndërsa më të ekspozuarit nga terrorizmi në rajon janë Kosova, Greqia dhe Bosnja. Shifrat, që vijnë nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen, kanë marrë parasysh kostot e drejtpërdrejta dhe të tërthorta nga numri i viktimave deri tek shkatërrimi i pronave, si edhe shpenzimet që lidhen me rritjen e sigurisë së shteteve.

Ndikimi ekonomik i terrorizmit në të gjithë globin ka arritur 52.9 miliardë dollarë, një rritje 10-fish që nga fillimi i shekullit. Po ashtu, numri i vdekjeve të shkaktuara nga sulmet terroriste shënon një rritje rekord prej 80 për qind.

Po ashtu, statistikat që vijnë nga organizata Vision of Humanity tregojnë se grupet terroriste përgjegjëse për numrin më të lartë të viktimave janë: Boko Haram dhe Shteti Islamik.

Së bashku, ata kanë marrë përsipër 51 për qind të të gjitha vdekjeve globale nga terrorizmi, ndërsa në tërësi ata konsiderohen përgjegjës për 40 qind të të gjitha vdekjeve në botë.

/ Top Channel

Rinisin punimet për rrugën Tiranë-Elbasan, shtyhen afatet e përfundimit

Pasi kishte ndërprerë punimet prej disa muajsh, kompania greke ka rinisur punën për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan, një prej projekteve infrastrukturore më të rëndësishme dhe njëherësh më problematike për shkak të shembjeve të dheut.

Kompania “Copri Aktor” ka rivënë në lëvizje mjetet e punës në zonën e Mulletit, prej nga ministri Haxhinasto ka deklaruar se afatet do të pësojnë një tjetër shtyrje, nga dhjetori, siç ishte parashikuar, në verën e vitit që vjen.

“Të thuash që më 31 dhjetor përfundon rruga nuk është konkluzion realist. Kalendari i ri i punimeve do të respektohet dhe verën e vitit që vjen do të mbarojë rruga”, ka thënë Haxhinasto.

Por pjesa më problematike e rrugës nuk është ajo në zonën e Mulletit ku aktualisht punohet, por zona e Ibës, ku ndodhi rrëshqitja e dheut para një viti dhe ku punimet nuk kanë filluar ende.

Ndërprerja e punimeve erdhi pas përplasjes së shoqërisë dhe qeverisë, kur kompanisë nuk iu njohën situacionet e punimeve, ndërsa ajo që i dha shtysë konfliktit ishte se kujt do t’i njiheshin shpenzimet për riparimin e rrugës së dëmtuar nga shembjet.

Kompania ka kërkuar që për rehabilitimin e këtyre zonave problematike të bëhet rishikimi i planit financiar, që do të kërkonte fonde shtesë nga qeveria. “Aktualisht jemi brenda vlerës së kontratës”, ka saktësuar Haxhinasto.

Ndërkohë, ARRSH thotë se po negocion dhe vlerëson teknikisht kërkesat për financime shtesë për të përballuar punimet si pasojë e shembjes së malit në zonën e Ibës.

/ Top Channel

Furtunë në dogana, shkarkohet drejtori i përgjithshëm

doganaKryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë të papritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave mëngjesin e së martës.

Nga burime të “Shekullit Online” mësohet se në vizitën që zgjati vetëm pak minuta, kreu i qeverisë shkarkoi nga detyra drejtoreshën e përgjithshme, Pranvera Fagu.

Gjithashtu janë shkarkuar edhe tre zëvendësdrejtorë – Zamir Shtylla, Mirela Meko dhe Elidon Konomi, raporton “Report TV”.

Mësohet se shkak i këtij vendimi janë rezultatet e dobëta në mbledhjen e akcizës. (shekulli)

Shqipëria krah Francës e aleancës në luftë ndaj terrorizmit

Shqipëria shpall të hënën (16 /11/2015) ditë zie kombëtare, në homazh të viktimave të sulmeve terroriste, që ndodhën në Paris, në mbrëmjen e të premtes së kaluar, 13 nëntor.

shqiperi kryeministriVendimi i qeverisë për të shpallur ditën e sotme ditë zie kombëtare është shoqëruar me uljen e flamurit në gjysëm shtizë në të gjitha institucicionet shtetërore dhe publike dhe një minutë heshtjeje në të gjithë vendin në mesditë. Selia e Kryeministrisë dhe e Presidencës në Tiranë, që prej tri ditësh vazhdojnë të kenë në fasadat e tyre tri ngjyrat e flamurit francez.

Shqipëria përkrah Francës dhe aleancës në luftë kundër terrorizmit

Shpallja nga qeveria Rama e ditës së hënë ditë zie kombëtare është një tregues i solidaritetit të Shqipërisë me Francën dhe luftën kundër terrorizmit. Atmosfera e zisë kombëtare në Tiranë është paraprirë nga një ceremoni homazhi, e zhvilluar të dielën në mbrëmje (15/11/2015) para selisë së Presidencës. Presidenti Bujar Nishani duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë me popullin francez dhe viktimat e pafajshme të sulmeve terroriste siguroi edhe një herë pozicionin e palëkundur të Shqipërisë krah Francës dhe pjesemarrjes ne aleancën e luftës kundër terrorizimit. “Konfirmoj qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë dhe popullit shqiptar në aleancën e tij në betejën kundër terrorizmit, dhunës, intolerances, betejë që ka vetëm një fund; fitoren e civilizimit mbi barbarinë, fitoren e lirisë mbi ekstremizmin” theksoi mbrëmë Presidenti Nishani në fjalën e tij të rastit. Kryeministri Rama, një ditë pas sulmeve terroriste në Paris, në letrën e ngushëllimit drejtuar kryeministrit francez Manuel Valls theksoi “angazhimin e plotë dhe mbështetjen e padiskutueshme të Shqipërisë krah krah Francës, krah Lirisë”.

Feja islame – roli i saj në ndalimin e akteve terroriste të kryera në emër të saj

Masakra terroriste e IS-it të premten e kaluar në Paris ka risjellë në rend të ditës rolin e fesë islame në parandalimin e radikalizimit të saj dhe shndrrimit të besimtarëve myslimane në kamikazë dhe vrasës. Kjo pasi Shqipëria renditet ndër ato vende të Ballkanit Perëndimor që nuk i ka shpëtuar dot këtij fenomeni shumë shqetësues. Sipas një hulumtimi të Qendrës Ndërkombëtare për studimin e Radikalizmit në Kolegjin Mbretëror në Londër, vitin e kaluar dhe në 6 mujorin e pare të këtij viti, në territorin e kontrolluar nga shteti islamik ndodhen 90 xhihadistë nga Shqipëria. Sipas të njëjtit studim nga Kosova ka 140, Serbia 70, Bosnjë- Hercegovina 330 kurse nga Maqedonia vetëm 12. Në mediat e Tiranës po shprehen ide për të nxjerë jashtë ligjit islamin radikal, që kanë përqafuar pikërisht ata shqiptarë që kanë shkuar të luftojnë për IS-in, islam që në Shqipëri ka hyrë tinëzisht përmes misioneve të bamirësisë edhe pse shumica e myslimanëve të Shqipërisë janë pro- perëndimorë dhe laikë. Mbështetur në këtë shumicë, në harmoninë dhe bashkejetesën e feve në Shqipëri, mbështetur në predikimin e paqes dhe të dashurisë ndajnjeriut, mediat e Tiranës theksojnë domosdoshmërinë e reformimit të fesë islame dhe shkëputjes së saj nga islami politik. Një fe islame e reformuar, properëndimore mund të luajë një rol të madh në edukimin e besimtarëve të saj dhe në ndalimin e shndërrimit të tyre në kamikazë dhe terroristë. (dw)

Yndyrat dhe kolesteroli, si të ushqehemi

yndyrnatNjë nga problemet më të shpeshta që na shqetëson për shëndetin tonë është niveli i lartë i yndyrave dhe kolesterolit në gjak, që diagnostikohen pasi bëjmë analizat e gjakut. Dietologia klinike Rolina Naço shpjegon gjithçka duhet të kemi parasysh.

Të lipidograma (analizat e yndyrnave në gjak) shikojmë disa tregues të yndyrave të gjakut, nëse janë në normat normale apo jo. Analizat duhet të bëhen esëll në mëngjes dhe rekomandohet të mos kemi konsumuar një darkë më shumë kalori dhe të pasur në produkte me shumë yndyrë shtazore (mish, gjalpë, proshutë, ëmbëlsira) kryesisht, por edhe bimore (vaj ulliri, misri, luledielli, fruta të thata, ullinj etj). Në shumicën e rasteve yndyrat e larta lidhen me mënyrën e të ushqyerit, si dhe mënyrën e jetesës. Aty mund të veprojmë më lehtë për t’i ulur ato me dietë dhe aktivitet fizik.

Raporti i kolesterolit të lartë jo gjithmonë lidhet me mbipeshë ose kequshqyerje. Ka raste në të cilat kolesteroli LDL lidhet me prodhimin e tepërt të kolesterolit endogen, pasi 80% prodhohet vetë nga organizmi dhe 20% është e varur nga ushqimet dhe masa e tyre që ne konsumojmë. Në këto raste kolesteroli LDL mund të jetë shumë mbi normën, edhe pse nuk e justifikon pesha apo mënyra e të ushqyerit. Kjo vjen si pasojë e anës gjenetike ose të faktorëve të tjerë shëndetësorë dhe duhet patjetër të konsultohemi me një mjek, pasi përbën rrezik për shëndetin dhe jetën, duke qenë se lidhet fort me sëmundjet kardiovaskulare. Në shumicën e rasteve patologjike të hiperlipidemisë, merret mjekim. Në rastet në të cilat yndyrat janë të larta dhe nuk bashkëshoqërohen me sëmundje të tjera, mund të rikthehen në nivele normale me dietë dhe aktivitet fizik.

Por kujdes, në të dyja rastet nuk duhet neglizhuar dhe të qëndrojmë për kohë të gjatë me nivelin e yndyrave mbi normë, pasi kjo do të sjellë shqetësime shëndetësore. Shumë nga ne pasi marrim analizat dhe konsultohemi me mjekun që na rekomandon të bëjmë kujdes në konsumimin e yndyrave, mendojmë se nuk e teprojmë dhe se ushqehemi me pak yndyrë. Për të kontrolluar më mirë veten për të parë se çfarë hamë dhe sa, do të ishte mirë të mbajmë një ditar ushqimor dhe të shënojmë ushqimet që konsumojmë, si dhe sasinë. Me ndihmën e një dietologu mund të konsultoheni dhe të shikoni cilat kanë përmbajtje të lartë në yndyrë dhe në kolesterol, por dhe në cilat masa ose frekuenca duhen të konsumohen. Mund ta mbajmë këtë ditar për një javë dhe të shënojmë ushqimet me poshtë të cilat kanë një përmbajtje të lartë në yndyrë dhe në kolesterole. Më pas të shikojmë nëse mund të bëjmë përmirësime te zgjedhjet.

Më poshtë janë ushqimet me pëmbajtje të lartë yndyre të ndara në katër kategori:

Djath dhe bulmet me yndyrë të plotë (qumësht–kos me 3.5% yndyrë, panë, ajkë qumështi, akullore etj)

Yndyrë shtazore (mish qingji, gici, viçi, proshutë, sallam, mish të grirë, salçiçe, mish të skuqur, gjalpë etj).

Ushqime të gatshme (ushqime të cilat nuk janë të përgatitura në shtëpi, por në fast food ose në restorant, shpeshherë kanë përmbajtje të lartë yndyre), si: pica, byrek, sanduiç etj.

Produkte të ndryshme, si: kek, biskota, briosh, ëmbëlsira etj.

Qëllimi i parë për të ulur nivelin e yndyrave është reduktimi gradual i produkteve më lart. Pra, nëse çdo ditë konsumojmë një ushqim nga kategoritë më lart, duhet të vëmë qëllim që ta konsumojmë 2-3 herë në javë dhe më pak deri sa të konsumohet më rrallë. Reduktimi gradual i ushqimeve më lart është me rezultative se ndërprerja e tyre për një periudhë. Kjo nëse nuk kemi risk të lartë nga sëmundje të tjera. Duke qenë se ne ndryshojmë mënyrën e të ushqyerit, që do të thotë bëhet “zakon”, derisa ne i reduktojmë ato për një periudhë, më pas i rifillojmë dhe i konsumojmë po prapë mjaft, shpesh niveli i yndyrave në gjak do të kthehet përsëri.

Këshilla praktike për të ulur kolesterolin:

    • Preferoni bulmet të skremuar që shkruajnë 1-2% yndyrë (qumësht-kos).
    • Preferoni gjizë, djath nape ose djath kaçkavall me qumësht të skremuar ose të shkruajë që është me yndyrë të reduktuar (por kujdes përsëri nuk duhet ta teprojmë në sasi).

 

    • Evitoni yndyrën e dukshme si dhjamin e dukshëm në mish, lëkurën e mishit të pulës ose yndyrën që është në lëngun e mishit.
    • Preferoni për të gjitha gatimet vetëm vaj ulliri. Mirë është që vaji i ullirit të shtohet në fund të gatimit dhe të evitohet skuqja ose ndryshe kaurdisja.
    • Preferoni pjekjen në furrë për të evituar gatimet që skuqen.
    • Konsumoni 2 herë në javë mishin e peshkut të pjekur në furrë ose në skarë (jo të skuqur)
    • Sardelet, salmoni, levreku, ngjala janë me yndyrë të mirë (acide yndyrore omega 3-6) të cilat ndihmojnë në uljen e yndyrave. Por përsëri kujdes sasinë.
    • Konsumoni një mini vakt fruta të thata si 10 kokrra bajame ose arra, ose lajthi.
    • Evitoni totalisht ushqimet e skuqura, si: patate, mish, vezë dhe perime. Zëvendësojini me ato të pjekura në furrë ose edhe më mirë në avull.
    • Evitoni ose ulni konsumin e ëmbëlsirave, sidomos ato që kanë krem-pana, shumë sherbet, gjalpë, miell, shumë sheqer. Preferoni ato të bëra vetë në sasi të vogël dhe me përbërës natyralë si vaj ulliri, fruta të thata, qumësht të skremuar, miell integral ose tërshërë me fruta të freskëta.
    • Evitoni salcat e gatshme, si: majoneza, pana etj
    • Preferoni makarona integrale me salcë domate me perime me vaj ulliri dhe kujdes përsëri te sasia.
    • Konsumoni perime në çdo vakt kryesor, si dreka dhe darka.
  • Çdo ushqim me përbërje brumi zëvendësojeni me produkte integrale, si: makarona integrale, oriz integral, bukë integrale. Drithërat e mëngjesit zgjidhini pa sheqer dhe integrale.

(Denisa Canameti/shekulli)

INSTAT: Inflacioni në tetor 2,1%

instatInflacioni i muajit tetor është në nivelin 2.1 %, me një rënie të lehtë krahasuar me një muaj më parë që ishte 2.2 %, ndërsa krahasuar me tetorin e vitit të shkuar është rritur me 0.7 %.

Sipas një raporti të INSTAT, grupi i mallrave që ka pësuar më tepër rritje ka qenë “Ushqime dhe pije joalkoolike”me +2,17 pikë përqindje, ndjekur nga “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,22 pikë përqindje.

Peshën në këtë ndryshim çmimesh e ka dhënë edhe grupi “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje.

Ndërsa “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë parë ulje çmimi me -0,23 pikë përqindje. Krahasuar me muajin shtator 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor ” me 3,9 %. Brenda këtij grupi tarifat e studimeve në universitetet publike u rriten me 6,7 %. Ulja më e madhe mujore vërehet në grupin “Mallra dhe shërbime të ndryshme ” me 0,4 %. (shekulli)

“Burg për shpifje”, tërhiqet qeveria

Propozimi i kryeministrit Rama u kundërshtua me forcë. Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Mediave bëri thirrje që propozimi të rrëzohej nga parlamenti. Reagime nga mediat, opozita dhe presidenti Nishani.

ramaNë Shqipëri një propozim i qeverisë për të rikthyer dënimin me burg për shpifje apo fyerje, ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm kundërshtues në opinion, dhe vecanërisht në media, duke u parë atë si një kërcënim të fortë ndaj lirisë së shtypi. Ndërkaq dhe përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias Dunja Mijatovic, i bëri thirrje parlamentit të mos e votojë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se propozimi nuk lidhet me gazetarët, ndërsa më pas ministrja për marrëdhëniet me parlamentin njoftoi tërheqjen e propozimit dhe riformulimin e tij

Ndryshimi në Kodin Penal është miratuar nga qeveria që 14 tetorin e shkuar. Projektligji u mbajt i fshehtë dhe nuk u përfshi në listën e vendimeve të marra prej saj e që bëhen publike në faqen online të Këshillit të ministrave, pas cdo mbledhjeje. Propozimi u zbulua ndërsa përgatitej t’i nënshtrohej shqyrtimit në komisionet parlamentare.

Ndryshimi i kërkuar është formuluar në këtë mënyrë: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionar i të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti, që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Në vitin 2012, nën trysninë edhe të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, parlamenti shqiptar, me konsensusin e të gjitha palëve, e shfuqizoi nenin që në atë kohë parashikonte dënimin me burg për shpifje apo fyerje, ndërkohë që ka patur kërkesa të vazhdueshme, që shpifja të mos ekzistojë fare si vepër penale.

Por në relacionin që shoqëron propozimin e kryeministrit vlerësohet se vendimi i tre viteve më parë ka qenë i gabuar “ishte një veprim jo thjesht i parakohshëm, por me një impakt tërësisht negativ, pasi ka nxitur në mënyrën më ekstreme shpifjen në emër të lirisë së shprehjes, shpifjen duke i atribuar dikujt tjetër pa asnjë hezitim kryerjen e veprave nga më të rëndat penale, ndërkohë që dihet me siguri se faktet e prezumuara si të tilla janë tërësisht të pavërteta”, shpjegon relacioni, ndërsa nënvizon se “Pështjellimi, që “denoncime” të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cenon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësueve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët”, shkruhet në relacionin shpjegues

Shqetësim për propozimin e tij shfaqi menjëherë përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e Medias Dunja Mijatovic, sipas së cilës “institucionet publike dhe zyrtarët nuk duhet të gëzojnë një mbrojtje shtesë ndaj fjalimeve kritike. Përkundrazi, ata duhet të tolerojnë një shkallë më të madhe kritike, krahasuar me qytetarët e thjeshtë”. Përfaqësuesja e OSBE-së vlerëson se “sanksionet penale janë të tepruara dhe disproporcionale. Ato duhet të zëvendësohen me masa të përshtatshme dhe efektive administrative apo të së drejtës civile”, ndërsa i bën thirrje parlamentit “të rrëzojë propozimin e qeverisë” madje “të konsiderojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes”.

Në Tiranë më herët kjo cështje përfshiu edhe kreun e Shtetit Bujar Nishani sipas të cilit “befasues për mua si qytetar i këtij vendi, por edhe si President i Republikës u shfaq projektligji i qeverisë që kërkon rikthimin e burgimit për gazetarët me pretendimin e luftës ndaj shpifjes. Personalisht një akt të tillë e shoh me preokupim dhe shqetësim. E gjykoj kufizim të lirisë së shprehjes dhe cënim të standarteve demokratike të arritura deri më tash me kontributin e të gjitha paleve politike në vend. Sigurisht, shpifja është një gjest i ulët kudo dhe kurdo e sidomos kur përdoret mirëfilli për qëllime politike ajo shfaq gjithë shëmtinë e saj. Me fjalen mund të abuzohet dhe çdo abuzim është i kritikueshëm, por me ndrydhjen e saj mund të abuzohet shumë më tepër”, theksoi presidenti Nishani.

Kryeministri u vu në qendër të sulmeve edhe të opozitës. Kryetari i saj Lulzim Basha theksoi se “burracaku Rama kërcënon me burg mediat dhe gazetarët që nuk arrin t’i shantazhojë apo bleje e që kanë kurajon të nxjerrin në dritë skandalet, korrupsionin, vjedhjen, ortakërinë e tij me krimin”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama reagoi përmes disa postimeve në Facebook, duke sqaruar se nisma sipas tij nuk ka lidhje me shtypin, e duke saktësuar se “shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit”. Megjithatë zoti Rama bëri një hap pas ndërsa kërkoi “ndjesë që ka hapur shteg për një keqkuptim të madh”.

Edhe kryetari i parlamentit Ilir Meta foli për “një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim”.

Më vonë, ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Ermonela Felaj njoftoi se projektligji do të tërhiqet, duke shpjeguar se qëllimi i nismës nuk kishte të bënte me shtypin:  “Ne do ta tërheqim atë nismë për të saktësuar pikërisht këtë moment në mënyrë që të mos ndodhi ky lloj diskutimi por një gjë duhet të jetë e qartë që politikanët duhet të kenë një marrëdhënie korrekte me të vërtetën, kanë detyrimin për sa kohë paguhen nga taksat e publik të shprehin të vërtetën dhe të luftojnë për të vërtetën”.

Por edhe nëse saktësohet cështja lidhur me gazetarët, për opozitën sërish shihet si një instrument për të goditur cdo zë kundërshtar. “Ajo që thotë ministrja Felja, është absolutisht pa sens. Dispozita që është paraqitur nuk është cështje keqkuptimi, është një dispozitë që godet drejtpërdrejtë, median, cdo individ dhe opozitën. Ajo që ka ndërmend kryeministri nuk është gjë tjetër vecse të mbyllë cdo zë opozitarizmi. Dhe më sumë se kushdo, këtu në parlament, këtë e bën partia demokratike”, deklaroi Oerd Bylykbashi, deputet demokrat.

Propozimi i kryeministrit mbërriti në një moment kur ka një rritje të ndjeshme të kritikave ndaj qeverisë së tij dhe ministrave për përfshirje në aktivitetet të paligjshme apo korrupsion, jo vetëm nga opozita por edhe nga mediat. Nga ana tjetër së fundmi, edhe personalisht, zoti Rama ka ngritur tonet ndaj shtypit duke e akuzuar atë se po abuzon me të vërtetat. (voa)

Tiranë, Këshilli Bashkiak miraton ligjin për parkingjet me pagesë

Erion-VeliajKëshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar mbrëmjen e së mërkurës ligjin për parkingjet me pagesë. Pas një debati që ka zgjatur për rreth 3 orë, Këshilli ka votuar projektin në fjalë, që përcakton dhe tarifat e parkimit, vetëm me votat e mazhorancës.

Nga ana tjetër, këshilltarët opozitarë e bojkotuan votimin. Me të njëjtat vota janë miratuar ndërkohë edhe pikat e tjera të rendit të ditës, mes të cilave ajo për rritjen e rrogave të administratës së bashkisë.

Në fjalimin e tij në hapje të seancës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi si një domosdoshmëri çështjen e menaxhimit të parkingjeve përmes një agjencie, në mënyrë që të ardhurat e siguruara nga ky shërbim publik t’i shkojnë bashkisë dhe të përdoren më tej për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Veliaj solli si shembull projektlin pilot të parkingut tek sheshi “Italia”, të ardhurat e të cilit kanë kapur shifrën e rreth 1 mijë eurove në ditë, apo 30 mijë euro në muaj për Bashkinë e Tiranës.

“Ju i keni parë ca njerëz që vijnë vërdallë dhe marrin para cash nga njerëzit për t’u parkuar makinat. 1 mijë euro në ditë fitim bashkisë nga parkingu te sheshi ‘Italia’, një projekt pilot që rezulton një histori suksesi. Një tjetër projekt pilot është ai në rrugën ‘Dritan Hoxha’, ku kemi edhe një korsi për urbanin dhe një për biçikletat. Lajmi i mirë është për rezidentët, të cilët e kanë parkimin falas. Sheshet e pallateve ishin kthyer në sheshe për shitje automjetesh, ndërkohë që të ardhurat do t’i shkonin qytetit. Vende shumë më të sofistikuara se ne i kanë bërë këto debate, por nuk i kanë politizuar”, tha ndër të tjera Veliaj.

Sa u takon tarifave, Bashkia aktualisht ka vetëm një regjim, atë për 3 mijë vende me 1.000 lekë ora, ndërkohë që sipas Veliajt, kryeqyteti duhet të ketë disa paketa tarifimi.

/ Top Channel