Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe

Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim zhvilloi një konferencë shkencore me studiues nga Kosova dhe Serbia për marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe integrimin europian. Ambasadorja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin, theksoi se integrimi do t ë vijë nga bashkëpunimi me BE-në dhe me njëri-tjetrin.Tre qendra studimore nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia zhvilluan në Tiranë një konferencë mbi marrëdhëniet shqiptaro – serbe dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Europian. Qendra e Kosovës Për studime të sigurisë, Instituti i Shqipërisë për Demokraci dhe Ndërmjetësim si dhe Qendra e Beogradit për studime të sigurisë bashkuan studiues nga të tre vendet, që diskutuan mbi rrugët e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin perëndimor, si një nga kushtet kryesore për arritjen e qëndrueshmërisë, zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimin në BE.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, tha se vendet e Ballkanit nuk mund të qëndrojnë gjithmonë përballë si kundërshtarë dhe të krijojnë konflikte, rajoni nuk duhet të bjerë në rrethin vizioz të frikës e mosbesimit, por duhet të bashkëpunojë. Sipas saj, çështja e parë është kultura politike; kompromisi dhe zemrëgjerësia janë të pakta, gadishmëria dhe bujaria mungojnë sa vendet janë kaq afër, por duket se janë mjaft larg dhe të palidhur.

“Kjo është përgjegjësi e drejtuesve politikë, – thotë ambasadorja Vlahutin – sepse paragjykimet janë abstrakte sa u takon sfidave të sigurisë që kërkon Europa, por ato në fakt problemet janë shumë konkrete: krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizmi janë çështje ndërshtetërore, që duhen luftuar së bashku”.

Sipas saj, vendet fqinje duhet të gjejnë kurajo dhe të nisin miqësi, mirëkuptim, e këto duhet t’i nisin udhëheqësit politikë, 35tikë, dhe tregtarë, sepse këta udhëheqin opinionin publik. “Personalisht mendoj që vizita e kryeministri Rama në Beorgad ishte shumë e rëndësishme – tha zonja Vlahutin. – Bashkimi Europian kërkon bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore, mirëkuptim dhe bashkëpunim. Vendet e ballkanit perëndimor i kanë të gjitha mundësitë për t’i realizuar këto. Dera për antarësim është e hapur dhe nuk ka kohë për të humbur”.

Analisti serb, Dusan Janjiç, tha në konferencë se pavarësisht nga pesha e ngjarjeve të rënda të historisë, vendet e Ballkanit i kanë të gjitha mundësitë të bashkëpunojnë, sipas modelit të shteteve të Benelux-it, pa cënuar sovranitetin, por duke u mbështetur në elemente si energjia dhe infrastruktura. “Ishte vërtet e rëndësishme vizita e kryeministrit Rama në Beograd – tha analisti Janjiç. – Zoti Rama vërtet theu akujt dhe hapi një faqe të re në kapitullin diplomatik midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ajo vizitë do të sjellë fryte dhe bashkëpunim”. Sipas tij, marrëdhëniet shqiptaro – serbe zhvillohen në fushën kulturore, shtetërore dhe kombëtare. “Këto marrëdhënie kanë të njëjtën rëndësi si ato gjermano-franceze për krijimin e BE-së tha analisti serb Janjiç. Përballë luftërave dhe krimeve duhen vendosur zhvillimi dhe toleranca” – tha zoti Janjiç.

Studiuesit shqiptarë mendojnë se kryefjala e integrimit është bashkëpunimi dhe ky është projekti i vetëm i rajonit. Drejtuesi i Shoqatës së Atlantistëve Shqiptarë Arjan Starova, thotë se megjithë problemet fqinjësore në Ballkan, zhvillimet janë optimiste. “Bashkëpunimi në rajon është një shans i madh që u ka ardhur të gjithëve, -tha zoti Starova – dhe një rol të rëndësishëm kanë edhe udhëheqësit politikë”.

Organizatorët e konferencës vlerësuan se procesi i stabilizim-asocimit rriti bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit perëndimor për t’u integruar në BE, por marrëdhëniet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë mbetën të pazhvilluara për shkak të ngjarjeve historike dhe mosbesimit dypalësh. (voa)

Peshëngritje, Godelli shkruan historinë, kampion bote në Kazakistan

Daniel Godelli u shpall kampion bote në peshëngritje në peshën 77 kg, duke u bërë dhe peshëngritësi i parë shqiptar që arrin të marrë medalje ari në dygarësh në një kompeticion të tillë në sportin e peshëngritjes. 22-vjeçari mori medalje ari në stilin e shkëputjes pasi ngriti 171 kg, medalje argjendi në stilin e shtytjes me 198 kg dhe po medalje ari në dygarësh me 369 kg, duke lënë pas vetes kinezin Zhong dhe koreanin Jon Vi Choe.

Godelli tentoi të thyejë rekordin botëror në dygarësh, por dështoi në provën e tretë në stilin e shtytjes me 211 kg. Ky është rezultati më i lartë i arritur ndonjëherë nga një peshëngritës shqiptar në një kampionat botëror, ndërkohë që 42 vjet më parë Ymer Pampuri mori medalje ari në stilin e forcës në Lojërat Olimpike “Mynih 1972″.

Ndërkohë, peshëngritësi tjetër shqiptar që garoi në peshën 77 kg, kampioni i Europës Erkand Qerimaj, arriti të zërë vetëm vendin e pestë në stilin e shkëputjes, ndërkohë që dështimi në 3 provat në stilin e shtytjes bënë që shkodrani të mos përfshihet në renditjen e dygarëshit.

/ Top Channel

Kazakistan, triumfon peshëngritësi Daniel Godelli, rrëmben dy medalje ari

Peshëngritësi shqiptar Daniel Godelli ka triumfuar në Kampionatin Botëror në Almati të Kazakistanit, ku ka rrëmbyer dy medalje ari. Mësohet se peshëngritësi Godelli ka fituar vendin e parë në dy disiplina, atë në stilin e shkëputjes, si dhe në stilin dygarësh. Fillimisht sportisti ka gëzuar shqiptarët me lajmin e fitores në stilin e shkëputjes, ku Godelli ka ngritur 171 kg.

Në këtë stil, peshëngritësi tjetër shqiptar, Erkand Qerimaj, u rendit i pesti. Më pas Daniel Godelli ka arritur fitoren edhe në stilin dygarësh, ku ka ngritur 369 kilogramë dhe duke u shpallur kështu 2 herë kampion bote.

(m.k/BalkanWeb)

Rama: Vizita në Beograd pikë kthese

Kryeministri komenton vizitën në Serbi. Cështja e Kosovës, Rama: “Keqardhje kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë”Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot vizitën e tij në Serbi si një moment historik dhe një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve. Lidhur me reagimet e palës serbe mbi deklarimet e tij për Kosovën, zoti Rama rikonfirmoi të njejtin pozicion duke shtuar se ajo që duhet të reflektojë mbi këtë cështje është pala serbe. Vizita e zotit Rama u cilësua sot si mjaft e rëndësishme dhe historike edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Aleksandër Arvizu.

Pas kthimit nga vizita e tij në Beograd dhe dje në Luginën e Preshevës kryeministri Edi Rama u shfaq sot në Tiranë për të folur sërish rreth saj dhe efekteve që ajo pati. Në kryeqytetin serb vizita shkaktoi tronditje për shkak të deklarimeve të zotit Rama rreth Kosovës. Ndër shqiptarët në rajon u shoqërua me entuziazëm dhe nota triumfalizmi, ndërsa në Shqipëri debatet dhe analizat u përqëndruan mbi rezultatin konkret të saj.

Vetë zoti Rama foli për një pikë khese të plotë në marrëdhëniet mes dy vendeve: “Padyshim e konsideroj këtë një moment me rëndësi historike. Për mua, vizita e ka përmbushur plotësisht qëllimin e saj, përsa na takon. U thye një akullnajë e shtresëzuar në dekada të gjata luftërash, konfliktesh, ndasish të pangushëllueshme në mes të Europës.Ne shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë dhe jemi sot më afër se ç’ishim para dy ditësh, edhe pse rruga që duhet të bëjmë për t’u bërë miq të vërtetë është shumë më e gjatë se rruga që bëmë këto dy ditë”.

Por ndërsa që të arrihet kjo miqësi do të duhet një kohë e gjatë, sic theksoi zoti Rama, partneriteti serioz dhe bashkëpunimi intensiv nuk mund të presin theksoi ai duke rishprehur angazhimin e palës shqiptare për të ecur përpara.

Takimet e tij në Beograd dhe afrimi mes palëve u duk se u errësua nga deklarimi publik i kryeministrit shqiptar për Kosovën, ndonëse më pas palët u ulën sërish duke finalizuar në mbrëmje edhe nënshkrim marëveshjesh të rëndësishme. Kryeministri Rama edhe sot nuk i hoqi asnjë presje qëndrimit të tij, ndërkohë që u shpreh i keqardhur nga reagimi i palës serbe: “Nuk ka si mos të të vijë keq, kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, apo që e kanë të pamundur të hapin sytë, për të parë një realitet që është në sytë e të gjithëve. Dhe nuk jam unë që e krijoj problemin e tyre në raport me Kosovën, por janë ata që duhet ta zgjidhin këtë, si një problem të madh të vetvetes me të shkuarën dhe me të ardhmen e tyre”.

Një moment i vecantë ishte dhe vizita e djeshme në Luginën e Preshevës dhe pritja entuziaste që ju bë kryeministrit nga popullsia e shqiptarëve të atjeshëm, ndaj të cilëve kryeministri shprehu dhe një herë angazhimin për të garantuar të drejtat që atyre u takojnë: “I siguroj të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë, se nuk do të rresht dhe nuk do të rreshtim përpjekjet tona për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Veriun e Kosovës”.

Edhe ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu e cilësoi si mjaft të rëndësishme vizitën ndërsa evitoi të përfshihej në polemikat që u nxitën mes palëve: “Për SHBA kjo vizitë ka qenë shumë e domethënëse, historike. 68 vjet është një kohë shumë e gjatë pritjeje që drejtuesit të zgjedhur të dy vendeve të rëndësishme fqinje të mund të takoheshin. Të shpresojmë që të dyja vendet do të mund të ndërtojnë mbi këtë vizitë. Le të shpresojmë që ata do të mund të punojnë me njëri-tjetrin që edhe zoti Vucic të vizitojë Shqipërinë në 2015. Kjo do të jetë diçka e rëndësishme për të dy vendet rajonin dhe të gjithë gjithë Europën.”

Një ditë më parë edhe zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Komisionit europian për politikën e Jashtme Federica Mogherini e vlerësoi si një hap mjaft të rëndësishëm dhe fillimin e një faze të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, viziten e kryeministrit Rama. (voa)

Vizita në Serbi, Rama: Thyem akullin. Për Kosovën nuk i dhashë besën Vuçiç-it

Kryeministri Rama ka deklaruar në konferencën e posaçme për 35t, se ai i konsideron të thyer akujt me Serbinë për aq kohë sa kanë arritur në marrëveshje konkrete. Ndërsa në lidhje me Kosovën e ripërsërit edhe njëherë se sa më shpjet ta njohë Serbia, aq më shpjejt do çlirohen nga një barrë. Ndërsa i pyetur nëse i kishte shkelur në besë kryeministrin serb kur Foli për Kosovën, Rama tha se nuk i ka dhënë atij besën për diçka të tillë e se në Serbi, besa nuk njihet si koncept.

“NE SERBI THYEM AKULLNAJAT E DEKADAVE, DUHET KOHE TE BEHEMI MIQ TE VERTETE”
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se me vizitën e tij në Beograd janë thyer akullnajat e shtresëzuara në dekada dhe ka nisur një bashkëpuinim dhe partneritet serioz me palën serbe. Hapja e këtij kapitulli të ri, sipas Ramës iu shërben brezave që duan të jetojnë në paqe, edhe pse shtoi se do të duhet kohë që me Serbinë të krijohet një miqësi e vërtetë.

“Ishim plotësisht të qetë për një mision jo të lehtë, ku u thye një akullnajë e shtresëzuar nga dekada të gjata luftërash, konfliktesh e dasish në mes të Europës. Ne shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë dhe sot jemi më afër. Për tu bërë miq të vërtetë do të duhet kohë më e gjatë por partneriteti serioz dhe bashkëpunim për interesat e secilës palë nuk presin. Ne do angazhohemi intensivisht duke qenë të vetëdijshëm duke e komunikuar me mbarë botën. Kjo është një kohë e re e jashtëzakonshme paqeje për Ballkanin, për të bërë të mundur që gjenerata tjetër të mos trashëgojë traumat e një periudhe të gjatë luftërash, konfliktesh e dasish mes shqiptarëve e serbëve në Ballkan.

“I LUMTUR QË PËRMBUSHA PRITSHMËRITË E SHQIPTARËVE, PËRGJEGJËSIA MË E MADHE”
Kryeministri Rama konsideron se vizita në Serbi i ka përmbushur qëllimet e saj, ndërsa shprehet lumtur që ishte në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve. Por shefi i qeverisë e konsideroi mbështetjen e shqiptarëve edhe si një përgjegjësi të jashtëzakonshme, për të cilën siç tha ai, duhet të reflektojë dhe të bëjë gjithçka i takon për të qenë në lartësinë e asaj që presin shqiptarët.

“Një falënderim krejt i posaçëm me përulësi për të t shqiptarët e Kosovës që na e bënë kthimin nga Serbia në Shqipëri përmes Kosovës një ngjarje të paharrueshme, duke dalë buzë rrugëve të çdo zone të banuar për të na përshëndetur. Duke na bërë të ndjehemi mrekullisht mirë dhe të kthehemi me zemrën mal. Faleminderit të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen, të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe atyre që nga jashtë Shqipërisë, ku jetojnë e punojnë në emigracion nuk i kursyen fjalët për të na dhënë mbështetje dhe për të na bërë të ndjehemi mrekullisht mirë. Unë personalisht nuk ndjehem në lartësinë e jashtëzakonshme të fjalëve të mira në adresë time dhe jam i lumtur të ndjehem në lartësinë e pritshmërisë së njerëzve tanë. E kam shumë të nevojshme të reflektoj, por një gjë jua them të gjithëve me siguri, sot falë kësaj mbështetje ndjehem më i vogël se dje dhe e shoh përgjegjësinë si një mal ende më të lartë se dje. Padyshim do të bëj gjithçka që më takon për të qenë në lartësinë e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Faleminderit dhe të gjithë gazetarëve dhe sipërmarrësve që shoqëruan delegacionin tonë në këtë udhëtim. Jam këtu përpara jush me bindjen se sado të flas nuk do arrij ta përshkruaj emocionin dhe ndjenjën e frikshme të përgjegjësisë në raport me gjithë këtë mbështetje dhe inkurajim entuziast.”- deklaroi kryeministri.

“NUK DO RRESHTIM PERPJEKJET PER SHQIPTARET E LUGINES”
Kryeministri siguroi shqiptarët e Luginës së Preshevës se qeveria shqiptare nuk do të rreshtë përpjekjet për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të drejta që gëzojnë serbët në veriun e Kosovës.

“Ndjeva një peshë të jashtëzakonshme përgjegjësie kur mu dorëzua titulli i lartë i qytetarit të nderit të një territori shqiptarësh që kanë vuajtur shumë, kanë sakrifikuar shumë, janë penguar shumë për të pasur një jetë normale dhe që jam krenar që më ne fund ndjehen të përfaqësuar dhe të përkrahur. I siguroj motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë se nuk do të rresh dhe nuk do të rreshtim përpjekjet tona për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të drejta që gëzojnë serbët në veriun e Kosovës. Është modeli i asaj që ne jemi si shqiptarë dhe që duam të jemi në sytë e të tjerëve, por në radhë të parë në raportin me veten tonë në trajtimin e të tjerëve. Nuk duam as më shumë e as më pak se atë që na takon nga të tjerët”- deklaroi kryeministri.

PYETJE NGA GAZETARET
Në darkën pas konferencës që patët për shtyp arritët të firmosnin një marrëveshje shumë të rëndësishme, për shkëmbimin e të rinjve, a mund ta quani të suksesshme këtë vizitë. Vuçiç ka thënë dje se nuk mund të gjuante me shkop duke lënë të kuptohej se po të kishte mundësi do ta bënte, si do të ktheheni në dhjetor në Beograd?
Unë padyshim e konsideroj këtë një moment me rëndësi historike, dhe për mua vizita e ka përmbushur plotësisht qëllimin e saj përsa na takon. Përsa i përket deklaratave të palës tjetër, unë ndjej keqardhje për një fakt shumë të thjeshtë, se nuk ka si mos të vijë keq kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, apo që e kanë të pamundur të hapin sytë për të parë një realitet që është në sytë e të gjithëve. Përtej kësaj unë besoj se nuk ka nevojë të shtojmë komente apo batuta, se shumë batuta do më vinin në mend për punën e shkopit se çfarë mund të bëjë me shkopin kolegu im. Por jam i bindur se e ka përdorur si metaforë dhe e tillë do mbetet për të mos hyrë në historira shkopinjsh.
A do shkoni në samitin që do të organizohet në Beograd?
Nuk kam asnjë problem të shkoj, një orë e më parë uroj që serbët të mos më kenë problem të shkoj, nuk jam unë që ju krijoj probleme në raport me Kosovën janë ata që duhet ta zgjidhin problemin mes të shkuarës dhe të ardhmes.
Zoti Vuçiç ka deklaruar se ishte prerë në besë për deklaratën mbi Kosovën. A ia keni shprehur apo jo qendrimet tuaja para se të dilnit në konferencë? Folët për shkrirje akullnajash por Vuçiç tha se ishte një mundësi e humbur, pse këto qëndrime të kundërta?
Besa është në dijeninë time një instrument etik i shqiptarëve, nuk e di që serbët ta kenë besën si instrument s’kemi dhënë ndonjëherë ndonjë besë që të quhemi besëshkelur. S’besoj të jetë thënë në këtë kontekst se pastaj hymë në histori. Sa për akullin, unë e shoh kështu, koha do ta tregojë që është kështu. Marrëveshja që pasoi është marrëveshje konkrete e akullit të thyer. Koha është shumë e gjatë nga vijmë nuk e bën të lehtë thyerjen e akujve por edhe dakordësinë për thellësinë e thyerjeve.
Si e komentoni postimin e Berishës kur thotë se u poshtëruat në Beograd, pasi mungonte flamuri shqiptar në pritje? Deklaruat se e ftuat Vuçiç në Tiranë a e mirëpriti, do vijë?
Nuk mund ta besoj dot që paraardhësi im ta ketë dëshiruar një poshtërim të kryeministrit shqiptar në Beograd. Duke qenë se ka kaluar shumë truproja duhet ta dije se truprojat e nderit mbajnë flamurin e shtetit që përfaqësojnë. Garda e Republikës së Shqipërisë nuk mund të mbajë flamur serb. Kjo besoj është çështje moshe, janë pasoja të padëshiruara por vijnë. Jo harresë e qëllimshme por është në procesin biologjik të një lloj rrjedhje të kujtesës. Duke e mirëkuptuar dhe respektuar një njeri në moshë besoj që nuk është e udhës ta kujtojmë këtë. Nuk ia marr për keq. Sa i përket ftesës ka qenë dhe mbetet që të na kthejë vizitën. Besoj që vizita do të ndodhë jo pas 68 vitesh, shpresoj vitin e ardhshëm. Na takon të tregojmë se nuk kemi kompleks nga e shkuara, se jemi gjithnjë e më shumë europianët e rinj të Ballkanit
Me deklaratat tuaja mbushët zemrat në Kosovë dhe në Preshevë. Nga deklaratat dolët fitimtar ndaj homologut Vuçiç. Por sa e ndihmon kjo të ardhmen, çfarë dokumentash keni lënë “pending’ për të hapur një rrugë të re?
Këtë bisedë duhet ta ulim pak në rrafshin e normalitetit. Darka ishte rezultat i insistimit nga ana jonë për të firmosur një marrëveshje me përmbajtje, donim një marrëveshje të rëndësishme. Dokumenti i inkurajuar nga kancelarja Merkel në lidhje me rininë. Element i munguar ai që iu siguron të rinjve njohjen reciproke të diplomave. Gjërat që qartësisht na ndajnë janë gjëra që s’na ndajnë neve me serbët por ndajnë serbët janë me njëri-tjetrin. E them edhe këtu sa më shpejt ta njohin Kosovën, që më shpejt do çlirohen nga një barrë e rëndë. Këtë barrë që është e habitshme që ia lënë të tjërëve. Lëvizja e lirë me kartë identiteti dhe njohja e diplomave janë dy hapa të jashtëzakonshëm përpara, nëse shohim vetëm dy ditë pas.
Keni patur reagime nga ndërkombëtarët lidhur me këtë vizitë? Ju keni patur një darkë me ministrin Hoxha dhe nuk ka qenë kryeministri Thaci. Nëse mund të na zbuloni detaje nga kjo darkë.
Kryeministri nuk është gjendur dje në Kosovë, ndërkohë që ndalesa jonë në Prizren ka qenë e lidhur me kënaqësinë e jashtëzakonshme që të jep Prizreni kur ke mundësi të ndalosh dhe të përfitosh nga kuzhina fantastike e Kosovës, edhe pse duhet të mbajmë dietë. S’ka asnjë arsye për të mos qenë të kënaqur nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Jemi në të njëjtën gjatësi vale me komunitetin ndërkombëtar. Koha do të tregojë që ka shënuar një pikë kthese të plotë për marrëdhëniet dypalëshe por dhe marrëdhëniet në rajon.
Jeni cilësuar si droni i dytë si ndjeheni për këtë?
U bëmë familje dronash më duket, meqë e hodhi vëllai im të parin s’mund të rrija dhe unë pa hedhur të dytin.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Kazakistan, peshëngritësi Daniel Godelli shpallet kampion bote në stilin e shkëputjes

Peshëngritësi shqiptar Daniel Godelli shpallet kampion bote në stilin e shkëputjes.Godelli ka fituar medalje ari në Kampionatin Botëror në Almati të Kazakistanit, në stilin e shkëputjes. Sportisti shqiptar, ngriti 171 kg duke marrë medaljen e arit. Ndërkaq peshëngritësi tjetër shqiptar Erkand Qerimaj u rendit i pesti në stilin e shkëputjes.

(m.k/BalkanWeb)

BE: Vizita e Ramës, shenjë ndryshimi pozitiv për dialogun rajonal

Nga Berlini, ndërsa zhvillonte takimet respektive me Ministrat gjermanë të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme, Zhvillimit e Bashkëpunimit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, komentoi vizitën historike të Kryeministrit shqiptar në Beograd, duke e quajtur “shenjë të një ndryshimi pozitiv për dialogun rajonal në Ballkanin Perëndimor”. Vizita dyditore duhet të përfaqësojë një pikë kthese në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ne presim që të dy liderët të tregojnë vendosmëri të përtërirë dhe guxim politik, të shohin për të ardhmen dhe për të rindërtuar marrëdhëniet pas kaq shumë vitesh, vlerëson shefja e re e diplomacisë europiane.

Berlini shënon vizitën e dytë zyrtare në një vend anëtar për Përfaqësuen e Lartë, ndërkohë që përpara vizitës në Beograd, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u ftua të enjten në Komisionin për çështjet europiane të Bundestag, si dhe bisedoi me Ministrin e Shtetit për Europën në Gjermani. Disa ministra të jashtëm europianë e eurodeputetë komentuan në 35t sociale vizitën e kryeministrit Rama në Serbi. “Historia është shkruar” për sllovakun Miroslav Lajcak, i cili thekson se kjo vizitë pason takimin Tito-Hoxha në Beograd në vitin 1946.

Suedezi Carl Bildt e konsideron “vizitë të rëndësishme për biseda politike”. Gjithashtu, eurodeputetja e majtë sllovene, Tanja Fajon, “mirëpriti vizitën historike të kryeministrit Rama në Serbi”. Sipas saj, ” ajo përfaqëson njê hap të guximshëm për të ardhmen e të gjithë rajonit”.

Pergatiti ARTA TOZAJ
/ Top Channel

Rama në Preshevë: Jo betejë për Shqipëri të Madhe, por për gjithë shqiptarët në Europë

Entuziazmi i qytetarëve të Preshevës arriti kulmin, kur kryeministri Edi Rama zgjodhi të kalojë pranë tyre në sheshin “Liria”, përpara se të futej në sallën e Pallatit të Kulturës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë pritur kryeministrin me muzikë e valle shqiptare, ndërsa në duar mbanin flamurin kombëtar. Në fjalimin e tij, kryeministri Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar punën, në mënyrë që siç tha ai, të rilinden shpresat dhe besimi i çdo shqiptari kudo ku ai jeton. Shefi i qeverisë shqiptare tha se vendi ynë do të mbetet një derë e hapur që të rinjtë e Preshevës të studiojnë në Shqipëri. Rama bëri të ditur se tashmë është arritur një marrëveshje me kryeministrin serb Vuçiç dhe ekipin qeveritar serb për njohjen reciproke të diplomave. Kryeministri tha se qeveria shqiptare do të dyfishojë kuotat në mjekësi dhe do të heqë limitin e kuotave në të gjithë fakultetet e tjera për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ndihem thellësisht i privilegjuar që si kryeministër i Shqipërisë t’ju them mirose ju gjeta dhe t’ju siguroj se unë dhe qeveria jonë nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari kudo ku ai jeton. Ju jam thellësisht mirënjohës për këtë mikpritje të paharrueshme dhe për këtë organizim kaq dinjitoz, që ju siguroj se do të mbetet i pashlyer në kujtesën time dhe pa asnjë dyshim do diktojë edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm timin dhe të të gjithëve ne në Tiranë për të qenë pranë jush dhe për të punuar së bashku në mënyrë që secili prej jush të ketë një rrugë të hapur për të realizuar ambiciet e tyre dhe të ketë gjithmonë një derë të hapur në Shqipëri për të kryer studimet e tyre. Pas një diskutimi intensiv me kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb ne në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, dhe për njohjen reciproke të diplomave”- deklaroi kryeministri Rama.

Duke u ndalur tek diplomat që lëshohen në Shqipëri, Rama tha se ato do jenë të barasvlershme me ato në Serbi. “Kemi hapur një faqe të re për gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do duan të realizojnë ambicien e tyre. Diploma e Shqipërisë do jetë një dokument i njohur edhe në Serbi, është i barazvlefshëm me të”.

Më tej kreu i qeverisë shqiptare foli hapur përpara shqiptarëve të Preshevës, duke iu thënë se rajoni ku jetojmë duhet të bashkëjetojë në paqe, ndërsa shtoi se me Serbinë është hapur tashmë një kapitull i ri, që ky moment paqeje të jetë i qëndrueshëm

“Pavarësisht vështirësive të kuptueshme mosdakordësive të njohura, jam besimplotë që kemi hapur një faqe te re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, kemi marrë përsipër përgjejgësinë që na takon. Të mos lejojmë që gjenerata e re e shqiptarëve dhe serbëve të trashëgojnë traumat e një konflikti të gjatë, që fëmijët shqiptarë dhe serbë nuk e meritojnë. Kjo është një përgjegjësi e plotë e qeverisë shqiptare, përtej atyre që mund të thonë ata të cilët preferojnë të jetojnë me slogane dhe retorika të së shkuarës. Do bëjmë çmos që ti japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari pavarësisht ku jeton, pavarësisht se jeton në Kosovë, Serbi, Mal i Zi e me radhë. Ne jemi të bindur se na është dhënë mundësia historike e një paqeje në këtë rajon të identifikuar botërisht me urrejtjen e dasisë. Sot 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore ne kemi mundësinë historike ta kthejmë këtë moment paqeje në një paqe të qëndrueshme, për të cilën ia vlen të jetohet”.

Rama ftoi më tej shqiptarët e Preshevës të bëhen pjesë e evropianëve të rinj të këtij rajoni.
“Nuk është hera e parë që vij në Preshevë, jam i vetëdijshëm për brengat vështirësitë dhe pamundësitë tuaja të shkaktuara pavarësisht nga ju, vështirësi që ndesheni shpeshherë, pengesa që i gjeni në rrugën tuaj të pamerituar. Duke shfrytëzuar këtë moment paqeje, duke u përpjekur të kthejmë në rrugë të qëndrueshme ne do ti shuajmë brengat e së shkaurës, do ti zhbëjmë vështirësitë. Jini të bindur, kini besim se do heqim të gjitha pengesat që një djalë me kombësi shqiptare të ndjehet i barabartë me çdo evropian pavarësisht ku jeton. Nuk është detyrim politik por kushtetues, bazuar në Kushtetutë që qeveria e Shqipërisë dhe cilido qoftë kryeministër të mos e harrojë se liria dhe të drejt ae cdo shqiptari kudo që jeton janë të paprekshme dhe duhet ti mbrojmë pavarësisht pengesave. Unë dua që sot të nënvizoj se është një kohë e re, të jemi të vetëdijshëm, të punojmë me njëri-tjetrin për tu sjellë ashtu sic i ka hije kësaj kohe të re, kush ka të vështirë të ndahet nga e shkuara nuk jemi ne, ne duam të jemi evropianët e rinj të këtij rajoni, i ka ardhur koha të bashkohet përfundimisht me Europën”.

Rama u ndje krenar teksa foli për mundësitë dhe të drejtat që iu garantohen minoriteteve në Shqipëri, ndërsa nuk hezitoi të kërkojë të njëjtën gjë edhe nga Serbia. Ai theksoi se ka deklaruar në Serbi, në takimin kokë më kokë me homologun Vuçiç se shqiptarët nuk kërkon Shqipërinë e Madhe por një Europë të madhe ku të përfshihen të gjithë shqiptarët.

“Këtu para jush, në vendin ku shqiptarët sot hasin vështirësi nënvizoj me krenari se ne shqiptarët e Shqiqëprisë dhe Kosovës, të dy shteteve që janë garantë të paqes dhe stabilitet mund të jemi me plot gojën krenarë për mënyrën si i respektojmë minoritetet. Kemi të drejtën bazuar jo në letra por në fakte se në Shqipëri dhe Kosovë ka modele të admirueshëm për respektin e minoriteteve. Me ketë krenari kemi të drejtë duke u nisur nga vetja ta kërkojmë edhe nga të tjerët. Sot në Shqipëri ka një minoritet grek, i cili nuk ndjen për asnjë çast dallim, ka minoritet maqedonas, asnjë diskriminim në raport me popullsinë, pas ndarjes së re territoriale do ketë edhe bashkinë e vetë pavarësisht se numri është i vogël. Sjelljen ndaj tjetrit nuk e përbëjnë numrat. Ne të gjithë jemi krenarë se atë që duam për veten tonë nuk ia mohojmë tjetrit, por atë që ia japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë ne. Këto territore ka mundësi të kthehen nga një zonë e vështirë, hedh sytë dhe kupton se ka një dallim të madh në një zonë ku dallimi duhet të jetë i padukshëm. Brenda përbrenda Serbisë nuk duhet të ndjehet e kundërta e pjesës tjetër të territorit të Serbisë. Kam folur hapur dhe shkoqur në takimin me Vuçiç. Ua bëra të qartë se ne shqiptarët nuk jemi në betejë të përbashkët për Shqipëri të Madhe por për Europë të madhe që duhet ti përfshijë të gjithë shqiptarët bashkë me gjithë të tjerët”

Kryeministri Rama theksoi se shqiptarët janë sot më të dëgjuar dhe më të respektuar seç kanë qenë ndonjëherë më parë, sepse siç tha ai, “ata nuk kanë kërkuar kurrë diçka që i takon tjetrit dhe janë treguar të njerëz të besës me aleatët strategjik”.

“Ne shqiptarët kemi shumë të drejtë që shpesh herë të jemi të padurueshëm, që të kërkojmë sa hap e mbyll sytë gjithçka që na ka munguar. Kemi shumë të drejtë në Kosovë të jemi të padurueshëm dhe të kërkojmë të mos ketë kriza, kemi shumë të drejtë këtu të jemi të padurueshëm. Por kthejeni pak kokën mbrapa, ku ishin shqiptarët në vitet ’90 dhe kush ndër ne mund t’i parafytyronte shqiptarët siç janë sot në këtë rajon me kaq shumë më tepër gjëra të bëra realitet. Dhe jo gjëra të thjeshta, por gjëra të mëdha. Më të dëgjuar dhe më të respektuar seç jemi sot nuk kemi qenë asnjëherë. shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë diçka që i takon tjetrit. Nuk kanë rënë kurrë në kurthin e atij nacionalizmi që e bën njeriun, por që mund ta bëjë edhe një vend të tërë të verbër për të hapur luftëra jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë tjetrin të lirë. Sot shqiptarët janë në këtë pozitë, të gatshëm për të shkuar më tutje, por dhe të fortë për të përballuar rrugën më tutje, kjo ka ardhur si rezultat i të qenit njerëz të besës me aleatët tanë strategjik SHBA dhe BE. Nuk mundet të shkojmë pas askujt që del mendsh dhe thotë ka një rrugë më të shkurtër, sepse rruga me e shkurtër të nxjerr gjatë. Sepse rruga jonë është e drejtë”- deklaroi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “shteti shqiptar nuk do të tërhiqet nga detyrimi i tij kushtetues, për të qenë i angazhuar në mënyrë konstante, që duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë, të forcojë pozitën e vet për të mbrojtur dhe mbështetur aspiratat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë”.

“S’ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, më pak liri dhe të drejta se serbët e veriut të Kosovës. Ashtu si dhe të gjithë minoritetet etnike apo kulturore nuk mund më të diskriminohen për shkak të origjinës, nëse jemi të gjithë serioz që kësaj mundësie fantastike për të mbyllur një shekull ndasish t’i përkushtohemi jo me fjalë por me vepra”.

Më tej Rama përgëzoi partitë politike shqiptare në Luginë për përfaqësimin në parlamentin dhe në institucionet e këtij shteti.

“Shqiptarët kanë vullnet për dialog aty ku ka hapësirë për dialog dhe se kanë vullnet për bashkëpunim me shtetin ku jetojnë, gjë që u jep të drejtën të kërkojnë shumë më shumë nga shteti ku jetojnë”- tha kryeministri Rama.

MUSTAFA: KRYEMINISTRI RAMA TREGOI PËKUSHTIMIN PËR TË GJITHË SHQIPTARËT
Kryetari i komunës së Preshevës, Ramiz Mustafa, përgëzoi sot kryeministrin shqiptar Edi Rama për qëndrimin e tij në Beograd në konferencën për shtyp me kryeministrin e Serbisë Vuçiç dhe për përkushtimin për të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht në Luginën e Preshevës.

Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar në Pallatin e Kulturës për ardhjen e kryeministrit Edi Rama në Preshevë, Mustafa theksoi se “një përkushtim i veçantë , një përkushtim për të cilin që padyshim ka qenë i njohur edhe më përpara, një problem i Luginës së Preshevës. Kryeministri Rama nga Beogradi kërkoi që të zgjidhet ky problem duke shfrytëzuar metoda më të mira të mundshme të rajonit dhe duke e krahasuar me serbët në veriun e Republikës Kosovës dhe mbarë territorit të Kosovës që gëzojnë në mënyrë shumë më të madhe të drejta sesa shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama tanimë është vendosur ne pozicionin e liderit të shteteve ballkanike i nominuar nga kancelarja Merkel”, u shpreh Mustafa.

Kreu i komunës së Preshevës nënvizoi se “pa asnjë dyshim ka përmbushur edhe një obligim kushtetues si kryeministër i Republikës së Shqipërisë për t’u kujdesur në lidhje me pozicionin e shqiptarëve kudo që jetojnë”.

“Duke qenë se në këtë sallë janë një mori maturantësh të shkollave të mesme të Preshevës e Bujanovcit një mori biznesmenësh nga Lugina e Preshevës përfaqësues nga Medvegja unë mendoj se Kryeministri i Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë përkushtimin e shtetit shqiptar në ndihmë të më të rinjve. Maturantët e Luginës së Preshevës i kanë dyert e hapur në universitete shqiptare”, – përfundoi Mustafa.

RAMA I DORËZOHET TITULLI “QYTETAR NDERI”: MBROJMË INTERESAT TUAJA NË KËTO TROJE
Shqiptarët e Luginës së Preshevës e pritën me entuziazëm vizitën historike te Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Banerat ku shkruhet “Mirësevjen kryeministër” gjenden pothuajse në çdo pjesë të Preshevës, ndërsa në sheshin ‘Liria” mijëra qytetarë të mbledhur brohoritën e u takuan me kreun e qeverisë së Shqipërisë teksa hynte në Pallatin e Kulturës. E gjithë ceremonia e pritjes u shoqërua me flamuj ‘kuq e zi’, këngë e valle shqiptare.

Nga Presheva, Zv/kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare” Tedi Blushi flet për një atmosferë tepër të ngrohtë dhe elektrizuese që vjen nga sheshi i Preshevës. “E gjithë Presheva në shesh. Turma është e jashtëzakonshme, pritje elektrizuese”, me këto fjalë e ka përshkruar ai situatën në Preshevë.
“Shumë të rinj na përshëndesin nëpër rrugë dhe filmojnë me celular kalimin e eskortës së delegacionit shqiptar”, thotë Blushi më tej.

Padurimi i banorëve të Luginës së Preshevës për pritjen e Ramës duket edhe nga deklaratat e tyre. Banorët shprehen se për herë të parë pas shumë vjetësh një kryeministër shqiptar viziton Preshevën, dhe do të jetë shumë pozitive dhe në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që do japi mesazhe të mira te ndërkombëtarët dhe është një hap drejt integrimit në Europë.

Fotografia e Ramës ka pushtuar qytetin duke filluar nga gjimnazi “Skënderbeu” e deri në sheshin e dëshmoreve të UÇPMB-së.

Ndërkaq bëhet me dije se masa të rrepta sigurie ka edhe në Preshevë, e cila është rrethuar sot nga policë të shumtë, të cilët po sigurojnë vendin para ardhjes së kryeministrit Rama.

Për plot 102 vjet pavarësi të Shqipërisë, asnjë president dhe asnjë kryeministër shqiptar nuk i ka vizituar këto treva. Njëkohësisht nuk mbahet mend që Preshevën ta ketë vizituar ndonjë personalitet i lartë, president apo kryemnistër serb apo shqiptar.

RAMA KALON NGA KOSOVA PAS VIZITËS NË SERBI, QYTETARËT E PRESIN NË GJILAN

Ora 12:25 – Zv/kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Tedi Blushi njoftoi nga Beogradi se kryeministri shqiptar Edi Rama do të kalojë nga Kosova pas vizitës në Serbi. Shefi i qeverisë shqiptare do të pritet në hyrje të Gjilanit nga qytetarët kosovarë, rreth orës 16:00.

Vizita e Edi Ramës në Beograd çon në këmbë edhe qytetarët e Kosovës, të cilët po përgatiten ta presin eskortën e tij gjatë kalimit nëpër Kosovë. Mësohet se një grup i qytetarëve nga Gjilani do ta presin atë në magjistralen Dheu i Bardhë, Gjilan, saktësisht në hyrje të Gjilanit, në hapësirën e qendrës tregtare Drini.

Qëllimi i organizatorëve është që t’i shprehin kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe delegacionit të tij, falënderimin për përfaqësimin dinjitoz edhe të shqiptarëve të Kosovës në vizitën e tij në Beograd.

RAMA NE KOMUNEN E PRESHEVES: MBROJME INTERESAT TUAJA
Ora 12:23- Menjëherë pasi mori në dorëzim titullin qytetar nderi, Rama, është zotuar në komunën e Preshevës së Shqipëria do të mbrojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës.

Duke marrë fjalën Rama tha: “Mirë se ju gjej dhe falemnderit. Jam i ndërgjegjshëm për situatën, sakrificat dhe varferinë. Do mbrojmë interesat e vëllezërve dhe motrave tona në këto troje. Barrën e ndjej tani më shumë pas këtij nderimi. Tani ndjehem një nga qytetarët e ketyre territoreve”.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi në këto momente se vizita e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Preshevë është e mirëpritur, pasi ka 102 vjet që në këtë tokë nuk vjen asnjë përfaqësues nga athdheu amë.

Kryetari i Komunës, Mustafa, theksoi se deklarata e zotit Rama në Beograd se “shqiptarët e Preshevës duhet të kenë të njëjtin status si serbët e Kosovës” është shumë e mirëpritur nga shqiptarët e Luginës.

RAMËS I DORËZOHET TITULLI “QYTETAR NDERI” I PRESHEVËS

Ora 12:10 – Kryeministrit Edi Rama i është dorëzuar titulli “Qytetar Nderi” nga Këshilli Komunal i Preshevës. 33 këshilltarët e Preshevës votuan unanimisht që kryeministrit shqiptar t’i akordohej titulli “Qytetar Nderi”.

PRESHEVË, MBËRRIN KRYEMINISTRI RAMA DHE DELEGACIONI
Ora 11:45- Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar që e shoqëron ka mbërritur tashëm në Preshevë, ku e presin mijëra qytetarë të mbledhur nga Presheve, Bujanovci dhe Medevegja.

Sipas raportimit të gazetarit Tedi Blushi, Rama po i drejtohet në këto momente Këshillit Komunal të Preshevës. Pikërisht aty do ti dorô7zohet kryeministrit shqiptar edhe titulli “Qytetar nderi i Preshevës”.

BLLOKOHEN PER 40 MINUTA GAZETARET SHQIPTARE
Por pak orë para mbërritjes së Ramës në Luginë janë shënuar edhe incidentet e para. Mësohet se policia serbe ka bllokuar për rreth 40 minuta autobusin me 28 gazetarë dhe operatorë shqiptarë, rrugës për në Preshevë. Policia serbe nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e bllokimit të autobusit me gazetarë dhe të gjitha automjeteve që udhëtonin në drejtim të Preshevës. Autobusi është lejuar të vijojë rrugën menjëherë pasi ka kaluar eskorta e kryeministrit Rama.

Në një komunikim telefonik në “News24″, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, G.Dervishi bëri të ditur se policia serbe ndaloi të gjitha makinat që udhëtonin drejt Preshevës, në mënyrë që të kalonte fillimisht eskorta dhe delegacioni shqiptar.
“Menjëherë sapo ka kaluar eskorta gazetarët janë lejuar të vazhdojnë rrugën. Janë ndaluar të gjitha makinat në mënyrë që të lihej e lirë autostrada që të kalonte eskorta e kryeministrit.”- deklaroi Dervishi.

JA AXHENDA E RAMES NE PRESHEVE
7:00 – Nisje për në Preshevë e delegacionit (dy vetura, një minivan).
11:00 – Mbërritje në Preshevë në sheshin “Liria” përpara godinës së këshillit komunal.
11:10 – Dalje në sheshin “Liria” dhe fjalim në podium.
11:30 – Shtrëngim duarsh me pjesëmarrësit dhe ecje në këmbë deri te materniteti i financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare, për të parë gjendjen e qendrës spitalore.
12:00 – Nisje për në restorantin “Rozafa”, rrugës për në Bujanovc. Drekë me personalitetet politike vendore.
14:30 – Mbërritje në Bujanovc dhe ndalesë në shkollën e mesme “Shezai Surroi”.
15:15 – Vizitë e shkurtër dhe përshëndetje në fabrikën “Protex”.
15:45 – Nisje për në pikën kufitare serbo- kosovare të Konculit.
16:10 – Mbërritje në Koncul dhe largim nga territori serb”

DEMTOHET POSTERI I RAMËS NË PRESHEVË

Ora 11:07- Mediat vendase kanë publikuar sëfundmi edhe foton e një posteri të kryeministrit Rama, me rastin e vizitës së tij në Preshevë, i cili është dëmtuar, pasi është qëlluar me bojë.

LIROHEN TË ARRESTUARIT
Ora 10:26- “Presheva Jonë”shkruan sot se të arrestuarit nga policia ishin punëtorët që vendosnin ndriçimet dhe flamujt për vizitën e kryeministrit. Nesër ata do të paraqiten në prokurori.

“Kapja për flamurin tregon se nuk çlirohesh nga hija jote…” tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, per mediat shqiptare nga Beogradi. Rama, këto komente i bëri per mediat shqiptare ne Tiranë kur u pyet nga gazetari se si komenton arrestimin e sotëm në Preshevë për vendosjen e flamujve kombëtar.

“Të kapesh me flamurin e tjetrit do të thotë që të mos çlirohesh nga hija jote”, ka pohuar Rama.

BLUSHI: NDALIMI I QELLIMSHEM
Ora 09:30- Sipas raportimit të gazetarit, njëherësh zv/kryeredaktorit të “Gazetës Shqiptare”, Tedi Blushi ndalimi është një incident i qëllimshëm që bën pala serbe. Sipas tij, gazetarët janë bllokuar pa ndonjë justifikim konkret e më pas janë lënë të udhëtojnë drejt Preshevës.

Blushi shton se pala serbe ka bllokuar autobusin me qëllim që gazetarët të mos pasqyrojnë situatën në Preshevë, atmosferën që mbizotëron dhe pritjen e shqiptarëve të atjeshëm për kryeministrin e Shqipërisë.

“Ne jemi nisur në orën 05:15 nga hoteli, ndërkohë që delegacioni shqiptar është nisur rreth 1 orë e 30 minuta pas nesh. Ne aktualisht ndodhemi të bllokuar prej 20 minutash në autostradë, në afërsi të Vranjës. Policia e ka ndalur autobusin pa argumente konkrete. Na thanë që duhet të kalojë delegacioni zyrtar, pastaj thanë që jeni nisur me vonesë, pastaj që autostrada është e mbyllur, por nuk na japing asnjë sqarim konkret. Aktualisht 28 gazetarë që po shkonim drejt Preshevës për të pritur kryeministrin Rama dhe për të parë entuziazmin atje ndodhemi të bllokuar”, raporton Blushi.

Ai shprehet më tej se, “Gazetarët shqiptarë po ndalohen të bëjnë misionin e tyre. Mendoj që ky bllokim është i qëllimshëm. Bashkë me ne po penalizohen edhe qytetarët e tjerë që vijnë me mjete pas nesh. Nuk na lënë të dalim jashtë ,as të filmojmë incidentin”, tha ai më tej.

PRESHEVË, POLICIA AKSION PËR HEQJEN E FLAMUJVE SHQIPTARË

Ora 09:20 – Në një aksion të ndërmarrë në orët e para të mëngjesit janë hequr të gjithë flamujt shqiptarë, të vendosur në shtyllat e rrugëve kryesore të Preshevës.

Dëshmitarët okularë bëjnë të ditur se flamujt janë hequr mëngjesin e së martës nga persona pa uniformë të cilët shoqëroheshin nga policia.
Një ditë më parë u shoqëruan në polici qytetarët që po dekoronin me flamuj kuq e zi rrugët e Preshevës.

Ndërkohë, Presheva është përfshirë nga një atmosferë e qetë, ndërsa policia është e pranishme në të gjitha vendet ku parashikohet të kalojë e qëndrojë kryeministri Edi Rama, sidomos në shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica”.

INCIDENTI PËR FLAMUJT
Ora 07:30- Ndërkohë që tensioni në Preshevë është rritur pas veprimit të policisë serbe, e cila ka arrestuar disa shqiptarë të Preshevës që po vendosnin flamuj dhe pankarta në muret e qytetit.

Dy persona, përkatësisht drejtuesi i një ndërmarrje shërbimesh dhe bashkëpunëtori i tij janë arrestuar nga autoritetet serbe.

Siç bën të ditur agjencia “Presheva Jonë”, ndërrmarja “Rrufeja” ishte kontraktuar nga komuna e Preshevës për vendosjen e flamujve kombëtarë në rrugën “15 Nëntori” në Preshevë, nga gjimnazi “Skenderbeu” e deri tek qendra, para komunës në sheshin e dëshmorëve të UÇPM-së. Dy personat e arrestuar po mbahen në stacionin policor të Preshevës.

MEDIAT SERBE
Ora 07:15- Mediat serbe e kanë quajtur provokim vendimin e Ramës për të vizituar Luginën e Preshevës. Shkrime mbi vizitën e Ramës në Preshevë kanë nisur që prej javës së kaluar në mediet e Serbisë, por po ashtu dhe në ato kosovare.

Sipas raportimeve të djeshme të agjencisë serbe të lajmeve “B92″, kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk do të organizojë tubim, edhe pse do të vizitojë Preshevën. “B92″ shkruan se Rama do të zhvillojë vetëm një takim të shkurtër me udhëheqësit politikë vendas.

RAMA-VUCIC DEBAT PER KOSOVEN
Ora 07:00- Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në Beograd se pavarësia e Kosovës është tashmë një realitet i patjetërsueshëm, ndërsa ftoi Serbinë ta njohë atë si shtet, me qëllim normalizimin e situatës në rajon. Menjëherë pas kësaj deklarate, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç e ka cilësuar atë si provokim. Ai madje nuk nguroi të bënte deklarata emocianale si “Nuk lejoj askën ta ulë Serbinë në Beograd, apo ‘Kosova është e jona”.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Kryeministri Rama në Preshevë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se modeli për zgjidhjen e situatës në Luginën e Preshevës është ai që zbatohet për pakicat serbe në Kosovë.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të martën se me gjithë dallimet e thella me Serbinë, tashmë është hapur një faqe e re historie mes dy vendeve dhe është marrë përsipër përgjegjësia që të mos lejohet më që gjenerata e re e shqiptarëve, por edhe e serbëve, të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të së shkuarës.

Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në luginën e Preshevës, një zonë e banuar me shumicë shqiptare në pjesën jugore të Serbisë.

Pllakate të mëdha me mbishkrimin “Mirë se vjen kryeministër”, janë vendosur nëpër rrugët e Preshevës, prej nga forcat e policisë serbe kanë hequr flamujt kombëtar shqiptar që ishin vendosur të hënën nga autoritetet lokale.

Kryeministri Rama u takua me udhëheqësit lokal në Preshevë ku u nderua me titullin Qytetar nderi. Ai i siguroi qytetarët e mbledhur për ta pritur në Preshevës se qeveria e tij nuk do të “rresht së punuari për rilindjen e Shqipërisë dhe për rilindjen e shqiptarëve kudo që jetojnë”.

Ai tha se nuk sheh asnjë arsye që shqiptarët e Luginës të mos kenë të drejtat e njëjta sikurse edhe serbët në veriun e Kosovës. Duke i cilësuar pakicat kombëtare si ura lidhëse mes vendeve, kryeministri tha se “për të qenë evropianë deri në fund, nuk mjafton të flasim gjuhën e Brukselit, por duhet t’u jepet mundësia pakicave që lirisht të mësojnë gjuhën e tyre”.

Ai tha se me Beogradi është arritur marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave të të dyja vendeve, ndërsa u zotua për shtimin e numrit të studentëve nga Lugina e Preshevës që mund të ndjekin studimet në Tiranë.

Ai u përplas të hënën me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç për shkak të Kosovës. Mikpritësi serb e cilësoi si provokim deklaratën e kryeministrit Rama se “pavarësia e Kosovës është realitet i pamohueshëm, i cili duhet respektuar si i tillë” dhe se “pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”.

Kryeministri Rama tha se “shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë, diçka që i takon tjetrit, sepse shqiptarët nuk kanë rënë kurrë në kurthin e nacionalizmit, i cili e bën njeriun të verbër për të hapur luftëra, jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë tjetrin të lirë. Dhe sepse shqiptarët, kanë ditur, instinktivisht, si komb, që të dallojnë rrugën qorre të nacionalizmit primitiv, me rrugën e patriotizmit evropian”.

Ai u tha qytetarëve të Preshevës se shqiptarët sot janë në pozitën më të mirë në historinë e tyre, dhe “kjo ka ardhur si rezultat i të qenit njerëz të besës, me aleatët tanë të mëdhenj strategjik, me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian”.

Vizita e zotit Rama në Beograd shënon të parën të një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh, ndërsa është zyrtari i parë i nivelit të lartë në gjithë historinë që viziton luginën e Preshevës.

Udhëheqësit politik të Luginës thonë se situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në atë zonë. (voa)

(Mos)marrëveshjet serioze mes Ramës dhe Vuciq

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd është historike vetëm për faktin që realizohet pas 68 vitesh. Takimi Rama Vuciq nxori në pah dallimet shumë të mëdha mes Tiranës dhe Beogradit për çështjen e Kosovës.Kryeministrat Edi Rama dhe Aleksandar Vuciq nuk e kursyen aspak njëri-tjetrin. Takimi kokë më kokë dhe sidomos konferenca e përbashkët për shtyp nxori në pah dallimet e tyre themelore për çështjen e Kosovës, si një prej parakushteve kryesore për normalizimin e plotë të raporteve shqiptaro-serbe në Ballkan. Para më shumë se 200 gazetarëve të mbledhur në Pallatin Serbia, Rama dhe Vuciq shkëmbyen fjalë aspak diplomatike. Për “befasinë e madhe” të Vuciqit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli shumë hapur edhe për çështjen e Kosovës.
“Për çështjen e Kosovës ne kemi qëndrime krejtësisht të ndryshme. Por realiteti është një dhe i pamohueshëm: Kosova është shtet i pavarur dhe ky proces nuk mund të ndalet. Shumica e vendeve e kanë njohur pavarësinë, por disa vende të tjera ende jo. Realiteti duhet të respektohet edhe nga Serbia”, theksoi Rama, duke shtuar se “pavarësia e Kosovës e ka bërë rajonin e Evropës Juglindore më të sigurt. Ndaj edhe njohja e pavarësisë së Kosovës është një çështje sigurie e rajonit”.
Vuciq: Këto janë provokime
Në shenjë proteste ndaj fjalëve të Ramës, Aleksandar Vuciq i hoqi kufjet me përkthim nga gjuha shqipe në serbisht dhe nuk i dëgjoi më tutje fjalët e Ramës, kur ai foli për mbështetjen e Tiranës zyrtare të dialogut mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë; për mundësitë e bashkëpunimit të këtyre dy vendeve duke shkëmbyer të rinj, ide, përvoja dhe për domosdoshmërinë e intensfikimit të komunikimit dhe marrëdhënieve, me synim anëtarësimin në BE. Vuciq nuk dëgjonte përkthimin as në momentin kur Rama bëri të ditur se kryeministri serb është i ftuar që vitin e ardhshëm të vizitojë Tiranën (ndonëse ende nuk është caktuar ndonjë datë e saktë). Kryeministri serb mezi priti të merrte fjalën, pas një pyetje të gazetarëve.
“Nuk kam pritur që zoti Rama të flasë për Kosvën dhe Metohinë, sepse për këtë çështje nuk kam çka të bisedoj me Shqipërinë. Unë e kam për detyrë të mbroj interesat e Sebisë dhe askujt nuk do t’i lejoj ta përulë Serbinë”, tha Vuciq dhe nënvizoi: “Kosova dhe Metohia janë pjesë e Republikës së Serbisë”.
Rama: Kosova e pavarur realitet
Qëndrimet e kryeministrit Rama për Kosovën Aleksanar Vuciq i quajti “provokim” dhe “incident”. “Megjithë këtë incident, ne do ta vazhdojmë këtë vizitë”, theksoi kryeministri serb. Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare tha se “Realiteti mbetet një dhe i pandryshueshëm: Kosova është vend i pavarur, i njohur prej më shumë se gjysmës së vendeve të botës. Të dy kryeministrat ishin të mendimit se “e vërteta duhet të thuhet në sy”, por kjo e vërtetë në çështjen e Kosovës shikohet ndryshe në Tiranë dhe në Beograd.
Marrëveshjet nën hije dallimeve
Nën hijen e shkëmbimit të fjalëve kundërthënëse rreth Kosovës, Rama foli edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se ata “duhet të jenë urë lidhëse mes vendeve tona”. Të njëjtat qëndrime kishte dhe Vuciq, i cili tha se minoriteti shqiptar në Serbi dhe ai serb në Shqipëri, duhet të jenë urë lidhëse. Kryeministrat ishin dakord edhe sa i përket nevojës për shtimin e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve (shkëmbimi aktual arrin vlerën prej rreth 100 milionë eurosh). Qytetarët e Shqipërisë dhe Serbisë pritet të udhëtojnë në të ardhmen në këto vende vetëm me letërnjoftime. Ata duhet të shkëmbejnë përvoja dhe duhet të punojnë në projekte të përbashkëta, që do të ndertohen me paratë e Bashkimit Evropian. Por konferenca për shtyp përfundoi pa shtrëngimin normal dhe formal të duarve mes Ramës dhe Vuciqit, që dëshmonte një “ofendim” të madh të kryeministrit serb.
Analistët: Skandal i Ramës
Në reagimet e para pas konferencës për shtyp, të dy delegacionet ishin të befasuara me kahjen e paraqitjes para gazetarëve. Delegacionet kanë pritur një takim të rëndë, por jo edhe mosmarrëveshje të hapura dhe deklarata kundërthënëse para gazetarëve. Deklaratat e Ramës për Kosovën, në 35t serbe quhen “skandaloze” dhe “keqpërdorim i mikëpritjes serbe”. Ndryshe, rastësisht apo jo, në Radio Televizionin e Serbisë, gjatë transmetimit të drejtëpërdrejtë, nuk ka pasur fare përkthim të fjalëve të Ramës.
Më pas, kryeministri shqiptar ishte mysafir në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike dhe Fondi për Shoqëri të Hapur. Ai foli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë, sidomos kur dihet perspektiva dhe synimi evropian i të dy vendeve.
Shanset për bashkëpunim ekonomik
“Fatet tona janë gjithnjë e më të lidhura dhe varen nga sukseset e palës tjetër. Tani kemi një shans për ndërtimin e raporteve të reja, sepse pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit më nuk kemi konflikte kufitare”, theksoi Rama. Kryeministri i Shqipërisë tha se Ballkani ka nevojë për Evropën, por edhe Evropa për Ballkanin. Ndaj vendet e këtij rajoni duhet të bashkëpunojnë dhe të prezantohen së bashku me projekte para BE. “Kur flasim për ardhmërinë, ajo fillon sot”, tha ai duke shtuar se takimi mes kryeministrin Vuciq ka qenë i vështirë, por edhe i frytshëm.
Gjatë ditës së marte Rama dhe delegacioni i Shqipërisë, në të cilin janë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj, do të vizitojë Luginën e Preshevës. Atje do të kenë takime me këshilltarët dhe krerët e bashkisë dhe do të kenë një paraqitje para qytetarëve. Mesazhi në Beograd ishte se shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të jenë urë lidhëse mes Serbisë dhe Shqipërisë. Por atje ka nevojë për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe respektimin më të denjë të të drejtave të njeriut. (dw)